ARKIVI:
21 Dhjetor 2024

Verë e përjetshme, vlerë e përjetshme!

Shkrime relevante

Çfarë shkruan talebani dhe mbetja osmane, Enes Limani…!?

Afrim Caka, Gjakovë Bojkotojeni këtë antishqiptar! Thirreni në prokurori. “Bojkoti ndaj këtij islamisti...

Shoqata për trashëgimi kulturore e Luginës së Preshevës, ftesë për konferencën shkencore që do të zhvillohet me 14, 25 e 26 tetor 2025

SHOQATA PËR TRASHËGIMI DHE KRIJIMTARI KULTURORE E LUGINËS SË PRESHEVËS'    FTESË PËR...

Fitorja e Trumpit është “humbja” e Jack Smith

Beqir SINA ___ Janë ligjvënësit republikanë, ata që kanë treguar tashmë se Smith...

Historia e pavdekshme e Marie Shllakut (1922-1946), të resë shkodrane që e dha jetën për AtMëmëdhe

Klajd Kapinova, New York Historia e pavdekshme e vajzës së re shkodrane...

Skandaloze – KMDLNJ e Prishtinës e ka injoruar Enver Hadrin dhe ekipin tonë

Reshat Sahitaj, shkrimtar   * Themeluesit e KMLDNJ 3prill 1983 Këshilli për Mbrojtjen e...

Shpërndaj

Nga: Bajram Sefaj, Paris

Skicë për ese 

“Vera e përjetshme”, vlerë e përjetshme! 

(Sa kënaqësi (e tundim e siklet njëkohësisht), me solli leximi i vonuar – kurrë s’është vonë, të lexohet diçka e mirë, sikurse është ky libër i Preç Zogajt. Botues “Dita”, Tiranë 1998!) . 

Arsyet e mia që të hedh në letër (kompjuteri!), këtë mbresë të thellë, pas leximit të vëllimit “Vera e përjetshme” me gjithsej 128 faqe, pjesëtuar në trembëdhjetë (13) kapituj, kryesisht janë të natyrës krejt intime (private, personale) por, ja se, po aq, janë të pakapërcyeshme, detyruese. Në rend të parë, (sado që ata kapituj përmbyllen me shifrën famëkeqe 13!), ata nuk janë kapituj, por, me zemër (bërthamë) e trajtim, janë tregime që, herë – herë, ta trazojnë e ngurtësojnë (shtrëngojnë) zemrën (sado të fortë që qëllon ta ketë lexuesi). Kjo është arsyeja e parë. Ka edhe shumë e shumë të tjera arsye, por, me këtë rast, po i radhis vetëm disa prej tyre, ato më kryesoret.

Në rend të parë, ky libër është shembull tipik dhe, ndoshta më i miri rast, i përzierjes së gjinive dhe zhanreve shkrimore. Sado që ky libër (formalisht) i takon korpusit të botimeve, ashtu të quajtur, publicistike (me komente e analiza brenda kapakëve të tyre), “Vera e përjetshme” e Preç Zogajt, mund të lexohet edhe si vëllim me tregime, me vlera të ndritshme (të qëndrueshme e të lakmueshme) letrare. Është pra, libër, me fjalë tjera, që relativizon përkatësinë e përpiktë absolute (shkëncore) të një libri. Ngase “Vera e përjetshme”, aq sa është libër dokumentar, po aq e më shumë, është edhe libër letrar. Kronikë e një vere të nxehtë (pa shí!).

Nëse nuk i besoni kësaj “teorie” time, urdhëroni e lexoni librin e hollë, jo vëllimor “Vera e përjetshme”. I hollë, i hollë dhe shumë i preftë e i qartë, në mendim, reflektim e shkrirje artistike. (Nuk di të shpjegoj pse gjatë gjithë kohës sa po lexoja këtë libër të mrekullueshëm, në mendje me sillej vërdallë kujtimi i romanit “Vera pa kthim”, i mikut tim besnik, Besnik Mustafaj. Ndoshta pse që të dy këta autorë (Preçi e Besniku) i përkasin të njëjtës gjeneratë, janë moshatarë, (Kanë pi ujë nga i njëjti krua!). Këta dy libra, në tituj kanë stinën e verës. Derisa Vera e Besnkut sigurisht se nuk kthehet kurrë më, “Vera e përjetshme” e Preç Zogajt, është e përjetshme, dhe, ja ku e kemi, në këtë verë që jemi në të, të këtij viti, 2021! Edhe një dëshmi plus se, libri cilido qoftë ai, mban vetëm datën (ditën) e leximit. Data e botimit nuk ka asnjë vlerë! (Për mua të vonuarin e përjetshëm), “Vera e përjetshme” e Preç Zogajt, ka dalë nga shtypi dje, unë e lexova sot!

Me të njëjtën ndjenjë kënaqësie e aktualiteti si ditën që është shkruar (gusht-shtator 1996!). Nuk mund të mbyll portat e kësaj skice (sprove) për ese, pa i shtuar edhe disa imtësi sado të imta që janë. U ngazëlleva shumë, ndoshta më shumë se asnjëherë më parë, kur me ra ndërmend, titull (emri) që do t’ia ngjis këtij shënimi të rastit. Fjalës (emrit) Vera ia shtova edhe (vetëm) dy germa: vl! Vera e përjetshme sakaq veshi rrobën bardhë e doli Vlera e përjetshme. Dhe, si rrallë herë në jetën time të gjatë e të mundimshme prej gaze(p)tari, njëzëri, u pajtova me vetën time, nga se njëmend, vlera është vlerë, pra, është e përjetshme. Si e vërteta, që nuk plaket kurrë, është e përjetshme dhe mbetet e përjetshme. Si rrallë herë, ndoshta asnjëherë në jetë nuk më ka ngjarë që jo vetëm gjatë leximit të një kapitulli, por shumë më shpesh, të iku e të dalë prej këtij libri e të “gjendëm” në kapakun përmbyllës së tij.

Vështrimi, paksa nostalgjik për aq sa edhe mallëngjyes, me ndalet në fytyrën gati-gati djaloshare (rinore) të autorit, Preçit të ri, të sapo zbritur nga Lezha e lindjes, me kryet plot flokë kaçurrela, me këmishë pa kostum-kravatë. Në heshtje pyes veten, a është i njëjti ky Preç që, (në shoqëri me Lorenc Angjelin, si kronistë të shquar që janë, (për çdo mbrëmje të ditës se premte, i shoh në ekranin e TVSH, në emisionin serioz dhe mjaft të popullarizuar “Java”. Jo, jo, i përgjigjem vetës, Preçi i kopertinës se librit, është Preçi i Lezhës, e ky i televizionit dhe emisionit “Java”, është Preçi i Tiranës!

Poshtë emrit të tij, një regjistër i tërë librash të zhanreve të ndryshme, të botuara, në moshën e tij të re. Poezi: Emrat tuaj (1985); E pakryer (1987); A thua do të vish duke qeshur (1989); Bashkudhëtar kam dashurinë (1991); Qielli i gjithkujt (1990); Këmbësor në qiell (1994); Tokë pa kontinent (frëngjisht), 1996). Prozë: Njëri nga ata (tregime, 1986); Vonesa (tregime, 1988); Shëtitorja (tregime e novela, 1990); Agjenti i gjyshit (roman, 1993); Pa histori (Roman, 1995); Gruaja e të gjithëve, (novelë, italisht 1997). Ese: Rënia e zgjedhjeve (1997), Lufta jocivile (1998).

Derisa përshkruaj këtë listë të gjatë veprash e, kur atyre i shtohen edhe ato që Preçi i ka shkruar ndërkohë, në moshë më të pjekur e më me përvojë, ndjehem mëkatar, bashkë më të gjithë ata kabahatlinjë e tjerë, që nuk i kanë lexuar, nëse jo të gjithat, se paku pjesën më të madhe të veprave të këtij autori, mendje preftë e penë preftë!

(Gaillard, 7 qershor 2021). 

K O M E N T E

SHKRUAJ NJË KOMENT

Ju lutem, shkruaj komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaj emrin tuaj këtu