Florim Zeqa
Po hyjmë në javën e tretë të barrikadimit të plotë të Veriut nga serbët lokal dhe asnjë veprim për zhbllokimin e asaj pjese nga politik-bërja kosovare! Sikurse “Nyja Gordiane” në mitologjinë greke që ishte një lidhje e komplikuar, edhe Veriu i vendit është kthyer në një problem kompleks dhe të pazgjidhshëm.
Historia e “Nyjes Gordiane”
“Nyja Gordiane”, një term i përdorur për të përshkruar një problem kompleks dhe të pazgjidhshëm, e ka zanafillën që nga periudha e kohës antike, përkatësisht nga epoka e Aleksandrit të Madh.
Sipas legjendës, Phrygian-ët, që jetonin në Turqinë qendrore të sotme, ishin sugjeruar nga Orakulli që të bënin mbret njeriun e parë që do të shkonte në qytet me një qerre, fati e deshti që ky burrë të ishte një fshatar i varfër, Gordiani (Gordius).
Pas kurorëzimit, Gordiusi ia dedikoi qerren Zeusit dhe e lidhi në një shtyllë jashtë tempullit me lëvore thane që forcohej me kohën. Thuhej që kushdo që zgjidhte nyjën do të pushtonte Azinë.
Në vitin 333, pushtuesi maqedonas marshoi me ushtrinë e tij në kryeqytetin Phrygian të Gordium, Turqia e ditëve të sotme.
Me të arritur në qytet, ai gjeti qerren e lashtë të lidhur me disa nyje që ishin të lidhura aq fort dhe në mënyrë të ngatërruar sa ishte e pamundur të zgjidheshin!
Megjithatë, Aleksandrit të Madh i lindi ideja, kurreshtja dhe dëshira e zjarrtë për të zgjidhur “Nyjen Gordiane”.
Pasi u mundua për një kohë të gjatë, por pa sukses për ta zgjidhur nyjen, për një moment u kthye nga turma dhe tha: “Nuk ka asnjë rëndësi mënyra sesi duhet të zgjidhet” dhe menjëherë nxori shpatën duke e bërë cop-copë nyjen me një goditje të vetme.
Mirëpo sipas një versioni tjetër mitologjik thuhet, se Aleksandri i Madh nyjen e kishte zgjidhur nëpërmjet një gjilpërë!
Mirëpo, pavarësisht faktit se në çafrë mënyrë e zgjodhi nyjen, mbreti i ri u duartrokit si njeriu që zgjodhi “Nyjen Gordiane”.
Veriu në pritje të Gordianit
Nga ajo kohë, shprehja “Nyjë Gordiane” ka hyrë në fjalorin popullor dhe politik, për të treguar pengesat e ndërlikuara, apo vështirësitë e pazgjidhshme nga qytetarët dhe politikanët. Ndryshe, prerja e “Nyjes Gordiane” përdoret si metaforë për të përshkruar një zgjidhje kreative apo vendimtare për një problem në dukje të pazgjidhshëm dhe të pakapërcyeshëm!
Shprehja “Nyja Gordiane” është përdorur mjaft shpesh përgjatë dekadave të fundit dhe deri në ditët e sotme nga politikanët dhe analistët në kuptimin si çështje që kërkon zgjidhje, përderisa shqiptarët e pjesës veriore të Kosovës e kërkojnë pandërprerë zgjidhjen e kësaj çështje për t’u kthyer në pronat dhe shtëpitë e tyre.
Barrikadat nuk janë risi në Veriun e vendit, ato si të tilla ekzistojnë që 23 vjet. Ndryshon vetëm në koha dhe përmbajtja e tyre.
Sikur të ishte e lehtë heqja e barrikadave dhe zgjidhja e problemit të veriut të vendit në veçanti, asnjëra nga qeveritë paraprake nuk do t’ua lente barrë në qafë qeverive pasuese, por do t’i merrte meritat historike siq e kanë zakon të thonë e bëjnë politikanët tonë fjalë shumë e punë pak.
Mirëpo edhe pas 23 vjetëve në liri dhe 15 vjetësh të Pavarësisë së Kosovës, Veriu i vendit ka mbetur “Nyje Gordiane” për politikanët kosovarë, nyje e lidhur fort dhe keq. Shpata është në dorën e atyre që e lidhën nyjen, pra në dorën e ndërkombëtarëve, për t’i hequr një herë e përgjithmonë vargonjët serbosllav nga qafa (Veriu) e Kosovës.