Me 28 Nëntor 1945, grupi filarmanik i Shtëpise së Kulturës e të Artit në Shkodër shfaqi premierën e tragjedisë “Juda Makabe” t Atë Gjergj Fishtës, me muzikën origjinale te Preng Jakovës dhe me rregji të Zef Zorbës.
Guximi sa artistik aq edhe politik për të vu ne skenë në atë kohë “Judën’ gjeti përkrahjen dhe dashamirësinë e të gjithëve, sigurisht në rradhë të parë për vlerën artistike te vepres e sidomos për vështrimin e saj pakufinisht patriotik . Kjo sepse dihej mirë që ajo do tingëllonte, sikundër edhe tingëlloi, proteste e hapur kundër rregjimit, shtypjes e grabitjes.
Nën qiellin e euforise që krijoi fitorja mbi fashizmin, pa kaluar veçse pak muaj, s’vonuan të duken rè të turbullta, gjithnjë e më të kobshme, gjithnjë e më kërcënuese. Padronet jugosllave, me miratimin e paturpshëm të liderëve tonë të asokohshëm, po i shtonin si këpurdha jetëmbytëse emisarët e tyre, të cilët me një fodullek të pashoq komandonin shpotitës e mosperfillës kudo, qe nga organet lokale e deri nalt në qeveri.
Ditën për diell rrëmbeheshin e dërgoheshin në Jugosllavi, jo vetëm mallra, por edhe ushqime e deri lëndë drusore të prera pa kriter në pyjet tona. Spetakli i të tilla grabitjeve ishte sa i trishtë aq dhe rrënqethes. E përmbi të gjitha, kësaj dhune po i shtohesh pezmi i përseritjes së robërimit te Kosovës martire. U arrestuan me qindra e mijra kosovarë , që emisarët serbë me pretekstin se do t’i dërgonin në Ulqin, i masakruan gjatë rrugës me zi edhe se nazistat. Kush deshi me pa , kush mundi me pa, pau. Tradhëtia e pacipë po e shiste kombin për pozita, e spaleta, për 30 groshe.
Zhgënjimi po shëndrrohej në mllef e mllefi në pezëm. Populli i Shkodrës dhe inteligjenca e tij s’kishin si të qëndronin në heshtje.
Spontan , por i mbrujtun nga konstatime te pareshtura, zymtimi po merrte përpjestime gjithnjë me të mëdha, revoltimi u bë zë i ditës e zu të shpërthente në denoncime të hapta ose të mërtisura. I tillë tharm mori trajtën konkrete në idenë që lindi mes intelektualëve të grumbulluar rreth Shtëpisë së Kulturës për vënien në skenë të tragjedisë “Juda Makabe”. Sikundër dihet vepra fund e kryer akuzë kundër cdo pushtuesi e cdo tradhëtie ndaj atdheut, i përshtatej cuditërisht dallgëve të situatës politike nëpër të cilën po shushatej kombi.
Krahas përkrahjes entuziaste nga populli dhe intelektualet, kjo ide miratua nga organet arsimore të rrethit. Na u tha atëherë ( nuk e kemi të dokumentuar këtë) se u kërkua edhe mendimi i Ministrisë së Arsimit dhe se ministri i asokohëshëm Sejfulla Malëshova, idhtar i deklaruar i Fishtës, kishte dhëne miratimin e pakushtëzuar.
Por miratimi ishte njëra ana e medaljes. Të vështira madje shumë të vështira, shtroheshin problemet e zbatimit.E në rradhë të parë gati i pakapërcyeshëm paraqitej problemi i muzikës skenike, për koralet dhe për ndonjë “solo” te domosdoshme.
Ishte fillimi i shtatorit dhe premiera duhet te jepej me 28 Nëntor, kjo për vështrimin e dyfishtë që simbolizonte ajo, datë me synimin protestues që kërkonim t’i jepnim. Platforma që po pregatisnim me nxitnin sa më thellë që po i hynim problemeve, po mufatej me kërkesa te frikëshme, të cilat bëheshin gjithnjë e me të lidhura ngushtë njera me tjetrën: caktimi i aktorëve të përshtatshëm, grumbullimi i koristëve, skenografia, kostumet, provat etj etje… e sidomos muzika.
Dinin se kur Kolegja Franceskane e pat shfaqë “Judën” ne vitin 1916 e mbrapa, për pjesët muzikore kanë përshtatur korale, si dhe “a solo” nga operat lirike botërore.Po ashtu dinim se Atë Martin Gjoka ishte marrë me krijimin e një opera lirike mbi atë tekst. U konsultuam me franceskanët e kryekreje me Atë Gjon Shllakun, i cili e vlerësoj pa masë punën që kishim ndërmarrë.Por per anën muzikore nuk mund të na ndihmonte, sepse Atë Martini operen e kishte lenë të papërfunduar.
Takimet me Atë Gjonin na vleftën shumë për këshillimet që na dha, si dhe për ndihmat materiale që na siguroi: mjete butaforike(mburoja, shpata etj), si dhe mbi 30 egzemplarë të tragjedisë nga shtypshkronja franceskane.
Por një tjetër piksynim yni ateherë ka qenë Prekë Jakova. Ai ishte i vetmi që mund të merrej me muzikën e skenes. Por aso kohe Preka bashkë me familjen gjindej i izoluar në një shtëpi burg te Shkodrës, për arsye se i vëllai tij, Ndoci ishte i arratisur. E ngrejtëm me force lirimin e tyre, madje para organeve eprore nuk ngurruam së shtruari “Aut-Auitin” tonë: ose Preka , ose vepra nuk vihej në skenë. Patem sukses se Preka u lirua, por vetem ai.
Tani qe kapërcyelli i muzikës u kalua, i duhej hy punës me shpejtësi. Ndihme konkrete për çdo gjë gjetëm tek të gjithë intelektualet e qytetit nga te cilët me pranë na qëndruan në cdo kohe: Qemal Dracini, Kole Luka, Filip Ndocaj, Injac Zamputi, Vehbi Bala, Tefë Gjonej, Myzafer Pipa, Paulin Pali, Ramadan Sokoli, Muhamet Ademi e shumë e shumë të tjerë ( pjesa me e madhe e këtyre me vonë u mbytën ndër burgje, u ekzekutuan, internuan, ose sido u përndoqën politikisht). Ndihmë shumë të vlefshme na dha Drejtoria e Gjimnazit te Shtetit e cila mobilizoi studentët me të mirë që na nevojiteshin për formimin e korit. Nëmes të këtyre që me dëshire të plotë iu nënshtruan provave të mundimëshme duhen përmendur: Safet Sokoli, Tish Daija, Ndoc Kujxhija, Tonin Bedeni, Gjyljjana Nenshati, Terezina Pali, Ana Daja, Neta Cepi, Gac Luli e mbi 30 te tjerë djem e vajza.
Për ndarjen e roleve problemi u shfaq i kundërt. Kërkonim 10 -12 vetë e na u ofruan me dhjetra, aktorë të sprovuar ose rishtarë, por të gjithë plot entuziazëm. Kërkesa kryesore ishte që jo vetëm të gëzonin aftësi aktoreske, por ndonjeri edhe duhej te këndonte si solist e që të gjithë si korista. Natyrisht nevojitej që të kishin edhe fizik të përshtatshëm me rolin. Formuam kështu një trupë me përberje: protagonist Lec Bushati e Pjeter Gjoka, krerë luftetarë, Loro Kovaci, Lec Shllaku, Qazim Lila, Gac Cuni, Leo Prela, Jonuz Tuli, Pjeter Gjergji, Pjerin Ashiku, Cesk Vuksani, dhe një fëmi, që ishte Alfred Krroqi. Përveç rolit recitues, do kishim pjesë si soliste Gac Cuni, Pjeter Gjergji, Leo Prela e sidomos Pjeter Gjoka, i cili përvec aftësive aktoreske ishte edhe tenor- solist i sprovuar shumë herë më parë.
Krahas provave recitative, që nganjeherë zgjasnin deri natën vonë Prekë Jakovës i binte njëra nga detyrat më të vështira. Brenda një kohe të shkurtër, orët e ditët fluturonin, ai duhej të përballonte detyra të rënda jetësore për vehten e për familjen, por sidomos duhej te muzikonte nëntë pjesë dhe në të njëjtën kohë t’ua mësonte ato solisteve të korit. Më e keqja ishte se Preka ne shtëpinë e vet nuk kishte pianoforte. Një të tillë e kishte Ndoc Shllaku, kështu Preka ditën ose tërë natën mund te ulesh e të kompozonte, ose ma mirë të themi , të vinte në hulli gjithcka përblunte gjatë dites. Tjetër vështiresi ishte se në sallonin e teatrit nuk kishte pianoforte. Kështu që kushedi sa herë na u desh të transferonim grupin e koristave për të mësuar pjesët në Radio Shkodra, falë interesimit te drejtorit të asokohshëm, Kolë Luka, i cili na i hapte dyert në cdo orë. Mbas shumë përpjekjesh na u sigurua një pianoforte, kështu tani provat mund t’i bënim në sallonin tonë. Kjo qe një arritje e mirë sepse paralelisht na u krijua mundësia që të benim edhe provat skenike. E këto paraqisnin vështiresitë e veta, nganjeherë gadi demoralizuese: Brenda një palkoje relativisht te vogël e pa anekse duheshin depozituar skena, duhet të lëviznin me dhjetra aktorë e korista, e për më tepër spostimet e tyre duhej të përputheshin edhe me grupimet korale. Pastaj mbajtja e qetësisë ishte thuajse e pamundur, duke qenë se shumica ishin të rinj plot gjallëri. Në mjaft raste drejtimi duhej berë me cjerrje madje me britma e kërcënime. Por duhet te themi se britmat tona shpesh herë ishin të tepruara sepse te rinjët bindeshin shpejt e zbatonin me shquarsi direktivat e skenës ose te muzikës.
Tjeter hall, e jo i vogël, ishte skenografia dhe veshjet. Skenaristi kërkonte bojra e pelhurë: e pelhurë nga me të ndryshmet kërkonte Cesk Vuksani, te cilit i qe ngarkuar rekuizita. Për veshjet e paisjet e veta interesoheshin vetë aktorët, kurse për ato të koristave, rrobaqepsit e qytetit morën persipër ‘ti ndërtonin, madje pa shpërblime. Po ashtu të gjithë pjesëmarresit angazhoheshin spontanisht në çfarëdo pune që paraqitesh, kush me rrjetin elektrik, me butaforinë, me rregullimin e pastrimin e sallonit, me shtypshkrimet e vetë drejtori i Radios me shitjen e biletave.
Kontributi që dha cdo njeri ishte i papërshkruem. Të gjithë ishin të përfshire në një zell të madh për të berë që shfaqja të dilte sa me mirë dhe e denjë, sepse të gjithë kush me shprehje e kush me heshtje, ishin plotësisht të ndërgjegjshem se ne atë forxhë po farkëtohej disidenca e parë e fuqishme e intiligjencës dhe e popullit te Shkodrës. Te gjithë sikur u tjetërsuam në ato ditë. Në mbrëmje, kur gjithnjë të përfshire në biseda artistike, mblidheshim në një pijetore për të pirë një gotë, vinte edhe Preka. Por shpejt vrenim se ai vetëm fizikisht ishte me ne, sepse mendja i fluturonte në sfera të tjera. Herë nën zë, herë heshturazi persëriste me dhjetra herë vargjet që do të muzikonte. Në atë rast njeri prej nesh skaliti shprehjen që do të ngelte për shumë kohe: raki e lirika.
Preka po tretej. Para syve tonë po kryhej simbioza, Gjergj Fishta – Prekë Jakova. Dhe e kishim kot të ngulmonim.
“Jemi vonë Prekë”, si të mos na kishte dëgjuar, s’përgjigjej. Por të nesërmen , në zgrip të kohës, vinte me pjesën e muzikuar. Ishte në ethe, por dhe ne të tjerët në ethe ishim e s’ia dallonim temperaturën njeri tjetrit. Flinim pak por edhe kur na kapiste gjumi, në ëndër na ngacmonin qindra probleme: batuta e filan aktorit duhej korigjuar, evolucioni skenik i korit duhet të nisej nga një anë tjetër, ku të gjenim prozhektoret? e sa e sa të tjera që i diktonte casti, rrethana, apo kushti. Probleme të panumërta si ajo me skenaristin që duhej të zbatonte vijën dramatike: skena e aktit të parë (triumfi) duhej të ishte madhështore, e aktit te dytë (pusia) një skenë e zymtë dhe ajo e aktit të tretë (tradhëtia) duhej të paraqiste një shteg malor të ashpër por jo të pakapërcyeshëm.
Patëm marrë persipër që një vënie në skenë, që normalisht do të kërkonte 5-6 muaj t’a bënim në më pak se dy muaj e me një trupë krejt diletante, dhe pa asnjë shpërblim, madje edhe nga dy bileta që i jepnim sejcilit i paguanin nga xhepi i vet.
Megjithatë falë kontributit të pakursyer të çdonjerit qellimi u arrit.
Me 26 nëntor vendosem te bënim provën e pergjithëshme. Natyrisht kjo rezultoi një katastrofë e vertetë. O emocioni ose kushedi se ç’dreq po na gërmonte të gjithëve, asgjë s’po shkonte mbarë. Jashtë cdo rregulli u perpoqëm të bënim edhe përseritje të ndonjë skene. Pa fryt edhe me keq. Skenat, rekuizitat, linin shumë për të dëshiruar, ndonjeri dilte në skenë me rrobat e perditëshme, dritat nuk funsiononin, aktorët harronin batutat, e deri kori, si ta bënte me kast, stononte. Gadi u dëshpëruam, por na dhanë zemër kolegët që po asistonin në prova. Afishet e reklamave ishin shpallur gjithandej, deri biletat e premierës ishin shitur. Kishim vetëm edhe dy ditë kohë. Guxuam e bëme të pamundurën, iu shtruam punës. Cdo njeri mori persipër detyrat e më në fund e arritëm qëlimin: Me 28 Nëntor shfaqëm desidencën e parë me premierën e “Juda Makabe” te Atë Gjergj Fishtës me muzikën origjinale që thellësisht e perkushtimisht e hartoi e e mësoi muzikanti Prekë Jakova, brenda një kohe rekord.
Për aq sa ishin mundësite tona asokohe (madje mbi aftësite që kishim sejcili) premiera u zhvillua si mund të mendohej me mirë. Publiku që kish mbushur sallonin plot (sesi ja kishin dalë me hy edhe shumë të tjerë që mbushnin anat) e priti shfaqjen duke unisuar ndjenjet e veta me veprën madhore, me duartrokitje të pareshtura e lot në sy. Zemrat e spektatorëve kumbuan në unison me vargjet e Fishtës:
“N’zi eshten shpija e tempulli
Ku nuk sundon Lirija
E shuhet gjaja e populli
Ku e t’huajve urdhnon lakmija” …..ose
E dielli,
kaq kob tue pa prej qiellit
prap dritë aj leshon ktij dheu…
O Perëndi, a ndjeve?
tradhetarët na lanë pa Atdhè
E Ti rri e gjuen m’errfè
Lisat n’për male kot….
Ne Shkodër shfaqja u dha pesë herë e gjithherë salloni ishte i gremisur. Thërisnin spektatorët e duartrokisnin: duartrokisnin e qanin si fëmij. Tragjedinë e skenës po e ndiente çdokush, i gjithë kombi. E jo vetëm shkodranët. Ketë e dëshmon dhe episodi që po tregojmë:
U urdhëruam të jepnim një shfaqje për brigatat partizane që gjëndeshin atëherë në qytetin tonë. Duke qenë se pjesa dërmuese e tyre ishin nga jugu, ndokush u tregua skeptik se vepra s’do të kuptohej. Por u vertetua e kundërta. Kur në fund të aktit parë dhe të dytë shpërthyen duartrokitjet ndokush mendoj se ato ishin forcë zakoni. Por kur gjatë aktit te trete pati duartroktije me skenë të hapur dhe në fund ato u benë të stuhishme, kushdo ndrroi mendim: dhe aq me tepër se kur u ndezën dritat u vrejtën rigime lotësh ne faqet e partizanëve!
Vargjet e Fishtës kishin depërtruar në zemrat e tyre, ngado ato ishin, nga Tepelena a Kukësi, nga Skrapari a Peshkopia. Gjuha e dashurisë, gjuha e lirisë, është gjuha e shqiptarit mbi çdo dialekt ose te folme.
Fishta është mbarëkombetar.
Publikut te Shkodrës nuk i kishin mjaftuar pesë shfaqjet që dhamë, nga të gjitha anët na kërkoheshin replika. Kujtuam se do ja plotësonim këtë dëshirë, por ndërkohe po pregatiteshim për të shkuar në Tiranë, për të flakëruar edhe atje “fjalën” e Fishtës e “fjalën tone”, fjalën e desidencës.
S’ dinim se ajo do të pasohej shpejt e për dekada nga gjaku, burgjet e internimet.
Është e qartë se “Juda Makabe” ishte edhe kushtrim dhe akuzë, thirje këto që jehuan idhnake në zemrat e shkodranëve, por njëhkosisht zhurmuan gulcuese në kokat e udheheqjes. Diku në një zyrë ne Tirane, gjëmoi llahtarshëm çjerrja: ’Ndal !!“
Ishte cegem dhjetori atë ditë kur i njoftova grupit teatral urdhërin se “shfaqja nuk do jepej më as në Shkodër e as gjëkundi”.
Sikur hej akulli t’ua shporonin zemrat. Qanin….
Qanim, bashkë me Fishtën dhe me shikim nga qielli dënesnim:
“e lot e fminve tonë m’kambë t’fronit tand kjasojnë…
Ra perdja mbi desidencën e parë e dhuna pastaj nuk dijti me pushue……
Me 16 gusht 1991 Zef Zorba – (Marrë nga FB Elena Zorba)
https://www.faktor.al/2022/02/17/disidenca-e-pare-publike-e-intelektualve-shkodrane/
https://www.facebook.com/268393013315407/posts/1708029592685068/