ARKIVI:
4 Mars 2025

Zanafilla e agjërimit – qëllimi, kuptimi dhe praktikimi

Shkrime relevante

A mundet “riarmatimi masiv” ta bëjë Evropën të pavarur nga Shtetet e Bashkuara?

Mbrojtja Politika e re për një epokë të re. A mundet “riarmatimi...

Një ngjarje e madhe kulturore në Tetovë, promovohen disa libra të shkrimtarit Kasam Shaqirvela

Shkrim nga Sh. B.  “VELA” Publishig House NJË EVENT LETRAR QË DO...

Zanafilla e agjërimit – qëllimi, kuptimi dhe praktikimi

  Dedë Palokaj, arkeolog, Prishtinë Kisha katolike fillon nesër Kreshmët 40 ditëshe. Kreshmët...

Ramazani, muaj kur makineria islamike vë në lëvizje mekanizmat e trushpërlarjes antishqiptare

Iftari politik në rrugët e qytetit të Kamenicës (Dardanes) para disa...

Kur avokati Spartak Ngjela flet qesim

Eshref Ymeri Në emisionin “Breaking” të kanalit televiziv “Top Channel” të datës...

Shpërndaj

 

Dedë Palokaj, arkeolog, Prishtinë

Kisha katolike fillon nesër Kreshmët 40 ditëshe. Kreshmët dhe Ramazani sivjet përputhen bashkë në të njëjtën kohë, një mundësi që pasardhësit e Abrahamit të ecin së bashku. Kjo periudhë, për të krishterët dhe besimtarët mysliman, do të shënohet me agjërim, i cili nuk duhet kuptuar vetëm si një disiplinë dietetike, por si një periudhë shumë e rëndësishme për të kuptuar më mirë se çfarë është spiritualiteti. Kreshmët dhe Ramazani janë kohë kur të krishterët dhe muslimanët të reflektojnë mbi temat e përbashkëta në një mënyrë më të thellë. Për të dy fetë, është një periudhë agjërimi dhe meditimi, dhe besimtarët ftohen të reflektojnë mbi ekzistencën e tyre, për marrëdhënien e tyre me botën e krijuar dhe Krijuesin.

Duhet thekësuar se jetojmë në një shoqëri konsumatore sikur nuk ekziston e nesërmja e preokupuar me veten dhe egon, e zhytur në hedonizëm dhe në të mira materiale. Nevoja për të konsumuar vazhdimisht dhe me bollëk, na shtyn në një vorbull të së jashtmes dhe të prekshmes “me bark të gjerë” duke na bërë të përgjumur sa i përket së mirës dhe së keqes dhe të zgjimit shpirtëror. Në këtë botë të çmendur, për shumë njerëz nuk mund ta imagjinon jetën e tyre pa besim në Zotin, sepse njeriu është religjioz jo pse këtë e kërkon dikush, por për arsye se në shpirtin e vet është i tillë. 

Luftërat, persekutimi, terrorizmi, uria, lakmia, aborti, shtypja, imoraliteti, trafikimi i qenieve njerëzore, indiferenca, varësitë, vetëvrasjet, divorcet: çdokush mund të shikojë gjendjen e botës dhe jetën tonë vetëm për të ditur se po zhvillohet një luftë shpirtërore, një betejë midis së mirës dhe së keqes. Shumë prej nesh ndihen të pafuqishëm. Disa madje ndihen të pashpresë. Mund të pyesim veten: Çfarë mund të bëjë një person për të luftuar mizoritë e së keqes?

Ka diçka që mund të bëjmë, është një zgjidhje që mund të duket e thjeshtë, por është armë jashtëzakonisht e fuqishme kundër së keqes. Ajo është kthimi kah Zoti, agjërimi dhe lutja. Lutja dhe agjërimi janë armë shumë të fuqishme në betejat shpirtërore.

Njeriu e përjeton dobësinë e tij trupore më lehtë kur agjëron, prandaj shpirti është më i hapur ndaj Zotit gjatë agjërimit. Pa agjërim, fjala jonë e lutjes mbetet pa një themel të vërtetë. Dikush mund të lutet si papagaj, bla-bla-bla, por kjo nuk është lutje por është llomotitje fjalësh sepse lutja e vërtetë është spontanitet dhe afërsi me Zotin e pranishëm ku njerëzit që janë larg na bëhën të afërmit tanë. Për këtë agjërimi dhe lutja janë dy krahët bazë të shpirtit njerëzorë.

Agjërimi i hap zemrat dhe i jep peshë qëllimeve të lutjes dhe kthimit kah Zoti. Agjërimi forcon rezistencën ndaj tundimeve dhe çliron nga varësia dhe nxit paqen në zemra dhe mes njerëzve. Cili është kuptimi i vërtetë i agjërimit? A është kuptimi i saj vetëm për të përmbushur disa forma të jashtme fetare, rregulla të imponuara, kujdesi për fizikun dhe estetikën, mburrja për agjërimin?

Agjërimin e hasim në shumë religjione botërore. Si një praktikë fetare, agjërimi ishte i njohur tek popujt në periudhat e hershme të historisë njerëzore i praktikuar me shekuj përpara ceremonive dhe riteve fetare, njësoj në konfucianizëm, hinduizëm, taoizëm, judaizëm, krishterim, islam dhe në kulturat e ndryshme botërore.

Termi “agjërim” vjen nga fjala latine “ieiunus”, që do të thotë “i uritur” ose “me stomak bosh” dhe tregon gjendjen e mosmarrjes së ushqimit, me qëllim ose nga nevoja. Fjala “ieiunus” luajti një rol të rëndësishëm në Romën e lashtë, ku uria ose agjërimi ishin një praktikë e zakonshme në ceremonitë fetare. Për shembull, agjërimi përdorej për t’u përgatitur për ritualet dhe ceremonitë, duke ruajtur gjendjen fizike dhe shpirtërore të individëve.

Qëllimi dhe kuptimi i vërtetë i agjërimit

Ne të gjithë vijmë nga Adami dhe Eva të cilët janë sinonim për të gjithë njerëzimin. Ajo që ata bënë si qenie të lira nuk ishte e mirë – ishte mëka sepse u treguan të padëgjueshëm – nuk e dëgjuan Zotin dhe vdiqën (Zanafilla 3:6, 23). Të gjithë besimtarët e dinë se vdekja hyri në jetën e njeriut për shkak të mëkatit të paraardhësve tanë të parë, Adamit dhe Evës. Historia e tyre nuk tregonë se si u krijua njeriu, por përgjigjet një pyetjeje shumë më të thellë: Çfarë është njeriu?

Urdhëri i parë i Zotit sipas Biblës (Zan 3,1-14) drejtuar Adamit (Adamah, hebr. – njeriu i parë) ishte urdhër agjërimi, d.m.th. urdhër vetëpërmbajtje (abstinence). Prandaj, mëkati i parë i njeriut ishte mëkat agjërimi e kjo do të thotë: mosdëgjim i këshillave të Zotit “Nëse hani do të vdisni” (Zan 3,3). Kur Satani e tundoi Adamin, ai nuk i besoi Zotit dhe nuk iu bind; në vend të kësaj, Adami besoi dhe e dëgjoi Satanin. Adami preferoi gënjeshtrat e Satanait mbi të vërtetën e Zotit dhe u bë një bir i padëgjueshëm dhe mëkatar. Megjithatë, aty ku Adami dështoi, Jezu Krishti ia doli, ngadhënjeu mbi të keqen e tij dhe vdekjen armike të njeriut (1Kor 15, 26). Pasoja mosbindjes së Adamit dhe Evës ishte aq e gjerë sa shkaktoi të gjitha llojet e mëkateve dhe vdekjeve shkatërruese gjatë gjithë historisë njerëzore.

Ashtu si shpirti dhe trupi marrin pjesë në mëkat, është e nevojshme që të dy të marrin pjesë në çlirim nga mëkati. Qëllimi i agjërimit është forcimi i vullnetit dhe lavdërimi i Zotit. Kjo do të thotë ngritje e shpirtit mbi trupin – përsosmëri shpirtërore. Duke agjëruar, të krishterët vazhdimisht kujtojnë vuajtjet e Krishtit për shpëtimin e njerëzimit.

Me agjërim nuk duhet të denohet apo të ‘mbytet’ trupi, por të mposhten pasionet negative. Agjërimi nuk do të thotë vetëm heqje dorë nga ushqimet e ndyrshme, por para së gjithash është heqja dorë nga mendimet, dëshirat dhe veprimet e këqija. Kjo thjesht nuk është e mundur nëse nuk shërojmë veten nga të gjitha pasojat të natyrës sonë të rënë, kryesisht nga egoizmi ynë – nëna e të gjitha mëkateve që shprehet në paaftësinë për të ndryshuar dhe sunduar veten.

Agjërimi fizik është sigurisht një ndihmë e nevojshme për luftën e suksesshme kundër pasionit, veçanërisht kundër mendjemadhësisë, e cila konsiderohet si rrënja e të gjitha të këqijave të mëtejshme. Agjërimi i vërtetë është kontrollimi epshëve të pa kontrolluar për të qenë vetvetja. Epashët ose vullneti i pa kontrolluar për të pushtuar dhe sunduar bëhen sëmundje ose pavetëdije individuale ose kolektive.

Agjërimi ka kryesisht kuptim shpirtëror dhe jo vetëm trupor dhe është organikisht i lidhur me të gjithë jetën shpirtërore. Agjërimi i vërtetë e sjell njeriun në paqe, në përulësi ku njeriu fiton njohurinë se shpëtimi për njeriun qëndron vetëm në Zotin dhe në hirin e tij. Rëndësia më e madhe është virtytit, aftësia dalluese që nënkupton dhuratën e dallimit ndërmjet asaj që është e dobishme dhe asaj që është e dëmshme – ku ka të vërtetë dhe ku ka gënjeshtër.

Agjërimi nuk është shfaqje për tu paraqitur para njerëzve siç bënin farisenjtë në kohën e Jezusit: ne agjërojmë e ju jo, ne lutem e ju jo, duke i dhënë përparësi formës së jashtme ndërsa përbrenda ishin ndryshe nga paraqitja – plot hipokrizi. Jezusi nuk kishte problem me mëkatarë, por me hipokrit dhe thotë: “Kurt të agjëroni, mos u mërrolni porsi shtiracakët, të cilët marrin një hije të rëndë në fytyrë për t’u treguar njarëzve se agjërojnë: përnjëmend po ju them: u ndanë veç me atë shpërblim!” (Mt 6, 6).

Jezusi flet për sistemin e ligjit farise dhe rregullave që rëndonin jetën e njeriut të zakonshëm (Mateu 23:4). Farisenjtë shtuan 600 rregulla të tjera të Ligjit në lidhje me punën në Sabat (të shtunën – dita e shtatë e kalendarit hebre), 365 ndalime dhe 250 urdhërime për ata që ishin pasuesit e tyre. Kështu, Ligji nuk solli lirinë, por imponoi skllavërinë dhe shtypjen, një ndjenjë mëkati dhe faji të plotë. Si interpretues dhe mësues të Ligjit, edhe farisenjtë dhe skribët përvetësuan autoritetin e Moisiut duke abuzuar me të. Jezusi paralajmëron se asnjë masë e mbajtjes së Ligjit nuk mund të zëvendësojë “hendekun” që qëndron midis mëkatit tonë dhe shenjtërisë së Zotit i cili nepër Krishtin na shëlboi me vdekjen dhe ngjalljen e tij.

Zoti në fakt nuk ka nevojë për agjërimin tonë, domethënë, ne nuk agjërojmë për të kënaqur Zotin, por ne kemi nevojë për Të! Zoti nuk kënaqet, nuk është i pakanqur për ta kënqur njeriu, por është i dashur dhe çdo gjë e bën nga dashuria si prindi i mirë ndaj fëmiut të vet që çdo gjë e bën me dashuri e jo për kënaqësi. Andaj nuk është qëllimi ynë ta kënaqim, por ta duam dhe ta adhurojmë Atë. Agjërimi nuk është një qëllim në vetvete për Kishën katolike, por është një mjet për të arritur qëllimin, është një lloj ushtrimi i trupit për ta mbajtur shpirtin më vigjilent.

Unë i admiroj sportistët e disa disiplinave që shpesh duhet të marrin masa strikte agjërimi dhe të shikojnë çdo gram ushqimi për të qenë gati për garën e tyre. Agjërimi i krishterë ka qëllimin e tij më të lartë. Me të, ne duam së pari të sigurojmë kontrollin mbi trupin tonë dhe veçanërisht mbi instinktin për të ruajtur jetën. Njeriu shpesh është në rrezik të nxitjes dhe nevojës së tij për të ngrënë duke u kthyer në epsh dhe duke ngrënë më shumë seç duhet dhe duke pirë më shumë seç duhet për shëndetin e tij mendor dhe fizik. Prandaj, nëpërmjet agjërimit, një besimtar mund të fitojë kontroll mbi trupin e tij ose të saj, veçanërisht mbi instinktet e tij ose të saj. Për më tepër, duke hequr dorë nga ushqimi, njeriu fiton edhe cilësitë e nevojshme shpirtërore dhe është më i pastër për sa i përket përvojave shpirtërore: lutja, besimi dhe kthimi kah Zoti.

Megjithatë, nuk është vetëm agjërimi nga ushqimi që është i rëndësishëm në jetën tonë, por edhe mortja fizike – të shuajmë – të mohojmë, pra, prirjet e pasionit trupor. Të gjithë kemi pasione të mira dhe jo të mira të cilat janë shprehi të formuara gjatë jetës sonë, por nëse nuk jemi në gjendje t’i kontrollojmë ato mund të na sundojnë mbi ne.

Përtaci, alkoolisti, i droguari, amoralisti, vrastari, vjedhësi, mashtruesi, i korruptuari, lakmiçari, i pabesi, spiuni, shpifësi dhe tradhëtari, e nisin këtë shëmti të çoroditur në fillim me një shprehi të vogël, e dikur këto shprehi rritën e shumohën, përsëriten e përforcohen derisa të shndërrohen në pasione negative, të cilat më pare e shkatërrojnë individin, familjen dhe kombin në përgjithësi

Agjërimi mundet të jetë, por edhe të mos jetë i lidhur me fenë. Atëherë kur bëhet zhurmë rreth ushqimit, kur flitet vetëm për dobitë që sjell agjërimi shëndetësor dhe truporë etj. agjërimi i tillë s’ka lidhje me fenë. Sepse agjërimi nuk është të qenunit i uritur dhe i etur, por në radhë të parë është çështje shpirtërore që i përket tërë qenies sonë. Agjërimi nuk është vuajtje nga uria, të keshë përpara vetes tryezën e mbushur me ushqime, e të mos duash të hashë. Ç’kuptim ka të jesh i uritur për ushqim, kurse të tjerët t’i sulmosh si krokodil i uritur. Cili kishte me qenë mëkati: Të hashë një pleskavicë në kohën e agjërimit apo të shashë dhe të ofendosh dikën gjithë ditën mbarë e mbrapshtë? Të mos hashë ditën e të vjedhsh natën? Ta prishesh urinë apo ta ruash dembelinë? Të mos hashë asgjë apo të thurësh intriga? Të përmbahesh nga ushqimi apo të largohesh nga e keqja?

Kisha mëson se agjërimi është një mjet i rëndësishëm për jetën dhe shëndetin shpirtëror dhe fizik. Agjërimi fizik nuk ka asnjë dobi nëse nuk lidhet me agjërimin shpirtëror, thotë Shën Gjon Gojarti: “Mos më thuaj: kam agjëruar kaq shumë ditë, nuk kam ngrënë këtë apo atë, nuk kam pirë; Por na tregoni nëse ke kaluar nga një njeri i zemëruar në një njeri të qetë, nga një i egër në një njeri të butë. Nëse je plot keqdashje brenda, pse e torturove trupin? Nëse keni zili dhe dashuri për blerjen, a ka ndonjë dobi që keni pirë vetëm ujë? Nëse shpirti, i cili është zotëruesi i trupit, ka gabuar, pse e ndëshkoni shërbëtorin e tij – trupin tuaj? Mos u  mburr me agjërim trupor, sepse ai vetë nuk të ngritë në qiell pa lutje dhe bamirësi”.

Në pyetjen: Cila është masa e agjërimit? Shën Bazili i Madh përgjigjet: “Në agjërimin shpirtëror, masa është një dhe e rëndësishme për të gjithë – distancimi i plotë nga gjithçka që të çon në mëkat”. Për sa i përket abstenimit nga ushqimi, masa dhe mënyra e përdorimit ndryshojnë: ato varen nga mosha, profesioni dhe gjendja fizike e secilit person. Prandaj, është e pamundur të përfshihen të gjithë ata që janë në shkollën e devotshmërisë nën një rregull. Megjithatë, pasi kemi përcaktuar masën e abstinencës për asketët e shëndoshë, ia lëmë maturisë së aspirantit që t’i bëjë modifikime inteligjente. Sa i përket ushqimit për të sëmurin, ose për të lodhurin nga puna e rëndë, ose për atë që do të bëjë punë të rënda, në udhëtim ose për ndonjë detyrë tjetër të vështirë, aspirantët janë të detyruar ta rregullojnë sipas nevojës. Sepse nuk është e mençur, duke marrë ushqim për të mbajtur trupin, për ta penguar atë nga përmbushja e urdhërimeve. Në çdo lloj ushqimi duhet t’i jepet përparësi atij që merret më lehtë, në mënyrë që me pretekstin e agjërimit të mos vuajmë nga përgatitja e pjatave tona të preferuara dhe të shtrenjta.

Nëse agjëron, atëherë agjëro shpirtërisht pa hipokrizi, jo vetëm fizikisht:

AGJËRO NGA LAKMIA: AGJËRO NGA ARMIQËSIA: AGJËRO NGA XHELOZIA: AGJËRO NGA MENDJEMADHËSIA: AGJËRO NGA DYFYTYRËSIA: AGJËRO NGA KOPËRRACIA: AGJËRO NGA GËNJESHTARIA: AGJERO NGA ZEMËRNGURTËSIA: AGJËRO NGA KOKËFOTËSIA: AGJËRO NGA SJELLJET E KËQIJA: AGJËRO NGA PADREJTËSIA: AGJËRO NGA HIDHËRIMI: AGJËRO NGA PËSHTJELLIMI: AGJËRO NGA DURIMI: AGJËRO NGA SHPIFJA: AGJËRO NGA EGOIZMI: AGJËRO NGA HEDONIZMI: AGJËRO NGA PARAZITIZMI: AGJËRO NGA SERVLITETI: AGJËRO NGA IMORALITETI: AGJËRO NGA AGRESIVITETI: AGJËRO NGA TË QENUNIT I PARI.

K O M E N T E

SHKRUAJ NJË KOMENT

Ju lutem, shkruaj komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaj emrin tuaj këtu