Nga: Astrit H. Jusufi, Bec, Gjakovë
Studim
UNIVERSITETI I TETOVËS
FAKULTETI PEDAGOGJIK
Programi studimor: Menaxhimi në arsim
PUNIM SEMINARIK
TEORITË BASHKËKOHORE NË ARSIM
TEMA: Roli i prindërve në edukimin e fëmijës
Mentori: Kandidati:
Dr.sc. Lulzime L. Kadriu Astrit Jusufi
DHJETOR, 2022
Përmbajtja
Abstrakti —————————————————————————————————— 3
Hyrja ———————————————————————————————————- 4
I . Roli i prindërve në edukimin e fëmijës——————————.———————————- 5
II. Zhvillimi i shprehive kulturore tek fëmijët———————————————————– 7
II.1 Shprehitë kulturore të komunikimit ————————————————————– 8
II.2 Shprehitë kulturore të higjienës —————————————————————— 9
II.3 Shprehitë kulturore të punës ——————————————————————— 10
II.4 Shprehitë e sjelljes kulturore ——————————————————————– 11
III. Pjesët përbërëse të edukimit të fëmijëve në familje ———————————————- 12
III.1 Edukimi fizik ————————————————————————————– 13
III.2 Edukimi mendor ———————————————————————————– 14
III.3 Edukimi moral ————————————————————————————- 15
III.4 Edukimi estetik ———————————————————————————- 16
IV. Marrëdhëniet reciproke të prindërve —————————————————————– 17
V . Për herë të parë në prag të shkollës —————————————————————– 18
Përfundim—————————————————————————————————- 19
Bibliografia ————————————————————————————————– 20
Abstrakt
Roli i prindërve në edukimin e fëmijës është ndër fazat më të vështira për familjen që të bëjë edukimin e drejtë të fëmijëve. Zhvillimi i shprehive kulturore tek fëmijët përfshinë tërësinë e vlerave materiale dhe shpirtërore të krijuara gjatë zhvillimit historik të njerëzimit. Pjesët përbërëse të edukatës në familje janë të lidhura ngushtë njëra me tjetrën, e të cilat do të kenë, rezultatet e duhura në edukimin e drejtë të fëmijëve. Një ndër çështjet shumë të rëndësishme është edhe regjistrimi i fëmijëvë për herë të parë në shkollë. Për të vegjëlit që për herë të parë shkelin pragun e shkollës është një ndjenjë e veçantë dhe gjithashtu një kthesë e madhe nga jeta e tyre e përditshme, e cila duhet të ngelet në kujtesën e fëmijëvë gjatë gjithë jetës.
Probleme si këto do të trajtohen në vazhdim .
Fjalët çelës: Edukimi, familja , prindërit, fëmijët ,zhvillimi .
Hyrje
Familja është qelizë e parë e shoqërisë në të cilën fillon e zhvillohet procesi i edukimit. Themi se familja është ambienti më i natyrshëm, anëtarët e së cilës i lidh e i bashkon dashuria, nderimi, besimi e interesi për njëri- tjetrin, ajo është foleja e ambienti më i afërt e më i dashur i fëmijës, në të cilin ai është i hapur ndaj çdo kërkese e nevoje. Familja është ambienti i parë ku fëmija fillon hapat e parë të jetës. Fëmija në familje i merr njohuritë e para dhe bëhet i vetëdishëm për jetën. Familjen mund ta quajmë edhe si shkollë të parë ku ai njoftohet me botën, rrethin, jetën, punën si dhe e merr edukatën e parë që ndikon në zhvillimin psikik, moral dhe edukativ te fëmijët. Fëmijët mund të jenë të edukuar vetëm atëherë kur ata kanë prindër të edukuar sepse fëmija në një farë mënyre është kopje e prindërve të tyre. Fëmija që nga fazat e para të zhvillimit fillon t’i imitojë prindërit e tij, si flasin, si ecin, komunikojnë me të tjerët në familje etj.. Në të kundërtën një familje me probleme, ku të dy prindërit kanë mosmarrëveshje në mes vete, problemet e tyre ata i zgjidhin me zhurma të mëdha, bërtima, kacafytje në prezencë të fëmijëve, e ajo reflektohet menjëherë te fëmijët ku ne e dimë se mbresat dhe kujtimet më të fuqishme janë ato fëmijëroe që fëmija si harron kurrë në jetë dhe doemos ai dikur do t’i përdorë të njëjtat veprime që i kanë përdorur prindërit e tyre. Pra, çdo prind duhet të dijë se për të edukuar fëmijët nuk janë vetëm fjalët, por është sjellja, veprat që ata i bëjnë gjatë jetës në familje. Prindërit duhet të jenë shembull i mirë për fëmijët e tyre, vetëm atëherë do të themi se i kemi edukuar fëmijët drejt .
⦁ Roli i prindërve në edukimin e fëmijës
Kjo fazë e fëmijëve është ndër fazat më të vështira për familjen që të bëjë një edukim të drejtë të fëmijëve. Mendoj se familja përmban një përgjegjësi të jashtëzakonshme në edukimin e fëmijëve të tyre sepse krahas zhvillimit fizik të tyre zhvillohet edhe psiqika, morali dhe personaliteti i fëmijës. Çdo fëmijë lind i pastër duke e krahasuar me një letër të bardhë dhe prindërit janë ata, të cilët do ta plotësojnë atë qoftë me të mira apo me të këqija. Mendoj se çdo prind ka obligim moral, njerëzor që t’i rris dhe t’i edukojë fëmijët ashtu si është më së miri. Kjo nuk i shërben vetëm familjes, por edhe gjithë shoqërisë njerëzore, duke menduar se këta fëmijë një ditë do të jenë ata të cilët do ta përfaqësojnë familjen tonë dhe mbarë shoqërinë njerëzore. Çdo prind dëshiron edukimin e mirë të fëmijëve, kështu që ata më vonë të jenë të mirë, të sigurtë dhe të lumtur në jetë, por edhe gabojnë gjatë këtij rrugëtimi, si psh., së pari plotësimi i të gjitha dëshirave të fëmijëve, aq sa fëmija sot është bërë pothuaj “diktator” për familje, kërkon dhe kushtëzon çdo gjë edhe menjëherë dhe prindërit duken të paaftë, disi lëshojnë pe, dorëzohen para këtyre kërkesave, gabojnë rëndë duke menduar dhe thënë: s’dua që fëmija im të vuajë si unë. Në këto raste këta fëmijë hasin në kundërshtime serioze në institucionet edukative, ku aty duhet t’u nënshtrohen rregullave e jo tekeve siç janë mësuar ata në familjet e tyre. Edukimi i kësaj moshe paraqet nivelin e parë të edukimit, gjatë të cilit fëmijët edukohen në familjet e tyre ose në institucione parashkollore (mosha 0-3 dhe mosha 3-6) dhe në shkolla fillore apo klasa parafillore (mosha 5-6). Si rrjedhojë e një varg faktorëve shoqëroro-ekonomik në vendin tonë, ende mungon një qasje serioze ndaj nivelit të parë të sistemit të arsimit, edukimit parashkollor. Niveli i edukimit parashkollor ende nuk e ka zënë vendin që e meriton në kuadër të sistemit të arsimit dhe shoqërisë sonë në tërësi. Sa i përket përfshirjes së përgjithshme të fëmijëve në edukim parashkollor, kjo përfshirje nuk është e kënaqshme. Pjesa më e madhe e fëmijëve në Kosovë ende nuk kanë qasje në programet formale të edukimit në fëmijërinë e hershme. Meqë numri i fëmijëve që vijojnë institucionet parashkollore vazhdon të jetë shumë i vogël në Kosovë bën që përkujdesja për edukimin e hershëm të fëmijëve të jetë ekskluzivisht në dorën e familjeve, pavarësisht nivelit arsimor të tyre. Studimet më të përparuara psikologjike e pedagogjike vërtetojnë se gjashtë vitet e para të jetës së fëmijës kanë ndikim të madh në formësimin e personalitetit të njeriut. Në këtë moshë vendosen edhe themelet e edukimit dhe arsimit të mëtejm të fëmijëve. Është e domosdoshme që fëmijët gjatë kësaj moshe t’i ekspozohen përvojave sa më të larmishme jetësore.
Rritja dhe edukimi i fëmijës konsiderohet një punë me përgjegjësi dhe shumë e vështirë. “Është shumë me rëndësi për familjen dhe për shoqërinë në tërësi që në familje fëmijët të rriten të fortë, intelegjentë, të ndjeshëm, të kujdesshëm, tolerantë, kreativë, të besuar dhe produktivë”
Pra, të gjtha këto tipare që u përmendën më lart, të cilat duhet medoemos t’i ketë çdo fëmijë janë shumë të rëndësishme dhe e ndihmojnë fëmijën në sfidat që e presin gjatë jetës së tij. Në edukimin e drejtë të fëmijëve në familje është shumë normale se paraqiten edhe pengesa e probleme të ndryshme, një ndër pengesat është fakti se familja në përgjithësi është ruajtëse e traditës. Në familje ekzistojnë dy breza, të cilët kanë elemente të kundërta nga e kaluara që shumë zakone janë duke përenduar të cilat vetë koha po i largon nga shoqëria jonë dhe atyre elementeve të cilat janë të pranishme si dhe asaj që duhet të jetë në të ardhmen. Të vjetrit e mbrojnë me këmbëngulje sistemin e vjetër të edukimit, kinse në kohën e tyre mënyra e edukimit ishte më në nivel dhe se fëmijët e tyre ishin shumë të disiplinuar. Këta prindër të kësaj gjenerate harrojnë se tanimë ka ndryshuar shumë mënyra e jetesës, fëmijët duhet të edukohen sipsa kohës dhe kushteve që ekzistojnë për t’iu përshtatur jetës për të ardhmen e jo të kthehemi të shikojmë të kaluarën.“Kurse familjen bashkëkohore nuk mund ta shikojmë nga pikëpamja se si ka qenë dje dhe as se si është sot, por vetëm se si duhet të jetë nesër”
Prindërit duhet të jenë largpamës në edukimin e fëmijëve të tyre që ata t’i adaptohen kohës, kjo na sjell ndërmend shprehjen popullore ‘’ Fëmijët duhet t’i ngjajnë kohës e jo prindërve’’
III. Zhvillimi i shprehive kulturore te fëmijët
“Në kuptimin e gjerë, kultura përfshinë tërësinë e vlerave materiale dhe shpirtërore të krijuara gjatë zhvillimit historik të njerëzimit” . Kultura është një faktor me shumë rëndësi në edukimin e drejtë të fëmijëve dhe është element bazë në formimin e mirëfilltë të personalitetit të fëmijës. Prindërit e kanë për detyrë që gjatë edukimit të fëmijëve të formojnë shprehitë kulturore te fëmijët ku e dimë se fëmija është pasqyrë e kulturës së një familjeje. Pra, prindërit e tregojnë vetëveten nga kultura dhe edukata e fëmijës së tyre. Fëmija është një monitorues, të cilit nuk i shpëton asgjë pa parë dhe pa dëgjuar edhe atëherë kur prindërit mendojnë se ai po fle, po luan apo është në oborr. Është shumë me rëndësi se si flasim dhe çka flasim në shtëpi kur e dimë se fëmija e regjistron në memorien e tij gjithë atë që është folur dhe dikur ai do t’i përdorë të njëjtat fjalë që i ka dëgjuar nga prindërit e tyre.
Te fëmijët duhet të krijohen disa shprehi kulturore ,siç janë:
– Shprehitë kuturore të komunikimit
– Shprehitë kulturore të higjienës
– Shprehitë kulturore të punës
– Shprehitë e sjelljes kulturore
III.1 Shprehitë kulturore të komunikimit
Këto shprehi te fëmija zhvillohen kur mësohet të flasë me zë të ulët që të mos krijojë zhurma gjatë komunikimit me të tjerët në familje, në rrugë, në shkollë e kudo. Duhet të respektohet bashkëfolësi, mos t’i ndërprehet biseda, ta dëgjojmë me vëmendje kur ai flet ,të respektohet radha gjatë bisedës, të flasë ai që është më i moshuar së pari etj.. Fëmijët mund të bëjnë gabime të ndryshme në komunikim, nuk dinë t’i kontrollojnë fjalët shumë herë dhe flasin pa nevojë, përdorin fjalë fyese, fjalë jo të përshtatshme për mjedisin familjar etj.. Ata mësojnë edhe fjalë fyese, ofenduese, sharje e një mori fjalësh të cilat kurrë si ka dëgjuar në familje dhe shumë herë prindërit mbesin pa mend se ku i mësoi fëmija ato fjalë të cilat nuk janë përdorur asnjëherë në familje. Ne e dimë se te fëmijët të nxënit funksionon shumë lehtë dhe ato fjalë mund t’i kenë dëgjuar në këndin e lojërave e gjëkundi, ku ata lozin me fëmijët e tjerë.
Prindërit duhet të jenë ata të cilët duhet t’i eleminojnë ato shprehi negative dhe në një farë mënyre duhet ta dirigjojnë komunikimin e fëmijës në familje me një kriter të veçantë deri në atë shkallë sa fëmija të zhvillojë shprehitë e drejta komunikuese .
III.2 Shprehitë kulturore të higjienës
Higjiena i përket degëve preventive të mjekësisë, ku qëllimi kryesor është ruajtja e pastërtisë trupore, veshmbathjes, ku me këtë e pengojmë shfaqjen e sëmundjeve të ndryshme të cilat varen shumë nga krijimi i një kulture higjienike. Prindërit gjithmonë duhet të zhvillojnë vetëdijën e fëmijës se përherë duhet të jenë të pastër. Çdo prind duhet të krijojë një lloj rregulli në familje në respektim të pastërtisë, duke filluar nga pastërtia trupore, të pastrojnë dhëmbët në mëngjes dhe në mbrëmje, para dhe pas buke duhet bërë shprehi t’i lajnë duart, gjithashtu edhe pas çdo loje apo pune që ata kryejnë. Rëndësi të veçantë duhet t’i kushtojnë edhe të mbajturit pastër të ambientit përbrenda shtëpisë ku jetojnë gjithashtu edhe jashtë saj, si në oborr, rrugë e kudo, që mbeturinat të hudhen gjithmonë në vendin e caktuar.
Ta shfrytëzojnë pushimin në ajër të pastër dhe në ambiente të pastërta. Këto janë shprehitë elementare higjienike dhe pasqyrë e formimit të shprehive kulturore. Vlenë të përmendet se pastërtia është gjysma e shëndetit. Pra, sa më të pastër që jemi do të kemi shëndet më të mirë.
III.3 Shprehitë kulturore të punës
Edhe kjo shprehi ka rëndësi shumë të madhe jetësore për fëmijën. Gjatë punës apo lojës fëmijët zhvillojnë të folurit, të menduarit, mësojnë se si duhet të jenë të dobishëm për jetë, informohen me të mirat që i sjell puna në jetën tonë. Përmes punës fëmijët edukohen, mësohen të jenë të dëgjueshëm, puna i largon nga veset dhe sjelljet e dobëta. Asnjë fëmijë nuk ka lindur punëtor apo dembel. Ai është bërë i tillë në familje në radhë të parë. Lidhur me edukimin e fëmijëve në punë ka shumë koncepte të gabuara që dallojnë në familje. Fëmijët duhet të kryejnë të gjitha punët që u takojnë duke filluar nga vetëshërbimi, por jemi kundër tendencës së disa prindërve që i shohin fëmijët e vet të mitur si burim i të ardhurave, duke i shfrytëzuar që kur janë ende të njomë. Pasi që familja është mjedisi i parë shoqëror i fëmijës, ne këtu do të ndalemi në rolin e saj në zhvillimin e pavarësisë dhe kreativitetit të fëmijëve.
Para se gjithash, prindërit duhet të jenë të hapur ndaj ideve të reja, duke nxitur pavarësinë dhe duke trimëruar fëmijën në punën e tij. Edhe pse qëllimi i tyre është t`i ndihmojnë fëmijët në punë, duhet t’i lejojnë që me vetiniciativë t`i kryejnë disa punë të caktuara.
Fëmija, pas mundit të bërë dhe pasi që ka bërë diçka vetë, do të ndihet kompetent dhe i kënaqur me atë çka ka bërë. Do të jetë i vetëdijshëm që këtë e ka bërë me vetiniciativë, e jo si produkt i punës së prindërve të tij..
Angazhimet e fëmijëve në familje, gjithashtu diktojnë zhvillimin e kreativitetit fëmijëror.
Por, gjithmonë me tendecën e zhvillimit kreativ dhe krijimin e shprehive të punës tek fëmijët dhe asnjëherë me qëllime përfitimi material.
III.4 Shprehitë e sjelljes kulturore
Formohen duke pasë parasysh se si duhet të sillemi me të tjerët. Fëmija duhet të ushtrohet të përdorë fjalët mirënjohëse, siç janë: ju falemnderit, mirë se erdhët, na nderuat me ardhjen tuaj, lavdërimet, urimet, ngushëllimet dhe fjalët përshëndetëse, si mirëmëngjesi, mirëdita, mirëmbrëma, mirupafshim etj..Të gjitha këto fjalë fëmija duhet të mësojë t’i përdor dhe çka është më me rëndësi duhet të dijë edhe kohën dhe momentin se kur të përdoren ato. Andaj, çdo prind duhet të dijë se është modeli i parë jetësor, të cilin fëmija do ta imitojë gjatë gjithë jetës.” Duke zhvilluar shprehitë kulturore, te fëmijët do të zhvillohet personaliteti i tyre i gjithanshëm, do të çelikoset fëmija në pikëpamje fizike, do të zhvillojë botën e tij emocionale dhe intelektuale, do të formojë kuptimin mbi domosdonë e përjetimit të së bukurës në natyrë dhe të krijimit të saj në punë dhe në provim, të fitojë kulturë të gjerë teknike në formë të aftësive për të përdorur të arriturat shkencore dhe teknike në familje dhe në prodhimin shoqëror”.
Të rinjve u takon e ardhmja. Ata do të jetojnë në periudha më të përparuara, prandaj edhe duhet përgatitur më mirë, duhet aftësuar për të përballuar detyrat dhe punët e së ardhmes që do të jenë gjithnjë e më të vështira, sepse zhvillimi e përparimi kërkojnë njerëz më të aftë.
. “Përgatitini fëmijët tuaj, mësojini fëmijët më mirë se ju, sepse atyre u takon e ardhmja”,-na mëson poeti ynë, Naim Frashëri.
IV. Pjesët përbërëse të edukimit të fëmijëve në familje
Pjesët përbërëse të edukatës në familje janë të lidhura ngushtë njëra me tjetrën e të cilat do të kenë rezultatet e duhura në edukimin e drejtë të fëmijëve.
Ndër pjesët pothuajse më të rëndësishme të edukimit të mirëfilltë të fëmijëve janë këto:
⦁ Edukimi fizik
⦁ Edukimi mendor
⦁ Edukimi moral
⦁ Edukimi estetik
Secila prej tyre ka rëndësinë e veçantë dhe janë shumë të domosdoshme për një jetë të mirëfilltë e cila i pret fëmijët tanë.
Po paraqesim në formë të përmbledhur të gjitha pjesët e edukatës, secilën prej tyre do të përpiqemi ta trajtojmë më poshtë.
IV.1 Edukimi fizik
Zhvillimi i trupit është themeli mbi të cilin do të mbështetet i gjithë zhvillimi mendor,moral etj..Në një trup të shëndoshë është edhe një mendje e shëndoshë. Në edukimin fizik duhet të dallojmë dy anë të problemit: punën që bën prindi, kujdesin e tij për shëndetin e fëmijës, për higjienën personale, ushqimin, veshjen, lojën, pushimin etj., por edhe aftësinë që vetë fëmija të kryejë disa nga veprimet më fillestare duke nisur nga vetëshërbimi. ‘’Prindërit duhet të të kujdesen për fëmijën deri në një moshë të caktuar, por vetë fëmija dora-dorës duhet të aftësohet e të kujdeset për veten”. Është e rëndësishme që edhe në familje të zhvillohen disa cilësi fizike, si: shkathtësia, shpejtësia, elasticiteti,forca,rezistenca,etj.,por edhe disa cilësi morale që lidhen me zhvillimin fizik, si guximi, durimi, bashkëpunimi e ndihma reciproke etj..
Fëmijët kanë nevojë çdo ditë për aktivitet fizik sidomos në ditët e sotme që lojërat e zakonshme fizike janë zëvendësuar nga ato elektroniket që ndikojnë negativisht në shtimin e peshës tek fëmijët si dhe dëmtime tjera serioze në të pamurit etj.. Sporti ka një ndikim shumë të rëndësishëm në mirërritjen dhe shëndetin e fëmijëve. Prindërit duhet të luajnë një rol të rëndësishëm duke ndikuar në edukimin e tyre fizik dhe mendor. Sporti gjithashtu nxit vetëvlerësimin tek fëmijët, u jep atyre një ndjenjë kënaqësie, kjo kur u shtohet edhe mbështetja nga prindërit. Regjistrojeni fëmijën tuaj në një sport që ai e pëlqen dhe ndihet mirë me të. Sporti ka ndikimin e tij dhe në aspekte të tjera të rëndësishme si psh:
– Rrit socializimin mes fëmijëve dhe punën në grup
– Argëton fëmijët
– Zhvillon aftësitë e menaxhimit të kohës
– I mëson të vendosin objektiva
– I mëson si të përballen me problemet
IV.2 Edukimi mendor
Kjo formë edukimi është një ndër dëshirat më të mëdha për një familje që të ketë fëmijë të zgjuar.
Natyrisht, në fushën e edukimit mendor shkollës i takon puna më e rëndë, sepse ajo është institucion i specializuar për edukimin dhe arsimimin e fëmijëve, por edhe familja luan rolin e vet, bile në disa fusha ka përparësi. Po parashtrojmë ndonjë shembull. Aftësia për të folur. Kush e bën këtë punë më mirë se nëna? Shkolla e kulturon gjuhën, por themelet e saj fillojnë e fitohen në familje. Shpeshherë shkolla e ka të vështirë, madje të pamundur të ndryshojë disa trajta të shprehuri apo të shqiptuari që merren në fëmijëri në familje. Kujtoni p.sh. të folmen në dialekt. Rritet e plaket njeriu dhe nuk ndryshon dot disa shqiptime, sado të punojë shkolla dhe mjetet tjera në këtë fushë.E kjo nuk ngjet vetëm me gjuhën, por edhe me disa aftësi, shprehi e njohuri tjera, si: ato të mbarështrimit të shtëpisë, të ekonomisë shtëpiake, të gatimit, të qëndisjes, të disa punëve të thjeshta bujqësore e blegtorale etj.. Në këto fusha e në shumë të tjera edukata familjare ndikon dukshëm, shpesh ka përparësi ndaj shkollës. Aftësia për të përceptuar. Zhvillimi i shqisave, vrojtimi, mprehja e dëgjimit, të prekurit, shijimi, të nuhaturit fillojnë të zhvillohen në familje, ndërsa shkolla vetëm sa i zgjeron dhe i përpunon në drejtimin shkencor.“Vini re kujdesin e të gjithë pjesëtarëve të familjes për reagimin e fëmijës ndaj dritës, ndaj krismave, ndaj ujit të ngrohtë apo të ftohtë etj., veprime të vogla që kryhen orë e çast në familje në mënyrën më të natyrshme, gjë që shkolla nuk do të arrinte ta bënte kurrë”. Mësuesi nuk mund ta zëvendësojë kurrë kujdesin e nënës që fëmija të fillojë të belbëzojë e më vonë të flasë apo të ecë. Nuk po zgjatemi këtu për rolin e përrallave, tregimeve, lojërat e fjalëve (fjalëshpejtat), gjëegjëzat, shprehjet e bukura popullore që më mirë se në familje nuk mund të përdoren asgjëkund. Konceptet e para fëmija i merr në familje, si: nënë, babë, vëlla, motër, fruta, ushqime, emërtimet e rrobave, po kështu krahasimet e para, klasifikime etj.
IV.3 Edukimi moral
Edukimi moral është një problem shumë i gjerë, por duam të theksojmë se s’ka shkollë dhe asnjë mjet tjetër që të shlyejë nga zemra dhe ndërgjegjja e fëmijës, madje edhe e të rriturit, ato ndjenja të larta morale që merren në shtëpi, si: ndjenja e dashurisë, e respektit, e dhembshurisë, e sakrificës ndaj të dobtëve, pleqve, të varfërve e nevojtarëve. Kush mëson të nderojë pleqtë në familje, do t’i nderojë edhe në rrugë dhe kudo në jetë. Kush është mësuar të bëjë veprime fisnike duke sakrifikuar për pjesëtarët e familjes, e ndjenjat e larta i sakrifikon pa hezitim edhe për të tjerët. Kush e do shtëpinë e vet, familjen, lagjen apo fshatin, shokët e miqtë e vet, do të dijë të dojë dhe të respektojë edhe të tjerët. Po kështu ndjenja e nderit, e dinjitetit, e turpit, aftësia për të përmbajtur veten nga veprimet e ndaluara, respekti ndaj vetes dhe të tjerëve, zakonet e mira të mikëpritjes ku mund të mësohen më mirë se në shtëpi, në gjirin e familjes? Kështu mund të flasim për atdhetarizmin, qëndrimin ndaj punës, ndaj pronës personale.
Në familje problemet e edukimit moral zënë vendin kryesor. Çdo prind, por sidomos nëna kujdeset për fëmijën e vet, që ai të jetë i shëndetshëm, i ditur e në radhë të parë i sjellshëm. Aty ditë për ditë në mënyrë të vazhdueshme dhe shumë të natyrshme fëmija edukohet me normat morale. Tek brezi i ri ndikojnë një seri faktorësh dhe mjetesh shoqërore të ndërthurura njëra me tjetrën. Por, të gjitha virtytet e mira, sjelljet dhe qëndrimet e njeriut i marrin në familje. Ta dijmë se, për të qenë të suksesshëm, nuk i duhet falur fëmijës fjala më e vogël cinike a banale ose mungesa e mirësjelljes ndaj të tjerëve, duke filluar nga familja e ngushtë e deri te kalimtari i rastit, kur ndodhin ekcese rastësie me ndokënd.
IV.4 Edukimi estetik
Edukimi estetik zhvillon ndjenjën e bukurisë dhe tërheqjes për bukurinë e një fëmije.
Themi se është shumë i rëndësishëm sepse fëmijën e ndihmon të jetë gjithnjë në hap me kohën dhe me trendet në jetën e përditshme. Në familje merren konceptet e para për të bukurën e kategoritë e tjera estetike, fitohet përvoja fillestare e përceptimit të së bukurës kudo: në të folur, në sjellje, në të veshur, në lëvizje, në mbarështrimin e shtëpisë, në natyrë, në art etj.. Krijohen edhe aftësitë e para për ta vlerësuar të bukurën dhe për ta krijuar atë. Sa gjëra të mira, të dobishme dhe të bukura mund të fillojnë të krijojnë fëmijët në familje nën drejtimin, shembullin dhe nxitjen e prindërve.
E bukura është një fenomen i shpirtit, e cila ka efekt pothuajse vetëm shpirtëror. E fenomenet e natyrës shpirtërore janë të përhershme dhe universale. Është në natyrën e njeriut dhe brenda proceseve të tij të përditshme, komunikimi me të bukurën në jetë, në punë, në natyrë, në ambiente që e rrethojnë, në dukje, në ushqim e në çdo specifikë jetësore. Përveç fenomeneve artistike që ka i krijuar natyra, si: tingujt, aromat, ngjyrat, peizazhet, detin, diellin, agimin, muzgun, një botë e tërë veprimtarish janë edhe artet e krijuara, në të cilën përfshihen: letërsia, muzika, teatri, filmi, arkitektura, piktura, skulptura, etj..
Ndër veprimtaritë kryesore të kulturës është arti, i cili i rrit vlerat njerëzore të një shoqërie.
V. Marrëdhëniet reciproke të prindërve
Si faktor më i rëndësishëm në zhvillimin dhe edukimin e fëmijëve është marrëdhënia reciproke në mes të dy prindërve. Për edukimin e drejtë të fëmijëve në familje faktor shumë me rëndësi është vënia e marrëdhënieve të drejta e të sinqerta ndërmjet të dy prindërve (babait dhe nënës). Fëmijët janë në gjendje të kopjojnë çdo sjellje të prindërve të tyre, kur në një familje ka mirëkuptim, dashuri, tolerancë, të gjitha këto do ta përcjellin edhe fëmijën deri në fund të jetës së tij. Autori Mehmet Gjevori në librin e tij“Prindërit dhe fëmijët” tha: “Është e kuptueshme se nganjëherë edhe në mes të dy prindërve ka mosmarrëveshje, moskuptime dhe grindje me fjalë, sepse fundi i fundit edhe bashkëshortët janë njerëz para të cilëve paraqiten probleme të ndryshme e të llojllojshme, të cilat, me dije qoftë, mund ta bëjnë herë –herë të pamundshme jetën e qetë e të harmonishme në familje”. Gjithmonë problemet familjare të bashkëshortëve mos të zgjidhen në praninë e fëmijëve sepse fëmijët në këtë moshë të re nuk mund t’i kuptojnë ato dhe mund të pësojnë shqetësime që nuk i duron mosha e tyre e njomë. Ata kërkojnë vetëm përkëdheljen e prindërve me butësi e dashuri prindërore që ata të ndihen të lumtur dhe të sigurtë në familje. Kjo i bën fëmijët të rriten dhe të kenë një zhvillim psiko-fizik të shëndoshë. Ndërsa, pasoja shumë të rënda në zhvillimin e fëmijës lënë mospajtimet ndërmjet prindërve të tij. Prindërit që fjalosen, grinden e i kundërvihen njëri-tjetrit, në shumë raste kemi edhe dhunë fizike në praninë e fëmijës, që krijojnë një klimë jo të sigurtë dhe mjaft neveritëse. Fëmija në këso rrethanash ndihet i pasigurtë, i mërzitur dhe mund të pësojë edhe trauma psiqike. Në këto raste fëmija nuk ndihet mirë sepse e ndien mungesën e dashurisë prindërore, e cila e motivon të luajë, të ushqehet dhe të ndihet mirë në gjirin familjar.
Prandaj, çdo prind duhet të krijojë një klimë të përshtshme që fëmijët e tyre të kenë një gjendje sa më të mirë emocionale e cila do të ndikojë në formimin e personalitetit të tyre.
VI . Për herë të parë në prag të shkollës
Një ndër çështjet shumë të rëndësishme është edhe regjistrimi i fëmijëve për herë të parë në shkollë. Për të vegjëlit që për herë të parë shkelin pragun e shkollës është një ndjenjë e veçantë dhe gjithashtu një kthesë e madhe nga jeta e tyre e përditshme, e cila do të ngelet në kujtesën e fëmijëvë gjatë gjithë jetës. Jeta e tyre ndryshon shumë sepse tani kanë një jetë më të organizuar me rregulla, detyra dhe obligime të ndryshme, jo si më herët kur ata kanë menduar vetëm për lojën, argëtimin etj..Tani duhet të zgjohen sipas orarit të mësimit, të ushqehen me orar, t’i kryejnë detyrat e shtëpisë, të përgatisin orarin e librave e shumë e shumë obligime të tjera, të cilat shpiejnë drejt një jete të organizuar dhe bashkohore.
Prindërit duhet të luajnë një rol të rëndësishëm në përgatitjen emocionale, psikologjike të fëmijëve në mënyrë që ata ta përballojnë këtë kthesë vërtet të madhe në jetën e tyre fëmijërore. “Dhe me dije qoftë se kjo barrë e rëndë u bie në rend të parë prindërve ,të cilët duhet të përpiqen që ky kalim i menjëhershëm t’i bëhet fëmijës së tyre sa më i këndshëm e i natyrshëm, e shkolla t’u bëhet e dashur e tërheqëse qysh në fillim”
Rëndësi të veçantë ka edhe takimi i parë me personelin arsimor se si ata dinë t’i presin dhe t’u urojnë mirëseardhjen e tyre në shkollë.
Përfundim
Duke u nisur nga edukata e parë që u jepet fëmijëve nga prindërit, zhvillimi i shprehive kulturore gjatë edukimit, pjesët përbërëse të edukimit, të cilat janë: edukimi fizik,mendor, moral, estetik, etj., kuptojmë se të gjithë këta faktorë ndikojnë në formimin e personalitetit.
Kjo fazë e zhvillimit të fëmijëve deri në moshën 6 vjeçare është një ndër fazat më të ndieshme, e cila kërkon vërtet një mund dhe një përgjegjësi të veçantë në edukimin e drejtë dhe përgatitjen e fëmijëve për një shkollim të suksesshëm. Sot në shumë raste mungon familja, jeta familjare, shumë fëmijë jetojnë jashtë familjes, në çerdhe, në mësime parashkollore, në aktivitete të lira, sa që pak jetojnë në familje dhe me familje.
Edhe atë pak kohë që e kalojnë me prindër, e kalojnë keq, sepse prindërit janë të ngarkuar me punë, me lodhje, me halle të ndryshme, kështu që fëmija trajtohet më shumë si ngarkesë,pengesë, peshë, se sa gëzim, dhuratë, mundësi.
Aq më tepër se edhe vetë bërthama bazë e shoqërisë, familja, ka pësuar shumë lëkundje këto vitet e fundit. Familja shqiptare nga dita në ditë po pëson tronditje serioze, që vjen si rrjedhojë e një mendjelehtësie për të përvetësuar ato forma jetese, gjoja përparimtare dhe të emancipuara që na i ofron bota e huaj perëndimore, pa marrë aspak parasysh traditat tona, kushtet tona dhe mundësitë tona. Pra, në kushtet e sotme problemet e edukimit duhet të dalin gjithnjë e më shumë në plan të parë. Tashmë si shoqëria, ashtu edhe familja duhet ta kuptojnë seriozisht se krahas nivelit ekonomik dhe mirëqenies, krahas arsimimit dhe punësimit të brezave të rinj, po duket qartë domosdoshmëria e një preokupimi serioz dhe me pikësynime të qarta edhe për problemet e edukimit.
Fëmijët e edukuar mirë janë një kapital i madh dhe pasuria më e mirë e familjës.
Bibliografia
⦁ Brada, Riza, Për prindërit e rinj, NSHGBTL, ROSVETA, Gjilan, 1990.
⦁ Gjevori, Mehmet, Prindërit dhe fëmijët, RILINDJA, Redaksia botuese Prishtinë 1984.
⦁ Miller, Bonnie, Komunikimi me fëmijë, Qendra për Përparimin e Edukimit dhe Arsimit,
Ferizaj 2005
⦁ Miller, Bonnie, Si të krijohet kontakti i suksesshëm me nxënësit, Botoi qendra për Përparimin e Edukimit dhe Arsimit, Ferizaj, 2005.
Analiye e mire dhe shume permbajtesore e shtjelluar mire ne temen ne fjale…Ju pergeyoj prof Astrit .Suksese !
Faleminderit shumë koleg i nderuar, respekt për ju!