Nga: Kolonel Dilaver Goxhaj, Tiranë
- Oficeri që mbajti bashkveprimin 78 ditor midis UÇK-s dhe aviacionin e NATO-s
Më 24 Mars 1999 NATO mori vendimin për të shkuar në luftë me besimin se pas disa ditë bombardimesh kundwr Serbisë, për të bindur Millosheviçin për t’i dhënë fund sulmeve ndaj popullatës shqiptare në Kosovë dhe për të pranuar një formulë politike për rikthimin e autonomisë së Kosovës, sikundër ishte vendosur në mbledhjen e Rambujesë. Kjo doli të ishte një llogaritje e gabuar e madhe. Në vend që t’i përkulej vullnetit të NATO-s, Millosheviçi e përshkallëzoi dhunën e tij, fushatën kundër popullsisë vendase shqiptare – duke hequr me forcë 1.3 milion njerëz nga shtëpitë e tyre dhe duke dëbuar 800,000 njerëz tërësisht jashtë Kosovës.(“Winning Ugly – NATO’s War to Save Kosovo”, me autorë: Ivo H. Daldeer & Michael e. O’Hanlon, Brookings Institution Press, Washington, D.C., 2000, f.3)
Veprimet luftarake te aviacionit të NATO-s, vazhduan 78 ditë, (24 mars – 9 qershor 1999), duke u zhvilluar në disa faza, por vetëm në fazën e saj të katërt, më 14 prill 1999, aviacioni luftarak filloi të godiste direkt forcat serbe në terren, brenda në Kosovë. Gjat tri fazave të para aviacioni u përqëndrua kryesisht në goditjen e institucioneve dhe garnizoneve ushtarake rreth Beogradit dhe kundër industrisë ekonomike dhe ushtarake të Serbisë.
Në ora 16.30 e datës 23 mars 1999 Grupi i Drejtimit i aviacionit të NATO-s, i vendosur në Kumanovë (Maqedoni), nwn drejtimine z.Shon Berns, vendosi bashkëveprimin me Shtabin e Përgjithshëm të UÇK-së, duke u përcaktuar detyrat Shtabit tone të Përgjithshëm për shenjëtregimin e domosdoshëm për avionat e frontit në ajër: cilat do të ishin objektivat e armikut që do të goditeshin, koordinatat e vendodhjes së tyre si dhe e vijës e frontit të dy palëve ndërluftuese, intervali i të dhënave, në çfarë largësie për siguri do të duhej të tërhiqeshin forcat tona nga objektivi që do të goditej, rezultatet e goditjeve etj. Hyrja e NATO-s në luftë kundër Serbisë, natyrisht që ndryshoi edhe nje pjesë të objektivave tona, perderisa luftrat rrallë janë ta pandryshueshme. Lufta e UCK-së tash kish edhe mbështetjen e popullit amerikan.
Prej atij momenti, aviacioni i NATO-s u bë forca aleate mbështetëse e Ushtrisë Çlirimtare e Kosovës. Ai bashkveprim rezultoi të ishte mjaft profesional, të cilin Komandanti i NATOs, Gjenerali Wesli Klark, e vlerësoi me shkrim: “Bashkëveprimi më i mirë luftarak në historinë 50-vjeçare të NATO-s!”, dërguar me fonogram në SHP të UÇK-së, më 10 Qershor 1999.
Mirëpo, nga koha në kohë po vihet re se po shtohen shumë “analistë”, “filozofë”, ushtarakë (me uniforma po edhe nga ata me shkollë); thënë më saktë, politikanë dhe intelektualë prej të gjitha fushave, po bëjnë një propaganda të ethshme, për të bindur opinionin publik shqiptar, duke deklaruar me mburrje se, Kosovën nuk e çliroi dhe nuk kishte mundësi ta çlironte Ushtria Çlirimtare e saj, (UÇK-ja), por veçse aviacioni i NATO-s. Dhe, nëse merr guximin t’ju shpjegosh të vërtetën e mundësive luftarake të UÇK-së, qoftë edhe me fakte konkrete, nuk përtojnë të të shpallin “mosmirënjohës” ndaj Amerikës dhe NATO-s, “antiamerikan”, “anti evropian”, apo edhe heretik. Kjo propaganda mohuese e luftës së popullit shqiptar në Kosovë ështënjë lloj INKUIZICIONI propagandistik, e bwrw nga “analistë” tw mendimit jo profesional. Dhe për këtë “zbulim” të tyre mundohen të të paraqesin “argumenta” nga me absurdet.
Më të zellshëmit e këtij inkuizicioni propagandistik janë ata që nuk kanë lexuar fare histori ushtarake; janë nga ata që, kur luftohej në Kosovë gjatë viteve 1997-1999, ose ikën nga sytë-këmbët, ose nuk kanë ditur se çfarë bëhej në Kosovë, ose nuk u vjen mirë të flitet për aftësitë e popullit shqiptar në Kosovë, duke mos pasur besim në kombin shqiptar, ose janë shprehur kundër Ushtrisë çlirimtare të Kosovës kur ajo luftonte kundër armatë pushtuese serbe. Ndoshta ashtu ua kërkon servilizmi që kanë në gjak. Dhe, “argumenti” më bindës, që përdorin këta zotërinj të gjithëdijshëm, kanë si përgjigje shprehjen antikombëtare: “As mos u shkoi ndërmend që UÇK-ja e vogël ta mundëte ushtrinë dhe policinë e madhe serbe!”(!)
Kjo përgjigje e këtyre zotërinjve të bind se nuk e njohin aspak historinë e kryengritjeve shqiptare, historinë e Shqipërisë e të gjithë kombit shqiptar. Harrojnë këta zotërinj se Shqipëria e Skënderbeut, që atëhere nuk ishte as gjysëm milioni, iu kundërvu me sukses për një çerek shekulli Perandorisë më të madhe të kohës, asaj Otomane, duke e mbrojtue edhe gjithë Evropën Perëndimorë prej pushtimit të saj?
Nuk e dinë këta zotërinj se edhe ushtria shqiptare vullnetare e Lidhjes së Prizërenit mundi ta përballonte reagimin e po asaj Perandorie, edhe pse ne atëherë nuk kishim shtet të organizuar shqiptar?
Nuk e dinë këta zotërinj, që e ngrenë zërin në qiell për gjoja pamundësinë e çlirimit të Kosobës nga UÇK-ja, e cila u mbështet nga shumica e kombit tonë që, edhe më 1920-n, në Vlorë, 4-5 mijë fshatarë ishin ata që hodhën në det pas 3 muaj luftë Perandorinë Italiane?!
Nuk e dinë këta zotërinj të “eruditë” se edhe gjatë LANÇ-it, në Luftën e Dytë Botërore, Ushtria Partizane Vullnetare Nacional-çlirimtare Shqiptare, e lindur nga guerilja, ku 72 mijë prtizanë i përbaruan 100 mijë ushtarë fashistë italianë dhe 70 mijë ushtarë nazistë gjermanë dhe e çlironin këtë Shqipëri që kemi sot me forcat e veta, si asnjë shtet tjetër në Evropë, edhe pse në atë periudhë Shqipëria kishte vetëm 1 milionë e 100 mijë banorë? Ajo ushtri partizane i përballoi ato dy ushtri pushtuese ngaqë u mbështetur nga shumica e popullit, edhe pse të dy këto ushtri pushtuese shkatërruan ose na rrafshuan përtokë ku nga850 qytete dhe mbi 2.500 fshatra që kishte Shqipëria, u dogjën dhe u shkatërruan 1.850 dhe gati 100.000 ndërtesa në qytete dhe fshatra, dhe u shkaktoi të dy pushtuesve, (italianë e gjermanë), 58.639 të vrarë, të plagosur ose të zënë rob, u shkatërroi afro 100 tanke dhe autoblinda, 1,334 topa e mortaja, 2.855 mitraloza dhe 1.934 kamjona, pa llogaritur pushkët, municionet dhe depot që u shkatërruan ose u kapën.
Megjithatw, këta teoricienë nihilistë kanë një të drejtë, pasi janë të ndërgjegjshëm se bëjnë pjesë në armatën pacifiste Rugoviane e cila kishte 800 mijë antarë që propagandonin në pamundësinë e fitores së luftës së armatosur.
Luftën e bën morali dhe jo armët
Apologjetët e kësaj propagande antishqiptare, duke qenë skeptikë, nuk duan ta pranojnë se Serbia angazhoi në Kosovë gjithsej: 145.554 forca; prej tyre 15.779 pjesëtarë të MPB; 61.892 nën komandën e Korpusit të Prishtinës; 13.000 Njësitë Speciale Policore; 200 trupa Njësia Speciale Antiterroriste; 54.683 trupa ishin forcat rezervë –policore, që përbëhej kryesisht nga pjesëtarët e ish “Beretave të kuqe” të formuara më 1991, të cilët kishin marrë pjesë në luftrat në Kroaci e Bosnjë-Hercegovinë.
Mos harrojmë, se 95.000 prej atyre forcave sulmuese kriminale kishin ardhur në Kosovë një vit më herët se të angazhohej NATO-ja me aviacionin e saj, prej kur ndodhi epopeja e Jasharajve në Prekaz, gjë që e dëshmoi në Gjyqin e Hagës kundër Millosheviçit, edhe ish-Komandanti NATO-s, Gjenerali Uesli Klark.
Ato forca agresore-kriminale serbe, edhe pse vranë mbi 13 mijë civilë duke i varrosur në mbi 530 varreza masive, përfshi 1 mijë e 400 fëmijë të moshës nën 18 vjeç; edhe pse shkatërruan 100 mijë e 589 shtëpi; edhe pse dëbuan jashtë Kosove gati 1 milion shqiptarë, (50 % të gjithë popullsisë shqiptare në Kosovë), megjithatë ndodhi ajo që e deklaron edhe Presidenti Klinton më 23 Maj 1999, duke thënë: “Megjithse Millosheviçi ka dëbuar me qindar-mijëra shqiptarë kosovarë nga shtëpitë e tyre, ai nuk e ka eleminuar dot Ushtrinë Clirimtare të Kosovës. Madje radhët e saj po shtohen dita-ditës, ajo ka filluar të ndërmarrë ofensiva kundër forcave serbe, të cilat fshihen skutave për t’u shpëtuar goditjeve ajrore. Tani Millosheviçi po përballet me sigurinë e vazhdimit të situatës ajrore, me këmbënguljen e UÇK-së dhe me mundësinë për t’u përgjigjur përpara popullit…” (B.Klinton “Ne luftën, ju paqen”, 1999, f.82), duke arritur në fund mbi 38 mijë luftëtarë fronti, të organizuar në 28 Brigada, të inkuadruara në 7 (shtatë) Zona Operative.
Madje, UÇK-ja, paralel me rritjen e saj në numër, i shtonte sulmet nga dita në ditë, edhe pse Kosovës iu bë embargo si nga Evropa ashtu dhe nga Shqipëria ku u vendosë vëzhguesit OSBE-së dhe bllokuan kufirin me Kosovën, gjë që vërteton moralin e lartë që kishte UÇK-ja. Nëse edhe UÇK-ja do të furnizohej nga Perëndimi, sikundër furnizojnë sot Ukrainën, UÇK-ja e kishte çliruar vetë Kosovën, pasi morali nuk i mungonte. “Në luftë, – ka thënë Napoleon Bonoparti,- gjendja morale përbën tre të katërtat e lojës. Pjesa që mbetet varet nga fuqitë fizike”. Si kujtoni ju, trimat e paneleve televizive e të fejsbukut, se ky moral nuk mund ta çlironte Kosovën?!
Kjo ushtri popullore i asgjësoi armikut serb 1.616 ushtarë e policë, (duke mos u përfshirë këtu paramilitarët dhe civilët serbë të Kosovës që iu bashkangjitën paramilitarëve serbë dhe policisë serbe). Ndërsa kryetarja e Fondit për të Drejtën Humanitare në Serbi (Natasha Kandiç) ka dhënë shifrën se vetëm 248 ushtarë e policë të Serbisë janë të vrarë nga bombardimet e NATO-s, (https://gazetainfokus.com), duke i dhënë madje edhe me emra. Këto shifra duan të thonë se 85% janë asgjësuar nga UÇK-ja dhe 15% nga aviacioni i NATO-s.
Sipas dëshmisë së Oficerit të Sigurimit të Serbisë, Zoran Milovan Stojoviç, dhënë në 1 prill 2003: “vetëm nga 1 janari deri në 30 nëntor 1998 numëri i sulmeve të kryera prej UÇK-së ishte 1486. Në këto sulme u vranë, 105 anëtarë të MPB-së dhe 37 anëtarë të UJ-së, si dhe u nxuar jashtë luftimit 481, (nga të cilët 96 civilë serbë vendas të armatosur), 283 anëtarë të MPB-së dhe 102 anëtar të UJ-së”.
Sipas raportit të Komisionit Special të NATO-s, të 16 shtatorit 1999, (vetëm) në Kosovë janë shkatërruar: 93 tanke, nga 474 tanke take që kishte Serbia në Kosovë, dhe vetëm 13 janë asgjësuar nga aviacioni i NATO-s, sikundër thuhet në Wikipedia dhe nga znj.Kandiç, 80 të tjerët i ka asgjësuar UÇK-ja.
Është vetë Millosheviçi që e pranon në Hagë se, vetëm në muajin nëntor 1998 UÇK-ja ka kryer 470 sulme kundër forcave ushtarako-policore të tij, ndërsa në muajin dhjetor 1998, 1854 sulme, duke i shkaktuar serbëve vetëm për dy muaj 244 të vrarë dhe 566 të plagosur, gjë që e pranon në parim edhe Gjenerali Klark. (“Kosova Sot”, 24.12.2003).
Skeptikët kundër UÇK-së
Jo, mor, jo, o ju nihilistët e atdhedashurisë të popullit tuaj, nuk jemi antiamerikanë dhe as mburavecë, jo, por jemi realistë. Jepi Qezarit atë që i takon Qezarit, ka thënë dikur Krishti. Jo më kot Koltunov thotë: “Për të vërtetën jam gati të ulërij si ujku”. Si skeptikë që jeni, ju i ngjasoni atij ekstravagantit që del me fener për të parë a ndriçojnë yjet. Prandaj, nuk keni pse prishni gjakun duke ulëritur: “U BuBuuuu! U mohua Amerika!”
Mos u trondisni, se ne luftëtarëve nuk na lejon ndërgjegjia dhe nderi i ushtarit të popullit që ta mohojmë ndihmën që na dha Amerika, ndryshe do të ishim tipikë si ju që jeni mosmirënjohës ndaj luftës së UÇK-së, e cila më së shumti u vjen nga padija ngaqë lexoni vetëm çfarë shkruani vetë.
Ne, pjestarët e UÇK-së e dimë më së miri se kushdotjetër, se nga 1.000 avjonat e NATO-s që u angazhua në atë luftë kundër Serbisë, 80% ishin avjonë të SHBA; e dimë dhe atë, se nga rreth 38.000 fluturime aksionesh që u kryen nga NATO-ja, 85% e tyre u kryen mbi Sërbi dhe vetëm 5.100 fluturime u kryen kundër forcat serbe në Kosovë. Besoj se këto shifra e fakte u bindin se peshën kryesore të asaj lufte, edhe kur u angazhua NATO-ja, atë peshë e mbajti mbi shpatulla UÇK-ja, të cilën e pagoi me gjakun e 2.131 dëshmorëve dhe mbi 4.000 të plagosur invalidë, duke u “përballur me një kundërshtar, i cili është munduar që të maksimizonte vdekjet dhe mizeritë e shqiptarëve në Kosovë”,(Wesli Klark, “Kosova Sot”, 25.12.2003).
Por ne, nuk mohojmë gjithashtu edhe përkrahjen politike e diplomatike të Amerikës, përkrahje e cila e rriti shumë e më shumë besimin tonë për fitore, si dhe kurajon për të luftuar; gjithashtu, ne e dimë më mirë se ju, se angazhimi i NATO-s me aviacion, jo vetëm që e shpejtoi fitoren e luftës sonë, si rrjedhojë u shpëtuan mijëra e mijëra jetë njerëzish të tjerë nëse nuk do qe ajo ndërhyrje. Për këtë i jemi edhe më shumë mirënjohës Amerikës, por edhe atyre shteteve të BE-së që i detyroi Amerika të angazhoheshin në atë luftë.
I gjithë ky sulm mediadik kundër “pamundësisë luftarake të UÇK-së për çlirimin e Kosovës” gjatë këtyre 25 viteve të pasluftës, e që sapo vjen e po intensifikohet (!), është një presion i qëllimshëm që ne, pjesmarësit e asaj lufte të heshtim, që Gjykata Speciale (e ngritur qëllimisht), të mos nguroi ta shpalli UÇK-në “grup i organizuar terrorist”, sikundër thuhet në akuzën e asaj Prokurorie, që nesër ajo luftë të shpallet luftë civile dhe Kosova t’i rikthehet Serbisë. Ju ndoshta e keni të pamundur ta kuptoni KËTË, se nuk u lejon vetëmburja, duke u hequr si shumë “patriotë” të zgjuar. Por lusim që ta keni nga injoranca dhe jo ga urrejtja ndaj UÇK-së.
Por, zotërinj kundërshtarë të UÇK-së, fiksojeni mirë, se UÇK-ja u përball me një ushtri nga më të fuqishmet në Ballkan, u përballëm me një ushtri që kishte përvojën e 5-6 viteve luftë me Kroacinë e Bosnjën, që drejtohej nga oficerë me përvojë të fituar në ato vite lufte ndërshtetërore. Duke qenë se Serbia kishte një ushtri të atillë, po të mos ishte lufta e UÇK-së, NATO-ja as që kish për t’u angazhuar në atë luftë; por, edhe nëse angazhohej vetëm me aviacion, pa ekzistencën e UÇK-së, do ta kishte të pamundur fitoren me Serbinë. Po të mos ishte lufta jonë çlirimtare, të cilën ata shqiptarë që e nisën as që e kishin menduar kurrë se do t’u vinte në ndihmë NATO-ja, të jeni të bindur se ushtria e Serbisë nuk do qe shkulur edhe sot nga Kosova. E dinim edhe atë, që nëse nuk do qe angazhaur NATO, lufta do të vazhdonte gjatë, por të jinni të bindur, se shumica e kombit shqiptar do t’i ishte bashkuar UÇK-së, ndoshta edhe ju “luftëtarët” e sotëm të mediave.
As mund të çlirohet ose të pushtohet
një vend vetëm me aviacion
Mos u duket çudi dhe as vetëmburje që po u flas me këtë gjuhë. Sepse, së pari, “Historia nuk njeh ndonjë rast që fuqia ajrore të ketë pasur sukses e vetme”,… “ngaqë e keqja e fuqisë ajrore kur është e vetme është se e len inisiativën në duart e armikut”,… “Në çdo luftë është këmbsoria ajo që duhet të ngrejë flamurin e fitores në fushën e betejës.”, sikundër shkruan Shefi i Shtabeve të Bashkuara Amerikane, Kolin Pauell, (“Udhëtimi im amerikan”, f.371,381,388). Dhe,së dyti, duke i mbajtur UÇK-ja të angazhuara forcat tokësore serbe duke i ekspozuar në terren, vetëm kështu aviacioni amerikan e angles mundi të plotësonte misionet e tij.
Nuk ka ushtarak me përvojë që të mos e dijë se një nga parimet operative bazë është që, komandanti në terren ka gjithmonë të drejtë. Dhe ai komandant ishim ne, UÇK-ja, ndërsa komandantët e NATO-s e shikonin situatën nga larg, në Televizorë, të cilët, pa ndihmën tonë do të ishin përherë të gabuar. Ne ishim në skenë, ne e preknim terrenin me këmbë e me sy, duke u përballur me forcat serbe dhe duke i gjykuar ato. Aviacioni i frontit, sado i shumtë e i fuqishqëm që të ishte, po mos të kish bashkëveprimin tonë që luftonim ballë pëballë në tokë me forcat serbe, po të mos kish informacionin tonë e shpeshtë në çdo orë për gjendjen në front dhe në thellësi të armikut, (i cili në terminologjinë ushtarake quhet shenjëtregim), do ta kish pothuajse të pamundur nënshtrimin dhe kapitullimin aq shpejt të Serbisë, sikundër e theksojnë edhe vetë Gjeneralët Kolin Pauell dhe Wesli Klark.
Dhe këtë detyrë të domosdoshme UÇK-ja e kreu 24 orë gjatë 24 orëve të çdo ditë-natë të asaj lufte 78 ditore. Informacionin e jepnim ne, Shtabi i Përgjithshëm i UÇK-së. Kush nuk e di, le ta mësoi: INFORMACIONI ËSHTË FUQI. Planifikimi jo vetëm i luftës, por edhe i çdo sulmi nga toka dhe ajri kundër objektivave tokësorë të kundërshtarit, është një mozaik i dhjetra e qindra detajeve shqetësuese; dhe këto detaje i jep bashkëluftëtari që është në kontakt direct me forcat tokësore të armikut.
Avionët e NATO-s, por edhe ne, me të vërtetë synonim të bombardoheshin forca serbe të maskuara e të fshehura nëpër qendrat e banuar e nëpër pyje, por duhej të bënim kujdes që mos të bombardoheshin populli i thjeshtë, gratë dhe fëmijët, si dhe forcat tona, por dhe që edhe na ndodhi.
Lista e objektivave që ne raportonim ne në çdo kohë, përfshinte që nga dislokimi i instalimeve dhe pozicionimet e forcave serbe, deri dhe te artileria dhe tanket, përfshi edhe ata të groposur, si në front e në thellësi, përfshi skalionimin e tyre nëpër transhe, deri ku kalonte vija e çdo transheje të armikut; përfshi gjithë linjat e tij të furnizimit e të ndërlidhjes, pa harruar vijën e ndodhjes së forcave tona dhe vendgrumbullimet e popullsisë së zhvendosur nga qendrat e banimit.
Këto i pranon edhe Gjenerali Wesli Klark, kur i bëhet pyetje në Gjykatën e Hagës: “Cilat ishin burimet tuaja të informimit?” Ai përgjigjet: “Këto ishin burime të besueshme të inteligjencës amerikane, plus raportimet nga vetë terreni”, (“Kosova Sot”, 26.12.2003, f.15).
Prandaj e thashë dhe e them me zë të lartë, se po të mos ekzistonte UÇK-ja, ushtria serbe ndoshta edhe sot nuk do qe tërhequr nga Kosova dhe ne do të ishim ende duke luftuar.
Për ata që nuk duan ta besojnë rolin tepër determinant
të UÇK-sëm për fitoren e luftës në Kosovë, po jap një mori
shembuj të hershëm dhe të tashëm.
Të gjithë e dimë që edhe pse zgjati 10 vjet fushata e bombardimeve sistematike ajrore “Rrolling Thunder” e SHBA kundër Vietnamit të Veriut (RDV), prej Gushtit të vitit 1964 deri në 30 Prill 1975, amerikanën nuk e nënshtruan dot RDV. Dhe atë luftën “e vetme nga ajri” e bënin po këto forca ajrore Amerikane që vepruan edhe mbi Serbi dhe forcat e saj në Kosovë. Dhe ai bombardim nga superfuqia më e madhe e gjithë kohrave, e cila bombardoi RDV nga ajri me të gjitha llojet e armëve e municioneve, si dhe me të gjithë teknologjinë më të sofistikuar ushtarake për atë kohë, duke hedhur mesatarisht 7 (shtatë) kg bomba për çdo vietnamez, ose 3 (tri) herë më shumë bomba se sa u hodhën gjatë gjithë Luftës së Dytë Botërore prej gjithë palëve ndërluftuese. Në total, vetëm në periudhën 5 gusht 1964 – 5 gusht 1966, numëri i avjofluturimeve amerikane mbi RDV ishte 240 mijë; në 1967 ishin 30 mijë në muaj, në 1968 edhe më shumë.(Davidson F.B. “Lufta në Vietnam 1946-1975”, M. 2002).
Dhe përfundimi? Përgjigjen na e jep ish-sekretari DASH-it, z.Henri Kissinger: “Me kalimin e muajve, debati i brëndshëm u përqëndrua gjithnjë e më shumë në parakushtin e Hanoit që Shtetet e Bashkuara të caktonin në mënyrë të njëanshme një datë për tërheqjen, si formë për përfundimin e luftës.”, (“Diplomacia”, Tiranë 1999, f.689).
Kjo do të thotë, se ishte pala sulmuese, SHBA, që kërkuan të uleshin në bisedime dhe jo pala që goditej. Dhe mos harrojmë se, përherë është pala humbëse ajo që kërkon bisedime, thotë Kissinger. Edhe pse kundër Vietnamit u përdorën bombat me napalm dhe lëndët kimike, madje edhe bomba me peshë 7 (shtatë) ton, të hedhura nga aeroplanët e rëndë bombardues B-52, të cilat shkrinin gjithçka në një rreze prej 100 metrash atje ku binin dhe që shkaktonin një tërmet disaballësh në një rreze prej 3,5 kilometrash, e përsëri pala që bombardohej nuk kapitulloi.
Dhe, si e shpjegojnë nga ana ushtarake këta mohues
të mundësive të UÇK-së atë tërheqje të SHB nga Vietnami?
Le ta mësojnë! Shpjegimi është fare i thjeshtë: Sepse aviacionit amerikan i mungonte informacioni (shenjëtregimi) nga toka. Ishte kjo mungesë e rëndësishme që e çoi Amerikën në atë heqje dorë nga terreni që bombardohej, sikundër shprehet vetë pjesmarrësi në atë luftë, Gjenerali Kolin Pauell: “Ne kishim humbur lidhjet me realitetin. Gjithashtu ishim mashtruar nga teknologjia. Armiku ishte primitiv, ndërsa ne ishim vendi me teknologji më të përparuar në botë. Kështu, nga dyqani i Maknamarës dilnin mrekulli të tilla si “nuhatësi i njerëzve”, një pajisje që mund të diktonte që nga avjoni edhe koncetrimin e urinës në tokë. Nëse diktohej urinë në territorin armik, e kuptonim që aty kishte përqëndrim të tyre dhe ky përbënte një objektiv për goditjen tonë.”, (K. Pauell “Udhëtimi im amerikan”, f.114).
Për mungesë bashkëveprimi nga terreni ku kryheshin bombardimet nga ajri dështoi edhe operacioni i koduar “Desert one”, i 24 prillit 1980, për të shpëtuar 53 pengjet amerikane të kapur nga iranianët e që mbaheshin robër në ambasadën amerikane në Teheran që prej pesë muajsh.
“Plani parashikonte, – shkruan Kolin Pauell, – që helikopterët të transportonin trupat në një zonë pranë Teheranit dhe agjentët e SHBA në Iran do të sillnin aty kamjonët për të dërguar komandot në ambasadën amerikane, ku do të përpiqeshin të eleminonin rojet… Por ishin dobësitë në zinxhirin e komandim- komunikimit që kontribuan në dështimin e misionit.”, (Po aty, f. 179-180)
Për të bindur edhe më skeptikun, por jo analistët e mirëpaguar e mohues të kontributit determinant të UCK-së për çlirimin e Kosovës që kapardisen në mediat servile të Tiranës dhe Prishtinës, sepse ata, edhe pse janë të bindur nuk mund ta kapërdijnë një të vërtetë të tillë sado shkencore të jetë analiza e tyre, (sepse për atë mohim paguhen), prandaj dhe po i referohemi luftës së 29 shteteve më të fuqishme të botës, përfshi këtu edhe Rusinë, që luftuan gati 10 vjet kundër ISIS-it, madje në një terren krejtësisht fushor e pjesërisht të zhveshur, (dhe jo si terreni i Kosovës dhe i gjithi i pyllëzuar), kundër një ushtrie pothuajse guerile, duke kryer jo më pak se 100 aviofluturime në ditë, dhe nuk e mundën dot. Përkundrazi, ISIS-i vijonte të zgjeronte territoret e veta! Pse? Sepse aviacionit të 29 shtetve u mungonte shenjëtregimi nga terreni ku zhvilloheshin luftimet; u mungonte ai informacion që i jepte UÇK-ja NATO-s.
Edhe në Luftën e Gjirit, në vitin 1991, “Zbulimi në fushëbetejë ishte një faktor me rëndësi të jashtëzakonshme dhe Shvackopfi kishte në dispozicion të tij të dhëna nga disa burime shumë të rëndësishme… Rëndësi kishte çdo e dhënë që të jepte informacion për vënien në lëvizje të forcave armike… Për ta bërë atë sa më efektiv, Shvarckopfi hartoi plane të veçanta dhe tepër sekrete për të përdorur në thellësi të frontit irakian, forcat speciale zbuluese.”, (M.E.Morris “Stuhia e Shkretëritrës”, Tiranë 1992, f.63-64).
Ndërsa gjatë Luftës në Kosovë NATO nuk e pati të nevojshme të rrezikonte qoftë edhe një individ të vetëm të forcave të veta speciale të zbulimit, sepse atë informacion e jepte UÇK-ja e papërkulshme.
Këta shembuj të ilustruar me fakte që unë solla nuk janë të vetmit, ka edhe shumë e shumë raste të tjerë. Por çfarë na tregojnë këta shembuj?
Tregojnë atë që e pranon Gjenerali Kolin Pauell: “Historia nuk njeh ndonjë rast që fuqia ajrore të ketë pasur sukses e vetme”, (.K.Pauell, po aty, f.381), nëse nuk ka tradhëti nga pala që goditet me aviacion, sikundër ndodhi në Luftën e Irakut në vitin 2003.
Mund të lindë natyrshëm pyetja se ku e mbështeste UÇK-ja besimin në fitore, vallë vetëm te zgjatja e luftës?
Po, edhe atje, pasi është strategji e domosdoshme për një luftë çlirimtare guerile, të cilën e thekson edhe Henri Kissinger: “Çdo vend që angazhohet në luftë guerile duhet të përgatitet për një luftë të gjatë. Ushtria guerile mund të vazhdojë për një kohë të gjatë taktikat: “godit e tërhiqu”, edhe me forca shumë të pakta”.(“Diplomacia”,f.629).
Dhe këtë strategji të suksesshme, “godit e tërhiqu”, UÇK-ja e bëri formën kryesore të luftës të saj ditën që Serbia u largoua nga Rambujeja dhe filloi Operacionin “Potkoi”. Kjo strategji e re u bë tmerr për ushtrinë serbe. Këtë e kanë pohuar edhe vetë gjeneralët serbë në Gjyqin e Hagës. Njëri prej tyre është gjenerali Bozhidar Nikolla Deliç, i cili gjatë Luftës në Kosovë ishte komandanti i Br.549 e Këmbësorisë së Mekanizuar, me bazë në Prizren, i cili deklaroi: “Mënyra e luftimit të UÇK-së ishte duke iu shmangur çdo lloj luftimi të drejtpërdrejtë. Ata përdornin taktikën: godit dhe ik”.
Ishte kjo strategji që bëri të mundur dështimin e operacionit “Potkoi”, me të cilin “Serbia desh të bënte pastrimin etnik në shkallë të gjerë kundër popullatës shqiptare në Kosovë”, (W.Klark,”Kosova Sot”,22.12.2003).
Vlen të theksohet se këtë objektiv të Operacionit “Potkoi”, UÇK-ja, me strategjinë e re të saj, kish arritur t’ia dështonte para se aviacioni i NATO-s të fillonte sulmet kundër forcave serbe në Kosovë, qysh në 1 Prillin e vitit 1999, kur mbaroi beteja për mbrojtjen e Kosovës Qendrore. Dihet që sulmet e aviacionit të NATO-s kundër forcave serbe në Kosovë filluan në 14 Prill, tre javë më pas si kishin filluar luftën nga ajri, pasi deri atë kohë qe angazhau mbi Serbi, por edhe si rrjedhojë e kushteve të vështira meteorologjike.
Dhe këtë mision ne e arritëm pa ndihmën e NATO-s, të cilën e pranon në Hagë edhe vetë Gjenelari W.Klark: “Sqaroj, unë nuk e kam komanuar UÇK-në. Ne kurrë nuk e kemi ndihmuar UÇK-në. Ne nuk e kemi udhëzuar UÇK-në. Ne nuk i kemi ndihmuar formacionet e saj.”, (“Kosova Sot”, 24.12.2003).
Duke pasur parasysh se NATO e kish luftën e saj të parë dhe, si e tillë, ajo kish hyrë në një luftë të kufizuar, me mandat të kufizuar, për një qëllim të kufizuar, ndaj dhe duhej të përmbushej sa më shpejt.
Mirëpo, dihet që lufta është një ndërmarrje që thith gjithçka. NATO e filloi luftën, por po të mos e kish afruar UÇK-në për bashkëveprim, kish gjasa ta humbiste perspektivën e përfundimit të asaj lufte humanitare për të. Ajo perspektivë e NATO-s nuk humbi, falë UÇK-së; ishte UÇK-ja ajo që ia mundësoi NATO-s ta realizonte atë luftë për 78 ditë, sa dyfishi i kohës së Luftës së Gjirit, “Stuhia e Shkretëtirës”, e vitit 1991, edhe pse kishin të bënin me një ushtri 3 herë më të vogël (e Serbisë) se ajo e Irakut, si në forca edhe në mjete, madje edhe pse zotëronin totalisht ajrin.
Prandaj kemi të drejtën morale të themi: Me të vërtetë që SHBA dhe NATO na ndihmuan të çliroheshim shumë më shpejtë e shumë më lehtë se sa ne parashikonim, por ama ishte UÇK-ja ajo që ua zbardhi faqen atyre. NATO-ja dhe UÇK-ja ishin si dy duart që lajnë njëra-tjetrën.
Nëse UÇK-ja do të ishte furnizuar me armatim dhe municione nga NATO-ja, lufta do të kishte përfunduar shumë më shpejt dhe me më pak humbje. Por, aleatët e NATO-s filluan të kenë frikë se ndërhyrja ushtarake do ta forconte UÇK-në më shumë sesa do të dobësonte dëshirën e Millosheviçit për të bërë kërdi, të cilën e pohon edhe vetë Sekretari Cohen, “shqetësimi im ishte se nëse do të ndërmerrej ndonjë lloj veprimi, ai duhet të jetë në përputhje me sigurimin që ne të ishim plotësisht neutral, se UÇK-ja nuk do ta përdorte NATO-n për t’i shërbyer qëllimeve të veta. Dhe për shumë muaj, unë bëra deklaratën se ne nuk do të jemi forca ajrore për UÇK-në.” (“Winning Ugly – NATO’s War to Save Kosovo”, vepër e cituar, f.35)
Dikush edhe mund të këmbëngulë me kokëfortësi prej budallai ta kundërshtoi këtë të vërtetë. Por po sjell këtu faktin tjetër që e njëjta situatë ishte edhe në Bosnjë, luftë e cila zgjati tre vjet. Do pyesni ju: Pse tre vjet? Sepse nuk u vendos bashkëveprimi luftarak midis forcave ajrore të NATO-s dhe forcave tokësore të Bosnjës, sikundër u vëndos me UÇK-në gati 8 orë para se të kryhej sulmi i parë ajror. Dhe këtë nuk e them vetëm unë që u ngarkova ta mbaja atë bashkëveprim luftarak, por e pohon edhe vetë Shefi i atëhershëm i Shtabe të Bashkuara të SHBA, Gjenerali Kolin Pauell: “Zgjidhjet tona varionin nga goditjet e kufizuara ajrore përreth Sarajevës deri në bombardimet e serbëve në të gjithë teatrin e luftimit. Unë theksova se asnjëri nga këto aksione nuk garantonte që të ndryshonte sjelljen e serbëve. Vetëm trupat tokësore mund ta bënin këtë. Bombardimet e rënda mund t’i bindnin ata të lëshoni diçka, por nuk mund t’i detyronin t’i ndërprisnin luftimet. Dhe, përballë goditjeve ajrore të kufizuara, serbët nuk do ta kishin të vështirë t’i fshihnin tanket dhe artilerinë në pyjet dhe mjegullën e Bosnjës, ose t’i mbanin ato afër popullsisë civile.”, (K.Pauell “Udhëtimi im amerikan”, f.454).
Prandaj u desh t’i ofrohej Milloshit në Dejton, Çmimi Nobel i Paqes, që të ndërpritej lufta dhe Amerika të mos angazhohej në Bosnjë me forcat e saj tokësore.
Ato taktika që përdorën forcat serbe në Bosnjë, ato taktika përdorën forcat serbe edhe në Kosovë. Këtë na e pohon vetë Komandanti i NATO-s, Gjenerali Uesli Klark, duke e pranuar faktin se ishte UÇK-ja, ajo që i nxirrte forcat, tanket dhe artilerinë serbe nga pyjet, qendrat e banuara dhe mjegullat e Kosovës, duke i ekspozuar para aviacionit amerikan dhe angles: “Ne gjithashtu pranonim informata nga UÇK – ja, që kishin të bënin me luftën, e cila zotëronte vijën dominante, vijën kyçe të komunikacionit në veri, në drejtim të Beogradit…Lufta e vazhdueshme e saj i detyronte shpesh forcat serbe të delnin në terren të hapur, ku na jepej neve mundësia t’i godisnim ato. Ne kishim informata të konsiderueshme rreth planeve të UÇK-së për të sulmuar brenda në Kosovë… UÇK-ja i nxirrte batalionet serbe nga fshatrat, permes dyluftimeve, duke na dhënë neve mundësinë t’i sulmonim nga ajri.”, ( Wesli K. Klark “ Waging Modern War”, Oxford, UK, 2001, f. 330)
Por Gjenerali Wesli Klark pranon edhe atë çka shprehëm më lartë se, fitorja e asaj lufte nuk erdhi vetëm prej NATO-s. Ajo ishte fitore e përbashkët, e NATO-s dhe e UÇK-së. Si e tillë, prandaj e kanë urdhëruar z.Wesli Klark që atë luftë të mos e quaj luftë, por thjesht një operacion; një stërvitje, me demek! Dhe ai, duke i qëndruar besnik kodit të nderit të oficerit amerikan, nuk mundet ta mohojë të vërtetën, prandaj, qysh në hyrje të librit të tij, (“Waging Modern War”, Oxford, UK, 2001,f.V), shkruan: “Ne është dashur ta festojmë suksesin tonë, por për arsye se nuk mund ta cilësonim si luftë, nuk mund ta cilësonim atë as si fitore, edhe përkundër faktit se e tillë ishte”.
UÇK-ja nuk ishte organizatë terroriste
Por, menjëherë, sikundër është bërë e njohur, KFOR-i, me në krye Gjeneralin anglez Xhekson, pasi e mori gjithë dokumdntacionin e luftës së Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së, në nëntorin e vitit 1999, ia ka dorëzuar edhe Serbisë! Pse, vallë, Amerika dhe Anglia nuk i deklasifikojnë dokumentat e luftrave të tyre para një çerek shekulli e më shumë, ndërsa dokumentat tona luftarake gjenerali anglez ia dha agresorit kundër të cilit luftuam edhe ne edhe NATO?!
Prandaj dhe Serbia ka deklaruar se këto dokumenta do t’i përdorë si fakte për ata që kanë dalë e do dalin para Gjykatës Speciale Ndërkombëtare të Hagës kundër UÇK-së, e cila është instaluar në Hollandë, me vendim të Parlamentit të Kosovës! Nuk thonë më kot shkodranët: “Atë që ta ban vedi, nuk ta ban as Zoti”. O tempora! O Mores! Dhe, mos harrojmë se në atë gjykatë do të shkojnë ëndërrimtarët, edhe pse Gjenerali Wesli Klark deklaroi me zë të lartë para asaj Gjykatës Ndërkombëtare në Hagë: “Unë nuk e pranoj definimin e UÇK-së si organizatë terroriste… ajo ishte një shpërthim i një lëvizjeje të rezistencës. Unë dua ta them këtë për tu regjistruar si e dhënë.” (“Kosova Sot”, 25.12.2003).
Por, me sa duket, kjo Gjykatë ka qenë paravendosur qysh në Rambuje, duke e pranuar edhe vetë delegacioni i Kosovës me në krye drejtorin politik të SHP të UÇK, Hashim Thaçin dhe Presidentin e atëhershëm të Kosovës Ibrahim Rugovën, ndryshe pse NATO do të rrëmbente ditaret tanë luftarakë dhe t’ia dorëzonte Serbisë?
Këto lajme na bëjnë të hedhim dyshime se cilat kanë qenë arsyet që Komanda e TMK, me në krye Agim Çekun nuk i pat dorëzuar ato dokumenta në Arkivin e Kosovës, por i mbajti deri sa një ditë ka pranuar t’ia dorëzoi KFOR-it? A duhet të ketë pasur vallë një marrëveshje të papublikuar politike a ushtarake, që komanda e KFOR-it t‘ia dorëzonte Serbisë dokumentat e SH.P. të UÇK-së? Apo kjo të ketë ndodhur ngaqë Rezoluta 1244 e OKB e quan ende Kosovën pjesë integrale të Serbisë? Derisa edhe zotërinjtë Hashim Thaçi, Kadri Veseli e Jakup Krasniqi nuk kanë reaguar atë kohë kur Serbia deklaroi se i ka marrë këto dokumenta nga KFOR-i, mos vallë do të thotë se kanë qenë edhe ata dakort? Mos vallë kjo ka qenë arsyeja pse u çarmatos tak-fak UÇK-ja, për të cilën znj. Medlin Ollbrajt, në librin e saj “Zonja sekretare”, (Tiranë 2003,në f.493-494), shpreh habinë: “Për habinë e disave, UÇK-ja nënshkroi një marrëveshje çmobilizimi me Xheims Rubin-in, i cili kishte qenë ndërmjetësi i bisedimeve, por megjithatë vazhdonte të kishte shumë dyshime për qëllimet e këtij grupi”.
Duke u bazuar në Marrëveshjen e Rambujesë, ku luftën tonë çlirimtare e quan thjesht “konflik”, ndërsa UÇK-së as që i përmendet emri, por emërtohet “grupet e armatosura civile” (kapitulli 7, Neni I, pika 2/a), ku përcaktohet që të çarmatoset dhe t’i jepet gjyqit. Kjo u vërejt edhe në sjelljen armiqësore ndaj UÇK-së nga ana e forcave të KFOR-it, gjatë periudhës së pasluftës kur ajo ende UÇK-ja nuk ishte çarmatosur, duke mospranuar që të quheshim më ushtri aleate! Edhe terheqja prej KFOR-it i ditarëve të luftës sonë, na jep të drejtën të dyshojmë se KFOR-i e ka bërë për t’ia fshehur historisë veprimtarinë luftarake të bashkeveprimit të UÇK-së me NATO-n. Dhe kjo na bën të dyshojmë se qëllimi ka qenë i hershëm, për ta shuar nga historia UÇK-në.
I shprehim këto dyshime, bazuar, jo vetëm në unanimitetin “patriotik” të mazhorancës parlamentare në Kosovë (PDK+LDK+AAK e Nisma), për dërgimin e UÇK-së në Hagë me akuzen: “ndërmarrje e përbashkët kriminele”, por edhe në mohimin që i bëhet UÇK-së nga disa politikanë shqiptarë me funksione të larta, “analistët” dhe “filozofët”, andej e këtej kufirit, duke ia dedikuar tërë lavdinë e asaj fitoreje vetëm Perëndimit. Tradhëtia nuk ka brirë, bërë kjo me ndërgjegje apo nga idjotësia. Jo më kot edhe Presidenti Kroat, Ivo Josipoviç, në takimin me Presidentin serb Nikoliçin, midis të tjerave, tha : “Ne nuk veprojmë si të mjerë, siç veprojnë shqiptarët e Kosovës, të cilët harrojnë gjithçka për asgjë!”, (notification+zrdoog = 1irpz@facebookmail.com).
Por, me sa duket, politikanët tanë dhe inteligjenca jonë kombëtare përfitojnë nga ajo që ende populli ynë është në stadin që e pat konstatuar para një shekulli Faik Konica: “Mjerimi i shqiptarëve ka qenë në tërë kohërat të kapej pas individëve dhe jo pas ideve… Historia e Shqipërisë është e mbushur fund e krye me prova të tilla të përngjashme. Të përpiqemi me të gjitha forcat tona të shërojmë shqiptarët nga dashuria për individët. Ata duhet të mësojnë të duan Shqipërinë – jo t’i bëjnë qejfin këtij apo atij shqiptari”. (“Albania” nr.16, dt.15-30 korrik 1898).
(Shënim: Fakte edhe më të detajuara, mund t’igjeni te libri: “Winning Ugly – NATO’s War to Save Kosovo”, me autorë: Ivo H. Daldeer & Michael e. O’Hanlon, Brookings Institution Press, Washington, D.C., Copyright © 2000)
Me të lexuar këtë shkrim të kolonel Dilaver Goxhaj, nga Tirana, m’u përkujtua data 24 mars e vitit 1999,ndaj po e përshkruaj vetëm ditën e 24 marsit 1999:
1. Në Mitrovicë (Kosovë), më 24 mars 1999, pikërisht në orën 12:00 në mesditë, u dëgjuan sirenat me një zë të frikshëm; e gjithë popullata u mbyllëm nëpër shtëpiat tona dhe nuk levizte njeri i gjallë. Rrugët e qytetit ishin të zbrazura;
2. Pikërisht në orën 20:00 në mbrëmje, prapë sirenat me zë të frikshëm. Kishim paralajmërim që duhet shkuar në strehimore. Komshitë serbë kah kalonin kah dyert tona na trokisnin në derë e na thërrisnin: “Komsho, ajmo u skllonishte!” Kupto: Kojshi eja të shkojmë në strehimore). Ishte e frikshme, sepse nuk e dinin se çfarë do të na ndodhte në strehimore, ku ishte terr dhe balta deri në gju. Ne strehimore kemi qëndruar preej orës 20:00 gjër në orën 23:50, bashkë serbë dhe shqiptarë; ishin rreth 30 veta në një dhomë prej 20 metra katror.
3. Për fat të mirë funksiononte TV dhe telefoni, kështu që kontaktonim me të afërmit tonë.
4. Të nesërmën muerrem info se e kanë vra Mr. prof Latif Berishën, Kryetar i Degës së LDK-së në prag të desrës se vet; poashtu na info se e kanë vra B. Hjrizin ne pragun e derës se shtëpisëe, aktivist në LDK.
5. Poashtu na info se e kanë vra avokatin e mirënjohur Bajram Kelemendin, bashkë me të dy djemt e vet: Kastriotin dhe Kushtrimin.
…
Kështu të “ngujuem” i kaluam 78 ditë, prej 24 mars gjërë më 12 qershor 1999. Kjo ishte e tmerrshme dhe e papërshkrueshme….
*
/IMH