ARKIVI:
25 Nëntor 2024

Vdiq aktori Mirush Kabashi, ‘Sokrati’ shqiptar, në moshën 75-vjeçare!

Shkrime relevante

Presidentja Osmani takoi një delegacion bipartizan të Kongresit Amerikan, të udhëhequr nga senatorja Jane Shaheen

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, takoi sot në Halifax,...

Presidentja Osmani takoi Kryetarin e Komitetit Ushtarak të NATO-s, Admiralin Rob Bauer

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, e cila po e...

Çka e pyeta djalin tim 13-vjeçar…?

Nga: Aurel Dasareti E pyeta djalin tim 13-vjeçar: “Kush është shtëpia më e...

NALT: FSK ballafaqohet me sfida të mëdha drejt transformimit në ushtri

Përgatiti: Fadil Gashi/ Radio Kosova Ekipi Këshillimor dhe i Lidhjes i NATO-s,...

Depolitizimi i mërgatës!

Florim Zeqa Partitë politike siq shihet nuk kanë nevojë për intelektual, por...

Shpërndaj

Shuhet ‘Sokrati’ shqiptar, aktori Mirush Kabashi ndërron jetë në moshën 75-vjeçare! 100 role në teatër e 20 në kinematografi

Mbi një gjysmë shekulli në skenë, duke rrëmbyer zemrat e publikut në të dy kohët. Artisti Mirush Kabashi u largua nga jeta, në agun e kësaj të marte (5 dhjetor 2023) në moshën 75-vjeçare. Humbi kështu betejën me një sëmundje të rëndë me të cilën luftonte prej tri vitesh, duke u kuruar edhe në Turqi, ndërkaq që fitoi luftën ndaj kohës, përjetësinë, me artin që reziston.

Sokrati’ ishte padyshim ‘kali i tij i betejës’, e interpretoi në shqiptari e përtej vuajtjen dhe apologjinë e tij që ndërtuan bashkë me Gëzim Kamen, me të cilën fitoi dhjetëra vlerësime.

Teatri ishte shtëpia e tij, e admironte kontaktin e drejtpërdrejtë me publikun, të cilit i dhuroi në skenë plot 100 role. Punoi si aktor profesionist tek “Aleksandër Moisiu” për dekada, kërkonte për atë skenë rikthimin tek suksesi i dikurshëm. Provoi edhe punën në Televizionin Shqiptar, derisa përqafoi në vitin 2002 sërish skenën e teatrit, kësaj radhe Teatrit Kombëtar në Tiranë.

“Si i ekzekutuam dhe i groposëm Skënder Çelën dhe Mark Toçin…” - Dëshmia rrëqethëse e gjeneralit të njohur, për dajën e Mirush Kabashit

Arriti t’i bënte popullorë personazhet e tij ndonëse karaktere. Nga roli i toger Shazivarit tek “Koncert në vitin 1936”, tek Brahushi në filmin “Dora e ngrohtë”, Lismak Voci te Zëvendësi i grave, u dha protagonizëm roleve të tij deri sa u bënë pjesë edhe e ligjërimit të përditshëm.

Poezia ishte një tjetër armaturë e fortë për interpretimin e tij, ku nuk i linte rrugë tjetër publikut veç të mbërrinte fort mesazhi i poetëve tanë, si me “Hakërrimën” e ALi Asllanit apo “Ah moj demokraci” të Pano Taçit, Poemin Kosovar të Mitrush Kutelit ku ndillte origjinën e tij gjakovare. Edhe në këto interpretime reflektonte rebelimin e tij ndaj padrejtësive, si një zë intelektual e përfaqësues që dinte të ishte kritik.

Mirush Kabashi la pas bashkëshorten, dy vajzat, dashamirësinë e kolegëve dhe njerëzve të thjeshtë, që i fitoi me talent e qytetari. Homazhet për artistin mbahen të mërkurën nga ora 10.00 në 13.00 në Muzeun Historik Kombëtar.

Jeta në skenë e film

Mirush Kabashi la pas një trashëgimi të pasur artistike, si aktor i rreth 100 roleve në teatër dhe filma. Ai është cilësuar gjithashtu edhe si një nga interpretuesit më të mëdhenj të poezisë në Shqipëri. Mirush Kabashi lindi më 17 prill 1948 në Shkodër dhe është rritur në Durrës. Origjina e tij është nga Gjakova.

Në vitin 1970 ai u diplomua si aktor në Institutin e Lartë të Arteve në Tiranë dhe filloi punë në teatrin “Aleksandër Moisiu” në Durrës. Aty, vazhdoi deri në vitin 1994, duke pasur edhe rolin e drejtorit, 1991-1993. Më pas punoi në Televizionin Shqiptar, në departamentin e Programeve Artistike si ideator dhe prezantues, ndërsa nga 2002 e në vijim në Teatrin Kombëtar.

Nga viti 1985, me periudha të ndërprera, është aktivizuar si pedagog i “Mjeshtërisë se Aktorit” pranë Akademisë së Arteve. Ai është nderuar me titujt e lartë “Nderi i Kombit”, “Artist i Merituar” dhe “Mjeshtër i Madh i Punës”.

Çmimet
Në festivalin Kombëtar të teatrove profesioniste 1989 Kabashi u shpall “Aktori me i mire” me rolin e Sadush Nezirit te komedia Hija e tjetrit e Ruzhdi Pulahes. Po me këtë rol, në Festivalin Teatror Ballkanik të zhvilluar në Korinth të Greqisë, u vlerësua si nder aktorët më të mirë. Ne vitin 2002 fitoi çmimin e “Aktorit më të mirë” si protagonist në Festivalin e Aktrimit “Apollon 2002” me rolin e Nokës në komedinë “Sa mirë bëri që vdiq” e Ilir Bezhanit.

Më 1997 në edicionin e nëntë të Festivalit Eksperimental të teatrit të organizuar në Kajro të Egjiptit, Mirush Kabashi është vlerësuar me “Sfinksin e artë” si interpretuesi më i suksesshëm mes njëmijë aktorëve pjesëmarrës nga dyzetegjashtë vende të botës.

Filmografia

* Kronikë provinciale (2009)

* Ne dhe Lenini (2008)

* Nata (1998)

* Edhe ashtu edhe kështu (1989)…. Babai i Almës

* Binarët (film) (1987)

* Telefoni i një mëngjesi (1987)….Kujtimi

* Zëvendësi i grave (1987)……… Lisimak Voci

* Nxënësit e klasës sime (1984)..Mësues Nardi

* Kohë e largët (1983) ………Asketi Lithan

* Dora e ngrohtë (1983) ………Brahushi

* Shoqja nga fshati (1980) ………Nasi (dajua i Tirkes)

* Një ndodhi në port (1980) ……….Calamani

* Gëzhoja e Vjetër (1980) ………Bake

* Radiostacioni (1979) ……Një nga tekniket e Radios

* Koncert në vitin 1936 (1978)… Toger Shazivari

* Zani partizani (1976) (TV)….Partizan-vëlla i Zanit

* Emblema e dikurshme (1976) ……..Veniamin Papa

Ora 15:53

Regjisori rrëfen kujtimet me Mirush Kabashin: E njoh që 5 vjeç, bëri me not Sazan-Vlorë e pastaj në mbrëmje doli në shfaqje

Regjisori Haxhi Rama ka rrëfyer disa nga kujtimet me aktorin e ndjerë, Mirush Kabashi, i cili ndërroi jetë sot. Ai tregon se e ka njohur qëkur ishte 5 vjeç, ndërsa kanë bashkëpunuar në 10 deri në 15 projekte në teatër.

‘Në mëngjes sapo ishte zgjuar hapa tv dhe mora vesh lajmin e kobshëm. Pas 5 min më ra telefoni dhe një nga ju më kërkoi një mendim, nuk isha në gjendje. Këto që flas tani do kërkoj ndjesë, por formulova këtë ide, Kabashi nderi i kombit sot për mua është dhimbja e kombit. Kjo dhimbje mund të jetë ngushëllimi më i mirë për familjarët dhe dashamirësit e tij. Ishte një mik i hershëm, Mirushin mund ta kem njohur kur ka qenë 5 vjeç. Ka qenë një koleg i shquar në punë. Një aktor me cilësi të jashtëzakonshme, me një ambicie profesionale, fenomenale, vullnet. Mirushi ishte aktori nga ata që e kupton kërkesën e regjisë, spektaklit, e realizonte në mënyrë perfekte. Humbja e Mirush Kabashit është humbje kombëtare.

Ka një tipare të jashtëzakonshëm që e njohin të gjithë qytetarët e Durrësit, dashuria për detin. E bukura që bënte Mirushi dhe Spiro Rumi ishte ta kalonin me not nga Teuta deri Iliria, me stil future që është shumë e vështirë. Ka bërë maratonën nga Sazani deri në Vlorë dhe më e bukura është se atë natë ne kishim llogaritur shfaqen dhe ai i hipi motorit të shokut të vet pasi kishte bërë 9 orë not dhe erdhi në mbrëmje në shfaqje’.- tha Haxhi Rama.

Ora 14:40

‘Kolos i artit’, Muharrem Hoxha dhe aktorët e Durrësit kujtojnë me dhimbje Mirush Kabashin: Ishte shkollë më vete

Ditën e sotme është ndarë nga jeta Nderi i Kombit, Mirush Kabashi. Të shumta kanë qenë mesazhet e ngushëllimit për humbjen e këtij aktori të mirënjohur të skenës dhe ekranit shqiptar.Ndërkohë që kolegët dhe bashkëpunëtorët e teatrit “Aleksandër Moisiu” kujtojnë bashkëpunimin shumëvjeçar me artistin Mirush Kabashi, duke e cilësuar humbjen e tij si humbje kombëtare.

“Po ikën plejada e aktorëve më të mirë. Mirushi kishte vendin e tij këtu. Njëherë kam punuar me Mirushin dhe ishte shkollë më vete. Qen i punës në kuptimin i përpiktë për atë që donte. Kam bërë një komedi me Mirushin, dy vëllezër e gjysmë. Kishte lezet kur e shihje, nur. Recitimet që ka bërë Mirushi, edhe në komedi edhe citime. Kolosi i artit”, tha Muharrem Hoxha.

“S’ka fjalë. Është e tepërt çdo fjalë. Rreth punës së tij, me atë që ai ka lënë trashëgimi sot. Dhimbje padiskutim. U rritëm bashkë në këtë teatër. E kam gjetur këtu, teatri është një familje, këtë ma besoni, nuk e them unë, e kanë thënë të tjerë para meje. Kemi nejtur më tepër me njëri-tjetrin sesa me ata të familjes”, tha Xhelal Tafaj.

Ora 13:39

Nesër homazhet për Mirush Kabashin në hollin e Muzeu Historik Kombetar

Do të mbahen nesër në Muzen Historik Kombëtar homazhet për nder të mjeshtrit të madh të skenës, aktorit Mirush Kabashi.Ministria e Kulturës duke shprehur ngushëllimet më të ndjera familjarëve dhe publikut që do t’ia ndjejë mungesën informon se homazhet do të mbahen ditën e mërkurë, datë 06.12. 2023, ora 10:00-13:00, në hollin e Muzeu Historik Kombetar

Po kështu dhe qendra Kombëtare e Kinematografisë i shpreh keqardhjen dhe ngushëllimet familjarëve dhe miqve të të ndjerit.

Ora 13:16

Shuhet Mirush Kabashi, Albin Kurti: Artist i madh i teatrit dhe kinemasë, ishte ‘Sokrati’ i vërtetë

1701769722_mirushkabashi.jpgKryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka reaguar për ndarjen nga jeta të aktorit të mirënjohur Mirush Kabashi. Në një postim në Facebook, Kurti shkruan se Kabashi ishte një aktor i madh i teatrit dhe i kinemasë.

Me pikëllim nisi kjo e martë, nga lajmi i mëngjesit të sotëm që në orët e hershme të këtij 5 dhjetori, ka vdekur Mirush Kabashi, aktori i madh shqiptar i teatrit dhe i kinemasë.  Mbi një qind role të luajtura në skena teatrore dhe në sheshxhirime filmash, gjatë një karriere më shumë se gjysmëshekullore të gjatë, tregojnë për aftësitë e larta profesionale të Mirush Kabashit si edhe për shpirtin e fuqishëm artistik të tij prej aktori.

Për brezat që e panë duke luajtur në skenë, Mirush Kabashi do të kujtohet gjatë për interpretimet e tij aq të fuqishme dhe mjeshtërore të poezisë shqipe. Pasi ta keni parë një herë Mirush Kabashin duke e interpretuar poezinë e Fan Nolit “Hymni i flamurit”, sa herë që t’i lexoni vargjet “O flamur gjak, o flamur shkabë…”, do t’iu rikthehet zëri i tij aq i fortë duke e recituar këtë poezi në shumë skena dhe evente.

Mirush Kabashi ishte “Sokrati” i vërtetë, te “Apologjia e vërtetë e Sokratit” e autorit grek Kostas Varnalis. Mirush Kabashi e solli aq të gjallë Sokratin, madje duke i përngjarë pamjeve të skulpturave antike greke për Sokratin me mjekrrën dhe flokët e shpupurisura si dhe duke i folur me zërin e tij fjalët e atij që foli aq shumë pa shkruar ndonjëherë asnjë fjalë, Sokratit!

I lindur më 17 prill 1948 në Shkodër por me origjinë nga Gjakova, ky shpirt artisti nga fisi i Kabashit, iu falë gjithë kulturës e popullit shqiptar nëpërmjet artit të tij dramatik.   Ngushëllime familjes Kabashi, kolegëve të tij të lojës dhe të skenës, mes nderimesh e kujtimesh për mjeshtrin e aktrimit, Mirush Kabashin”, shkruan Kurti.

‘I lumtur që e di çfarë thonë pas vdekjes time’, deklarata e ndjerë e Mirush Kabashit

1701761298_kabashi.jpgNë qershor të vitit 2021, në media qarkulloi një lajm se Mirush Kabashi kishte ndërruar jetë. Aktori i madh i skenës shqiptare gëzonte shëndet të plotë dhe deklaroi asokohe se lajmin e mori me sportivitet.

Kabashi aso kohe tha se nuk e dinte nëse lajmi që u shpërnda ishte i qëllimshëm, ose keqkuptim, por ishte i lumtur që mësoi se çfarë thonë njerëzit pas vdekjes së tij.

“Ishte keqkuptim i një titulli të një gazetari, pasqyroi më duket në televizion një ceremoni homazh për Pirro Manin, dhe poshtë saj vinte nën titulli, artisti Mirush Kabashi rrëfen amanetin e tij të fundit. Dhe kjo u mor për mua. Nga disa artdashës dhe fanse të miat u mor sikur Mirushi ka dhënë amanetin e tij të fundit. Domethënë nuk është më dhe u shkruajt në ‘Facebook’. Ky lajm mori dhenë këtu te ne dhe në Kosovë, Maqedoni. Një stacion televiziv e dha. Unë e mora me sportivitet, janë gjëra që ndodhin dhe duhet kaluar, por me thënë të drejtën nja dy mesazhe që më kanë ardhur, edhe më përpara një herë për t’u verifikuar nëse unë jam gjallë, por dhe më mbrapa për të më shprehur solidaritetin. Ishin të dhimbshme sepse thonin që kemi qarë shumë kur morëm lajmin, por kemi qarë shumë pastaj nga gëzimi, kështu e formulonte një poete nga Italia. Kemi qarë akoma edhe më tepër me lotë gëzimi, kur morëm vesh lajmin që nuk ka ndodhur. Janë gjëra që ndodhin, jemi në një fushë që jemi bërë njerëz publikë. Është një tërheqje veshi për gazetarët të cilët duhet ta rikonfirmojnë lajmin nga disa drejtime përpara se ta japin në ekranet e televizionit të cilët duhet të jenë sa më të sakta, nuk lejohen të tilla gabime, gjithsesi nga ana ime falen”, u shpreh Kabashi në qershor 2021.

Artisti i mbarë popullit shqiptar, Mirush Kabashi ndërruar jetë sot në moshën 75-vjeçare.

Ora 12:26

Shuhet Mirush Kabashi, artistët: Dil andej Mirush, se atje do t’vimë ne që të deshtëm

1701769722_mirushkabashi.jpgPër vdekjen e aktorit të mirënjohur Mirush Kabashit kanë reaguar në rrjete sociale artistë nga fusha të ndryshme si Çun Lajçi, Ilir Shaqiri, Lorik Cana, Xhemi Shehu, Vesa Luma.

“Lamtumirë artist! Tash e dy vite ta ndollën vdekjen këta t’gjallët e vdekun, dhe sot tu paska ba boll me ndjellje ligësishë, me art që s’ditën të ta konsumojnë, me jetën e rreme nga të rremit që ndjellin zi!

Dil andej Mirush, se atje do t’vimë ne që të deshtëm e do ta përfeksionojmë atë grimcë arti që s’arritëm ta ngrehim kurrë n’majen e duhun! Por …Dije, se nga sot e tutje për ty do t’thonë; – ai, po ai ishte i madh, gjeni ishte, yll arti i pashuar! Lamtumirë kolegu im, që viteve 98-ta u munduem t’ia zbusim dhimbjen Kosovës – ti me Kosovarin e Mitrushit unë me Plisin e Çunit”, shkruan Lajçi.

Balerini i njohur, Ilir Shaqiri e cilëson të ndjerin si aktorin e burimeve metafizike nga Gjakova, që dridhi skenat evropiane në 109 koncerte.

“Është këputur frymëmarrja e mushkërive të Sokratit, apologjia e vërtetë e tij; është ndarë nga jeta Mirush Kabashi “Nderi i Kombit”. Artisti i mbi 100 roleve në teatër dhe film. Aktori i burimeve metafizike nga Gjakova, që dridhi skenat evropiane në 109 koncerte “Homazh për Kosovën, 1998”, duke frymëzuar rininë shqiptare që të rreshtohet në formacionet e ushtrisë së lavdishme çlirimtare – UÇK, për lirinë e atdheut. Qoftë kujtimi për ty ashtu siç arti yt – i përjetshëm! Lamtumirë, MJESHTËR!”, shkruan Ilir Shaqiri.

SI.E./Shqiptarja.com

Ora 10:59

Veliaj ngushëllime për ndarjen nga jeta të Mirush Kabashit: Aktor i madh i skenës, interpretues i rrallë i poezisë

1672598102_mirushkafashi.jpgKryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj shpreh ngushëllimet për ndarjen e parakohshme nga jeta të aktorit Mirush Kabashi. Në një postim në rrjete sociale Veliaj shkruan: “I trishtë lajmi për ndarjen nga jeta të aktorit të madh të skenës, interpretuesit të rrallë të poezisë, të artistit Mirush Kabashi. LAMTUMIRË i madhi Mirush!”

Ora 10:47

Shuhet Mirush Kabashi, Meta: Pikëllim i madh, ikona më e dashur e skenës dhe ekranit shqiptar

Kreu i Partisë së Lirisë, Ilir Meta ka reaguar për ndarjen nga jeta të Mirush Kabashit. Meta shkruan se ai ishte një prej ikonave më të dashura të skenës dhe ekranit shqiptar.

“Pikëllim të madh për largimin në amshim të “Nderit të Kombit”, Mirush Kabashi, një prej ikonave më të dashura të skenës dhe ekranit shqiptar. Interpretimet emocionuese të këtij artisti të jashtëzakonshëm, personazhet që jetësoi në film e teatër, si dhe trashëgimia e vyer artistike që fituan zemrat dhe merituan duartrokitjet e ngrohta të artdashësve do të nderohen dhe kujtohen gjithmonë me respekt! Ngushëllimet më të ndjera për familjen”, shkruan Meta.

Ora 10:11

Kompozitori i njohur reagon për ndarjen nga jeta të Mirush Kabashit: Mik i mrekullueshëm, na idhnove jo pak! Lamtumirë Eskili shqiptar!

Për ndarjen nga jeta të “Mjeshtrit të Madh”, Mirush Kabashi ka reaguar edhe kompozitori i njohur Shpëtim Saraçi. Në një postim të bërë në rrjetin e tij social, Saraçi e konsideron Mirush Kabashin si “Eskilin” shqiptar, një prej dramaturgëve më të mëdhenj.

“Mik i mrekullueshëm e padiskutim i madh, na idhnove jo pak. I lehtë të qoftë dheu. I madhi Zot i forcoftë familjarët e tu për ta përballuar dhimbjen. Të gjithëve do na mungosh në të gjitha kuptimet por edhe do të kemi gjithmonë në memorie për gjithçka na fale. Lamtumirë Eskili i paharruar shqiptar. R.I.P i madhi Mirush Kabashi”- shkruan Saraçi në reagimin e bërë.

 

Ora 09:38

Ndarja nga jeta e Mirush Kabashit, Basha: Do të mbetet i paharruar si trashëgimi artistike e lënë ndër breza

1701761252_mirushkabashi.jpgKryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha ka reaguar për ndarjen nga jeta të aktorit të mirënjohur, Mirush Kabashi. Nëpërmjet një reagimi në rrjetin e tij social, Basha shkruan se Kabashi do të mbetet i paharruar si një trashëgimi artistike e lënë ndër breza.

“I hidhëruar nga lajmi i përcjellë nga familja Kabashi për largimin nga jeta i një prej yjeve më të shndritshëm të artit tonë, Mirushit. Një ikonë që me pasion, talent dhe dashuri për artin dhuroi emocione përmes qindra roleve në teatër dhe në kinematografinë shqiptare. Virtuozizmi i tij do të mbetet i paharruar, si një trashëgimi artistike e lënë ndër breza. Ngushëllimet e mia më të ndjera. Lutjet e mendimet e mia janë me familjen Kabashi, të afërmit, miqtë, kolegët dhe dashamirësit e shumtë të mjeshtrit të madh”- shkruan Basha.

Ora 09:33

Shuhet Mirush Kabashi, Nikolla: Artist i Madh, u dha jetë veprave të mëdha artistike

1701761570_finalprojekt.00014023.Still089.jpgKryetarja e Kuvendit, Lindita Nikolla ka reaguar për ndarjen nga jeta të aktorit të mirënjohur Mirush Kabashi. Nikolla shkruan se Kabashi ishte një artist i madh që i dha jetë veprave të mëdha artistike, nga vendi dhe arti botëror.

“Artisti i Merituar Mirush Kabashi u nda sot nga jeta. Por shqiptarët do ta kujtojnë për veprën dhe trashëgiminë e tij. Mirushi ishte një artist i madh. Me krijimtarinë e tij u dha jete veprave të mëdha artistike, nga vendi dhe arti botëror. Metalentin e tij, me mbi njëqind personazhet që krijoi në skenë dhe në ekran, Mirush Kabashi na bëri të mendojmë, të reflektojmë, shpesh edhe të qeshim, për problemet e mëdha të shoqërisë. U prehsh në paqe, Mjeshtri ynë i madh dhe i paharruar!”, shkruan Nikolla.

Ora 09:06

Shuhet Mirush Kabashi, Rama: Lamtumirë! Begaj: ‘Nder i Kombit’, ngriti peshë sallat kudo performoi

1701761271_mirushkabashi.jpgKryeministri Edi Rama dhe Presidenti Bajram Begaj kanë shprehur ngushëllimet për ndarjen nga jeta të artistit të mirënjohur, Mirush Kabashit. Begaj shkruan Kabushi ngriti peshë sallat kudo performoi.

“Lamtumirë Artistit që mbajti gjallë brenda nesh dashurinë për artin dhe ngriti peshë sallat kudo performoi! Lamtumirë “Nder i Kombit”, Mirush Kabashi”, shkruan Begaj.

“Lamtumirë Mirush”, shkruan Rama.

K O M E N T E

SHKRUAJ NJË KOMENT

Ju lutem, shkruaj komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaj emrin tuaj këtu