Prof.As. Dr. Muhamet BELA
Mbi figurën erudite të njërit prej apostujve të letrave shqipe dhe themeleve të qenësishme të gjuhës dhe kulturës shqipe, Imzot Frang Bardhi, ka mjaft kontribute të rëndësishme nga studiues të njohur të trevave shqiptare këndej e andej kufijve politikë, në ndriçimin e mjaft aspekteve që lidhen me jetën dhe veprën e shënuar të tij. Prandaj, unë po ndalem të parashtroj dhe të nxjerr në spikamë në mënyrë të përmbledhur disa dëshmi të veprimtarisë së tij në trevat dhe qendrat e hershme të luginës së Drinit dhe në fqinjësi me të, Pukë, Kukës, Has dhe Tropojë, dëshmi që shërbejnë jo vetëm për të hedhur dritë mbi jetën dhe karakterin e këtyre trevave, por dhe si pikëmbështetje e rendësishme për kërkime shkencore të disiplinave të ndryshme që kanë si objekt studimin e historisë, kulturës dhe jetës shqiptare.
Në korpusin e shkruar të Bardhit ka një larmi të dhënash burimore kishtare, etnografike, arkeologjike, politike, gjuhësore etj., të lëna përmes relacioneve dhe punimeve të tjera të mbërritura tek ne, kështu që trashëgimia e tij përbën një pasuri tejet të vlefshme në lëmin e albanologjisë. Personaliteti i tij është i tillë sa me të drejtë një bashkëkohës ka shkruar: “Le të krenohet Shqipëria dhe të gëzojë fisi i Bardhajve që i dha atdheut bij të denjë”.
Frang Bardhi mund të konsiderohet si personaliteti më i spikatur dhe më erudit i botës shqiptare të shekullit 17. Me një formim intelektual që reflektohet në nivelin e epërm të kualifikimit me rezultate të shkëlqyera në shkollën e Vatikanit “Propaganda Fide”, duke marrë diplomën e doktorit të filozofisë e të teologjisë, ai pasqyron vlera pikante kulturore të mishëruara në idetë dhe shpirtin atdhetar, përmes veprave të tij si Apologjia për Skënderbeun, Fjalori latinisht-shqip (1635), si dhe relacioneve të shumta drejtuar Selisë së Shenjtë, ku gjenden dhe të dhënat e vlefshme burimore që duhen studiuar dhe vjelë me kujdes.
Në punimin mbi Gjergj Kastriotin, të botuar në vitin 1636, një punim që mund ta konsideronim si një model të patejkaluar në studimet shqipe në zhanrin e tij, ai përmes një aparati shqyrtimor të pasur si rrjedhojë e erudicionit të tij, hedh poshtë pikëpamje si ato të J. Mërnjanoviçit, që don t’i nxjerrë Kastriotët me origjinë sllave. Frang Bardhi, duke polemizuar me të, sjell një dendësi argumentesh mes të cilëve shprehet edhe për origjinën e Kastriotëve nga Hasi. Ai thekson: “Megjithëse ato që kemi thënë gjer tani mund të mjaftojnë për vërtetësinë e çështjes në fjalë, unë do të shtoj edhe disa gjëra nga mendja ime, të cilat ndihmojnë për ta ndriçuar punën e familjes së Kastriotëve. Duhet të dimë, d.m.th., se është një pjesë e vogël e Epirit apo Shqipërisë, që sot në kohën tonë quhet zakonisht nga Epirotët dhe bashkëkombasit tanë: As. Pranë këtij vendi janë vendosur Pulatasit (a) dhe Dukagjinasit, popullsi shqiptare. Përmes këtyre popullsive dhe përmes maleve shumë të larta rrëshqet lumi i shënuar dhe shumë i shpejtë Drin. Në këtë pjesë të Epirit, ndërmjet vëndeve malore të asaj krahine ngrihet një fshat i njohur, i quajtur prej Askolëvet (b) Kastrat… Unë për shumë arsye guxoj ta pohoj si të vërtetë se nga ky vend e nga kjo familje kanë dalë ata që quhen zakonisht Kastriotë”.
Në mjaft raste Bardhi Shqipërinë e quan me emrin e saj të lashtë Epir dhe gjuhën shqipe gjuhë epirote, e të tillë e emërton edhe në fjalorin e tij Dictionarum latino-epiroticum. Ai përmend njerëzit e shquar epirotë duke e cilësuar Pirron si mbret të Epirit, dhe më të lavdishmin vlerëson Skënderbeun, kur flet për zakonet e trevave të Pukës në një relacion të tij: “Kanë zakone shumë fisnike dhe kështu, sipas zakonit të të moçmëve, nëpër rrugë e në punë, këndojnë me zë të lartë trimëritë e burrave të tyre të mëdhenj, dhe sidomos të të paepurit zotit dom Gjergj Kastrioti, të quajtur Skënderbe, dhe të shkëlqyeshmit zotit Lek Dukagjini, princit dhe zotit të tyre…”.
Frang Bardhi ka meritë të veçantë në formësimin dhe lartësimin e ndërgjegjës së malësorëve të këtyre anëve dhe në vëmendjen e tij ndaj gjuhës shqipe. Këtë vlerë të gjuhës shqipe malësori do ta mësonte në kishë, ndaj ai këmbëngul që në kishat e Arbënisë e të Lezhës të caktohen njerëz të aftë, që dinë gjuhën e popullit dhe të jenë të këtij kombi, d.m.th. shqiptar, duke shprehur njëkohësisht dhe një vetëdije të shënuar kombëtare. Ai thekson në relacionin e tij: “…mos me dërgoni më ipeshkvinj në këto anë që të jenë prej kombi sllav”.
Duke evidentuar qëndresën heroike të malësorëve pukjanë ndaj pushtuesve turq, në një nga relacionet e tij, Frang Bardhi përmend kundërshtitë e popullsisë së krishterë të Pukës, kur shkruan: “Të krishterët shqiptarë të Pukës kanë çuar krye kundër turkut”, dhe vazhdon: “Gjindja e Bardhetit shpesh kanë ngritur krye kundër turkut… Bardhetasit janë për armë më të zotët e gjithë Pukës”.
Edhe malësorët e Iballës njëlloj e urrejnë tiraninë e pushtuesit osman: ”Turku fshatrat e Iballës kurrë nuk ka mundur t`i shtrojë në tiraninë e vet, megjithëse vit pas viti ka dërguar sanxhakët dhe vezirët e vet herë me pesë, herë me tetë, herë me dhjetëmijë ushtarë”.
Në aspektin gjuhësor, Frang Bardhi i kushton vëmendje dhe merret edhe me shpjegimin etimologjik të emrit Pukë, kur shkruan: “Quhet Pukë sepse nëpër popujt e Pukës kalon për Serbi një rrugë e madhe e përbashkët tregtare, kështu prej rrugës ka marrë emnin populli, sepse (Puka) në gjuhën shqipe … don me thanë rrugë e rrahun e përbashkët”. Për zbërthimin e këtij emri janë shprehur dhe albanologë si Johann Georg von Hahn, i cili e shpjegon me emrin e vendit Epicaria ose Ad Picaria të kohës antike, mendim i mbështetur dhe nga mjaft dijetarë të tjerë, si: E. Tomaschek, K. Patsch, profesor E. Çabej, studiuesi Xh. Meçi etj.
Një aspekt të veçantë në punimet e Bardhit zë paraqitja e mjedisit natyror të qendrave në fjalë, ku evidenton: “Drinin, lumë shumë të kandshëm, arrat, manat, boronicat, krojet e freskëta, lëndët drusore dhe malet që dhe në verë kanë dëborë etj.”.
Me mjaft interes janë të dhënat e ofruara prej tij për kulturën materiale dhe shpirtërore të evidentuara në qendrat e Pukës dhe trevat e tjera në fqinjësi me të, siç janë: Karma, Komani, Bytyçi, Qerreti, Dedaj, Dushnjeshi, Qelëza, Kabashi, Arrësi, Bardheti, Lajthiza, Zezi(Zezajt), Vilëza, Iballa që ka 12 katunde, Apëripa, Kastranigjeja, si dhe Gashi, Biogeja, zona e Spasit (katundi i Shtanës, Dukagjini, Kolemashi, Shën Kryegja, Shën Mëria, Mëgulla, Pista, Spasi, Sparti).
Në mënyrë të përmbledhur mund të citojmë disa nga shënimet në këto relacione për qendrat e mësipërme:
“Ia nisa vizitës me 5 të qershorit të vjetit të sipërthanun – thotë Ai – dhe të parën ditë që u nisëm prej selisë sonë, udhëtuem 18 mil dhe mbrrijtëm te katundi i parë, i quejtun Karme, n’anë të perendimit, ku pushuem atë natë… Është i vendosun pra ky katundi i Karmës në Bregun e Drinit, lumë shumë i kandshëm. Ka kishën e vet me emën Shën Lekë. Asht e ndërtueme në një vend të mirë midis disa pemësh, arra e mana, në zbritje të shpinës së një mali”.
Tërheq vëmendjen sidomos vizita në Koman: “Po atë ditë prej Karme u nisa për Koman, 8 mil larg nga Karma termal bregut të thanun, Drinit. Komani… ka kishën e vet të quajtun Shën Mark, krejt të rrënueme, duket vetëm nga mbeturinat se aty ka qenë kishë. Asht e vendosun në breg të lumit të Drinit së bashku me katundin, në një luginë të vogël”.
Pikërisht afro tre shekuj më vonë, pas dërgimit të disa objekteve të zbuluara në varrezat e Kalasë së Dalmacies në Koman nga disa fshatarë, që iu dërguan konsullit francez Degrand në Shkodër në vitin 1892, rrënojat e saj dhe kisha në fjalë si dhe gjithë ambjenti i luginës së Drinit dhe shpatit malor të Komanit janë shndërruar në vizita e hulumtime të dijetarëve të tjerë të huaj si Ugolini, Prashniker, Nopça, L. Rei, T. Ipen etj, në objekte të punës kërkimore shkencore të arkeologëve tanë si Hasan Ceka, Skënder Anamali, Muzafer Korkuti, Hëna Spahiu, Frano Prendi, D.amjan Komata, Luan Përzhita, Gëzim Hoxha e deri tek ata më të rinjtë, të përfaqësuar nga puna plot pasion e një arkeologeje vizionare si Dr. Etleva Nallbani, që bashkë me Dr. Elvana Metallën dhe në bashkëpunim me kolegë të shkollës arkeologjike franceze të Romës, kanë plotësuar në mënyrë të ndjeshme tablonë historike-kulturore të kulturës arbërore të Komanit, jo vetëm nga të dhënat që vijnë nga varrezat, por dhe ato nga vendbanimet e kësaj treve.
Me këtë rast nuk mund të lë pa përmendur të mirënjohurin profesor Frano Prendi, i cili vlerësonte kontributin e pashlyer të teologëve si Frang Bardhi dhe At Shtjefen Gjeçovi, informacionet e të cilëve ishin dhe mbeten për arkeologët “një xhevahir i çmuar” në kërkimet e mëtejshme. Ndaj Komani edhe sot mbetet qendra më e rëndësishme e kulturës arbërore në gjithë territorin ku shtrihen trevat shqiptare.