ARKIVI:
29 Dhjetor 2024

Vijon sot në Bruksel dialogu Kosovë-Serbi i nisur para 12 viteve

Shkrime relevante

Kryeministri merr rolin e gjykatësit!

Florim Zeqa I gjithpushtetshmi i vendit, Kryeministri i cili nuk i respekton...

Serbja Sonja Biserko, zëri i së cilës nuk po dëgjohet nga ndërkombëtarët, “analistët tonë” dhe disave nga opozita e Kosovës

Nga: Gani Mehmeti Biserko: Lista Serbe është përgjegjëse për gjithë situatën në...

Vargje me nismë të mbarë, recension për librin e Bashkim Halilajt, “Gjurmë ecjesh“

Shefqet DIBRANI VARGJE ME NISMË TË MBARË Bashkim Halilaj, “GJURMË ECJESH“, vargje, botoi...

Pabesueshmëria e absurdeve të “BIG BROTHER”

Nga: Lirim Gashi Sara nga Tirana dërgon çdo ditë lutje në qiell,...

Shpërndaj

Bisedimet Kosovë-Serbi në Bruksel më 15 Qershor 2021

Behlul Jashari

-Temë është një propozim – plan franko-gjerman e edhe evropian për normalizim të marrëdhënieve Kosovë-Serbi, si një marrëveshje bazë. Në prag të takimit të sotëm në Bruksel Kryeministri Kurti zhvilloi bisedë telefonike me Këshilltarin e lartë të Departamentit Amerikan të Shtetit, Derek Chollet.

PRISHTINË, 27 Shkurt 2023/ Në Bruksel vijon sot dialogu Kosovë-Serbi i nisur para 12 viteve. Albin Kurti, Kryeministër i Kosovës dhe Aleksandar Vuçiç, Presidenti i Serbisë,  pasditën e sotme zhvillojnë takimin e nivelit të lartë me ndërmjetësim të Bashkimit Evropian, ku temë është një propozim – plan franko-gjerman e edhe evropian për normalizim të marrëdhënieve, si një marrëveshje bazë. Fillimisht Përfaqësuesi i lartë i Bashkimit Evropian për Punë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell, takon ndaras Kryeministrin e Kosovës e pastaj Presidentin e Serbisë.

Në një komunikatë të dërguar nga Zyra e Kryeministrit njoftohej se, Kryeministri i Republikës së  Kosovës, Albin Kurti, ka zhvilluar në 24 Shkurt 2023  një bisedë telefonike me Këshilltarin e lartë të Departamentit Amerikan të Shtetit, Derek Chollet, si vazhdimësi e mirëmbajtjes së një komunikimi të  rregullt, veçanërisht tani në prag të takimit të së hënës në Bruksel.

Gjatë kësaj bisede, Kryeministri konfirmoi qëndrimin e tij për propozimin evropian si bazë të mirë për bisedimet e mëtutjeshme drejt normalizimit të marrëdhënieve.

Për marrëdhënie normale, evropiane e të fqinjësisë së mirë, Kryeministri Kurti theksoi që përveç njohjes reciproke në qendër të marrëveshjes, duhet t’i konsiderojmë edhe të drejtat e pakicave kombëtare.

Kryeministri falënderoi z. Chollet për mbështetjen përgjatë procesit të dialogut dhe vëmendjen e vazhdueshme të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, e posaçërisht të z. Chollet personalisht, theksohej mes tjarash në njoftim.

Para 12 viteve fillimi me takim dyditësh 8-9 Mars 2011 në Bruksel i dialogut Kosovë-Serbi me ndërmjetësim të Bashkimit Evropian e me mbështetje të Shteteve të Bashkuara të Amerikës pasonte një zhvillim shumë të rëndësishëm dhe historik për Kosovën: Në 22 Korrik 2010 Kosova doli fituese në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë pas një ankese që Serbia kishte dërguar kundër shpalljes së Pavarësisë në 17 Shkurtin historik 2008.

Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë ka konkluduar se miratimi i Deklaratës  së Pavrësisë së Kosovës  në 17 Shkurt 2008  “nuk e ka shkelur të drejtën e përgjithshme ndërkombëtare, as rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit e as Kornizën Kushtetuese”.

“Prandaj, miratimi i kësaj deklarate nuk e ka shkelur asnjë rregull të aplikushme të së drejtës ndërkombëtare”, theksohej më tej.

Menjëherë pas këtij zhvillimi me rëndësi historike, në një deklaratë të anëtarëve të Grupit Drejtues Ndërkombëtar për mendimin këshillues të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë rikonfirmohej mbështetja e palëkundur për pavarësinë e pakthyeshme të Kosovës dhe bëhej thirrje për njohje.

“Grupi Drejtues Ndërkombëtar rikonfirmon mbështetjen e palëkundur të tij për pavarësinë e pakthyeshme të Kosovës demokratike dhe shumetnike në kufijtë e saj të tanishëm dhe i bën thirrje shteteve tjera që të njohin Kosovën. Ai po ashtu përshëndet përkushtimin e vazhdueshëm të Kosovës dhe progresin e konsiderueshëm në zbatimin e Propozimit Gjithëpërfshirës për Statusin dhe do të vazhdojë të mbështesë Kosovën në punën për realizimin e perspektivës së saj evropiane”, theksohej në deklaratë.

Grupi Drejtues Ndërkombëtar (ISG) për Kosovën, i cili përbëhej nga vendet që e kanë njohur Pavarësinë, ishte formuar në 28 Shkurt të vitit 2008 dhe synonte të orientojë dhe mbikëqyrë zhvillimin demokratik të Kosovës, të nxisë qeverisjen e mirë dhe shumetnicitetin, bazuar në Propozimin Gjithëpërfshirës të emisarit të posaçëm të OKB-së, kryenegociatorit për statusin, Martti Ahtisaari.

Kuvendi i Kosovës miraton rezolutën për dialogun me Serbinë, raportoja para 12 viteve, në 10 Mars 2011 për Agjencinë Shtetërore-Zyrtare të Lajmeve të Shqipërisë, derisa në Bruksel në 8 Mars dialogu kishte filluar dhe ishte mbajtur takimi i parë dyditësh  i bisedimeve Kosovë-Serbi për çështje praktike. Në raportimin që e botonte edhe Gazeta DIELLI e Federatës Pan-Shqiptare të Amerikës VATRA,  theksoja se, “Raundi i parë i bisedimeve Kosovë-Serbi si dy shtete të pavarura, por të panjohura reciprokisht, për çështje praktike u zhvillua gjatë dy ditëve të kaluara në Bruksel”.

Ky ishte raportimi i plotë:

Kuvendi i Kosovës, në seancën plenare, miratoi me shumicë votash – 63 pro, 48 kundër e 1 abstenim, një rezolutë për dialogun mes Republikës së Kosovës dhe asaj të Serbisë për çështje praktike.

     Rezoluta nuk u lexua në seancë me arsyetimin se atë e kishin deputetët, por siç u tha nga përfaqësuesi i grupit parlamentar të PDK-së, ajo “do t’i japë Parlamentit të Kosovës një të drejtë që të mbikëqyrë, përcjellë, rrjedhën e bisedimeve dhe të drejtën që për çdo rast të kërkojë sqarime në Parlament”.

     Kuvendi i Kosovës zhvilloi të hënën debatin parlamentar, sipas kërkesës së Qeverisë, lidhur me dialogun në mes të Republikës së Kosovës dhe asaj të Serbisë për çështje praktike, dhe në përmbyllje vendosi me shumicë votash që në seancën e sotme të nxjerrë në votim rezolutën lidhur me këtë.     Kryeparlamentari Jakup Krasniqi në seancën e kaluar të Kuvendit, pat paralajmruar hartimin e një dokumenti-rezolute nga përfaqësuesit e grupeve parlementare, bazuar në dy draftrezolutat e paraqitura nga partia në pushtet PDK dhe ajo opozitare Lëvizja Vetëvendosje, si dhe në fjalën e kryeministrit Hashim Thaçi para deputetëve, e cila përcaktonte edhe vijat e kuqe se çfarë mund të bisedohet e çfarë jo, si dhe në debatin e zhvilluar në seancë, ku kishte pikëpamje të ndryshme.

     Në emër të grupit parlamentar të PDK-së, deputeti Adem Grabovci, tha sot në seancën e Kuvendit se “kemi bërë përpjekjeje që të gjejmë një gjuhë të përbashkët dhe ky dokument të jetë i përbashkët, por grupet e opozitës, AAK, LDK dhe Vetëvendosje nuk e panë të udhës të nënshkruajnë këtë dokument”.

     Mësohet se shefat e grupeve parlamentare nuk kishin arritur t’i harmonizojnë qëndrimet për të paraqitur para deputetëve një rezolutë të përbashkët lidhur me dialogun Kosovë-Serbi. Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës kishin paralajmëruar se do ta votojnë projektrezolutën për bisedime, nëse përfshihen edhe qëndrimet e tyre. Ndërsa Lëvizja Vetëvendosje, e cila është kundër bisedimeve me Serbinë pa i plotësuar ajo disa kushte, kishte paralajmëruar se do të votojë kundër rezolutës.

     Edhe sot në “deklarime jashtë rendit të ditës” u prezantuan qëndrime të ndryshme rreth dialogut nga deputetë të pozitës dhe opozitës.      Raundi i parë i bisedimeve Kosovë-Serbi si dy shtete të pavarura, por të panjohura reciprokisht, për çështje praktike u zhvillua gjatë dy ditëve të kaluara në Bruksel. Burimet thonë se janë përafruar qëndrimet rreth kadastrave, regjistrit civil dhe trafikut ajror dhe se ka dallime të mëdha rreth vulave të Doganave të Kosovës.

K O M E N T E

SHKRUAJ NJË KOMENT

Ju lutem, shkruaj komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaj emrin tuaj këtu