Kolec P. Traboini
Luftrat nuk i sjellin asnjë dobi popujve. Njeriut i mjafton mundimi i përditshëm, ajo që një figurë humaniste me mendje gjeniale si Viktor Hygoi thoshte “Jeta është luftë”. Edhe unë kësaj i përmbahem. Kësisoj tërë jeta ime ka qenë jo një, por disa lufta që nuk ishin të lehta për t’u përballuar. Përtej kësaj lufte njerëzore për të përparuar e mbijetuar, të gjitha luftrat e tjera janë vrastare. Secili të mbajë mendimin që ka për zgjidhjen e problemeve të mprehta shoqërore në mënyrë radikale a tjetersoj, ku përfshihen edhe te ashtuquajturat revolucione sociale, por unë kam disa parime e bindje te tjera. Luftat ne mes shteteve bëhen vetëm për pushtime dhe nga babëzia e kastave luftënxitës që kanë uzurpuar pushtete dhe e konsiderojnë popullin e vet si mish për top. Lufta e Dytë Botërore u bë nga Hitleri. Më thoni çfarë zhvillime solli. Gjysma e Europës e vu nën thundrën e muzhikëve të komunizmit. Asnjë përfitim veç tmerre. Lufta është mallëkim, një e keqe që bëhet kur nuk ka zgjidhje tjetër. Brenda shtetit veç kur bëhet për t’u çliruar nga pushtimi i huaj konsiderohet e dobishme.
Për më tepër luftat civile brenda një populli janë një mallëkim. Mjer kush i pëson travajat e luftës. Ndërrohen kastat sunduese dhe gjithherë ai që paguan, në luftë me gjak e në paqe me djersë, është populli. Ajo historia që keni mësuar në shkolla ka qenë demagogji e retorikë sofiste, përralla trimërore e jo realitet historik.
Shoqëria moderne ka zgjidhur mjaft çështje historike e të mardhënieve shoqërore. E këto janë mekanizmi politik demokratik për ndërrimin e pushtetit. Ne duhet ti përmbahemi këtij mekanizmi dhe ta përsosim atë e jo ta thyejmë. Shteti na duhet, edhe qeverisja, Legjislativi dhe Ekzekutivi, por a punojnë hallkat e tjera të këtij mekanizmi, Drejtësia si dhe Shtypi e fjala e lirë? Çdo dobësi në këto dy te fundit sjell anomali tek dy te parat. Jo më kot Amerika insiston në reformimin e Drejtësisë Shqiptare që ka qenë vatër korrupsioni e jo drejtësie. Pa një drejtësi solide, të fortë e të pa korruptueshme, të pa ndikueshme nuk mund te kete një qeverisje të mirë. Pastaj ka një gjë, populli zgjedh një qeverisje, e nëse kjo nuk funksionon në rregull, të kemi kurajon të themi se edhe populli gabon. Po ama ajo aforizma qendron që populli ka atë qeverisje që meriton. Vetë e ka zgjedhur. Aktivistet politikë duhet te kenë durim sepse jeta e shtetit është më e gjatë se jeta e një njeriu. Kanë katër vjet një legjislaturë, kohë e mjaftueshme të bindin popullin se qeverisja duhet ndërruar. E kjo bëhet me bindje e me zgjedhje e jo me luftë.
Ka shumë erëra të verbëra e të marrëzishme që fryjnë e ndjellin zjarr. Unë jam kundër çdo lloj lufte revolucionare apo kundër revolucionare brenda popullit. Kulturimi, dijet, botëkuptimit, shkëmbimi i ideve në kushte lirie individuale e çojnë përpara shoqërinë njerëzore, këto e vetëm këto dhe asnjë mjet tjetër. Çdo lloj radikalizmi që na shfaq si një shoqëri vulgare me shenja primitivizmi bolshevik apo haxhiqamilizmi orjental shqiptar duhet përjashtuar. Ne e kemi lindjen në perëndim. Duhet të bëhemi dishepujt e kulturës dhe dijeve sepse vetëm ndriçimi i mendjes e çon përpara shoqërinë njerëzore.
K. P. Traboini
Washington DC, 10 maj 2022