Bruksel, 19 mars 2024
Në Bruksel, u mbajtën takimet e radhës në kuadër të procesit të dialogut, ku prezent ishte zëvendëskryeministri i parë për Integrim Evropian, Zhvillim dhe Dialog i Republikës së Kosovës, Besnik Bislimi. Takimet e zhvilluara ishin bilaterale me BE-në, si dhe trilaterale me palën tjetër. Çështja qendrore e këtij takimi, ishte zbatimi i Marrëveshjes Bazike të Brukselit dhe Aneksit Zbatues të Ohrit. Mbi këtë, zëvendëskryeministri ritheksoi se nënshkrimi i marrëveshjes është garanci për zbatim të plotë të saj, konform refuzimit të vazhdueshëm nga Serbia si për nënshkrim, ashtu dhe zbatim. Marrëveshja duhet të zbatohet përmes një plani të sekuencimit të barabartë e të balancuar mes palëve e që reflekton zbatimin në plotni të saj. U trajtuan mundësitë se si të formalizohet e respektivisht të regjistrohet Marrëveshja Bazike dhe Aneksi i Zbatimit. U kuptua brenga e Kosovës se mosnënshkrimi ka ndikuar në moszbatim të marrëveshjes, por edhe në ashpërsinë e situatave në terren, qoftë përmes barrikadave, qoftë me sulme si ai në Banjskë, e që më pas kulmoi me letrën e kryeministres Bërnabiqit drejt BE-së dhjetorin e kaluar, ku mes tjerash thuhet se Serbia nuk e respekton integritetin territorial dhe sovranitetin e Kosovës. Kundrejt kësaj, në takim u riafirmua përsëri refuzimi nga pala serbe mbi marrëveshjen, në zbatim e nënshkrim të saj. Në prani të ndërmjetësuesit, kryenegociatori serb e bëri të qartë që për Serbinë nuk do të zbatohen asnjëherë pjesët e marrëveshjes që kanë të bëjnë me njohjen de facto, integritetin territorial apo anëtarësimin e Kosovës në OKB. Në takim u diskutua dhe mbi tema të tjera të procesit të dialogut si çështja e energjisë dhe mbarëvajtja e zbatimit të saj në terren si dhe kërkesa nga ana e Kosovës për kthimin e artefakteve e për të cilën pala kosovare ka dorëzuar dhe dosje drejt BE-së. U trajtuan edhe një varg shkeljesh të marrëveshjeve nga ana e Serbisë, përfshirë në fushën e energjisë, telekomunikacionit, interferimit në brezin e frekuencave nga ana e stacioneve televizive serbe, si dhe obstruksioni i Serbisë në anëtarësimin e Kosovës në organizatat ndërkombëtare. Më tej, u përmend dhe rregullorja e Bankës Qendrore të Kosovës dhe shqetësimet e fundit rreth saj. Palët u dakorduan që deri në fundjavë të sjellin ide konkrete se si mund të duket një zgjidhje afatshkurtër, gjithnjë duke respektuar vendimin në fjalë të BQK-së. Palët u pajtuan që të ofrojnë propozime teknike deri me datë 22 mars, të tilla që pastaj do trajtohen tutje në një takim të ri. Republika e Kosovës e ka bërë të qartë që do ofrojë zgjidhje teknike sipas planit që ajo u ka ofruar edhe shteteve të QUINT-it javë më parë.