Monumenti „Martiret“ në Elbasan
Nail Draga, Ulqin
- 23 gushti- Dita Europiane e Kujtesës së Viktimave nga Regjimet Totalitare
Data e 23 gushtit është e veçantë sepse kjo ditë në sajë të Deklaratës së Parlamentit Europian nga 23 shtatori 2008, është shpallur Dita Europiane e Kujtimit të Viktimave të Regjimeve Totalitare. Kemi të bëjmë me një datë simbolike, sepse me 23 gusht të vitit 1939 është nënshkruar marrëveshja Ribentrop-Molotov, në lidhje me mossulmimin në mes Gjermanisë e Bashkimit Sovjetik. Nga ajo datë Europa kujton me pietet viktimat e regjimeve totalitare të cilët likuiduan me miliona individë, ndërsa vendet e ish kampit socialist në Europën Juglindore në mungesë të vullnetit politik ende hezitojnë të denojnë krimet e tilla.Dëshmi e një konstatimi të tillë është mos shënimi i kësaj date si në Shqipëri, Kosovë, Mal të Zi e Maqedoni të Veriut, qe nuk mund të arsyetohet më asgjë, duke e ditur se shqiptarët gjatë diktaturës komuniste përjetuan krime të ndryshme. Ndërsa shteti amë-Shqipëria ishte nder vendet me kriminale komuniste në Europën Juglindore, me pasoja të mëdha shoqërore deri në ditët tona.
Në rrethana të reja shoqërore pas falimentimit të ideologjisë komuniste dhe dështimit të sistemit socialist, duke filluar me rënien e Murit të Berlinit(8.11.1989) dhe miratimit të pluralizmit në vendet e ish kampit socialist, filloj rishkrimi i historisë me argumente, duke dëshmuar vuajtjet e përsekutimet e qytetarëve në sistemet totalitare. Kemi të bëjmë me kohën e lirisë personale e shoqërore e cila ka eliminuar paragjykimet duke shpalosur të kaluarën e popujve nën pushtetet diktatoriale komuniste me pasoja të mëdha për qytetarët e tyre vendëve, ku as shqiptarët nuk ishin përjashtim, me pasoja të mëdha shoqërore dhe kombëtare.
Ende pa përcaktimin e ditës së viktimave
Në lidhje me këtë çështje Kuvendi i Malit të Zi në vitin 2006 ka miratuar Rezolutat e Këshillit të Europës: nr. 1096, nga viti 1996, “Masat për të çrrënjosur trashëgiminë e sistemeve totalitare komuniste”, dhe nr. 1481, nga viti 2006 “Domosdoshmëria për dënimin ndërkombëtar të krimeve të regjimeve totalitare komuniste”, por dita e kujtimit të tyre viktimave deri më tash ënde nuk është përcaktuar. Nga një qendrim i tillë pushteti në Mal të Zi nuk ka respektuar rekomandimin e Parlamentit Europian, duke dëshmuar mungesën e vullnetit politik për tu ballafaquar me të kaluarën.
Po ashtu, Parlamenti europian ka miratuar rekomandimin ku theksohet që çdo vend duhet të përcaktojë kohën dhe mënyrën e shënimit të kujtimit ndaj viktimave të regjimeve totalitare, duke ia përshtatur historisë dhe traditës së tyre. Por, me gjithë obligimet e detyrueshme deri më tash në Mal të Zi kemi një heshtje në këtë drejtim, andaj edhe sot nuk ekziton një datë e cila do të shënohej si Dita e kujtesës së viktimave të komunizmit, sikurse kanë vepruar vendet tjera nga ish kampi socialist.
Qasje të dyfishta të pushtetit në Mal të Zi
Me këtë rast duhet cekur se Kuvendi i Malit të Zi në vitin 1992 ka miratuar Deklaratën së shteti obligohet të rehabilitojë viktimat e Goli Otokut(1948), si dhe të dëmshpërblejë familjet e tyre.
Nga një qendrim i tillë del qartë se kemi standarde të dyfishta, duke eliminuar krimet para vitit 1948, ku trajtojnë vetëm ata të Goli Otokut, athu se krimet e komunizmit kanë fillu nga ajo kohë, e jo më parë nga instalimi i komunistave në pushtet( nëntor 1944). Një qasje e tillë është diskriminuese sepse do të legalizoheshin krimet e më hershme, ndërsa viktimat do të mbeteshin të pa evidentuara ndërsa ekzekutorët të pa ndeshkuar.
Pra, qasja duhet të jetë e pranueshme për të gjithë e jo të ketë diferencime, në aspektin kombëtar, sepse represioni ka pasur përmasa të mëdha varësisht prej rrethanave shoqërore. Në këtë aspekt deri më tash nuk janë cekur fare viktimat e shqiptarëve, sikurse është Masakra e Tivarit(1.4.1945), duke mbetur temë e pa trajtuar për opinion e gjerë në Mal të Zi
Krimeve nuk iu skadon afati kohor
Por, në deklaratën e Parlamentit europian të miratuar në shtator të vitit 2008, në kujtim të viktimave të komunizmit dhe nazizmit thuhet se „në bazë të ligjit ndërkombëtar, nuk skadon kurrë afati për dënimin e krimeve të luftës dhe krimeve kundër njerëzimit“. Andaj, për të trajtuar çështjet e tilla duhet pritur një moment tjetër më të përshtashëm sepse për tash nuk ekziston vullneti politik i pushtetit, për ballafaqim më të shkuarën e krimeve të komunizmit në Mal të Zi.
Pikërisht duke marrë parasysh së nuk ekziston qasje unike mendoj se duhet inicuar Ligjin për të rehabilituar qytetarët të cilët kanë përjetuar krime nga koha e komunizmit, nga viti 1944-1990. Madje duhet paraparë dëmshpërblimin ndaj familjeve të viktimizuara, sepse vetëm në këtë mënyrë do të eliminohej një padrejtësi ndaj qytetarëve të pafajshëm në kohen e komunizmit.
Shqipëria vendi me i përsekutuar në ish kampin socialist
Si askush tjetër në Europë, shqiptarët në Shqipëri kanë arsy ta përkujtojnë këtë ditë, sepse nga pushteti komunist i instaluar janë ekzekutuar më mijëra me dhe pa gjyq, për liri dhe demokraci për të ndërtuar një shoqëri sipas vlerave demokratike europiane. Të dhënat për periudhën kohore në Shqipëri (1944-1991) janë trishtuese që iu ka tejkaluar nazistëve, e ate nga pushtetarët vendas në emër të ideologjisë komuniste. Deri me tash statistika në Shqipëri ka dhënë këto informacione:
34,135 shqiptarë janë burgosur dhe dënuar për arsye politike.
59,009 qytetarë u internuan në kampe përqendrimi.
7.022 prej tyre vdiqën prej trajtimit shatazarak.
984 persona kanë vdekur në burgjet e regjimit.
6.027 burra dhe gra, djem dhe vajza u ekzekutuan me dhe pa gjyq gjatë diktaturës.
Nga torturat dhe dënimet e kohës, 308 persona kanë humbur aftësitë mendore gjatë qëndrimit në burgjet e komunizmit.
Krimi komunist shqiptar është krimi më i rëndë komunist në Europë, por akoma më e rëndë se ky krim, është zhdukja e gjurmëve të krimit. Mosgjetja e eshtrave të mbi 4500 të ekzekutuarve me dhe pa gjyq, dëshmon se pushteti kriminal si qellim kishte për të zhdukur edhe gjurmët e krimit të tyre. Botimet e ndryshme pas vitit 1991 e deri në ditët tona e dëshmojnë në mënyrë transparente një konstatim të tillë.
Memoriali i munguar
Ndonëse nga faleminitimi i komunizmit si ideologji e socializmit si rënd shoqëror kanë kaluar tri dekada, ndaj çështjës së krimeve të komunizmit nuk është bërë aq sa ata meritojnë, nderimin dhe sakrificën për lirinë dhe demokracinë në Shqipëri. Mos angazhimi nga qeveritë për ngritjen e një memoriali përkujtimor në Tiranë, nuk mund të arsyetohet më asgjë. Ne këtë aspekt kanë dështuar edhe në Prishtinë e Shkup sepse edhe në Kosovë e Maqedoni të Veriut persekutimi i shqiptarëve si në aspektin ideologjik dhe kombëtar ka pasur përmasa të mëdha. Është obligim moral dhe kombëtar të nderojmë sakrificën e atyre që kanë kontribuar për lirinë, demokracinë dhe mbrojtjen e identitetit kombëtar shqiptar.
Por, në këtë aspekt më sa jemi të informuar në Shqipëri përjashtim bën vetëm Elbasani, ku aty në vitin 2013 është inauguruar monumenti „Martirët“ kushtuar viktimave të komunizmit që si duket është i vetmi në vend.
Në Ulqin duhet të jetë një monument i tillë
Duke marrë parasysh se përmasat e krimeve të komunizmit kanë qenë të pranishme edhe të shqiptarët në Mal të Zi, nga Ulqini në jug dhe Rozhaja në veri, edhe këtu është dashur të punohet në këtë drejtim. Sepse me vendosjen e pushtetit të komunistëve nga nëntori 1944 e më pas janë likuiduar një numër i konsideruar i shqiptarëve, si armiq të pushtetit apo kundërshtar ideologjik, me apo pa vendime gjyqësore, ku disa prej tyre ende sot janë pa varre.
Në nderim të tyre në Ulqin duhet të ngritet një memorial, si kudo në botën demokratike. Një ide e tillë duhet të inicohet nga pushteti lokal dhe partite politike të shqiptarëve, ku mund t´iu bashkohen edhe ata të ashtuquajtura qytetare.
Me këtë rast ia vlen të cekim se gjatë konsultimit për regjistrin e emërtimive të propozuara për rrugët e qytetit të Ulqinit në vitin 2015, nga ana e komisionit nga Ministria e kultures, autorit të tyre rreshtave iu rekomandu qe propozimi qe një rrugë të emërtohet “Viktimat e komunizmit” te hiqet nga regjistri i emërtimeve të propozuara. Një veprim i tillë ishte dëshmi për të kuptuar se këtu ende jetojnë me mentalitetin e kohës së pushtetit monist edhe tash në pluralizëm. Por, pavarësisht momentit politik dhe rrethanave shoqërore ne këtë aspekt duhet insistuar përseri se është obligim moral dhe qytetar ndaj viktimave të komunizmit, sepse punët tona nuk na i kryejnë të tjerët.
Rezoluta e Kongresit të SHBA-ve
Pikërisht në lidhje me këtë çështje Kongresi i SHBA me 21 maj 2014 ka miratuar rezolutën në mbeshtetje të ditës kushtuar viktimave të regjimeve komuniste dhe naziste “për të kujtuar dhe për të mos harruar kurrë terrorin e ushtruar ndaj miliona qytetarëve të Evropës Lindore dhe Qendrore, për më shumë se 40-vjet, nëpërmjet shtypjeve ushtarake, ekonomike dhe politike, duke përdorur ekzekutimet arbitrare, arrestimet në masë, deportimet, shtypjen e fjalës së lirë, konfiskimin e pronës private, si dhe shkatërrimin e identitetit kulturor dhe moral të kombeve…”, forma shtypëse këto që gjatë dekadave kanë “çuar në krime jashtëzakonisht të mëdha të bëra me paramendim kundër miliona njerëzve duke shtypur në mënyrën më flagrante të drejtat e tyre bazë të njeriut, duke i ndarë ata nga bota demokratike me një perde të hekurt dhe me Murin e Berlinit”, thuhet, ndër të tjera, në rezolutën e Kongresit të Shteteve të Bashkuara, kushtuar Ditës Evropiane të Viktimave të Totalitarizmit.
Dëshmi për brezat
Andaj përkujtimi i Ditës së Kujtesës duhet të jetë pjesë e programeve mësimore në shkolla fillore dhe të mesme, si leksion i detyruar, për të kuptuar vuajtjet dhe persekutimin e qytetarëve në kohën e komunizmit. Brezat e rinjë duhet të dijnë për viktimat e komunizmit dhe nazizmit, siç ishin burgosjet, vrasjet me e pa gjyqë, deportimet, internimet, izolimet, kampet e punës dhe te përqendrimit, duke qenë dëshmi për brezat e sotëm e ato që do të vijnë më pas.
(27 gusht 2023)