Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka emëruar Vehbi Miftarin ambasador në Misionin e Posaçëm në Vatikan.

Nga 1 shkurti, Miftari do të udhëheqë misionin e sapothemeluar të Kosovës në Vatikan, duke lënë pozitën e këshilltarit politik të presidentes Osmani.

Lajmin e ka bërë të ditur vetë ai përmes një postimi në Facebook.

“Sot, pas tri vjetësh angazhimi si këshilltar politik i Presidentes Vjosa Osmani, e përmbylla angazhimin tim në Zyrën e Presidentes së Kosovës. Ka qenë përvojë fort e vyer në shërbim të Republikës”.

Vehbi Miftari me Vjosa Osmanin

“E falënderova Presidenten për bashkëpunimin e shkëlqyer dhe besimin e saj dhe të institucioneve të vendit që nga 1 shkurti të udhëheq misionin e sapothemeluar të Kosovës në Selinë e Shenjtë/Vatikan”, ka shkruar Miftari në Facebook.

Ndryshe, Osmani dy javë më parë ka dekretuar hapjen e Misionit të Posaçëm të Kosovës në Selinë e Shenjtë në Vatikan. Ajo ka thënë se dekretimi formal i Misionit të Posaçëm të Kosovës në Selinë e Shenjtë vjen pas dy vite përpjekjesh intensive së bashku me lidershipin e Vatikanit.