Në një intervistë për Christiane Amanpor në CNN, presidentja Vjosa Osmani tha se akti i agresionit serb ishte i planifikuar, plan i ngjashëm me atë të Krimesë, për aneksimin e veriut.

“Akti i qartë i agresionit serb në Kosovë ishte i planifikuar nga aparati shtetëror i Serbisë dhe i realizuar nga grupet paramilitare e terroriste. Ky plan ishte i planifikuar mirë, i strukturuar me kujdes dhe i përpiluar me idenë e qartë të realizimit të një plani të ngjashëm me atë të Krimesë për aneksimin e veriut të Kosovës. Ky plan vazhdoi me vendosjen e trupave në vijën kufitare me Kosovën, jo vetëm në veri, por edhe në pikat e tjera kufitare, me qëllim të eskalimit të situatës. Por njëkohësisht, qëllimi i Serbisë është të vazhdojë me planin e destabilizimit të Ballkanin Perëndimor, si dhe për t’i mundësuar Putinit të hap një front të ri kundër Perëndimit, përmes Ballkanit Perëndimor”, ka theksuar presidentja Osmani, transmeton RTKlive.

Ajo tutje tha se “është shumë me rëndësi që të sanksionohet e dënohet Serbia për veprimet e saj nga faktori ndërkombëtar. Çdo dëshmi tregon lidhjen direkte të shtetit serb me atë që ndodhi në veri të vendit. Armët që janë gjetur përdoren nga ushtria dhe shteti serb, e jo nga qytetarët serbë.  Vuçiqi do të vazhdojë ta përdorë narrativën e Millosheviqit”.

Osmani ka thënë se Kosova është viktimë e aktit të agresionit të para një jave. Presidentja gjatë kësaj interviste ka kërkuar që Serbia ta dorëzojë kryeterroristin Milan Radojçiq.

“Kërkesë e Kosovës është që Radojiçiqi të dorëzohet te autoritetet e Kosovës”, ka thënë e para e shtetit.

Duke folur për dialogun në Bruksel, presidentja Osmani ka thënë se “Kosova është palë konstruktive në dialog” dhe është zotuar se “Kosova do t’i zbatojë obligimet e saj nga marrëveshja e Ohrit”.

Në intervistën e dhënë mbrëmë po ashtu për Amanpour, presidenti i Serbisë, Vuçiq kishte thënë se Serbia ka larguar trupat nga vija kufitare me Kosovën, pas ankesës së Kosovës dhe kërkesës së BE-së dhe SHBA-së që ta bëjnë këtë, por presidentja Osmani tha se “mbetet ende që kjo të konfirmohet dhe po punohet ngushtë me aleatët ndërkombëtar që një gjë e tillë të konfirmohet”.