ARKIVI:
26 Nëntor 2024

Vdekja e Kastriot Myftaraj nuk mund të sjellë gëzim!

Shkrime relevante

Presidentja Vjosa Osmani takoi Ndihmës Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Boris Ruge

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani është takuar me Ndihmës...

Rrugëtim Kombëtar: Promovimi i Historisë së Kosovës në Shtetet e Bashkuara te Amerikës

Nga: Adem Lushaj Reportazh “Krimet serbe në Kosovë - Rasti i Deçanit” dhe...

Mirënjohje profesor Fatmirit për “Fjala e Lirë”

Nga: Fahri Dahri Njeriu është  i paisur me komplekse, si qenie e...

Vendoset gurthemeli i nënstacionit të Policisë së Kosovës në fshatin Izvor, Komuna e Zveçanit

Zveçan, 25 nëntor 2024 Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, bashkë...

Shpërndaj

Përparim Kabo, filozof nga Tirana
___

Nëse dikush e mendon si të tillë, si një lloj shpagimi ndaj dikujt që e ka lënduar në jetë, apo e ka parë botën, jetën dhe ngjarjet ndryshe nga ti; ky “ dikush” harron se edhe ai është i vdekshëm.  Nëse duam që të vdekurin ta nëmim si një mëkatar dhe pastaj të themi:…” Sa mirë që ndërroi jetë!”, ky lloj qëndrimi është mëkat i një të gjalli, i cili është i ngarkuar me shpagim.

E bëra këtë hyrje, sepse disa nga shënimet ndaj ikjes nga kjo botë të gazetarit dhe studiuesit, Kastriot Myftaraj, ishin jashtë një etike të nevojshme. Një derdhje emotive për një njeri që, edhe nëse kishte “ gjynahet “ e tij në jetë, ai kishte një dallim shumë  të rëndësishëm. Kastriot Myftaraj kishte pasuri vetëm mendimin. Po, është e drejtë që i ndjeri, Kastriot Myftaraj, ishte një person kundra- rrymës, por, ama, i hapur dhe jo i fshehur, me kurajo dhe jo hipokrit, trim dhe jo frikacak!

Përbarim Kabo    &  Kastriot Myftaraj

Ai ishte i tillë, që pranonte debat dhe mendim ndryshe. Shpesh ai e tepronte për opinionin individual apo atë kolektiv, thoshte gjëra që, jo thyenin tabu, por rrëzonin edhe të vërteta historike të “kalcifikuara”, si të thuash, u godiste njerëzve disa bindje aksiomatike, përpiqej ta bënte këtë lloj sulmi pa dorashka. Veçse, askush dhe në asnjë rrethanë, nuk thuhej as nën dhe as mbi zë: “Ohhh, lëre, nuk ja vlen që të merresh me të!”

Pse ndodhte kështu? Në gjykimin tim, ka disa arsye: E para, i ndjeri Myftaraj, nuk merrej me gjëra dytësore apo periferike, si të thuash, nuk hidhte ujë në hava, por godiste në shenjë të problemit, ngjarjes historike, situatës apo personit. E dyta, a kishte ai gjithnjë të vërtetën me vete? Sigurisht që jo! A ishte ai i pagabueshëm?

PO, ËSHTË E DREJTË QË I NDJERI, KASTRIOT MYFTARAJ, ISHTE NJË PERSON KUNDRA- RRYMËS, POR , AMA,  I HAPUR DHE JO I FSHEHUR, ME KURAJO DHE JO HIPOKRIT, TRIM DHE JO FRIKACAK!

Sigurisht që jo! A ishte ai shpesh provokativ? Sigurisht që po!

Por ai luftonte me armët e tij, ato të mendimit. Të gjithë nuk mund të jemi në një mendje, as edhe në një linjë argumenti. Askush nuk mund të thotë se jemi moralistë jashtë interesit, pra, “ Diogjen modern”. Temat delikate që prekte Kastriot Myftaraj, nuk ishin pickime mediatike. Ai lexonte thellë me libra dhe autorë, kishte një kujtesë që duhej patur zili dhe gjente shtigje arsyetimesh që të befasonin, edhe në rastet kur përgjigjet e tij nuk të pëlqenin, ose edhe të irritonin. Si personazh mediatik, ai krijoi profilin e tij të anatemuar, por edhe të admiruar…

Në faqen e tij në facebook, ishin me dhjetëra dhe me qindra, ata që e ndiqnin dhe e falenderonin për opinionet, komentet dhe informacionet, si edhe, kishte nga ata që e kundërshtonin ose e shpotisnin me çfarëdolloj fjalori, sipas preferencës dhe kulturës së komunikimit që zotërohet nga gjithësecili. Edhe unë e kam kundërshtuar në një rast për Migjenin, madje m’u lëndua, pa çka se përgjigjja ime ishte etike dhe e argumentuar,  por kjo nuk bëri që të më mbante mëri ose të më largonte nga lista e miqve. Takimi ynë i fundit, para disa muajsh, krejt rastësor, në një pikë shitje, hapi një bisedë goxha të këndshme dhe ai gjeti rastin që të më falenderonte për një prononcim timin, kur e morën të ndaluar në një rast, pas një shkrimi për një ish diplomate.

“ Fjala e lirë, i thashë, është qëllimi i një demokracie funksionale, por  fjala e pakontrolluar , dëmton po aq sa ajo e pashprehura, sepse, në të dy rastet, dëmtohet e vërteta!” Kështu u ndamë atë ditë dhe dje mora vesh fundin tragjik. U interesova dhe më thanë se javët e fundit ishte diagnostikuar me një sëmundje të rëndë… Me sa duket, ai nuk donte t’i dorëzohej vdekjes në duart e të tjerëve, një lloj dyshimi ky, ose një krenari që mund të lexohet ( mund të jem edhe unë gabim).”Ju nuk mund të ma merrni jetën! Nëse është për të ikur, po iki vetë, pa ndihmën tuaj, nuk e dua vdekjen time me tisin tuaj të hipokrizisë!”

Nga dje, jo vetëm prej njerëzve pa mllefe dhe urrejtje, por edhe për ata që nuk e duronin dot, do të ndjehet mungesa e tij. Iku nga kjo jetë një njeri, i cili, me të mirat dhe gabimet e tij, nuk kthehet më, veçse, mos harroni: Ato çka ai ka shkruar dhe thënë , nuk mund as të fshihen, as të harrohen! Kurajoja e tij ishte për t’u marrë shembull…

Të qoftë dheu i lehtë, Kastriot Myftaraj!

K O M E N T E

SHKRUAJ NJË KOMENT

Ju lutem, shkruaj komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaj emrin tuaj këtu