nga Bajram SEFAJ
Tregim
1
Në vend të urimit…
Nata më e gjatë (cila është nata më e gjatë e cila është nata më e shkurtër, është çështje!) e vitit të ri 1994, kishte gjetur shtigjet dhe nëpër mijëra vrima e kthesa të tyre labirinte, e errët futë, ishte mbërthyer në dhomën time të vogël. Në dhomën fort të vocërr të ngrehinës ku banoja. Më saktë: ku gjallëroja!
Një godinë barok, rokoko a të ndonjë përkatësie tjetër arkitektonike. Jo Kurbiziene, gjithësi. Arkitekturë (e kohës së tij) të shkuar, sigurisht. Me mistere shekullore në kodin e saj të errët.
Ngrehina ku banoja, ishte një nga ato shumë të ngjashme, që dergjeshin në rrugën e zhurmshme me emër të madh të Parisit, Rue de Rennes. Ndalej në numrin 163, të saj. Në arrondissement-in gjashtë. Ngjitur me lagjen (me kullë) Montparnasse. Rrugë kjo, në të cilën, ditë më parë, pos tjerash, ishin zhvilluar edhe hy manifestime plot zhurmë e turbullirë. I pari: greva e motoçiklistëve. I dyti: greva e homoseksualëve. Të parët, motoçiklistët, pra, kërkonin një shteg të posaçëm rruge për ta. Vijë speciale nergut për ta, rrugëve të qytetit dhe, natyrisht (kuptohet), edhe përgjatë autostradave dhe rrugëve të tjera të pafund.
Të dytët, homoseksualët, pra, kërkonin zgjerimin, deri në legalizim, të fushës së lirisë së manifestimit të epshit të tyre seksual që, deri dje, quhej devijues. Jonormal. Tash për tash, homoseksualët nuk kërkonin hiç më shumë se të jenë të barabartë me sivëllezërit, bashkëndjesit e tyre në Holandë, bie fjala, me të cilët, shpesh e dendur, këmbejnë përvojat dhe eksperiencat.
Nuk dihet se me ç’tesha festive natë e Vitit të Ri 1994 kishte hyrë në shtëpitë e tjera në Paris. Ndërkaq, në dhomën time të vogël, fort të vocërr, sa një kuti shkrepëseje, (kur kishte arkitekturë të brendshme jashtëzakonisht të habitshme, të përçudshme, të çoroditur, të bezdisshme, aspak të lezetshme), ajo natë kishte hyrë veshur me tesha të zeza (të mos përsëdytët: futë). Dhe, ja se më (ç’plaçkë, katandi…) tryeze “solemne”, për vetëm një person, në festën e natës (të pajtohemi) më të gjatë të vitit, shtruar para vetës me kishte gjetur, mua të mërguarin e zi: një Tabasco (brans) peper salce –Mc ilheny CO, 57 ml. Avery Island LA, Made in U. S. A. Lutenko, pasterizan, Makedonija Negotino, lut dodok na jadenje. Harrisa – 2001, Fabrication artizanale, Poids Net 400 gr. Poivre noir – moulu, importé et distribué Epices Fuchs S.A.R.I. -95, 300 Herouvillr. Emina, ratlluk Soko-Sstark. Camembert, montorval, fabriqué en Normandie, poids 250 gr. 45 pour cent de matière grasse. Cérébos, sel fin, poid net 500 gr. Sel de table, Artrech, Made In China. Govedji narezak, Podravka, prehrambena industria Koprivica, Made in Croatia. Një domate AZURA. Dy fotografi (kartëpostale) të Gjenevës. Një recetë e gastronomit të njohur parisian, Bernard Loiseau, botuar në numrin e sotëm të gazetës javore “ Le journal du Dimanche”.
Qëllimisht harroj një pjatë groshe të pardjeshme. Ca fije lakre turshi. Dy-tri kokë qepë e tre-ketër thelpinj hurdhe etj. etj…. Qëllimisht harroj një garniturë miniaturale enësh, lugësh e pirunësh, me mallkimin sipëri tyre se janë përdorur shumë herë nga dikush tjetër para meje! Qëllimisht kapërcej disa shihe birrash: Seize Cent Soixante Quatre – 1664 (viti i prodhimit tè parë), al. 6,3% vol, Bière speciale de haute tradition. Export Gold Nikshiçko pivo Béer. Swinkel, Anno 1719. Bière de luxe, importée de Hollande… Terë këtë (mrekulli) pijesh i unë, i Mërguari unë, e konsumoja në një tas dheu (i lënduar nga koha, kuptohet) mbi rrumbullakësinë e të cilit, qëndisur me nota muzikore, shënonte: Une petite note – Je t’aime ! Qëllimisht la anash disa pije të forta alkoolike. Sipëri dhe nën tryezën “solemne” të festës së natës së Vitit të Ri 1994! Nga se edhe ashtu si ishte, me dilte një tryezë tejet ndërkombëtare, internacionale e, mbi të gjithat, kozmopolite. Një univers kozmopolitizmi në miniaturë që ka fuqi shkatërrimtare, që prish e shemb çdo iluzion, që, aty për aty, deziluzionon se gjendesh diku tjetër, diku larg. Diku, brenda një metropoli në zë, sikurse në zë është Parisi, në këtë rast. Por, fjala nuk është këtu!
Është diku tjetër!
Fjala është të pula! Te zogu i saj. Mbase te zogëza. Më saktë, te dy eshtra të brishtë, në formë të shkronjës V, të hedhur diku (si pa dashje) në skeletin e saj. Kanë formë kërrabe. Të një hobe me të cilën fëmijët gjuajnë zogjtë. Në degë lisash e pemësh. Ata dy eshtra të brishtë pule, kanë formën e dy gishtave të ngritur në ajër. Të shkronjës V-victoria. Me një fjalë, dy eshtrat e brishtë të pamjes se germës V, janë (krye)protagonistë, personazhe parësore, të këtij kallëzimi. Janë subjekt i tij…
Gjersa në pritje të festës së Vitit të Ri 1994 bashkë me pijet e forta (oh, pse nuk ishin vdekjeprurëse të uruarat, kur këtë e dëshiroja më se shumti!) tek micëroja e thërrmoja mishin e pulës, gatuar e pjekur, diku në rrugën famëkeqe Saint Denis, të Parisit X-të, kur pavetëdijshëm erdha te ata dy eshtra të vegjël skeletorë, si të sajuar për lojë me hallin e tyre të pakët. Kurrë në jetë nuk kisha pasur kërkesë, dëshirë dhe etje më të madhe që, pas një dollie, Gëzuar Vitin e Ri 1994, të lozja me ta. T’i këpusja me dike. Të luaj lojën e moçme të mashtrimit që, edhe sot e kësaj dite, gjallëron ndër vatrat tona. Digjesha të luaj jadec…! Nuk kisha me ke. Isha vetëm. Vetëm në qytetin me miliona frymë…
T’i vë në lojë dy duart e mia!?! Të djathtën kundër të majtës? Të majtën kundër të djathtës? Nuk nxirrte krye hijeshie kjo lojë mashtrimi…
Të thirrja në ndihmë lojë pasqyrash, për të riprodhuar siluetën time, dy fytyra rreth tryezës “solemne” të festës gjithënjerëzore, natën e pritjes së Vitit të Ri (1994), me dilte sprovë e rreme që lojës JADEC, do t’i ngjante më se paku!
(Paris, 1995)