ARKIVI:
24 Dhjetor 2024

Varrezat katolike të Rrmajt në Shkodër “MONUMENT KULTURE”

Shkrime relevante

Elegji kushtuar Martin Canit, vrarë pafajësisht, në ambientet e shkollës, më 18 Nëntor 2024, elegji nga Nikolin Shtjefën Lëmezhi

Nikolin Shtjefën Lëmezhi S’të vranë ty… (Elegji kushtuar Martin Canit, vrarë pafajësisht, në ambientet...

Po përsëritet historia! KQZ-ja (s) ka të drejtë!

Prof. Fadil Maloku, sociolog nga Prishtina Në vitin 2013 (si ish anëtarë...

Kontradikta dhe abuzimi politik i Edi Ramës, dëmton rëndë Kosovën dhe Shqipërinë

Nga: Luan Dibrani Kritika ndaj Edi Ramës dhe Pozita e Qeverisë Shqiptare...

Te Nënëlokja e UÇK -së, NËNË STANA!

Nga: Nusret Pllana BRUS - lagjja Peshter Me bashkëluftëtarin tim Ismet Sylejmani, vizituam...

Vuçiq, Albin Kurti nuk është KQZ!

Gani Mehmeti Pas Reagimit ti kryetarit të Serbisë, Aleksandër Vuçiq me rastin...

Shpërndaj

“Nëse ka një dëshmi të artit ndërtimor, të ngritur në nivel qytetar, ai ndodhet padyshim në monumentet funerale të Varrezave të Rrmajit në Shkodër”… “Në pikëpamje urbanistike, për periudhën e ngjizjes së qytetit post-osman, ajo ka rëndësi të dorës së parë në formimin e idesë mbi formulimin e varrezës urbane në hapësirën shqiptare…”.

Nëse do t’ i referohemi shkrimeve të moçme, fshati Rrmaj (Remaj, Ermaj) apo Fusha e Rrmajit, gjendej në periferi të Shkodrës, atje ku lumi i Kirit me zallin e tij i afrohet fare pranë lagjeve të atij qyteti , i cili në këtë pjesë fushore gjatë shekullit XVIII ishte në zgjerimi e sipër.

Lidhur me emrin e asaj varreze, kjo mund të përcaktohet nëse do të marrim parasysh fjalën shqipe “rrëmoj” (në dialektin shkodran, gërmoj), të mbështetur nga gjuhëtari i njohur shqiptar, Prof. Eqerem Çabej. Por, si toponim mund të jetë i vjetër sa dhe vet lumi Kir, i cili me ujin e tij të furishëm vazhdimisht ka rrëmuar token në zonën e Shkodrës.

Shtrohet pyetja qeëkur ka marrë emrin “Vorret e Rremajt”. Nga dëshmitë e ndryshme gojore, flitet se që nga koha e ilirëve, aty kanë qenë varreza të ushtarëve romak dhe gjatë shekujve emri është transformuar në trajtën nga, Remaj, Ermaj, Fusha e Rremajt, në Vorret e Rremajt. Por, në dokumente të shkruar, sipas konsullit italian, Ermannno Armao, si toponim figuron qe në shek. XVII.

Sipas një relacioni Venecian, thuhet se në vitit 1610 meshtarët (klerikët katolik) kanë kërkuar lejen nga veziri i Shkodrës që të mund të celebrojnë meshë në periferi të qytetit në fshatin Rrmaj, pasi brenda qytetit kjo gjë ishte e ndaluar rreptësisht. Në relacionin e Imzot Pal Kamsit, ky fshat në vitin 1745, figuron si pjesë e famullisë se Top-hanes (Shkodrës) dhe

kishte 16 shtëpi me 96 katolik. Duke pasur parasysh shënimet e me lartë, na lind e drejta të kuptojmë se ceremonitë fetare në Rrmaj, mund të kenë filluar qe nga momenti i paraqitjes se kërkesë në vitin 1610, për celebrimin e meshës në ketë pjesë fushore 5 kilometra nga Shkodra, në një ndër shtëpi private.

Nuk është larg mendjes qe të kuptojmë se që nga ky vit duhet ta ketë zanafillën e vet rikrijimi i këtyre varrezave katolike për qytetin e Shkodrës nga banorët, të cilët për shkak të dhunës osmane, të dashurit e tyre me parë i kanë përcjellë përtej lumit Buna, në varrezat e Zarufës në Shirokë. Se në fshatin Rrmaj, ka pasur një jetë aktive fetare, dëshmon dhe fakti se nga ky vend, sipas relacionit të vitit 1745 të Pal Kamsit, ka dalë emri i priftit Dom Nikollë Kamsit nga fshati Rrmaj. Pastaj, kemi dëshmi të drejtpërdrejtë se në vitin 1777, në varrezat e fshatit Rrmaj është celebruar mesha nga klerikët e Shkodrës dhe po këtu, popullata me vendim të ipeshkvit ka mundur të marrë ndjesën e plotë për mëkatet që i kanë bërë gjatë një viti.

Nëse do nisemi nga mbishkrimet e disa epitafeve që janë skalitur nëpër pllakat e varreve të ndryshme që ndodhen në atë varrezë, nga ato që mund të lexohen në gjuhen, latine, italiane, e shqipe, rezulton se disa prej varreve janë të gjysmës se parë të shek. XVIII. Ndërsa, nga dokumentet e shkruara, rezulton se ipeshkvi i parë i varrosur këtu është, Imzot Anton Dodmasej, ipeshkv i Pultit në vitin 1816, pastaj Imzot Françesko Borci, ipeshkëv i Shkodrës në vitin 1823 e me radhë.

Në dokumentet e kohës, në afërsi të varrezave të vjetra dalin në pah edhe një palë varreza të tjera në lagjen Badre, të cilat janë quajtur varrezat e Topichit, të themeluara nga ipeshkvi i Shkodrës, Imzot Gjon Topich, nga Spliti, rreth vitit 1858. Këto varreza si dhe ato të vjetrat shfaqen në hartën topografike të qytetit të Shkodrës hartuar nga etërit Jezuit në vitin 1923.

Varrezat post Osmane

Bartja e eshtrave të të vdekurve nga varrezat e reja në ato të vjetra do të ketë ndodhur gjatë viteve 1930-1935, kur kjo lagje, sipas hartës topografike të vitit 1938, tashme figuron si vend i mirëpopulluar me banorë të qytetit të Shkodrës.

Duke parë rëndësinë historike dhe arkitekturore që kanë këto varrezat, Arqipeshkvi, Gaspër Thaçi, në vitin 1936, ndërmori aksionin duke bërë, zgjerimin meremetimin, risistemimin e varrezave dhe rindërtimin e një Kishe-kapelë të re më funksionale nga ajo e vjetra ,e cila ishte në gjendje të keqe fizike. Kjo Kishë- kapelë e cila e ka formën e Akropolit të Athinës, si dhe projekti i sistemimit të varrezave u realizuan nga nxënësi i Atë Gjergj Fishtës, inxhinieri, Ludovik Zojzi. Puna e finalizuar u inauguruar në vitin 1937 nga vetë Kryeipeshkvi i Shkodrës, Imzot Gapser Thaçi.

Duke parë varret e vjetra që ndodhen në atë varrezë, por edhe ato më të rejat me syrin e një artisti profesionist, shihet qartë mjeshtëria e ndërtimit të tyre, që nuk ndryshon shumë edhe nga varrezat e vendeve të ndryshme të Evropës Perëndimore. Kjo tregon se qytetërimi postosman në traditën kulturore të qytetit të Shkodrës, ka qenë i fuqishëm e i pranishëm gjatë rilindjes sonë kombëtare.

Më parë dhe sot flitet për gjurmët tona identitare, nga koha e lashtë dhe deri te rilindja jonë kombëtare. Flitet për varret e etërve dhe gjyshërve tanë, të cilët me vetëflijim, ringjallën kombin, historinë, gjuhen dhe kulturën evropiane. Flitet për vendet e shenjtëruara nga kujtimi i burrave e grave që bënë Shqipërinë dhe ruajtën genin tonë nga tjetërsimi.

Këto figura, me shpirt gjenden pranë Hyjit, kurse me trup e hir prehen në Varrezat e Rrëmajt.

Aty prehen familjet e: Muzhanëve, Shirokajve, Sumajve, Marubëve, Jubanëve, Jakovëve, etj., persona të shquar që bënë emër në fusha të ndryshme në historinë e Shqipërisë: inxhinierët, Gjovalin Gjadri, Augustin Briot, (projektues i urës se Bunës, prefekturës së qytetit të Shkodrës), Ludevik Zojzi, Kol Idromeno…, piktorët: Pjetër Marubi, Simon Rrota…,

muzikologët: Prenkë Jakova, Pjetër Gaci, Leonard Deda.., letrarët: Hilë Mosi, Kolë Mirdita, Frederik Rrepshja, Kolë Ashta …, mjekët: Dr. Frederik Shiroka, Terezina Suma e shumë figura të tjera. Në këto varreza prehen eshtrat e klerikëve, krijues të kulturës shqiptare: Atë Giacomo Jungut, Atë Anton Xanonit, Atë Pashko Bardhit, Dom Ndoc Nikajt, Dom Ndre Zadejës, etj.. Po këto varreza mbajnë misterin e eshtrave të: Dom Ndre Mjedës, Atë Gjergj Fishtës, dhe klerikëve të lartë kishtarë që dhanë kontribut të paçmuar në pavarësinë e Shqipërisë si: Imzot Karlo Pooten, Imzot Pashk Guerrini, Imzot Lazer Mjeda, dhe më vonë Imzot Gasper Thaçi; eshtrat e këtyre të fundit në vitin 1967, u tërhoqën nga katedralja e Shkodrës për në varrezat e Rrmajt dhe sikur u zhduken duke mos lënë asnjë gjurmë.

Varreza e Rrmajt, janë te njohura edhe për diçka tjetër: për plumbat breshëri të lëshuar mbi dhjetëra klerikë katolik intelektualë, të pa fajshëm të ekzekutuar gjatë diktaturës komuniste në vitin 1945-1948. Ata u pushkatuan pa gjyqe e me gjyqe falsë, te muri i jashtëm i varrezave, buzë lumit Kir, pranë Çinarit të Zef Zorbës, për arsye se donin që Shqipëria të jetë Perëndimore. Ndër ta numërojmë: Ndre Zadeja, Lazer Shantoja, Çiprijan Nika, Giovani Fausti, Daniel Dajani, etj.. Kjo gjë ka bërë që, pas lirisë fetare në vitin 1990, e deri në ditët e sotme, aty të shtohet numri i atyre që shtegtojnë për t‘i nderuar jo vetëm të rënët në këto varrezave, por edhe të gjithë martirët e tjerë të pushkatuar, të vdekur nëpër burgje e arreste shtëpie, e të torturuar pafundësisht, anë e mbanë Shqipërisë deri në vitin 1980. E bilanci ishte tmerrues, 2 argjipeshkvi, 5 ipeshkvi, 1 abat, 65 priftërinj dioqezanë, 33 françeskanë, 14 jezuitë, 10 seminaristë dhe 8 murgesha.

Diktatura komuniste për t’i zhduk gjurmët e krimit dhe kujtesën historike të varrezave, në vitin 1970-72, pat mbyllur varrezat e Rrmajt, duke i hapur ato në Stom Golem, për të gjithë qytetaret pa dallim besimi e kombësie.

Pas përmbysjes se diktaturës dhe ardhjes se demokracisë, ishte momenti i paharruar kur me 4 nëntor 1990, pikërisht në këto varreza u celebrua mesha e parë nga Dom Simon Jubani, në praninë e një mase të madhe populli ende të frikësuar. Ishte ky një triumf i Zotit dhe gjakut të atyre që dhanë jetën për një Shqipëri ndryshe.

Odiseja e varrezave pas vitit 1990 dhe viti jubilar

Pas hapjes se këtyre varrezave, filloi odiseja jo e këndshme e kësaj varreze legjendare shumë shekullore. Nga dëshira e madhe që të gjithë të besimit katolik të jenë varrosur aty, madje edhe atyre të ulur nga malet, ndodhi tkurrja e hapësirës si lirë dhe mbivendosja e varrezave, madje erdhi deri tek shkatërrimi i varrezave pa emërtime dhe atyre qe nuk kishte kush për tu kujdesur nga askush. Në këtë rrëmuje ndërtimesh të pa kontrolluara kanë mundur të jenë zhdukur eshtrat e shumë personaliteteve të shquara, laike e kishtare.

Me qëllim të ruajtjes së vlerave urbaniste dhe marrjes në kontroll të situatës shkatërruese, Ministria e Kulturës me kërkesë të Zyrës Famullitare Shkodrës, në vitin 2007, varrezat i shpalli Monomet Kulture. Mirëpo as ky vendim qeveritar nuk solli rezultatin e duhur për shkak se brenda varrezave vazhdonin të vepronin disa firma private të pa kontrolluara nga askush. Rreth këtij problemi kam ngritur në këmbë opinionin publik me një shkrim të botuar te Gazeta shqiptare dt. 15 prill 2011. Zbutja e situatës shkatërruese erdhi pas emrit nga ana e Zyrës famullitare të një firme të vetme për mbikëqyrjen të plotë të varrezave dhe punës me vigjilente të famullitarit të atëhershëm, Dom Gjovalin Sukaj.

Me emrin e famullitarit të ri të zyrës famullitare të Shkodrës, në vitin 2014, Dom Artur Jaku, varrezat u morën nën kontrolle të plotë, duke shpëtuar atë çfarë mund të shpëtohej.

Duke qenë se ky është vit jubilar, 25 vjetori i meshës së parë të celebruar në këto varreza me 4 nëntor 1990, nga D. Jubani, u pa nevoja për kryerjen e disa punimeve të domosdoshme në Kishën kapelë dhe në murin ballor rrethues.

Me kërkesën e këtij viti të famullitarit të Shkodrës Dom Arturit, drejtuar Kryeministrit Edi Rama, Ministria e Kulturës mori përsipër financimin për restaurimin e Kishës kapelë të varrezave, punimet të cilat janë duke ecur me ritmin e duhur. Kurse, punimet në murin

rrethues ballorë janë duke u ndihmuar nga individët të caktuar nga Shkodra dhe diaspora shqiptare në Amerikë. Pritet çdo gjë të kulmojë me festen qendrore që do mbahet me 4 nëntor të këtij viti në qytetin e Shkodrës. Duhet theksuar së është në përfundim edhe harta topografike dhe planimetria e varrezave, e realizuar nga topografi Bepin Pistulli.

Duke soditur gjithë këtë histori shqiptare, kuptohet shumë qartë se varrezat e Rrmajt, janë për ne shqiptarët, si ato çfarë janë të Parisit për francezet dhe ato të Romës për italianet etj..

Marre nga “Monuments of Albania” me 8 gusht 2019

K O M E N T E

SHKRUAJ NJË KOMENT

Ju lutem, shkruaj komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaj emrin tuaj këtu