Gani I. Mehmeti
A kishte këtë shqetësim Vuçiqi deri sot?
Përse sot është i shqetësuar me politikën evropiane në lidhje me Kosovën?
Vuçiqi, nuk ka nevojë të shqetësohet asgjë rreth Kosovës dhe për Kosovën. Kosova nuk është problem i Vuçiqit. Vuçiqi të interesohet për Serbinë, pa Kosovën.
Për Kosovën ka kush interesohet!
Kosova është shtet i pavarur tani e 17 vite, dhe është mirë që ta lë rehat ai atë. Nëse ka të drejtën të intereshet për serbët brenda Kosovës, ata janë më mirë, janë të sigurt e me të drejtat më të mëdha edhe kombëtare edhe njerëzore se në çdo shtet tjetër, por me kushtin që, të integrohen në Republikën e Kosovës, që vet Vuçiqi po i fton të mos integrohen e të mos e njohin republikën e Kosovës, me çka po gabon shumë, sepse dashti e nuk dashti, e pranoi e nuk epranoi Vuçiqi, Kosova është shtet, i shpallur jo njëanshëm, por me të gjitha shtetet demokratike perëndimore, në krye me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Vuçiq, vetëm zullumi këputet prej së trashi! – thotë një fjalë e urtë popullore shqiptare. Këtë zullum e bëtë ju serbët, duke pretenduar që krejt Jugosllavia të ishte Serbi, për çka i shkaktuat katër lufta: në Slloveni, Kroaci, Bosnje e Hercegovinë dhe në Kosovë.
Gjermanina naziste u dënua si shkaktare e Luftës së Dytë Botërore. Është keq që nuk u dënua edhe Serbia, si shkaktare e luftërave në këto katër njësi të ish Jugosllavisë. Po të dënoheshit, nuk do të ishe i “shqetësuar” fare për Kosovën., se ajo do të ecte drejt rrugës së sajë.
E, nëse, Vuçiq mendon për serbët e Kosovës, ai do duhej ta njihte Pavarësinë e saj, të lidhte marrëdhënie shtetërore me Kosovën, se marrërdhënie miqësore nuk e di a do të mund të kemi ndonjëherë, pas luftës së viteve 1998/1999, ku vratë, pretë, maltretuat, dhunuat dhe shkatëruat Kosovën, me qëllim që populli shqiptar të mos ketë as ku të kthehet pas ndjekjes nga nga shtëpitë e veta gati për tre muaj.
Vuçiq, përse nuk ke ndjenja njerëzore për shqiptarët në Serbi? Ti mendon vetëm keq për shqiptarët kudo që janë.
Po, përse deri sot nuk ishte i shqetësuar Vuçiqi? Jo, se kishte ndërmjetësues të bisedimeve proserbët, Borell e Lajçak, të cilët, në vend se t’i venin masat e sanksionet ndaj Serbisë për mos vënien e sanksioneve ndaj Rusisë, për sulmet dhe plagosjet e ushtarëve të KFOR-it dhe për moszbatimin e Marrëveshjeve të Brukselit dhe të Ohrit të vitit 2023 mes Kosovës e Serbisë. Këta, pra Borell e Lajçak, ia vunë sanksionet Kosovës, vetëm pse po përpiqej të zbatonte ligjet e vet në mbarë shtetin. Kjo është tepër skandaloze, nën të cilat masa po vuan edhe tani. Dhe, ajo çka është edhe më e padrejtë, në rastin e vënies së masave, nuk qe kërkuar mendimi i secilit shtet të BE, por vetëm i shumicës, ndërsa për heqjen e masave po kërkohet vendimi i secilit shtet të BE veç e veç!
Tani, me ndërrimin e ndërmjetësuesëve të bisedimeve nga BE mes Kosoves e Serbisë, Vuçiqi është i “shqetësuar”. Por, ka edhe një shpresë siç e thotë ai vetë. “Do të bisedojë me amerikanët për këtë dhe të shohë se si do të vazhdojë” – tha Vuçiq. Me këtë do të thotë se varet nga biseda me amerikanët se si do të vazhdojë. Por, këtu mbetet të shihet, nëse amerikanët e përkrahin, do të vazhdojë kundër Kosovës. Por, edhe nëse jo, ai sërish do të bëjë të vetën – do të lidhet edhe më shumë me Rusinë për të luftuar Kosovën.
Biseda me amerikanët është vetëm një matje e pulsit, apo më shumë një provokim. Ky nuk do të nxitojë pa marrë edhe qëndrimin amerikan.