Në foto: Akademiku Neritan Ceka
“KOSOVA” NË TETË VËLLIME NË PESHORËN E AKADEMIKËVE DHE HISTORIANËVE TË SHQIPËRISË
***
Para dy javësh në Akademinë e Shkencave të Shqipërisë dhe dje në Muzeun Historik Kombëtar në Tiranë, u fol për veprën shumëvëllimëshe “Kosova” të autorit Jusuf Buxhovi. Me ç’rast, për herë të parë, akademikë dhe historianë të rëndësishëm shqiptarë nga radhët e Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, të Akademisë së Studimeve Albanologjike, të Instituti të Historisë, vunë në peshoren e vlerësimit këtë vepër voluminoze në tetë libra, në të cilën autori përqendrohet veçanërisht te dardanët dhe te Dardania si qendër e antikitetit në Ilirik dhe më gjerë, ndalet në identitetin kulturor e politik të botës arbërore, duke vijuar me Bizantin, kohën e Perandorisë Osmane dhe epokën skënderbejane, dramën e ndarjes së Kosovës nga Shqipëria, me Rilindjen Kombëtare, Lidhjen Shqiptare të Prizrenit dhe qeverinë e saj, pavarësinë e Shqipërisë, zhvillimet politike e kombëtare të shekullit XX dhe deri në ditët e sotme.
E përbashkët e bisedave ishte vlerësimi se tezat e Jusuf Buxhovit për historinë e shqiptarëve ndryshojnë nga ato të historiografisë pararendëse si në rrafshin historik, arkeologjik, gjuhësor dhe mitologjik, por që, si të tilla, thyejnë status quon e historiografisë shqiptare.
Me këtë rast, Drejtori i Muzeut Historik Kombëtar, dr. Dorian Koçi, nënvizoi se libri i Buxhovit vjen si rrjedhojë e një pune të thellë kërkimore dhe jep një ndihmesë të shënuar për të plotësuar kuadrin historik e kulturor të Shqipërisë dhe shqiptarëve si pjesë e qytetërimit perëndimor. Më tej ai shtoi se është shumë e rëndësishme që të kemi teza dhe parashtrime alternative nga studiues e historianë që kanë formimin e duhur profesional e shkencor, po edhe pasionin dhe dëshirën për t’u marrë me historiografinë.
“Në këtë kuptim, patjetër që libri i Buxhovit do të jetë pjesë e diskutimeve të mëvonshme për historinë e shqiptarëve, pasi që tani kjo vepër shumëvëllimëshe është kthyer në një pikë takimi ndërmjet personaliteteve dhe institucioneve që merren me historiografi.”
Duke iu referuar këtij diskursi, që për herë të parë po zhvillohet në frymën e mirëkuptimit për t’i quar përpara hulumtimet e gjithëmbarshme historiografike në përputhje me domosdonë e rishqyrtimeve që imponojnë rrethanat e reja shoqërore dhe politike, historiani Ardian Muhaj theksoi pasionin e autorit dhe guximin për t’iu çasë një pune të tillë atdhetare para madhështisë të së cilës përulet. Muhaj, vuri në pah përkushtimin e madh të autorit që të nxjerrë në dritë shumëçka të një treve shqiptare siç është Dardania nga antikiteti, mesjeta e deri te koha jonë, duke u parë si qendër e botës ilire në kuptimin etnik, shpirtëror, kulturor, ku në shekullin XIX Rilindja kombëtare, me Lidhjen Shqiptare të Prizrenit dhe ngjarjet që e përcollën atë, e vuri në binarë të pandalshëm pavarësinë kombëtare.
“Kjo pamje historike ndihmon që të eliminohet kufiri politik që ndau botën shqiptare nga Konferenca e Londrës. “Kosova” në tetë vëllime dhe librat tjera përcjellëse (Maqedonia dhe Dardania), nxjerrin në pah pamjen më komplekse të Shqipërisë së natyrshme, që i ka munguar historiografisë së deritanishme insitucionale”.
Vlerësimin për “Kosovën” si vepër individuale, që promovon “historinë alternative” si pjesë të pandashme të historiografisë shqiptare, e përmbylli me kërkesën që prania e kësaj vepre si dhe përpjekjet e ngjashme në këtë drejtim, t’ia hapë rrugën bashkëpunimit midis instituteve shkencor me historianët e pavarur.
“Ky bashkëpunim sot më shumë se kurrë sfidon historiografinë shqiptare për ta përballuar ngërqin ideologjik dhe diktatin e historiografisë hegjemoniste serbe që ka ushtruar prej më shumë se një shekulli dhe vazhdon ta ushtrojë duke shtrembëruar të vërtetën për historinë shqiptare.”
Edhe akademik Neritan Ceka, duke u ndërlidhur me ato të thëna ditë më parë gjatë promovimit të “Kosovës” në Akademinë e Shkencave të Shqipërisë,se bëhet për një punë individuale madhore, së cilës duhet t’i jipet vend i merituar në kuadër të historiografisë shqiptare, theksoi se pikëpamjet që shtrohen në këtë vepër voluminoze, veçmas ato që kanë të bëjë me antikitetin dhe mbretërinë e Dardanisë në të dhe të Dardanëve në kuadër të botës ilire, duhet të shërbejnë si referencë rishqyrtimi, që të eleminohen gabimet që janë bërë rreth anashkalimit apo minimizimit të Dardanisë si qendër e botës ilire në antikitet, si një forcë kohezive, që jo rastësisht ka qenë qendër e zhvillimeve më të rëdësishme gjatë Bizantit, përhapjes së krishterimit (si amzë e saj), e mbi të gjitha, ruajtjes së identietit etnik dhe atij shpirtëror dhe kulturor.
“Gjurmimet e vonshme akreaologjike kanë nxjerrë në pah rolin e qytetërit të fuqishëm dardan gjatë antikitetit dhe mesjetës, gjë që ka ndikuar që Dardania të kthehet në një digë të fuqishme kundër depërtimeve sllave. Dardania, si e tillë, duhet parë edhe si qendër e rëndësishme të Arbërve dhe të Arbërisë. Vepra voluminoze “Kosova” e pasqyron shtrirjen dhe fuqinë kulturore dhe politike të botës arbërore në përmasat e natyrshme, gjë që historiografisë institucionale i ka munguar ky dimension, të cilit duhet kthyer doemos.”
Në fjalën e tij përshëndetëse, autori i librit, Jusuf Buxhovi, ndër të tjera tha: “Vepra ime, ndonëse titullohet “Kosova”, paraqet historinë e Shqipërisë së natyrshme që nga antikiteti e këndej. Është, pra, një projekt individual që mbështetet mbi konceptin kohë-hapësirë. Me këtë vepër kam dashur t’iu çel udhën historianëve alternativë, por që kanë të njëjtin ideal: të punojnë për të përmbushur të vërtetën historike.”