Eshref Ymeri
Presidenti Donald Tramp, me sa duket, tani, në mandatin e dytë, po menduaka për pasardhësin e pushtetit. Prandaj edhe djali i madh i tij, Donald Tramp i Riu, ka filluar vizitat jashtë vendit. Në muajin shtator ishte për vizitë në Serbi. Kohët e fundit ai ka bërë një vizitë të dytë po në Serbi.
Nuk kemi ndonjë informacion që Donald Tramp i Riu të mbajë ndonjë post politik. Dimë vetëm që ai është një sipërmarrës i suksesshëm, shkrimtar dhe pjesëmarrës aktiv në jetën politike, pa mbajtur ndonjë post politik. Së bashku me motrën dhe vëllain, ai drejton kompaninë e babait “The Trump Organization”.
Pra, ashtu si në muajin shtator, edhe tani në muajin mars, ai paska shkuar për vizitë në Serbi jo me ndonjë mandat politik. Kishim menduar se ai, normalisht, duhet të ketë shkuar për nënshkrimin e ndonjë marrëveshjeje në fushën e biznesit. Prandaj, për mbarë kombin shqiptar, ishte sa e pabesueshme, aq edhe revoltuese një deklaratë e tij politike para trashëgimtarit të Millosheviçit, kriminelit të popullit dardan, Vuçiçit.
Gjatë asaj vizite, ja çfarë “xhevahiri” i paska deklaruar Aleksandër Vuçiçit:
“NATO-ja e bombardoi Serbinë në vitin 1999 në mes të skandalit të Bill Klintonit me Monika Levinskin, dhe shumë e shohin bombardimin e Serbisë nga NATO-ja asokohe si një shpërqendrim nga kjo çështje” (Citohet sipas: “Podkasti me Vuçiçin, befason djali i Donald Trampit: NATO bombardoi Serbinë që të largonte vëmendjen nga skandali Levinski!”. Faqja e internetit “top.channel.tv”. 15 mars 2025).
Por edhe më skandaloze ishte diçka tjetër që i biri i Presidentit Tramp shpalosi në komunikimin me Vuçiçin. Në internet qe botuar edhe njoftimi në vijim:
“…duke e shpjeguar vendndodhjen e Serbisë në hartën e Europës, Trump Jr shfaq një hartë, ku Kosova është pjesë e Serbisë” (Citohet sipas: “Përshkrimi i djalit të Donald Trump për bombardimet e NATO’s: Ndodhën në pikën më të lartë të skandalit Clinton-Lewinsky”. Faqja e internetit “Express”. 15 mars 2025).
Këto deklarata kanë në themel mungesën e theksuar të respektit ndaj kombit shqiptar. Por duhet të jemi gjakftohtë: në këtë mes nuk ka asgjë për t’u habitur, sepse, sipas dy fjalëve të urta të Shqipes sonë Hyjnore, “dardha nën dardhë do të bjerë”, ose “bëmë baba të të ngjajë”. Prandaj Trampi i Riu ndjek me besnikëri gjurmët e babait të Tij Donald Tramp, i cili, që në fillim të fushatës zgjedhore për mandatin e parë presidencial, pati deklaruar:
“… Për mua personalisht, bombardimi i serbëve është një turp i vërtetë. Ndërkohë, Klintonët këtë e vlerësojnë si një sukses të paparë. Kërkoj ndjesë para popullit serb për të gjitha gabimet e politikës amerikane. Në qoftë se unë do të vij në krye të Amerikës, atëherë ka për të ndryshuar kursi i politikës së jashme, i cili deri tani shpeshherë ka qenë i gabuar” (Citohet sipas: “Trampi i kërkoi falje Serbisë… për Klintonët”. Faqja e internetit “stihiya.org”. 25 dhjetor 2015).
Vetvetiu shtrohet një pyetje:
Po cilat qenë arsyet e vërteta madhore, që çuan në bombardimin e Serbisë fashiste nga ana e Aleancës Veriatlantike, arsye këto, të cilat i biri i Presidentit Tramp i mohon krejtësisht, duke u munduar t’i përcjellë një të pavërtetë opinionit publik amerikan?
Është i njohur botërisht ky informacion:
“15 janari i vitit 1999… ishte i kobshëm për 45 civilë shqiptarë, banorë të fshatit Reçak. Një aksion i tmerrshëm i ushtrisë e i policisë së Serbisë përfundoi me kryerjen e një masakre, e cila, më pas, do ta zgjonte botën për gjenocidin që Serbia po kryente në Kosovë… Trupat e të vrarëve kishin mbetur në këtë luginë deri në mëngjesin e 16 shkurtit… Më 16 shkurt, në mëngjes, në Reçak shkoi amerikani William Walker, asokohe shef i Misionit Verifikues të OSBE-së në Kosovë. Ky mision ishte vendosur në Kosovë rreth tre muaj para masakrës së Reçakut. Kur Walkeri pa trupat e të vrarëve, në prononcimin e tij të parë para mediave, tha:
“Fatkeqësisht, nuk kam fjalë për të përshkruar indinjatën time personale ose të të gjithë atyre që ishin me mua në vendin e asaj që mund të quhet vetëm si një mizori e papërshkrueshme”.
Pamjet e masakrës së Reçakut tronditën botën”. (Citohet sipas: “25 vjet nga masakra e Reçakut… krimi që ndryshoi historinë e Kosovës dhe tronditi botën”. Faqja e internetit “gazetasi.al”. 15 janar 2025).
Siç dihet, me nismën e Grupit të Kontaktit, prej 06 deri më 23 shkurt 1999, zhvilloi punimet Konferenca e Rambujesë, e cila kishte si objektiv kryesor zgjidhjen e krizës në Kosovë.
Presidenti Bill Klinton ka pasë deklaruar:
“Ne dhe Aleanca e NATO-s bëmë të gjitha përpjekjet për arritjen e një zgjidhjeje paqësore të konfliktit në Kosovë. Por presidenti Millosheviç, i cili në të kaluarën e afërt shkaktoi luftëra të tmerrshme në Kroaci e në Bosnjë, zgjodhi agresionin në vend të paqes” (Citohet sipas: “25 vjet nga fillimi i bombardimeve të NATO-s për paqen në Kosovë”. Faqja e internetit “tetovasot”. 24 mars 2024).
Por, për ta sfiduar Perëndimin, me në krye Shtetet e Bashkuara të Amerikës, kryekrimineli Millosheviç zgjodhi rrugën e terrorit kundër Kosovës. Në informacionin në vijim thuhet:
“Më 5-7 mars 1998, rreth 5,000 forca serbe bllokuan kompleksin e familjes Jashari në fshatin Prekaz dhe vranë 58 nga familja dhe të afërmit e tij, duke përfshirë gra, fëmijë dhe pleq. Masakrës i shpëtoi vetëm Besarta, vajza 10-vjeçare e Hamza Jasharit. Sulmi, i njohur si Masakra e Prekazit, konsiderohet si një nga pikat kthese që çuan në vendimin e NATO-s për të ndërhyrë në Kosovë në vitin 1999 (Citohet sipas: “Masakra e Prekazit / Çfarë ndodhi 25 vite më parë në familjen Jashari”. Faqja e internetit “Dosja”. 06 mars 2023).
Pra, për dijeninë e të birit të Presidentit Tramp, i cili nuk qenka i kalitur për të mbajtur mbi shpatullat e veta peshën fort të rëndë të institucionit të së vërtetës, arsyet e vetme të sulmit të NATO-s kundër Serbisë fashiste ishin krimet, masakrat e rënda, shkatërrimet masive që ajo i shkaktoi popullit dardan, ishin djegiet e 200 mijë shtëpive, vrasjet masive në radhët e popullsisë civile, shpërnguljet e një milion shqiptarëve nga trojet e tyre amtare dhe dëbimi me dhunë drejt Maqedonisë dhe Shqipërisë, si edhe përdhunimi i 20 mijë vajzave dhe grave dardane.
Shtrembërimi i së vërtetës nga ana e çdokujt duhet ta ketë një cak, por një shtrembërim i tillë nga ana e të birit të Presidentit Tramp nuk paska as cak, as kufi. Për dijeninë e tij, Presidenti Bill Klinton e organizoi sulmin e NATO-s kundër Serbisë për arsyet e mësipërme dhe aspak për shpërqendrimin e vëmendjes së opinionit publik amerikan nga “romani” me Monika Levinskin. Për më tepër, ai kishte edhe një tjetër arsye madhore për organizimin e atij sulmi. Në qershor të vitit 2002, Bill Klintoni është shprehur:
“Nënë Tereza, ishte e para Ajo qe më bëri ta dua kombin shqiptar. Dhe tani ndihem shumë krenar që plotësova një detyrë morale ndaj saj dhe ndaj vlerave të lirisë” (Citohet sipas: Klinton: “Nëna Terëzë më bëri ta dua kombin shqiptar”. Faqja e internetit “arkiv.portalb.mk”. 26 gusht 2015).
Në një tjetër informacion thuhet:
“Ish-presidenti i SHBA-ve, Bill Klinton, do të shprehej në një fjalim për shenjtoren se kjo e fundit pati ndikim në vendimin e tij për të nisur ndërhyrjen e NATO-s në Kosovë në marsin e vitit 1999. Klintoni theksonte se shkoi të vizitonte varrin e Nënë Terezës në Kalkuta të Indisë dhe gjatë nderimeve do të shprehej para varrit të saj se e kishte mbajtur premtimin që i kishte dhënë për Kosovën” (Citohet sipas: “Bill Klinton: Nënë Tereza më kërkoi të ndërhyj në Kosovë, i shkova te varri dhe i thashë se e mbajta fjalën”. Faqja e internetit “kumti.net”. 05 shtator 2024).
Edhe shkrimtari ynë i madh, Ismail Kadare, ka theksuar:
“Nënë Tereza ka marrë në telefon Bill Klintonin dhe i ka thënë: Biri im, bëj diçka për shqiptarët e mi” (Citohet sipas: “Nënë Tereza ka marrë në telefon Bill Klintonin dhe i ka thënë: Biri im, bëj diçka për shqiptarët e mi”. Faqja e internetit “kult.plus”. 02 gusht 2019).
Kësisoj, vetë Presidenti Donald Tramp është shprehur publikisht kundër bombardimit të Serbisë, pra, kundër popullit shqiptar të Dardanisë.
Çdo shqiptar me vetëdije të lartë kombëtare, në mbarë trojet tona etnike, domosdo që është i befasuar se si është e mundur që Presidenti amerikan, me deklaratën e tij të dhjetorit të vitit 2015 në përkrahje të Serbisë, çka do të thotë në përkrahje të Rusisë, të rreshtohej kundër kombit shqiptar, mikut më besnik të kombit amerikan?
Me sa duket, gravitacioni i respektit të Preidentit Tramp për Serbinë qenka kaq i fuqishëm, saqë atij nuk i patën bërë absolutisht kurrfarë përshtypjesh krimet e saj të llahtarshme kundër popullit dardan. Tani që ai mbushi dy muaj në krye të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, qëndrimi i tij ndaj popullit heroik ukrainas dhe Forcave të tij të Armatosura kundër agresionit fashist rus, me siguri që ka për të shërbyer si letër lakmusi i pozicionimit të tij ndaj Rusisë. Le të shpresojmë që Ai, megjithëse në Zyrën Ovale mbajti një qëndrim krejtësisht të pahijshëm ndaj Presidentit Zelenski, do të rreshtohet në anën e Ukrainës heroike, duke ngritur edhe më lart autoritetin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, si kryekëshjella dhe shembulli i mbrojtjes së vlerave të lirisë në mbarë botën.
Takimi në Serbi. Pamja : Youtube
Një pyetje e fundit mbetet pa përgjigje:
Si shpjegohet që edhe Tirana, edhe Prishtina zyrtare e kaluan tërësisht në heshtje qoftë deklartatën e Presidentit Tramp të dhjetorit të vitit 2015, qoftë deklaratën e të birit të Tij të 15 marsit 2025, – deklarata këto tërësisht në përkrahje të Serbisë dhe kundër kombit shqiptar? Mos ndoshta klasat politike në Tiranë dhe në Prishtinë menduakan se kur miku i madh vepron gabim, nuk duhet reaguar absolutisht kundër tij? Dihet shumë mirë që Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë një mik i madh i kombit shqiptar, ashtu si edhe kombi shqiptar, për arsyet e forta që dihen, është kombi më proamerikan në botë, por duhet pasur parasysh se edhe më i madh është dinjiteti ynë kombëtar.

Donald Trump Jr. flet gjatë një tubimi të organizuar nga Turning Point USA në Wisconsin të hënën, 17 mars 2025. Foto: AP /Jeffrey Phelps/ NTB
Duhet të jemi të bindur se Trampi nuk është Amerika, ashtu si edhe Sorosi nuk është Amerika. Por si është i mundur një polarizim i tillë i opinionit publik amerikan në dy skaje të kundërta – në sorosizëm dhe në trampizëm. Në themel të këtij polarizimi janë dy partitë politike – demokratët dhe republikanët. Nëse ky polarizim do të vazhdojë gjatë, gjasat janë që do të ndikojë për keq në uljen autoritetit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës në opinionin botëror. Sorosizmi, të cilin partia socialiste Ramës e ka pasur dhe vazhdon ta ketë yll karvani gjatë dymbëdhjetë vjetëve, i ka shkaktuar dëme të pallogaritshme vendit tonë nëpërmjet varfërimit të pandalshëm të njerëzve, me pasoja tragjike për shpopullimin e tij. Por edhe partia demokratike duhet të jetë e përmbajtur në entuziazmin e saj për rikthimin në krye të Shtëpisë së Bardhë të Donald Trampit. Krerët e Partisë Demokratike duhet të kenë parasysh se çfarë ka deklaruar David L. Filips (Phillips), Drejtor i Programit për Ndërtimin e Paqes dhe të Drejtat e Njeriut në Institutin për Studimin e të Drejtave të Njeriut në Universitetin Kolumbia në Nju York, njëherësh njohës i mirë i rrethanave politike në rajonin e Ballkanit Perëndimor. Në njërën prej analizave të veta, ai ka shkruar:
“Presidenti Donald J. Tramp ka tradhtuar besimin e Kosovës në SHBA, duke mos mbështetur progresin e arritur përgjatë dekadave… Unë nuk mund të flas për të, por mund ta imagjinoj tmerrin për paragjykimet antishqiptare të Trampit… Trampi e ka tradhtuar Kosovën… (Citohet sipas: David L. Phillips. “Trampi e tradhëtoi Kosovën”. Faqja e internetit “Front Online”.04 maj 2020).