ARKIVI:
24 Dhjetor 2024

Tepër sekret – Spiro Koleka letër Enver Hoxhës: Ja sa vramë

Shkrime relevante

Po përsëritet historia! KQZ-ja (s) ka të drejtë!

Prof. Fadil Maloku, sociolog nga Prishtina Në vitin 2013 (si ish anëtarë...

Kontradikta dhe abuzimi politik i Edi Ramës, dëmton rëndë Kosovën dhe Shqipërinë

Nga: Luan Dibrani Kritika ndaj Edi Ramës dhe Pozita e Qeverisë Shqiptare...

Te Nënëlokja e UÇK -së, NËNË STANA!

Nga: Nusret Pllana BRUS - lagjja Peshter Me bashkëluftëtarin tim Ismet Sylejmani, vizituam...

Vuçiq, Albin Kurti nuk është KQZ!

Gani Mehmeti Pas Reagimit ti kryetarit të Serbisë, Aleksandër Vuçiq me rastin...

Hajgarja e vitit nga Qeveria: pensionistët e diskriminuar mbeten në harresë!

Nga: Zeqir Bekolli, Drenas ___ Qeveria këtë fundvit vendosi të bëjë një tjetër...

Shpërndaj

Ne fotografi: Skuadra e pushkatarve tue ba nji ekzekutim. Të këtilla ishin pushkatimet komuniste.

Për herë të parë, raporti sekret që Spiro Koleka i dërgonte Enver Hoxhës, ku për të rrëfyer zellshmërinë e atyre që punonin për diktatorin ku rrëfehen krimet monstruoze dhe ku për statistikat.

Nëse kishe vrarë dikë shanset që regjimi komunist të të dënonte me vdekje ishin të mëdha, por asnjëherë aq të mëdha sa të atij që akuzohej se kishte folur keq kundër partisë apo ishte klasifikuar në listën e të ashtuquajturve armiq. Në letrën që Spiro Koleka, nënkryetar i Presidiumit Popullor, i shkruante diktatorit Hoxha, shpjegohen qartë pse të dënuarit për krime politike apo siç cilësohen këtu krime kundër shtetit, dënoheshin më shumë me vdekje, gati dyfishi i të njëjtit dënim të dhënë për të dënuarit për vrasje. “Punonjësit tonë, krimet kundër shtetit (sabotimi, arratisja dhe puçet) dhe autorët e tyre i urrejnë, i luftojnë dhe i dënojnë pa asnjë rezervë, pse rrezikshmëria e këtyre krimeve është më e qartë për ta. Por krimet e tjera, si vrasje, rrahje, fyerje, vjedhje, dëmtime të pronës socialiste nuk i kuptojnë kudo e kurdoherë sa e si duhet”, – shkruan Koleka. Kjo është dëshmi e qartë pse vrasjet dhe ekzekutimet të lidhura me krimet politike janë rreth dy herë më të larta se ato për krimet ordinere. Po ashtu është e qartë pse njerëzit që akuzoheshin për krime politike, edhe pse në pjesë më të madhe intelektualë e të shkolluar faleshin disa herë më pak sesa ata që akuzoheshin për vrasje banale. Të dhënat deri më tani të papublikuara zbardhin njëkohësisht edhe vitet më të egra të regjimit komunist. Në një raport, kur për dënimin me vdekje flitet si për “planin 5-vjeçarë të duhanit”, theksohet se vitet 1952 deri 1954 e më tej vitet ‘75-‘77 janë vitet me numrin më të madh të të ekzekutuarve për krime politike. “Ndërsa në vitet 1975-1977 ka një farë ngritje, si pasojë e punës armiqësore të puçistëve në ushtri, e grupit të sabotatorëve në ekonomi dhe i atij në fushën e kulturës dhe të arteve, që u goditën nga Plenumet e IV, V, VI, E VII të Komitetit Qendror të Partisë”, thuhet në letrën që Koleka i dërgon Hoxhës. Më poshtë gazeta publikon të plotë raportin, por edhe të dhënat dhe dënimet me vdekje në vite. Presidiumi i Kuvendit Popullor Dosja Nr.118 Viti 1977 Tiranë më 10.12.1977

Shokut Enver Hoxha Tepër Sekret Sekretar i Parë i Komitetit Qendror PPSH Lënda: Mbi dënimet me vdekje nga viti 1952 deri në nëntëmujorin e vitit 1977. Sipas një porosie që më kini dhënë gjatë vitit vazhdues të studionim “sa dënime me vdekje janë dhënë që nga viti 1950 e deri në vitin 1977 e pse” bëmë studimin të cilin po ju a dërgojmë. Për këtë studim u këshilluam edhe me Gjykatën e Lartë. Studimi është bërë nga viti 1952 e këndej, sepse për 1950 e 1951 Gjykata e Lartë nuk ka evidenca të plota të shumës së dënimeve, për të cilat ligja parashikon dënimin deri me vdekje. Nënkryetari i Presidiumit Spiro Koleka *** Tepër Sekret Dënimet me vdekje nga organet e drejtësisë janë dhënë për krime kundër shtetit, për vrasje dhe për vjedhje të pasurisë socialiste (e një për shpërdorim të pozitës zyrtare).

Gjatë periudhës 25 vjet e nëntë muaj janë dhënë dënime për 6.937 krime, për të cilat ligja parashikon dënimin deri me vdekje, të ndara kështu: 3.347 krime kundër shtetit, 1.424 vrasje me dashje dhe 2.166 përvetësime të pasurisë socialiste. Në Presidiumin e Kuvendit Popullor kanë ardhur nga Gjykata e Lartë 747 dënime me vdekje, të ndara në këtë mënyrë: 283 ose 37,8 për qind për krime kundër shtetit, 320 ose 42,87 për qind për vrasje dhe 142 ose 19,07 për qind për vjedhje. U është falur jeta 255 vetëve ose 34,1 për qind të të dënuarve janë zbatuar 492 vendime.

Po t’i marrim të dënuarit sipas llojit të krimit del: u është falur jeta 24.38 për qind të të dënuarve për krime kundër shtetit, 37.5 për qind të të dënuarve për vrasje dhe 45.77 për qind të të dënuarve për vjedhje. Nga ata që u është falur jeta 27.05 për qind janë për krime kundër shtetit, 47.06 për qind për vrasje dhe 25.49 për qind për vjedhje. Në numrin gjithsej të të dënuarve bëjnë pjesë vetëm 10 gra ose 1,33 për qind. Prej tyre dy për krime kundër shtetit dhe 8 për vrasje, të kryena për shkaqe të dobëta. Katër prej tyre iu fal jeta. Janë dënuar me varje gjithsej 8 veta ose 1.08 për qind, nga të cilët 2 për krime kundër shtetit, 2 për vrasje dhe 4 për përvetësim të pasurisë socialiste. Nga këta 3 janë varur, 5 janë pushkatuar. Për krime kundër shtetit: Shihet se nga viti 1952 deri në vitin 1964, me përjashtim të viteve 1956, 1957, 1958 e 1960, në asnjë vit tjetër numri i të dënuarve me vdekje nuk ka zbritur nën 10 veta, goditja e drejtësisë proletare ka qenë e fortë, në veçanti gjatë viteve 1952- 1955. Nga viti 1965 gjer në vitin 1974 numri i të numri i të dënuarve me vdekje është nën 10 veta, nga 1 në vitet 1971 e 1972, nga 2 në vitet 1965 e 1974, 4 në vitin 1967, nga 6 në vitet 1966 e 1969, e nga 8 në vitet 1968 e 1973. Në këto 10 vjet (1964- 1974) dënimet me vdekje për këtë lloj krimi kanë qenë më të pakët. Ndërsa në vitet 1975-1977 ka një farë ngritje, si pasojë e punës armiqësore të puçistëve në ushtri, e grupit të sabotatorëve në ekonomi dhe i atij në fushën e kulturës dhe të arteve, që u goditën nga Plenumet e IV, V, VI, E VII të Komitetit Qendror të Partisë.

Vetëm në vitin 1970 nuk ka të dënuar me vdekje për këtë lloj krimi. Për vrasjet: Vihet re se dënimet me vdekje nuk kanë qenë nën 10 për çdo vit, që nga viti 1952 deri në vitin 1968, me përjashtim të vitit 1961, kur kanë qenë 9 dhe të viti 1964, kur kanë qenë 7. Nga viti 1969 deri në fund të nëntë mujorit 1977 ato shkojnë nga 2 deri në 7 në vit. Nuk ka asnjë vit në këtë periudhë që të mos ketë pasur të dënuar me vdekje për vrasje po të gjykoç, pa marrë parasysh ata të dënuar me 10,15,20 e 25 vjet burg, gjendja paraqitet shqetësonjëse. Prandaj organet e Partisë e të pushtetit, organet e drejtësisë dhe organizatat e masave, ashtu si deri tani, duhet të bëjnë një punë shumë më të gjerë edukuese me punonjësit për parandalimin e këtij krimi. Për vjedhjet e pronës socialiste: Dënimet me vdekje vetëm në vitet 1952-1955 janë mbi 10 në vit (nga 16 deri në 31).

Nga viti 1956 gjer në vitin 1977 ato kanë zbritur nga 8 në 1. Në këta të 25 vjet e nëntë muaj ka vetëm 7 vjet, në të cilët nuk është dënuar me vdekje asnjë për këtë lloj krimi (vitet 1959, 1963, 1970, 1971, 1972, 1973 dhe 1976). Pra 90 dënime me vdekje për vjedhje janë dhënë në vitet 1952-1955 që llogaritet 63,38 për qind të krejt dënimeve me vdekje të dhëna për këtë lloj krimi nga vitet 1952 deri në vitin 1977. Pakësimi i tyre në këta të 22 vjetët e fundit ndodh jo se dëmet e shkaktuara nga krimet që janë zbuluar gjatë kësaj kohe kanë qenë më të pakta, por se vetë gjykatat janë kufizuar në zbatimin e këtij dënimi.

Nga të dhënat që paraqiten në pasqyrë del se në vitet 1952, 1957, 1960, 1962, 1965,1967,1969,1972 të marrun së bashku rreth 43 për qind e të dënuarve me vdekje për krime kundra shtetit iu është falur jeta nga Presidiumi.

Po kështu, për vitet 1952,1954, 1956,1957, 1958, 1960, 1961, 1963, 1965, 1969, 1970 rreth 50 për qind të dënuarave me vdekje, për krimin e vrasjes dhe të vjedhjes së pasurisë socialiste, ju është falur jeta nga Presidiumi.

Nga pasqyra del e qartë se politika e Partisë sonë për ta parë dënimin me vdekje si një fenomen të jashtëzakonshëm është zbatuar nga gjykatat tona: p.sh, kundrejt gjithsej 3.347 raste krimesh kundra shtetit në këta të 25 vjet e nëntë muaj, për të cilët ligja parashikon dënimin deri me vdekje, janë dhënë vetëm 8.5 për qind, për krimin e vrasjes 25.3 për qind dhe për atë të vjedhjes 6.6 për qind. Megjithëkëtë në punën e gjykatave dhe të kolegjit Penal të Gjykatës së Lartë ka pasur tek-tuk ndonjë teprim në vendosjen e dënimeve me vdekje, çka tregon se nuk janë çmuar gjithnjë politikisht dhe me kujdes rrethanat dhe shkaqet e kryerjes së krimeve si dhe përbërja politiko-shoqërore e ndonjë të gjykuarit, për të cilat ka tërhequr vëmendjen edhe Presidiumi i Kuvendit Popullor. Në politikën e dënimeve me vdekje, në përgjithësi organet e drejtësisë duhet të tregohen shumë më të kujdesshëm e më të matur. Punonjësit tonë, krimet kundra shtetit dhe autorët e tyre i urrejnë, i luftojnë dhe i dënojnë pa asnjë rezervë, pse rrezikshmëria e këtyre krimeve është më e qartë për ta.

Por krime e tjera, si vrasje, rrahje, fyerje, vjedhje, dëmtime të pronës socialiste nuk i kuptojnë kudo e kurdoherë sa e si duhet, si shprehje e veprimtarisë së armiqve për të thyer unitetin e popullit tonë e për të degjeneruar e kompromentuar punonjësit dhe për të dëmtuar pronën e shenjtë socialiste. Në kërkesat për falje të paraqitura në organet e pushtetit e nga këto në Presidiumin e Kuvendit Popullor, jo për falje të dënuarish me vdekje, por për falje të dënimeve me heqje të lirisë ose me zhdëmtim të pronës socialiste, vërehet një liberalizim jo i vogël nga organizatat e masave dhe nga ndonjëherë edhe nga organet e pushtetit që bëjnë propozime për falje. Letra e Komitetit Qendror të Partisë, drejtuar Komiteteve të Partisë në rrethe e në ushtri, që të analizohesh në Plenume gjatë muajit tetor, gjendja mbi kriminalitetin dhe të merren masa të veçanta nga Partia e levat e saja për të përmirësuar rrënjësisht gjendjen në këtë fushë, do të ndihmojë shumë që të kuptohet drejt e të zhvillohet më me forcë, lufta e klasave, duke forcuar sa më shumë e organizuar sa më mirë sqarimin dhe edukimin ideologjik të punonjësve për parandalimin e krimeve e të shkeljeve të ligjeve e si rrjedhim të rrisin vigjilencën e të kufizojnë sa më shumë veprimtarinë armiqësore.

E përgatiti: Paul Tedeschini, Itali

K O M E N T E

1 KOMENT

  1. Nga nji kriminel komunist si Spiro Koleka nuk ka si del ma i mire nipi i tij “socialist” Edi Rama.
    Kush mbeshtet Edi Ramen, mbeshtet kriminelat e kamufluem komunista mafjoza dhe punon per te keqen e Shqipnise dhe te popullit shqiptar.
    Ka njerz qe per nji kothere buke e shesin vehten.

SHKRUAJ NJË KOMENT

Ju lutem, shkruaj komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaj emrin tuaj këtu