Let them fly high and undisturbed, please! — Lëri të fluturojnë lartë! Mos ua prishni qetësinë, ju lutem! – Si dy Shqiponja motra të pandara!
E veçanta e këtyre marrëdhënieve u shit kohët e fundit, në parkingun e një restoranti në Nju Jork për 225-mijë dollarë… Drejtimi që do marrin marrëdhëniet shqiptaro-amerikano në të ardhmen e afërt dhe afatgjatë do të varen nga fakti se si drejtësia shqiptare do e trajtojë atë skandal, pa marrë parasysh se kush është i përzier në të… komuniteti shqiptaro-amerikan do të lejojë që këto marrëdhënie të nëpërkëmben në këtë mënyrë duke rënë viktimë e krimeve për interesa personale e partiake të disa personave të paskrupuj, që nuk ndalohen para asnjë veprimi sado i paligjshëm të jetë ai.
Në fillim të muajit të kaluar, pikërisht me 9, dhjetor, 2022 kisha shkruar një artikull modest, me pikëllim në zemër, në përmbyllje të 100-vjetorit të marrëdhënieve amerikano-shqiptare –Ja linku për lexuesit, të cilëve mund t’u ketë shpëtuar pa lexuar. Frank Shkreli: 100-vjetori i marrëdhënieve shqiptaro-amerikane mbyllet për faqe të zezë, pothuaj me një “non-grata” | Gazeta Telegraf
Por, sot 6-7 javë pas botimit të këtij artikulli dhe pas shumë shkrimeve të tjera kritike, në të cilat kam shprehur zhgënjimin tim personal se si janë trajtuar këto marrëdhënie, sidomos, gjatë viteve të fundit. Thënja e famshme e Ibrahim Rugovës: “Marrëdhënie të përjetshme midis shqiptarëve dhe Shteteve të Bashkuara…”, po testohet rëndë. Sa më përket mua dhe shumë shqiptaro-amerikanëve, që i konsiderojmë ato si të shënjta dhe të paprekshme. Ditët e fundit, bota shqiptare, bota amerikane dhe pothuaj mbarë bota mësoi nga mediat amerikane, shqiptare dhe botërore se në përfundimin e 100-vjetorit të marrëdhënieve shqiptaro-amerikane, ato na qenkan në një gjëndje shumë më të rëndë se ç’mendonim, megjithë propagandën nga zëdhënës të dy palëve, që u munduan gjatë gjithë vitit të kaluar t’i paraqisnin ato si më të mirat në botë, midis dy shteteve; bazuar në “vlera të përbashkëta” dhe “krah për krah”.
“Unë nuk kam asnjë dyshim se drejtësia amerikane do t’i dalë deri në fund kësaj afere fatzezë për marrëdhëniet midis dy vendeve tona. Për këtë unë nuk kam asnjë dyshim. Vetëm durim se mund të jetë një proces i gjatë. Por si do të trajtohen nga sistemi shqiptar i drejtësisë shtetasit shqiptarë, deri në nivelet më të larta të politikës atje, që mund të jenë të përzier në këtë skandal të marrëdhënieve dy-palëshe. Kjo është një pyetje tjetër…?!”
Unë nuk dua të futem në procesin gjyqësor të rastit të ish-zyrtarit të lartë të FBI-së – Byrosë Federale të Hetimeve të Shteteve të Bashkuara – Charles McGonigal, i arrestuar të shtunën që kaloi nga autoritetet amerikane, se ka marrë para nga një ish-punonjës i shërbimeve inteligjente shqiptare, si dhe për lidhjet e tij me zyrtarë të tjerë në Shqipëri. Unë nuk kam asnjë dyshim se drejtësia amerikane do t’i dalë deri në fund kësaj afere fatzezë për marrëdhëniet midis dy vendeve tona. Për këtë unë nuk kam asnjë dyshim. Vetëm durim se mund të jetë një proces i gjatë. Por si do të trajtohen nga sistemi shqiptar i drejtësisë – shtetasit shqiptarë, deri në nivelet më të larta të politikës atje, që mund të jenë të përzier në këtë skandal të marrëdhënieve dy-palëshe? – Kjo është një pyetje tjetër.
Sidoqoftë, mua nuk më intereson aspak fati i cilitdo qoftë person – amerikan ose, të cilët mund të jenë përzier në këto vepra penale, qoftë në Amerikë ose në territorin shqiptar. Këta do korrin, çfarë kanë mbjellur për veten e tyre. Shoh se media shqiptare po e trajton këtë skandal si një “soap opera”, si një serial televiziv me karaktere melodramtaike, pa marrë parasysh dëmet që mund të ketë shkaktuar në marrëdhëniet shqiptaro-amerikane, por edhe në perspektivat e antarësimit të Shqipërisë në organet euro-atlantike.
“Megjithëse është herët në procesin e zhvillimeve gjyqësore, ky skandal ka implikime politike, gjeostratagjike dhe ekonomike ndërkombëtare, por mbi të gjitha prek në zemër marrëdhëniet shqiptaro-amerikane, në 100-vjeçarin e vendosjes së tyre!”
Megjithëse është herët në procesin e zhvillimeve gjyqësore, ky skandal ka implikime politike, gjeostratagjike dhe ekonomike ndërkombëtare – por mbi të gjitha prek në zemër marrëdhëniet shqiptaro-amerikane, në 100-vjeçarin e vendosjes së tyre! Varësisht se cili do jetë përfundimi i këtij procesi gjyqësor, ky skandal ka mundësi të jetë një thikë në zemër të këtyre marrëdhënieve prej një shekulli, për një kohë afatgjatë. Ndonëse unë besoj se këto marrëdhënie, siç jam shprehur shpeshherë janë marrëdhënie, të cilat janë çimentuar popull me popull, për një shekull dhe nuk varen nga individë, as organizata, të cilësdo palë qoftë që vendosin interesat e tyre personale e politike mbi këto marrëdhënie. Unë jam i bindur se pas këtij skandali, marrëdhëniet shqiptaro-amerikane, të cilat i kemi konsideruar si të veçanta, të paktën fillimisht, nuk do jenë më të tilla në Kongresin amerikan as në Washingtonin zyrtar dhe as në radhët e popullit amerikan.
Marrëdhëniet historike midis dy kombeve tona, si përfundim i këtij skandali sot për sot sidomos që prej shembjes së Murit të Berlinit dhe çlirimit të Kosovës mund të konsiderohet si në nivelin më të ultë, në një krizë serioze të paparë këto 30-vitet e fundit. Marrëdhëniet diplomatike midis Shqipërisë, por edhe të gjithë shqiptarëve, përshirë Kosovën dhe Shtetet e Bashkuara nuk do jenë më si ishin deri më tani. Kam drojë se sot për sot, marrëdhëniet midis Kombit shqiptar dhe Kombit amerikan janë në pikën më të ulët, që mund të imagjinohet : në pikën ku i duan armiqtë shekullor të Kombit shqiptar ‘në mos jo armiqësore, atëherë të pakën të ngrira dhe jo miqësore’. E veçanta e këtyre marrëdhënieve u shit kohët e fundit, në parkingun e një restoranti në Nju Jork për 225-mijë dollarë. Uroj që të gjithë, nga të dy palët, pjesëmarrës në këtë skandal, të marrin përgjegjësitë, që u takojnë për gjëndjen e krijuar në marrëdhëniet midis dy vendeve tona, si pasojë e këtij krimi. Por edhe elementë të politikës shqiptare në përgjithësi, pozitë ashtu edhe opozitë të marrin përgjegjësitë, që i takojnë kësaj klase politike për situatën e krijuar nga ky skandal dhe jo vetëm, në marrëdhëniet midis dy vendeve. Këto marrëdhënie të vendosen në nivelin që meritojnë ato dhe që kërkon miqësia historike midis dy kombeve tona. Skandali i kohëve të fundit, nënkupton një mosmirënjohje të thellë, një ligështi shpirtërore.
“Pas këtij skandali, marrëdhëniet shqiptaro-amerikane, të cilat i kemi konsideruar si të veçanta, nuk do jenë më të tilla në Kongresin amerikan, as në Washingtonin zyrtar dhe as në radhët e popullit amerikan. Marrëdhëniet midis Kombit shqiptar dhe Kombit amerikan janë në pikën më të ulët.”
Ndërkohë që liderët shqiptarë në Tiranë argumentojnë me njëri tjetrin se kush është më “pro-amerikani” dhe kush është i shpallur “non-grata”, bota shkon përpara. Por për fat të keq, tani e tutje, çdo gjë shqiptare do të konsiderohet me dyshim në Washingtonin zyrtar. Se si Shqipëria do merret me këtë skandal në zhvillimin e marrëdhënieve dy palëshe në të ardhshmen dhe si drejtësia shqiptare do e trajtojë atë skandal, pa marrë parasysh se kush është i përzier në të, sigurisht që do të vendosë se ç’drejtim marrin marrëdhëniet shqiptaro-amerikano në të ardhmen e afërt dhe afatgjatë. Arrestimi, javën që kaloi nga autoritetet amerikane, i ish zyrtarit të lartë i kundërzbulimit të FBI-së, Charles McGonigal, i akuzuar se ka marrë para nga një ish punonjës i shërbimeve inteligjente shqiptare dhe për lidhjet e tij me zyrtarë të tjerë në Shqipëri, është një vepër penale e paprecedencë, jo vetëm në marrëdhëniet shqiptaro-amerikane, por edhe më gjerë. Mediat amerikane thonë se Charles McGonigal mund të jetë zyrtari më i lartë në historinë e FBI-së që përballet me akuza të tilla aq serioze, penale.
Të gjithë e dimë se sa mirënjohës janë shqiptarët ndaj ndihmës së Shteteve të Bashkuara, jo vetëm për mbështetjen e pakursyer amerikane në tavolinat e diplomacisë ndërkombëtare, por edhe në fushë-betejën e luftës për çlirimin e Kosovës. Shqiptarët kurrë nuk do e harrojnë këtë ndihmë, pa marrë parasysh se individë nga cilado palë qofshin, mund të pengojnë përkohësisht zhvillimin normal të këtyre marrëdhënieve dhe madje t’i kërcënojnë ato seriozisht në favor të kauzave të ulta personale e partiake. Duke besuar me shumicën e shqiptaro-amerikanëve dhe shqiptarëve kudo se, marrëdhëniet midis Kombit shqiptar dhe Kombit amerikan, janë të pazëvendësueshme për mbijetesën dhe përparimin e Kombit shqiptar! Unë megjithë këto ditë të vështira, mbetem optimist se marrëdhëniet, historikisht miqësore shqiptaro-amerikane midis dy kombeve tona, të cilat i kanë mbijetuar, për pothuaj një gjysëm shekulli, njërit prej regjimeve më të egra e më barbare në botë ‘diktaturës komuniste’ të Enver Hoxhës, do e tejkalojnë edhe këtë krizë. Besoj gjithashtu me optimizëm se pasi të ketë folur drejtësia amerikane në lidhje me këtë çështje, marrëdhëniet shqiptaro-amerikane do të vazhdojnë të zhvillohen në të mirë të dy popujve tanë dhe të paqës në Ballkan dhe në botë!
“Do të këshilloja që pjesa tjetër e këtij akti kriminal, ndonëse mund të jetë e pashmangshme, të mos trajtohet si një “soap opera”, me karakter melodramatike, sepse nuk është e tillë, por t’i lihet në dorë drejtësisë! E kam fjalën për drejtësinë amerikane!”
Këto marrëdhënie midis dy kombeve tona, që deri më sot ishin ndër më të mirat në botë midis dy kombesh janë produkt i punës së rëndë prej dekadash e 4-5 brezave shqiptaro-amerikane, të cilët për më shumë se 100-vjet i kanë kultivuar, i kanë ruajtur si sytë e ballit e i kanë promovuar ato në Washington dhe anë e mbanë Amerikës ku jetojnë shqiptarë, duke siguruar mbështetjen e patundur dhe të sinqertë të Washingtonit zyrtar dhe politikës amerikane, në përgjithësi, për interesat, të drejtat dhe liritë kombëtare të shqiptarëve. Si rrjedhim, nuk besoj se komuniteti shqiptaro-amerikan do të lejojë që këto marrëdhënie të nëpërkëmben në këtë mënyrë duke rënë viktimë e krimeve për interesa personale e partiake të disa personave të paskrupuj, që nuk ndalohen para asnjë veprimi sado i paligjshëm të jetë ai. Besoj se komuniteti shqiptaro-amerikan do të gjejë mbështetjen edhe të Washingtonit zyrtar, ashtu si gjithmonë në të kaluarën, për t’i sjellë marrëdhëniet e shënjta dhe të pazëvendësueshme amerikano-shqiptare në vendin që u takon – në “Miqësi të përhershme me Shtetet e Bashkuara”, siç është shprehur dikur i ndjeri Ibrahim Rugova.
Jo se në të kaluarën nuk ka pasur probleme në marrëdhëniet dy palëshe, disa prej të cilave i kam venë në dukje, nga koha në kohë, por skandali i ditëve të fundit është vërtetë një kërcënim serioz, jo vetëm ndaj sigurisë kombëtare të Shteteve të Bashkuara, pasi në të diktohen edhe ndërlikime ndërkombëtare, por përbën kërcënim edhe për sigurinë kombëtare të Shqipërisë dhe shqiptarëve, nga influencat e huaja, sidomos ruso-kineze, në trojet shqiptare, për të cilat kam paralajmëruar vite më parë. Mbetet për t’u parë, por në këndvështrimin tim, me një keqardhje të thellë, më duhet të konstatoj se ky skandal, që drejtësia amerikane po e trajton tani si vepër penale serioze, përbën një thikë në zemër të këtyre marrëdhënieve miqësore një-shekullore midis dy vendeve tona. Kjo duhet të shqetësojë të gjithë shqiptarët pa dallim dhe kudo që janë. Do të këshilloja që pjesa tjetër e këtij akti kriminal, ndonëse mund të jetë e pashmangshme, të mos trajtohet si një “soap opera”, me karakter melodramatike, sepse nuk është e tillë, por t’i lihet në dorë drejtësisë! E kam fjalën për drejtësinë amerikane!
Zoti e bekoftë Amerikën dhe Kombin shqiptar në këtë kohë të vështirë!
Fantazi per tu dukur qe e njeh problemin…
Aspak nuk eshte ashtu