ARKIVI:
23 Dhjetor 2024

U mbajt mbledhja e shtatë e përbashkët e Qeverisë së Kosovës dhe Qeverisë së Shqipërisë

Shkrime relevante

Zëri i ndërgjegjës kombëtare thërret për ndryshim!

Shqiptarë të Plavës dikur..., para se pasardhësit e tyre të bëheshin...

Ja si mund të duket Anglia e bukur, e së ardhmes…!

Jorgo Mandili 21 dhjetor 2024 ___ Britania ishte përpara të gjitha vendeve perëndimore në...

Si i dëboi UÇK-ja hoxhëllarët dhe predikuesit e fesë islame nga frontet e luftës

Luan Dibrani, Gjermani ___ Gjatë periudhës së luftës në Kosovë, Ushtria Çlirimtare e...

Interesat kombëtare të Kosovës, marrëdhëniet ndërkombëtare dhe konteksti më i gjerë gjeopolitik

Agim Vuniqi, New York ___ Roli i Shqipërisë dhe deklaratat e kryeministrit Rama Fjala...

Shpërndaj

Elbasan, 26 nëntor 2021

Shqipëri-Kosovë, në Elbasan u nënshkruan 13 marrëveshje 

Bashkëpunimi mes dy qeverive tona, do të forcojë shtetet tona dhe do të jetësojë ëndrrat e qytetarëve tanë për të jetuar krenarë në vendin e tyre, tha Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, në mbledhjen e përbashkët të dy qeverive, në Elbasan.

Kryeministri tha se kjo mbledhje e dy qeverive dhe marrëveshjet e nënshkruara, janë në horizontin e integrimeve në Bashkimin Evropian, i cili është fati ynë. Ndërsa marrëveshje si këto sot, do të na mundësojnë që vizionet dhe programet e të dy qeverive, t’i përkthejmë në veprime sa më konkrete në mënyrë që ato të jenë efektive dhe frytdhënëse, theksoi ai.

Gjatë ditës së sotme, në forumin e biznesit Shqipëri – Kosovë, do të diskutohet për veprime konkrete edhe me përfaqësues të kompanive prodhuese dhe eksportuese shqiptare nga Shqipëria dhe Kosova.

 

Në mbledhjen e shtatë të përbashkët të Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Qeverisë së Republikës së Shqipërisë, u nënshkruan 13 marrëveshje:

1. Marrëveshje ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Qeverisë së Republikës së Kosovës për zbatimin e lehtësirave të ndërsjella në procedurat doganore dhe/ose të kontrollit të hyrje/daljes së mallrave.

2. Protokoll bashkëpunimi ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Qeverisë së Republikës së Kosovës për krijimin e Sekretariatit Koordinues Ndërqeveritar.

3. Marrëveshje ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Qeverisë së Republikës së Kosovës për lehtësimin e procedurave dhe kushteve për marrjen e leje qëndrimit të përkohshëm.

4. Marrëveshje ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Qeverisë së Republikës së Kosovës për rregullat e regjimit të trafikut lokal të kufirit.

5. Marrëveshje ndryshuese e Marrëveshjes ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Qeverisë së Republikës së Kosovës për hapjen e pikës së përbashkët të kalimit kufitar Shishtavec (Kukës)–Krushevë (Dragash) midis Republikës së Shqipërisë dhe Republikës së Kosovës.

6. Marrëveshje ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Qeverisë së Republikës së Kosovës për ndihmë të ndërsjellë juridike në çështjet civile dhe tregtare.

7. Marrëveshje për sigurime shoqërore ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Republikës së Kosovës.

8. Kalendari i përbashkët Kulturor Vjetor ndërmjet Ministrisë së Kulturës së Republikës së Shqipërisë dhe Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit të Republikës së Kosovës

9. Marrëveshje për bashkëpunim ndërmjet Ministrisë së Kulturës së Republikës së Shqipërisë dhe Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit të Republikës së Kosovës në fushën e trashëgimisë kulturore dhe muzeve.

10. Memorandum bashkëpunimi ndërmjet Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë së Republikës së Shqipërisë dhe Ministrisë së Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës së Republikës së Kosovës për ndërtimin e lidhjes hekurudhore Durrës-Prishtinë.

11. Marrëveshje bashkëpunimi ndërmjet Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale të Republikës së Shqipërisë dhe Ministrisë së Financave, Punës dhe Transfereve të Republikës së Kosovës.

12. Marrëveshje bashkëpunimi ndërmjet Ministrisë së Arsimit dhe Sportit të Republikës së Shqipërisë dhe Ministrisë së Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit të Republikës së Kosovës në fushën e njohjes dhe njësimit reciprok të diplomave, certifikatave dhe gradave shkencore të lëshuara nga institucionet e arsimit të lartë dhe institucione të tjera të autorizuara.

13. Marrëveshje bashkëpunimi në fushën e bujqësisë ndërmjet Ministrisë së Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural të Republikës së Shqipërisë dhe Ministrisë së Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural të Republikës së Kosovës.

Fjala e plotë e Kryeministrit Kurti në mbledhjen e shtatë të përbashkët të Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Qeverisë së Republikës së Shqipërisë: 

I nderuar Kryeministër i Shqipërisë, Z. Edi Rama, i dashuri Edi,

Të nderuar ministra të kabinetit të Qeverisë së Republikës së Shqipërisë dhe të Qeverisë së Republikës së Kosovës.

Ne shqiptarët jemi njerëz optimistë, edhe kur dita nuk është me diell e bie shi, themi do të jetë me bereqet.Më lejoni që fillimisht të përkujtoj që sot janë mbushur dy vjet nga tërmeti i tmerrshëm që e pat goditur Shqipërinë dhe familjarët e të afërmit e 51 të vdekurve sigurisht që në mënyrë të posaçme kanë pikëllim e mallëngjim sot. Ne bashkëndjejmë me ta duke pohuar që dhembja e tyre është edhe dhembja e jonë.

Kjo është mbledhja e shtatë e përbashkët e të dy qeverive, por është mbledhja e parë e imja në të cilën marr pjesë si Kryeministër i Republikës së Kosovës.

Unë vitin e kaluar isha kryeministër 4 muaj, në këtë javë, në këtë vit janë bërë tetë muaj kështu që jam duke përparuar dhe sa herë që vij në Shqipëri, jo vetëm si kryeministër, besoj sikurse edhe për shumë qytetarë tjerë të Kosovës, kam një ndjesi të veçantë e cila edhe nuk përshkruhet lehtë, e as nuk shpjegohet kollaj.

Këngëtari ynë i mirënjohur Nikollë Nikprelaj thoshte se jemi si një lis me dy degë. Pra me pak fjalë jemi një, paçka se me dy dialekte të cilët sa shkon e po njësohen falë ndërveprimit në shumë fusha, falë muzikës, artit, sportit etj.

Tani çfarëdo që po them po analizohet e studiohet mirë se ku desha të dalë e çfarë mesazhi po dërgoj, por edhe sikur mos të them asgjë prapë njëlloj do të ishte sepse do të thoshin se edhe ky është mesazh.

Ajo që ndjej, sidomos në Kosovë e cila e kaloi shekullin e fundit duke e valuar flamurin kombëtar, është se ka një lloj ndrydhje të dëshirave dhe ndjenjave kur flitet për Shqipërinë.

Një lloj i represionit të shkaktuar nga trauma e ndërrimit të befasishëm të simboleve që ka rezultuar me një lloj tronditjeje kolektive. Pra, befas e gjithë shoqëria në Kosovë përjetoi një zëvendësim për të cilën nuk u pyet e nuk u lejua të debatohet.

Kjo është dhe do të mbetet një temë e dhimbshme e që e bënë edhe më të dhimbshme faktin që nuk është politikisht korrekte të diskutohet për të, pra një kërkesë për të ndrydhë një dëshirë e një mendim.

 

–           Tash të thuash se jemi të lumtur që jemi një komb i ndarë do të ishte marrëzi.

–           Të thuash se jemi të lumtur që kemi dy shtete sepse kështu jemi më të fortë, do të ishte sa tepri po aq edhe shkurtpamësi.

–           Të thuash se angazhohesh për bashkimin kombëtar do të shquanin për nacionalist.

–           E të thuash se do bashkohemi në Bashkimin Evropian të shquajnë për diplomat.

Kam përshtypjen se këta të fundit po tregohen më të suksesshëm, kështu që le të flasim si diplomatë, por le të punojmë si patriotë.

 

E si diplomatë jemi të vetëdijshëm dhe të qartë, se mbledhja e dy qeverive tona është në horizontin e integrimeve. Sa më i mirë-projektuar dhe i mirë-ndërtuar horizonti i marrëdhënieve tona, aq më i mundshëm është integrimi në Bashkimin Evropian i cili është fati ynë.

Integrimi ynë, mes shteteve tona është edhe strategjik, por edhe më tepër qëllimor. Progresi në numër i marrëveshjeve duhet të shoqërohet, siç e tha edhe kryeministri Rama, me cilësi në zbatimin e tyre sepse janë sa me rëndësi ekonomike, aq edhe historike.

E si patriotë duhet t’i forcojmë të dy shtetet tona. Sepse patriotizëm sot është të luftosh korrupsionin dhe krimin e organizuar; të luftosh për lirinë e mediave dhe lirinë e mendimit; të luftosh për gjyqësor të pavarur e për ekonomi gjithpërfshirëse me drejtësi sociale. E vetëm ky lloj patriotizmi do të forcojë shtetet tona dhe do të jetësojë ëndrrat e qytetarëve tanë për të jetuar krenarë në vendin e tyre.

Bashkëpunimin me njëri tjetrin nuk e kemi dëshirë e zgjedhje por obligim e detyrë, siç e kemi përgjegjësi lartësimin e mbrojtjen e njëri-tjetrit kudo e ndaj kujtdo.

Sa më të përafruar e më të njësuar që jemi në qëndrime rreth të vërtetës tonë, aq më të fortë e të fuqishëm do të bëhemi, sepse jemi më shumë sesa dy shtete, por të shpërqendruar. Duhet të gjejmë thirrjen tonë të përbashkët.

Sa më të integruar që bëhemi aq më e mirë do të bëhet jeta e qytetarëve tanë, aq më të bindur do të jenë për të ndërtuar jetët e tyre këtu dhe çdo e mirë e njërit shtet mund të përcillet te tjetri dhe anasjelltas. Çdo krijimtari shoqërore në njërën anë mund të përcillet dhe të gjej më tepër fuqi në anën tjetër.

Njerëzit tanë duhet të lëvizin e të punojnë, duhet t’ju lehtësohet qarkullimi e qëndrimi; duan të prodhojnë prandaj edhe duhet t’ju zgjerohet mundësia e biznesit dhe e tregtisë. Kjo punë ka nisur të ecë, por tash duhet të vrapojmë, si në shpejtësi edhe në cilësi.

Së bashku mund të prodhojmë më mirë e të fitojmë më shumë. Nuk ka humbje më të madhe se projektimi në qëndrimin brenda të ndërgjegjes së vogël, dhe nuk ka përhumbje më të madhe se shpërndarja nëpër linja të paqëndrueshme veprimi. Qartësia dhe orientimi i përbashkët na udhëzon vetë për lëvizjet më të duhura e më të mbara.

Ne e kuptojmë se linja hekurudhore Prishtinë-Durrës është cilësi dhe shpejtësi në qarkullim njerëzish dhe mallrash, është ekologji dhe fuqi e tokës në det, është rritje e rëndësisë së portit kryesor të shqiptarëve. Lidhja hekurudhore është sa e një rëndësie ekonomike po aq edhe gjeopolitike e cila e rrit dhe forcon shqiptarët por edhe ndihmon rajonin, sepse ne jetojmë në rajonin tonë e me fqinjët tanë, me të cilët kemi të kaluar të përbashkët, por edhe do të ndajmë të ardhmen.

Marrëveshjet që kemi përpara do të lehtësojnë edhe më tej procedurat e marrjes së lejes së qëndrimit.

Po hapim pikën e re kufitare në Krushevë të Dragashit e në Shishtavec të Kukësit për të lehtësuar qarkullimin e për të zhvilluar e lidhur komunitetet tona.

Po mbështesim bashkëpunimin kulturor në fushën e trashëgimisë kulturore dhe muzeve, por edhe në krijiimin një kalendari të përbashkët kulturor vjetor sepse, siç  thoshte Fishta, ‘Vërtetë ne kemi Bajram e Pashkë, por shqiptarinë e kemi bashkë’ e shumë festa tona janë të përbashkëta.

Po rrisim bashkëpunimin në fushën e drejtësisë me ndihmë të ndërsjellë juridike, në fushën e doganës duke lehtësuar kalimin e duke zvogëluar kohën e pritjes si dhe po lehtësojmë njohjen reciproke të diplomave, certifikatave dhe gradave shkencore me marrëveshje tjera të cilat na afrojnë e forcojnë më shumë.

E për t’u siguruar se marrëveshjet do të zbatohen tashmë kemi edhe një koordinator të përbashkët, për çka falënderoj qeverinë e Republikës së Shqipërisë dhe Kryeministrin Rama për dakordim dhe mbështetjen e ofruar.

Le të përshpejtojmë hapat e veprimit, të rrisim cilësinë e zbatimit që të shpejtojmë integrimin mes vendeve tona e në Bashkimin Evropian.

K O M E N T E

6 KOMENTE

  1. Pergezoj kete marreveshje ,me 13 – te pika te tilla ! Te tilla marreveshje na afrojne me shume e duke levizur ,jetuar, punuar te lire pa procedura te tepruara burokratike ne ndjehemi shume te afert, gati nje sic jemi me te vertet.Uroj te zbatohet cdo gje e thene sot !

      • I nderuar mik M.Uka ,,,,me pershendet sot nje dite me diell dhe pse po iken muaji nendor.Por kete diell po ma zbeh paksa me dyshimin qe shprehni me siper ,per marreveshjen e dy qeverive tona.Sa absurde njekohesisht degjohet dy qeveri e tonat.Nesje jo se kundershtoj mosbesimin tuaj ,me se e drejte por le te shpresojme se ka ardhe koha kur mashtrimet shterojne ,premtimet gjithashtu.Vec me zbatimin e ketyreve marreveshjeve , 13 i tregojme dhe botes deshiren dy paleshe per bashkim e bashkjetese.Nuk e dij ne e kam mire por dhe nga “armiku ” prit nje miresi te vogel.Deri tash jane bo shume e shume marreveshje e pak jane zbatuar.Por le te shpresojme kete rradhe! Per autostradat qe tashme ka shume e do te kete dhe me shume Shqiperia do te vendoset sistemi qe zbaton krej Europa per Tarife ,pagese kalimi.Por vec nje autostrade ,ate qe lidh Kosoven me Shqiperine te jete e perjetshme e lire ,e hapur e pa asnje detyrim pagese.Urimet e mija pranoni z.Uke nga Malsorja Rita.

        • Fjalet tuaja te ngrohta ne stilin e Malesores qe
          nuk u dorzohet veshtersive ma zgjojne shpresen
          pozitive !Nuk jam une qe nuk u besoj deshires se mire
          te delegacioneve tona Por Rama mjeshtrine e mashtrimit
          e ka ne stilin sllavorus Dhe kazani i qorbes se ketij
          ustahi bashk me Vuqiqin do perpiqen te pakten
          ti hudhin barrnishta serbo qetnike qe Open
          i velika serbise te krijoj teren per manovrim
          Uroj qofsha i gabuar ! E nderuar ,Rasti kriminal
          i ndodhur mbreme vone ne Gllogjan na ka shqetesue
          pameshirshem !U shprehi nga ketu Ngushllime
          vellezerore familjeve qe humben te dashurit !
          Mos njefshim kurr ma keso lajmesh te keqija !
          Ate kriminel e nxafte taksirati shumefish !
          Dhe ajo nene qe ka rrite asi krimneli duhet
          tja marr shpirtin vehti! Si nene Flliqulke !
          Andaj e nderuar falem nderit per fjalet tua
          shpresedhense dhe miresine e perjetofshim
          me gezime te panalshme !

  2. Jam shume i gezuar per kete marreveshje. Shpresoj qe kete here ajo te zbatohet teresisht e jo si ato te mehershmet qe u zbatuan pjeserisht.
    Do te isha shume i lumtur nese ne kete mareveshje do te perfshihej edhe heqja e laures afer tunelit te Kalimashit. Ne Shqiperi ka shume autostrada dhe mua me duket teper e padrejte qe vetem ne “Rruga e Kombit” te paguhet taksa e rruges.

SHKRUAJ NJË KOMENT

Ju lutem, shkruaj komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaj emrin tuaj këtu