Mrizet e Mëdha në Turjakë
Sinan Kastrati, Suedi
- Fragmente të romancës së gocës tiranse dhe çobanit turjakas
Ishte mëngjesi i parë i tiranses së vogël në Turjakë. Burrat tashmë ishin zgjua e bëheshin gati për me shkua në punët e përditshme që i pritshin. Plaku iu kishte thënë djemve që “vera niher` vjen kah dera”, prandaj ata nguteshin që sa më parë ti kryenin punët që e kishin rendin. Qikat hala flenin e ashtu në gjumë ndonjëra qeshte. Qeshte me zë se kishte parë ndonjë ëndërr të gëzueshme.
-Qohuni moj qika se keni me shkue në livadh sot! Ishte e zonja e shtëpisë që i thirrte qikat.
Qikat pa një pa dy brofën në këmbë dhe pa i thënë asnjë fjalë gjyshes u veshën e shikimet i kishin te tiransja, kusherira e tyre.
Nuk dinin çka ti thonin e nuk ishin të sigurta a ka qef tiransja me shkue me qika në livadhe me mbledh barin që e kishin kositur burrat. Njëra nga qikat i tha tiranses me një zë të ngadaltë e plot dashamirësi:
-Ne kemi me shkue sot në livadhe me burrat, a ke qef edhe ti me ardhur me ne?
Tiransja menxi që kishte pritur që dikush nga qikat ti bëje një propozim të tillë. Ajo kishte qef që mos të ndahej nga kusherirat turjakase.
-Po! Dhe sikur nuk iu besonte veshëve ato që dëgjoi, tiransja tha edhe njëherë, PO, dua të vije me ju!
Ngadalë, të gjitha qikave përveç njërës që e kishte rendin me e fshi dhomën që u ndal, shkuan në shtëpinë e zjarrit. Dy nuset më të reja që kishin ardhur në vjeshtën e kaluar i dualën përpara tiranses dhe ia muarën të dy duart dhe u përulën para saj dhe e përshëndetën ngadalë:
-A munu qove hasret hanmi?
Tiransja kishte dëgjua por nuk iu besonte syve të saj se në Turjakë ka aq qika e nuse të hijëshme, të mira e të dashura.
-Nuse, qitni qikës me i la sytë, u dëgjua zëri urdhërues i plakës, zonjës së shtëpisë ndërsa ajo kishte marrë një kusi me tamel të vluar e kthente në disa sahanë që ishin sa legenat. Sahanë të tilla nuk kishte pare Sanija në Tiranë. Një nga qikat shkoj në bashqe e i muar do fletë të kepëve ndërsa të tjerat i ndihmonin nuset e reja me përgatitjen e ushqimit. Njëra e mori sofrën, tjetra i kishte mbushur dy gërqej me ujë dhe një ibrik për tiransen ndërsa grykën iu kishin mshelur me fletë të ftoit. Dielli kishte dalur plot dritë por rrezet e tij nuk e kishin fuqin e nuk përvëlonin ende. Vajzat e nuset turjakase hanin mengjesin. Pulat me zogj afroheshin e ndonjëra e zgjaste kaqepin deri në sofër dhe e merrte ndonjë kashore me bukë e ikëte duke kakarisur.
Tiransja ishte zhytur në mendime. Kujtonte të j`atin, Sylën kur a ka qenë i ri dhe mu në këto troje që kishte jetua e ndoshta është ulur në të të njëjtin shkam. Edhe ai n`mëngjese kishte ngrënë bukë në oborr pastaj, herë kishte shkua herë me bukë e herë pa bukë që ta ndihmoj babën në livadh, arë, mal e mulli. E nëna e ngratë i lyhej pas djalit me një copë bukë, djath e ve të ziera.
-Merri djali jem e kur të untotohesh, i ha!
Qikat, nuk ia hiqnin sytë Sanijes. Ato tashmë e njihnin dhe e donin shumë, kusherirën e tyre dhe dëshironin që ajo mos të ktehej më në Tiranë por të jetonte në Turjakë. Ato nuk e dinin se edhe tiransja kishte po at dëshirë, që të rrije në Turjakë.
Ushqimin e hëngrën duke qeshur e të gëzuara. Pastaj, muarën nga një tërfurk, grabujë e dy gerqej të Cerrmjanit me ujë të Bunarit të Ri që e kishte ujin si të Gërrjaqes, që thoshte baca Cufë, ”s`ka me ujë të Gërrjaqës”, mal në Turjakë.
-Edhe unë dua një grabujë, foli tiransja dhe e mori në krahë grabujën sikurse qikat e tjera. Ecnin pas burrave pa bërë zë e shumë të gëzuara. Rrugës panë shumë katundarë duke shkua edhe ata në ara e në livadhe. Te Grablishta e Avdyl Imerit kishin qenë baca Sylë Sahiti e Ilaz Imer.
-O puna mar u koft o Sylë! Ata si në flakë të pushkës, ia kthyen:
– O marë paqi!
Afër Mrizeve të Mëdha kishin qenë duke prashitur, Jemin e Isë Bajrami, Ali Salihi e djemtë e Brahim Ramadanit. Edhe atyre, i përshendeti më i vjetri nga burrat, me të njëjtat fjalë. Ngat Mrizeve të Mëdha i kullotnin delet Shaban Shaqa e Bajram Ramadani. E gruni në Bratanin e Imer Seferit e te Vorri i Lugatit, kishte ulur kokën sikur donte të iu thonte, ne gati jemi pjekur.
Tiransja veç sa nuk fluturonte nga gëzimi.
Ajo dëshironte të shkonte jo vetëm në livadhe por edhe në ara e të korrte grurin. Si qytetare që ishte, tiransja nuk kishte pasur asnjëherë drapër në dorë por kishte dëgjua shumë këngë për fshatin, për hambarët plot me grurë e koshat me kallamoq por tash ato i shihte vetë në Turjakë.
Qikat kishin fillua punën duke mbledhur sanë dhe iu dukej se nuk punonin nga gëzimi. Të gjithat qikat e shikonin Sanijën se si punonte. Ajo punonte sikur të ishte rritur në Turjakë. Ishte veshur si ato me rroba turjakase e kishte mbathut do opinga me lëkurë bulli e me toja të penjëve të leshit të deleve. As ajo ajo vetë nuk besonte se sa mirë i rrinin teshat. Kështu i thonin qikat kusherira. Dikur njëri nga burrat iu tha qikave:
-Pas dreke do të shkojmë me korr grunin në Arat te Molla!
Tiransja u gëzua që paskan me shkua në Ara te Molla. Aty, dikur Familja e Sylës, babës së tiransës e kishin pasur vneshtin me rrush por për çudi, emrin ia kishin lënë “Ara te molla”, ndoshta pse kishte disa trupa me molla. Ara e Dul Jetullahit nga Mahalla e Vogël hala kishte disa trupa me molla, dardha e vojsa. Edhe mahalla e Kajtazëve kishin shumë dardha nëpër ara e çabanët shkonin fshehta e pa u diktua dhe i mushnin jangjikat (çantat) plot me dardha të dugta e iknim.
-Hajde me hangër bukë, lene punën, tha njëri nga burrat. Një vegsh me kos e dy hethenika i kishin qitur gratë që ishin në shtëpi për qikat dhe dy burrat që ishin me qika. Pasi i lajtën duart në lumin Mirushë, u ulën në livadh rreth e rreth sikur vertetë të kishte një sofër. Edhe tiransaj u ulë si kusherirat në bari e hëngri bukë me oreks, tamam sikur të gjitha qikat. Bile ishte edhe me “turjakase” se sa ato.
Po afrohej mesi i drekës e dikush nga djemtë që kishin qenë me dele, para deke erdhi në livadh më shumë për ta parë kusherirën, tiranses se sa me i ndihmua sepse nuk kishte nevojë për më shumë argatë
Në livadhin e Asman Metës, Xhelir Islami kosiste. Xheliri ishte kosaqi më i mirë në Turjakë. Ishte edhe shumë i fuqishëm e punonte sa dy burra por edhe hante bukë sa tre të tjerë. Ai kishte dy djem, Islamin e Bajramin. Xheliri i kishte edhe dy “mallunga”, një në ballë, në mes të dy syve e një tjetër në dorë. Asaj që e kishte në ballë i thonte “Sahati i stenës” (Ora e murit) ndërsa këte në dorë, “Sahati i dorës”. Xheliri ishte shahiri më i mirë i Turjakës. Këndonte me sharki. Nuk kishte dorë nëne që i binte më mirë sharkisë se Xhelir Islami. Për te madje i kishte premtue edhe Rexhep Zogaj që punonte me gazeta në Prishtinë.që do ta merrte Xhelirin në radi.
Xheliri ishte në gjendje, kur punonte me e hëngër nje gjysëm buke të kallamojt me tamel.
Çabanët e Turjakës i milnim delet në mal e në fusha e mandej, tamlin e shtinim në ujë të ftoftë dhe pas pakë hanin bukë, djath e tamel. Kjo ndodhte sidomos kur i mrizonin delet, në mes të ditës, kur bënte vapë e madhe, në mes të jazit të mullinit dhe pjesës tjetër të lumit Mirushë që ishin disa qindra trupa me drunj shelgjeje që bënin hije mu në mes të lumit që ishte ndarë në Jaruga, njëri shkonte në mulli e tjetri në mes të arave e livadheve.
Njëherë, kur ishin korr grunet, e dhetë kullosnin nëpër sarrnishta afër mahallës ë Kajtazëve, Halim Hamza, djali i Hamzë Smajlit i ruante dhetë e Asman Metës, te Arat te Molla, kishte dalur Xheliri para oborrit e Halim Hamza i kishte thënë:
– O Xhelir, a pa do me pi tamel të dhenëve se unë i mjeli.
Xheliri kishte thirrë qikën:
– Oj Xufë, bjerma babes ni cop bukë! Halim Hamza i kishte mjelur 20 copa dele të Asman Metës e përsëri Xheliri nuk ishte ngi. …
Edhe drekën e hëngrën në livadhe, tiransja me qika. E zonja e shtëpisë e kishte pre një knus dhe e kishte bërë me çorbë të tharbtë, si në Turjakë e një përpeq me gjizë e mazë e po bëheshin gati të shkonin me korr grurë.
Shiu ia filloi ndërsa bjeshkët e Rugovës së Pejës ishin mrrol dhe sa herë që vetonte atje, pritne shiun edhe këtu, thonin burrat e Turjakës.
Shiu nuk po ndalej dhe vajzat dy nga dy kishin marrë nga një thes dhe e kishin qit mbi krye. Edhe Sanijes ia kishin dhënë thesin më të ri që mos ta “rreh” shiu. U ngutën sa më shpejt të shkojnë në shtëpi dhe sapo u afruan, e zoja e shtëpisë iu çeli derën e aborrit dhe i përshëndeti ndërsa Sanijes i tha:
-Qika jem t`ka rreh shiu i Turjakës që kur `ja nis shiu k`tu, s`di mu nalë. Po shiu i Turjakës ti rrit flokët se trup, mashalla paske boll! E Sanija e ndinte vehten si më të princeshë në Turjakë.
Plaka, një nuses i kishte thënë:
-Merre këtë kusi me ujë e qoje në sobë e Sanijës iu kishte këthye:
-Qika jem, shko laju! Sanija kishte qef të lahej se kishte disa ditë që nuk ishte larë e flokët iu kishin bërë si dyll. Nusja e priste te dera me një peshkir të madh e me një pacerrkë në dorë. Kishin gjetur edhe një sapun sepse në Turjakë, qikat i lanin flokët më “Qil Qabiqi”, lloj lloqi që kur laheshin me te, të rriteshin edhe flokët. Ajo nuk kishte parë “hamamgjik” por kishte dëgjua se ka hamama në Prizren e në Prishtinë. “Hamame”, nga koha e Turqisë që skonin njerëzit e laheshin, banjo publike por tash e shihte se edhe në Turjakë ende paska “hamame” që këtu po i thokan hamamgjik dhe se çdo dhomë e kishte hamamgjikun e vetë. Eh nuset ishte marre të dalin me flokë të lagta para burrave sepse iu vinte turp. Ajo kishte dëgjua edhe shumë fjalë e shprehje turjakase por nuk iu dinte kuptimin.
Tirnansja ishte mësua të lahej e të bënte dush mëngjeseve në Tiranë Me Sanijen shkoi edhe njëra nga qikat, Sadberi dhe iu lut Sanijes që të të rrije në dhomë derisa të lahej Sanija.
Sanija pasi u la, doli nga hamamgjiku e i krehu flokët e gjata. E leu fytyrën me do “krem” që e kishte marrë në Tiranë. i nduki vetllat e qerpikët i ngjyrosi me një laps si lapsat e nxënësve të shkollës. Sadberi çuditej se si vajzat e shehrit lyheshin po nuk foli. Në Turjakë, qikat derisa të shkojnë nuse, nuk lyhen, nuk i lyejnåe sytë e thonjët nuk i ngjyjnë.
Vazhdon
Marrë nga një shkrim më i gjatë me titull ”Të panjohurat e tiranses dhe të turjakasit”, Pjesa e shtatë (7), Bota Sot, 2 qershor 20218
Malmö, 27 mars 2024
Përgëzime për këtë shkrim të mrekullueshëm dhe shkrime tjera, miku im-ynë, Sinan Kastrati!
Respekt
Faleminderit i nderuari Xhafer Leci, nderi i kombit e atdheut!
Te fala nga Suedia e larget!
Sinani