ARKIVI:
21 Dhjetor 2024

The Chicago Tribune (1919) / Konferenca e Paqes në Paris – Rrëfimi i Parashqevi Qiriazit mbi mizoritë e grekëve në Korçë dhe zonën përreth

Shkrime relevante

Këshillë për të krishterët në Kosovë…!

Agim Bajrami  Qëlimi i të gjithëve neve që civilizmin e krishterë e...

Klasë politike më të pafytyrë dhe pakarakter se ne shqiptarët, në Europë nuk ka askush !

Driton Statovci Kur po i lexoj reagimet e politikanëve tonë për sulmin...

Ago Agaj, “Kosovari nga Vlora”, në 30 vjetorin e kalimit në amshim

Dr. Ago Agaj, bashkpuntor politik i çeshtjes kombëtare dhe mik i...

Shpërndaj

Parashqevi Qiriazi (1880 – 1970)

Nga Aurenc Bebja*, Francë – 30 Maj 2022

“The Chicago Tribune” ka botuar, të premten e 19 shtatorit 1919, në faqen n°3, rrëfimin e Parashqevi Qiriazit (delegates së Partisë Nacionale të Shqipërisë në Konferencën e Paqes në Paris) mbi mizoritë e grekëve në Korçë dhe zonën përreth, të cilin, Aurenc Bebja, nëpërmjet Blogut “Dars (Klos), Mat – Albania”, e ka sjellë për publikun shqiptar :

Shqiptarët duan lirinë, jetojnë me frikën e grekëve, thotë një delegate amerikane (delegatja e shqiptarëve të Amerikës)

Nga Betty Van Benthuysen

(Shërbimi i Lajmeve të Jashtme të Chicago Tribune.)

Burimi : gallica.bnf.fr / Bibliothèque nationale de France

Një tjetër histori zemërthyese e vuajtjes dhe degradimit të grave dhe fëmijëve, në vendet e shkatërruara nga lufta, rrëfyer sot nga zonja Parashqevi D. Qiriazi, delegate që përfaqëson Partinë Nacionale të Shqipërisë, e cila ishte gjashtë muaj në Korçë (Shqipëri) dhe u largua prej aty në fillim të shtatorit.

Zonja Qiriazi është një amerikane nga Worcester, Massachusetts. Ja historia e saj për mizoritë që po kryhen në Shqipëri.

Korça, më 27 gusht, ishte në duart e autoriteteve franceze siç ka qenë që nga viti 1916, por frika në zemrat e të gjithë Shqipërisë është se qeveria franceze synon të tërheqë mbrojtjen e saj përpara se të zgjidhet çështja shqiptare.

Shumë largohen nga vendi

Ka qenë rreth datës 20 gusht kur komandanti francez njoftoi popullin se Korça dhe vendi përreth do t’u dorëzoheshin grekëve. Populli e dëgjoi këtë me alarmin më të madh dhe u përhap paniku. Sapo dëgjuan këtë lajm, burrat morën armët dhe gratë u përgatitën të largoheshin.

Njerëzit me mjete të mjaftueshme për t’u larguar u larguan menjëherë. Ndër të paktët që mbërritën së fundmi në Paris ishin z. dhe zonja Olimpic Tuctulli, zoti dhe zonja Athina Turtilli dhe djali i tyre Aleko.

Mijëra shqiptarë u larguan me fëmijët e tyre, duke lënë tokat të pa korra, stoqe të pakujdesura, gjithçka pas, në përpjekje për të shpëtuar jetën e tyre. Shumë prej tyre ikën në Itali, disa në Rumani, SHBA dhe Egjipt.

Zonja Qiriazi tregoi për përvojën e saj në vitin 1914, kur pa njerëz të grabitur, të vrarë dhe të turpëruar.

Me frikë ndaj grekëve

Frika në zemrat e të gjithë shqiptarëve se grekët do të vijnë përsëri është e pafjalë për t’u shprehur. – tha ajo. Ata kujtojnë pushtimin e fundit kur gratë dhe fëmijët u dogjën, fshatrat u shkatërruan dhe zona të tëra u shkrumbuan. Ditën që u largova, gjithçka digjej.

 

Kur shqiptarët në Amerikë dëgjuan se kishte probleme në atdhe, u dyndën për të ndihmuar.

Në një fshat të vogël me emrin Kodra, komandanti grek ftoi të gjithë njerëzit të vinin në kishë pasi kishte një mesazh të rëndësishëm për ta. Kur u mblodhën rreth 300 veta, ai vuri automatikët kundër tyre nga të dy hyrjet e kishës dhe asnjë shpirt nuk mbeti gjallë. Duke mos u kënaqur me vrasjen e tyre, ata me dashje u rrotulluan mes kufomave dhe ua prenë kokën, duke i varur ato (kokat) rreth mureve të kishës.

Njerëzit duan Pavarësinë

Gjenerali Deveer i Aleatëve erdhi atje dhe pa pamjen e tmerrshme. A është çudi që njerëzit të ikin? Të lësh grekët të hyjnë në Shqipëri, është njësoj si të çosh qengja te një kasap.

Komisioni francez ka qenë aq i sjellshëm me popullin sa ne duam që ai të qëndrojë : Delegatët e Konferencës së Paqes i kanë bërë thirrje të vazhdueshme Konferencës për t’i lutur trupat franceze të qëndrojnë derisa shqiptarët të çlirohen nga kërcënimi i grekëve.

Kur u pyet se çfarë dëshironin shqiptarët nga Konferenca e Paqes, zonjusha Qiriaz tha :

Pavarësi të plotë të vendit.

Integritetin territorial, i cili u dëmtua nga traktati i 1878 dhe Konferenca e Londrës e 1913.

Shpresojmë që Franca, e cila luftoi me aq fisnikëri për të drejtat e popullit dhe që është aq thellësisht e bindur se Korça dhe zona përreth është thjesht shqiptare, nuk do të pranojë kurrë t’ua dorëzojë këtë vend atyre që e rrënuan një herë më parë.

Kërkojmë ndihmën amerikane

Shpresojmë gjithashtu që delegacioni amerikan, i cili përfaqëson 100.000.000 njerëz që kanë sakrifikuar bijtë dhe arin e tyre për çlirimin e të shtypurve dhe për realizimin e parimeve të Presidentit Wilson, nuk do të dështojë të bëjë atë që është e drejtë.

Anëtarët shqiptarë të Konferencës së Paqes janë : Shkëlqesia e Tij Halil Pasha (Halil pashë Alizoti), kryetar i kolonisë shqiptare në Turqi; Dr. Fuad bej Zembraku dhe Dr. Benedikt Blinishti, delegatë nga Kostandinopoja; Luigj Bumçi, Luigj Gurakuqi, Mehdi bej Frasheri, Lef Nosi, Mehmet bej Konica, Dr. Mihal Turtulli dhe At Fishta; Z. Pandeli Evangjeli përfaqësues nga kolonia shqiptare në Rumani dhe Nuredin bej Vlora dhe zonja Parashqevi D. Qiriazi përfaqësues nga organizatat e Shteteve të Bashkuara.

___

* Aurenc Bebja, Francë. Blogu © Dars (Klos), Mat – Albania), https://www.darsiani.com/la-gazette/the-chicago-tribune-1919-konferenca-e-paqes-ne-paris-rrefimi-i-parashqevi-qiriazit-mbi-mizorite-e-grekeve-ne-korce-dhe-zonen-perreth/

K O M E N T E

SHKRUAJ NJË KOMENT

Ju lutem, shkruaj komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaj emrin tuaj këtu