ARKIVI:
9 Janar 2025

Varrosja e Azem Bejtës në shpellën e thellë dhe besatimi i komitëve se kurrë nuk do ta kuptoj kush vendvarrimin…!

Shkrime relevante

Policia mbyll zyrën paralele tatimore të Serbisë në veri

M.P. / RTKlive Policia e Kosovës pas një bastisje sot në mëngjes,...

Prokuroria në Kosovë: Sabotim i drejtësisë apo mekanizëm i mbrojtjes së kriminelëve?

Nga: Luan Dibrani, Gjermani Në një kohë kur shtetet demokratike punojnë për...

“Shteti i Rashkës” nuk ka asnjë gjë të përbashkët me serbët e Serbinë

Msc Belisar Jezerci, historian SHTETI I RASHKËS NUK KA ASGJË TË PËRBASHKET...

Në Kosovë nuk ekzistojnë struktura paralele serbe, por mbetje të strukturave okupuese serbe

Agim Vuniqi Marrëdhëniet në mes të Kosovës dhe Serbisë kanë mbetur të...

Shpërndaj

Blerim Latifi, filozof nga Prishtina
____
* Ata ishin tridhjetë vetë
Prej një jave 30 burra, gjysma e të cilëve ishin të plagosur, po përpiqeshin të dilnin nga zona e rrethuar. Jo për të shpëtuar veten, por të mos lejuar që trupi i prijësit të tyre të plagosur për vdekje të binte në duart e ushtarëve serbë. Mijëra ushtarë, xhandarë, civilë serbë të armatosur e hafije shqiptarë ishin vënë ndjekje të tyre. Ata kishin bllokuar të gjitha rrugët, shtigjet, fushat dhe malet.
Sa ka dushk në mal, aq kishte ushtarë ato ditë – thotë një tregim i ardhur nga ajo kohë e zymtë. Urdhëri i Zhupanit ishte i prerë: E dua të gjallë o të vdekur Azem Bejtën. Shefi i tij në Beograd ia kishte bërë të qartë dëshirën e tij: duam ta ekspozojmë në sheshin e Beogradit, t’ia përdhosim trupin publikisht, që t’u japim një mësim se çfarë fundi i pret të gjithë ata që guxojnë të çojnë krye kundër Kralit.
Komitët e dinin këtë. E kishin mësuar nga rastet e mëhershme. Shumë shokë të tyre i kishin zvarritur shesheve duke ua masakruar kufomat e duke ua hedhur më pas qenve të rrugëve. Prej kohëve që nuk mbahen mend tiranët i kanë përdorur skena të tilla për t’i tmerruar njerëzit, për t’ua shuar çdo ëndërr rebelimi. Tiranëve nuk u mjafton vetëm pushteti mbi trupat e të gjallëve. Ata e duan edhe pushtetin mbi trupat e të vdekurve, sidomos të vdekurve që në të gjallë guxojnë të vënë në pikëpyetje pushtetin e tyre.
30 komitët e kishin vendosur të mos ia plotësonin këtë dëshirë tiranit në Beograd. Me asnjë çmim. Por gjithçka dukej e pashpresë. Ishin aq pak. Gjysma të plagosur. Kishin mbetur me pak municion në pushkët e tyre, prej ditësh nuk kishin futur gjë në gojë dhe shtëpive duhej t’u shmangeshin sepse nuk ishin të sigurtë që do të gjenin mikpritje. Hafijet ishin gjithkah. Ata u ndihmonin ushtarëve dhe xhandarëve për të hyrë në shtigjet e panjohura prej tyre.
Në natën e 24 korrikut, derisa po pushonin në një përrua të thellë, prijësi u zgjua nga kllapia dhe i tha Hamit Bajçinovcit, mjekut të komitëve, që i rrinte te koka: – Kallma nji duhan! Dikush nga çeta reagoi: – Drita e cigarës mund të na zbulojë para ushtarëve. Prijësit i erdhi rëndë kjo. Me zanin e dobësuar të njeriut që po jep shpirt, tha: – Mos u tutni, a jeni me babën!
Ashtu duke ia mbajtur cigarën e ndezur, prijësin e kapi përsëri kllapia. Në mëngjesin e hershëm të 25 korrikut ai dha frymën e fundit. Mes maleve të Përçevës. 30 komitët i mbuloi pikëllimi, por shpejt e morën veten, sepse përpara e kishin amanetin: As i gjallë as i vdekur n’dorë t’Kralit!
Ndërkohë një lajm tjetër i keq u erdhi nga shoku i tyre i armëve Halim Ngucati: ushtria serbe kishte rrethuar Dushin, Gjurgjevikun dhe po shkonte drejt Gllarevës. Lajmin e bënte edhe më të trishtueshëm pjesa tjetër e tij: shumë shqiptarë të shitur ishin bashkuar me ushtrinë. Çfarë lajmi i kobshëm! Kjo e bënte situatën edhe më pashtegdalje. Dikush nga çeta tha: Kemi veç një rrugë për të mos e lanë kufomën e Azemit të bjerë në duart e shkive, ta djegim. Halim Ngucati kundërshtoi: -Jo, shqyptari se ka zakon me djegë trupin dhe qysh kallet gjith’ ky trim. Ai u tha se dinte një shpellë nëntokësore, e cila ishte shumë e thellë dhe nëse betohen se nuk do t’i tregojnë askujt, aty nuk do t’i shkojë askujt mendja se është varrosur Azemi. Me të rënë nata komitët u nisën drejt shpellës, në funeralin më të rëndësishëm të jetës së tyre. Shpella, e kthyer në varr, e mori në thellësinë e saj misterioze prijësin e tyre legjendar.Amaneti i tij ishte përmbushur. Tirani më kot do të priste trofeun e tij makabër. Komitët u besatuan për ta ruajtur sekretin deri në vdekje. Ruajtja e sekretit do ta mbante gjallë lidhjen e tyre. Vetë mitin për prijësin e tyre.
Dhe bashkë me mitin edhe shpresën se do të vinin të tjerë që do të guxonin të ngrinin krye kundër shtypjes.
BEDRI TAHIRI: VEPRIMTARIA LUFTARAKE E AZEM GALICËS GJATË LUFTËS SË PARË BOTËRORE - Pashtriku

K O M E N T E

SHKRUAJ NJË KOMENT

Ju lutem, shkruaj komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaj emrin tuaj këtu