Florim Zeqa
Kosova është njëra ndër vendet e para në rajonin e Ballkanit që ka zhvilluar zgjedhje të lira dhe demokratike që nga viti i largët 1992 dhe atë nën rrethana të okupimit klasik të Serbisë.
Vazhdimësia dhe ndryshimi me sfida të mëdha
Përvoja e mirë e organizimit të zgjedhjeve ka vazhduar edhe pas përfundimit të luftës që nga viti 2001 e këndej. Nga ajo kohë e deri më sot, edhe përkundër baticave dhe zbaticave ka ardhur duke u zhvilluar demokracia dhe rritur cilësia legjislative në Parlamentin e Kosovës.
Për dallim nga herat e kaluara, ku legjislaturat njëra pas tjetrës i mbyllën para kohe dyert e Kuvendit, Legjislatura e 8° është e para në historinë e pasluftës që i shkoi deri në fund mandatit politik.
Pavarësisht pajtimeve dhe mospajtimeve, ngrindjeve dhe kacafytjeve të deputetëve në Kuvend, kjo legjislaturë do të mbahet në mend, më shumë sesa për punën e saj, për mungesat e shumta të deputetëve në Kuvend (mbi 5 mijë).
Edhe përkundër regresit në politikën e jashtme, qeveria në largim është e para e pas luftës që arriti të shtrijë sovranitetin në veri të vendit duke mos pyetur ndërkombëtarët, për çka, këta të fundit na futën nën sanksione të forta ekonomike dhe politike.
Zbërthimi i kësaj situate kërkon kohë dhe trajtim të gjatë, për shkak se erdhi si produkt i shumë veprimeve të njëanshme të kryeministrit aktual, i cili, edhe përkundër konseguencave për Kosovën, e dëshmojë se shumë gjëra janë të mundura, por duhet guxim dhe vendosmëri në veprime!
Ndryshimi i realitetit në veri do të jetë sfidë e qeverisë së ardhshme.
Po e marrim në mënyrë hipotetike se qeveria aktuale e vazhdon mandatin, do ta ketë të vështirë të vazhdojë ‘Status Quon’ e sovranitetit në atë pajesë shkaku i presionit të madh që do të ketë nga administrata e re e BE-së dhe ajo e SHBA-së në krye me presidentin Donalld Trump për zbatimin e Marrëveshjes së Ohrit mes Kurtit dhe Vuçiçit për themelimin e Asociacionit!
Po ashtu në mënyrë hipoptetike, në rast se vjen në pushtet opozita, që në ditën e parë të qeverisjes do të përballet me veriun e vendit në Dialogun e Brukselit.
Pra, pavarësisht se kush do të jetë në qeverisjen e vendit pas zgjedhjeve të 9 shkurtit, nuk do ta ketë aspak të lehtë qeverisjen e vendit me probleme të vjetra dhe të pazgjidhura si ato të natyrës politike me veriun e vendit, ashtu edhe me problemet socio-ekonomike të qytetarëve, të ardhura si shkak i rritjes së madhe të inflacionit dhe rënjes së fuqisë blerëse si pasojë e rënjes së numrit të popullatës në Kosovë si pasojë e migrimeve të viteve të fundit.
Për këtë arsye dhe shumë të tjera si ato të sipërcekurat në këtë shkrim, demokracia ka nevojë që herë pas here të testojë funksionalitetin dhe efikasitetin e institucioneve të saj.
Zgjedhjet, si një prej instrumenteve më të rëndësishme të demokracisë, shërbejnë si rrugë dhe urë lidhëse për pjesëmarrje të qytetarëve dhe mërgimtarëve në procese politike, me zgjedhjen e njerëzve që përfaqësojnë më së miri vlerat dhe interesat e tyre.
Votuesit me dorën e tyre në ‘Kutitë e Votimit’ mund të përcaktojnë kahet e politikave zhvillimore të vendit, të cilat nesër e përmirësojnë kualitetin e jetës së tyre. Për këtë arsye, zgjedhjet janë test demokratik i shoqërisë, prandaj është fondamentale pjesëmarrja e qytetarëve në zgjedhje.