(Se si një tubim spontan në Deçan i shpërfaqi haptas të gjitha ndjesitë ekstremiste dhe ndasitë fetare të të gjitha besimeve dhe se si ky tubim krijoi një moment të riparaqitjes së nacionalzimit shqiptar të viteve 80-90-të)
1.
Kam shkruar dhjetëra shkrime në të cilat jam munduar që me terma shkencorë dhe kulturorë ta paraqes problemin kulturor që në Kosovë është paraqitur pas luftës dhe i cili është shkaktuar nga manifestimet ekstreme kulturore dhe të besimit te Islamit politik i cili së pari u përhap në viset e Rrafshit të Kosovës e më pastaj u shpërnda në tërë Kosovën, ndërsa tash në mënyrat më të vrazhda ka ngulur rrënjë thuaja në të gjitha viset ku jetojnë shqiptarët myslimanë.
Kjo rrymë fetare dhe politike, që në fillimet e saj, u paraqit si kundërshtim (për t’u shprehur më lehtë, një lloj alternative apo substituti) i islamit tradicional të zhvilluar në Kosovës me shekuj, e më pastaj kapërceu kufijtë e lejueshëm të një rryme apo varianti fetar dhe filloi, herë haptas dhe herë në mënyrë klandestine, të manifestohet edhe si një lloj agresioni kulturor antikombëtar por edhe si një formë anakronike dhe primitive e politikës.
Kjo rrymë politike (aspak fetare) u instalua në Kosovë me anë të ‘organizatave humanitare’ që, kryesisht, vinin nga Arabia Saudite dhe nga Turqia. Filloi të propagandohet në mënyrë gjysmë klandestine nëpër ‘xhami’ të improvizuara derisa arriti të fitojë hapësirë dhe të krijojë kushte që të instalohet, si politikë zyrtare fetare, në BIK dhe të shpërndahet, në mënyrë të hapur e legale, përmes imamëve (emisarëve politikë nga Arabia Saudite dhe Turqia) gjysmanalfabetë, thuaja në të gjitha xhamitë e Kosovës të cilat, pas lufte, në formë donacionesh, u ndërtuan pa kriter kudo dhe thuaja në çdo lagje e vendbanim. Mjafton të përmendim se te ne në Kosovë, kryesisht si donacion nga Turqia, janë ndërtuar 830 xhami derisa e njëjta Turqi, në të njëjtën kohë, ka investuar në ekonominë serbe më shume se 32 miliardë euro duke krijuar vende punë për, afërsisht, 27000 punëtorë serbë. E përmenda këtë fakt për të cekur për lexuesit e mi se Turqia në Kosovë ka vetëm interesa neootomane ashtu që, në një situatë të caktuar, popullsinë e otomanizuar dhe të deshqiptarizuar të Kosovës, ta përdorë për arritjen e qëllimeve gjeostrategjike të saj drejt arritjes së një statusi të një superfuqie rajonale në Ballkan dhe në Lindjen e mesme.
Kjo rrymë fetare dhe politike e cila, tashmë, është shndërruar në një formë zyrtare e islamit në Kosovë, filloi të përhapet, së pari, përmes asaj që është konsideruar si ndihmë humanitare nga vendet motra islame. Hapi tjetër ishte shpërndarja falas e librave dhe broshurave fetare, mbajtja e ‘ligjëratave’ fetare nga predikues të pa verifikuar asnjëherë dhe inkurajimi i të rinjve dhe të rejave (kryesisht nga familjet e varfëra të fshatrave), përkundër një pagese të vogël, të visheshin në një mënyrë të re që nuk ishte tradicionale për besimtarët myslimanë kosovarë dhe as e zakonshme për popullsinë e Kosovës. Veshja islame e burrave me pantollone te shkurtra e lëshimi i mjekrave te gjata, mbulimi i vajzave dhe grave me hixhab krijoi një dallim kulturor të dukshëm që ndikoi dhe në imazhin e përgjithshëm të vendit sidomos në marrëdhëniet ndërkombëtare të Kosovës. Ky fenomen vazhdoj me depërtimin ilegal në institucionet shtetërore dhe shkollore të cilat qenë shndërruar në, shumë raste, në institucione gati fetare. Ende flitet se në Fakultetin Teknik, në Fakultetin e Mjekësisë, në Institutin Albanologjik dhe në ndonjë institucion tjetër të Kosovës ushtrohet dhe praktikohen me të madhe ceremonitë fetare gjatë orarit të punës dhe të mësimit.
Për më shumë, anëtarë të këtij sekti i cili tashmë është besim zyrtar në Kosovë, duke mos u ndalur me kaq, filluan që në mënyrë sporadike dhe, më vonë, sistematikisht, t’i sulmojnë figurat kombëtare të shqiptarëve. Ata e sulmuan Skënderbeun, e sulmuan Nënën Terezë, i mohuam edhe dhjetëra e dhjetëra figura kombëtare dhe, në këtë mënyrë, në mënyrë të tërthortë dolën në kundërshtim direkt të kulturës dhe traditës shqiptare të ndërtuar me shekuj dhe mileniume.
Islami politik, kulmin e tij, e arriti me rekrutimin e të rinjve dhe të rejave kosovare për t’u angazhuar në kuadër të organizatës terroriste ISIS (Dihet se Kosova ishte vendi që, në proporcion me popullsinë, ishte furnizuesi me i madh i ISIS me njerëz). Kosovarët që ishin pjesëtarë të ISIS u dalluan për vrazhdësinë, egërsinë, vrasjet dhe terrorin të jashtëzakonshëm që e ushtruan në luftën civile në Siri ndaj myslimanëve të tjerë (pra sirianëve) dhe, me aktet e tyre, e tmerruan opinionin kombëtar dhe ndërkombëtar. Derisa djemtë dhe burrat dalloheshin me terrorin dhe mizorinë e tyre të paparë, gratë e vajzat që shkuan atje, me dëshirë a pa dëshirë, iu nënshtruan një lloji specifik të prostitucionit i cili u aplikua nga ISIS dhe i cili nënkuptonte ‘martesën’ e të vejave të ‘ushtarëve’ (lexo terroristëve) të vrarë me ‘ushtarë’ (terroristë) që ishin ende gjallë. Të gjithëve na kujtohen pamjet e grave të reja që u kthyen nga Siria e të cilat vinin me dy apo tri palë fëmijë që kishin baballarë të ndryshëm.
Për kulturën Shqiptare dhe për islamin historik që ishte zhvilluar në Kosovë me herët, paraqitjet e tilla ishin të pakoceptueshme dhe të par pranueshme kombëtarisht dhe kulturalisht.
Në përgjithësi pushtetet nuk bënë asgjë që ta ndalin këtë formë antikulturore dhe antikombëtare të Islamit. Përkundrazi, sa herë që kishte zgjedhje, partitë politike, sidomos PDK dhe VV (tash së voni), nuk e kishin dhe nuk e kanë problem që elemente të tilla antikulturore dhe antikombëtare t’i përdorin për interesa të tyre, sidomos në kohë zgjedhjesh, për marrjen e votave. Dhënia e votave për partitë fituese, iu ndihmon këtyre personave, futjen në qeveri dhe lirinë për të vepruar në dëm të shtetit, identitetit kombëtar dhe imazhit të shtetit.
Kjo është e para!
2.
Para jo më shumë se para dy muajsh publikohet një video e njërit nga zv. ministrat e qeverisë Aktuale, Arbër Vokrrit. Në atë fjalim një zv. Ministër i Kosovës e propagandon islamin politik duke deklaruar ndër të tjera se shqiptarët, si kufiri verior i Islamit, e kanë detyre përhapjen e islamit në Evropë. Këtë përhapje, sipas zv. Ministrit, shqiptarët duhet ta bëjnë edhe me rrezikun e shkaktimit të ndonjë lufte. Fjalimi ishte i gjatë dhe me plot propagandë për islamin dhe për ‘kulturën islamike’ të shqiptarëve por, kryesorja, dhe më e rëndësishmja ishte fakti se islamistët kishin arritur që të futeshin edhe në qeveri dhe të kishin pushtet. Në lidhje me këtë ngjarje pata bërë një shkrim drejtuar Kryeministrit për shkarkimin urgjent të këtij islamiku me kollare por nuk ndodhi asgjë.
Tubimi në Deçan, të cilin edhe mund ta kritikojmë, edhe mund ta lavdërojmë, shpërfaqi edhe një fakt me shumë rëndësi. Reagimi ndaj këtij tubimi bëri të mundur që të shihet haptas një ndarja që ekziston në opinionin tonë publik në lidhje me besimin, islamin dhe kulturën shqiptare. Ngjarja e Deçanit bëri që të vërshojnë komente dhe analiza në rrjetet sociale në lidhje me këtë ngjarje dhe në lidhje me besimin. Vërehej haptas se besimtarët islamë të Kosovës janë të ndarë në dy grupe të mëdha të cilat kanë mendësi dhe perceptim të ndryshëm për islamin dhe kombin. Derisa njëri grup e identifikonte tubimin e Deçanit si një akt përçarjeje sepse, sipas tyre, në Kosovës ekzistonte një mirëkuptim mes besimesh dhe popullsia e këtij vendi ishte shumicë myslimane, grupi tjetër e lavdëronte tubimin me arsyetimin se ky tubim do të ndihmonte që të hapej një proces që do të dnikonte që besimtarët t’i kthehen identitetit të tyre kombëtar dhe i cili është dhe duhet të jetë identitet i parë i secilit prej nesh.
Interesante ishte se në reagimet negative në lidhje me tubimin ishin kryesisht klerikët myslimanë, organizatat komunale të bashkësive islame dhe, në raste më të vogla, ndonjë organizatë joqeveritare e cila udhëhiqet nga besimtarë të indoktrinuar.
Më e rëndësishmja dhe me befasuesja ishte reagimi i Shoqatës se historianëve ‘Ali Hadri’ e Deçanit. Kjo organizatë që e ka për detyrë të merret me historinë kombëtare, në një moment rrëshqet dhe merret me tubime qytetarësh që temë kishin fenë dhe besimin. Ne e kuptojmë që ndonjëri nga eksponentët e shoqatës mund të jetë i radikalizuar dhe i cili mund të kishte të drejtë të reagonte si individ por askush nuk ka të drejtë që ta përdorë shoqatën për interesa individuale dhe, sidomos, për t’i paraqitur orientimet e tij fetare dhe pikëpamjet e tij politike të bazuara në fe sikur ishte rasti me ata që kishin reaguar në emër të kësaj shoqate.
Në fejsbuk i pash edhe dhjetëra reagime artistësh dhe piktorësh të cilët kishin qëndrime të ndryshme, gjithsesi ma tërhoqi vëmendjen një reagim i një artisti nga Mitrovica i cili është eksponent i LDK-së dhe i cili me artin e tij, deri tash, ka qenë shumë modern dhe evropian ndërsa tubimit e quante punë budallenjsh.
Në përgjithësi, në fejsbuk dhe në instagram, kishte reagime të islamistëve të vërtetë për të cilët identitet i parë është islami, kishte reagime të besimtarëve të moderuar islamë për të cilët më e rëndësishmja është kombi, gjuha dhe kultura kombëtare dhe kishte reagime të atyre të cilët, të lodhur nga paraqitjet ekstreme të islamit, në shenjë revolte, kanë filluar ta braktisin atë.
Ky tubim tregoi një fakt interesant. Lufta e ekstremistëve islamë për pushtet në të vërtetë i ka ndarë besimtarët në besimtarë ekstremë islamikë të cilët janë transformuar edhe kulturalisht duke marrë identitet kulturor të lindjes, në besimtarë të moderuar islamë të cilët e ruajnë fenë por për të cilët kombi dhe atdheu janë më të rëndësishmit dhe në grupin e personave që kanë origjinë familjare islame por të cilët, si reagim nga paraqitjet dhe manifestimet ekstreme dhe primitive të klerit mysliman dhe besimtarëve ekstremë, kam hequr dorë nga islami dhe ose iu kanë bashkëngjitë besimeve të tjera, ose e konsiderojnë veten e tyre, thjeshtë, besimtar në fenë e shqiptarisë, një nocion i lindur në kohën e rilindjes.
Tubimi në Deçan i paraqiti dy fakte me rëndësi që shteti dhe feja duhet t’i kenë parasysh. Në këtë rropatje për mbizotërim të islamit politik dhe ekstrem, humbës i parë është islami i mirëfilltë dhe ai tradicional. Po kështu, humbës i dytë është shteti i cili nga ndikimi fanatik dhe ekstrem i këtij lloj islami po ka probleme gjithnjë e më shumë në ndërtiin e imazhit të tij ndërkombëtar.
Kjo ishte e dyta!
3.
Tubimi në Deçan ishte organizuar për të shprehur mospajtimin publik me islamin radikal dhe ekstremist. Kështu kishte filluar por islamistët edhe këtë lloj manifestimi e kishin nuhatur dhe e kishin penguar. Me ndikimin e islamistëve ekstremë apo pa ndikimin e tyre, hoteli ku ishte planifikuar të mbahej tubimi ishte mbyllur atë ditë. Të ndodhur në një gjendje të tillë, pjesëmarrësit ishin detyruar që tubimin ta mbanin në një shtëpi në ndërtim.
Se çka është biseduar në tubim dhe se si është vendosur tema e diskutimit dhe se si ka ardhur deri te nxjerrja e konkluzioneve dhe emri i iniciativës qytetare nuk e di se nuk kam qenë i pranishëm aty por një gjë mund ta them për tubimin. I tërë manifestimi ishte një moment revolte kundër paraqitjeve primitive, anakronike dhe antishqiptare të islamit politik radikal. Pjesëmarrja e intelektualëve, mësuesve, mjekëve, familjarëve të dëshmorëve e heronjve , luftëtarëve të gjallë etj., duhet t’i bëjë me dije të gjithë islamistët se tashmë e kanë tepruar me paraqitjet e tyre kundër traditës historike, kundër traditës kulturore, kundër historisë përkatësisë kombëtare.
Çka është boll, është boll dhe në këtë ndalje, domosdo, duhet të bëhet pjesë edhe shteti.
Kjo është e treta!
4.
Lexova në fejsbuk deklarime personale të pjesëmarrësve dhe të familjarëve të tyre të cilat kishin temë shpjegimin e pjesëmarrjes së të pranishmeve në tubim dhe qëllimin e asaj pjesëmarrjeje. Pajtohem shumë me numrin më të madh të atyre shpjegimeve ngase edhe une konsideroj se besimi fetar, në rend të parë, është personal dhe askush nga ne nuk ka të drejtë t’ia imponojë dikujt tjetër besimin dhe mënyrën e besimit apo edhe heqjen dorë nga besimi.
Tjetër gjë është kur besimi bëhet politikë dhe si politikë e prekë identitetin kombëtar dhe kulturor të besimtarëve. Në një rast të tillë besimi nuk është më besim por është politikë. Në rastet kur besimi fetar bëhet politikë, sikur në Kosovë, atëherë shndërrohet në temë shoqërore kolektive dhe ua hapë rrugën të gjithëve për të folur, për ta refuzuar, për ta mohuar, për ta sharë, për ta lavdëruar apo për ta ftuar prokurorinë për tu marr me hetimin e dëmeve dhe të rreziqeve që mund të shkaktojë ajo.
Tubimi në Deçan ndoshta ka rrëshqitur në kërkesa të skajshme, por unë mendoj se e ka hapur një shteg për ne por edhe për prokurorinë për t’u marr me dëmet politike, identitare dhe kulturore që po i bëhen popullit të Kosovës dh të ardhmes së tij evropiane. Këtë do të kërkoja unë në tubim. Vetëm këtë. Për mua nuk është temë as çështje as problem se cilës fe apo cilit besim i përket një individ. Për mua është çështje nëse një fe apo një besim i shkakton dëme vendit dhe të ardhmes së tij.
Kjo është e katërta!
5.
Një nga pjesëmarrësit e tubimit të Deçanit, me shaka, më tha se ma kanë vënë emrin Gjergj. Unë ia shpjegova se emrin Gjergj po e ruaj për nipin tim të ardhshëm ngase nuk mund të shkoj në atë botë dhe mos ta lë një pasardhës me emrin e Skënderbeut.
Pra, deri atëherë, deri të lindet Gjergji i vogël, do të mbes një besimtar i moderuar mysliman që me kryeneçësi do ta mbrojë identitetin kulturor dhe kombëtar shqiptar. Prandaj nipi im që do ta mbajë emrin Gjergj, këtë emër do ta mbaj jo si shenjë përkatësie fetare, por si shenjë krenarie se e ka përtërirë emrin e kryetrimit të shqiptarëve, Skënderbeut!
Kjo është e pesta dhe më e rëndësishmja!
Sikur te ishin te gjithe si Ju do t’i kishim punet shume me mirë.
E pergezoj autorin per shkrimin.
Një shkrim i shkëlqyer! Respekt