Eshref Ymeri
(Steka e lartë e servilizmit të dr. Bledar Kurtit ndaj Kadaresë)
Në gazetën “ExLibris” të datës 27 janar 2024, lexova artikullin e dr. Bledar Kurtit, me titull “Kadareja është plotësia e trinisë kombëtare”.
Artikulli hapet me deklaratën befasuese në vijim:
“Pa Ismail Kadarenë, letrat ndërshekullore shqipe do të ishin thjesht një holokaust mendimi dhe një abort intelektual”.
Pra, sipas “mendjebardhit” dr. Bledar Kurti, sikur të mos kishte lindur Kadareja në tokën shqiptare, ne nuk do të kishim letërsi artistike për së mbari. Sikur deklarata e mësipërme të ishte e mundur të përcillej deri në botën e përtejme dhe të arrinte deri në veshin shkrimtarëve dhe poetëve, duke filluar që nga Naim Frashëri, me siguri që ata do të rrotulloheshin në vendprehjet e tyre të përjetshme dhe do të pyesnin me habi:
“Ç’po na dëgjojnë veshët? Apo jemi në ëndërr?”.
Më poshtë, autori i artikullit vazhdon:
“Askush tjetër nuk e ka patur e nuk e ka një pushtet të tillë. Askush tjetër nuk ka frymëzuar kaq shumë njerëz të lexojnë apo të shkruajnë, apo të dashurohen me letërsinë. Forca e Kadaresë është fjala… Të tjerët, ata që janë larg fjalës, lindin e ngordhin në shurdhi e shkretinë. Ndaj edhe thuhet: Në fillim ishte Fjala…”.
Autori kësisoj i ka veshur Kadaresë petkun e kryeshkrimtarit hyjnor, pa të cilin zor ta mendoje se do të kishim letërsi shqipe, sepse vetëm ai na qenka kryeskalitësi i Fjalës! Të tjerët autori i fyen rëndë, i poshtëron me fjalët “lindin e ngordhin në shurdhi e shkretinë”. Me shprehjen “Në fillim ishte Fjala”, ai ka hyrë në sinoret e fesë. Kjo shprehje me prejardhje biblike, e cila përdoret edhe në variantin “E para ishte fjala”, e bën lexuesin të bjerë në përsiatje. Gjuha është jo vetëm mjet komunikimi, por edhe mjet i të menduarit dhe instrument i njohjes, pasqyrim i tablosë së botës që na rrethon. Tabloja gjuhësore e botës është në njëfarë mënyre kundrim i botës përmes prizmit të gjuhës. Në këtë mes kemi të bëjmë me një sistem shoqërisht të kuptimshëm të shenjave gjuhësore që përmban informacion për botën reale, kemi të bëjmë me pasqyrimin e realitetit me mjetet e gjuhës. Realiteti pasqyrohet në vetëdijen tonë përmes nocioneve, të cilat shprehen me fjalë. Kështu vjen e krijohet një lidhje treshe: realiteti – nocioni – fjala. Në këtë lidhje, parësor është realiteti, kurse nocioni dhe fjala janë dytësorë. Pra, fjala paraqitet si një barasvlerës gjuhësor i nocionit përkatës dhe lind së bashku me nocionin. Si një tregues i kushtëzuar i nocionit (si simbol, si shenjë e nocionit), fjala na nxit përfytyrimin për sendin, për shenjën, për veprimin, për dukurinë. Pra, i pari është realiteti, bota që kundrojmë rreth e qark dhe pastaj vjen fjala.
Ja dhe një tjetër xhevahir, të cilin mund ta nxjerrë nga pena vetëm një servil i Kadaresë i kalibrit të lartë:
“Në periudhën e errët të regjimit komunist, nën dekadat e mortit të shpresës, një penë dhe një dorë e thjeshtë frymëzoi shqiptarët të bëhen shkrimtarë e mendimtarë”.
Domethënë, vetëm falë Kadaresë paskan dalë në skenë shkrimtarë dhe mendimtarë në periudhën e diktaturës komuniste. Në shqipen tonë hyjnore përdoren shprehjet frazeologjike “çdo gjë me karar” ose “s’di ç’është karari”. E, pra, me sa duket, dr. Bledar Kurti, me servilizmin e skajshëm që ka manifestuar ndaj Kadaresë, nuk e paska ndjenjën e masës. Dhe ndjenjën e masës, zakonisht, nuk e kanë ata që vuajnë nga pasionet e pakontrolluara.
Në doktrinën filozofike të periudhës së lashtë greko-romake, të quajtur stoicizëm, të krijuar rreth vitit 300 p.e.r., pasioni karakterizohej si një ndjenjë që mbizotëronte mbi të gjitha ndjenjat e tjera të njeriut. Sipas filozofit të lashtë grek Zenon Elei (490-430 p.e.r.), pasioni është impuls i pakontrolluar dhe i tepruar i shpirtit. Kurse Ciceroni (106-43 p.e.r.) theksonte se të gjitha pasionet janë sëmundje, viktimat e tyre, sipas tij, vuajnë nga çrregullime mendore. Për Platonin (428-348 p.e.r.), pasioni është një dukuri negative, por e pashmangshme. Në këndvështrimin e Aristotelit (384-322 p.e.r.), pasionet përfshijnë në vetvete jo vetëm epshin dhe zemëratën, por edhe miqësinë, burrërinë dhe gëzimin, domethënë ato nuk janë as të mira, as të këqija, pra, ato janë neutrale dhe duhen përdorur me masë dhe në mënyrë të arsyeshme.
Në vazhdën e arsyetimeve të veta serviliste, autori shkruan:
“Pjesa më e madhe e artistëve të atyre viteve ishin konformistë, sado të vegjël apo të mëdhenj, fanatikë të kuq apo oportunistë privilegjesh. Sot ne e dimë, por edhe vetë ata e kuptojnë, që nuk ishin tjetër veçse peshq të ngordhur”.
Siç shihet, dr. Bledar Kurti, i kapluar keq nga pasioni i një servilizmi të ndërkryer ndaj Kadaresë, domosdo që do të jetë edhe i zhveshur tërësisht nga etika intelektuale, prandaj edhe fyen, ofendon dhe madje poshtëron pjesën më të madhe të krijuesve të atyre viteve, duke përdorur shprehje të pahijshme, për të mos thënë të turpshme. Sipas tij, vetëm ata krijues na paskan qenë “fanatikë të kuq apo oportunistë privilegjesh”, kurse Kadarea jo!!! Ç’është ajo fjalë! Por diçka është interesante. Si është e mundur që Kadaresë nuk i qe zënë fryma nga era e qelbur e “peshqve të ngordhur” të dr. Bledar Kurtit? Përgjigjja është e thjeshtë: kishte menduar partia dhe kryediktatori, të cilët i kishin hapur një portë drejt Perëndimit, ku shkonte të merrte ajër të pastër sa herë të donte.
Më poshtë në artikull lexojmë:
“Kadareja shkruante në disa nivele të perceptimit letrar, prej të cilave disa kuptoheshin nga regjimi e disa të tjera jo. Shumë shkrime ishin të shigjetuara ndaj vetë diktaturës, me një ton prej disidenti kolosal, si te vepra Dimri i Vetmisë së Madhe, e cila fliste pikërisht për diktatorin famëkeq, E. Hoxha”.
Më në fund, dr. Bledar Kurti del atje ku kanë synuar dhe vazhdojnë të synojnë të gjithë servilë-kadareistët – për të dalë tek e ashtuquajtura disidencë e Kadaresë ndaj diktaturës komuniste në vendin tonë, pra, për ta pajisur me pasaportën e disidentit dhe për t’ia prezantuar botës si kundërshtarë të rreptë të asaj diktature. Por është puna se ato veprat e Kadaresë me metafora kundër diktaturës komuniste, në radhët e së cilës, sipas dr. Bledar Kurtit, paska pasur edhe budallenj që nuk e kuptonin nëntekstin e tyre, nuk i prishnin shumë punë kryediktatorit. Sepse Kadarea kishte botuar dhe vazhdonte të botonte edhe poezi dhe shkrime të tjera, në të cilat servilizmi i tij ndaj kryediktatorit kishte një gravitacion shumë më të fuqishëm në mbështetje të diktaturës komuniste.
Me mungesën e përgjegjësisë minimale, dr. Bledar Kurti shkruan se vepra “Dimri i Vetmisë së Madhe fliste pikërisht për diktatorin famëkeq, E. Hoxha”. Si servil i regjur i Kadaresë, ai shtrembëron të vërtetën historike. Asokohe, kur u botua ajo vepër, një grup punëtorësh nga Kombinati metalurgjik në Elbasan, i patën dërguar një letër kryediktatorit, në të cilën patën shprehur disa vërejtje për veprën në fjalë. Vallë të mos ketë dijeni dr. Bledar Kurti për reagimin e kryediktatorit ndaj asaj letre? Ja reagimi i tij:
“Pse merreni me cingërima. E rëndësishme është që ai e ka trajtuar mirë luftën e partisë sonë ndaj revizionizmit… Këto janë vogëlsira në letërsi, e rëndësishme është që Kadare e nxjerr mirë rolin e Partisë”. (Citohet sipas deklaratës së Agim Meros, në intervistën dhënë Leonard Veizit, me titull “Vizita te Kadare, Nexhmija doli pa dorëshkrimin e romanit”. Faqja e internetit e gazetës “Shekulli”. 29 shtator 2012).
Për romanin “Dimri i Madh” vetë Kadareja ka pasë shkruar dikur:
“Siç është lehtë të konstatohet, skena nga më të rëndësishme të romanit, dialogë dhe situata nga më dramatiket, janë bazuar në materialet e vëllimit të 19 të veprave të shokut Enver” (Citohet sipas: Ismail Kadare. Vepra letrare, vëllimi 12, f. 329).
Është me të vërtet e çuditshme se si ka mundësi që dr. Bledar Kurtit nuk i ka bërë absolutisht pështypje servilizmi shembullor i Kadaresë ndaj kryediktatorit? Ndoshta kjo shpjegohet me arsyen se servilizmi ndaj Kadaresë është rrënjosur kaq thellë në vetëdijen e tij, saqë mund t’i ketë cenuar edhe psikikën sadopak. Vallë të mos jetë në dijeni ai për korpusin poetik që Kadarea i pati kushtuar kryediktatorit, një korpus ky, të cilin arkitekti, poeti dhe përkthyesi i talentuar Petraq Kolevica e ka analizuar fare mirë në përmbledhjen kritike me titull “Autobiografia e Kadaresë në vargje”, që e pati nxjerrë nga shtypi Shtëpia Botuese “Marin Barleti”. Tiranë, 2002? Në atë libër dëshmohet në mënyrën më të shkëlqyer se deri në ç’nivele të larta kishte arritur filozofia e servilizmit të neveritshëm të Kadaresë ndaj diktatorit.
Petraq Kolevica shkruan:
“Kështu, në librin “Kohë barbare”, f. 17, bashkëbiseduesi Denis Fernandez-Recetala, që duket sikur kërkon ta ngacmojë pak Kadarenë, thotë: “Disa shkrimtarë e kanë mbështetur regjimin…”, dhe Kadarea përgjigjet:
“Nuk e mohoj. Ata kanë përhapur slloganet e Partisë. Ata u sollën, pa diskutim, si qen roje të regjimit. Por askush nuk i detyroi ta bënin këtë” (Citohet sipas: Petraq Kolevica. “Autobiografia e Ismail Kadaresë në vargje”. Shtëpia Botuese “Marin Barleti”, Tiranë 2002, f. 59).
Me fjalët e pakontrolluara që lëshonte përmes kësaj deklarate, Kadarea i fyente rëndë dhe pa të drejtë kolegët e vet shkrimtarë, duke anashkaluar servilizmin e vet shembullor ndaj kryediktatorit. Aq më tepër kur ai, siç del nga libri i Petraq Kolevicës, ka qenë vetë “qen roje” i regjimit komunist.
Asokohe, një intelektual shkodran shkruante:
“Nuk është e rastit që një libër i tillë, u nda vetëm në disa kopje dorazi dhe u zhduk nga shtypshkronjat apo libraritë”. (Citohet sipas: Blerti Delia. “Kadare ose shembja e idhujve”. Shkodër, 2004. Faqja e internetit “Agjencioni Floripress”. 11 qershor 2009).
Domosdo që s’mund të ndodhte ndryshe, sepse servilët e Kadaresë, të cilët, ashtu si fara e gramit dhe e egjrës që u zë frymën kulturave bujqësore, nuk ndenjën të qetë para botimit të asaj përmbledhjeje. Kjo për arsye se, sipas psikologjisë së tyre prej kurrizshtruarish para Kadaresë, u duhej zënë fryma të vërtetave që Petraq Kolevica shpaloste për servilizmin e pështirë të Kadaresë ndaj kryediktatorit.
Dr. Bledar Kurti e ka lexuar poezinë e Kadaresë, me titull “Në mesditë Byroja politike u mblodh”. Në këtë poezi Kadare shpërthen kundër pashallarëve të kuq:
Enver Hoxha, syri i tij i mprehtë
Ishte i pari që dyshoi për ta.
Dhe ahere në themele të shtetit
Zbriti si në baladat e mëdha.
Një pishtar të kuq mbante në dorë.
Dheu dridhej
Flaka mbi ta ra.
Vallë nuk e kuptuaka dr. Bledar Kurti që në këtë poezi del në pah servilizmi i Kadaresë, një servilizëm ky i përmasave skandaloze ndaj kryediktatorit, çka bëri që edhe vetë kryediktatorit t’i ngjallej neveri kur e lexoi? Prandaj edhe reagoi ndaj thelbit të asaj poezie:
“Të gjithë këta përbindësha të veshur “si pashallarë të kuq me dekorata etj.” kanë zyrat, ministritë, Komitetin Qendror dhe “çojnë trupin e revolucionit në varr”. Por “doli Enver Hoxha” etj. etj., dhe poeti “Jevtushenko shqiptar” i thur elozhe Enverit si “i vetmi shpëtimtar”. Për Ismail Kadarenë nuk ekziston as popull, as klasë, as parti. Të gjithë janë krimbur, vetëm “Enver Hoxha qëndron dhe shpartallon armiqtë”… I thashë Ramizit se do të bisedoj prapë me të, por përgatitu dhe thirr Ismail Kadarenë, e vëre përpara “mutrave” të tij dhe bëje t’i lëpijë” (Citohet sipas: “Ditari i Enver Hoxhës: Si u analizua poezia e Kadaresë”. Faqja e internetit “Observatori i kujtesës”. 24 gusht 2017).
Profesor Anton Nikë Berisha (1946) ja si e ka vlerësuar poezinë në fjalë të Kadaresë:
“Vjershën e tij “Pashallarët e kuq” në qenësi Kadare ia kushtoi udhëheqësit ideologjik, Enver Hoxhës. Mirëpo, duke dashur t’ia ndreqte në mënyrë të tepruar vetullat, ia kishte prekur sytë: diktatorit nuk i kishte pëlqyer theksimi i tepruar i “fuqisë” së tij për të zgjidhur konfliktin me “pashallarët e kuq”, bashkëpunëtorë të tij politikë, që nuk i shkonin si duhet në linjën e përcaktuar ideologjike të pakurrizorëve. Dhe qëllimi i vjershës së pabotuar të Kadaresë për “pashallarët e kuq”, kishte “rrëshqitur” për shkak të lavdërimit të tepruar! Edhe lexuesi më i zakonshëm, që e lexon këtë krijim të Ismailit, nuk e ka të vështirë të përcaktojë qenësinë e mesazhit të Kadaresë (po jo dhe të mesazhit poetik; në të s’ka mesazh poetik; gjithë poezia është një deklaratë e menduar për të stërlavdëruar diktatorin Hoxha). Vallë, e kishte detyruar dikush Ismailin që ta shkruante ketë poezi patetike, që e hymnizonte diktatorin, apo ai me vullnetin e vet e kishte shkruar dhe e kishte dërguar ta botonte në një organ letrar, të mbikëqyrur rreptësisht nga regjimi, në “Drita” – për të dëshmuar devotshmërinë përballë udhëheqësit komunist?” (Citohet sipas: Anton Nikë Berisha. Sa Ismail Kadare ka brenda Ismail Kadaresë?!”. Faqja e internetit “Syri”. 29 korrik 2019).
Shkrimtari, gazetari dhe publicisti anglez Xhorxh Oruelli (George Orwell – 1903-1950), në veprën e vet me titull “1984” (Nineteen Eighty-Four), të botuar në vitin 1949, një roman ky antiutopi (pasqyrim i një rendi shoqëror ose i një bashkësie, që i përfytyrohet shkrimtarit ose kritikut si diçka e padëshirueshme, neveritëse ose frikësuese), shkruan:
“Çdo shkrimtar që radhitet nën flamujt partiakë, herët ose vonë do të gjendet para alternativës: ose të pranojë nënshtrimin, ose të pranojë heshtjen”.
Jemi të bindur që askush nuk ka pasë dëshiruar që Kadarea t’i kundërvihej kryediktatorit, se do të pësonte fatin e të gjithë atyre që u internuan, u burgosën ose u pushkatuan. Por heshtja atij nuk i pëlqente. Prandaj zgjodhi alternativën e nënshtrimit. Megjithatë, ai nuk duhej t’i kishte lejuar vetes të ngjitej deri në nivele aq të larta servilizmi ndaj kryediktatorit.
Fatkeqësisht, Kadarea, në përputhje të plotë me falsifikimet që politika zyrtare u ka pasë bërë fakteve historike lidhur me “rolin” e Enver Hoxhës, si “themelues” i partisë komuniste, në njërë nga veprat e tij poetike haset vargu “shoku Enver Hoxha nënshkroi stuhinë”. Është fjala për mbledhjen themeluese më 08 nëntor 1941. Pra, falë servilizmit të tij të papërmbajtur ndaj kryediktatorit, Kadarea shtrembëron të vërtetën historike. Në atë mbledhje Enver Hoxha ishte vrima e fundit e kavallit, një figurant hesapi. Historiani i njohur Kastriot Dervishi, mbi bazën e dokumenteve arkivore, shkruan:
“Miladin Popoviçi dhe Dushan Mugosha do të bëheshin themeluesit e PKSH-së më 8 nëntor 1941. Ata do ta bënin këtë parti një bishtuk terrorist serb, të gatshëm për çfarëdolloj krimi që do të kishin nevojë. Qëllimi i tyre kryesor mbeti lufta civile dhe sjellja në pushtet e një klase që do t’u shërbente vërbërisht interesave të Jugosllavisë. Për këtë qëllim ata panë te Enver Hoxha personin e duhur që mund të realizonte planet e tyre” (Citohet sipas: Kastriot Dervishi. “Flagranca e marrëdhënieve shqiptaro-jugosllave 1944-1948”. Faqja e internetit “Forumi shqiptar”. 22 gusht 2010).
Servilizmi i shfrenuar i dr. Bledar Kurtit ka bërë që ai të mos e vërë re qëllimisht rreshtimin e Kadaresë në krah të Enver Hoxhës në zhvillimin e luftës së klasave. Sepse dihet shumë mirë që Kadarea ka mbajtur qëndrim fyes, deri në përbuzje, ndaj të persekutuarve politikë dhe, përgjithësisht, ndaj klasës së përmbysur. Qëndrimi i Kadaresë ndaj tyre ka qenë në harmoni të plotë me qëndrimin e kryediktatorit në kuadrin e fushatave të luftës së klasave. Ky qëndrim del më së miri në pah në korpusin e tij poetik në shërbim të kryediktatorit, sidomos te poezia “Në mesditë Byroja politike u mblodh”. Aty Kadarea shkruan:
Qielli është me re dhe dimri sjell dëborë.
Mos levizën klasat e përmbysura,..
Ja kështu, atje në gjunjë të ulur
Lajnë e shplajnë gjakun pa pushim
Po ç’patën papritur
Pse u ndalën
Tek nje yrt i shkretë, tek një djerrinë.
Këtu janë varrosur të përmbysurit:
Pashallarë, bejlerë, familjet e mëdha.
Po ashtu, në poezinë“Terrori i bardhë” lexojmë:
Njerëzit, pavarësisht nga klasat, buzëqeshin,
Dhe duke buzëqeshur, unë shpesh ju kam parë.
Por veç kur kam shkruar diçka që veçanërisht ju ka prekur,
Mes smaltit të dhëmbëve tuaj ka ndritur terrori i bardhë”. Vepra letrare, Shtëpia botuese “Naim Frashëri”, Tiranë 1981, Vëll. 1, f. 331).
Në furinë e urrejtjes kundër të përndjekurve politikë, Kadarea ka shpikur edhe shprehjen “terror i bardhë”, një dukuri kjo krejtësisht e padëgjuar në realitetet shqiptare. Terrori i bardhë ka pasë qenë një dukuri karakteristike në Rusi pas Revolucionit të tetorit. Me këtë shprehje nënkuptohej tërësia e formave të një politike të forcave antibolshevike në kohën e luftë civile mes viteve 1917-1922.
Kadarea i ka dalë krah kryediktatorit edhe në rastet kur ky ka sulmuar dhe denigruar figura të shquara të kombit shqiptar, si Gjergj Fishta, mbrojtësi i vendosur i dinjitetit dhe i identitetit të kombit shqiptar nga shovinizmi serbomadh. Në një fjalim që ka mbajtur rreth tre vjet pas nëntorit të vitit 1944, Enver Hoxha pati deklaruar:
“…Dashuria e popujve të Jugosllavisë e mareshalit Tito dhe e gjithë udhëheqësve të Jugosllavisë për popullin shqiptar është shumë e madhe. Ne kemi fatin e madh e të lumtur që kemi në kufirin tonë të veriut një aleate e nje mike kaq të fortë, kaq të sinqertë siç është Jugosllavia… Këtë miqësi nuk mund ta errësonte shërbëtori i imperializmit dhe i fashizmit italian, shovinisti At Gjergj Fishta…” (Citohet sipas: “Enver Hoxha për miqësinë me sllavët, sulmon Fishtën. Pse u masakrua Gjergj Fishta. Pjesë të fjalës së Enver Hoxhës para një grupi të rinjsh që morën pjesë në Pleniumin e IV të rinisë popullore. Gazeta “Bashkimi”. 22 gusht 1947).
Këtë vijë arsyetimi të kryediktatorit ka ndjekur edhe Kadarea kundër Gjergj Fishtës, duke shpifur egërsisht kundër tij. Ai ka deklaruar:
“Duke zbatuar tezën e shokut Enver në terrenin e letërsisë dhe të arteve, nuk është vështirë të dallojmë në kohën tonë aleancën e shenjtë të konservatorizmit më të tërbuar me modernizmin më të shthurur. Le të kujtojmë disa fakte nga historia e letërsisë sonë. Cili ka qënë konservatori më i madh i letrave shqipe dhe jo vetëm i letrave, por i gjithë kulturës sonë? Përgjigjja është e qartë për të gjithë: ky konservator ka qënë Gjergj Fishta. Fanatik i tërbuar, idealizues i çdo gjëje patriarkale, apologjet i fesë, i institucioneve mesjetare, hymnizues i primitivizmit, armik i egër i çdo përparimi – ky është portreti i këtij letrari prift” (Citohet sipas: Ismail Kadare. “Realizmi socialist – arti i madh i revolucionit”. Gazeta “Zëri i Popullit”. 13 janar 1974, f. 3).
Dihet që kryediktatori e mbante gjithmonë të zhveshur pallën kundër imperializmit amerikan. Prandaj edhe Kadarea, si kryeservil i tij, s’mund të vepronte ndryshe. Në vitin 1971, në Nju Jork u zhvillua një kongres i rinisë botërore, ku mori pjesë edhe një delegacion i rinisë shqiptare. Në radhët e delegatëve të rinisë shqiptare ishte edhe Kadarea. Kur u kthye nga Nju Jorku, Kadarea botoi një ese të gjatë në tribunën e mashtrimit “Zëri i popullit”, në të cilën deklaronte:
“…Pas pasurisë borgjezia kërkon pushtet dhe pas pushtetit kërkon lavdi. Një shekull më parë Marksi e ka parashikuar edhe këtë… Shoqëria e sëmurë amerikane e tregon veten e saj sidomos natën… Broduej është një lloj ekspozite e Nju Jorkut. Këtu luksi dhe mizerja, bukuria dhe turpi, brutaliteti dhe protesta, mençuria dhe degjenerimi, të ndriçuara në mënyrë të ethshme, rrinë pranë e pranë… Kur bie nata, Broduej shfaqet lakuriq me gjithë vulgaritetin e vet, i babëzitur, i paturpshëm… Në Broduej, në sfondin e shkëlqimit të çmendur, mjerimi dhe degjenerimi shfaqen lakuriq… SHBA janë bërë vendi klasik i shantazheve dhe vrasjeve politike. Përgatitja e atentateve ka arritur këtu përfeksionimin më të lartë… Statuja e lirisë është monumenti që borgjezia i ka ngritur lirisë së saj, lirisë për të sunduar… Ka disa muaj që në ekranet mund të shikosh gjëra më të shthurura që mund të sajojë imagjinata më e sëmurë e maniakëve seksualë… Ky mit është një nga shfaqjet e shkallëzimit të degjenerimit të shoqërisë së sëmurë amerikane… Asnjëherë dhe asgjëkundi nuk mund të jetë poshtëruar femra në këtë mënyrë… Rinia amerikane është në kërkim të vazhdueshëm. Ajo kërkon rrugët e protestës. Dyqanet e letërsisë politike janë të mbushura ditë e natë me të rinj… Ata kërkojnë librat e Leninit, Marksit, Stalinit… Çe Guevarës. Po sidoqoftë, autori që kërkonin mbi të gjithë është Lenini!” (Citohet sipas: Ismail Kadare. “Një botë në rënie”. Vepra letrare. Shtëpia botuese “Naim Frashëri”. Vëll. 12, f. 271-294).
Kadarea ka harruar ta theksojë se ka qenë “mëkat i madh” që “veprat” e kryediktatorit Enver Hoxha asokohe nuk figuronin ende të përkthyera dhe të ekspozuara nëpër libraritë e letërsisë politike në Nju Jork, se të rinjtë amerikanë “do të bënin njërën për t’i blerë”.
Në dallim të theksuar nga skenat sa të frikshme, aq edhe neveritëse, që pati shpikur nga mendja Kadarea, në kujtimet e një diplomati të njohur të karrierës, Nju Jorku, përmes simbolit të tij “Broduei”, shfaqet para lexuesve ashtu siç është në të vërtetë, i bukur, krenar dhe madhështor. Ja çfarë shkruan diplomati i nderuar:
“… Natën “Broduei” është fantastik me ato dritat e shumta dhe reklamat marramendëse. Bukurinë ia shton edhe kalimi me kuaj shtatlartë i punonjësve të shërbimit të policisë që duhet të mbajnë rendin. Megjithatë, deri më sot, edhe pse dalim më këmbë aty, asnjëherë nuk kemi patur as më të voglin problem. “Radio Siti Holl”, ku zhvillohen shfaqje madhështore, duket nga larg me dritat e tij shumëngjyrëshe. Më ka bërë përshtypje edhe një shfaqje e komikut britanik Atkinson, i cili për dy orë na bëri për të qeshur në atë teatrin në Broduej” (Citohet sipas: Alfred Papuçiu. “Ditari i një jete në diasporë (III)”. Faqja e internetit “Zemra Shqiptare”. 13 qershor 2009).
Servilizmi i shfrenuar që dr. Bledar Kurti ushqen ndaj Kadaresë, ia ka errësuar vetëdijen deri në atë shkallë, saqë nuk është në gjendje ta kuptojë që Kadareja ka qenë i përkëdheluri i diktaturës komuniste dhe i vetë kryediktatorit. Faktet flasin vetë. Kadarea ka shkruar:
“Kam patur dhe kam besim të plotë te Partia, pa të cilën unë s’do të isha shkrimtar. Është Partia, është kuptimi i gjerë e i thellë i çështjeve të letërsisë prej udhëheqësit të saj, faktori kryesor, në saje të së cilit kam krijuar çdo gjë me vlerë dhe të cilit i detyrohem për gjithçka. Jam krejtësisht i ndërgjegjshëm se pa këto unë nuk mund të isha veçse një krijues mediokër. Ndaj mirënjohja ime mbetet përherë e pandryshueshme”.
Me respket
Ismail Kadare
Tiranë ,15 qershor 1982.
(Citohet sipas: Kadare, Nexhmijes: Jam komunist, pa partinë do të isha mediokër”. Faqja e internetit “KOHAnet”, 24 shtator 2012).
Servilizmi i Kadaresë ka pasë qenë kaq i papërmbajtur, saqë inercia e tij u vu re edhe pas vdekjes së kryediktatorit. Pikërisht dy javë pas vdekjes së tij, gazeta franceze “Le Monde” e datës 26 prill 1985, në rubrikën e letrave që i kishin dërguar gazetës, pati botuar edhe letrën e Ismail Kadaresë, në të cilën ky qe shprehur plot indinjatë dhe protestë, sepse gazeta kishte botuar shkrime kundër kryediktatorit me rastin e largimit të tij për në botën e përtejme? Vallë a nuk ishte i vetëdijshëm Kadarea që populli shqiptar, për arsye të politikës tmerrësisht varfëruese që kishte ndjekur kryediktatori, kishte arritur në zgrip të degjenerimit gjenetik për shkak të mungesës së ushqimit? A nuk e kuptonte vallë Kadarea se kishte ardhur koha ta kthente pllakën pas largimit të kryediktatorit për në botën e amshuar dhe të hiqte dorë nga servilizmi ndaj fantazmës së tij? Apo servilizmi i duhej për të pasur edhe mbështetjen e fuqishme të Nexhmijes, si bashkëpunëtore e ngushtë në krimet e kryediktatorit? Letra e plotë e Kadaresë, dërguar gazetës “Le Monde” është botuar në faqen e internetit “Shkodra online” të datës 12 shtator 2007 dhe mban titullin “Kush është në të vërtetë shkrimtari Ismail Kadare”.
Faktin që Kadarea ka pasë qenë i përkëdheluri i diktaturës dhe i kryediktatorit, e vërteton edhe eseja e tij me titull “Një pasdite me shokun Enver Hoxha”, në të cilën shkruan:
“Tani që udhëheqësi ynë nuk është midis nesh, kujtimet për të marrin një përmasë e vlerë të veçantë. Ato janë pjesë e veprës së tij monumentale…” (Citohet sipas faqes së internetit “Radio Kosova e Lirë”. 17 shtator 2012).
Pra, Kadarea, ende nuk hiqte dorë nga servilizmi “veteran” ndaj kryediktatorit, duke e vlerësuar si “monumentale” veprën e tij, e cila dihej që do të përfundonte në koshin e mbeturinave, siç edhe përfundoi faktikisht.
Për dijeninë e dr. Bledar Kurtit, të marrosur kaq keq pas servilizmit të pështirë ndaj Kadaresë, vulën e të përkëdhelurit të këtij të fundit nga ana e kryediktatorit, e ka vënë Ramiz Alia. Në një faqe interneti është bërë e ditur se Ramiz Alia i paska dërguar një letër të gjatë Ismail Kadaresë më 21 maj 1990. Letra është përgjigje ndaj letrës që Kadarea i kishte dërguar më 03 maj 1990. Nga letra e Ramiz Alisë po citojmë vetëm një fragment tepër domethënës:
“I dashur Ismail,
…“Mos harro as atë ç’ka bërë shoku Enver për ty, as anësinë time në favorin tënd. Bile nëse të shkruaj kështu hapur, pa shumë “diplomaci”, kjo ka lidhje me ato marrëdhënie miqësore që ekzistojnë mes nesh, por edhe i nisur nga ai kujdes që Partia vazhdimisht ka treguar për Ismail Kadarenë, të cilin e kemi dashur dhe e duam si shkrimtar të madh, po e po, por edhe luftëtar konsekuent për çështjen e Partisë e të popullit” (Citohet sipas: “Letra e plotë e Ramiz Alisë drejtuar Ismail Kadaresë më 1990: Mos harro atë ç’ka bërë shoku Enver për ty”. Faqja e internetit “Pamfleti”. 12 dhjetor 2022).
Po në këtë letër, Ramiz Alia shkruan:
“Përsa u përket lavdeve në adresën time, mos harro një gjë shoku Ismail, se çdo gjë që bëjmë lidhet me Partinë, me forcën e mençurinë e saj”.
Siç shihet, në epopenë e servilizmit të vet, Kadarea është udhëhequr gjithmonë nga shprehja tradicionale e frëngjishtes “Le Roi est mort, vive le Roi!” (Vdiq mbreti, rroftë mbreti!) . Prandaj edhe e ka pasë të pamundur të mos i lëpihej edhe Ramiz Alisë me lëvdata serviliste. Më e çuditshmja është se kur ia paska shprehur Ramiz Alisë ato lavde? Më 03 maj 1990. Pra, kur nuk kishin kaluar as dy vjet nga ekzekutimi i poetit martir Havzi Nela, i cili, me firmën e kryexhelatit Ramiz Alia, Kristaq Rama dhe të tjerë, në mes të qytetit të Kukësit, qe ekzekutuar me varje në litar më 10 gusht 1988.
Duke pasur gjithmonë si yll karvani shprehjen e sipërcituar të frëngjishtes, Kadarea e ka pasuruar epopenë e servilizmit edhe ndaj Ramës. Kur ende s’kishte dalë rezultati i zgjedhjeve vendore të 08 majit 2011 për postin e Kryetarit të Bashkisë për Tiranën, Kadarea i drejtohej me një letër të hapur Lulzim Bashës për të hequr dorë nga kandidimi, paçka se Rama po kandidonte për të katërtën herë për atë post. Ajo letër, e botuar në faqen e internetit të gazetës “Panorama” të datës 21 maj 2011, me titull “Kadare, letër Bashës: Tërhiqu nga kandidimi”, ishte një përkrahje publike që Kadarea i bënte së majtës shqiptare dhe kryesisht Edi Ramës, si servil i tij.
Gjatë më shumë se 10 vjetëve të Ramës në krye të qeverisë, ka ndodhur një shpopullim katastrofik i vendit tonë. Në fund të muajit tetor të vitit 2015, eurodeputetja Doris Pak (Pack) deklaronte:
“Pashë shifrat e azilkërkuesve shqiptarë në muajin shtator në Gjermani dhe janë vërtet të pabesueshme. Ndoshta është një koiçidencë, por shtrohet pyetja, pse shqiptarët nuk iknin para se Shqipëria të ishte një vend kandidat dhe ikin tani që Shqipëria është një vend kandidat? Besoj se ka një lidhje me situatën politike” (Citohet sipas: “Pack: Pse shqiptarët po ikin tani që është Rama kryeministër?”. Faqja e internetit e “Gazetës Shqiptare”. 30 tetor 2015).
Po Kadarea ç’qëndrim mbante ndaj largimit masiv të njerëzve nga vendi? Le të njihemi me një deklaratë të tij të vitit 2016:
“Është e natyrshme që pas një periudhe jashtëzakonisht të egër të izolimit, të vinte ky pasion, shpesh me arsye, pasi nuk është pa arsye sigurisht, por edhe pakëz e kthyer në modë” (Citohet sipas: “Kadare: Dekriminalizimi proces jetësor, e pafalshme nëse s’kryhet”. Faqja e internetit e gazetës “Shqip”. 14 maj 2016).
Me këtë deklaratë, Kadarea i vinte në osh qeverisjes socialiste të Ramës, sepse arsyet e largimit të njerëzve drejt vendeve perëndimore ai i shikonte jo te mjerimi që i kishte pllakosur për shkak të politikës varfëruese antikombëtare që ndiqte Rama, por tek izolimi i egër, i cili ishte kapëcyer 26 vjet më parë. Madje, sipas tij, largimi i njerëzve na qenkej kthyer pakëz në modë!!! Ky ishte shërbimi më domethënës që Kadarea, si servil me stazh tepër të gjatë në shërbim të krerëve majtistë, i bënte politikës zyrtare dhe Ramës personalisht.
Ja si është shprehur Kadarea gjashtë vjet më vonë për braktisjen e vendit nga shqiptarët:
“Sigurisht që i japin dorë edhe vetë shqiptarët, nuk bëhet asgjë pa shqiptarët, sigurisht Shqipëria ka gjithmonë pjesën e saj të përgjegjësisë në braktisjen e Shqipërisë nga shqiptarët” (Citohet sipas: Ismail Kadare: “Pse shqiptarët ikin nga vendi i tyre”. Faqja e internetit “ObserverKult”, 12 janar 2022).
Domethënë, fajin për braktisjen e vendit, Kadarea e ka lënë jetim. Sipas tij, fajtorë qenkan vetë shqiptarët. Po cilët na qenkan këta shqiptarët konkretisht? Kadarea e anashkalon fajtorin e vërtetë – Ramën, bashkëpunëtorin e ngushtë të kriminelit Vuçiç, trashëgimtarit të platformës së dy kriminelëve të njohur për shpopullimin e trojeve tona – Vaso Çubrilloviçit (1897-1990) dhe Ivo Andriçit (1892-1975). Servilizmi që Kadarea ushqen ndaj Ramës, nuk e lejon të thotë arsyen e vërtetë për shpopullimin katastrofik të vendit tonë. Përkundrazi, ai, si servil me karrierë të gjatë i kryepolitikanëve majtistë, pak kohë më parë, i cituar nga Helena Kadare, ka deklaruar:
“… Shqipëria po jeton vitet më të mira të saj” (Citohet sipas: “Guximi i Helena Kadaresë për të thënë se Shqipëria është në kohën më të mirë të saj”. Faqja e internetit e gazetës “Shqiptarja.com”. 18 nëntor 2023).
Disa ditë para zgjedhjeve parlamentare të 25 prillit 2021, Kadarea u ngrit e shkoi në Vlorë. Në një skicë me nota shpotitëse në adresë të Kadaresë, analisti i njohur Adriatik Dosti shkruante asokohe:
“Po hë ç’u bëre, do kenë thënë vlonjatët kur të panë sot diku pranë asaj zone, ku Rama po bënte fushatën e tij e po ju mbushte mendjen atyre edhe për një mandat të tretë… ku ke qenë …pse s’ke ardhur më parë e pse na ke munguar…” (Citohet sipas: Adriatik Dosti. “Po në Vlorë ç’deshe në këtë mes-prilli, o Kadare?” Faqja e internetit e gazetës “Telegraf”. 12 prill 2021).
Për fatkeqësinë tonë kombëtare, zejen e servilizmit Kadarea e ka manifestuar edhe ndaj Perëndimit Evropian. Në vitin 2001 ai sulmoi rëndë djelmoshat trima të Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare në Maqedoni, duke i etiketuar ata si “banditë”, “klyshë të Enverit”, “aventurierë”, “të papërgjegjshëm”, “naivë”, mendjelehtë”, “me qëllime të dyshimta”, “në shërbim të një loje antishqiptare”, “pseudopatriotë”, “mafiozë” (Citohet sipas faqes së internetit të gazetës “Shekulli”. 10 mars 2001, f. 3).
Koha vërtetoi se këto epitete ishin sa të pahijshme, aq edhe të turpshme, për të cilat Kadarea nuk kërkoi ndjesë kurrë.
Pikërisht filozofia e servilizmit ndaj Perëndimit evropian ishte ajo që e bëri Kadarenë të shprehte gatishmërinë të binte në gjunjë para ambasadores së Bashkimit Evropian në Tiranë Romana Vlahutin, për kritikën që asokohe i pati bërë asaj një analist shqiptar, një diplomate kjo pa kurrfarë autoriteti, që i bënte fresk kryeministrit Rama, duke mos e thënë as edhe një fjalë të vetme për parcelat e drogës në mbarë Shqipërinë.
Më 20 qershor 1919, në Konferencën e Paqes në Paris, i Madhi Gjergj Fishta shtroi kërkesën në vijim:
“Prandej, po kje se përnjëmend parimi i autodeterminacionit asht marrë prej Konferencës së Paqes si karakter themelor për trajtimin e shteteve e caktimin e kufijve të tyne, e drejta e lypë, që Shqipnia të qitet shtet më vedi, përmrenda kufijve të vet etnikë e gjeografikë” (Citohet sipas: “Baltë komuniste mbi Madhështinë Fishtiane. Dokumenti i vitit 1949, zbardhet se pse u dënua Gjergj Fishta”. Gazeta “Koha Jonë”. 12 mars 2016).
A ka menduar ndonjëherë Kadarea se për mbarë kombin shqiptar do të kishte qenë një mrekulli e vërtetë, sikur ai, ashtu si edhe Fishta i Madh para një shekulli në Paris, ta kishte thënë një fjalë me peshë për domosdoshmërinë e rishikimit të krimit që Perëndimi evropian kreu me copëtimin e trojeve tona etnike dhe për vënien në vend të drejtësisë, duke shtruar kërkesën për ribashkimin e tyre në një shtet të vetëm, me një stemë dhe një flamur? A nuk ishte rasti më i mirë gjatë këtyre më shumë se 30 vjetëve që Kadarea, ashtu si edhe Fishta, për një kërkesë të tillë, të vishte petkun e politikanit dhe të dilte burrërisht në skenën e Perëndimit evropian me autoritetin e një shkrimtari, të njohur në mbarë botën, duke sfiduar klasën politike shqiptare, mercenare të grekosllavizmit dhe të brukselizmit, për të kërkuar takim me krerët e shtetit në Paris, Berlin, Londër, deri edhe me Presidentin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës? Nisur nga autoriteti i tij në mbarë botën, me siguri që portat do t’i hapeshin kat e kat, sikur ai të kishte menduar për organizimin e takimeve të tilla. Aq më tepër që, në krahasim me lepuj-politikanët e Tiranës pa dinjitet dhe pa vetëdije kombëtare, fjala e tij do të kishte shumë më tepër peshë në ato takime me krerë kryesor të politikës evropiane dhe amerikane.
Në mbyllje duhet theksuar se servilizmi është një dukuri tepër e dukshme në marrëdhëniet ndërnjerëzore. Në shoqëri të paemancipuara për shkak të varfërisë ekonomike, servilizmi merr përmasa të shëmtuara. Në vendin tonë servilizmi e ka burimin te politika. Politika majtiste, si trashëgimtare e diktaturës komuniste, e ka polarizuar skajshëm shoqërinë shqiptare në tejet të pasur dhe në tejet të varfër. Viktor Orban, kryeministër i Hungarisë, thotë:
“Kur të majtët janë në pushtet, historia përfundon në varfëri dhe kriza”.
Në radhët e politikanëve hasen edhe individë të tillë pa kurrfarë dinjiteti personal, të cilët, me servilizmin e tyre të neveritshëm, i lëpihen kreut të pushtetit për poste dhe për përfitime të tjera materiale. Një servile e tillë është deputetja socialiste Elisa Spiropali, e cila e ka krahasuar Ramën me Skënderbeun, duke e fyer rëndë figurën e shquar dhe të nderuar të Heroit tonë Kombëtar. Me shpopullimin që i ka bërë vendit deri tani, Rama përfaqëson faqen më të zezë jo vetëm të Shqipërisë, por edhe të mbarë trojeve tona etnike.
Politika majtiste në vendin tonë ka bërë ç’është e mundur për lulëzimin e servilizmit në mjetet e informimit masiv. Një pjesë jo e paktë e analistëve nëpër studiot televizive janë shndërruar në kope servilësh të pështirë të Ramës, të cilët të kujtojnë kopenë e servilëve të Putinit në kanalin televiziv shtetëror rus “Rusia 1”.
Megjithatë, ka edhe një burim tjetër servilizmi në radhët e intelektualëve, çka është pasojë e mungesës së respektit ndaj vetvetes. Shkrimtari i shquar francez, Montenji (Michel de Montaigne – 1533-1592) u ka lënë brezave pasardhës një aforizëm me domethënie të thellë:
“Mungesa e respektit ndaj vetvetes sjell si pasojë po kaq mëkate, sa edhe respekti i tepruar ndaj vetvetes”.
Një burim i tretë i servilizmit vihet re edhe në marrëdhëniet e njerëzve me figura të shquara të arteve. Me sa duket, nga ky lloj servilizmi është infektuar rëndë dr. Bledar Kurti. Servilizmi i tij ndaj Kadaresë të kujton pikërisht atë servilizmin që Balzaku e fshikullon aq mrekullisht me fjalët e tij të arta:
“Servilizmi nuk buron asnjëherë nga shpirtra të mëdhenj, ai është risk i shpirtrave të vegjël, që kanë aftësinë të bëhen edhe më të vegjël, vetëm e vetëm që të përfshihen në sferën e jetës së një personi të rëndësishëm, të cilit kanë qejf t’i lëpihen”.
Me servilizmin e vet shpërthyes, dr. Bledar Kurti, duke fyer shkrimtarët dhe poetët e shekullit të kaluar, si edhe ata bashkëkohorë, ka ulur figurën e vet, por, tërthorazi, ka cenuar edhe autoritetin e Kadaresë.
Feniks, Arizona, 31 janar 2024
Analize e mrekullueshme e z. Ymeri .Per shkrimtarin Kadare jane shkruajtur shume artikuj qe nuk e perkedhelin por kane treguar cilësitë e tij te verteta qe shfaqin nje njeri hipokrit ,servil e shpirtzi .Kostumin politik nuk e veshi asnjehere shkrimtari por u kujdes gjithmone per te njejten model kostumi te mos zhytej ne balte , te mos grisej ne shkurre ,te ishte gjithmone i paster e i hekurosur kostumi politik i ideologeve komuniste .Shkurt , shkrimtari ishte komunist se ne ate rregjim u shkollua , filloi karrierren , pervetsoi merita ,lehtësira per nje jetese mondane dhe per te keqen tone mbeti komunist kur duhet te ndërronte drejtim , ideollogji , taktike .Ai mbetet nje komunist i kamufluar .
Eshref Ymeri
E nderuara Zonja Rita,
Ju falënderoj nga zemra për solidarizimin tuaj me përmbajtjen e artikullit tim. Në këndvështrimin tim, Kadarea ëhtë dyfish mëkatar.
Së pari, siç e kam theksuar në artikull, Kadarea bëri mirë që nuk iu kundërvu kryekriminelit Enver Hoxha, se do ta pësonte rëndë prej tij, por ai i lejoi vetes një mëkat të madh, duke u shndërruar në një kryeservil të tij të përmasave të neveritshme.
Së dyti, las largimit të atij kryekrimineli për në botën e amshuar, Kadarea nuk e pati kurrë burrërinë të pendohej, t’i kërkonte ndjesë mbarë opinionit publik për lavdet e pështira që i thuri kryekriminelit në veprat e veta poetike dhe eseistike.
Me respekt dhe mirënjohje ndaj jush.
Eshref Ymeri
Me te vertet analiza juaj z.Ymeri me plotson krejt mendimin qe kam per shkrimtarin Kadare . E vertete se ishte i vetmi shkrimtar qe e kam lexuar deri me 1990 kur nga viti 1980 i bota bojkot te GJITHE shkrimtareve vendas pa përjashtim. Kur shkoja ne bibliotekën e qytetit punonjëses i thoja te me tregonte vec autore te huaj .Jo se Kadareja tregonte realitetin ne veprat e tij por ishte nje stil i veçante, nje talent i përkryer qe fshihte me mjeshtëri gabimet e sjelljes reale qe duhej te kishte perball realitetit te zymte e te frikshëm , me fjalite e tij ne cdo vepër te mashtronte me finese se duhej te kënaqeshim me ate qe servirte , se nuk kishte te vertete tjeter vec asaj qe perhapte shkrimtari ne veprat e tij . Personalisht kam dy historia te vjetra me shkrimtarin .Mire nuk eshte t’i permend .Veçoj daten 25 tetor 1990 une ne Korce ku arratisja e bujshme e familjes Kadare ,ora 18 , zeri i Amerikes ne gjuhen shqipe ,,,,me shpëtoi jeten . Dhe atehere ,dhe sot e kam thene dhe e them qe te shkoja ne dreq une vec populli te kishte nje udheheqes te denje , te kishim nje ndryshim rregjimi me te gjitha te drejtat e rikthyer te klases se persekutuar e vënien e drejtesise me ligje e vendime te duhura .Por shkrimtari ate date te 25 tetorit i dha sinjalin popullit qe te ikte nga atdheu si ai ,sic dhe nuk vonoi pas 2 muajsh me urdhrin e Ramizit u hap kufiri jugor . Kadareja udhehoqi popullin ne arrati ,ne vend qe te rehabilitonte veten ,te ishte udheheqes i denje ne prurarizmin qe do te vinte .Por ai tregoi si ishte e mbeti komunist . Dhe une ju falënderoj z.Ymeri . Artikujt e tu i lexoj me kenaqsi sepse i afrohen se vertetes .Respektin tim pranoni ju lutem !
E nderuara Zonja Rita,
Ju përshëndes shumë përzemërsisht për çiltërsinë shembullore, për objektivitetin e gjykimeve tuaja dhe për fisnikërinë e shpirtit tuaj qelibar.
Ju uroj shëndet dhe mbarësi Juve dhe Familjes suaj të nderuar.
Eshref Ymeri
Kaliforni, 06 shkurt 2024