Albin Kurti, Ulqin
___
Ulqini ishte deti i fëmijërisë dhe i rinisë sime. Deri kur jam bërë gati 30 vjeç, nuk kam shkuar në ndonjë bregdet tjetër për pushime verore. Nga Plazhi i Vogël te Plazhi i Madh, nga Galebi e Albatrosi te Otranti e Lidoja, nga Kalaja mahnitëse te Kriporja e deri te lumi Buna, e sidomos nga lagjja “Gjerana”, kam kujtime aq të bukura përgjatë rritjes dhe formimit tim sa edhe të panumërta.
Ulqini është më shumë sesa një qytet bregdetar. Ai është një shembull i rezistencës dhe vullnetit për të ruajtur identitetin dhe kulturën për mijëra vjet. Monumentet e tij, si Kalaja dhe qyteti i vjetër i Shasit, janë dëshmi të jetës dhe kulturës së shkëlqyeshme të këtij qyteti ndër shekuj.
Mbrëmë, në Prishtinë, patëm një mikpritje ulqinake, në shënim të Ditës së Ulqinit, nën shoqërinë e presidentes Vjosa Osmani, zëvendëskryeministres dhe ministres së Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla, ambasadorit të Malit të Zi në Kosovë, Bernard Çobaj, ministrit të të Drejtave të Njeriut dhe Pakicave në Mal të Zi, Fatmir Gjeka, Kryetarit të Komunës së Ulqinit, Omer Bajraktari, Kryetarit të Kuvendit të Ulqinit, Ardian Mavriq, deputetëve të Kuvendit të Malit të Zi, Ilir Çapuni e Artan Çobi, e shumë miqve e kolegëve të tjerë.
Fjala e plotë:
E nderuara Presidente e Republikës së Kosovës, znj. Vjosa Osmani Sadriu,
E nderuara zëvendëskryeministre dhe ministre e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, znj. Donika Gërvalla-Schwarz,
I nderuari z. Bernard Çobaj, ambasador i Malit të Zi në Kosovë,
I nderuari z. Fatmir Gjeka, ministër i të Drejtave të Njeriut dhe Pakicave në Mal të Zi,
I nderuari z. Omer Bajraktari, Kryetar i Komunës së Ulqinit,
I nderuari z. Ardian Mavriq, Kryetar i Kuvendit të Ulqinit,
Të nderuar ministra e zëvendësministra të Qeverisë dhe deputetë të Kuvendit të Republikës,
Të nderuar deputetë të Malit të Zi, z. Ilir Çapuni dhe z. Artan Çobi,
I nderuari Drejtor i Organizatës Turistike, “Ulqin”, z. Qazim Hoxhiqi,
Të nderuar të pranishëm,
Zonja dhe zotërinj, motra dhe vëllezër,
Kam kënaqësinë që sot, bashkë me ju, shënojmë Ditën e Ulqinit dhe të rikonfirmojmë lidhjet e veçanta mes Kosovës dhe Ulqinit.
Riviera e mrekullueshme e Ulqinit është gjithmonë një destinacion i preferuar për qytetarët e Kosovës të cilët e vlerësojnë bukurinë natyrore dhe paqen që ofron deti, por edhe, dhe mbi të gjitha, mikpritjen e ngrohtë të banorëve të këtij qyteti dhe trashëgiminë e tij të aq të pasur historike dhe kulturore.
Ulqini është më shumë sesa një qytet bregdetar. Ai është një shembull i rezistencës dhe vullnetit për të ruajtur identitetin dhe kulturën për mijëra vjet. Monumentet e tij, si Kalaja dhe qyteti i vjetër i Shasit, janë dëshmi të jetës dhe kulturës së shkëlqyeshme të këtij qyteti ndër shekuj.
Duke e përkujtuar historinë tonë të përbashkët, nuk mund të shpërfillim rolin e jashtëzakonshëm që Ulqini ka luajtur për qytetarët e Kosovës gjatë periudhës së luftës në Kosovë. Mirënjohja ime shkon përtej fjalëve drejt Malit të Zi për mikpritjen dhe ndihmën e jashtëzakonshme që iu ofrua shqiptarëve të Kosovës në momente të vështira historike.
Prandaj, angazhimi ynë për paqe, për siguri dhe për prosperitet në rajon nuk ka pasur kufij. Bashkëpunimi jonë i ngushtë me Malin e Zi është dëshmi e përpjekjeve tona për të ndërtuar një rajon e një të ardhme më të mirë për të gjithë qytetarët pa dallim. Duke shtuar investimet dhe bashkëpunimin në fusha të ndryshme, si politika, ekonomia dhe kultura, synojmë të thellojmë marrëdhëniet tona.
E me Ulqinin unë kam edhe një raport të ngushtë personal e familjar.
Për mua Ulqini ishte deti i fëmijërisë dhe i rinisë. Deri kur jam bërë gati 30 vjeç, unë s’kam shkuar për pushime verore në ndonjë bregdet tjetër. Nga Plazhi i Vogël te Plazhi i Madh, nga Galebi e Albatrosi te Otranti e Lidoja, nga Kalaja mahnitëse te Kriporja e deri te lumi Buna, e sidomos nga lagjja “Gjerana” kam kujtime aq të bukura përgjatë rritjes dhe formimit tim sa edhe të panumërta.
Shpresoj që në Ulqin si komunë, pra me rrethinë, të shtohen autobusët lokalë dhe dyqanet në fshatrat e Anës së Malit. Edhe më shumë se në Ulqin unë fëmijërinë e kam kaluar në Sukubinë. Autobusi që e voziste Bahria i Rrustos dhe dugaja e Dylit t’Dinit vlenin jo më pak se plazhi.
Ulqinin unë s’e imagjinoj dot pa Anën e Malit dhe Krajën. Gjyshja ime Aishja nga Rashtisha e Krajës, si fëmijë kur na mblidhte, na thoshte që çifti i përsosur janë vajza nga Ulqini e djali nga Shkodra! Dhe këtë na e thoshte në Sukubinë, në Sukubinën që ndodhej 25 kilometra nga Ulqini e 12 kilometra nga Shkodra, teksa atëbotë kufiri me Shqipërinë ishte i mbyllur.
Kurrë mos e harroni se Ulqini i ka tri shtylla të forta: Anën e Malit, Krajën dhe diasporën.
Unë ju falënderoj shumë për këtë mikpritje ulqinake në kryeqytet të Republikës sonë.
Ju dëshiroj pushime të bukura të gjithëve në Ulqin, punë të mbara ngado që shkoni e kudo që jeni dhe një mbrëmje të këndshme sonte në Prishtinë.
Faleminderit!