Nga: Bajram Sefaj
Për shqyrtim e ribotim (ripranverim) në faqet e Drinit
Ulanikut, i raft pika !
(Një si mozaik, në vend të raportit klasik, nga festivali i 63-tretë i filmit në Pulë të Istrisë)
Midis datës 9 e 16 të muajit korrik, (ky vit), në qytetin, e bukur e fotozhenik, të Pulës, në Istër (Kroaci), u zhvillua festivali tradicional i filmit. Ishte edicioni i 63-të i tij. Isha i ftuar në cilësinë e mysafirit. Menjëherë vrapova atje, në atë qytet, bukurinë përrallore të cilit e njihja mirë nga se, shumë herë, sa herë i dërguar special, sa herë në hesap (llogari) timen private. Kur mbërrina atje përsëri, pas 25-6 vjetësh mungese, për pak, sa nuk u shtanga: asgjë nuk ishte më siç ka qenë dikur. Asgjë sikur s’ishte në vendin e vetë, siç ka qenë më parë! As amfiteatri Vespazianit, objekti më madhështor, për nga madhësia i gjashti amfiteatër i këtij lloji në botë. Ky objekt lashtësie shekullore, tremijë vjeçare, për nga eleganca dhe forma, sigurisht ndër më të bukurit në botë! As njerëzit nuk ishin ata të mëparshmit. (Disi ngjanin ndryshe, disi dukeshin të ngrysur e më pak skofiarë, me pak bujarë e fisnikë, se ç’ishin më parë. As dona Marija, “gazdarica”, nikoçierja ime e “dashur”, nuk ishte ajo e mëparshmja. Gjithçka kishte ndryshuar, ndërkohë. Fitohej përshtypja se Pula, me gjithë Istrinë e bukur, nuk banonte më aty! Apo mua me dukej ashtu. Ku ta dish!
*
Ç’ngjante, o zot!
S’mbetej tjetër pos të lus zotin të më kthej për nja afro gjysmë shekulli mbrapa e të m’i huazoi një palë sy të ri, bojë qielli apo ngjyrë deti, krejt një e Pulën, pallatin lashtë të Vespazianit, festivalin e filmit, banorët e Pulës dhe gjithçka që e rrethon atë, t’i shoh ashtu siç i kam parë për herë të parë, këtu e pesëdhjetë e kusur vjet më parë.
Meqë festivali dhe e gjithë rrjedha e tij, në shumë degë manifestimi, ka afat skadimi, përcaktohem për të sjellë nga atje një reportazh në forme mozaiku, natyrisht, gjithnjë gërshetuar me festival dhe nuancat e tij shumëngjyrëshe…
Por, jo, jo, edhe tashti mendoj e them siç kam menduar dhe pohuar shumë herë deri më tash. Festivali i filmit në Pulë, falë amfiteatrit brenda mureve të Pallatit mijëvjeçar të Vespazianit, me kapacitet deri në dymbëdhjetë mijë shikues në një shfaqje filmi, është festival më i bukur dhe me joshës në botë. Kurrgjë afër tij nuk janë festivalet e filmit në Cannes së Francës, Berliniadja e Gjermanisë, Karllovy Vary, i Çekisë, Lido, i Italisë, festivali moskovit i filmit, i Moskës… e kështu me radhë!
(Jo, jo… hiqe atë vesvese. Festival (veror) të filmit, si në Pulë, nuk ka askund në botë. Ta thotë vëllai ty!).
Iku kjo!
*
I raft pika Ulanikut, pse!?
S’kam haber!
Pos që e di me siguri se titullin, që të mos them e kam vjedhur, them e kam vjel nga një melodi jona e popullarizuar “Kaçanikut i raft pika”. Derisa supozohet se dihen motivet pse Kaçanikut tonë i adresohet ky mallkim i rëndë, pse Ulanikut të Pulës t’i bie pika, motivi është imi, i supozuar dhe natyrisht, pa asnjë pikë mbështetje reale!
Uljaniku, ky gjigant industrial i epokës së Titos, a i më hershëm, i brodogradnjes, (shqip: i anije-ndërtimtarisë) para shumë vjetësh mbiu aty ku është edhe sot. Në pjesën me të bukur, aty ku deti e prekë qytetin e Pulës në zemër, aty ku u ngrit hoteli më madh e më i bukur e i kohës se vet “Rivijera”. Pulasit i përzu nga këtu për ta gjetur ata detin matanë shkëmbinjve qoftë edhe atëherë kur quheshin zlatne stijene (shkëmbinj të tjerë të artë!).
Ani, Tito matanë, në ishullin Brijuni, me salltanetet e veta, të një cari a mbreti mesjetar, në këtë anë gjiganti industrial i anije-ndërtimtarisë…
Çfarë bashkëjetese kjo, për mashalla!
Iku kjo!
*
Pas fluturimit havasë nga Prishtina për në Zagreb, rrugën për të arritur në Pulë e bej më autobus. Edhe pse është rrugë më e gjatë që nuk e zënë as treqind kilometra, ai autobus në atë relacion, ngjante në një autobus lokal e assesi i një lidhjeje ndër urbane. Autobusi ndalej (jepte e merrte pasagjerë) në çdo hap. Në çdo kthesë e birucë…
Ani, zgjat zot kësi moti!
Ishte ky një rast i mirë që Istrisë t’i hyhet në zemër e, he për he, të shijohet bukuria e këtij gadishulli, që aq gjatë ishte nën pushtetin e Italisë fqinje, gjë që lehtësisht dëshmohet se, edhe sot e kësaj dite, në Istër përdoret dygjuhësia (kroatisht – italisht, barabar e ravnopravno!), në jetën e përditshme, midis banoreve, në administratë dhe në çdo institucion publik, të çfarëdo rangu e niveli qoftë. Sa për ilustrim a dëshmi, qyteti i Pulës, atje ka dy emra: Pula i thonë kroatisht, Pola i thonë italisht.
Iku kjo!
*
Kur ja, autobusi (si papritmas) ndalet, për një pushim të shkurtër, në qytezën e minatorëve të dikurshëm (ndoshta edhe të tashëm!), Rasha, në afërsi të drejtpërdrejt me Pulën. Në një faqe bjeshke të lartë, që dominonte mbi këtë qytezë, me germa të mëdha, të dukshme e fluoreshente, shënonte TITO, bash sikur që shënon emri diktatorit tjetër sivëlla, ENVER, në sfond të malit tonë Tomor, afër Beratit tonë.
Brijuni, Ulaniku, Tito majëmali!
Harmoni e mrekulli bashkë. Besnikëri! Nostalgji!
Për fytyrën e zezë të këtij dinaku dhelpër, më se miri dëshmonte filmi i gjatë dokumentar me titull “Houston, imamo problem”, (Houston, kemi problem), bashkëprodhim 88 minutash, (Slloveni, Kroaci, Gjermani, Çeki, Katar), të regjisorit nga Sllovenia, Zhiga Virc që, sipas mbiemrit të përbashkët Virc (Zhiga, Boshtjan dhe Andrej) fitohej përshtypja se fjala është për një vepër filmike kolektive (familjare). Ky film i mrekullueshëm, që u shfaq jashtë garës për shpërblime zyrtare, bënte fjalë për një koshoneri, për një investim marramendës e skandaloz, prej njëzet miliard dollarësh amerikanë, për realizimin e një projekti ambicioz të ndërtimit dhe lansimit të një anije të përbashkët kozmike jugosllavo-amerikane. Ky investim kryekëput i dështuar dhe megaloman i Josip Broz Titos, jepte rast të mirë të shihet edhe një ekzemplar unik i fytyrës së tij galme. “Kur nisëm punën në realizimin e këtij filmi, thamë: me këtë punë ose do të fitojmë Brijunin ose Goli Otokun. Ani, thamë, ne Vircarët e duam shumë detin! Të dyja këto vende janë në Det. (Brjijuni vend i luksit ekstrem dhe marifeteve të Titos, në afërsi të Pulës dhe Goli Otoku, vend tmerri, burg i tmerrshëm, një Alkatraz, made in (alla Jugosllavia) në Jadran (lexo: në Adriatik).
Iku edhe kjo!
*
Të nesërmen veçse kthej në sallën e leximit të pensionistëve në Pulë (çitaonica umirovljenika Pule), shfletoj shtypin e ditës. Në gazetën “Jutarnji list”, në faqen e dytë të saj, gjej rubrikën “Iza kulisa”, (pas perdes). Me garbi lexoj (në kroatisht) tekstin e autorit, me emër e mbiemër shqiptar, me përjashtim se mbiemri i tij shënohej me Bajrusi (kroatisht) e jo Bajrushi (shqip). Nuk kishte arsye të gjurmohet më tutje, nga se isha afër ndriçimit të misterit: fjala ishte për një gazetar shqiptar, po sikurse shqiptar është Augustin Palokaj nga Peja, korrespondent nga Brukseli, i po kësaj të së përditshmeje të Zagrebit. Kjo ishte befasia ime e parë, kurse e dyta, nuk ishte befasi, ishte gëzim e krenari. Gazeta lokale me tirazh të madh, ”Glas Istre” (Zëri i Istrisë) në faqen njëmbëdhjetë (cep me cep) të saj, sillte bisedën okluzive me kompozitorin njohur pejan, Beshkim Shehun, kur prej kohësh jeton dhe krijon në këtë qytet dhe është dekan i Akademisë së Muzikës në Pulë. Një e arrirë ekzemplare për një shqiptar, bashkëkombës tonin, s’ka fjalë!
Iku kjo!
*
Para se të nisëm për në plazhin e njohur Volkane, marr pjesë në konferencën për shtyp, që zakonisht mbahen para shfaqjes se filmit të radhës, në mbrëmje të asaj dite. Filmi i shumëpritur “Oslobodjenje Skoplja” (Çlirimi i Shkupit), film i gjatë 111 minuta, (bashkëprodhim i Maqedonisë, Kroacisë, Finlandës dhe Mbretërisë së Bashkuar). Regjinë e këtij filmi, ndonëse e kishin nënshkruar bashkë, Rade dhe Danilo Sherbexhija, atë e bir, që me parë dihej se violinë e parë dhe fjalën kryesore rreth realizimit të këtij filmi të përfolur tejmase, nga i cili pritej shumë, e kishte Rade Sherbexhija, aktor kroat (me kombësi serbe! e me renome ndërkombëtare. Atë e bir, kur ishin edhe (bashkë)skenaristë, folën gjerë e gjatë, edhe për detajet më të imta, në atë konferencë për shtyp që mbahej midis pijetoreve të renditura nën hijen e plepave në “Xhardinin” blerosh. Kjo është një karakteristikë veçorie e këtij festivali, njëmend. Në të mbaruar të konferencës për shtyp, e açikova (ndava) nga masa Rade Sherbexhinë. Ia shtrira dorën dhe në emër të komunitetit mbarëshqiptar (të shqiptarëve kudo që janë) e urove dhe falënderova për tekstin dinjitoz që shkroi për aktorin shqiptar, Bekim Fehmiun, me rastin e vdekjes së tij tragjike. Aktorit të madh i erdhi mirë për këtë mirënjohje të papritur. Shtrënguam duart njeri tjetrit, bëmë një fotografi bashkë dhe u ndamë miqësisht.
Nga filmi i çiftit Sherbexhija (atë e bir, kur në të kishte edhe tjerë Sherbexhinjë!), nuk doli asgjë. Në vend të sherbetit, gëlltita një gotë pije të hidhët. Në kohën për të cilën bëhej fjalë në këtë film të stërzgjatur dhe të pa kurrfarë vlere artistike, as estetike, as dokumentare, qyteti Bitolla, ishte qytet puro shqiptar, me shkollën e parë në gjuhën shqipe ne trojet shqiptare dhe se, asokohe quhej Manastir, pa pasur ide, se një ditë të zezë të historisë, do të veshi rrobën e mallkuar të emrit Bitolla, të mallkuar. Hisen tonë, shqiptare në atë qytet shqiptar, çifti regjisorial Sherbexhija e kënaq (mbulon) me përmendjen e një emri Bashkim dhe me përftimin për ngut të një plisbardhi. Dhe, kjo ishte e tëra. Filmin e tij e fishkëlleva. Nuk i duartrokita as ansamblit të aktorëve kur zakonisht del në skenë. Kjo ishte ahmarrja ime ndaj regjisorit dhe aktorit Rade Sherbexhija që kurrë me të dobët, madje të keq e neveritës, nuk e kam parë, që kur e njoh, e njoh që gjysmë shekulli e këndej. Ç’t’i bësh kur Radën se pashë më, sa për t’ia zbrazë në gjoks pakënaqësinë time, së paku një pjesë të saj. Tash ishte vonë për çdo gjë…
Sherbe(t)xhin dhe ekipin e tij “sherbet”, e kishte “ngrenë” mjegulla…
*
Përkundër “kroatit” të natyralizuar Rade, serbja natyrale, Mirijana Karanoviq, ishte diçka tjetër. E mirë si njëri. Si aktore. Si regjisore… Pas një mali interpretimesh të roleve të ndryshme, kryesisht të atyre kryesore (e rrallë herë të roleve dytësore), sa në film, sa në teatër, aktorja serbe, që u pa edhe në shumë skena e filma shqiptarë, Mirjana Karanoviq, ja tek para publikut dashamirë të artit të shtatë, del me filmin e saj të parë, “Dobra zena” (Grua e mirë), si regjisore, me ç’rast, rolin kryesor femëror ia beson vetës së vet. Film i gjatë artistik, 94 minuta, (Serbi, Bosne e Hercegovinë, Kroaci), parashikohej të shfaqej sonte në Arenë, si film i dytë në konkurrencë, fill pas filmit kroat “S one strane” (Nga tjetra anë) i regjisorit Zrinko Ogresta, që njëherazi doli si ngadhënjyesi absolut i Pulës së gjashtëdhjetë e tretë me radhë. Përkundër asaj se këtij festivali në ballë i shkëlqen slogani i admiruar “Filmi nën yj” (atë natë, ajo: nën yj, duhej të zëvendësohej me: nën çadra!), nga se njëmend, këtë film, të paralajmëruar si laureat, e panë në fund, vetëm ata shikues që kishin çadra, ombrella. Për arsye se shiu e rrëmbeu shiu dhe filmi i parë artistik “Gruaja e mirë”, i regjisores, Mirjana Karanoviq, nuk do të shfaqej në Arenë (që është ëndërr e çdo regjisori dhe artisti), por diku tjetër, në ndonjë sallë të mbyllur. Ani pse, pakëz çartaqejf, filmi i regjisores serbe u shfaq aty ku ishte shkruar të shfaqej. Kudo që do të shfaqej dhe në çfarëdo ore të shfaqej, filmin e Mirjanës do e shikoja, nga se ashtu i kisha premtuar asaj sot, paradite! Filmi doli i mirë, i shkëlqyer do të thosha, (me pak subjektivizëm), nga se kjo artiste serbe, përkundër të tjerëve aktorëve të kombësisë se saj, gjithë kësaj periudhe të dridhur lufte e kobi (të epokës së Millosheviqit) është mbajtur mirë duke u shfaqur e matur, tolerante dhe humane. (E mbajmë në mend dhe e kujtojmë me respekt kur pa fije hezitimi prani të interpretojë në rol sado të vogël në filmin, “Tri dritare e një varje”, të regjisorit tonë te mirënjohur, Isa Qosja.
Edhe si regjisore, aktorja M. Karanoviq, u shfaq e ndershme. Filmi i saj flet mbi një martesë të dështuar, kur Milena pesëdhjetë vjeçare, pas tridhjetë vjet martese (në vështrim të parë e të rrejshëm!), të lumtur e kupton se burri saj kishte gisht në shumë e shumë vrasje, se edhe ai, ishte një na kriminelët e thekur serb.
Ky film ishte i mirë, korrekt, konsekuent…prandaj, si i tillë, mori shpërblimin si filmi më i mirë shfaqur në sektorin e prodhimit kroat të pakicave. Një debutim i mbarë i M. Karanoviq, si regjisore, kurse karrierën si aktore, filmi dhe tetari, jo e nisi në vitin 1980.
*
Pulën e lëshova paksa i pikëlluar dhe, njashtu si tenori legjendar spanjoll, José Carreras, kur tha se kjo është hera e fundit që paraqitet para publikut të Pulës, edhe unë ia thashë lamtumirën këtij qyteti stolisë me bukuri…dhe festivalit të tij!
Mora rrugë për në Zagrebin (tim) të ditëve studentore. Romani im “Parisi kot”, (Rilindja, 2006), i përkthyer dhe i kroatizuar nga miqtë e mi, ka hy në Kroaci. Kurë dhe a do të shoh ndonjëherë dritën e botimit, këtë nuk e di!
***
diçitura: Kulla tremijë vjeçare e Vespazianit (Vespazijanova palaca) është emblemë e Pulës, është krenari e këtij qyteti dhe banorëve të tij, nga se amfiteatri i saj është ndër më të bukurit në botë! Kjo Kullë legjendare, është objekti i trashëgimisë më i vizituar nga turistet vendës dhe të huaj, në Kroaci. Dimër e verë. Përditë. Pa ia nda. Por, më madhështori është gjatë ditëve të Festivalit tradicional të filmit, që mbahet në zemër të muajit korrik në verë, ashtu sikurse ishte edhe kësaj radhe, tradicionalisht…