Xhami e Vushtrrisë e ndërtuar në vitin 2001, nismëtar i ndërtimit të së cilës ishte haxhi Ejub Mehmeti, që përpos nismës për ndërtimin e saj e ka dhuruar edhe tokën në të cilën sot e kësaj dite është xhamia. Ndërtimi i kësaj xhamie është mbështetur edhe nga Emiratet e Bashkuara Arabe…!
Gani Sokoli, Vushtrri
Vushtrri, 19 shkurt 2025 , qyteti i lashtë që s’po më lë të fle!
# Gjindem për një pushim të shkurtër, në përkujtim të 17 vjetorit të Pavarësisë së Kosovës, gjendem në Vushtrri – apo siç e quajtën dikur, Viciana. Qytet me histori të lashtë, me një trashëgimi të vyer, por edhe me disa shqetësime që më bëjnë të pyes veten: A po e përdorim lirinë siç duhet?
# Jetoj prej 35 vitesh në një shtet demokratik perëndimor, ku liria dhe të drejtat themelore të njeriut janë të mbrojtura me ligj. Liria nuk është vetëm e drejtë për të vepruar, por edhe detyrim për të mos cënuar të tjerët. E këtu i kam dy shqetësime që nuk mund t’i injoroj:

* Në orën 04:30 të mëngjesit, nga disa minare njëherësh, ortoparlantët shpërthejnë me zë të pakontrolluar, mbi 120 decibell , duke e kthyer qytetin në një alarm të dhunshëm. Kjo nuk është thirrje për besim, por dhunim i hapësirës publike dhe i të drejtës për qetësi. Secili ka të drejtë të zgjedhë kur të zgjohet, kur të falet e kur të pushojë. Askush nuk ka të drejtë të më detyrojë të ndërpres gjumin në mes të natës sepse dikush tjetër ka nevojë për thirrje me qindra decibel. Feja është çështje personale, por kur hyn me dhunë në jetën e të tjerëve, atëherë bëhet problem shoqëror.

* Sikur të mos mjaftonin minaret, zgjimi i parë shkakton edhe një efekt zinxhir: qentë endacakë. Të frikësuar, të uritur dhe të pastrehë, ata zgjohen nga ezanet, nga kaosi i tingujve, dhe pastaj shpërthejnë në grindje mes vete. Ulërima, lehje, përleshje për një copë bukë – e gjithë kjo në mes të qytetit, mu në qendër, në një vend që supozohet të jetë evropian, i qytetëruar, i organizuar. Dhe mëngjesi fillon me këtë simfoni të pashpirt: një kombinim i zhurmës fetare të imponuar dhe dhimbjes së qenve të braktisur.
* A është kjo liria për të cilën u sakrifikua kaq shumë? A është ky qyteti që synon të bëhet pjesë e Evropës? A është ky standardi që duam për të ardhmen tonë?
* Liria s’është privilegj vetëm për disa, por e drejtë për të gjithë. Liria për të besuar duhet të bashkëjetojë me lirinë për të mos u shqetësuar. Dhe qentë? Ata s’janë problemi – janë pasojë e një shoqërie që ka zgjedhur të shurdhohet përballë përgjegjësive të saj.