ARKIVI:
26 Dhjetor 2024

VIP – ulësja nuk të bën zotni e as lider

Shkrime relevante

Kryeministri merr rolin e gjykatësit!

Florim Zeqa I gjithpushtetshmi i vendit, Kryeministri i cili nuk i respekton...

Serbja Sonja Biserko, zëri i së cilës nuk po dëgjohet nga ndërkombëtarët, “analistët tonë” dhe disave nga opozita e Kosovës

Nga: Gani Mehmeti Biserko: Lista Serbe është përgjegjëse për gjithë situatën në...

Vargje me nismë të mbarë, recension për librin e Bashkim Halilajt, “Gjurmë ecjesh“

Shefqet DIBRANI VARGJE ME NISMË TË MBARË Bashkim Halilaj, “GJURMË ECJESH“, vargje, botoi...

Pabesueshmëria e absurdeve të “BIG BROTHER”

Nga: Lirim Gashi Sara nga Tirana dërgon çdo ditë lutje në qiell,...

Shpërndaj

Dijana Toska
___
Një shfaqje teatrale filloi me 30 minuta vonesë ngase pritej të vinte një biqim politikani i cili pasi erdhi namuzlija kokën se ngriti nga telefoni ngase shfaqja ishte ndërthurur me akte seksuale dhe sa herë aktorja klithte ky i shkreti humbiste realitetin me ambientin momental ku ishte.
Çfarëdo që organizohet është bërë zakon patjetër në rend të parë të ulen politikanët, patjetër duhet të përshëndeten në mënyrë të veçantë nga organizatori, patjetër çdo folës duhet ti përshëndes dhe patjetër duhet të mbajnë një fjalë rasti kurtoazije të shkruar nga dikush tjetër.
Viteve të fundit kam filluar të injoroj shumë ftesa për ngjarje të natyrave të ndryshme duke përzgjedhur vetëm ato me të cilat jam e lidhur shpirtërisht dhe mundësisht ku nuk janë të pranishëm figura politike. Vetë prezenca e tyre që në hyrje po i humb çdo shije ngjarjes nga servilizmi i pakontolluar i njerëzve duke filluar nga organizatori e deri te shpirtrobërit të cilët në vend që të iluminohen nga ngjarja zgjedhin përuljen për ti bërë lajka një politikani që është aty falë votës së po këtyre puthadorëve.
Disa politikan i japin vlerë vetes vetëm duke ia ulur vlerën të tjerëve, duke abuzuar e përdhosur vlerat qytetare, kulturore dhe kombëtare të kombit të vet, atyre nuk u interesojnë gjërat e përbashkëta ngase liria e pakufishme ekziston vetëm për ta dhe të gjitha benefitet absolutisht janë vetëm të tyre dhe dy tre shokëve të tyre të partisë, prandaj dhe vonohen në një shfaqje sepse nuk respektojnë as institucionin, as trupën aktoriale as auditoriumin.
Skllavërimi na është shndërruar në stil të të jetuarit dhe si duket nuk po dijmë të jetojmë pa vuajtur, i kemi vendosur zinxhirët me dashje e si zgjidhje, liria për ne është dhuna psiqike dhe sot nuk kemi më të voglën dëshirë ta përqafojmë ndryshimin sepse lideri ynë i shpifur ende ka nevojë për vazal dhe shpirtëra të dehur që nuk janë të aftë të çmojnë lirinë dhe mbrojnë të drejtat e tyre, lideri kërkon dhe gjen njerëz të vegjël nga turma, prandaj me lehtësi e ka të rezervuar ulësen e parë kudo që shkon, në universitet, akademi e institut e gjetiu bash si në shtëpin e vet.
Vota ka rëndësi nëse jeton në një shtet demokratik ku sillen ligje për të ngritur nivelin e mirëqenjes së njerëzve e tek ne shpenzohet jeta për mirëqenjen e një politikani i cili brenda natës prej analfabeti bëhet “intelektual“ me diplomë fakulteti, prej vagabondi shndërohet në shef të nëntokës i cili në emër të partisë vret e pret çdo hallegji, për milionerët e partive që vjedhin në emër të votës tonë nuk na bahet vonë, bile viteve të fundit kemi edhe do lloj milioner të ri partish që në emër të votave tona marrin miliona nga shtete të tjera për të na asimiluar, e ne vazhdojmë të vdesim për ta, duke ua rezervuar gjithmonë ulëset VIP në vendet e para sepse ndryshe nuk jemi mësuar të përjetojm gëzim kolektiv.
Politikanët vendin e tyre e kanë mirë të përcaktuar në qeveri, parlament e gjetiu të cilin nuk do tua lëshonin askujt as për të madhin Zot, prandaj na duhet një reflektim intelektual që nuk na kushton asgjë për ti vendosur disa parime elementare të mirësjelljes, kulturës së komunikimit të cilat do ti eliminonin këto zakone të pashkruara ndër shqiptarët e që na kanë burgosur shpirtin dhe ul dinjitetin për toke.
Në një tryezë shkencore çfarëdo që trajtohet në rend të parë duhet ulur shkenctarët, akademikët, hulumtuesit, e profesorë, ndërsa çdo politikan i mençur duhet ulur diku në mes të sallës bashkë me studentë e të tjerë sepse njeriu gjithmonë ka nevojë për të zgjëruar horizontet e diturisë.
Në një manifestim kulturor në rendin e parë duhet ulur doajenët e kulturës në shenjë respekti e mirënjohjeje për punën e tyre, pastaj profesionistët e kësaj lëmie që merren me kulturë e aty afër diku edhe politikani, përveq që mund të mësoj shumë gjëra të reja mbi traditën e kulturën tonë të lashtë do të pasurohet edhe shpirtërisht.
Në një shfaqje teatrale në rendin e parë duhet ulur doajenët e teatrit, kritikët e gazetarët që përcjellin teatrin, pastaj artëdashësit e flaktë e diku në mes edhe politikanët që të mund ta shijojnë bashkarisht me qytetarët bukurin që sjell arti.
Në manifestimet kushtuar Nënë Terezes dhe ato humanitare në rend të parë duhet ulur motrat e Nënë Terezes dhe njerëzit me aftësi të kufizuara për të cilët ajo u kujdes gjithë jetën e sajë, e diku në mes të humanistëve edhe politikanët që të kenë mundësi të mësojnë se çka do të thotë bamirësia, çka do të thotë të jesh njeri me këmbë në tokë dhe çfarë privilegji është të jesh bir apo bijë e Nënë Terezes dhe të ndjekish rrugën e saj e Zotit tënd të lavdishëm.
Bota e civilizuar voton një politikan me shpresë për tia zbukuruar jetën dhe pret e kërkon llogari nga ai sepse e konsideron shërbyes të tij, ndërsa në çdo manifestim kulturor, qoftë në kinema,teatër apo operë ndihet qytetarë i barabartë edhe me presidentin e shtetit sepse ulëset i ka rezervuar sistemi demokratik i cili respekton qytetarin e jo profesionin momental që dikush ushtron. Presidenti i Finlandës Sauli Ninisto i votuar nga 72% e popullatës, në mandatin e dytë kërkoi që ti zvogëlohej rroga për 30% ndërkohë që në një panair të librit përveq që bleu libra, ai u ul në shkallët e panairit si zotni për të përcjellur një promovim ndërsa të gjitha ulëset ishin të mbushura me qytetarë.
VIP ulësja nuk të bën zotni, as lider e burrështetas.

K O M E N T E

SHKRUAJ NJË KOMENT

Ju lutem, shkruaj komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaj emrin tuaj këtu

Artikulli përpara
Artikulli tjetër