Nail Draga, Ulqin
Zgjedhjet parlamentare në Kosovë
Në zgjedhjet parlamentare të cilat do të mbahen në Kosovë me 9 shkurt do të marrin pjesë 27 subjekte politike e 1232 kandidatë për deputetë për të siguruar një nga 120 vendet e Kuvendit, ndërsa risi e tyre zgjedhjeve është në rritjen e numrit të kandidatëve për deputet nga pesë në dhjetë për të cilët qytetarët do të votojnë sipas preferencave të tyre duke rritur cilësinë e përfaqësimit politik
Ndonëse në Kosovë fushata elektorale ka filluar ma herët ajo zyrtarisht ka filluar më 11 janar, ku partitë politike për katër javë kanë shpalosur programin para votuesve të tyre. Subjektet politike nuk kanë heshtur sepse ata kanë organizuar tubime me qytetarë, si brenda ashtu edhe jashtë vendit, duke dëshmuar për përparësitë e tyre në zgjedhje si nga pozita dhe opozita. Por, ajo qe bie në sy gjatë kësaj fushate del se kemi pasur një gjuhë polarizuese, ku nuk janë kursyer jo vetëm individët e as partitë politike, ku ma e arsyeshme ka qenë qe partitë politike të fokusohen në programet ekonomike në katër vitet e ardhshme si kudo në vendet demokratike.
Votimet e para të rregullta
Votimet e shkurtit janë të parat të rregullta që prej shpalljes së pavarësisë dhe do të zhvillohen bazuar në Ligjin e ri të Zgjedhjeve, i cili sjell ndryshime në proces. I miratuar në verën e 2023-s, Ligji parasheh ndryshime në mënyrën e votimit, në numërimin e votave, në votimin e diasporës dhe në menaxhimin e fushatës.Ndërsa risi është në rritjen e numrit të kandidatëve për deputetë, për të cilët qytetarët mund të votojnë.
Qytetari mund të votojë për dhjetë deputet
Një prej ndryshimeve kryesore që i parasheh Ligji për Zgjedhje është se çdo votues do të mund të zgjedhë deri në 10 kandidatë për deputetë, të një parti politike, ndryshe prej pesë sa ishin në zgjedhjet e fundit parlamentare.
Në lidhje me këtë çështje analist të ndryshëm vlerësojnë se kjo mënyrë e votimit hap mundësi për manipulim të elektorati votues. Fjala është se mund të ndodhë që nga pakujdesi votuesi mos të rrumbullakojë të dhjetë kandidatët, duke lenë mundësi qe ne rast të tillë anëtaret e komisionerëve të intervenojnë sipas shijes së tyre.
Nga ana tjetër votuesit i mundësohet të zgjedhë më shumë kandidatë për deputetë sipas preferencave të tyre profesionale duke rritur cilësinë e përfaqësimit politik.
Votohet edhe në diasporë
Të drejtën për t’i zgjedhur kandidatët për deputetë do ta kenë edhe qytetarët në diasporë. Deri më 24 dhjetor, KQZ-ja pranoi rreth 70 mijë kërkesa nga diaspora për regjistrim si votues. Por ndryshe nga zgjedhësit në Kosovë, ata para kutive të votimit do të dalin më 8 shkurt.
Mërgata e Kosovës ka mundësi të votojë me prani fizike apo votën e përcjellë me postë nëpër përfaqësi diplomatike(ambasada e konsullata) në 22 vende të botës, ndryshe prej më herët kur u është dashur të udhëtojnë në Kosovë apo që votën ta dërgojnë me postë. Një veprim i tillë nuk do të thot se eliminon mundësinë e ardhjës së mërgimtarëve për të votuar drejtpërdrejt në vendbanimet dhe vendvotimet e tyre në Kosovë. Madje, praktika e zgjedhjeve të fundit dëshmon për gadishmërinë e tyre për të qenë pjesëmarrës si votues në vendlindje, çështje e cila është ekskluzive personale.
Dy procese numërimi
Teksa vota e mërgimtarëve do të numërohet pas mbërritjes së saj në Kosovë, ndryshe do të veprohet me atë të qytetarëve rezidentë. Për ta, numërimi do të ndahet në dy procese. Në ditën e zgjedhjeve, nëpër vendvotime do të kalkulohet fillimisht vota për subjektin politik e një ditë më vonë dhe në qendra komunale të numërimit, ajo për deputetë.
Mundësia që numërimi i kandidatëve nëpër qendra komunale nuk ka dilemë se do ta përshpejtojë certifikimin përfundimtar të votave, që është në favor të transparencës, sepse kandidati për deputet do të mund ta mësojë rezultatin që të nesërmen e ditës së zgjedhjeve. Behët me dije se në favor të transparencës do të jetë i hapur portali i KQZ-së, ku do të plasohen të gjitha rezultatet, formularët e po ashtu edhe rezultatet që numërohen në qendra komunale të numërimit.
Ndryshime në procesin e votimit
Njoftohet se ndryshime ka edhe në procesin e votimit me kusht, i cili do të lejohet veç në një vendvotim në secilën prej komunave. E për votimin e asistuar do të kërkohet arsyetim i bazuar mirë. Po ashtu zgjedhjet e përgjithshme do të monitorohen për herë të parë edhe nga kamerat, xhirimet e të cilave do të vihen në dispozicion të institucioneve me qëllim të zbardhjes së keqpërdorimit.
Mbi 2 milionë votues
Nga ana e KQZ kanë njoftuar se janë gjithsej 2 milionë e 75 mijë e 868 qytetarë me të drejtë vote, ndërsa numri i të rinjve që do të votojnë për herë të parë në zgjedhjet për Kuvend është llogaritur të jetë afro 210 mijë.Në zgjedhje do të marrin pjesë 27 subjekte politike e 1232 kandidatë për deputet në Kuvend. Bëhet me dije se KQZ ka akredituar 18 mijë e 163 vëzhgues të 21 subjekteve të ndryshme politike të cilat janë të certifikuara për pjesëmarrje në zgjedhjet për Kuvendin e Kosovës, të cilat do të mbahen më 9 shkurt 2025.
Sondazhet favorizojnë Vetvendosjën
Si më parë por edhe gjatë fushatës zgjedhore nuk kanë munguar publikimi i sondazheve të ndryshme për partite politike të cilat do të marrin pjesë në zgjedhjet parlamentare. Të gjithë sondazhet e publikuara nuk e vejnë në dyshim se Lëvizja Vetëvendosje do të jetë e para, por çështja është se sa do të jetë në përqindje ajo mbeshtetje nga qytetarët. Kështu një sondazh i publikuar me 31 janar 2025 nga PolitPro del se për LVV do të votojnë 52% e votuesve, ndërsa për PDK 19%, LDK 15% AAK-NISMA 8%, ndërsa subjektët e tjera nga 1 deri në 3%. Ndërsa nëse këto të dhëna i krahasojmë me votimet e mbajtura me 14.02.2021 këto subjekte politike kanë rritje: LVV +1.7%, PDK +2%, LDK +2.3% dhe AAK +1.0%.
Theksojmë se në këto sondazhe nuk është llogaritur votimi nga ana e diasporës, që do të ndikojë ndjeshëm në rezultatin përfundimtar të subjektëve politike.
Çështja e Veriut favorizon LVV
Një mbeshtetje e tillë për LVV përkatësisht Qeverinë e udhëhequr nga Albin Kurti në vitin 2024 vlerësohet se ka vendosur sovranitetin edhe në Veri të Kosovës mbi bazën e Kushtetutës dhe zbatimin e ligjeve të saj demokratike, sepse e ndaloi korrupsionin, e legjitimoi euron valutë shtetërore të Kosovës dhe e ndaloi dinarin serb, i zëvëndësoi targat e automjeteve të serbëve me targa RKS, konvertoj patentet e shoferëve në RKS, e ndaloi kontrabandën serbe në Veri të Kosovës, e zbrapsi agresionin terrorist serb të Manastiri Ortodoks Serb në Banjskë në Zveçan të udhëhequr nga kryeterroristi M.Rqadojçiq, e konfiskoi tërë atë arsenal të madh të armëve, ia konfiskoi pasuritë e patundshme të M.Radojçiqit, i mbylli institucionet e strukturave paralele ilegale serbe, i mbylli filialet bankare ilegale serbe, i dëboi terroristët dhe kontrabandistët ilegalë serbë nga Veriu i Kosovës dhe miratoi Ligjin për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë se Pajustifikueshme, riktheu nën kontroll liqenin e Ujmanit, filloi ndërtimi i shtëpive të shqiptarëve në Veri, rikthimi i pronave të shqiptarëve në Veri etj.
Zgjedhjet si referendum
Të dhënat e mësipërme janë transparente dhe të njohura për qytetarët e Kosovës, ndërsa çdo minimizim apo politizim i tyre nga opozita aktuale apo individë të ndryshëm e vlerësojmë si pjesë e retorikës së fushatës zgjedhore. Pavarësisht prej sondazheve dhe disponimit të qytetarëve në fushatën zgjedhore, fitohet përshtypja se kemi të bëjmë me referendum e jo zgjedhje të rregullta parlamentare, ku fjala e fundit iu takon qytetarëve të cilët do të marrin pjesë në votimet e 9 shkurtit, sepse do të votohet për stabilitetin dhe sovranitetin e Kosovës.
(Shkurt 2025)