Ilir Muharremi, kritik i artit
- Arti i fuqishëm i Gjelosh Gjokaj
Arti prekë majat e thjeshtësisë, të pahulumtueshmes, të ndjenjave që pushojnë brenda vetes, lartësisë, të veçantës, dehjes Dionisiane. Të vendosë përballë pasqyrës të kuptuarit thellësinë e pa kënduar. Artisti me veten duke e ndarë veten si objekt e artin si subjekt. Subjektet i ngritë mbi metamorfozën e simbolikës brenda në rrënjët e artit. “Kënga për Kadinjacen”, një vepër 1.8 metra e gjatë e artistit Gjelosh Gjokaj, më duket si Guernika e Pikasosë, kjo vepër u përfundua në vitin 1981. Ka një hapësirë epike të ndërthurur me simbolikë, drejt shtigjeve filozofike sepse vet filozofia u jep peshë arteve dhe figurave. A është e koduar vepra? Çdo detaj i saj fshihet pas një kronologjie lufte, terrori. Aty nuk ka shumë ngjyra mund t’i vëresh tri, katër ose pesë, madhështia e mjeshtrirsë së artistit Gjokaj është pikërisht te subjekti, forma, kompozicioni, psikologjia e kokave të rreshtuara në një vertikale, duke filluar nga pema, pastaj poshtë saj koka me helmeta, janë ushtarë të shpërqëndruar, gojë të hapur, mimika agresive.
Helmeta të shtrira nëpër tokë dhe një korb shihet teksa është përkulur mbi një helmetë ndoshta për të pirë ujë. Pastaj portrete njerzish duken si figura të përsëritura, grimasa të heshtura dhe prapa syve mund të vëresh ca njolla dhembshurie ose një fazë të stërlodhur e të kaluar në konsumim. Fytyrat e tyre janë më ngjyrë hiri, ngjyrë tymi nga oxhaku, ca me të kuqe të lehtë, simbol i gjakut, poashtu edhe fletat janë të verdha, të kuqe, të jeshile dhe hiri. Janë gjethe që nuk i krijon natyra në asnjë situatë e as raport jetësor real, por kombinim i shpitërores, përtejmes metafizike, ngjashmëritë me atë se çka nisë në maje të pikturës e deri ku vazhdon ky vargan portretesh anfaz. Në prapavijë të pikturës është ngjyra blu, si simbol i lumenjëve aty ndonëse ku piktori edhe ka kaluar një jetë. Herë duken si portrete monumentale antike, e herë si figura ilire. Mund t’i shkoqitesh nga telajo e t’i ekspozosh si skulptura në hapësirë. Kjo pikturë rri e vendosur në një pozicion të prirtë me që krijohet një lojë dhe ndjenjë gjatë vështrimit optik. Kjo vepër sikur prek fëmijërinë e artistit, skena duket reale, por edhe ireale. Ata ushtar sipër sikur burojnë nga imazhi dhe neuronet e artistit.
Pikturat dhe grafikat e artistit Gjokaj nuk kanë kolorit të tepruar, ato sikur reduktohen nga ky kolorit. Në të gjitha pikturat dhe grafikat vëren tre deri në katër ngjyra të cilat estetikisht duken bukur, plot shpirt, të magjepsin, krijojnë atë zbrazëtinë e një shpirti të tejmbushur. Nga soditja disa minutëshe përballë këtij arti, vet mund të sajosh ngjyrë, mund të vëresh hije dhe dritë, pastaj figurat lëvizin, të shikojnë sikur duan të të pëshpëritin diçka, ose kërkojnë të ju bashkohesh gjallërisë, monotonisë, dhimbjes, vuajtjes, metafizikës, fantastikës, përtej formave çudake reale, një misteri që absurdi i Albert Camus-it mund ta analizoj.
Vet kokat e tyre, kontaktet me botën, bimësinë, universin, tregojnë shkencë mendore artistike. Bluja dhe ajo hiri të dy këto ngjyra dominojnë në veprat etij. Bluja ngjyrë e lumit, kurse hiri ngjanë me tymin. Sikur artisti i ka përjetuar dhe ka krijuar një hipotezë kohore për këto. Kjo lumnajë të nxitë të rrëshqasësh pa dorëza brenda një uni të pastër. “Sofra” e vitit 1978, pjesë e koleksionit të GKK-së. Disa prej pikturave të ekspozuara janë: “Djali me
qengj” në vitin 1983, “Klithja e Van Gokut” në vitin 1989, “Toleranca” në vitin 1989, “Kompozim” në vitin 1992, “Koka” dhe “Adami”…
Te grafikat kemi një ndjenjë të kulluar nuancash dhe suptilitet vijash që renditen në një kompozcioin estetik dhe sendërtim teknik të veprave. Poashtu portretet njerëzore zënë pozicione nëpër këto hapësira. Janë të ngarkuara në aspektin psikologjik duke e prekë në thellësi temën, dhe duke analizuar se çfarë ndodh brenda saj. Shihet dukshëm pasoja nga përvoja e luftës që ka kaluar artisti.
Pasi shkon në Itali më 1968, artisti në artin e tij hap shtigje të reja ideoestike dhe filizofike, pra krijion një pikëpamje më ndryshe për të menduarti dhe vepruarit për jetën. Pasi veprat e tij u krijuan në Itali vërehet një ndkim dhe ngjashmëri me realen e Guerreschit, Cremonit e Mulas si dhe me metafizikën e Carlo Carës dhe Giorgia De Chiricos. Arti i tij prapë veshet me një petk individual duke krijuar kombinatorikë specifike të këtyre elementeve dhe materialeve. Arti i tij ndryshon me veçimin e burimorës si shkak dhe pasojë e të jetuarit në Ballkan, dhe nuk thuhet kot se artisti varet dhe kufizohet nga vendi se ku jeton. Nëse i analizojmë më në thellësi portretet në formë maskash, prekën nga surrealizmi-metafizik, dhe ato janë krijuar me mjeshtri dhe origjinalitet dhe njeriu këtu na duket dukshëm i robotizuar sikur artisti pozicionohet në vendin e parashikuesit. Misioni i artit ka këtë qëllim, qëllimin profetik ndaj njeriut, urbanizmit dhe bimësisë. Potretet duken si mitologjike, por ndërmjet realës, imagjinarës, kokave metalike e njeriut në hapësira metafizike.
Ekspozita titullohet ”Rrugëtimi modernist i Gjelosh Gjokaj” me kurator Shkëlzen Maliqin. Në ekspozitë ngërthejnë 50 vjet veprimtari. E organizuar për nderim të 90-vjetorit të lindjes së mjeshtrit Gjokaj, e njëjta ekspozitë ishte edhe një e tillë në Tiranë, në prill të vitit të kaluar.
Gjelosh Gjokaj u lind më 25 korrik 1933 në fshatin Milesh afër Tuzit, zona e Malësisë së Madhe në Mal të Zi. Rrjedh nga një familje e njohur shqiptare. Pikturën e mëson te profesorët Stojan Çeliq, Lubica Sokiq, Zoran Petroviq, Miladen Srinoviq më 1963. Punon si profesor më 1964/1969 në Shkollën e Lartë Pedagogjike në Prishtinë. Magjistron në vitin 1966 në Akademinë e Arteve Pamore (ALU) në Beograd, kursi special për grafikë.
Gjelosh Gjokaj ka vdekur në vitin 2016.