ARKIVI:
10 Janar 2025

Vizita e Jim Xhema në Prishtinë – Me fotografi 

Shkrime relevante

Rrëfimi im se si herë pas herë eksperimentoj me studentët

Ervina Toptani, shkrimtare, Vjenë ___ Nuk e kam zakon të ndaj rutinën time...

Sovraniteti territorial dhe shtetëror i Kosovës alias “Dialogu për normalizim”

Agim Vuniqi Konflikti midis Kosovës dhe Serbisë për sovranitetin territorial dhe shtetëror...

Rrugaçëria opozitare dhe nekrologjia e humbjes

Afrim Caka, Gjakovë Shumë nekrologji e veprime “bombë”, nga ato që bënë...

Jemi Shqiptarë; si Gegë, si Toskë, si Arbëresh, si Arvanitas apo Arnaut

Nga: Fahri Dahri Disa ditë më parë dëgjova një bisedë televizive ku...

Ku mbetën ligjet e lustracionit dhe dekriminalizimit?!

Florim Zeqa Për aq sa ka nevojë pastrimi i listave të votuesve...

Shpërndaj

Nga Frank Shkreli 

Një kombinim i mrekullueshëm veprimtarie prej dekadash. Jim Xhema një patriot i madh shqiptaro-amerikan, i cili nuk kurseu asgjë për lirinë dhe të drejtat e Kosovës dhe të shqiptarëve. Bob Dole, një Senator republikan i madh dhe Dr. Ibrahim Rugova, një udhëheqës shqiptar i Kosovës, që fitoi zemrat e jo vetëm të shqiptarëve, por edhe të mbarë botës së qytetëruar. I ftuar nga Kryetari i Prishtinës, Z. Përparim Rama për të vizituar Kosovën me rastin e 15-Vjetorit të Shpalljes së Pavarësisë së Republikës së Kosovës, Z. Jim Xhema kaloi 4-5 ditë në Kosovë, ku u takua me udhëheqësit më të lartë të vendit dhe me shumë qytetarë. Fotot më poshtë janë vetëm një pasqyrim i vogël i vizitës së tij shumë të ngjeshur, javën e kaluar.

Kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama me bashkëshorten Kristalen kanë pritur në vizitë veprimtarin e shquar shqiptaro-amerikan, Jim Xhema. 
Me këtë rast, kryetari Rama i ndahu mirënjohje veprimtarit Xhema për atdhedashurinë dhe punën e palodhshme për çlirimin e Kosovës.
Në mjediset e Komunës së Prishtinës

Pas takimit me Kryetarin e Prishtinës, Z. Përparim Rama, Jim Xhema u prit në Presidencë nga Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani. Presidentja Osmani i dorëzoi medaljen “Urdhri i Lirisë”, veprimtarit të njohur të mërgatës shqiptare të Amerikës, Z. Jim Xhema. Zonja Osmani ka theksuar se mërgata shqiptare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës është urë e fortë lidhëse ndërmjet Republikës së Kosovës dhe popullit shqiptar në Ballkan me aleatin strategjik, Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Ajo e cilësoi Z. Jim Xhema një ikonë të mërgatës shqiptare në Amerikë, i cili për më shumë se tri dekada ka dhënë një kontribut të pazëvendësueshëm për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës.

Ndërkaq aktivisti i çështjes kombëtare në Amerikë, Z. Jim Xhema shprehu mirënjohjen e tij të thellë për Presidenten e Republikës së Kosovës dhe institucionet e Kosovës për mikpritjen dhe respektin. Ai tha se liria dhe pavarësia e Kosovës ka qenë beteja jetësore e tij dhe e të gjithë shqiptaro-amerikanëve, duke shtuar se dekorimi me medaljen, “Urdhri i Lirisë”, është respekt dhe mirënjohje jo vetëm ndaj tij, por edhe ndaj veprimtarëve shqiptaro-amerikanë, të cilët për vite dhe dekada kanë punuar për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës dhe për forcimin e marrëdhënieve strategjike në mes të Republikës së Kosovës me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Nga Presidenca Z. Jim Xhema shkoi në Kryeministri ku u takua me të parin e qeverisë së Republikës së Kosovës, Kryeminstrin Albin Kurti. Kryeministri Kurti e falënderoi përzemërsisht z. Xhema për kontributin e tij të çmuar në promovimin dhe fuqizimin e çështjes shqiptare dhe të Kosovës në ShBA, veçanërisht, përmes raporteve të mira me Senatorin Bob Dole e kongresistin Tom Lantosh. Roli i mërgatës shqiptare në Amerikë, shtoi ai, për çlirimin dhe pavarësimin e vendit ka qenë kyç, dhe se edhe sot vazhdon të jetë po aq i rëndësishëm në zhvillimin dhe afirmimin e Kosovës. Z. Xhema falënderoi Kryeministrin Kurti për pritjen e ngrohtë që i pari i qeverisë së Kosovës i bëri atij dhe delegacionit shqiptaro-amerikan.

Aktivisti prej dekadash i çështjes kombëtare, Jim Xhema me Kryeministrin e Kosovës, Z. Albin Kurti

Nga Kryeministria, Z. Jim Xhema me delegacionin shqiptaro-amerikan shkuan për të përshëndetur familjen e Presidentit të parë dhe historik të Republikës së Kosovës: mikut të tij dhe mbarë komunitetit shqiptaro-amerikan ndër vite si dhe bashkpunëtorit të tij të ngushtë prej dekadash, Dr. Ibrahim Rugovës. Ishte ky një takim shumë i ngrohtë me pjestarët e familjes së ish-Presidentit të ndjerë, përfshirë bashkëshorten e tij të nderuar – dhe plot kujtime dhe emocione.

Jim Xhema me grupin në një takim të ngrohët dhe plot emocione e kujtime me familjen e Presidentit të parë historik të Republikës së Kosovës, Dr. Ibrahim Rugova, mik dhe bashkpunëtor i ngushtë për fatet e Kosovës i Z. Xhema në banesën e familjes Rugova në Prishtinë.
Duke bërë nderimet e rastit tek varri i Presidentit Dr. Ibrahim Rugova

Rruga “A” për rreth Prishtinës tani e tutje do të bartë për gjithmonë emrin e veprimtarit të madh të shqiptaro-amerikanit të shquar, Z. Jim Xhema. Gjatë ceremonisë, Kryetari i Prishtinës, Z. Rama tha se ndjehet falënderues ndaj veprimtarit Jim Xhema për kontributin e tij që ka dhënë për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës. Rama tha se për të nderuar veprën e tij, komuna e Prishtinës ka vendosur që ta emërojë rrugën “A” në emrin e tij. “Është sot nder i veçantë edhe kënaqësi me e pasë këtu veprimtarin e heroin e kohërave tona. Siç e dini, zotëri Xhema ka kontribuar për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës dhe është marrë me këtë aspekt gjithë jetën e tij. Kemi nderin sot që kemi atdhetarin tonë këtu. Ne kemi vendosur që ta nderojmë dhe përjetësojmë veprën e tij nëpërmjet rrugës “A”, që tash rruga “A”, thirret ‘Jim Xhema’. Jim Xhema dhe i pari i Prishtinës kujtuan vizitën historike të Senatorit Dole në vitin 1990 në Prishtinë.- “Moment ky i njohur si “pikë kthesë për lirinë e Kosovës, që ia hapi sytë bashkësisë ndërkombëtare mbi abuzimet e vazhdueshme të të drejtave të njeriut në Kosovë”, pasi ç’prej atëherë Zoti Dole u bë zë i fuqishëm në politikën amerikane për çështjen e Kosovës”.

Jim Xhema falënderoi përzemërsisht Kryetarin e Prishtinës, Z. Përparim Rama për nderin dhe respektin që i ka akorduar ai dhe Këshilli i Komunës së Prishtinës, duke përjetësuar emrin e tij me emrim e një nga rrugët më kryesore të kryeqytetit të Republikës së Kosovës, në emër të tij.  Në nderim të veprës së Jim Xhemës, Komuna e Prishtinës kishte organizuar një varg aktivitetesh gjatë ditës së martë.

Nga inaugurimi i rrugës “A” me emrin e aktivistit të madh shqiptaro-amerikan, Jim Xhema, duke përjetësuar emrin e tij për brezat e ardhshëm në Prishtinë dhe Kosovë, falë kontributit të tij të pazevëndësueshëm, për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës.

Jim Xhema në Universitetin e Biznesit dhe Teknologjisë në Prishtinë (UBT)

Me këtë rast, veprimtari Jim Xhema ka thënë se edukimi është esencial për çdo vend që të ketë sukses për të përballuar ardhmërinë.

“Është imperativ që ju të merrni studimet shumë seriozisht. Pa ju dhe gjeneratën që tani rritet në Kosovë ne do të jemi në situatë të vështirë që të zëvendësojmë gjeneratat e vjetra. Unë personalisht do të qëndroj i kyçur këtu me ju dhe të themeloj fonde personalisht dhe nga shokët e mi që të sigurohemi që ne i arrijmë qëllimet së bashku. Ne kemi arritur shumë, por udhëtimi juaj është i gjatë”,- u ka thënë Jim Xhema të pranishmëve.

Jim Xhema duke folur në  Konferencën shkencore në UBT , ku u bëri thirrrje studentëve që t’i marin studimet seriozisht” 
Jim Xhema në vizitën në kryeqytetin e Kosovës, u ndalua edhe në Katedralen “Nënë Tereza”, ku ndezi një qiri në kujtim të bashkëshortes së ndjerë Mrika.
Jim Xhema me Ipeshkvin e Kosovës, Mons. Dodë Gjergji.
Duke u përshëndetur me Presidentin e Shqipërisë, Z. Bajram Begaj në Prishtinë.
Jim Xhema mori pjesë edhe në paradën ushtarake Ditën e Pavarësisë së Kosovës, ku morën pjesë mijra qytetarë të Prishtinës dhe nga të gjitha trojet shqiptare, të cilët me të dalluar pjesëmarrjen e Jim Xhemës në parakalimin e forcave të armatosura të Kosovës, filluan të thërrisnin emrin e tij: “Jimmy, Jimmy, Jimmy…”
Në Prekaz —
Gjatë qëndrimit të tij në Kosovë, Jim Xhema vizitoi edhe Prekazin për të nderuar familjen Jashari. “Kjo është dëshmi se çka na kanë bërë… e të mos harrojmë se çfarë po ndodh. Ejani këtu dhe bëni respekt, respektoni njerëzit, që paguan çmimin me familjet e tyre dhe fëmijët shtatë vjeç e pesë vjeç”,- është shprehur Xhema për median.         
Jim Xhema duke bërë nderimet e tija para monumentit të Presidentit të Shteteve të Bashkuara, Z. Bill Clinton në Prishtinë javën që kaloi. Siç dihet Presidenti Clinton, me ndihmën e Senatorit Dole në Senatin Amerikan siguroi mbështetjen e Kongresit për të urdhëruar NATO-n të sulmonte forcat terroriste ushtarake dhe policore serbe, që po kryenin krime kundër njerëzimit ndaj popullatës shqiptare në Kosovë. 
Xhim Xhema para bustit të Senatorit Robert Dole: mikut të tij të ngushtë prej dekadash dhe mikut të madh dhe mbështetësit të vendosur të Kosovës dhe shqiptarëve – Prishtinë, 17 shkurt, 2023

K O M E N T E

SHKRUAJ NJË KOMENT

Ju lutem, shkruaj komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaj emrin tuaj këtu