Jetë gazetari, një kredhje e jashtëzakonshme në profesionin e gazetarisë e shkrimtarit Bajram Sefaj

0
601

Bajram  S e f a j, Paris

z o n ë  g r i

(jete në gazetari)

Këto meditime të shkrimtarit Bajram Sefajt për gazetarinë e gazetarët , janë botuar si libër.

Gazetaria:  “mjeshtëria më e bukur në botë!”

camus

dilemë…

Kjo që do të lexoni (nëse fare e lexoni) në vijim nuk është jetëshkrim. As biografi, në kuptimin e mirëfilltë të fjalës, nuk është.

Çfarë është, andaj?

Ose nuk është kurrgjë hiç, ose është gjithçka. Që nuk do të jetë as jetëshkrim as biografi, është e sigurt dhe jashtë çdo dyshimi.

Një pjesë të (auto)biografisë tashmë është shpërnda në tregime sajesa tjera të prozës  edhe në vargjet poetike, të përmbledhura në një vëllim, të parë e të fundit, me poezi. Në ecje e ka titullin ajo “autobiografi në vargje”.

Shumë herët madje, sa nisa të merrem me krijime letrare, qita në letër një sajesë, paksa më të gjatë, me titull “Memoaret e Tafos”.

Me ironi, thosha: e po kur  gjithkush shkruan dhe boton memoare, pse mos ta bëj një gjë të tillë edhe Tafo, i gjorë?!.

Po kush ishte Tafoja?

Një vogëlush, tamam si unë. Shtat shkurt e thatimin, si unë. Me fytyrë të gjerë, me një hundë e madhe dhe e deformuar, si imja. Sytë e bardhëm, me shumë bojë qielli mbi ta, si unë. I pa ushqyeshëm, leckaman dhe lakmitar i pandreqshëm, si unë. I pesëmbëdhjeti fëmijë i një nënë e një babe, si unë. Veshje e mbathje, shtrojë e mbulojë… e kishte varfërinë. Shtresat e trasha të saj. Me një fjalë isha unë vetë.

rrugë e mundimshme …!

Pas një udhe të gjatë e të mundimshme, u ndala një copë herë. Si për një pushim të shkurtër. Ndeza një cigare e piva bashke me një kafe sade. Hodha një vështrim mavi mbi tërë atë rrugë të mundimshme. Nuk ishte alé, as aveny mbjellë me dru e lule shumëngjyrëshe.

Fluturimi lartë qiellit i ndonjë aeroplani të bardhë, me mbushte pikëllim. Me sëmbonte në zemër. Me nxiste të përsëritja pyetjen: a do të vijë ndonjëherë dita, të udhëtojë. Me fluturake që ngjiten lartë e më, o zot!

Edhe Bjeshkëve të Nemuna, t’u shkoj përmbi!

Ajo ditë, më në fund, erdhi. U bëra udhëtar i pasionuar i rrugëve të gjata, madje.

Udhëtimi, rrugëtimi, është pjesë e punës se gazetarit.

Rrëfej për vetën, si gazetar. Nga memoaret moti kohë heq dorë.

Memoare le të shkruajnë ata të tjerët.

Të mëdhenjtë. Të lavdishmit. Siç ishte Çerçilli, fjala vjen.

Iku kjo!

jetë mbështjellë në gazetë…!

Rrëfej jetën time jo aq të gjatë, por megjithatë, të bujshme dhe, deri diku, të vrullshme si gazetar. Ashtu siç është. Pa i shtuar as munguar as më të voglën imtësi as detaj.

Askush, asnjë koleg imi, (sa i njoh) nuk ka shkelur një rruge, plot me gjemba, si unë. Më tepër, i nxitur nga të tjerët, nga ata që, sadopak, i njohin vuajtjet e mia  si gazetar,  kur dëgjojnë fragmente të rrëfimeve të mia, gjithnjë autentike dhe të riprodhuara besnikërisht, pa retushime, hijeshime dhe trillime, mbesim të pagojë, si të shushatur, dhe me qortojnë që të gjitha këto nuk i hedh në letër.

-Jo, i përgjigjëm dilemës!

Do të shënoj emrat, pa fije dyshimi, të gjithë eprorëve me kishin hyrë në hak, me kishin lënduar, kur nuk me  lënin rehat e të qetë. Të ushtroja profesionin e gazetarit, që sa shumë e doja (dhe e dua).  Unë, paqësori i përmotshëm, ura mbi të cilën shkeli këmba e gjithfarë (pis)milet dhe (miu)tirani… Unë, njeriu i kompromisit dhe ujdisë, i njerëzisë dhe gatishmërisë flijuese që, në emër të dashurisë ndaj profesionit, kurrë (me përjashtime shumë të vogla) nuk e “ngjeva penën” në bojë të zezë…

Do të rrëfej, duke ecur për maje gjilpëre, tehut të briskut. Duke ekuilibruar.  Pa lënduar as  helmuar askënd. Shumë nga ata njerëz me të cilët bashkudhëtova, sot nuk janë më.  Shumë të tjerë janë bërë pikë e pesë. Shpërnda meridianëve më të largëta të planetit. Një dorë tjetër, plakë e lodhë jete.

Ky libërth ose kjo librushkë, siç i quajti R. Qose, librat e fundit të  Kadaresë, në polemikat  me te!, ndërtimin e godinës te së cilës po e nis, larg asaj, të jetë dosje, që do të qes në dritë të diellit, të palarat e shefave dhe redaktorëve të mi. Atyre që, në vend së të shkruajnë artikuj në gazetë, të realizojnë emisione në radio dhe në televizion,  bënin politikë. Që ishin të besueshëm. Kujdestarë të rendit. Ndërtues,  kultivues dhe mbrojtës të bashkim vëllazërimit. Sipas bindjeve tyre, filozofisë së tyre të dergjur, bashkim-vëllazërimi, ishte themeli më i fortë i shëmtisë artificiale, më shumë kombe e kombësi. Kur mbi dy milion shqiptarë në Kosovë, mezi ishin kombësi dhe, jo vetëm që nuk ishin të barabartë më të tjerët por, nuk gëzonin as të drejtat më elementare njerëzore.

Që me hapjen e dyerve të këtij shkrimi, druajta mos të zgjatëm. Të mos bëhem i  mërzitshëm.

Fjala-fjalës, fjala tërheq fjalën. Nxjerr një kashtë, dalin gjashtë!

Ndoshta trembeni, lexues eventualë të  mundshëm. Jo. Mos frikësoni!  Flas vetëm për vete. Për atë pjesë, për zonën gri, të jetës sime si gazetar. Që ka lidhje të ngushtë me te. Për asgjë tjetër. Temën e  ndrydh e shtrydh. E mbërthej brenda këtyre kornizave. Tri rrafsheve. Tri periudhave kryesore: (para)gazetaria, gazetaria dhe (post)gazetaria, ose ndryshe, si u bëra gazetar, isha dhe mbeta gazetar.

Iku (edhe) kjo!

si u bëra gazetar?

Që në fillim, duhet bërë një precizitet. Një sqarim.

Gazetar nuk u bëhem lehtë e pabrenga, ashtu sikurse janë bërë dhe vazhdojnë të bëhen, mbase, mijëra e mijëra, vetëm brenda një dite. Në Kosovë dhe në botë!

Jo!

Dëshira, fija e saj e parë, që të bëhem gazetar, është e hershme. Atëherë kur akoma nuk dija më tamam as domethënien e vetë fjalës gazetar. Ende pa parë gazetar. Pa pasur as ide të qartë për këtë profesion. Megjithatë, befasia ndodhi. Ndodhi me të  kapërcyer të pragut të shkollës së mesme. (Gjimnazit, atëbotë, real të Pejës).

Tash isha bërë “burrë”.

Hej, isha nxënës i shkollës se mesme.

Në mjedis të ri, në ambiente qytetit. Në mjedis të ri, nxënës e profesorë. O zot sa pak ndryshimi kishte midis tyre. Edhe nxënësit ishin të lartë e të pastër, si profesorët. Të krehur e (nën)qethur mirë e më elegancë, si profesorët. Herë-herë më mirë se edhe  ata, sidomos ata profesorë që rridhnin nga gjiri i familjeve të varfra.

Në Gjimnazin e Pejës, isha shok klase me F. Begollin, me të ndjerën Xh. Broqin, me E. Kryeziun, me E. Hadrin, me E. Nimanin, me S. Boshnjakun, më S. Radotinën (Osën), me të ndjerin J. Gacaferrin, me A. Thaçin, me të cilin e kishin kryer bashkë shkollën fillore në Novoselë dhe tetëvjeçaren në Jablanicë të Vogël, (alias Alba e Vogël). Isha në një klasë më R. Spahiun e R. Idrizin e shumë e shumë të tjerë.  Në atë mjedis të ri, përrallor e të magjishëm, nuk do mend, bie në kontakt të parë me gazetën. Më “Zërin e rinisë”, që sapo ishte zhdjergur nga Beogradi  e kishte ardhur në Prishtinë. Shumë shpjet u “takova” edhe më gazetën Rilindja. Atëherë, ishte e përjavshme. Ishte gazeta e parë, në jetë, që e shihja. Edhe sot e kësaj dite, me nostalgji, kujtoj shkronjat e mëdha të dorës, si u thoshin atëherë, me të cilat qëndisej titulli i saj i stampuar në faqen e parë, me nënshkrimin – organ i Lidhjes socialiste të popullit punues të Kosovës dhe Metohisë (a të Kosmetit, nuk më kujtohet mirë).

Të gjitha kuptoja disi, ose pandehja se i kuptoja, por assesi nuk e merrja me mend, se një gazetë mund të jetë organ i kujtdo qoftë. Kjo vërtetë tingëllonte, si e papëlqyeshme, e pahijshme, për të mos thënë banale. (Asokohe fjala banale nuk kishte përdorim e qarkullim të shpeshtë dhe, vështirë se ia kam ditur kuptimin!).

Ndërkohë, Rilindja hodhi një hap të ri e të rëndësishëm. Në vend se njëherë në javë, tash nisi të dalë dy herë në javë. Ditën e hënë dhe të ënjtë, me sa më kujtohet.

Dita-ditës, bëhej më e popullarizuar. Gjendej në të gjitha kioskat (që nuk ishin shumë). Në duart e numrit gjithnjë më të madh lexuesish.

Rilindja mbante distancë, ishte larg meje dhe çdo gjë rreth saj ishte, si e mistershme.

Si dy mrekulli të ishin, njëherazi, ndodhin dy gjëra. Njëra pas tjetrës.

Një mbrëmjeje,  kur vëllai im u kthye nga qyteti i Pejës dhe,ndër të tjera, kishte sjellë edhe gazetën Rilindja.  Apostafat, për mua. Për të kënaqë kureshtjen time. Menjëherë nisi zgjidhjen e nyjës së enigmës. Në Pejë, gjera pinin kafe me një mik të tijin, ia kishte behur një njeri. Me kostum e kravatë! (Sigurisht, një mësues nga rrethina e Deçanit). Miku i kishte thënë e ai, në gazetën e sotme kishte botuar artikull! Me  gisht  ia kishte treguar atë artikull që nuk zinte më shumë vend se që zë “shtati” i një shkrepëse me pesëdhjetë fije.

Pastaj vëllain e bezdis me pyetje naive: si ishte ai njeri, si ishte i veshur, si ishte i mbathur… A ishte shtatlartë. Fytyrën, flokët si kishte. A ishte i rruar e i ndrequr mirë…

Befasia tjetër, ishte akoma më e dashur, akoma më e afërt. Vëllai tjetër, që ndiqte mësimet për mësues në kursin veror në Prizren, kishte ardhur me Rilindje në xhep. Në rubrikën, “Lexuesit na shkruajnë”, i ishte botuar teksti që bënte fjalë për sjelljet jo korrekte të shoferit të autobusit në relacionin, Pejë-Prizren ose anasjelltas. Ky ishte fundi i të gjithave. Ishte zbërthyesi, ndriçuesi dhe zgjidhësi i të gjitha dilemave dhe enigmave bashkë.

Fill pastaj…

artikulli i parë …!

Fill pastaj, fija e rrezes së fatit të fatkeqësisë (kësaj kurrë nuk i dihet me tamam!),  më gjeti. Piku mbi mua. Në bankën e fundit të klasës së parë në Gjimnazin e Pejës. Gjatë pushimeve veror, midis klasës së parë dhe të dytë të Gjimnazit të Pejës, botoj  “artikullin” e parë në Rilindje!

Edhe pse ishte i pari, ishte problematik!

Pse?

Nuk derdhej  në më shumë se dhjetë rreshta. Nuk kishte më shumë se pesë a gjashtë fjali. Ajo paraqitje ime e parë në gazetë, nuk ishte hiç e mbarë. Shkruaja për një rast tejet tragjik, kur një e re i kishte dhënë fund jetës saj të re, duke i varur në konop pse e kishin fejuar, pa dëshirën e saj!. Gjëra të ngatërruara dhe mjaftë delikate, të kobshme, janë këto edhe për kohën e sotme, e lërë më, atëherë kur kisha shkruar “artikullin” e parë.

Aty e andej, sikur kamë hequr dorë nga shkrimet në faqe tjera të Rilindjes. I jam ngjitur bashkëpunimit me faqen e Rilindjes për fëmijë.  Bashkëpunimin që zgjati, herë dendur herë me ndërprerje të shkurtra, deri sa ekzistonte ajo faqe.  Deri në ditët e pleqërisë. (Në parantezë, i rikujtoj disa nga emrat e redaktorëve të asaj faqeje gjithnjë të popullarizuar të Rilindjes. N. Islami, G. Spahiu, V. Kika, Y. Shkreli, S. Zogaj, M. Ramadani e të tjerë. Bashkëpunim të frytshëm, kisha në periudhën sa redaktorë të kësaj rubrike, ishin V. Kika, Y. Shkreli dhe M. Ramadani).

Iku kjo!

hartimet, konkurse letrare …!

Shkrime të aty-këtushme, sidomos në rubrikën e popullarizuar kuriozitete,  nisa të botojë, pra, në faqet e Zërit të rinisë. Deri në çastin kur redaksia e kësaj javoreje të vetme asokohe, kishte shpallur konkurse letrar për tregim. Vendin e parë, në atë konkurs letrar, e zënë  E. Kryeziu, që e kisha shok klase!

Deri në atë çast, hartimet me shkrim, nga gjuha shqipe, për mua dhe besoj për gjthë të tjerët, ishin konkurse letrare! Hiç më pak. Me interesim e kureshtje të ngacmuar pritej dita kur profesori i gjuhës dhe i letërsi shqipe, i komunikonin rezultatet e atij “konkursi letrare!”. Në hartimet me shkrim, më të mirët ishin E. Nimani, S. Boshnjaku, J. Gacaferri, E. Hadri, A. Thaçi, e ndonjë tjetër. Ani pse kurrë nuk merrja notë më të lartë se tre plus ose katërshe, pavarësisht se hartimet e mia kurrë nuk lexoheshin në klasë, kjo nuk do të thoshte, se  ngelja prapa të më të mirëve.  Qysh atëherë, profesorët e gjuhës shqipe, kishin hetuar se, në hartimet e mia kishte tepricë sentimentalizmi, nostalgjie, vaji, lotësh e lëngate…

Ishte shumë e vërtetë. Fjalët e tyre, vlejnë edhe sot e kësaj dite.

Në parantezë, po e rrëfej një ngjarje të habitshme, që me ndodhi, qysh kur isha nxënës i klasës se dytë ose të tretë në Gjimnazin e Pejës. Profesori i gjuhës dhe i letërsisë serbokroate (atëherë), na kishte ngarkuar që në hartimin me shkrim të radhës, të shtjellojmë temë të lirë. Sipas dëshirës. Ato ditë, një vëlla im i dashur, kishte përjetuar një fatkeqësi të rëndë. Një aksident fatal dhe të kobshëm. Gjersa lozte me te, i  kishte plasë në duar, një bombë intensiteti e fuqie të madhe. Jeta e tij kishte qenë në rrezik. Veç orakujt vetë e dinë se, si ishte përbiruar, si për vesh gjilpëre, ai shpirt i vogël e i pafajshëm. Trupi i tij i hajthem, ishte “qëndisë” me rrafsh pesëdhjetë e dy plagë të mëdha e të vogla…

Në atë hartim, në gjuhën serbokroate, që as nuk e flisja, midis lotësh e vajit, me kishte ardhur pavetëdijshëm fare, mendim e kisha shënuar: vështirë është kur njeriu është edhe i ri edhe plak…! Në të njëjtën kohë.

Kjo fjali e vogël, ishte  befasi e madhe për  profesorin e gjuhës serbokroate.  Ngjashmëria pothuaj identike me vargun e poetit të shquar kroat, T. Ujeviq, i njohur si bohem zagrebas!. Profesori ishte mrekulluar nga kjo rastësi, nga se ishte i sigurt, (kjo ishte e vërtetë si qartësia e dritës së diellit), se kurrë më parë, deri në atë çast, nuk kisha dëgjuar për atë poet!

Tashmë kishin kaluar ato dridhjet dhe ethet e  fillimit.

Hiç me larg se në klasë, kisha autorin e tregimit  të  shpërblimit të parë në konkursin letrar të Zërit të rinisë, E. Kryeziu. Në një bankë ulesha me A. Thaçin, vjershat  e të cilit botoheshin, gati-gati, në çdo numër të Pionierit. Nuk kisha fije xhelozie për vjershat e mira që i botonte, as pse redaksia e Pionierit, si sot me kujtohet, nga Prishtina në Gjimnaz të Pejës, apostafat kishte dërguar R. Hoxha bashkë me M. Krasniqin  a ndonjë tjetër, për ta takuar atë djalë të talentuar që shkruante aq bukur!  Jo, ata nuk kishin ardhur të me takojnë mua, por Abdullain.

Vazhdoja të shkruaja në gazetë, në Rilindje e në Zërin e rinisë. Kurrë nuk kisha provuar të shkruaj, çfarëdo qoftë, për Radio Prishtinë. Për asnjë nga programet e saj. Tashmë isha ngjitur, si ushejzë, për gazetarinë e shkruar. Për “letrën” e gazetës dhe,   pos Rilindjes, nuk njihja tjetër!

Edhe në Radio Prishtinë, kishte dhe, dita me ditë, ndërtohej kuadri gjithnjë e më i fortë gazetaresk.

Iku (edhe) kjo!

rilindja e përditshme …!

Rilindja  ishte në hovin e përgatitjeve intensive për hedhjen e hapit të ri. Revolucionar, lirisht mund të thuhet.

Nga gazetë që botohej dy herë në javë, Rilindja duhej të bëhej gazetë ditore. E për(gjithë)ditshme!

Sa më shumë që afrohej ajo ditë, e madhe, iluministe dhe dritëdhënëse, aq e më shume intensifikohej puna përgatitore, agjitative, propaganduese dhe informuese, të masave të gjëra popullore. Me idenë se  gjendemi para një akti të rëndësishëm kulturor historik, afirmativ që edhe më shumë e dëshmon barabarësinë midis kombeve dhe kombësive tona dhe se, çelikosë bashkim vëllazërimin (siç do të shihet, shumë shpejt, të rremë!), të proklamuar dhe të fryrë e të trumbetuar skajshmërish.

Vëllai im, që ishte deputet i kuvendit komunal të Pejës, erdhi në shtëpi edhe i gëzuar edhe i hidhëruar ,njëkohësisht. I gëzuar për arsye se dita e pritur e botimit të përditshëm të Rilindjes po afronte me shpejtësi. I hidhëruar dhe i nevrikosur,  pse nuk ishte gjetur një tjetër njeri, më i mirë, më i ndershëm, më i përshtatshëm dhe qëllimmirë të prapagojë Rilindjen si gazetë ditore, se që kishte qëlluar një trutharë e idiot, i dërguar apostafat nga ndonjë organizëm i lartë krahinor, me seli në Prishtinë, për të kumtuar lajmin e gëzuar dhe për të bërë propagandën mobilizuese në prag të këtij evenimenti dhe kësaj dite të shënuar.

Iku kjo!

blijeni rilindjen, myslimanë …!

“Kupite Rilingju, ljudi, to je banja za muslimane!”. (Blijeni  Rilindjen, njerëz, është  banjë, (gjë e mirë) për myslimanë!”). Ja, se në çfarë mënyre të ligë e qëllimkeqe,  çoroditëse dhe idiote, e propagonte dhe joshte e grishtë lexuesit e ardhshëm, thuaj se Rilindja nuk kishte (nuk do të këtë) edhe  lexues të tjerë, katolikë, në rend të parë, por edhe shqiptarë të tjerë. Ai injorant mjerë, siç kishte qëlluar, e bënë këtë gafë, në fillim të vitit tash, të largët, 1958. Kështu a mbase edhe më keq e për adalet,  personifikonte identitetin tonë kombëtar. E njësonte (barazonte) me përkatësi fetare, religjioze. Kur dihet mirë se, shqiptarët kurë nuk u identifikuan me asnjë fe, ndonëse  kombi ynë, njeh madje tri përkatësi fetare, myslimanizmin, katolicizmin dhe ortodoksinë. A nuk u (ri)pranveruan, a nuk u njomën, a nuk u përsëritën, si refreni i një melodia të preferuar, me mijëra e miliona herë, nga mijëra e miliona gojë, prej brezi në brez, nga gjenerata e gjenerata, vargjet e poetit dhe rilindësit tonë të njohur, Pashko Vasa (1825 – 1892) kur në vjershën “O moj Shqypni!”, ndër të tjera thotë: “ Çoniu, shqyptarë, prej gjumit çoniu,/ të gjithë si vllazën n’nji besë shtërngojuni,/ e mos shikoni kisha e xhamia: feja e shqiptarit asht shqiptaria!/”.

Në parantezë. (Porosia “ Kupite  Rilingju, ljudi….”, e atij  armiku të përjetshëm, edhe mund të kuptohet dhe të kapërdihet disi. Nga se ashtu mendonte dhe ashtu thoshte një nga ata, nga ata që gjithmonë na kanë konsideruar të tillë, fenomen ky që gjënë fill në vargjet e poetit tonë të urtë, E. Mekuli, kur një varg në poemën “Shqiptari këndon”, ndër të tjera thotë:”Qemë – turq, dreqen me bishta, qemë-raje, që t’hiqet në vargoj të mjerimit, të përbuzur – shiftarë”. Në asnjë mënyrë, nuk mund të merret me mëndë, ndërkaq që, tash në fillim të shekullit njëzet e një,  të shkruaj, madje, libra të trashë e të gërmojë në kotësi e të dëshmojë, një përkatësi tjetër (islame), një tjetër identitet, pos atij evropian, që nuk e luan as topi. Të flasësh e të shkruash libra të trashë, i yshtur jo nga e vërteta historike e shkencore, por nga inatet prapanike, nga urrejtja ndaj një njeriu të vetëm, është për të ardhur keq. Gjynah. Çfarë koincidence  midis porosisë: “Kupite, judi, Rilingju, to je banja za muslimane!” dhe shkarravitjeve, gjëja shkencore, për të dëshmuar identitetin mysliman të shqiptarëve!).

Rilindja rritej. Me të madhe, përgatitej të bëhej gazetë ditore. Bashkë më të,  gjithnjë e më qartë, me dritë gjithnjë më të fortë, shkëlqente ylli i fatit tim që, një ditë, megjithatë, do të bëhem gazetar, dhe se këtë profesion, do ta ushtrojë gjatë gjithë shekullit të jetës sime!

Pavarësisht nga kushtet dhe rrethanat.

Iku(edhe) kjo!

më afër ëndrrës …!

Në fillim, pa pritur e pa kujtuar, në horizont u shfaq një rrethanë fatlume që, në vështrim të parë, me mua, nuk kishte asnjë lidhje. (Pos dëshirës  së flakët dhe kurrë të pa përgjumur, që të bëhem gazetar profesionist, e asgjë tjetër!).

Punë jo aq e lehtë, as e kollajshme, (sidomos për një mjedis siç ishte Kosova e epokës për të cilën është fjala, kur ishte në shkallën më të ultë të zhvillimit ekonomik, shkollor e tjera, mos të numërohen se janë shumë), të nis botimi i një gazete të përditshme. Kjo nënkuptonte punë të madhe. Investime të mëdha. Nga çdo anë ta vështrosh këtë çështje. Dy, por, fatbardhësisht, probleme gazeta i kishte të shlyera. Nuk e kishte dertin dhe dilemën e titullit të gazetës. Titull më të bukur, më gjegjës, më domethënës, më simbolik e më të përshtatshëm, se që ishte Rilindja, nuk mund të imagjinohej. Thuaja edhe një herë emrin, Rilindje e ndalu, e mendo, medito! Bjer në mendime!

Edhe problemi tjetër që, nuk do mend, është shume më i madh se i pari, ai i titullit (e me titull!),  çështja materiale e financiare, mund të thuhet se, nuk ishte, nuk ekzistonte. Mjete të pakta e për faqe të zezë, duhej disi, në emër të “bashkim vëllazërimit” dhe të barazisë midis kombeve dhe kombësive,  t’i sigurojë shoqëria serbo-jugosllave.

Sa me përkiste mua (dhe shumë e shumë të tjerëve si unë), që dëshirën për t’u marrë me gazetari,  mbi të gjitha, çështja e kuadrove, ishte problemi i parë. Më i madh. Ishte çështje kyçe.

Teksa mora maturën në Gjimnazin e Pejës. Isha i gatshëm, të përvjel mangët dhe të hidhem në fushëbetejë. Por, jo ore, çfarë gazetari unë. Nuk mjaftonte vetëm shqetësimi që kisha në zemër. Nuk mjaftonte vetëm entuziazmi dhe dashuria e flakët  për këtë profesion. Nuk mjaftonte që, ndërkohë, si bashkëpunëtor i jashtëm, me disa shkrime të imta, margjinale, miniaturale, me disa artikuj të shkurtë e të parëndësishëm fare,  mbushja disa qoshe, kënde e gropa, aty-këtu, nëpër faqe gazete. Nuk mjaftonte as kur në çaste të rralla dobësie, krejt të shkëputura nga çdo realitet, paraqitsha madje si gazetar. (Kjo ndodhte rrallë, por, ja që ndodhte!).

Gazetar (të vetëquajtur) si unë, me shkollë tetëvjeçare, me kurse të natës, gjysmë mësues e gjysmë hoxhë, (analfabetë e gjysmë analfabetë), me Gjimnaz të mbaruar, e tjera e tjera, gjysmakë të tillë, Rilindja, kishte boll. Me të tillë ose të ngjashëm, mund të furnizohej, për vetëm brenda disa orëve.

Rilindjes në hapin e parë si gazetë e përditshme, i duheshin kuadro të shkolluara.  Me shkolla të larta dhe me fakultete. Gazetarë të zotët që të mbulojnë e ndjekin me profesionalizëm shumë lëmë e fusha të jetës, duke filluar nga politika e jashtme, e brendshme, ekonomia, kultura e arti, deri të sporti dhe “ngjyra” tjera të jetës.

Krahas atyre që, për trungun e Rilindjes ishin ngjitur ashtu si kishin mundur dhe kishin ditur, atëbotë, shkolla e afërme, Normalja e Prishtinës, ishte furnitori kryesor i Rilindjes me kuadro.

Korpusit të gazetarëve të parë, që kishin zbarkuar, herë-herë prej kushedi nga, duhet shtuar edhe ata që kishin studiuar albanologjinë në katedrën e gjuhës shqipe  në Beograd, apo ndonjë shkollë të lartë a fakultet, të lënë për gjysmë, pa e kryer kurrë.

Iku kjo!

rilindja na shkolloi …!

Rilindja si gazetë e përditshme që po bëhej, duhej të rritej e zgjerohej. Në radhë të parë, me gazetarë të shkolluar. Me fakultete gjegjëse. Jo vetëm me atë të gjuhës dhe të letërsisë shqipe. Por edhe të tjerë. Që studiojnë për shkenca të tjera shoqërore. Për  ekonomi, drejtësi e tjera, bie fjala.

Një dritëzaj,  kur kisha filluar të punoj si arsimtar(!), në shkollën tetëvjeçare në Jablanicë të Vogël, (tash Alba e Vogël), që, vjet më parë, ishte nxënës i saj, shih mrekullinë!

Në faqet e gazetës, zbardh konkursi me të cilin bëhej me dije se,  Rilindja, për nevojat e veta, do të shkollojë katër studentë të rregullt. Dy bursa jepeshin për studime në drejtësi, një për ekonomi, një për gjuhë dhe letërsi shqipe.

Me siguri të gjatë, të stilizuar deri në tepri, shkrova lutje. (Për mall të dynjasë nuk do ta jepja ta kisha një kopje teksti të asaj lutje e, ashtu siç ishte, në origjinal, ta riprodhoja, këtu e më këtë rast!).

Hyra në garë. Konkurrova. Vetën e konsideroja autsajder. Nuk ngjallja asnjë shpresë. Në tërë botën mos u gjendet një kundër-kandidat, ja ku ishe shoku im i klasës, kur ishim dhe bashkëfshatarë, A. Thaçi!

Ai ishte shumë i mirë dhe i talentuar. Nuk mund të supozohej as të imagjinohej së prej gjithsej katër bursave, Rilindja do të ndaj dy për dy kandidatë që janë prej të njëjtit fshat. Madje, shokë të një klase e të një banke!

Nga Prishtina me vjen  një letër. Rilindja me informonte se me kishte fitua konkursin për bursë! Kishte shënuar edhe emrat e tre kandidatëve të tjerë fitues. Të nesërmen, hiç më larg, këtë lajm, më së pari ua komunikoj nxënësve të mi. Nuk mund e fshehja nga ata, gëzimin dhe befasinë, njëkohësisht.

Nuk do të isha gëzuar aq shumë, sikur bursë për studime të me jepte dikush tjetër. Kur këtë e bënte Rilindja, kjo ishte një gjë e posaçme. Kishte rëndësi të veçantë.

Tash duhej të “sajoja valixhet” e të nisem për Prishtinë..

Tashmë, jam në Prishtinë.

Në Prishtinën e Rilindjes, më parë së të mijëra e mijëra banorëve të saj. Më parë se banor i ri i saj, djalë dhe bursist i Rilindjes, isha.

Fakulteti Juridiko-ekonomik ishte vendosur në ndërtesën e Gjimnazit të Prishtinës. Ky ishte zhgënjimi i parë, shumë i madh. Teksa e kisha mbaruar një gjimnaz që aspak, vështruar nga cilido aspekt, për asgjë, nuk ngelte mbrapa Gjimnazit të Prishtinës!

Ëndërroja se ndërtesa e Fakultetit është diçka tjetër nga ajo e Gjimnazit. Se është më madhe. Është më solemne.

Iku (edhe) kjo

“shkoj unë, në Amerikë …!”

Kur për herë të parë shkelja mbi pragun e Rilindjes, pakëz u befasova. Nuk e di pse, mbase në mendje me vinin skenat e filmave, sidomos atyre amerikan të kohës, tek shtjellonin ndonjë temë spektakolare që kishte të bënte me redaksi gazete. Kishte çfarë të shihej atje.

Rrëmuje, lëvizje të shpejta, nxitim, vrapim, breshëri makinash të shkrimit (atëbotë akoma ende nuk kishte kompjuterë dhe elektronikë tjetër!), telefonata pambarim… Korridori i katit të dytë të Rilindjes (thoshin se kishte qenë ndërtesë burgu), ishte i heshtur. I shurdhër. Atje tej, diku në fund të korridorit të gjatë e të ngushtë, dhe jo aq të ndriçuar, dëgjoheshin të rrahuat, plotë zhurmë, të një makine shkrimi. Zhurmën e mbizotëroi zëri burrëror me shqiptimin e zakonshëm, urdhëroni e hyni!

Në kënd të zyrës, një djalosh (i moshës sime, pa dyshim), me flokë shumë, me këmishë të e bardhë najloni (atëbotë fort në modë!).

Kërkoj N. Islamin(!), i thashë,  ndonëse instinkti më thoshte se pikërisht ai vetë është. Nehati është në terren, tha e buza i iku në gaz. U mor vësh çdo gjë!

Para Tetarit (ku është edhe sot), Nehati, ndal hapin. Rilindja, është hall të madh: ka vendosur të realizojë një intervistë ekskluzive, për lexuesit e vetë me Fan S. Nolin, por askush nga gazetarët nuk guxon të fluturoi me aeroplan për të shkuar në Amerikë!

Shkoj, unë…!

Me naivitet i përgjigjëm provokimit të kolegut tim dhe, pavarësisht se ma hedh duke me venë para këtij kurthit provokues, qysh në rininë tonë të hershme, Nehatin përherë e kam çmuar dhe i jam gëzuar çdo suksesit tij, në përgjithësi, në fushën e gazetarisë, në veçanti.

Iku kjo!

gazeta(ria) mbyll librin …!

Mossuksesit dhe rendimenteve jo aq të mira në studime, u dihej hilja.

Isha i ndarë në dysh. Me trup në orë mësimi me mëndë, në redaksinë e  Rilindjes. Mbështjellë në faqet e saj. Sidomos kur në gazetë dorëzoja tekst, sado të shkurtër, për botim. Atë natë nuk shtija gjumë në sy. Për mësim as që më bënte!

Nuk kishte aktivitet politiko-shoqëror, brenda Fakultetit Juridik-Ekonomik, që nuk e përcjellja. Aq shumë kishte aktivitete, që i bënin të shpeshta paraqitjet e mia në gazetë. Me shpoti, më quanin korrespondenti (special) i Rilindjes, nga Fakulteti Juridik-Ekonomik i Prishtinës.

Ky ishte një lloj ngushëllimi, pse nuk studioja diku tjetër. Në ndonjë qendër më të madhe universitare. Por në Prishtinë, që ende nuk kishte Universitet. Me vinte pakëz hidhësi,  N. Islami paraqitej me shkrime nga Zagrebi. Nuk e harroi zilinë (jo qëllimkeqe), kur në një numër festiv (të vitit të ri), në faqet e Rilindjes, u botua intervista, enkas për lexuesit e Rilindjes, (tashmë e përditshme), e kishte dhënë shkrimtari i madh kroat, M. Kërlezha. Ishte, mbase hera e parë që ky erudit i madh, jepte intervistë, për gazetë. Lutjen e duetit të  bashkëpunëtorëve të Rilindjes,  N. Islami, E. Kryeziu, nuk e kishte  refuzonte, për ndër dhe respekt që kishte ndaj lexuesve shqiptarë!

Iku (edhe) kjo!

korrespondent i posaçëm …!

Dëshira për të shkruar (e botuar) sa më shumë, shtohej gjithnjë. Mbisundonte. Kjo manifestohej negativisht dhe kishte për pasojë, suksesin jo gjithaq të mirë në studime.

Nisa të zgjerohem. Shkruaja, gjithnjë e më shpesh, edhe për ngjarje të ndryshme, në fakultetet e tjera, dhe në Shkollën e lartë pedagogjike, që ishte i pari ent i shkollimit të lartë në Kosovë.

Praktikisht, gjithë kohën isha në redaksinë e Rilindjes.

Kënaqsha duke i soditur gazetarët.  I mendoja si njerëzit më të lumturit në botë. Shkrimet e tyre taze, sa i nxjerrin nga makinat e shkrimit, duke avulluar, siç thuhet, ia dorëzonin redaktorit dhe, se shumica prej tyre, zbardhnin në faqet e gazetës se nesërme!

Në një lagje të Prishtinës, inaugurohej solemnisht, një barnatore e re popullore. Që ta ndjek atë “ngjarje” ishte ngarkuar gazetari, atëbotë, i ri (djaloshar) dhe me shumë perspektivë, Z. Çela. Ai kishte ardhur në redaksi dhe, normalisht, kishte shkruar tekstin gjegjës…

Çdo gjë ishte normale dhe e natyrshme. Pos…

Për botëkuptimin tim të atëhershëm, këtu diçka nuk ishte normale. Teksti që shkruhej sot, a është e mundur të zbardhte nesër, hiç më larg se nesër, në faqe të gazetës?

Një gjë e tillë ishte e pa mundur dhe, për botëkuptimin tim.  Ishte e ishte e paimagjinueshme. Kujtoja se, si me shkrimet e mia, duhej të ndodhte me gjithkujt. Pasi të “pushojnë e të flenë”, në redaksi, një kohë të gjatë, tek atëherë, gjejnë rubrikën e caktuar, shohin dritën e botimit në gazetë.

Iku kjo!

njoh kolegët …!

Për kohë të shkurtër u mësova me atë, që në e parë, me ngjau në fenomen. Artikulli që shkruhet sot, nesër të shohë dritën e botimit!

Tanimë njoh shumë gazetarë të Rilindjes. Disa nga larg. Disa të tjerë, më nga afër. Nga ata që bënin, në mos ditët, atëherë muajt e parë, në gazetë, ishin, përpos Z. Çelës, edhe A. D. Jasiqi, M. Rushiti, e ndonjë tjetër. Ndërkaq, nga ata që nga larg i njihja, ishin R. Kelmendi, tashmë reporter i afirmuam, M. Shehu, A. Pashku, A. Shala, N. Duraku, M. Randobrava, Y. Bytyçi, O. Gashi, V. Kika, H. Jupa, e ndonjë tjetër. Kur është fjala për këtë të fundit,  e rrëfej, në parantezë, një anekdotë a gazmore, të vogël. (Nuk e di kush tha se nga Prishtina, kishte ardhur një gazetar i Rilindjes, që tash më, ishte bërë gazetë ditore. Meqë, kurrë më parë në jetën tim, nuk kisha parë gazetar, nga Novosela, koptisëm e sahora vi në Pejë, ta takoj!

Një ditë gazmore (nëse të tilla kishte!), kur Rilindja ishte në kulmin e popullaritetit dhe, si të thuash, në ritmet e afirmimit të madh, i çmuari, H. Jupa, midis kolegëve që e  rrethonin, shkëlqente nga gëzimi dhe hareja. Si me pahir dhe padashur fare, riprodhoj ngjarjen e para shumë vjetësh. Sakaq në buzë i është ndezë një rreze qeshjeje flakëruese dhe me plotë krenari. Ngreh një tym duhani nga çibuku prej qelibari. Ja, pra kolegë të nderuar, ky është H. Jupa. Vetëm për ta parë, lexuesit e tij simpatizantë,  bënë më shumë se njëzet kilometra rrugë me këmbë!

E  sa do t’i bëja sot?

Të gjithë ngelin nemitur. Zotëri Jupa më se shumti.

Sot, sot me qejf dhe pa përtesë fare, do t’i bëja edhe dyzet kilometra dhe, (pas një pauze bajagi të gjatë!),  shfryj pjesën e errët (të keqe) të mahisë: sot do të bëja edhe më shumë kilometra rrugë!, veç mos të takoj!

Qeshje frenetike. Kolegu H. Jupa, si nervoz që ishte, ma këputë një të sharë. Pra, as unë nuk jam nda mirë në këtë pazar shakaje!).

Dushi, një kohë të shkurtër, ishte në rubrikën e sportit. A. Shala. ishte shef i redaksisë, kurse gazetarë të saj, G. Ajeti e F. Sejdiu. A. Dushi, shumë shpejtë, transferohet në rubrikën e brendshme. Në këtë redaksi, më vonë, për një kohë të shkurtër, ka punuar i ndershmi M. Berisha, emrin e të cilit e shqiptoj me dashuri dhe respekt. Kurse nga ata që konsideroheshin si të merituar që Rilindja kishte arritur të bëhet e përditshme, përmendeshin M. Shala, V. Shita, H. Hoxha, S. Dida, M. Murtezaj, F. Cana, Xh. Shiroka, F. Bujari e ndonjë tjetër, natyrisht duke shtuar se kryesori në këtë punë ishin, A. Fazlija, Y. Pula e ndonjë tjetër.

Iku (edhe) kjo!

fidanishte gazetarësh…!

Rilindja vazhdimisht pasurohej dhe përtërihej me kuadro të reja. Dikush shonte, dikush vinte.

Është rasti (dhe vendi) të përmendën korrespondentët e parë të Rilindjes, gjithkund nëpër komuna, së pakut ato më të mëdhatë, të Kosovës së kohës. Në Gjakovë, korrespondent ishte E. Murtezai e pas tij M. Kursani., në Mitrovicë, A. Shukriu, pas tij H. Mataoshi. Në Pejë, pak kohë, si korrespondent me honorar A. M. Kelmendi e pastaj B. Hoti, ndërkaq në Deçan, një kohë të shkurtër rolin e korrespondentit të Rilindjes e luante A. Sutaj.  Në Prizren njëherë ishte, M. Randobrava e pastaj N. Kajrakdiu. Në Gjilan korrespondent, në fillim ishte H. Matoshi, pas tij M. Ramadani, kurse në vazhdim N. Bejta. Në Kaçanik, korrespondent i Rilindjes ishe I. Stagova, kurse në Ferizaj, N. Marevci, më vonë R. Rifati, kurse në Podujeve, me sa mbaj mëndë, korrespondent i Rilindjes ishte I. Hasani, në Istog, I. Jakupi. Në Beograd korrespondent i përhershëm i Rilindjes ishte H. Thaçi, ndërsa në Shkup, A. Gajtani. Në (krye)qendrat e tjera të republikave dhe të Krahinës se Vojvodinës, Rilindja nuk kishte korrespondentë vetë. Nuk kishte as në Titograd, atëherë, (tash Podgoricë). Shumë vjet më vonë, Rilindja do të këtë korrespondentë të përhershëm në Ulqin. Së pari B. Brisku e pastaj I. Berjashi.

Me kolegun e nderuar, zotëri I. Berjashin, me ndodhë në gjë e paharrueshme. Në Podgoricë, mbahej festivali i teatrove alternative (eksperimentale). Nga Prishtina merrte pjesë një ansambël, me shfaqjen gjegjëse. Si i pa përtueshëm,  siç kisha qëlluar, i ngjitëm trupës dhe bashkë me të, shkoj në atë festival. Aty me takon një djalosh dhe, pasi përzemërsisht, më përshëndet dhe me dëshiron mirëseardhje, me  thotë: do të ma besh një të mirë që kurrë nuk do ta harroj! Meqë je këtu, shkruaje një informatë edhe për lexuesit e Rilindjes, natyrisht, me theks të veçantë mbi shfaqjen e Prishtinës. Si për flakë të pushkës, i përgjigjëm. Rilindja këtu, në Ulqin, ka korrespondentin e përhershëm,  I. Berjashin! Jam unë vetë!

Që të dytë bashkë, si kolegë që ishim,  shkrihemi në gaz. Unë me një dozë keqardhjeje, pse kolegun më të ri nuk e njihja!.

Ndryshe, në asnjë vend, të afërt as të largët, të Evropës as të botës, Rilindja nuk kishte korrespondent të vetin të përhershëm. Këtë zbrazësi e kompensonte disi duke sjellë në faqet e veta (të përkthyer, natyrisht) artikujt e korrespondentëve të përhershëm të së përditshmes se fortë e me ndikim të madh politik, Politika e Beogradit. M. Radojçiq, L. Daviço, Gj. Julius, J. Gustinçiç… e ndonjë tjetër, ishin emrat të mëdhenj gazetarësh të kohës. Është interesant të nënvizohet se, prej katër emrave të shënuar, tre ishin më prejardhje hebraike. Lexoju emrat edhe njëherë e, bindu!

Tashmë Rilindja e kishte edhe komentuesin e vet special, specialistin që i analizonte marrëdhëniet (raportet) gjithnjë e më të acaruara të Jugosllavisë me Shqipërinë.

Brezi im, atëherë i takonte gjeneratës së re.

Në Rilindje, kush më herët kush (ndonjë muaj) më vonë, kishim ardhur pothuaj se, përnjëherë.. Më i shquar, ishte N. Islami. Qysh moti, ishte bërë i njohur ndër masat më të gjëra (popullore) publike. Shumë shpejt, ai bëhet pena më e njohur (dhe më e preftë) e Rilindjes. G. Spahiu, por as E. Haliti, ndonëse se  kishin qenë bursistë t të Rilindjes, ndonëse, pra, Rilindja i kishte shkolluar, nuk erdhëm  të punojnë si gazetarë.

Një si (mes)gjeneratë, ishin R. G. Sopi, J. Ferizi, Y. Bajra, I. Gusia, B. Shkreli, N. Kelmendi,  K. Sulejmani e ndonjë tjetër. Fill pastaj erdhën edhe gjenerata më re e atëhershme e gazetarëve, Y. Shkreli, B. Jashari, J. Buxhovi, N. Halimi, I. Kadriu, S. Haliti,  A. Konushevci, R. Ramabaja. M. Kajtazi, M. Kraja, I. Berisha e ndonjë tjetër. Të kësaj gjenerate, të këtij brezi, janë edhe  tri gazetaret e para shqiptare që punonin në Rilindje, D. Kursani, M. Murseli dhe H. Rëzniqi.

Iku kjo!

redaktor i redaktorëve …!

Një ditë me diell shtatori, në verandën e, atëherë, të vetmit hotel tonin, me emrin “Bozhur”, me nga një filxhan kafe përpara, jam bashkë me I. Berishën. Pas vetës kisha, afro dy vjet përvojë si gazetar profesionist (së pakut isha në regjistër rroge si i tillë!), e kjo nuk ishte pak. I. Berisha para vetës kishte dy faqe të një ushtrimoreje. Papritmas me thotë se kishte hedhur në letër, një si kronikë, mozaik, dromca aktualitetesh nga komuna e Deçanit. Kam dëshirë t’i lexosh dhe të ma thuash mendimin për to!”.

Mirë e qartë mbaj mëndë, jam përgjigjur, duke i thënë se, ore djalosh, shumë shpejt do të bëhesh redaktor! I imi dhe i të tjerëve, bashkë më mua! Kjo dëshmonte, më së miri se, teksti i tij, me kishte pëlqyer shumë. E kishte shkruar bukur. Pastër

Mrekullueshëm.

Berisha, një herë ishte redaktor, më pastaj më shumë se redaktor, zëvendës i drejtorit të përgjithshëm të Rilindjes. Kishte ndodhur kjo kur gazeta, ishte në ekspansionin më të madh. Në epokën kur kryeredaktor i ishte Maksi, siç e thirrshin nga dashuria, M. Shehun. Kur numri festiv i vitit të ri, i Rilindjes u botua në hiç më pak në dyqind e pesëdhjetë mijë ekzemplarë!

Ishte ky rekordi, ishte kulmi që gazeta botohej në një numër të tillë ekzemplarësh. Mjerisht kjo nuk  u arrit kurrë, lëre më se u tejkalua.

Duhet kujtuar se, nëpër Rilindje, kaluan, por shumë pak qëndruan brenda saj, personalitet të shquar sikurse ishte F.Agani e U. Hoti, pastaj M. Stavileci e H. Vokshi. Më vonë, S. Smaka, e ndonjë tjetër. M. Rracaj dhe B. Hoti, ishin të pranishëm në Rilindje, për një kohë të gjatë, vetëm me shkrime. Në Rilindje kanë punuar, pos të tjerëve, edhe G. Bobi, (një kohë ishte edhe redaktori i rubrikës së kulturës, fill pas A. Pashkut), A. Shkreli, A. Podrimja, F. Gunga. I pari intelektual i mirënjohur, kurse  tre të tjerët, poetë të ri, atëherë, por të njohur atëherë e sot. Në Rilindje, atëbotë, punuan edhe A. Karjakdiu, B. Sahatçiu dhe S. Qilarxhiu. Deri sa dy të parët ishin përkthyes, i treti ishte lektor.

Iku (edhe) kjo!

të përkëdhelurit …!

Ky ishte, përafërsisht ose në përgjithësi, mjedisi në të cilin  sillesha, njëherë si bursist e, pastaj si gazetar profesionist i Rilindjes. Shumë kohë para së të mbaroj studimet, njihja të gjithë redaktorët dhe kolegët, me të cilët do të punojë.

Menjëherë hetova se, të privilegjuar, të përkëdhelur ishin, sidomos R. Kelmendi, M. Shehu dhe Z. Çelaj. Për të parin e merrja me mëndë, nga se ishte reporter  i shkëlqyer, por pse ishin të tillë,  këta dy të tjerët, nuk e kuptoja dot, si atëherë si sot, si gjithmonë!

Ndër redaktorët që lënin përshtypjen më të mirë ishin, M. Shala, në rend të parë,  S. Dida, V. Shita e ndonjë tjetër.

një ditë, në zyrën e M. Shalës, hyra me një copëz tekst. Isha trimërua se, botoheshin në gazetë, gati-gati pa asnjë ose intervenim. Me seriozitetin dhe burrërinë e tij të përgjithmonshme, pa një pa, me thotë: ”Sefë (jo Bajram!), kush po t’i shkruan këto skica! Në një si pse, që më parë shihej në vështrimin tim të habitur, ai me përgjigjët: pse janë aq të mira, të lezetshme?”. Me dorë (laps), i shkruaj, shok redaktor e, herë-herë me makinë shkrimi, m’i rrahë ndonjë punëtore e daktilografisë apo koleg, më i vjetër. Përndryshe i shkruaj me laps!

“Të gjithat i di. Të pyes, kush po të ndihmon, kush ti korrigjon e përmirëson?”.

Ndihmë shumë të madhe, shok redaktor, me jep piktori i talentuar, N. Muriqi, kur

m’i ilustron  bukur. Mjerisht, kjo ndodhë shumë rrallë, meqë ai studion për piktor, në Beograd.

Shala, një zotëri i madh, bindet, thellësisht bindet, se autor i skicave të vogla, tema me motive të thella sociale, plot varfëri, elegji e nostalgji brenda tyre, isha unë vetë! Në to nuk kishte dorë askush tjetër.

Kush e njihte dhe njeh, varfërinë më mirë se unë që, sidomos në atëherë, isha deri në fyt, i zhytur në të! Ashtu siç, më në fund, varfanjak ishte mbarë populli shqiptar i Kosovës, me përjashtime shumë të vogla.

Për dëshmi, ja një nga ato skica, ashtu siç është shkruar në atë vakt, ashtu siç e ka ruajtur koha! (…..)

ose në rilindje, ose …?!

Ani pse isha kryekreje i dashuruar në gazetari dhe, mezi pritja çastin e ëndërruar të hidhem në valët e atij deti të paanë, edhe pse me mësime nuk qëndroja aq mirë, kurrë  nuk me ke vajtur mendja, të ndërpres studimet. Të hy në punë e të vazhdojë studimet me korrespondencë. Gjë që nuk ishin raste të rralla atë kohë.

Mbase pikërisht, pse isha bursist i Rilindjes, një gjë e tillë me bëhej pengesë.  Pa i mbaruar studimet, pothuaj se isha gazetar profesionist, hiç tjetër.

Në  të tillë vetja me ngjante, sidomos, gjatë stinës së verës. Kur për një muaj të tërë, zëvendësoja korrespondentin e Rilindjes nga Peja. Kur ishte në pushim vjetor. Zëvendësimi ishte i domosdoshëm, nga se, atëbotë, botoheshin faqet e komunave të Kosovës. “Rilindja e Pejës” botohej çdo të shtunë. Ashtu, siç ndodhte edhe me gjashtë komunat tjera (Prishtinë, Mitrovicë, Gjakovë, Ferizaj, Gjilan, Prizren), kur Rilindja botonte faqet e tyre, pikërisht në ditë pazari.

Punën e zëvendësuesit, pavarësisht prej suksesi, e kryeja me entuziazëm jashtëzakonisht të madh. Me dashuri dhe pa fije përtesë. Ah sikur kjo të zgjaste më tepër! Të vinte aq shpejtë çasti kur kolegut, duhej t’ia dorëzoja çelësin e zyrës dhe biçikletën “Alpina”, gand të re. Mjet i vetëm, zyrtar i komunikacionit, asokohe!

Iku (edhe) kjo!

në  r i l i n d j e…!

Edhe pse studimet pothuaj se i kisha mbaruar, nuk ngutesha të filloj punën si gazetar. Në Rilindjen e ëndrrave të mia! Kur, ajo vetë me kishte shkolluar (nda bursë, për ketë qëllim.

Nuk kërkohej ndonjë investim, a mundi më të madh, pos të shkruhej një lutje formale vetëm më pak fjalë. Në emër timin, si miq e kolegë të afërt që ishim, pa me pyetur fare, këtë punë e ka bërë kolegu Y. Bajra, në emër timin!

Në shtatorin e hershëm të vitit 1965, më në fund, nisa punën si gazetar i Rilindjes. Puna filloi mirë e mbarë. Pa brenga të mëdha. Kur ia komunikova lajmi babës tim të mirë se nisa punën në gazetë, pyetja e vetme e tij ishte:”Apo të shiten babo?!”.

Mjerisht, idili nuk zgjati shumë. Në horizonte filluan të shfaqen mjegulla të përhimëta.

Redaktorë mediokër, jo shumë, por megjithatë, mjaftonin të më lëndojnë sedrën. Aq sa ishin, mjaftonin të më destabilizonin, dekurajonin.

Që në fillim, që në start, si të thuhet, të humbas edhe pikën e fundit, atë më të fshehtën, të besimit në fuqitë e mia. Jo vetëm në mes meje dhe N. Islamit, që, pa mëdyshje ishte gazetari më i mirë i Rilindjes (i të gjitha kohëve bashkë), por edhe mes meje dhe të tjerëve që kurrgjë hiç, nuk ishin më të mirë, kur nuk kishin as shkollë, as talent, as entuziazëm, as dashuri për gazetari, megjithatë, jazi bëhej më i thellë mes nesh, gjithnjë në favor të tyre.

Hap parantezën.

(Kurrë nuk jam pajtuar dhe,  nuk e kam konsideruar të drejtë dhe të mençur, idenë se talenti është mbi të gjitha. Është, madje shumë i rëndësishëm, po, por shkollimi, arsimimi, në asnjë mënyrë nuk mund t’i sjell dëm talentit! Përkundrazi, e mbështetë atë, e ujit, e ushqen dhe e çon përpara. Jashtë çdo mëdyshje).

Ishte ironike, hiç ndryshe, kur sapo kisha mbaruar studimet për drejtësi, u shfaq si e domosdoshme, që të ndjek edhe një kurs tremujor pranë Institutit jugosllav të gazetarisë në Beograd. Ani, nuk me ra keq, sado që mosbesimi i redaktorëve dhe eprorëve të mi të Rilindjes, me brengoste pamasë. Në atë Institut, mësim (më shumë praktik se teorik) jepnin penat ndër më të mprehtat të gazetarisë dhe të shtypit jugosllav në përgjithësi. Instituti tubonte gazetarë nga të gjitha viset e ish (ix) Jugosllavisë, nuk ngelja asgjë mbrapa. Shkrimet (shtruese) i nënshkruaja me shifrën Gérar, (nuk e di pse Zherar!), priteshin mirë dhe vlerësoheshin me notë solide, me gjithë se isha në pozitë jo të barabartë, në krahasim me kandidatët e tjerë. Ata shkruanin në gjuhën e tyre amtare. Unë në gjuhë të huaj.

Megjithatë, disi i freskuar, si të kisha qenë në ndonjë qendër rehabilitimi, u ktheva dhe erdha në Rilindje. Ndërkohë kolegët e mi, kishin ecë përpara në karrierë. Nehati, me hapa gjithnjë e më gjigantë. Ai gjithmonë ishte përpara nesh. Është meritë e tij kur  publikut lexuesit të Rilindjes dhe përgjithësisht opinionit publik shqiptar në Kosovë, ia paraqiti, për herë të parë, dy emra të mëdhenj të artit dhe të kulturës shqiptare: Aleksandër Mojsiu, aktor i teatrit dhe i filmit, me famë botërore,  dhe Ibrahim Kodra, piktor, po ashtu, i mirënjohur dhe më famë e nam. Ja dëshmia! “…Kështu në studion time ia behu Vehat(!) Islami drejtor i gazetës “Rilindja” të Prishtinës dhe pak kohë më pas më ftuan që të çel ekspozitën…”- në këtë mënyrë rrëfen piktori i madh,  (tashmë i ndjerë) lidhur me takimin e parë të tij më N. Islamin, në njësinë “Në Kosovë, mes shqiptarëve”, faqe 61 të librit të tij, “Kujtime” – Onufri 2000, Tiranë. Maestro Kodra, (mund të jetë edhe gabim shtypi) pos që ia ndërron emrin, në vend të Nehat shënon Vehat, në anën tjetër, edhe e bën atë drejtor të gazetës “Rilindja”. Jo, askund të botë, gazetarët e mirë, kurrë nuk bëhen drejtorë! Kontributin më te mirë e më të madh ata e japin duke shkruar artikujt të mirë, duke kënaqur shijen e një rrethi sa më të gjerë lexuesish. Pikërisht, një gjë tillë, më të madhe dhe më shumë sukses, e bënte edhe vetë Nehati.

Iku kjo!

rrugë e vështirë …!

Me peripeci e durim të jashtëzakonshëm, prej ditës në ditë, pushtoja hapësirë gjithnjë e më të madhe në faqet e Rilindjes. Shkruaj edhe reportazhe me të gjata. Një ditë të mirë, kisha dorëzuar për botim një reportazh. “Ëndrrat e thyera në shkëmb”, kështu e kishte titullin. Në orët e pas ditës, rastësisht takoj redaktorin e rubrikës, të nderuarin zotëri  Sh. Mehmetin. “Ta lëshova tekstin e reportazhit, ashtu si e ke shkruar, pa i shtuar as munguar, as pikë, as presje!”. Pa e përfunduar mirë fjalën, si për flakë pushke ia kthej: ”Nuk e keni prishur fare, shok redaktor, a!?”. Redaktori, paksa i vrarë dhe i goditur, ”Pse, ai nuk i rregulloj e përmirësoj, por i prish tekstet, a!?!”. Gjëja së u turpërova, për atë që e thash e, në të vërtetë, instinkti e kishte qitë “exactement”, sikur thonë francezët, atë që kisha dashur të them.

Nejse.

Ja një fragment i shkurtë nga ai reportazh i shpëtuar nga “masakrimi” i redaktorit (……)

Isha  gëzuar pamasë, ku për “sektor”, që do e “mbuloja” më kishin dhënë rininë. Edhe vetë isha relativisht i ri. Me moshë edhe në profesion. Rubrikë më të mirë, më të përshtatshme, as që paramendoja.

Ky gëzim, kjo lumturi imja nuk zgjatë shumë.

Në kuadër të obligimeve të përditshme, për të ndjekur çdo veprimtari rinore, vertikalisht dhe horizontalisht (gjerë e gjatë, pra), duhej të përgatisja edhe një faqe materiale autoriale, në javë. Faqe dedikuar, kryekëput, brezit të ri socialist, “në zhvillim të hovshëm e në përparim të gjithanshëm”. As kjo barrë, ky ngarkim dhe obligim, nuk me solli, ndonjë shqetësim shtesë. Përkundrazi, entuziazmi dhe elani im për punë ishte i gatshëm të bartë (mbi samar!) edhe disa herë më shumë.

Iku (edhe) kjo!

ëndrra të thyera …!

Çdo gjë ishte në rregull, e çdo gjë do të prishej krejt, do të rrënohej si kulla prej letre, kur me materialët e duhura për atë faqe gazete,  paraqitesha në zyrën e redaktorit gjegjës. Kishte qëlluar pikërisht ai që edhe më se shumti ia kisha frikën takimit më të. Ishte M. Shehun që, sot, vështruar nga kjo perspektivë, e kujtoj me respekt të merituar  si gazetar të spikatur, por jo, si redaktor. Se pakut sa i takon eksperiencës sime. Me të.

Fillestar. Pa asnjë krah as shtyllë mbështetje. Shumicës se teksteve u binte vi, pa i lexuar as shqyrtuar, si duhet. Derdhja mund të madh në hartimin dhe mbarështimin e tyre. I shkarraviste pamëshirë. U hiqte pjesët më të mira, me poetike, më të hijshme. I gjymtonte dhe i nakatoske fare. Ato, nuk ishin më tekstet të mia. Nuk isha më autor i tyre. Ishin të dikujt tjetër. Vetëm plagët ishin të miat!

Ishin ditët më të vështira. Plot hidhërime, pezëm e zemërime…

Të gazetarisë së ëndërruar, në fillim!

Nuk ishin të rralla çastet kur mendoja ti  bijë grusht çdo gjëje dhe të braktis Rilindjen e  bashkë me te edhe profesionit tim të dashur. Si të ishte i vetmi dhe tjetër profesion mos të kishte për mua në botë, madje as ai i juristit për çka, më në fund, edhe kisha kryer fakultetin gjegjës.

Përkundër të gjithave, vazhdoja punën. Sikurse mos të ndodhte asgjë. Me mua e rreth meje.

Tortura vazhdonte. Maksi nuk ishte i vetmi që me keqtrajtonte.

Si sot më kujtohet, kur në një numër festiv te Rilindjes, me rastin festës së Nëntorit. (Atëherë kremtonim 29 e jo 28 Nëntorin, Ditën e Flamurit tonë kombëtar, por të një tjetri e të huaj flamur!).

Ashtu si e donte dhe e kërkonte ajo festë, kisha shkruar reportazhin me titull “Beteja në klub!”. Shumë mund e përpjekje kreative, kisha investuar, shumë shpirt e ndjenja kisha derdhur në atë shkrim, që ishte edhe një lloj gare, një lloj konkursi letrar, të them me kusht, kur të gjithë gazetarët, pa përjashtim, brezit që i takoja, provonim penat mes veti, mprehtësinë e tyre. Ishim pra, në garë. Me kishte punuar fati e reportazhi im, kishte dalë ndër më të realizuarit. Në mos ishte më i miri, atëherë, pa mëdyshje, ishte më i dëliri, më i pastri, më i sinqerti. Analizator i atij numri festiv, kishte qëlluar, Z. Çela, i nderuar, që, qysh atëherë, ishte përkrah R. Kelmendit dhe jepte impulset e para së ishte në rrugë të bëhej njeri me ndikim në Rilindje.  Që vranë e kthjell!

Bëri vlerësimin “objektiv” të artikujve. Sidomos dhe kryesisht të atyre që i përkisnin zhanrit të reportazhit. Nuk la kënd pa lëvdua! Dikë-dikë edhe duke e quar në qiell. Shumicën prej tyre i nderoj dhe me shpërblimet tradicionale, me kategori të parë, të dytë e të tretë! Vetëm reportazhi im, mbeti si për gjynah. E shkeli dhe e injoroi. E anashkalojë. As që e përmendi fare. Duke e parë këtë padrejtësi të tejdukshme e tendencioze, kolegu që e kisha afër, (B. Shkreli), nuk mund duroi. Si burrë reagoi. Kundër kësaj padrejtësie e subjektivizmi të skajshëm!

Iku kjo!

gazetar, gjithsesi …!

Deshi fati (a fatkeqësia?), nuk e di, pas një vit e tehu, si gazetar në Rilindje, me vjen thirrja për në shërbimin ushtarak. Në ushtrinë jugosllave, të njohur me shkurtesën NAJ ose APJ.

Ishte kohë e vështirë. Ishte kohe e keqe. Mbante mot i ligë.

Të jesh shqiptar e të bësh shërbimin ushtarak në Armatën Popullore Jugosllave, fillim vjeshte 1966, kur nga froni rrëzohej njeriu më i fuqishëm dhe me i rrezikshëm, i “kështjellës  jugosllave”, A. Rankoviq, i njohur me nofkën Marko, ishte rrethanë, sa nuk bëhej, më e keqe. E kobshme.

Të jesh shqiptar, me profesionin gazetar bri emrit, ishte baras me fatkeqësi. Veç  i Madhi, e di se çfarë hoqa  gjatë atyre  njëmbëdhjetë (mijë vjetësh!), muajsh shërbimi ushtarak në APJ. Aq më parë kur atje nuk shkoja me karakteristika edhe aq të mira. Kisha kryer fakultet, tanimë isha gazetar me profesion, isha mbi njëzet e pesë vjeç e, anëtar i Lidhjes së Komunistëve të Jugosllavisë, jo vetëm që nuk isha ende, por, as që e kisha ndërmend të anëtarësohem sa të jam gjallë!

E përsëdyt, ditë të zeza ishin ditët në shërbimin ushtarak në ushtrinë jugosllave.

Iku /edhe) kjo!

malli i rilindjes …!

Edhe pse nga Rilindja nuk isha nda me përshtypje të mira, (herë-herë e merrja si rrethanë favorizuese që mos të jem prezent në përjetimin “shqiptarçe” të dramës që kishte ndodhur më të “dashurin” Marko, kur kjo dramë manifestohej më se keqi e më së rëndi ndër ne, thua se ne ishin fajtorë për gjithçka, e jo viktima, siç ishim!, dhe nga afër të ndiqja atë luftë të ashpër midis gazetarëve e, sidomos mes redaktorëve, se kush ishte komunist më i mirë se shoqi! Luftë qesharake (në ngutje për të dëshmuar se kush është më katolik se Papa!). Megjithatë me digjte malli i Rilindjes. Me provonte malli  për shokët, për kolegët e mi të mirë e të dashur. Kur kisha boll të tillë,  dhe, natyrisht, për familjen dhe farefisin e ngushtë dhe më të gjerë.

Isha ushtar i një ushtrie të urryer. Bartja uniformën e saj të trishtueshme (SMB). Kaloja si është më se keqi, kur provoja çaste të vështira që me qonin deri në vetëvrasje(!), gjëja kohë dhe kisha fuqi, të shkruaj ndonjë artikull të vogël. I shkruaja, aty-këtu, Zërit të Rinisë, kryeredaktor i të cilit ishte A. Sutaj. Jo vetëm që botonte shënimet dhe skicat e mia nga atje, por, e shihte të arsyeshme dhe gjente kohë e mundësi, të me niste  ndonjë lek si honorar, që sado i imtë që ishte,  ishte i mirëseardhur dhe i madh sa të duash. A. Sutajn e çmoja lartë. Si njeri dhe gazetar. Që nga takimi i parë me te. Shkruante bukur. Mrekullisht. Ishte stilist i hollë. Bravuroz. Ekuilibrist.

Jo vetëm me A. Sutajn, por edhe me A. Bunjakun, B. Musliun dhe me shumë redaktorë të tjerë, me redaksisë e Zërit të rinisë, përgjithësisht, bashkëpunoja në mënyrë intensive dhe për një kohë mjaft të gjatë. Bashkëpunimin më të ngushtë dhe më frytdhënës e kisha me Sh. Beqirin, derisa ishte redaktor i rubrikës së kulturës në këtë javore, asokohe shumë të popullarizuar. Nuk është i rastit reportazhi me titull “Me Zërin njoftova botën”, botuar në një numër, festiv a jubilar, pikërisht në faqet e Zërit. Por, as revista Zëri i rinisë, as redaktori i saj, shkrimtari dhe publicisti i mirënjohur  Sh. Beqiri, nuk ishin të vetmin për të cilët shkruaja. Shkrimet e mia, botoheshin edhe në faqet e revistave Fjala, Kosovarja. Bujku… Me revistën Shkëndija, kam filluar të bashkëpunoj, që me daljen e saj në dritë. Qysh se është shfaqur në mjedisin tonë dhe e kam vazhduar deri në ditët e vona. Bashkëpunim me ketë revistë e cila, në saje të angazhimit  maksimal të stafit sajues dhe redaktues, arriti të mbijetojë dhe të gjallëroi më gjatë se asnjë revistë tjetër javore në Kosovë, sidomos të frytshëm e kisha gjatë periudhës sa ishte në ballë të saj, si kryeredaktor,  kolegu fisnik, punëtor dhe çmuar nga të gjithë, që konsiderohej si një nga njohësit më te shquar të gjuhës, gramatikës dhe të sintaksës së gjuhës shqipe, zotëriu, S. Dërmaku.

Iku kjo!

prizren – zym, me vrap …!

Kthimi nga shërbimi ushtarak në APJ, nuk ishte për asgjë specifik as spektakolar. Natyrisht se rifilloj të punoj, si të thuash, aty ku e kisha mbetur. Disa shokë të ngushtë e shumë të dashur, sikurse ishte bie fjala, Y. Bajra, N. Kelmendi e ndonjë tjetër, u gëzuan dhe me pritën përzemërsisht.

Kisha vuajtur shumë në shërbimit ushtarak, çfarë ishte për mua, prandaj, rruga me këmbë nga Prizreni gjer në Zymin e Thatë?. Asgjë. Redaksia e Rilindjes, me kishte dhënë detyrën, të ngjitëm atje dhe të raportoi, nga solemniteti me rastin e suprimimit të komunës së Zymit!

Ajo rrugë ishte  shumë më e shkurt se rrugët e pafundme majave e shkrepave të Alpeve sllovene,kur i shkelja aq shpesh, si ushtar. Madje nën peshën e rëndë (plumb) të armës se huaj.

Përpos që ishte e shkurtër, rruga nga Prizreni deri në Zym, ishte  e dashur dhe e pabrenga. E kaloja lehtë. Si në fluturim, kur pesha më e rëndë që bartja me vete, ishin duart e mia, në xhepa të mi. Fluturoja si shpend krahëlehtë. Më gëzim (të madh) shkoja në punë, sikurse thotë vargu i një melodie tonë popullore!

Asokohe gazeta Rilindja ishe në formë, si i thonë fjalës. Ishte një, dhe e dashur shumë. E lexuar dhe e popullarizuar. Të gjithë donin e synonin të punonin nën strehën e saj. Nën çatinë e saj, jo vetëm si gazetarë, por, edhe ata që e ndjenin vetën si “lindërtar!”, fala vjen.

Shpesh rrëfehet, një anekdotë, kur një gjilanas entuziast, pa fije dyshimi, në administratën gjegjëse të Rilindjes, depoziton lutjen e shkurtër: Lus titullim, të me pranojë në vendin e punës si lindërtar. Justifikoj!

Kur, ditë më vonë, redaksia e gjen dhe kontakton me të, ai “justifikon” se lindërtar, nuk do të thotë gjë tjetër, pos të lindesh fjalë të reja e të panjohura. Pra ai ishte lindërtar!

Sa do që me gëzim shkoja në punë dhe, pavarësisht të vërtetës se ajo vazhdonte pa probleme të mëdha, me kompromise dhe mjete tjera paqësore, kaloja çdo vështirësi. Lirisht mund të them, prej ditë në ditë, gjithnjë e më shumë zgjerohej rrethi i lexuesve të mi besnikë.

Përkundër kësaj të vërtete evidente, megjithatë, mendja me ishte bërë pykë. Me ishte lidhur nyje!

Synoja të vazhdoj studimet pasuniversitare në Zagreb. Në degën  për drejtësi dhe marrëdhënie ndërkombëtare, në Universitetin e Zagrebit.

Studimet i mbarova në Prishtinë. Aty fillova të punoj edhe, natyrisht të jetoj. Një ditë do të martohesha e do të krijoja familje. Do të plakesha. Do vdisja, një ditë (me shi!), në Prishtinë.

Kjo me tmerronte. Për jetë e mot do të ngelja provincial. Kurrë përjetuar dhe shijuar, ngjyrën dhe aromën e një qyteti të madh. Pa humbur, pa tretur në një mjedis të madh kulturor. Me traditë të lashtë.  Zagrebi me ngjante, si i porositur për këtë qëllim. Arsyeja tjetër, sa humbas kohë duke lexuar materiale të ndryshme, të gjata e të mërzitshme, të forumeve të shumta politiko shoqërore (kryesisht të forumeve rinore!), mendoja e bluaja, më mirë të lexojë libra, qoftë edhe të trashë, të lëndëve mësimore në studimet post-universitare.

Iku kjo!

malishevë, a pate rini …?!

Ve4 sa kthehem nga terreni, nga Malisheva, ku ishim bashkë me kolegun  N. Kelmendin,  pa e ditura fare, pa pasur ide, se ai do të jetë paraqitja ime e fundit, si gazetar i Rilindjes, shkrova dhe botova reportazhin me titull “Malishevë, a pate rini?”.

Ishte normale dhe, e natyrshme zbardhja e një shkrimi me titull të tillë, që kishte lidhje me rininë,  nga se, sikurse thash, e kisha sektor të dashur dhe të preferuar. Jetën rinore. Vlimit e saj. Ritmet dhe aktivitet e saj.

Të asaj periudhe janë dy kryetarë, (atëherë) të Komitetit Krahinor të Rinisë Socialiste të Kosovës, O. Nevzatin dhe Q. Hasanin. Të dytë ishin të mirë, korrektë dhe bashkëpunimi me ta, ishte i lehtë. Bile, O. Nevzati, për pak me sa nuk më emëroi kryetar të Komitetit Komunal të Rinisë në Pejë. Kjo nuk ndodhi, nga se nuk isha anëtar i LKJ, (ani pse kjo të bëhej brenda disa çastesh!). Një gjë e tillë, as që mund të ndodhte, nga se, vërtetë e doja dhe e adhuroja, profesionin që kisha filluar të ushtroja me entuziazëm dhe se, nuk do e ndërroja me asnjë profesion tjetër në botë! Q. Hasani, ishte një kryetar i mirë, i ndershëm, i kultivuar, fisnik, i urtë (lexo: i mençur), i Komitetit Krahinor i Rinisë Socialiste të Kosovës. Ishte rritë bashkë me profesionin e funksionarit të rinisë. Më parë kishte qenë kryetar i Komitetit Komunal të Rinisë Socialiste të Prishtinës. Kishte avancuar. Tash ishte Kryetar i Komitetit Krahinor.

Me bëhet qejfi e gëzohem, kur, jo rrallë, kujtohem se këtij njeriu të urtë dhe fisnik, ia kushtova një reportazh të tërë. Në serinë me titull të përbashkët, “Skicë e vogël, për portet të madh”. Me plot fije të argjendta me nuanca ngjyrë forta, në atë shkrim  provoj që portretin e tij, të fusja në kornizën e titullit “Qetësi eruptive”. Mendoja atëherë, mendoj edhe tash, se ai emër i rrinte më se miri, më se shumti i përshtatej dhe i kishte hije , njëmend, qetësisë se tij hyjnore, kur njëkohësisht, ishte edhe eruptive!

Zatriqi, të cilin e mbaja mend si aktivist të flakët rinor, gjersa ishte nxënës i klasës se dytë të Gjimnazit “I. L. Ribar”, të Prishtinës, kishte ardhur pas tij, ishte, pra, pasardhës i Qemalit, në këtë funksion. A. Vllasi, ishte funksionar në radhët e studentëve dhe në këtë funksion shënoi ngritje deri në postin kryetarit, njëherë të Lidhjes së studentëve, e fill pastaj të Lidhjes së rinisë së Jugosllavisë. Për një kohë të shkurtër.

Iku (edhe) kjo!

në studime me gazetë në gji …!

Për habinë (mrekullinë) time, Bashkësia krahinore për arsim e kulturë (nuk e di si  quhej saktësisht asokohe!), shpalli konkurs për studime pasuniversitare. Konkurroj.

Pas disa ditësh, marr përgjigjën pozitive!

Të nënshkruar nga njëfarë zotëriu me emrin, R. Alaj.

Deri në atë çast, jo vetëm që nuk e kisha parë, nuk e njihja jo se jo,  por as që kisha dëgjuar fare për të! (Me të do të shihem disa vjet më vonë dhe emrin e tij do ta mbaj në mëndë sa të jam gjallë (kurrë për keq!). Ai do të luaj rol të rëndësishëm në karrierën (punën) time të mëvonshme, si gazetar!).

Për këtë, do të flas më vonë!

Nejse.

Ditën që, megjithatë,  me keqardhje dhe dhimbje të madhe, ik nga Rilindja (e si mos ta bëja këtë, kur lartësia e bursës ishte, për sa, më e madhe se rroga që merrja si gazetar!

Përshëndetem me kolektivin tim punues të parë. Më të dashurin në jetë.

Po atë ditë, në një mbledhje formale, dikush kishte propozuar që, ajo ditë të kremtohet, si fitore të ishte!

Kolegu N. Kelmendi, natyrisht se kishte reaguar duke thënë se, ajo ditë, më parë  se ditë kremteje, duhej të shpallej ditë zie! Kishte thënë kështu, natyrisht me sasi të madhe mllefi e nervoze!

Si ditën kur ishte “lozur ky teatër”, ashtu edhe shumë vjet më pas, përherë, mendoj se kishin të drejtë që të dyja palët!.

Iku (edhe) kjo

në zagreb …!

Tashme isha në Zagreb.

Isha student i rregullt, me bursë me nënshkrim të R. Alaj!

Në studimet pasuniversitare.

Përkundër mbresës se thellë që me pushtonte bukuria dhe madhështia e këtij qyteti që, njëmendë i takonte Evropës së lashtë, mësimeve u qasem me vullnet e zell të madh. As gjatë udhëtimit me ZET (Zagrebaçki elektriçni tramvaj!), prej një cepi në cepin tjetër të qytetit, nuk ndaja  sytë leximi. As ditën, as natën, nuk i shkoqesha librit.

Kjo “miqësi”, mjerisht, nuk zgjati shumë. Më shpejtë se që mund ta pritja dhe ta paramendoja, dinamika dhe vrulli i jetës në një qyteti të madh, e bënë të vetën. Me mori vorbulla  e tij. Me gëlltiti.

Zagrebi i asaj epoke gëzonte ditë të bardha. Në çdo pikëpamje. Veçmas  sa i takon jetës se pasur kulturore e artistike. Plotë rrugët e sheshet, laheshin dhe  mbuloheshin, më muzikë.  Muzika e lehtë, sidomos, shënonte zenitin e zhvillimit. Jehonte në të gjitha anët. Mbaheshin koncerte të njëpasnjëshme. Mbahej festivali i muzikës së lehtë. E pasur ishte jeta e filmit. Çdo ditë, zbarkonin  kompani të njohura botërore kinematografike. Xhiroheshin filma.  E pasur ishte edhe jeta letrare. Çdo ditë dilnin nga shtypi libra të ri. Radio e, sidomos, televizioni bëhej gjithnjë më i popullarizuar…

Gjithë kjo gamë zhvillimesh, derdhej para syve të mi…

Makina ime e shkrimit “Biser” (që e njihja mirë) nuk mund të rrinte më,  e qetë. Të flinte qetë si dac përtac, në dhomën time studentore!. Të, e të mos merrte dridhmat e ritmeve që derdheshin rreth saj.

Jo, kurrë!

E zë turbullirën e impulseve ritmike. Trembët gjumi. Merr breshërinë e të rrahurave. I kthehesha zanatit të dashur. Gazetarisë, që e kisha zgjedhur, si të vetmin profesion jetësor. Çfarë studimesh  pasuniversitare e broçkulla të ngjashme. Nuk kisha lindur të dergjem e digjen si studiues.  Të bëhem mi bibliotekash. Të bëhem profesor universitar. Shkencëtar…

Iku kjo!

i shkruaja rilindjes …

Shihej mire  së nuk ka asgjë nga studimet pasuniversitare.

Shkruaja gat-gati çdo ditë. Më shumë shkruaja nga Zagrebi, se që shkruante korrespondenti i rregullt i Rilindjes nga Beogradi që punonte për rrogë e stazh.

Biseda me shkrimtarë. Me regjisorë të filmit dhe të teatrit. Me  aktorë të njohur. Me shkrimtarë. Me këngëtar të popullarizuar…, pos të tjerash, ishte fushëveprimi im kryesor.

Përpos në Rilindje, botoja edhe te javorja  Zëri i rinisë. Te Fjala…

Është i paharrueshëm kurrë, dëshpërimin që më solli  botimi i një interviste ekskluzive, për lexuesit shqiptarë të Kosovës, me një nga shkrimtarët e njohur kroat. A. Horvat, ishte ai shkrimtar. Biseda që zinte një faqe, cep e me cep, të revistës Fjala, ishte nënshkruar vetëm me inicialet e emrit dhe të mbiemrit tim, B. S. Kjo hipokrizi e redaktorit, më së miri dëshmonte se çfarë qëndrimi mohues dhe denigrues kishte, dhe vazhdoi të ketë, ai redaktori që, një dreq i zi, e di nga kishte pikur, kishte përzier e hundët edhe në redaksinë e Fjalës!

Shkrimtari kroat, që ishte shumë i kënaqur me hapësirën që i kishte kushtuar shtypi shqiptar i Kosovës, (biseda botohej me rastin e përkthimit të romanit të tij “Aroma, temjani dhe ari” në shqip, (e kishte shqipëruar krijuesi i vyer M. Ramadani), vërejti se me  nënshkrimin vetëm me iniciale, diçka nuk ishte në rregull. Ko lirisht mund të deshifrohej si intervistë e përkthyer nga ndonjë autor sllav, me emrin B(ogdan) S(teviq), fjala vjen. Kjo ishte e ngjashme me, me gjestin jo profesional dhe jo kolegjial  të një redaktori të Zërit të rinisë, kur bisedën ekskluzive për lexuesit e kësaj reviste, me këngëtaren e njohur zagrebase, J. Lisac,  që ndërkohë, ishte  bërë e njohura, e popullarizuar, e preferuar edhe jashtë kufijve të vendit të vet, në vend se ta ilustrojë me fotografinë  bashkë me të, që e kisha dërguar në redaksi,  ishte thye këmbësh e duarsh, deri sa për gazep kishte shkoqur (nga ndonjë gazetë e ilustruar) një fotografi të saj të keqe. Kur (me zemër të thyer) ia dorëzoj numrin e Zërit të rinisë, në Zagreb, u befasua. Nuk i erdhi mirë për këtë gjest primitiv të redaksisë. Vështroi revistën,  iu begenis, por qejfprishur, e futi ne dosjen e vet të pasur. Nejse.

Nga ato shumë e shumë biseda e takime që kisha, gjithnjë në emër të lexuesve të Rilindjes, me njerëz dhe krijues të njëmendet, në Zagreb, përherë ruaj kujtimin e bisedës më kompozitorin plak, J. Gotovac. Edhe pse i shtyrë në moshë, lutjen për bisedë, enkas për lexuesit e Rilindjes, e pranoi jo vetëm me gatishmëri të plotë, por,  edhe me miqësi e gëzim. Si të papërmbajtur!

Kur ia sjell numrin e Rilindjes, në të cilin ishte botuar biseda, ngrihet nga shtrati dhe me hap krejt të pasigurt, i  afrohet një ormani pre druri të trashë arre, të errët nga lashtësia, nga thellësi e mugët e tij, nxjerr një shishe konjak të Shqipërisë, “Skënderbeu”, që asokohe, me të madhe pushtonte tregun evropian. Ngremë bashkë nga një gotë. Në shenjë nderimi për intervistën që e kishte dhënë për lexuesit e Rilindjes.

Të asaj periudhe janë edhe bisedat (e mia) më këngëtarin arbëresh, Xhani Marshan dhe me një numër të madh aktorësh, regjisorësh dhe kompozitorësh të njohur kroat. Në Zagreb takoj aktorin dhe këngëtarin legjendar francez, Y. Montand. Shansonjerin e popullarizuar italian,  S. Endrigo e të tjerë. Me kujtohet si sot, para se për shumë gjëra  të tjera, përmes kolegëve të gazetës Vjesnik, mysafir i së cilës ishte, zotëri Y. Montand-in e pyes, para se për të tjera, sa (e si) e njeh Bekimin tonë (Fehmiun) që, asokohe, ngjitej përpjetë shkallëve të larta të popullaritetit dhe të afirmimit në arenën ndërkombëtare kinematografike.

Iku (edhe) kjo!

lamtumirë, studime …!

Pothuaj se përfundimisht heq dorë nga studimet pasuniversitare. Për dy vjet të plota, nuk  arrij të kaloj më shumë së në një provim. Më të lehtin!

Dalëngadalë, por, me sukses gjithnjë e më të madh, filloj të shkruaj dhe të botoj, në revistat e shumta të Zagrebit. Edhe në vetë ditoren, Vjesnik. Që ishte gjigant i vërtetë, në botën informative kroate të kohës. Tashmë njihja shumë gazetarë, redaktorë… Të disa nga kryeredaktorët e revistave të Shtëpisë Vjesnik, siç e thirrshin ata, me dashuri dhe krenari, “shtëpinë” e tyre. Bashkëpunim më të dendur kisha me javoren e ilustruar “Plavi Vjesnik”. Asokohe, kryeredaktor ishte P. Zlatar. Një penë fort e njohur e gazetarisë kroate. Një nga pak gazetarë kroatë, që kishte pasur rastin të vizitoi Shqipërinë. Në periudhën e keqe, kur ishte katandisur dhe ishte ngujuar nën prangat e vetë izolimit.

Nga ajo vizitë, qëndrim disa ditor, në Shqipëri,  pos që shkroi një seri të gjatë artikujsh dhe reportazhesh,  botoi edhe dy libra të trashë, njërin pas tjetrit, kushtuar Shqipërisë dhe Enver Hoxhës.  Përkitazi me këtë vizitë dhe përshtypjet e tij nga qëndrimi i parë në Shqipëri, zhvillova një bisedë ekskluzive me të, për lexuesit shqiptarë të Kosovës.

Pas vizitës në Shqipëri, fitohej përshtypja se kishte një ndjesi dhe kujdes ndaj shqiptarëve në përgjithësi. Kështu, nuk paraqiste asnjë problem botimi i ndonjë artikulli në “Plavi…”, sidomos. Por, as në akëcilën gazetë tjetër të Vjesnikut.

I asaj epoke, është edhe  biseda me piktorin tonë të madh e me famë botërore, I. Kodra, të cilën me titull  bombastik “Orao nad kataklizmom” (Shqiponja mbi kataklizëm) e botova në faqet (e formatit të madh) të javores së njohur të ilustruar të Zagrebit VUS (Vjesnik u srijedu). Miqësia me Kodrën e madh, vazhdoj pothuaj deri në ditët e fundit të jetës se tij. Ato ditë, kishte realizuar vizitën e parë në Prishtinë. Më  atë rast kishte pasur ekspozitën e parë. Shumë të suksesshme në Kosovë. Ishte shumë i kënaqur, i impresionuar. Ja se çka shënon, ndër të tjera, shumë vjet më vonë, në librin e tij me kujtime: ”Y. Shkreli në fletët e gazetës “Rilindja”  të datës 8 gusht 1968 do të shkruante: Megjithëse ekspozita e Ibrahim Kodrës u çel gjatë sezonit të verës, mundi të tërhiqte një numër të madh admiruesish të arteve figurative të Kosovës. Ekspozitën e vizituan 13.000 vetë. Një numër kaq i madh shikuesish nuk është parë në asnjë shfaqje tjetër në Prishtinë”.

Fill pasi kthehet në Itali, në atelierin e tij në Milano, ku piktori ynë jetonte dhe krijonte, kishte ndodhur një vjedhje spektakolare. Kodra kishte arritur të riprodhojë portretet e hajdutëve keqbërës. Në saje të (foto)robotëve që i kishte realizuar maestro Kodra, policia e Milanos, e kishte pasur të lehtë. Shumë shpejtë u kishte rënë në gjurmë.

Për këtë ngjarje, për këtë hajdutëri, jo të rrallë për mjediset e mëdha artistike, siç është Milano, mbarë shtypi i shkruar dhe elektronik, sidomos revistat e ilustruara dhe me tirazh të madh, i kishin bërë jehonë të madhe.

Hajdutët ishin zënë, pikturat i ishin kthyer autorit!

Në “Plavi vjesnik”, në lidhje me këtë, botoj një (foto)reportazh të madh. Revistën ia postova z. Kodra. Në shenj mirënjohje, me ftoi të jem mysafir i tij, në Milano. Gjej rastin ta riprodhoi atë letër.!!!

Mysafir nuk shkova kurrë. Por, jo njëherë, më saktësisht, sa herë kaloja nëpër Milano,  shfrytëzoja rastin dhe vizitoja maestron, në studion e punës.

Në gazeta e revista, në mbarë shtypin shqiptar,  shkrova shumë herë për te. Ndërkohë që përgatita tri emisione dokumentare (tridhjetëminutëshe) për televizion. Oh sa më është bërë qejfi profesional kur, pos shumë të tjerëve (R. Ferrit, E. Bashës, M. Ramiqit, P. Varvaricës, A. Tafajt ,e ndonjë tjetri) për maestron Kodra, në forme evokimi, kujtimi të takimit të hershëm me të në Milano, i tha disa fjalë, edhe vetë N. Islami që, në saje të shkrimeve të tij, opinioni lexues shqiptar i Kosovës, kishte dëgjuar, për herë të pare, për emrin dhe veprën e tij  artistike.

Iku kjo!

në vjesnik, megjithatë…!

Pavarësisht  se çdo shkonte mirë, në planin gazetaresk e jo me mësime, në Zagreb isha mërzitë. Më shumë se dy vjet të plota (jo vite shkollore)  sorollatesha atje. Jo vetëm në Zagreb, por, edhe në të gjitha anët e Kroacisë. Isha i rregullt, sidomos në Pulën e festivalit. Shpesh edhe në Triestë e Veneci të Italisë fqinje. Nuk me bëhet të kapërcej pa e rrëfye rastin e “takimit” me  B. Fehmiun në Veneci.

Në fakt, fjala është për takimin me filmin e tij, shumë përfolur, “Aventurierët”. Në këtë filmi, Bekimi luante rolin kryesor. Premiera e tij  ishte organizuar në mënyrën më origjinale dhe më spektakolare, të njohur deri atëherë.

Në bordin e avionit Boing të madh. Në lartësi të madhe havaje. Në një relacion të largët, midis dy qyteteve të mëdha, të Amerikës së madhe. Bekimi ynë ishte në  qendër të vëmendjes. Ishte protagonisti kryesor i filmit. Sa mirë i rrinte kostumi i stilizuar me elemente të veshjes popullore shqiptare. Sidomos ajo pjesë që simbolizonte tirqit e lashtë shqiptar.

Jo një herë, por, disa herë, e shikoj këtë film. Shkruar e botoj te Zëri i rinisë, mbresë. Nuk e di, se çfarë shkrova (thashë) më atë rast, por një është e sigurt, shkrimi është thurur me fije entuziazmi të zjarrtë! Plot klithje, plot krenari e lavd, plot…  (Edhe groshin e fundit do e jepja sikur ta kisha kopjen e asaj faqeje të Zërit të rinisë. Ta lexojmë bashkë atë tekst. Shkruar një herë, që nuk përsëritët kurrë më!).

Mezi pritsha të kthehesha në Prishtinë. Mallëngjyeshëm të trokas në dyert e Rilindjes sime që, ishte më e dashur dhe më e shtrenjtë, jo vetëm se Vjesnik-u, (që thoshin se atëherë, në gjirin e vet kishte rreth tridhjetë gazeta, sa ditore, sa revista javore!), por edhe për të gjithë gazetat, më renome botërore.

Pothuaj se kur isha me biletë në xhep, ndodhi befasia. Në vend se të bëhem korrespondent i rregull i Rilindjes nga Zagrebi, fillova të punoj si korrespondent i Vjesnikut nga Kosova. Ishte hera e parë që shtëpia Vjesnik, instalonte korrespondent të përhershëm, në Kosovë. Nuk e di pse e qysh, por Vjesnik, me kishte “lidhë” me rrogë korrekte mujore.

Sa kisha filluar punën në Vjesnik, plasi sherri. Një konflikt i madh, në Komitetin Krahinor të LKK.  Në krye të tij, sa kishte ardhur zotëri M. Bakalli. Në mënyrë energjike i kundërvihet një grupi ekstremistësh dhe nacionalistësh serbë. Ata që jo vetëm nuk  përkrahnin rrugën e zhvillimit të barabartë të shqiptarëve të Kosovës që, deri diku, do ta mundësonte Kushtetuta e re e Kosovës, ajo e vitit 1974, po shqiptarët nuk mundnin t’i shihnin me sy!.

Shkruaja me dëshirë, raporte të gjëra. Kënaqesha me luftën e denjë që e zhvillonte Bakalli, kundër armiqve të përbetuar, barbarë dhe kurrë të pandreqshëm të kombit tonë.

Vjesnik-u, nga ana e tij, i botonte ato raporte me kënaqësi. I plasonte bukur. U jepte vend të dukshëm. Nga faqja e parë (ajo e titullit të gazetës!), e gjetiu, në faqe tjera. Por, por… megjithatë diçka nuk shkonte. Mezi pritja një shkas, një fërkim,  a pezmatim, qoftë edhe me fajin tim, e të shkoqesha nga Vjesnik-u.

Ajo që synoja, ia behë shumë shpejtë.

Një nga reaktorët (dezhurni) të Vjesnik-ut, kishte lexuar, sigurisht në ndonjë gazetë ditore të Beogradit, se, gjëja në një qoftere të Prishtinës a të Fushë (Mullenjave) Kosovës, një komisioni sanitar, kishte gjetur edhe sasi mish qeni, në qofte!

Për këtë zbulim, të mjerë dhe skandaloz, isha në dijeni të plotë.  Nuk kisha shkruar,  që me shkonte mendja të shkruaj. Edhe sikur të ndodhte për çdo ditë.

Redaktori i Vjesnik-ut, (në lidhje telefonike), pa një pa dy, shkund mbi mua breshëri mllefit dhe qortimi:  të kemi korrespondent që të shkruash a të tredhësh miza!

Eh!

Majë hunde i kisha kërkesat e akëcilës redaksi së atjeshme, për artikuj dhe reportazhe me tema gjakmarrjeje, vrasjesh midis shqiptarëve, me motive të ulëta, gjithsesi.

Pas vetëm tre vjetësh,  braktis punën si korrespondent i Vjesnik-ut nga Kosova. Asokohe e gati-gati kurrë, nuk shpërndahej në Prishtinë as kurrkund në Kosovë. Lexues të tij eventualë të Vjesnik-ut, ishin ushtarakët (oficerët) kroatë me shërbim në Kosovë, ndonjë redaktor i Rilindjes dhe unë!

Kjo nuk mjaftonte!

Gjersa isha korrespondent i Vjesnik-ut, me ngjau kjo që nuk durohem pa e rrëfyer.

Atë ditë, vizitonte Kosovën një delegacion i nivelit më të lartë (partiak dhe shtetëror) i Maqedonisë. Natyrisht se atë ngjarje dite, do ta “regjistronte” edhe Vjesnik-u. Për lexuesit e Rilindjes, ngjarjen në fjalë, duhej ta ndiqte I. Berisha. Me thotë të bëj një informatë të shkurtër edhe, për Rilindje. Atë ditë, ishte i zënë me një punë të ngutshme.

Pasi që ia nisa informatën e shkurtër Vjesnik-u, dhe mora të kryej obligimin ndaj kolegut. Papritmas me lindja ideja, me piku hilja të bëja një eksperiment. Do të shkruaj një informatë shumë të gjatë, nuk do ta nënshkruaj unë, ashtu siç ishim marrë vesh me kolegun Ismail, por do të nënshkruaj me emrin e tij, thash. Ashtu edhe bëra!

Tekstin ia dorëzoj Z. Çelajt, duke i thënë se Ismailin e thirren me ngut në portë! (Nuk di si e ujdisa (kurdisa) atë të pavërtetë!). Redaktori mori tekstin dhe, pa e lexuar, as faqen e parë deri në fund, më drejtohet: ja si shkruhet. Fare nuk i duhet redaktimi!

Të nesërmen, i paprekur fare, teksti i një artikulli të madh, zbardhë në gazetë. (Kërkoj ndjesë që (pse) e riprodhova këtë rrëfim, tash pas aq shumë vjetësh. Vetëm desha të them se po ta kisha dorëzuar me nënshkrimin tim, do të bëhej copë e grimë, dhe një zot e di si do të zbardhtë në gazetë!

Nuk jam pishman për ketë. Bëj be në vërtetësinë e tij, prej hirit!).

Iku (edhe) kjo!

Jo,  e rilindjes …!

Mezi pritja të  kthehem në Rilindje. Me duhej Rilindja. Lexuesi i saj (imi), në çdo anë. Me lypsej qortimi i tij. Fjala e ëmbël. Fjala e hidhur, pse jo. Gjykimi. Mirë e keq. Përditë…, kur dita zbardhë me gazetë ditore e zemra të merr malin. Kur sheh masën e njerëzve tek u qasën kioskave për të blerë gazetën. Me gazetë në dorë, në rrugë, në autobus, në park, duke pritur autobusin, trenin, para sportelit… gjithkah. Kur gazeta  shoqëron lexuesit derisa e hanë kafjallin. E pinë kafen e mëngjesit. Dhe, gjithmonë e çdoherë, mendja të shkon se shikimi i tyre është përqendruar pikërisht mbi rreshtat e artikullit tënd, që dje e ke shkruar me aq përkushtim. Duke menduar në gjithë atë masë lexuesish që i do, i çmon pa masë.

Është rasti i volitshëm, është çasti kur vetës mund t’i jep liri, gjithnjë me shpresë se nuk abuzoj durimin dhe miqësinë me ju, lexues të nderuar, bashkudhëtarë besnikë, të rrëfej këtë episod.

Në Beograd vizitoj mikun, N. Muriqin, që ndiqte studimet në Akademinë e Arteve Pamore, në murin e dhomës studentore, bri shtratit kishte ngjitur copëzën e gazetës Rilindja me artikullin: “Ujë, ujë do Shajne!”. Isha përpëlitur të them se, për at fshat malor, të komunës së Dragashit (tash Sharrit), do të mjaftonte të sigurohej sasi e bollshme uji të pijshëm, vetëm me kursimet e një recepcioni (banketi) që atëherë ishin në modë dhe shtroheshin (organizoheshin) va e pa va. Sa herë që  prehej ndonjë lentë inauguruese, qoftë e një koteci pulash!

Ja çfarë me duhej mua. Çfarë i duhet çdo gazetari që këtë profesion e ka për shpirt. Ky ishte shpërblimi më i lartë dhe më i dashur për mua si gazetar i ri që isha. Ky ishte eliksiri shpirti!

Një fragment shkëputur nga ai shënim trupshkurtër.

Me qesëndi, më parë se me gjithë mëndë, shpesh e kallëzoi  rrëfimin që ka të bëjmë me periudhën kur kisha filluar të punoj si gazetar i ri në Rilindje. Kur me thoshte ndokush se kishte lexuar artikullin tim, pa e ditur se a do të më thotë se i ka pëlqyer apo do të qortonte, fjalën ia ndërpres duke e pyetur se çfarë dëshiron të pish, ore mik! Për çfarëdo teksti të jetë fjala, gazetaresk e letrar, më rëndësi është të lexohet!  Më në fund, çdo tekst, shkruhet me të vetmin (një) qëllim: të lexohet!.

Edhe një rrëfim tjetër anekdotik. Kolegu i nderuar, N. Duraku, kishte shkruar një artikull (reportazh) të mirë. Redaktori bashkë me ndonjë koleg që i jepet rasti ta lexojë para botimit, mrekullohen. Të nesërmen në mëngjes, Bili vjen në bufenë e Rilindjes, ku ishin disa miq e kolegë të tij. Besoni burra,  lexuesit e kishin pëlqyer shumë shkrimin tim, botuar në Rilindjen e sotme.  Sa erdha prej shtëpie në redaksi, ama, shumë lexues ma shtrënguan duart dhe me uruan. Të lumtë, me thanë! Atë ditë kolegu, fare nuk kishte shkrim në faqet e gazetës Rilindja!

Iku kjo!

bashkëpunim i flakët…!

Nga puna dy-tre vjeçare në Vjesnik të Zagrebit, megjithatë, ruaj kujtime të mira. Ishte shoqërimin intensiv me Y. Shkrelin dhe bashkëpunimi, po aq intensiv, me gazetën “Flaka e vëllazërimit” që asokohe botohej në Shkup.

Shkrelin e njihja derisa ishte në klasën e parë të shkollës se mesme. “Shkruan Ymeri pa ia nda”, kështu e kishte titullin shkrimi që, atëherë, kisha shkruar për te. Do ta kisha qitur pas mëndësh dhe do të harroja krejt, po mos të ishte miku jonë i përbashkët, Saba, (Din Liti), që, aq shpesh, natyrisht me shpoti, e përsëritë! Y. Shkreli kishte bërë emër. Gazetar i njohur dhe tejet i popullarizuar. I pakapërcyeshëm, si i thonë fjalës. Ato ditë kishte nëpër duar, romanin e tij të parë “Njeriu në bisht”!. Ishte i pasionuar pas ashtu të quajturit “Libër i trashë”. Kisha përshtypjen se edhe po t’i botohej ndonjë roman, me njëmijë faqe atij do t’i dukej i vogël!

Sa isha korrespondent i Vjesnikut të Zagrebit, të gjitha shkrimet, me përjashtime të vogla, që i shkruaja për atë gazetë, ashtu siç ishin, pa i përkthyer fare, i nisja në redaksinë e “Flakës…”. Në “Flakë…” dilnin për mrekulli. Kështu, në mënyrë indirekte, zë fill njohja dhe miqësia ime e thellë me J. Gërvallën, që e çmoja aq shumë.

Përafërsisht ashtu si prisja, ndodhi. Në konkursin e parë të Rilindjes, për gazetar, u pranova. Është interesante se  bashkë me komunikimin se, sot e tutje, sha në marrëdhënie pune në Rilindje, sekretari i redaksisë (R. Stublla) me thotë se, qysh sot, duhej të shkoja në Prizren. Pas një ngjarje të rëndësishme ditore. Pa fije shqetësimi, marr porosinë. Përsëri shfaqet sekretari i redaksisë. Me thotë se jam i lirë. Në Prizren kishte shkuar një koleg tjetër. Fare nuk shqetësohem. Kur vonë në mbrëmje, I. Berisha, më thotë se rasti i pranimit tim në Rilindje, është pezulluar!

ishte hera e parë në jetë, që fjalën pezullim e dëgjoja në ambalazhim të tillë!

Pse ndodhi kështu, nuk do ta di kurrë. Kurrë më,  nuk punova si gazetar në Rilindje!

Lamtumirë, dashuria ime, Rilindje!

Iku (edhe) kjo!

në televizion…!

Redaksia e emisioneve në gjuhën shqipe, “Pasqyra televizive”, (atëherë) në gjirin e Televizionit të Beogradit, kishte shpallur konkurs për gazetarë. Po të kisha rifilluar punën në Rilindje, kurrë e përjetë nuk do të me shkonte ndërmend të lypja punë si gazetar tjetërkund. Kisha filluar më Rilindje, praktikisht, edhe pse isha njëherë në studime pasuniversitare e më pastaj korrespondent i gazetës Vjesnik të Zagrebit, kisha vazhduar bashkëpunimin me redaksinë e Rilindjes dhe, do të ngelja gazetar i saj, deri në pension. Por, ja se kjo nuk ndodhi!

Gati-gati si pa dashje, si me më pahir, marr pjesë (paraqitëm) në konkurs të Pasqyrës…

Që në hapin e parë, shfaqën parashenja se po i qasem një rruge të vështirë. Që, me shumë mundime, torturime do t’i dalë matanë!

Provimi me shkrim, një formalitet që duhej përmbushur, kur kujtoja (hajvani) se tashme isha gazetar, me stazh, i njohur dhe i afirmuar në këtë profesion, ishte një dush i ftohët. Në provim pranues, kishin qëlluar,  Q. Kelmendi, A. Lunji, I. Hasani dhe K. Sulejmani, apo ndonjë tjetër. Komisioni prej  tre anëtarësh, që duhej të na i  vlerësonte aftësitë, përbëhej prej N. Islamit, B. Islmailit dhe  M. Berishës a V. Vraniqit, nuk me kujtohet.

Ndërkohë, në kuadër të “Pasqyrës televizive”, N. Islami kishte nisur emisionin javor (dokumentar dhe kulturor) “Shkëndija” që e përgatiste bashkë me E. Kryeziun (ky i dyti në rolin e regjisorit). Një duet i mirë, më i miri. N. Islami kishte vazhduar rrugën e suksesshme, nisur te Rilindja. Kur  opinionit lexues të Kosovës, ia kishte paraqitur, A. Moisiun, I. Kodrën, ndër të tjerë, tash ai sillte fotografinë dhe fjalën e gjallë edhe të krijuesve me famë botërore.

-“Urdhëroni, me pyeti, sepse jam i etshëm të flas e të çmallem para kamerës suaj, – na pat thënë V. Eftimiu. Një etje e pashuar e shkrimtarit edhe pas tri ditë xhirimi, tanimë na ishte e kuptueshme. – Gjatë bisedës televizive propozuat që regjisorët kosovarë ta realizojnë dramën “Njeriu që pa vdekjen me sy”. Pse e veçuat pikërisht këtë? – e pyes. -Nëse do t’ju pëlqejë kjo dramë, aktorëve kosovarë, do të gëzohem dhe do të fitoj vullnet të kapi përsëri lapsin për të qitur në letër një dramë me motive nga vendlindja. Disa muaj më piqet frymëzimi. Atë do ta shkruaja enkas për Teatrin e Prishtinës – fliste dramaturgu duke iu dridhur buza” – ndër të tjera shkruan N. Islami, ne katalogun e shfaqjes “Njeriu që pa vdekjen me sy”, që në Teatrin (asokohe) popullore krahinor, ne stinën teatrore  1974/75, e inskenoi A. Gashi. Në këtë mënyrë (të mirë) kujton atë takim më të madhin dramaturg, që, sikurse dihet, kur ishte drejtor i Teatrit nacional të Bukureshtit, bujarisht ndihmoi A. Moisiun, aktor me famë evropiane dhe botërore, të ngjitet  në skenën e atij teatri dhe të paraqitet para publikut të kryeqytetit të Rumanisë. Publikut tonë shikues të ekranit të vogël, N. Islami ia prezantoi dhe J. Prevert-in, njërin nga poetët më të mëdhenj francez dhe të  letërsisë (poezisë) botërore, përgjithësisht. A. Stipçeviqin, ballkanolog i njohur zagrebas, me origjinë arbëresh. Kjo nuk ishte e tëra. Ai kishte realizuar edhe biseda të tjera, më shumë e shumë intelektualë dhe njerëz tjerë të mëdhenj, të artit dhe të kulturës, përgjithësisht.

Pas ngurrimit shtangies, shumë hamendjesh, më në fund, përfillë porosinë miqësore dhe të urtë të kolegut N. Islami. Shlyej formalitetin e “provimit pranues” (provues), që e kërkonin normat e konkursit. Me nxitim, më parë më hidhërim, për vetëm disa minuta, rrah një (këtë) copëz tekst. Si e  shkrova atë ditë provimi (më….), me titull e krejt, me e pa gabime gjuhësore, gramatikore e sintaksore, në origjinal, e riprodhoi, me këtë rast. Se çfarë ka brenda tij, nuk e di. Se e kishte titullin “Vjesnik-u po dëlirët”, me kujtohet shumë mirë.

prej vjesnik-u, në pasqyrë …!

Pas vetëm disa ditësh, më komunikohet se lajmi se isha pranuar në redaksinë e emisioneve në gjuhën shqipe pranë Radio Televizionit të Beogradit. Pa e marrë konfirmimin me shkrim, se isha pranuar në konkurs,  nisëm për në Zagreb dhe, më një rebelim e naivitet, shkëpus (njëanshëm) marrëdhënien e punës me Vjsniku-un. Në kthim për Prishtinë, ndal në Beograd dhe, aty për aty,  lidh marrëdhënie pune me RTB-në. M. Murtezaj, ishte kryeredaktor i programit në gjuhën shqipe. E njihja mirë nga Rilindja. Kurrë, as sa të zinjtë e thoit, të keqe,  me të, nuk kisha pasur. Drejtor, ndërkaq i Radio Televizionit të Prishtinës, në themelim, ishte I. Mula.

Duhet shtuar se pak para së para ardhjes se gjeneratë tonë, redaksinë shqipe pranë TVB, e kishin braktisur Gj. Leka dhe M. Çoça. Që të dytë kishin kaluar në Televizionin (e madh) të Beogradit. Pos punëtorëve të tjerë, të profileve të ndryshme (gazetarë, regjisorë, mjeshtër të zërin, kameramanë, montatorë e tjerë, ishte edhe F. Presheva, që duhet veçuar. Djalosh i ri, fort i ri. I bëshëm. Me flokë kaçurrelë. Gjithmonë me fytyrë të qeshur. Para se montator, ai ishte gjithçka për televizion. Ishte njohës i hollë i çdo detaji. Për të nuk kishte enigma e të panjohura. Ishte doktor i  “shpirtit” të televizionit! (I mahnitur me punën e tij, shumë vjet pas, shkrova një reportazh të gjatë, në gazetën “Flaka e vëllazërimit”. Shkrimi mban titullin  ”….”,

Një gjë interesante, besoj, me ndodhi në fillim të rrugës se gazetarisë në Televizion.

Me ekip (televiziv) ishim në Rahavec. Nikoqirët na gostitin me nga një gotë konjak. (Me çka tjetër në Rahavec?! Pas disa gotash, (me fund!), shkojmë në shtëpinë e re të mallrave në Prizren që sapo ishte inauguruar. Atje punonte si shitëse, një vajzë e bukur. (“… por kryesorja është punëtorja, me flokët kaçurrela…”, si në melodinë e   M. Qenes!).

Aty bëj një koshoneri të madhe! Nuk e lante as Lumëbardhi, që Prizrenit i rrjedh për midis. Për gjithë këtë marifet, natyrisht se ishte informuar, kryeredaktori, axha Masar, siç e quanin më përkëdheli.

Me procedurë të shkurtër, do të me përjashtojë. Një fjalë goje. Pandehte i uruar, se. Si gjithë të tjerët, të grupit tim, isha në stazh provues. Veç pika që nuk i bie kur merr vesh se isha në marrëdhënie të rregullt (të përhershme) pune. Se, ndërkohë, kisha bartë dokumentacionin e duhur, nga Zagrebi në Beograd.

“Dosja”mbyllet me kaq! Një me zero, për axhën Masar!

Në atë kolektiv të vogël, punë kishte shumë. Megjithatë çdo gjë shkonte mirë. Me korrektësi, ngjarjet, politike dhe të tjerat, ekonomike, kulturore, pa lënë jashtë kujdesit as bujqësi, fshat e madje edhe jeta sportive,  ndiqeshin me dinamikë dhe ritëm të caktuar. Në mos tjetër, redaksia e programeve në gjuhën shqipe të Televizionit të Beogradit, ishte apo duhej të ishte, një bërthamë, sa më e shëndoshë, një bazament  sa më solid i Televizionit të Prishtinës që veçse shihej në horizont.

Iku (edhe) kjo!

në tvp

(televizioni i prishtinës)

Pranverë e viti 1971.

Ditë e hapjes së Televizionit të Prishtinës (TVP-së) po afronte. Bëheshin përgatitjet e fundit. Me tepër se ato të kuadrit,  probleme akoma më të mëdha ishin të natyrës teknike e teknologjike. Nuk thuhet rastësisht se “lodër” e shtrenjtë është  televizioni. Televizioni, shumë përpara radios dhe shtypit të shkruar!

Në një mbledhje, të nivelit krahinor u kumtua se R. Alaj, emërohej drejtor i Televizionit të Prishtinës. (Në vijim TVP).

Mbledhje e ndiqja dhe duhej të përgatisja një storje të shkurtër televizive. Nxitoj të marrë deklaratë nga drejtori i porsazgjedhur i TVP-së të cilin, për herë të parë, e takoja, e shihja dhe e njihja nga afër. I shqetësuar, me siguri edhe i gëzuar, insistimit tim të ngutshëm për të regjistruar deklaratën e shkurtër të tij, me sasi të madhe nervoze që i flakëronte në fytyrë, me drejtohet: Qenke i mërzitshëm!

Ishte kjo fjala  e parë e marrë nga ai!

Goditja e parë, nokauti, përplasja, që me dhembë edhe sot e kësaj dite. Që, më siguri, nuk do të shërohet asnjëherë.

Si nisi, me terse, me terse edhe do të vazhdojë.

Pas pak, I. Bajra u zgjodh drejtor i përgjithshëm i RTP. Deri atëherë ishte drejtor i përgjithshëm i Rilindjes. F. Gunga, kryeredaktor, pastaj Q. Shaipi, redaktor përgjegjës.

Për emërimin a zgjedhjen, e të treve u gëzova pa masë!

I njihja dhe kisha pasur, edhe më herët, kontakt me ta.  Me dy të parët, në Rilindje, kurse me të tretin, me Qenanin, madje, pothuaj se kishin punuar bashkë. Kur isha  gazetar i Rilindjes. Q. Shaipi ishte kryetar i Lidhjes se studentëve të Kosovës. Në një farë mënyre më dilte i afërt, si koleg ta kisha pasur. Nga dorë e tuj, si kryetar i studentëve të Kosovës, marr një shpërblim a mirënjohje publike, me motivacion të përcjelljes së mirë të gjitha aktiviteteve të asaj organizate të rinjsh e të rejash.

Ndodh ajo që më se paku mund ta pritja. Q. Shaipi, nisi të ushtrojë pushtet të egër. Pas një kohe të shkurtër, nga larg, erdhi kumti se, aksidentalisht kishte humbur jetën diku midis valëve të tërbuara të Oqeanit Paqësor, diku në brigjet e Meksikos.

Si edhe  mund të pritej, drejt portave të TVP-së  është derdhur orteku i gazetarëve nga të gjitha anët. Me shumti nga Rilindja edhe  Zëri i rinisë. Nga Rilindja, M. Mjeku, N. Duraku, O. Gashi, J. Ferizi, A. Alaj, Z. Rexhepi,  J. Buxhovi. Një kohë të shkurtër M. Shehu, pastaj Xh. Krasniqi e ndonjë të tjetër. A. Olloni dhe E. Dujaka, nga Zëri i rinisë. S. Blakaj dhe S. Kamberaj, më parë kishin punuar në gazetën e popullarizuar të studentëve, Bota e re, e kështu më radhë.

Televizioni i Prishtinës, (TVP-ja), ishte derë e hapur. Ishte koha kur “nuk e njihte qeni të zonë”, siç i thonë fjalës. Punëtorë të ri, pos kuadrit gazetaresk, teknik e administrativ, vinin nga të gjitha anët.

Në vend të përparësisë, në raport me kolegët që kurrë, madje as një orë të vetme, nuk kishin punuar në televizion, as nuk kishin dalë para kamerave, sa për t’i belbëzuar qoftë edhe dy fjalë të vetme, ishin të favorizuar në raport me mua!

Sedra më ishte lëndua rëndë. Ndodhi kjo, që kur mbërrini kontingjenti i pare i makinave të shkrimit. (Atëherë nuk kishte kompjuterë!). Ato iu ndanë të gjithëve, pos meje!

Çfarë ironie e (hidhur) ironie, o zot i lumë!

Drejtori që, përherë e në çdo rrethanë, duhej të kallëzohej syçelë dhe vigjilent, që në ditët e para, kishte urdhëruar që, pas aq vjetësh në gazetari, të marrë kthinën e një zyre administrate e të punoj si jurist, për çka edhe (vërtetë) isha shkolluar, si bursistë i Rilindjes.  As në Rilindja, as kurrë, nuk kisha punuar tjetër, pos si gazetar. Edhe në Rilindje, në Vjesnik të Zagrebit edhe në Televizionin e Beogradit që, mezi pritja të zbardhë dita e të bëhet Televizion i Prishtinës. Nuk pandehja se ajo do të jetë ditë e zezë për mua. Duhej të ndërroja profesionin!

Kjo ishte ironike dhe, thënë siç thotë  populli, ishte një gjynah i madh. Si duket, ndërkohë ishte kujtuar vetë drejtori, apo ia kishte sjellë dikush i tij ndërmend, se largimi im nga gazetaria është një mëkat dhe dëm i pandreqshëm. Kjo çështje heshtet dhe vazhdoja punën. Me të njëjtin entuziazëm. Me të njëjtën dashuri. Sikur as gjë mos të kishte ndodhur.

Pas vetëm disa ditësh, përsëri, si rrufe krisi belaja! Nga lartë, nga madhëria e tij e gjithëpushtetshëm, urdhërohet që mos t’i lexojë tekstet, si reporter që isha. Ato t’i lexojnë spikeret apo spikerinat, që me pak përjashtime, në jetë nuk kishin lexuar, asnjë tekst, pos atyre në abetare, ndoshta!

Ishte kjo edhe një e goditje e rëndë, që nuk harrohet kurrë.

Diç e ngjashme ose e përafërt, një mosmarrëveshje tjetër, me Drejtorin e TVP-së, i ndodh edhe  kolegut B. Ismaili. Mosmarrëveshjen ai e përmbyll duke i thënë se kurrë nuk do ta përjetojë t’i drejtohet me “shok, drejtor!”. Jo, dajko jo!

Ngritët dhe, jo vetëm se del nga salla ku mbahej mbledhja, por edhe nga TVP-ja, njëkohësisht. Për të mos kthyer kurrë më në jetë!

Ashtu si fillova, vite më parë, në Rilindje, me halle e siklete, ashtu vazhdoja gjallërimin, edhe në TVP.

Iku kjo.

tvp, medium i ri …!

TVP, në mjedisin tonë sidomos, televizioni, ishte medium i ri. Si edhe në përmasa  më të e gjëra.

Ishte hera e parë në Kosovë, niste punën e emetimit të programeve në gjuhën shqipe, Televizioni i Prishtinës. Si i tillë, kishte zgjuar kureshtje të madhe tek njerëzit e të gjitha profileve, e sidomos në mesin e gazetarëve, regjisorëve, kameramanëve e kreatorëve të tjerë, duke përfshirë edhe kuadër muzikantësh, skenografësh e të tjerë.

TVP-ja  kishte epërsi. Ishte në gjendje dhe situatë  të zgjidhte me të mirët. Gazetarë e redaktorë, që i ofronte kopshti i pasur me të tilla kuadro. Prandaj edhe për ata që kishin ardhur ndërkohë e, sidomos për ata që vinin tek-tuk, priteshin më kureshtje dhe vistër pyetjesh: kush, nga, si…

Një ditë, në derë te TVP-së takoj një njëri krejtësisht të panjohur. Si ta kishte  pjellë terri i zi i natës se katrahurshme!

Pa qellim të  keq, përkundrazi, me plotë finesë dhe mirësjellje, e pyes: urdhëroni, zotëri, kënd kërkoni?

Punoj në televizion! – përgjigjet.

Ky “aksident”, si i pandreqshëm të ishte, Drejtorin e kishte tërbuar fare. Kishte porositur sekretaren që sa m¨shpejtë, gjallë o te vdekur, të më gjej. (Me mirë të më gjejë të gjallë. Të gjallë në varr të me fuste!.

Sa i zemëruar që kishte qëlluar dreqi. Sa shumë e kishte hidhëruar ajo pyetje (fatale, për mua) që ia kisha bërë një të zgjedhuri të tij, që e kishte sjellë nga Prizreni.

Kur marrin vesh për këtë ngjarje tragjike, kolegët e mi të afërm, kishin sajuar shpotinë (mbase nuk ishte vetëm mahi) se gjëja Drejtori kishte nxjerrë nga syza e tavolinës (jo nga shoka!), revolverin dhe kishte tentuar ( bërë hyxhym) të me vriste. Në vend të me likuidonte. Natyrisht se kjo nuk ishte e vërtetë. Ishte trillim. Imagjinatë!

Kur dihej se çfarë qëndrimi të egër (si të pamëshirshëm) kishte Drejtori ndaj meje, gjithçka ishte e mundur dhe afër mëndësh.

Iku (edhe) kjo!

fajtor isha vetë…!

Kushedi sa mirë nuk kisha kaluar as në Rilindje, ku punova një kohë të shkurtër. Mirë jo, por shumë keq, kaloja në TVP.

Ku është faji. Kush është fajtor!

Unë vetë, jam fajtor!

Askush tjetër!

As i Drejtori (i madh). As drejtorët e tjerë, më të vegjël. Askush pos vetës time vetë.

Vazhdoja tutje në TVP. Pa i bërë kurrë, as dy ditë të mira e të qeta. Këtë pohim, më së miri do ta dëshmojë dhe ilustroje, rrëfim autentik, në këtë “artikull” paksa më të gjatë, duke u ndalur në kthesat me të ashpra dhe gropat e hendeqet me të thella, që me ndoqën.

Gati-gati ishte normale, pse unë, pikërisht unë vetë, të vuaja e të hiqja të zinjtë e ullirit, ose më keq, si gjarpri nën gurë, sikurse i thonë fjalës. Pikësëpari, kurrë (as sot e kësaj dite), nuk përfillja porosinë gjeniale të shkrimtarit (filozof) W. Saroyan kur, përafërsisht, thoshte kështu:”Ji korrekt ndaj vetvetes, po deshe që edhe të tjerët të jenë korrekt ndaj teje!”.

Kurrë nuk isha, vazhdoj të mos jem, në masë të duhur, korrekt ndaj vetvetes. Në asnjë front. Në as një fushë të jetës. Kompromisaxhinj, ose siç me quan shpesh, A. Zogaj, një oportunist (bishtgjatë, shtoi unë!) i papërmirësueshëm. Lidhur me tërë këtë tragjedi njerëzore, disi vetvetiu imponohet, riprodhimi i porosisë miqësore të D. Demakut. Në interpretim të lirë, ai me tha: kur të dorëzosh artikull te akëcila gazetë ose revistë me të cilat bashkëpunon, mos pyet se a do me botohet shkrimi, por ku del gazeta apo numri i caktuar (vijues) i revistës! Pas vetëm disa ditësh, me rembin e trazim të panjohur, hy në zyrën e logut D. Demaku dhe dorëzoj një shkrim në redaksinë e revistës i secilës ai ishte kryeredaktor. Rreptë e pa asnjë fjalë djathtas e majtas, në mënyrë urdhërore, si me kërcënim i drejtohem: merre këtë shkrim dhe menjëherë trego se kur del numri i vijues i revistës! (Me kishte porositur, të sillem dhe të veproj në kë mënyrë jo ndaj tij, por ndaj të tjerëve. Ndaj gjithfarë pis milet redaktori!).

Të prosperosh në TVP, me përjashtime të vogla, nuk mjaftonte as të dish të shkruash. As të jesh i përkushtuar. T’i lesh shtatë palë lëkura në punë. Të digjesh e grihesh. Kurrgjë nuk mjaftonte, nuk ishte boll, kur nuk kishe dosje të trashë politike (dhe tjetër fare!). Kur nuk kishte profil të skalitur politik,pra. Kur nuk kisha askënd, as një krah, atje lartë (në Komitet të Madh, krahinor, as në atë të volin, komunal). Kur, më në fund, dreqi e marrtë, nuk ishe fare (hiç) anëtar i Lidhjes se Komunistëve të Jugosllavisë. E kështu me radhë.

Shi për këtë arsye, jo vetëm Drejtori (ai ishte kryesori) por, edhe të tjerët, kush qohej (e kujtohej) më herët, siç i thonë fjalës, lënurte lesh mbi mua!

Falë energjisë, shikuar nga perspektiva e sotme, lirisht mund të thuhet gjigande, rinore e djaloshare, aq më parë kur, gjithë kësaj i shtohej edhe vullneti, zelli, hovi dhe dashuria e pakufishme ndaj gazetarisë si profesion i admiruar, natyrisht se e bënin të vetën. I rezistoja çdo të keqeje dhe pengese që me dilte përpara. Eprorët, jo vetëm Drejtori, por edhe shumë të tjerë, duke e parë qëndrimin e tij permanent negativ dhe të pandryshueshëm (kurrë), ndaj meje, (varësisht nga pozita që kishin në televizion), jepnin “kontributin” e tyre të çmuar në keqtrajtimin dhe denigrimin e personalitetit tim, jo gjithaq rezistues, edhe si njeri edhe si gazetar.

Disi, vetvetiu ishte krijuar një ujdi e fshehtë: ata shaj e piskat, unë, pa shikuar as majtas e as djathtas, si kali në pajton!

Vetëm punoja e punoja, pandërprerë!

Ushqim shpirtëror, e kisha shikuesin që shtohej me progres matematikor!

Shikuesit, pavarësisht nga tretmani dhe pozita që kisha brenda televizionit, me përmbanin, me përkrahnin, pa rezervë. Kjo me jepte energji, shpresë dhe gjallëri. Forcë. Në saje të kësaj ndihme morale, kapërceja çdo pengesë dhe barrierë. Sado e madhe dhe e pakapërcyeshme qoftë ajo.

Iku kjo!

pa ditë të bardha…!

Nuk ik shumë kohë dhe ia bëhu orteku tjetër i zhgënjimit të madh që, nuk do mëndë, vazhdonte të ishte pasojë e keqtrajtimit dhe keqësimit të pozitës  dëbuese dhe mohuese, që kisha në TVP.

Tash cenimi ishte shumëfish më i madh. Ishte fyerje shumë më e madhe. E ndarjes të disa makinave të shkrimit e broçkullave të ngjashme. Tash në pyetje ishte diçka më e madhe, më e madhe dhe më jetësore, më vitale ishte. Ekzistenciale. Siç është apartamenti, banesa, banimi…

Në yrnek të makinave të shkrimit,  tash apartamentet ndaheshin va e pa va!

Ndaheshin pa ia nda. Për nën dorë. Si të kishte me tepricë.

Jo vetëm drejtoria, me një fjalë, të gjithë udhëheqësit  e RTP-se, por edhe  një pjesë e mirë e opinionit publik të Prishtinës, dinte hallin tim me banesë. Isha lodhë me shpirt, isha mërzitë, trutë me vlonin e druhesha se po luaj mëndësh. Në dhjetë metrat katrore të “banesës” (strehës) beqare, kur tani e ndaja me gruan dhe dy djemtë e vegjël, kur ishin në shpërgënj. As për dy djepat e tyre nuk kishte hapësirë të duhur e, lëre më për ndonjë rehati më të madhe. Për ngritjen dhe rriten e tyre normale e të pa brenga. Isha aq ngushtë sa me kishte zënë fobia e hapësirës së ngushtë. Akrofobia a si i thonë sëmundjes që e katandisë njeriun për shkak të hapësirës së ngushtë!

Ajo hapësirë bëhej gjithnjë e më e vogël, gjithnjë më e padurueshme, kur përditë, rreth meje me çelësat e apartamenteve të ri në dorë silleshin rreth meje  dhe pamëshirshëm m’i tundnin pra hundëve!

Në mesin e tyre kishte shoferë, montatorë, nëpunës të dorës së dytë a të tretë, qoftë edhe të panevojshëm fare, rojtarë të ditës dhe të natës, pastruese, shërbëtorë… Gëzohesha për të gjithë. Më zë të lartë e përsërisja, se është gjë e mirë, është akt i mrekullueshëm që, çdo të punësuari në RTP, t’i ndahet apartament sa më i madh, sa më i mirë, sa më komod, me shumë dhoma e shumë dritare, por, ama, të gjendet edhe një për mua.

Një ditë të bukur (të butë) shtatori, në oborrin e të TVP-së (të ish Qendrës së pionierëve të Prishtinës), është organizua një mbledhje e zgjeruar. Me pjesëmarrje gati-gati të gjithë punëtorëve të TVP-së.

Në atë mbledhje, (historike!), gjëja se, në mënyrë demokratike, me votë të hapët dhe,publikisht, do të vendoset për ndarjen e banesave. Në mesin e atyre që këtë tubim e pritnin me padurim, isha edhe unë, si kandidat serioz për banesë.

Kryesuesi i mbledhjes, hodhi propozimin në votim. Me përkrahnin, me mbështesin edhe ata që më se pakut e pritja prej  tyre.

Drejtori që, deri me atë çast, ishte i ulur në radhën e parë të dërrasave, pra me shpinë nga masa, me nxitim, është ngritur. Shpejt e me ngut, zë vend në “presidencë”. Masës se tubuar i hedh një vështrim mavi. Urdhëron që votimi të përsëdytët. Të rivotohet!

Me përjashtim të katër-pesë duarve të ngritura, si me pishman, tjetër gisht nuk është parë në ajër!

Nuk fola as shqip as serbisht. Shqip nuk dinte, as nuk fliste shqip, asnjë mbledhje jona!

Mjaftonte që midis dyqind punëtorëve shqiptarë një, vetëm një, të ishte serb (apo serbe), e të gjithë duhej të flisnim serbisht!

Punëtorët shqiptarë, ose shumica prej tyre, nuk e flisnin mirë serbishten dhe se, në këtë gjuhë të huaj, të urrejtur shumë, shpreheshin me zor dhe mendimet u dilnin të çala dhe të pakuptimta. Çfarë thash e llomotita, me atë çast jetik, nuk me kujtohet. Në fjalë e sipër, rrëfej se shumicën e tregimeve të shkurtër, gjatë orëve të natës së pagjumë, i shkruaja në korridorin e vogël, të dhomës se vogël, ose, në të shumtën e rasteve, në banjën sa grima. (Ishte koha kur sa kishte filluar të me  kafshonte krimbi i mallkuar i krijimtarisë letrare!). Bile edhe sot e kësaj dite, këtë rrëfim timin,  e rikujton me hidhërim, zotëri Mustafa, vozitësi shumëvjeçar dhe besnik i Drejtorit që krejt bota e thirrshin Svetski dhe se, ky ishte identifikimi i vetëm i tij.

Në yrnek replike, e merr fjalën Drejtori. Nga breshëria e fjalëve të hidhura e me dozë të madhe nervoze, si dy shkrepa majë-preftë, gjithmonë mbaj në mëndë vetëm dy fjalë të veçuara, prej të cilave, e para qortim: na mërzite me tirada(!) dhe, e dyta, premtim: sa të jam Drejtor i këtij televizioni, nuk ke për të marrë banesë!

Premtimit t¨èe dhënë publikisht, Drejtori i mbeti besnik për dymbëdhjetë të gjatë, sa  ishte drejtor. Ndërkohë  avancon në karrierë dhe prej Drejtorit të TVP-së u bëhet Drejtor i përgjithshëm, i Radiotelevizionit të Prishtinës.

Iku (edhe)kjo!

një, vetëm një …!

I kthyeshëm, si i thonë fjalës. Jo kokëderr i pandrequr, si ai që, për kohë të gjate, mban inat dhe hasmëri me tjetrin.

Drejtorin as që dita ta urrej! Kurrë. Për as një çast. Më parë mund të them se e çmoja, bile disa herë më shumë, se ata që i kishte më se afërmi dhe që gëzoni privilegjet e asaj afërsie. Pikërisht ata vetë, ishin ata që shkrepshin  batuta dhe fjalë herë-herë jo të mira për të. Prej tyre dilnin e dëgjoheshin si ato që, gjatë studimeve në Beograd, Drejtori, më shumë, kishte endë basma e stof të shtëpive të  modës e të konfeksionit,  se sa që kishte marrë mërzinë e mësimeve dhe të studimeve.

Ishte, në rini, është tash në pjekuri dhe do të jetë përgjithmonë, i bukur. I pashëm.  Pëlcitni, u thosha vetë me vete, bashkëpunëtorëve të tij të ngushtë!

Duhet shtuar se, pos të mirave të tjera që gëzonte, benefiseve dhe privilegjeve të pakufishme dhe epërsive të shumta, Drejtori, si Një dhe i vetëm Një, që ishte, kishte edhe grigjën e vet. Tufën e madhe të deleve dhe të hajvanatit tjetër, të imët e të trashë. Natyrisht se asaj i printe gjithmonë një (krye)ogiç, kur mund të qëllonte i padijshëm, injorant, për të mos e mallkuar edhe më keq.

Është normale, gati-gati e natyrshme që, në yrnek të despotëve dhe tiranëve të formatit të madh, (E. Hoxha, me bashkëkohësit e tij,  V. Stalin, L. Brezhnjev, N. Çaushesku, T. Zhivkov…), edhe tiranët dhe despotët e imtë, sikurse janë drejtorët e gjithëpushtetshëm, kur majmën e mbushën me fuqi,  rreth vetës të kenë, sa më shumë aq më mirë, njerëz të vetë. Te besueshëm por, ama sa më te padijshëm, sa më injorantë, që është e mundur Të jenë por, edhe shakaxhinj, arlekinë, mahitarë dhe argëtues që, kur Drejtorit, t’i errët qielli mbi kokë, kur e rrokin ethet nga problemet dhe çështjet madhore, me mahitë dhe shakatë, me qesënditë dhe gazmorët e tyre, t’ia kthejnë e bien në vend, qehrën e disponimin. Ta argëtojnë sa më shumë e, sa më mirë. Kushti i parë për të hy në grigjë, është të jesh i dëgjueshëm. Të aprovosh çdo fjalë, çdo ide, qoftë edhe idiote, të Drejtorit. Të jesh një lloj besimtari qorr e të besh vetëm amin, asgjë tjetër. Kushti tjetër, që lypset plotësuar për të hy në qetën e afërt me drejtorin, është të qeshesh e gërvallesh, sa herë që ai çelë gojën. Kur provon të sajojë ndonjë gazmore që, më parë të ndjell të vjellat, se qeshjen!

Se njerëz të tillë, të padijshëm dhe injorantë, që vetëm dinë të duartrokasin e të brohorisin, i duhen çdo diktatori, më se miri e shpjegoi, (argumentoi) me një rast, I. Kadaré.

Në sajë, pra, të atij rrethi të ngushtë që kishte, përherë në gjendjen gatitu!, të gatshëm për çfarëdo aksioni, pavarësisht se ku ishte e ku gjendej, për asnjë çast, Drejtori nuk ishte larg TVP-së. Ai gjithmonë ishte aty. Përpara se, vetëm i TVP-së, ishte edhe Drejtor i krejt Radiotelevizionit të Prishtinës.

Drejtorët e TVP-së, si B. Hisari e A. Zatriqi, lirisht mund të thuhet se, nuk ishin tjetër pos hije. Ishin drejtorë formalë dhe, pa hezitim mund të thuhet, se nuk kishin në dorë kurrfarë kompetencash. Kurrfarë. Drejtori i njëmendet, gjithmonë e përherë ishte aty. Në TVP. Edhe pse selia e drejtorisë së përgjithshme, ishte në ndërtesën e Radio Prishtinës. Drejtori dinte, shumë mirë e dinte, se rëndësi shumë më të madhe strategjike kishte TVP se Radio Prishtina, edhe pse kjo e fundit, madje, për disa dekada, ishte më e moçme.

TVP-ja tashmë kishte marrë hov zhvillimi dhe të zgjerimi. Sa më shumë që zhvillohej, aq më shumë që bëhej armë e fortë informatike, bashkë më të, edhe strategjike, në duart e popullit punues.

Sa më shumë skuqeshin rrathët, jeta dhe puna në TVP, bëhej gjithnjë e më e vështirë. Për dike-dike, për mua bashkë me ta, bëhej gjithnjë e më e padurueshme.

Iku kjo!

strehimi në odë …!

Pavarësisht  nga rrethanat gjithnjë e më të komplikuara, punoja pa ia nda. Tashmë  kisha avancuar.  Isha redaktor i redaksisë se kulturës. Në gjirin e programit dokumentar. Gjithnjë ecja tehut të thikës, gërshërësh të preftë. Me kokë në thes, si i thonë fjalës. Kur, ja me ndodh një e papritur e madhe. Me pasoja të mëdha.

Kisha realizua një emision dokumentar në Rugove. “Dimri në dimrin rugovas”, e kishte titullin, ai emision. Në ekranin e  TVP-së, sillte shumë bardhësi dëbore. Shumë pamje e motive dimërore përrallore të Rugovës, kur është fotogjenike.  Në të gjitha stinët e vitit. Sidomos në dimër. Kishte në ato pamje edhe dele (dhen) shumë. Qengja që sapo vinin në jetë. Kishte lisa të gjatë që flijoheshin, preheshin për dru dimri. Kishte saja te mëdha që tërhiqnin sanën dhe e sillnin bri vathëve të dhenve. (Edhe sot e kësaj dite tregohet një si anekdotë, gjeja se malësorin qe u shkonte para qeve, e paskam  pyetur se çfarë barte në sajën e ngarkuar më sanë!). Kishte në lentën e atij filmi edhe shumë fëmijë të gëzuar e faqekuq që, mbi saja ose ski, shkonin në shkollë. Kishte kroje uji të cemtë. Kishte vasha me bucela mbi supe. Kishte borë të përgjakur nga therja e ndonjë  berri a gjedhi të trashë a të imtë, qoftë edhe viktimizuar, nergut për mysafirët nga Prishtina!

Kronika për dimrin e dimrit të Rugovës, bashkë me fjalën e gjallë të malësorëve,kishte edhe tingujt e këngës me çifteli, sharki a lahutë, që do t’ia  theknin,  pas darke, gjer natën deri vonë. Kishte në atë film, lindje dielli, në ag. Perëndim dielli, në muzg. Kishte thyerje rrezesh kristalore.

Si i tillë,  emision ishte i denjë për pjesëmarrje në çfarëdo festivali, qoftë edhe ndërkombëtar. Pavarësisht nga kjo, me inatin e kryeredaktorit, emisioni nuk i  kishte marrë vizën për në festival.

Kryeredaktorin, që e çmoja dhe e doja, kurrsesi nuk e urreja, gjëja se e kisha kërcënuar dhe sulmuar fizikisht pse emisioni¨”Dimri në dimrin rugovas” nuk kishte marrë vizë (prej tij) për pjesëmarrje në festival!

Gjithë kjo “hata”, ngjante edhe më e madhe, kur kishte ngjarë në hollin e Kuvendit Krahinor, para syve të një numri të madh delegatësh.

Pritja, nga çdo anë, se çfarë do të  ndodhë . Çfarë e keqeje dhe kobi do të plasë! Përzënia, njëherë e përgjithmonë nga TVP-ja, ishte përfundimi më i afërt dhe më logjik i gjithë asaj drame që me kishte shpërthyer në dorë!

Kaluan disa ditë, madje disa javë, e nuk ndodhi asgjë ato që i paramendoja. Që pandehja se mund të ndodhin.

Kryeredaktori vetë, ishte njeri i pijes. Poet bohem. Bekri e sarhosh. Ndërkohë, sigurisht se, kishte ngre ndonjë gotë me tepër (siç bënte zakonisht) dhe, ashtu në qejf, ishte kujtuar se njeriut të dehur mund t’i ngjajnë edhe gjëra më të rënda e skandaloze së ajo që kishte ndodhur, nëse fare kishte ndodhur!

Krejt kjo dramë (shamatë), do të shuhej e ikte pa u marrë vesh fare, Drejtorin që, pas shumë ditësh mungesë, kthehej  nga Xhakarta e Indonezisë se largët, në aeroportin e Sllatinës, mos të dilte ta priste kolegu Ganë.

Relacioni Sllatinë-Prishtinë del i mjaftueshëm që, Gana i besnik i përbetuar, një për një, Drejtorit ia riprodhon ngjarjen (e paqenë) e keqe dhe hatanë që kishte ndodhur me kryeredaktorin.

Pas gjithë asaj që kishte dëgjuar, Drejtori kishte shkundë një turfullimë të egër tigri, dhe rruga i ishte dukur dhjetëfish më e gjatë, se që ishte, deri në TVP!

Të shkurtojë njëherë mirë rrugën e jetës sime si gazetar, po se po, por edhe përgjithësisht!

Dallgën e parë të mllefit e zbraz mbi kryeredaktorin e shkretë (që ishte poet i mirë), pse, ndërkohë, nuk kishte marrë masat e duhura për ndëshkim dhe dënim sa më të ashpër, gjegjës me mëkatin e bërë. Pse?!?

“Redaktorit B. Sefaj, i ndalohet hyrja në çdo objekt të RTP! (Dalloje  RTP-në prej TVP-së!).

Kjo ishte rrufeja e parë. Vendimi i parë katil!

E, pastaj shohim e bëjmë…!

Të nesërmen në mëngjes, pa pasur haber se çfarë hataje kishte ndodhur, në çastin kur duhej të nisesha për në terren, në tavolinën e punës gjej letrën me nënshkrimin  e kolegut tim  të nderuar A. Llunji. Ja teksti i asaj letre:  …!

Në vend që të shkoj në terren (në Kamenicë, në rrethinë të saj?), plot pikëllim e zhgënjim të pa matur, marr rrugët e Prishtinës. Ato me qojnë drejtë e në Pallatin e Shtypit. Jo të kërkoj punë në Rilindje (një gjë e tillë as që me shkonte ndërmend) por, për të pirë kafe (unë, të hidhur) bashkë me kolegët e mi të dashur,  Y. Shkrelin, S. Halitin dhe S. Osmanajn.

Pa pritur asnjë vendim nga TVP-ja, pa u bë as një javë e plotë nga përjashtimi, gjej punë në Odën Ekonomike të Kosovës. Drejtor ishte, N. Mustafa. Ish koleg i studimeve.

Në Odë… shef të drejtpërdrejtë kisha njeriun e mirë, zotëri B. Jupollin. Ai më vendos në një sektor që kishte në lidhje të ngushtë me gazetarinë. Duhej të përgatisja një buletin, të brendshëm, mujor. Mbarëvajtja e punës ishte e lidhur ngushtë me Rilindjen. Veçse mbërrija në zyrë, si në ndjekje, sakaq isha në Rilindje! Në mesin e miqve dhe të kolegëve!

Iku (edhe) kjo!

i bie ndërmend …!

Kishin kaluar afro gjashtë muaj që nuk isha më në TVP. Për dhe për çudi, nuk me ishim ndalur as të ardhurat! (Në emër tim, i merrte kolegu M. Daci).

Peshë e rëndë mëkati, ishte bërë mbrojtja ime më e mirë. Drejtori me grigjën e bashkëpunëtorëve të ngushtë, ishte në hall, nuk dinte se me cilin mallkim, të me ndëshkonte. Asnjë dëmin, pos atij me konop rreth qafe, si S. Huseini, nuk ishte i denjë krahas peshës se “krimit” të bërë!

Një ditë shoku Bakalli dhe, gati-gati me instinkt, i drejtohet një mikeshës se vet që ishte aktore e madhe të Teatrit Popullor Krahinor:  po ky Sefa, ku është? (Sigurisht me kujtonte nga ditët kur isha korrespondent i Vjesnik-ut!).

Duke e njohur mirë rastin, aktorja ia rrëfen fill e për pe.

Të nesërmen me sabah, isha në paradhomën e Kryetarit të Komitetit Krahinor të Lidhjes se Komunistëve të Kosovës. Trokita pa hezitim. Shokun M. Bakallin e çmoja si njeri i madh që ishte. Bashkëkohor. Dinamik. Gjahtar. Frekuentues i pijetoreve. Adhurues i, ashtu të quajturës, jetë nate. Ishte një ekzemplar i veçantë, profili politikani. Shkurt e trup, më thotë, t’i lajmërohem F. Gungës, me të cilin kishte biseduar ndërkohë.

Kryeredaktori Din, kështu e quanim me dashuri, me pret si është një e më së miri. Me mbulon me fjalë të mira e keqardhjeje të madhe, për atë që kishte ndodhur. Me porosit miqësisht, të kem kujdes!

Më shumë se i gëzuar, nga zyra e Dinit, dalë i prekur.

Të nesërmen vazhdoj punën aty ku e kisha lenë. Sikur ndërkohë, të mos kishte ndodhur asgjë.

Iku kjo!

çaste dramatike …!

Fijet e humbura i zë, si të pakëputura fare. Që të nesërmen në mëngjes bashkë me ekipin e caktuar shkoj në terren, të përgatis emisionin dokumentar të radhës. Isha si ii rilindur. I lindur për së dyti. Ndaj askujt nuk kisha mëri. Isha hatërua paksa në babën Ali!

Derisa vazhdoja të banoja në dhjetë metra katrore, në TVP, vazhdonte avazi vjetër. Qerasja me banesa komfore e apartamente të mëdha. Nuk reagoja. Vetvetiu ishte krijuar një paqe e imponuar. Hyjnore!

Përpara me elan dhe entuziazëm të shtuar!

Thuajse përjashtimi nga puna, gjithnjë i pa drejtë, kishte ndikuar mirë. M’i kishte mbushur bateritë. Vazhdoja te përvetësoja masa të gjera shikuesish kudo  në Kosovë e, përkundër tretmanit permanent të keq, mohues dhe denigrues, brenda në TVP!
Sikur isha pajtuar me këtë “harmoni!”.

Kur serishmi ngacmohet dëshira, zilia dhe aspirata e apartamentit, gjithnjë duke ekuilibruar tehut të mprehtë zeher, përgatitja edhe ndonjë emision më temë që nuk ma donte zemra.  Që i kushtohej bashkim vëllazërimin të rremë. Kur nuk ishte as vëllazërim as bashkim!

Kompromis i shëmtuar me vetveten. Një ngre e mos këput(!), pa fund. Apartamenti, tashmë me ishte bërë obsesion. Shpirti me kishte ardhur në fyt. Hamendesha të braktis TVP–në. Të nis punë të re, në Duanë, a në Kosova film. Si jurist.

Karshi të gjithave, isha në TVP!

Të asaj periudhë (më të zymtë në karrierë)  duhen të jenë emisionet për Boro e Ramizin. Për qytetet me emrin e Titos, me titull të përbashkët: “Këtë emër e kam për nderë”. Seri emisionesh (tetë a sa qytete ishin në ish Jugosllavi, që e mbanin emrin e tij!), i nënshkruajmë bashkë me Q. Hasanin, që atëherë punonte në TVP. As tretmani i tij në TVP, nuk ishte aq i mirë, as i fortë, as i qëndrueshëm!

Të asaj periudhe, plot re të zeza mbi kokë, janë edhe emisionet kushtuar monumenteve të Revolucionit, gjithkah nëpër Jugosllavi. Duke filluar nga Landovica, (e legjendës së trilluar për  Boro e Ramizin!), të cilës i këndon baba i poezisë shqipe në Kosovë, E. Mekuli, e deri të ato të tjerat, nëpër secilën republikë dhe në krahinën e Vojvodinës. Nga secila “njësi federale”, nga një monument reprezentativ që i kushtohej  Revolucionit. Duhet të përmendë edhe serinë e emisioneve realizuar në pikat më të shquara turistike. Në gjashtë republikat dhe dy krahinat e ish Jugosllavisë. (Nuk kisha asnjë motiv tjetër, pos zilisë se pandreqshme që të jem në lëvizje të përhershme, nga se këtë e merrja përparësi hyjnore të gazetarisë!).

Kjo është e tëra, e vetmja njollë në biografinë time si gazetar. ¨Njollë që, aq shumë i  gëzoheshin dhe, me smirëzi e cinizëm, aq shpesh ma tundin para hundëve, nipçja ime, N. Sefaj, që gjithashtu, punonte në TVP si regjisor dhe, ish kolegu, S. Morina. Do të isha i lumtur sikur shpirtin e tyre të ngarkojnë mëkate “tradhtie”, të njëjta më të

miat!).

Iku (edhe) kjo!

thikë pas shpine …!

Një episod, një ngjarje, (pa e ndjekur me përpikëri përkatësinë e saj kronologjike), por që ka të bëjmë pikërisht  me serinë e reportazheve, nga pikat kulmore turistike nëpër republikat dhe krahinat “tona”, vetvetiu mbërthehet e hynë në këtë rrëfim.

Kishte vdekur, shoku E. Kardel. Dora e djathtë e mareshalit Tito. Ditën e zisë dhe të pikëllimit të madh (sidomos për Drejtorin!), gjersa në zyrën e redaktorit përgjegjës të programit dokumentar të TVP-se, E. Mulliqit, mbahej mbledhje që nuk kishte të sosur, tek po kaloja korridorit, me thërrasin me ngut brenda. Kërkuan  emision  dokumentar nga Sllovenia. Duhej të ritransmetohej sa të përfundonte ceremoniali i varrosjes solemne të shokut Eduard. Emisionin dokumentar nga Kranjka Gora, e ishte huazuar nga Televizioni i Lubjanës. Nuk ishte përgatitur për emetim në raste morti. Përkundrazi. Për çaste të gëzueshme.  Si të tillë, natyrisht se sajuesit e kishin ilustruar me muzikë të hareshme.

Në bisht të regjistrit të nënshkrimeve të atij emisioni, për dreq, figuronte edhe emri im, të mjerit!

Kjo e kishte tërbuar edhe me shumë shokun Drejtor. Aty për aty, automatikisht dhe pa as një fije hezitimi, emisionin e kishte kualifikuar si thikë pas shpine!

Kuku për mua, të mjerin!

Gjersa mbi e zezoja një kafshatë të hidhur dreke, përmatanë xhamit, i shoh nga shpina dy veta që, tmerrësisht përngjanin në policë, si civilë. Si të ishin sigurimca!

Ata ishim lajmëtarët e një haberi ogurzi. Me tregojnë për reagimin egërshan të Drejtorit. “Thika pas shpine” e tjera. Shkurt me kumtuan së prej atij çasti, jam i pushuar nga çdo lloj pune në TVP!

Thikë akoma më e preftë, jo pas shpinë, por në zemrën time!

Pas natës qindvjeçare dhe gjumit të “rehatshëm”, me sabah, me pëshpëritjen ironike të refrenit të melodisë se njohur, “Me gëzim po shkoj në punë”, nisem. Këmbët si mos t’ishin të miat. Të rënda plumb. Nuk donin të më qonin më në TVP!

Tamam kur, me zemër të thyer, i afrohem TVP-së, gëzohem kur takoi njërin nga kolegët (S. Blakajn), vizitorë të djeshëm, në çardakun tim të gjallërimit qençe!.

Kolegu i shtrenjtë, me “ngushëllon”, duke me informuar se Drejtori, pos që do të me nxjerr jashtë TVP-së, kishte vendosur të ma merr të drejtën, që përgjithësisht, të ushtrojë profesionin e gazetarisë. Drejtori do t’u shkruaj letër të gjitha redaksive të gazetave. Rilindjes e të gjitha të tjerave!

Sa fuqi të madhe rrënuese kishte Drejtori, asokohe!

Tash e harrohet përjashtimin vetëm nga TVP-ja por si të gëlltiten  edhe gërshërët e mos ushtrimit të  profesionit jetësor, as gjëkundi. Edhe kjo me gjeti!

Iku edhe kjo.

Gjithë ajo rrëmujë, gjithë ajo e zezë, nuk ndodhi asgjë. Shpëtoj pa therë në këmbë. Pa suspendim, as për një orë të vetme, nga puna, gjë që ishte masë aq shpeshtë ndëshkuese.

Vazhdoj punën, mbase, me entuziazëm të shtuar.

Iku kjo!

karrierë e brishtë …!

Çuditërisht, më të madhe, hedhja hapa të rinj në karrierë. Gëzoja popullaritet të konsideruar të shikuesit. Ishte një periudhë stabiliteti.

Qetësia dhe rehatia, nuk zgjasin shumë. Dalin të rremë.

Mbi qiellin përherë gri, shfaqen re të zeza futë.

Tetëdhjetë e njësha!

Diku, në atë epokë, buzëmbrëmjen e saj, plas një sherr i madh. Një grup kolegësh të programit arsimor, rebelohen. Tokë e qiell u bëhen bashkë. Drejtori e përjetoi kobshëm këtë të keqe.

Na bëri  tokë e dhé, si i thonë fjalës. Na beri dhé, jo i bëri dhé. Jo vetëm kolegët e rebeluar, por, të gjithëve. Në të programit dokumentar, komshi dhe më se afërmi, me redaksinë simotër të programit kulturor e arsimor. Grigja jonë, numerikisht jo aq e madhe, ishte e ruajtur mirë nga një kryebari i rryer që, i ndihmuar nga të tjerët edhe më të sertë se ai vetë, na mbante si ne laborator, të ishim!

Drejtori na kishte ndrydhë e bërë pykë! Na kishte shtie për bri dhie! Frikë të thatë! Mirë e dinim se çfarë është duke na pritur. Vetëm nëse luajmë në bisht sadopak.

Aq larg, Drejtori ynë (gjeneral), shkoi në zbërthimin e asaj që kishte ndodhur për disa mospajtime, mbase fare të vogla dhe për motive krejt banale, sa që këtë rebelim  lidhte me Lëvizjen Solidarnoshqi të L. Valensës, në Poloni. Gjithë kjo maskaradë, ishte, tepër-tepër e kobshme, për disa kolegë. Ndonjë prej tyre, hëngri edhe burg të gjatë! (Sikur është rasti me A. Salihajn, e me ndonjë tjetër).

Të mjerët (si unë), vazhdonin punën. Ditët sikur t’i kishim të numëruara.

Drejtorit i bie ndërmend, të hallakaste grigjën që, tashmë ishte bërë e trashë! Të gjuhen (hiqen) ata që nuk ishin në radhët e LKJ-së!

Në mesin e atyre, (nuk ishin shumë, por që, megjithatë që nuk ishin në radhët e LKJ), isha vetë.

Urdhri ishte i shkurtë. Ishte i qartë. Flakë e zjarr kishte në të. Ishte urdhër katil: kush nuk është anëtar i LKJ-së, jo vetëm që nuk mund të jetë gazetar e redaktor, por, është i padëshiruar të punoj në çfarëdo pune tjetër në RTP.

Isha i vendosur që, kurrë përjetë, me dorën time, të mos shkruaj lutje për atë Lidhje!   Shpesh vraja mendjen, çfarë do të bëja sikur Ajo të me drejtohet me  lutje!

Pavarësisht nga ky kushtrim, kaherë lidhë me vetveten, futa bishtin ndërmjet këmbëve. Shkrova lutje dhe u pranova në radhët e LKJ-së. (Kjo as nuk ishte hera e parë dhe druaj se, nuk do të jetë hera e fundit, që shkel principet e mia!).

Në mbledhjen solemne, kur marrë atë copë librezë, kolegu Ganë, i “rryer” siç ishte, në transmetimet e drejtpërdrejta të ndeshjeve të futbollit, komenton: atij që po ia dorëzoni, shumë shpejt do t’ia merrni, atë librezë!. (Për fat të bardhë, ashtu edhe ndodhi. Akrepi i LKJ u çakordua. Ishte hera e dytë në jetë që librezën e Partisë e prekja më dorë. (Herën e parë kur e mora dhe tash, kur e ktheja mbrapsht!).

Iku (edhe) kjo!

vistër emisionesh …!

I forcuar dhe, si i fryrë dhe i mbushur, (si biban!) edhe me këtë dokument që, mjerisht, për shumëkënd që punonte në TVP, ishte edhe e vetmja diplomë dhe, shih ironinë, u bënte punë më shumë se diploma e shkollimit të lartë!

Isha redaktor i redaksisë së kulturës. Të asaj kohe janë emisionet dokumentare, kryesisht nga lëmi i kulturës, që i përgatitja. “Punëtor i mirë, si ai”, “Veprat e duarve të mbara”, “Krijuesi mysafir”, “Vitrina e librit”, “Në objektiv”, “Dialog”, “Rrugëtime” dhe një numër të konsiderueshëm reportazhesh, dhe udhë shkrimesh e të tjera e të tjera. Spikatet sidomos reportazhi dokumentar, ose kronikën televizive me titull simptomatik, “Në Zojz ndodhi diçka”, në të cilën bëhej fjalë për rastin e shquar mediatik, kur fshatarja heroinë, ajo me emrin Sherife, nga fshati Zojz i komunës së Prizrenit, një ditë verë kur e kishin mbërthyer dhimbjet e lindjes e askënd nuk kishte në shtëpi, me një zhilet të përdorur (nga i shoi kur kishte hequr mjekrën e fortë!), kishte bërë prerje cezariane, dhe nga barku, shëndosh e mirë, kishte sjellë në jetë fëmijën djalë,  si drita.

Në emisionin dokumentar me titull sugjestiv “Në fund të rrugës”, bëhej fjalë për mullinjtë, gjithkund nëpër Kosovë, sidomos ata përgjatë rrjedhës së Drinit të Bardhë, në Dukagjin. Seria e emisioneve udhëpërshkruese dokumentare nga lundrimi

(udhëtimi) me anije nëpër Mesdheun Lindor. Nga Venecia deri në Port Said.

Ashtu sikurse ishte i paharrueshëm, ky kryqëzim me anije super luksoze, korrekte, dolën edhe emisionet e udhëpërshkrimeve, ndonëse ishin të realizuar me mjete tejet të kufizuara teknike. Xhiruesi i vyer, S. Kllokoqi, në këtë udhëtim pesëmbëdhjetë ditë e netësh, kishte në dispozicion një kamerë dore, me lentë filmi. Pa asnjë mjet tjetër plotësues. Në mesin e pesëqind e sa udhëtarëve, kryesisht nga Gjermania dhe Austria, shumica kishin kamera dhe mjete tjera xhirimi e regjistrimi, shumë me efikase dhe më të përsosura se që kishim ne, si profesionistë të një institucioni publik informativ!

Sido që jetë, falë fotogjenisë së vendeve që i rrokte kryqëzimi me anije, gjithandej nëpër Mesdheun Lindor, arritëm të sjellim një seri reportazhesh cilësore. Mbase  falë të vërtetës se gjithandej nga gjarpëronte itinerari i anijes (natën,nëpër det) dhe i autobusëve (ditën, nëpër tokë) ishte një gjerdan jashtëzakonisht i pasur me monumente dhe shenja të lashta të kulturës dhe të civilizimit njerëzor. Disa prej tyre hynin në çarkun e shtatë mrekullive të botës (Kolosi i Rodosit, fjala vjen), por edhe shumë monumente e gjurmë të tera të lashtë, tashmë kishin hyrë në regjistrin mbrojtës të UNESCO-s, për rëndësinë dhe vlerën e tyre të madhe. Hiç gëzimin për fjalinë e madhe: “Bashkë me hapjen e derës, në anije sikur hyri (depërtoi) një klime tjetër!”, me të cilën çelja reportazhin e radhës. Mbresën më të thellë, megjithatë përjetuam, derisa hanim hurmë të ëmbla në kopshtin e vilës se bardhë të Mbretit Faruk (1936-1952), me origjinë shqiptare, në Aleksandinë e Mesdheut, që në gjirin e vet ruan një prej shtatë mrekullive të Botës, Bibliotekën zëmadhe të Aleksandrisë. Asgjë më i vogël, nuk ishte as shqetësimi kur ecnim nëpër pjesët e lashta të Kajros, midis minareve, kur dalmatja etnografe dhe historiane e artit, që qëllon mike e shqiptarëve, në “tëra” gjuhët e botës!, që i fliste, aq shpesh e përsëriste se themeluesi i Egjypit modern, ishte reformatori i njohur Mehmet-Ali Pasha , me origjinë shqiptare. Asgjë më pak interesante nuk ishin as vendet dhe ambientet e tjera që i vizituam në atë kryqëzim dhe, që me kamerën tonë të krahut, provuam, përmes ekranit të vogël, në shtëpitë e tyre t’ua sjellim teleshikuesve tanë. Jerusalemi, me murin e lamentimit (vajtimit) , me kisha e xhamitë e shumta, Betlehemi, Nazareti,Tel Avivi ne Jafen në mes, liqeni depresiv Tiberias, Haifa e diamanteve, me një fjalë Izraeli i tëri, me Kibucët dhe veçoritë t tjera. Qipro, me qytetin Limasol, parajsë për turistët dhe veruesit skandinavit, sidomos, qytet bregdetar (mesdhetar) i njohur, pos tjerash, edhe për verën e tij të shkëlqyer… e të tjera, e të tjera. Kushadasi, Kreta. Korfuzi, Pireu…

Hap parantezat. Njëra nga këto dy ndodhi, kishte lidhje të ngushtë me këtë udhëtim. Zbarkuam në ishullin e njohur grek, atë me emrin Korfuz. Të afërt me artin dhe kulturën tonë. Aty kaloi një pjesë të fëmijërisë intelektuali dhe aristokrati i shquar shqiptar J. Vrioni. Thanë se gjatë qëndrimit atij, mund të shfrytëzohej rasti e të vizitohej një ishull, që kishte të bëjmë me një formacion ushtarak serb, mbase më atë që dikur, kishte kaluar Shqipërinë me këmbë! Sot e kësaj dite këndohet në një këngë nacionaliste serbe!

Në vend se të shkojmë atje, bashkë me Sulon e mirë, ia  therim e gjezdisim gjithkah  Korfuzit.  Zëmë thepin e një kodrine. Ishim të bindur se, që andej, shihej  Saranda. Qyteti i bukur bregdetar shqiptar. Zemra na e thoshte se, andej dika i bie! Edhe pse nuk e shihnim, kujtonim se po e shohim!

Papritmas takojmë një shqiptar të Shqipërisë që jetonte në atë qytet. Ai na zhvesh meraku e iluzioni. Nga  Korfuzi, nga asnjë kënd i tij, nuk mund të shihej Saranda!

Gjatë lundrimit nëpër Adriatik, ishim djegur e pjekur nga meraku, pse nuk e shihnim asnjë qyte bregdetar shqiptar, pos disa dritave të largëta e krejt sikur të ishin iluzione dhe halucinacione.

Pandehnim që, se pakut, nga Korfuzi do të shohim Sarandën! (Fatbardhësisht, nuk kalon as gjysmë decenie, kur nga Saranda  provoja të zë në vështrim, Korfuzin! Çfarë kënaqësie e lumturie, o Zot!).

Iku kjo!

e ka emrin gjeneral …!

Pavarësisht nga turbullirat dhe stuhitë që binin nga të gjitha anët, (separatizmi dhe irredentizmi shqiptar, e ngulfate dhe po i zinte frymën vetë shqiptarëve!), si edhe të tjerët, përgatisja emisione të ndryshme. Më se shumti dhe më së shpeshti, nga kultura. Një popullaritet të konsiderueshëm, asokohe, gëzonin emisionet me titull të përbashkët “Krijuesi mysafir”. Në atë rrjedhë, radha i erdhi edhe intelektualit dhe shkencëtarit të njohur shqiptar, R. Avdylit, nga Peja. Ishte gjeneral i ushtrisë jugosllave, me shërbim në Zagreb. Drejtor i një instituti të studimeve të larta të shkencave ushtarake.  Në Zagreb, gjeneral R. Avdylin, kishte emër të mirë dhe gëzonte popullaritet të madh.

Ashtu si e kërkonin normat e skenarit, në Zagreb, e xhiruam gjithkah. Praktikisht çdo lëvizje të tij. Gjenerali Ramiz, na pret e na përcjell më ngrohtësi e miqësi.

Mezi pritnim çastin të vijë në Prishtinë. Në studion e TVP, bashkë me të ftuarit e tij,për të xhiruar pjesën tjetër, qendrore e emisionit. Vetëm disa minuta para se të zbresim në studion e xhirimit, Drejtori  kujtohet të me porositë që, rastësisht, të mos ngatërrojë Ramizët!

Avdylin me R. Alinë!

Gjatë gjithë emisionit, i drejtohem me shok gjeneral, pa guxuar t’ia përmendë as emër as mbiemër, R. Avdyli!

Emisioni doli  korrekt në saje të gjeneralit fisnik shqiptar.

Me të mbërritur në Prishtinë u impresionua aq shumë sa që, pa hezitim deklaroi se me të kthyer në Zagreb, do të kërkon rekomandim. Do të kërkon transferim në Prishtinë!

Nga TVP-ja dhe përgjithësisht nga Prishtina, gjenerali i njohur shqiptar, u kthye më se i dëshpëruar. Gjenerali serb, njëfarë  Haxhiq, mysafir i Ramizit, në studio, nga xhelozia e tërbuar ndaj gjeneralit shqiptar që, ndërkohë, kishte marrë, pos tjerash, edhe gradën e lartë të doktorit të shkencave ushtarake,  i thotë troç se  e kishte pasur të lehtë avancimin në Zagrebin e bukur,  “gjersa unë jam bluar e grirë duke ruajtur kufirin midis Kosovës dhe Shqipërisë!”.

Kjo e tmerroi krejt gjeneralin shqiptar. Tërësisht e nxori nga rrjedha normale e bisedës që xhirohej në studio dhe regjistrohej në lentën e filmit.

Gjersa R. Avdyli, kthehej në Zagreb, me përshtypjet më të këqija, me ngel kujtim i hidhur, që nuk e harroj kurrë, sa të jem gjallë, porosinë e “urtë” të Drejtorit syçelë!

Iku (edhe) kjo

asnjë libër …!

Kolegu S. Blakaj,  ishte redaktor i emisionit të kulturës Rrjedhat. Emisioni gëzonte popullaritet dhe kishin shikueshmëri të konsideruar.

Udhëtoja për në Beograd, për të kryer një punë tjetër zyrtare. S. Blakaj, me porosit, të kthej të shoku S. Hasani, për të marrë një deklaratë të tij, me rastin e shpërblimit AVNOJ që e kishte fituar. Kolegu A. Llunji, që rastësisht ndodhej, atje shprehu dëshirën që të vi me ne, të shoku Sinan. Ashtu sikur që nuk ishte korrekte, nga ana ime, që pa fije hezitimi pranova se nuk kisha lexuar asnjërën vepër të tij letrare, për të cilat, shoku Sinan, laureohej me shpërblim të lartë, aq më pak, korrekte nuk ishte as sjellja jo kolegjiale e babës Ali, kur solemnisht deklaroi se të gjitha veprat e shokut Sinan, jo vetëm se i kishte lexuar e rilexuar, nga disa herë, veçse nuk i kishte mësuar përmendësh! Shokun Sinan, e mahniti kjo deklaratë e shokut Ali!

Kur ra fjala për shokun Sinan, si “krijues i madh letrar” që ishte, nuk bënte, mund të merrej me mëndë që të mos  ftohej për pjesëmarrje, në këtë emision. Ideja, dëshira dhe iniciativa, ishin të shokut A. Zatriqi, asokohe drejtor i TVP-së. Shpejt e për ngut kërkon t’i hartojë pyetjet e mundshme për shokun Sinan. Vetë e merr në telefon. Vetë bisedon më të. Vetë e njofton se do të xhirohet emisioni… Fill shkon në Beograd. Ia dorëzon pyetjet. Duke e siguruar se kurdo që të vijë në Prishtinë, në çdo kohë e në çdo vakt, dyert e TVP- do të jenë  hapur për të.

Tash nuk kishte kuptim, biseda duhej të ishte e gjerë dhe e gjatë me shokun Sinan, që asokohe, kishte një funksion të lartë, ndoshta më të lartin në Jugosllavinë e tij.

Pa pikë vullneti a interesi, i shfletoj, por, aty-këtu, lexoj ndonjë fragment të ndonjë romani të tij, gjithnjë duke qenë i impresionuar me durimin  dhe vullnetin e çelnikët të shokut (kolegut) Ali, kur veçse nuk i kishte zënë përmendesh!

Pavarësisht nga të gjitha, libri i “tij” me titull “Fëmijëria e dytë Gjon Vatrës”, me pëlqeu. E lexova të tërin.

Gjithë kjo, me mbeti si kujtim i paharruar, për dy arsye: nuk kishte kënaqësi me të madhe se vetë drejtori i TVP-së të jetë organizator xhirimit dhe të realizimit teknik i emisionit, në tërë procesin e tij deri në finalizim, emetim!

Tjetra ishte tragjike!

Kur u pash në ekran me shokun S. Hasani, një pjesë e mirë e shikuesve, ishin zhgënjyer dhe kishin parë fije dyshimi. Pavarësisht nga të gjithat, për shokun Sinan, përherë kisha mendim të mirë dhe një lloj simpatie. Jo për të, si shkrimtar dhe udhëpërshkrues që ishte, por si njeri dhe  bohem që ishte. I mirë në të dyja këto pamje.

Iku kjo!

avancim i mjerë …!

Edhe kolegut Blakaj, sa do i përkëdhelur që ishte, së pakut në krahasim me disa prej nesh, ndërkohë i ndodhi një e papritur dhe, gjëja më e lehtë, ndëshkimi më i butë, që mund ta gjente, ishte shkarkimi nga redaktori i emisionit të kulturës “Rrjedhat”. Jo vetëm që nuk  pranova të marr postin e redaktorit të atij emisioni, gjë që me ishte ofruar në fakt, kur e refuzova rreptë e pamëdyshje, me motivacion se nuk pranoj kurrë e në asnjë mënyrë, të ngjitëm në karrierë, duke shfrytëzuar fatkeqësitë e kolegëve!

Përkundrazi, edhe vetë japë dorëheqje nga redaktori i rubrikës se kulturës në gjirin e programit dokumentar të TVP. E riprodhoj, tekstin e dorëheqjes, ashtu siç është, siç e ka ruajtur koha.

Ishin, pak a shumë, ditë të mira (kurrë të bardha!), në Televizionin e Prishtinës. Si të thuhet isha në ekspansion. Nuk përtoja dhe punoja kurrë pa ia nda. Isha, siç i thonë fjalës, i kudondodhur. Sa përgatisja emisione të kulturës, sa ndonjë reportazh (si dashuri që kisha ndaj saj si gjini gazetareske), sa i qasesha njënjë emisioni debati në studio e kështu me radhë e kështu më radhë…

Në parantezë. Një mbrëmjeje gjersa më E. Dujakën, që tashmë nuk ishte në TVP, shëtitnim e bënim korzo në avenynë kryesore dhe të vetme të Prishtinës, bija e tij, çupëlina e vogël që e mbante përdore, e tërheq për mënge, tinëz meje dhe me zë të ulët pëshpëritës, e pyet, a mos është ky “ai njeriu që zënë zhaba”. Jemi shkulë në gaz. Kënaqemi me kolegun, kur të bijës së tij vogël, aq shumë i  ngjaja në Bell Ami-në e famshëm, kur ishte në kulm të popullaritetit. Pikërisht fale emisioneve që përgatiste, duke hyrë mes përmes e botës, universit të pafund, të mbretërisë shtazore. Aq shumë ishte familjarizuar me atë botë, herë-herë të rrezikshme, sa fare nuk kishte frikë prej saj. Atë miqësi, mjerisht, reporteri i famshëm, e pagoi me jetë!

Iku (edhe) kjo!

nota kaluese …!

Gati asnjë emision imi, nuk i  shpëtonte syrit kritik të kolegëve të shumtë, sidomos atyre të Rilindjes, por edhe të tjerëve. Kështu, për emisionet dokumentare të mia, në përgjithësi, e ato me titull “Krijuesi mysafir” në veçanti, asnjëherë nuk kanë kapërcyer, pa marrë notën  e kritikës, herë më te mirë e herë-herë më pak të mirë, për të mos thënë, më të keqe.

Një ditë, me disa miq e kolegë, shëtisja rrugëve të Tetovës, një grup fëmijësh, u morën vesh ndërmjet veti dhe, pasi ranë dakord, më zë të lartë brohoritën: Krijuesi mysafir. Pra me identifikonin me emisionin që përgatitja aso kohe. Kjo, në një farë mënyre, dëshmonte se sa i popullarizuar kishte arritur të bëhet ai emision të shikuesit, jo vetëm në Kosovë por edhe gjetke, në trojet etnike shqiptare.

Pas një qëndrimi të shkurtër, por fort të dashur dhe të pasur, në Kopenhagë, në kryeqytetin  e Danimarkës, ku ishin mysafirë të njerëzve tanë fisnikë, kryesisht nga Maqedonia, qytetin Malme të Suedisë, nuk e kishim me larg se vetëm disa milja. Duhej kapërcyer një pjesë deti Baltik dhe të gjendeshim në atë qytet. Kolegu S. Morina, me të cilin  nisemi, pasi që veç ishin në traget, u kujtua e tha se shkojmë në një qytet të huaj si shula, pa asnjë adresë të ndonjë njeriu tanë, pa asnjë numër telefoni. Hajt, mos merr merak i them, kuptohet me shpoti, atje, të “gjithë“ me njohin!

Ashtu edhe doli. Veçse dalim nga trageti, pa  bërë as njëqind metra rrugë, dy burra, si  të ishin lidhë me kusht  mesveti. I pari ngulte këmbë se njëri nga ata dy vetë, jam unë, tjetri mohonte këtë mundësi. Meqë “zënkën” e tyre na e zinin veshtë, nuk bëhem i shurdhër. Me zë të fortë them: unë, vetë jam!

Gëzimi i dyanshëm nuk kishte fund. Të parën gjë që ndërmorën , ishte të na i shqyejmë biletat kthyese, dhe fjalën kthim të mos e përmendim, të mos e shqiptojmë!

Rasti tjetër, po thuaj identik apo i ngjashme dhe i pabesueshëm, shumë vjet pastaj, ndodhi në Rushbull të Shqipërisë. Jo rastësisht, isha ndalur në atë fshat me emër interesant. Gjendet në gjysmë të rrugës, në relacionin Tiranë-Durrës. Tamam kur bëhesha gati të pyes fshatarin e parë që me del përpara, së nga i bie shtëpia e rapsodit të njohur shqiptar, D. Shaqës, që kishte jetuar dhe kishte vdekur në atë fshat të Shqipërisë, qysh se kishte braktisur Kosovës, burri i gjatë sa plepi, si i thonë fjalës, me thërret në emër e në mbiemër. Me tregon se në shtëpinë e D. Shaqës nuk mund të gjej askënd sepse ndërkohë e kishte braktisur edhe i biri i tij që tani gjendej diku në Zvicër e tjera e tjera. Befasisë prej nga me njihte aq mirë, zoti Adem, me origjinë nga fshati Loxhë, afër Pejës, i përgjigjet duke thënë se, njëzet e shtatë vjet të plota, kishte punuar mësues në Pukë. Brenda gjithë atyre vjetëve televizori i tij ishte i kurdisur kah TVP-ja. Kështu që kishte ndjekur rregullisht terë programin që emitonte TVP-ja. E kishte ditur edhe ditën edhe orën e saktë të emetimit të tyre. Ndoshta kjo kishte ndodhur, sepse Ademi edhe bashkëshorten e kishte me prejardhje nga Kosova. Emisionet e TVP-së kishte mundësi t’i ndiqte pa problem të “ brendshëm” familjar. Bile, ai nuk harroi të me thotë se, një emision të gjatë dokumentar që ia kisha kushtuar Rugovës, me  theks të veçantë të braktisjen e saj gjithnjë e më të madhe dhe alarmuese, shumë ditë pas mbylljes se TVP-së, e kishte emetuar Televizioni Shqiptar, asokohe i vetmi në tërë Shqipërinë. Shfrytëzova këtë çast dhe, si “revansh” ia rrëfej atë që kishte ndodhur në Kosovë.

Një dritëzaj, inkasantët e TVP-së shkojnë në disa fshatra të Gjakovës. Në  brezin kufitar më Shqipërinë. Kur hapin letrat dhe kërkojnë që fshatarët të paguajnë taksën e duhur për ndjekje programi, të befasuar, të gjithë si një, përgjigjën: a edhe ju mblidhni taksa, a?! Gjithnjë duke llogaritur e menduar se inkasantët, janë nga Shqipëria. Nga kjo del se  fshatarët, nga ai rrip kufitar, programet e TVP-së nuk i ndiqnin fare, pos të televizionit të Shqipërisë. Njësoj. Si rasti i Ademit të Pukës, tani me vendbanim në Rushbull.

Siç u tha, gati-gati nuk kishte emision imi që të mos shkruhej për të.  G. Bobit, i ra hise që, në mënyrë solemne të çelë “ballon”, e serisë së shkrimeve kritike mbi emisionet e mia, në rënd të parë, nga kultura dhe përgjithësisht dokumentare. Si me  G. Bobin, që e respektoja shumë, ashtu edhe me gjithë të tjerët, kisha afërsi e miqësi, pavarësisht a me lavdëronin apo me  shanin për punën që bëja. Pos G. Bobit. që shkroi për emisionin tim të parë dokumentar, realizuar në Bjeshkët e Nemuna, që si pas tij, nuk kishte dalë kushedi sa i  suksesshëm, shkruan edhe të tjerët. Seria vazhdon më T. Dërvishin.  Me humor, ai shkruan te Flaka e Vëllazërimit, gjeja se, me aktorin, atëherë shumë të ri dhe premtues të Teatrit Popullor të Prishtinës, Ç. Lajçin, kisha zhvilluar bisedë nën qebe, ndjekur nga të ftohtit që bënte në dhomën tonë të zënë me qira. V. Shita, redaktori im i çmuar, sa për kohë të shkurtër punova si gazetar në Rilindje, më një rast, shënoi se isha satisfaksion për institucionin ku punoja!. (Sado që është fjali e dashur dhe e favorshme, që gjithkush e ka zili, me vjen zor kur e riprodhoj me dorën time!). Fjala ishte, sa për precizitet, për emisionin dokumentar “…” . R. Kelmendi, më sa di, shkroi për një emision dokumentar që ia kushtoja veteranit të gazetarisë kosovare, zotëri H. Hoxhës, e mbase edhe për atë që ia kushtova të madhit B. Kastrati, kur me të drejtë  e quajta  “Mësues i mësuesve tanë”.  Për kohë me të gjatë e me të rregullt, mbi emisionet e mia, sidomos për  “Krijuesi mysafir”, është shkruar, kryesisht mirë. Me fjalë të mira e plotë lavd, shkruante R. M. Shala, kur herë pas herë dinte edhe të më kritikojë ashpër. Ja një citat nga të dy anët e medaljes, të shkrimeve të tij: ”…”. Një kohë (të mirë) gjithnjë në Rilindje, për emisionet që i përgatitja, shkroi S. Zogaj, po aq gjatë sa edhe J. Gërvalla, të cilin e kisha koleg dhe mik të çmuar.

Iku kjo!

s’jam ai …!

Kur jam të J. Gërvalla, nuk kam si të kapërcej episodin e ndodhisë në takimin me vëllain e tij, Hysenin, në Gjenevë të Zvicrës. Ndodhi kjo shumë vjet mbas vdekjes se hershme e tragjike (sa do që ishte heroike) e Jusufit.

Sa po erdhi në kafenenë ku po e pritja z. Hysen, pa një pa dy, priti e tha: mirë së ke ardhur, zoti Matosh!

Nuk jam Matosh, mjerisht!

Vëllamë tuaj, Jusufin nuk kisha fat as rast ta takoj kurrë!

Sa i takon J. Gërvallës dhe shkrimeve të tij lidhur me akëcilën gjini të emisioneve të mia dokumentare, në ato esje, kishte një specifikë karakteristike. Sa herë që në emisione trajtoja ndonjë problem të preftë me temë të ndjeshme sociale, në të cilën pasqyrohej besnikërisht dhe vërtetësish gjendja reale (e keqe), në Kosovë, kritikat e Jusufit ishin të mira, të favorshme. Në të kundërtën, ishin të kundërta!. Mbi emisionet e mia, shkruan, Sh. Galica, G. Mehmetaj dhe S. Osmanaj. Këta dy të fundit, më përjashtime krejt të vogla dhe të rralla, shkruanin zi e më zi. Unë fare nuk mbaja hidhërim, as hasmëri. Kurrë nuk reagoja. As atëherë, kur prej se largu, shihej se në shkrimet e tyre, nuk kishte aspak kolegjialitet dhe qëllim të mirë. Nuk mund e të mos përmend edhe një kritik “timin” të nderuar dhe shumë të çmuar, të madhin E. Mekuli. Ishin ditët e mrekullueshme, kur ai njeri i madh e fisnik, kishte një afërsi, afinitet dhe afeksion, mund të thuash, ndaj meje. Me ndali në rrugë e, shprehimisht, me qortoi duke me thënë: “Sefë, më shumë më ke pëlqyer reportazhi “Midis njerëzve të mirë” i botuar në Rilindje, se sa emisioni televiziv dokumentar i emetuar në TVP, realizuar në Plavë e Guci!”.

Iku (edhe) kjo!

tvp-ja (nuk) gënjen …!

Sado që, si të thuash, isha i përndjekur dhe i keqtrajtuar nga akëcili udhëheqës i TVP-së, si pasojë e marrëdhënieve të mia, përherë të këqija me Drejtorin, (më mbante gjallë një lloj popullariteti që gëzoja ndër masa), megjithatë, ashpër reagoja, kur TVP-në e krahasonin me shtëpi publike(!), kur e quanin filiale të mallkuarit Sekretariat Krahinor për Punë të Brendshme të Kosovës e të tjera kësi soji. Kjo, pos tjerash, ndodhte edhe për faktin se, pos bashkëpunëtorëve dhe ndihmësve të vetë anonimë që kishte, kishte edhe përmbi një qind e njëzet portierë, (roje të natës dhe të ditës!), kryenin edhe punë të tjera të rëndësishme. TVP-eja ose mbarë RTP-eja, akuzohej për nepotizëm dhe “allishverishe”, për informim të shtrembëruar dhe jo objektiv, e të tjera e te tjera. Gjithmonë e në çdo rast, provoja, aq sa mundja, ta mbroja institucioni ku punoja, nga e gjithë kjo breshëri akuzash dhe nxirjesh, sado që, në fakt, ngjanë të ato të ishin të vërteta.

Në një të pame (mjerisht, jo në gazmend), diku në Dukagjin, një plak i mirë dhe i urtë, kishte ngulë këmbë fisniku, të më gërgasë dhe, fytyrë botës, të më përrallos, të me shtyj të pranoj së TVP-ja, nuk bën tjetër veç se rrenë! Sa herë e çelë gojën, sikurse i thonë fjalës.

Bëja leqe, majtas e djathtas e nuk kisha qare pa thënë çfarë mendoj në lidhje më këtë akuzë të rëndë që i bëhej TVP-së Pranova se në informacionet e TVP-së, ka edhe pasaktësi, shtrembërime! Për shembull, jo njëherë folësit e TVP-së thonë se nesër do të merr mot i mirë e më diell. Të nesërmen ia krisin vetëtimat e bubullimat!

A nuk është kjo një rrenë e kulluar, pyeta?

Them de se TVP-ja nuk bën tjetër veç rrenë! – priti e tha plaku i gëzuar për triumf!

Jo gjithherë, gërvishta qejfin e ngadhënjim të tij jetë shkurtë. Kur TVP-ja thotë se kaq e kaq të ri, gati për ditë të zotit, nga ushtria jugosllave kthehen në arkivole, nuk rrenë! Nuk  ashtu, nga se nuk ishte as rasti as vendi. Drodha e thashë, nuk janë të rralla rastet kur TVP-ja informon drejtë dhe objektivisht.  Kur në lajmet qendrore të mbrëmjes, informon se duke filluar prej nesër (sot) ngritën, për kaq e kaq për qind, çmimet e artikujve ushqimorë, të derivateve të naftës, benzinës, të materialit ndërtimor, e të mirave të tjera të konsumit të gjerë… dil, ndërro hap! Do të bindësh se TVP-ja nuk ka gënjyer as sa të zinjtë e thoit, siç i thonë fjalës!

Dialogu përfundoi, vetvetiu. Përfundoi me kaq!

Iku kjo!

universitet e lashta …!

Edhe dy rrëfime. Për “Universitetet e lashta të Evropës!” dhe, Ditën e vdekjes!

Fjala është për projektin e famshëm që realizohej në bashkëprodhim me TV Shkupin dhe, i dyti, lidhet më ditën e pritur të vdekjes së Titos!

Propozimi për realizimin e këtij projekti që, sikurse do të shihet më vonë, kishte qenë djallëzor. Erdhi nga Televizioni i Shkupit. Në këtë seri, parashikohej të radhitën dhjetë emisione të gjata (njëorëshe, mesatarisht). Do të përfshiheshin këto universitete të vjetra gjithandej nëpër Evropë: Universiteti i Sorbonës  (Francë), Universiteti i Kembrixhit dhe Oksfordit (Angli), Universiteti i Upsalës (Suedi), Universiteti i Pragës (Çeki, atëherë, Çekosllovaki!), Universiteti i Sevilës (Andaluzi, Spanjë), Universiteti i Krakovit (Poloni), Universitetet Padovë e  Bolonjë (Itali) dhe Universiteti i Hajdlbergut (Gjermani). Që gjithsej bëjnë dhjetë. Nuk ka si bën më mirë. Vërtetet një projekt i mrekullueshëm dhe që do ta kishte zili çdokush.

Kur pashë emrat e dhjetë universiteteve dhe të po aq qyteteve të zëshme, sikurse janë Parisi, Praga, Sevila, Kembrixhi me Oksfordin e kështu më radhë, veç pika që nuk me dridhi zemrën nga zilia. Kush do të jetë ai fatlum nga radhët e TVP-së, që do të merr atë rrugë.  Më se shumti i droja konkurrencës se S. Blakajt, kur ishte i mirë në çdo kuptim të fjalës. Shorti me “gjeti” pikërisht mua!

Kjo ishte befasi e madhe dhe njëkohësisht, nder i madh që me bënte TVP-ja.

Hej, gjithë ajo Evropë e madhe hapej para meje. Para syve të mi të pangopur, gjithmonë të uritur, për pamje të reja.

Gëzimi nuk zgjati shumë. Që në hapin të parë, lindi pakënaqësia. Epërsia e hises maqedonase të ekipit, shihej prej së largu.

Menjëherë reaguam. Shprehëm moskënaqësi. Revoltë.

Derisa sa ata kënaqeshin duke xhiruar në ambientet e Universiteteve të njohura, në bibliotekat, amfiteatrot, kabinetet e punës eksperimentale e të tjera, unë ndërkaq, bashkë me xhiruesin A. Sedllari, griheshim e shkallmoheshim, në etjen zhuritëse, që, në mënyrë sa më të denje të paraqesim portretet e qyteteve famëmadhe, në gjirin e të cilëve ishin universitetet!

Krahaso punën në ambientet e akëcilit universitet të atë hark, kur atje, kolegët maqedonas i pritnin profesorë të njohur, në mesin e të cilëve,  kishte edhe të nderuar me çmimin Nobel, me angazhimin tonë. Një me dhjetë, në favor të tyre, shprehë me gjuhën e sportit.

Para kamerave të Televizionit maqedonas (jo kurrë edhe të TVP-së),  dilnin e rreshtoheshin, shkencëtarë, profesorë, studentë…

Para kamerës tonë të krahut, vetëm rrugë, sheshe, lumenj, ura…

Iku (edhe) kjo!

qeni i zi …!

Më e vështira ishte se, gjatë gjithë asaj rruge, në, të dy  (shqiptarët), ishim të përcjellë në çdo hap. Kjo erdhi në shprehje në qytetin e lashtë universitar, Hajdelberg të Gjermanisë. Derisa një grup punëtorësh, mihte kanal të thellë bri një rruge të qytetit, pa e pasur fare mendjen në pasoja, drejtë e në gjuhën shqipe, i përshëndes dhe, si e do rendi, u dëshiroj punë të mbarë!

Më të arritur në hotelin (modest) ku ishim instaluar, xhiruesi maqedonas, menjëherë e hap çështjen (sikurse thuhej atëherë). I përshëndete shqiptarët që, më parat që i fitojnë në Gjermani, do i blejnë shtëpitë dhe tokat e serbeve në Kosovë!

Një ditë më parë, në një librari, kisha shfletuar librin me titull “Tito pragmatik”, të autorit M. Gjillas. Cërnit, maqedonasit të zi, nuk i kishte shpëtuar as kjo. Ashtu si, ditë më parë, nuk i kishte shpëtuar syrit, kur në dhomën tonë të hotelit në Pragë, hynë dy djelmosha të ri shqiptarë, me një dosje të madhe fotografish të trishtueshme. Që dëshmonin mbi masakrat e ushtrisë jugosllave mbi ushtarët shqiptarë dhe, të tjerat keqtrajtime dhe dhunime që, ushtria jugosllave bënte mbi popullatën civile shqiptare.  Ndonëse djelmoshat ishin tejet korrektë, diskretë si të padukshëm, ata megjithatë i kishte zënë syri i Cërnit të zi!

Puna e përbashkët me maqedonasit, për ne, mori fund. Vetëm duhej të sajonim valixhet e të ktheheshim në Prishtinë.  Kur Cërrni i zi, se çështja është serioze, përnjëherësh derdhët në lot dhe gjunjëzohet, me përshpirtje dhe me fjalë përulëse, prej toke e në qiell, që të vazhdojmë punën e nisur dhe se, kjo që bëri, nuk do të përsëritët kurrë më.

I pabesë, siç kishte qëlluar, më të kthyer në Prishtinë, të nesërmen me sabah, vjen në TVP!  Veçse nuk luajti mëndësh nga gëzimi! Për atë që kishte ndodhur midis nesh në  Hajdelberg të Gjermanisë, nuk kishim bërë me dije askënd nga udhëheqësit e TVP-së.

Siç edhe mund të pritej, Cërni i zi, vazhdon me të vjetrën. Tinëz nesh, shkonte në ambasadat jugosllave. Atje, përpos që debatohej (keq e zi, siç mund të supozohet, për Kosovën!, njoftohej për gjendjen shëndetësore të Titos që, kishte kohë që kishte zënën shtratin e vdekjes!

Ndërkohë edhe ia kishin prerë në cung, këmbën e qelbur.
Çfarë hoqëm prej tij, o zot i lumë! Na e tundte para hundësh, orë e çast, me plotë ngjyrim kërcënimi, sloganin “des day”, ditën ix, pra, kur, në çdo çast pritej vdekja e  Titos!

Pabesitë dhe prapësitë e tij i thurë në poezi që, më vonë, edhe e botoj me titull, “qeni i zi”,  (qysh ndryshe!).

“lart diku atje/ në veri/m’u vërsul një qen i zi/ çaponjtë s’i kish të qenit/ as të lehurit si të lehur…/ e mëshirova të ndalte hap/ me fjalë/ e lus të shuante ndërdhezjet/ mos të ndjellë kob/ s’kishte gjë të mirë/ ky ishte një qen katil/ një vajhall për të hyrë/ në punë të thella/ me kafsho/ o qen i  zi/ja me ku me ke/ në daç me kafsho/ (nga pas)/ në daç diku tjetër/ bëj çfarë të duash/ gjë pa bërë për fytyrë mos le/ ke jetë të shkurtër/ si në tualet një copë letër/. (Hajdelberg, prill ’80).

Edhe kjo, si shumë të tjera të këqija e mosmarrëveshje me Cërnin e zi, në rend të parë, por edhe me dy anëtarët e tjerë maqedonas të ekipit, do të kalonte disi, por si t’i bëhej hallit e t’i dilej matanë belasë, nëse rastësisht takohem me J. Gërvallën që, atëbotë ishte gjallë dhe zhvillonte aktivitet të vrullshëm dhe të gjithanshëm kundërjugosllav.

Gërvallën e doja dhe e respektoja shumë. E kujtoja, si të kishte ndodhur sot paradite, çastin kur në TVP, kishte ardhur bashkëshortja e tij. Ishte e zymtë në fytyrë. Në qenien e vet të hajthme, ndrydhte një hall të madh. Njeriun e parë që e takon, isha unë. Me thotë, si më zjarr të fshehur dhe revoltë të kontrolluar, ta gjej S. Blakajn! Për një punë të ngutshme. Atë ditë, Jusufi ishte lajmërua diku nga Austria. Skënderin e gjej fil-hall, shumë shpejt. Një grihmë herë  bisedojmë bashkë rreth asaj që kishte ndodhur, pastaj Suzana me Skënderin, shmangën.

Këtë që shtoj tash, mbase është dashur ta them që në fillim!

Qëllimi dhe motivi kryesor i maqedonasve për të realizuar serisë e emisioneve dokumentare kushtuar dhjetë universiteteve më të lashta të Evropës, kishte qenë, në fakt, synimi i tyre, të xhirohet emisioni i njëmbëdhjetë a i parë, kushtuar Universitetit Ç. Metodskit në  Ohër. Kur ai do të dilte më i moçëm së të gjitha universitet e lashta në të katër anët e Evropës!

Kjo, sipas mendjes se tyre të tharë, do të ishte edhe një dëshmi me shumë (e madhe) e etnisë së lashtë të Maqedonisë dhe të popullit dhe të “kulturës se moçme” të tij në Ballkan e më gjerë. Në Evropën e lashtë!

Për çudinë e çudive, TVP, as nuk merr pjesë në xhirimin dhe, as që e ka emetuar ndonjëherë, në programet e veta, emisionin dokumentar, kushtuar Universitetit Ç. Metodskit!

Punë e mirë. Aferim!

Iku kjo!

djersa e klasës punëtore ..!

Përkundër ditëve të vështira (verdha!) që përjetuam gjatë realizimit të atyre emisioneve të mallkuar, në anën tjetër, gjithë kolegët e mi, ishin xhelozë ndaj nesh dhe këtë udhëtim e konsideronin si të qëlluar të numrit fitues të lotarisë së euro-milionit që, asokohe, as që  ekzistonte!

Megjithatë, keqardhjen dhe mos durimin për këtë udhëtim të gjatë, e manifeston ashpër,  zotëri Gana!

Veshur me uniformën SMB-e të Armatës Popullore të Jugosllavisë (sa mirë e hijshëm i rrinte dreqi!), kur ishte majmur e ishte bërë pëllumb, duke ngrenë e duke pirë, sa i jepte zoti takat, nga kazani i thellë i kuzhinës se improvizuar ushtarake në “gjardinin” e  TVP-së, gjatë sundimit të gjendjes së jashtëzakonshme që mbretëronte ato ditë, në zyrën prej dërrasash, në barakë, hyn ai. Jo si koleg, që punonin në të njëjtin institucion, por me egërsinë e oficerit me gradë të lartë, siç ishte, të ushtrisë jugosllave. Me një mllef të akumuluar dhe të kondensuar, me plot kërcënim dhe ironi të skajshme, me drejtohet:  me parat e klasës punëtore, sorollatësh gjithandej nëpër Evropë!

Nga inati dhe helmi, si nga një e kafshuar gjarpri, sytë me terratisën. Veshët me marrin ushtimë. Nuk di, çfarë me thotë më. Nuk arrij të flas asnjë fjalë. Isha si në shok.

Atë udhëtim  të mallkuar, nuk e kisha, menduar as projektuar, unë. Ishte ide dhe motiv i  Maqedonasve. Sikur  të kishte qenë vetë, në atë udhëtim edhe do të kalonte shumë më mirë  kolegët maqedonas!

Dhjetëfish më të mëdha ishin, të hollat (paratë), poashtu, të klasës punëtore, sikur të isha kujtuar, në atë çast të ngushtë, ngushticë, t’ia përkujtoja Ganës, ai i kishte shkelur të katër anët e botës, duke shtegtuar prej meridianit në meridian!

Por ai këtë, jo me laps, jo me mprehtësinë e tij, por me ndihmesa tjera, e kompensonte. Ishte një syçelë. Ishte i pa luhatur dhe kurrë i pa thyeshëm, si mbrojtjes i vijës së “drejtë” të LKJ, parimeve të saja të “larta!”.

Ndër qindra e qindra (mos të them mijëra) anekdota qesëndisëse që tregohen për Ganën e shkretë, riprodhoj vetëm një, këtu e më këtë rast, që është ekuivalencë e të gjitha të tjerave bashkë. Kur më së miri flet për principet e paluhatshme të tij!

Në një mbledhje, plot tensione e nervozë të zezë, ashtu sikurse ishin të gjitha mbledhjet në të cilat merrte pjesë Drejtori, aq me parë kur shqyrtohej një temë e nxehtë dhe jetike, sikurse është, fjala vjen, ideshmëria (komuniste) në punën e gazetarit, Gana gjen rastin e mirë. Merr fjalën dhe, në mënyrë parimore dhe shembullore, nis me autokritike. Ja, për shëmbëlle, thotë. Edhe mua, nga njëherë, me ik mendjeje kjo gjë. Në transmetimet e drejtpërdrejta të ndeshjeve të futbollit, sidomos. Në vend së të them se topin e mori filan futbollisti që është komunist i mirë e shembullor, flas për të diçka tjetër, krejtësisht të parëndësishme.

Le e mos llomotit! Mos fol budallallëqe, ia pret, Drejtori!

Gana, sikur të mos kishte ndodhur asgjë, sikur mos t’iu kishte drejtuar atij fare, vazhdon monologun: po de, pikërisht, është e panevojshme, është e tepërt, të flitet për profilin komunist të futbollistit. Mjafton të thuhet se është sulmues apo mbrojtës i mirë!

Sa do që interpretimi i fjalëve të tij është i lirë, në të katër anët e sallës, kishin zbërthyer qeshje, si vërshime breshërie dhe të papërmbajtshme. Gana, pa as më të voglin shqetësim, mund të ketë vazhduar edhe me broçkulla të tjera. Edhe më origjinale se kjo!

Iku (edhe) kjo!

koment i shkurtër …!

Muaji maj 1980.

Më në fund, ditë e pritur, erdhi.

Vdiq, Titua, vdiq!

Hej, o zot, ditë e zezë ishte ajo për RTP-në, në përgjithësi e, sidomos për më të madhin e saj, Drejtorin, në veçanti. Po çfarë babe e nëne, por përnjëherë, t’i ishte shfarosur familja me mbarë farefisin, i ngushtë e të gjerë, Drejtorin nuk e kishe parë më të mërzitur.

Fill pas kësaj vdekje të rëndë, që e theu dhe e qau zemrën e Drejtorit dhe bashkëpunëtorëve të tij të ngushtë, lindi edhe qesëndia margaritar me Ganën!

Vdiq shoku Kardel, ja sa vdiq edhe shoku Tito e, besa as unë nuk po e ndie vetën bash mirë!

Merret vesh se çfarë donte të thoshte me këtë. Diçka në yrnek se, me radhë po shkojnë të mëdhenjtë!

Që kishte deklaruar kështu, kjo është jashtë çdo dileme. Dëshmitarë janë të gjithë punëtoret e RTP-së. Jo vetëm ata. Për këtë kishte dëgjuar krejt Prishtina, në mos Kosova mbarë!

Sa mirë kur çdo gjë përfundon me kallëzimin e një qesëndie gazmore.

Tashmë e tetëdhjetenjëta, atmosfera e  saj kobzezë, kishte përfshirë terë Kosovën. Jo treqind grosh, (sikurse me mençuri e urti pleqësore, të cilën e keqkuptuam dhe keqtrajtuar një kohë bajagi të gjatë!), prognozoj një politikan i kohës, por dhjetëfish më shtrenjtë, akëcili shqiptar (pos atyre të “ndershëmve!”), do të paguante vrimën e miut!

Kur në nën-kulmin e barakës, ku banoja, me shigjetoi jehona e këlthitjeve të masës se njerëzve guximtarë, ngjitur në kolonën demonstruese, shpejt zbres shkallët  dhe ftillohem. Me hapa të imtë nxitës, nisëm. Nga Shatërvani (si i thoshim asokohe) teposhtë. Vaji me  mbërthen vetvetiu. Aty për aty  bluaj komentin më të shkurtër në jetën time, si gazetar. “Këlthitje e njerëzve të robëruar. Gjëma e tyre për liri!”

Ky ishte komenti im i vetëm!

As i shkruar as i folur. As i shënuar me laps. As i thënë në mikrofon. I bluar ndër dhëmbë, kur gati me shqiptimin e atyre dy fjalive i bluaj e i bëj hi e pluhur!

Vetëtimthi mbërrij atje ku thërriste jehona e zërave të çartur që, me britma e klithje, ftonin lirinë kur, mjerisht nuk e njihnim, nga se, asnjëherë, nuk e kishim parë as përjetuar. Asnjëherë, përgjatë historisë se gjatë, që del dhjetëfish më e gjatë kur është e ngujuar në robëri. Populli i gjorë, si me vajë e klithma, ftonte pranverën e lirisë që, sikurse do të shihet, nuk do të vijë ndoshta kurrë, pa ia shtruar më parë rrugën më gjak e, më pastaj, më pastaj do të çelin lulet aromatike të saj. Kolonës se demonstruesve nuk i ngjitem në bisht së pakut, por si shumë të mjerë të tjerë, e vështroj  nga anash, thua se ata të ngjiturit në “valle”, nuk janë bashkëkombës të mi, por dikush tjetër. Nuk është, gjykoj, e vërtetë se lirinë e meritojnë dhe së duhet ta gëzojnë të gjithë njësoj. Jo, dikush e meriton atë më parë se tjetri. Më parë ai që luftoi, ose që bëri çfarëdo përpjekje se sa ai që ndenji duarkryq!

E për ata që luftuan kundër saj, lirinë mos e pafshin kurrë, kurrë diell i lirisë mos i nxehtë!

Ishin ditë, si i përjetoja unë, së pakut, kur më mirë ishte të ishe në burg të zi se sa të punoje si gazetar në TVP.

Mbikëqyrja  dhe presioni ishin plot tension dhe të skajshëm. Ngufatje e  pa padurueshme krejt.  Me zhbirim shikohej e ndiqej çdo detaj. Syrit të preftë të udhëheqjes se TVP-së, sidomos të Drejtorit gjeneral, që rrethanat fatzeza, të krijuara papritmas dhe përnjëherë, përnjëmend e kishin avancuar dhe kishin bërë  sikur të ishte gjeneral, me tamam! Ai duhej të dinte çdo gjë. Të shihte përpara, çdo gjë, çdo imtësi që i paraprinte emisionit. Sakaq prishej e zhbëhej skena (skenografia) e emisionit, nga se atje, diku në një zgjiç, skenografit  i ik kujdesit një shokë me ngjyrën kuq e zi, fjala vjen.  Në çdo emision, pavarësisht, i cilës gjini a zhanër ishte, duhej futur bashkim vëllazërim. Pathyeshmërinë e çelnikët se jemi në rrugën e Titos, (druzhe Tito, mi ti se kunemo da sa tvoga puta ne skrenemo!) dhe se: asgjë nuk mund të na befasojë, (nishta nas ne smije iznenaditi!, siç kishte thënë, me gojën e vetë mareshali Tito, me një rast).

Edhe sot e kësaj dite, qeshet me mua dhe me vështron me shije nënçmim, një moshatar imi, që tashmë, është akademik, madje edhe kryetar i ASHA të Kosovës. Asokohe kisha realizuar një emision dokumentar kushtuar tetëmbëdhjetë nëntorit. Ditës së çlirimit të Prishtinës. Mbante të ftohët siberian dhe dëbora ishte deri në fyt. Në tekst të mjerë, ndër budallallëqeve të tjera, përafërsisht, llomotitja se, në katër anët e Prishtinës, në rrugë dhe në sheshe, kudo, shihen fytyra të gëzuara dhe të qeshura!

Për fat të keq, syri magjik (përnjëmend magjik e fisnik, kur nuk di të rreje e të mashtrojë siç bëjnë gazetarët!), kishte përngrirë pamjen gri dhe fytyrën e mavijosur nga acari, të një lypsari të shkretë, me dorën e shtrirë për lëmoshë!

Kurrgjë më të mirë nuk ishin edhe shumë të tjerë (edhe unë, bashkë me ta). Në rrugët e Prishtinës, kishte me qindra, për të mos thënë me mijëra, të tillë!

Mjaftonte vetëm t’i rrokte kamera. Çdo gjë do të shihej për lëndinë!

Gjendja e keqe, sa shkonte e shkallëzonte. Bëhej  gjithnjë e më të padurueshme.

Prej ditës në ditë.

Iku kjo!

bashkëjetesë i thënçin …!

Dhe ditët kalonin. Kalonin edhe javët. Kalonin edhe muajt. Kalonin edhe vjetët…

Bashkëjetohej me robërinë. Siç është bashkëjetuar gjatë shekujve të kaluar.

Madje edhe nga larg, gjithnjë e më qartë shihej, me sy të lirë e të dëlirë shihej mirë se, armiku përditë e gjithnjë e më shpejtë, humbte durimin dhe, më plotë egërsi tregonte dhëmbët e preftë, gjithnjë e më të etur për gjak shqiptari. Nuk do mëndë, gjithnjë e më e vështirë, bëhej puna dhe, në përgjithësi jeta, në TVP. I asaj ngushtice kohe, ndoshta edhe është emision dokumentar kushtuar dy punëtorëve të shtypshkronjës se Rilindjes. Portretet e të cilëve, të një shqiptari e të një serbi, duhej të lidheshin me simbolin e rremë të bashkim vëllazërimit. Si të Boros dhe të Ramizit, që ranë për liri të përqafuar, si në përrallë. Por, më siguri, edhe të ndonjë emisioni tjetër të natyrës dhe përmbajtës se tillë. Sigurisht se ky nuk  ishte një dhe i vetmi.

Ishte periudhë e vështirë, delikate, e rrezikshme.

Ishte kohë “ndjekjes se shtrigave!”. E ndjekjeve dhe përndjekjeve të njëpasnjëshme dhe kurrë të pandërprera. Ishte koha e deklarimeve (publike dhe “unanime!”), kundër këtij e atij. Kundër njërit e kundër tjetrit!

Të gjithë ata që fushata e egër i fshinte përpara, ishin shokë, kolegë miq të dashur. Ata ishin “irredentistë”, “shkatërrimtarë”, “separatistë” dhe “varrmihës” të Jugosllavisë së Titos! Bashkësisë se kombeve e kombësive të vëllazëruara dhe të bashkuara!

Ironike!

Iku (edhe) kjo!

një “tragjedi!”…!

Kjo ngjarje “tragjike!”, ka lidhje të drejtpërdrejtë me Drejtorin dhe mua!

Kolegun  O. Gashi, që e njihja prej ditëve të Rilindjes. Kishim punuar bashkë, për një kohë në TVP. Tash ishte në marrëdhënie pune në një nivel të lartë krahinor. E dekretuan konsull jugosllav në SHBA, me seli në Nju Jork.

Në mendjen time boshe, gjithnjë naive e gjithnjë ëndërrimtare, përnjëherë flakëroi titulli “Prej Ramunit, në Nju Jork!”.

Titull ky i emisionit dokumentar që, me naivitet besoja, do të me shpie deri në Nju Jork! Dëshirë imja zhuritëse, e kamotshme dhe kurrë e pashërueshme.

Ashtu si llogaritja ashtu edhe doli. Tema e propozuar e emisionit, do të kapërcejë nëpër  vrimëzimet e sitës, të atyre syçelurve që vendosnin.

Osa, ishte i yni. Ishte gazetar dhe koleg yni. Kishte punuar edhe në TVP.

Mëndja ime zog (gjog!) kishte paraparë që tërësia e emisionit në fjalë, të përbehej nga dy pjesë. Pjesa e parë do të xhirohej në Ramun, në fshatin e lindjes, rritës dhe të punues, si mësues, të Osmanit.

Pas xhirimit në Ramun, në gjirin familjar dhe ambiente të atij fshati, nga e kishte prejardhjen, në Prishtinë dhe gjithandej nga zotëri O. Gashi kishte punuar dhe kishte lënë gjurmë, pjesa tjetër, do të xhirohej, në Nju Jork. Paramendoja se kamera jonë e filmit, që me parë, do te “instalohej” në Aeroportin J. F. Kenedi, të Nju Jork-ut dhe se atje do të përngrijë (fiksojë) pamjen e tij më, në dalje nga avioni. Me dorë të ngritur përpjetë në ajër!

Një pjesë të ëndërrimit e  leja në errësirë!

Mirë e mbarë, filloi.

U xhiruar gjithë ditën e lume. (Krye)personazhi  zihet,  “kapët” nga të gjitha këndet dhe skutat e mundshme.

Në buzëmbrëmjen e asaj dite dimërore, siç ishte, i zoti i shtëpisë mikpritës, vëllai i Osmanit,  na ndalë për darkë.

Për fat të mirë a të keq , isha i sëmurë dhe nuk me binte në mëndë, as për pijet as mezet, që cilat me bollëk ishin shtruar në sofër!

Përnjëherësh kris muhabeti. Krejt me romuze. Me gazmore e qesëndi…

Krejt të mira e të këndshme.

Shoferi e ka fjalën kryesore. Në fillim mirë. Tregon barsoleta, mahi, anekdota e gazmore të gëzueshme pafund. Kur rakia nisi ta rëndoi në kokë, filloi të shkretojë. Të flasë mbarë e mbrapsht! (Sipas meje, fliste vetëm mbarë). I ishte tekë se, secili shqiptar, duhet të këtë njëmbëdhjetë djem. Në luftën e afërt me armikun, dhjetëshen ta udhëheq, i njëmbëdhjeti. Dhjetari!

Të nesërmen, porsa erdha në punë ia ndjeva krismën natës së mbrëmshme!

Drejtori me kishte kërkuar më ngut. Më shumë urgjencë.

Isha serbes!

Nuk kisha pirë, as për ilaç, si i thonë fjalës. Nuk kisha ngre as një gotë!

Kur hyra në zyrë, Drejtori ishte tërbuar fare. Nuk me priti ulur mbi karrigen  “mbretërore”, por fill në këmbë. Me shpinë kah xhami i dritares. I dukesha i verdhë. Më  shkrepë flakën e vështrimit rrënues!

Çmendet krejt, kur vëren se veshja rrobë të trashë e komfore qetësie hyjnore!

Fare nuk me bënte përshtypje, për çfarë fliste. Zjarrin e pyetjeve ia shuaja me frymë të butë  qetësie.

Në vërejtjen (vrastare), pse, me sabah, nuk kisha ardhur në zyrë për ta informuar në lidhje me hatanë që kishte ndodhur mbrëmë, përgjigjja ime, ishte akoma më vrastare!

Nuk është punë imja. Nuk me spiunllëk!

Gazetar jam. Nuk jam spiun!

Për këtë injorim flagrant, sa edhe dhe flegmatik, natyrisht se pritja pasoja. Po edhe deti kos të bëhej, as  që ma ndiente! Tashmë isha redaktor, komentues e tjera e tjera. Bile për një kohë të shkurtër isha edhe anëtar i Këshillit të punëtorëve të TVP-së.

Hap një parantezën. Episodi që  pason, nuk ka asnjë lidhje më mua.

Ka vetëm me Drejtorin!

Në të ndryshmet e rëndit të ditës, së një mbledhje të punëtorëve, fjala ra dhe për një bursistë të TVP-së që studionte për regjisor pranë Akademisë gjegjëse në Beograd. Kishte qëlluar dreqi, i biri i një shoku të ngushtë të Drejtorit! Djaloshi kishte qëlluar i llastuar. Më mirë, thoshin jetonte ai në Beograd se profesorët e tij. Prej barit të natës së hotelit “Metropol”, merrte taksin e, hyxhym (direkt), në Akademi!

Për pasojë  edhe kishte humbur vitin. Drejtori vendos që, birit të mikut, t’ia vazhdojë bursën. Si me instinkt tureçkën ia afroj rrajë veshit koleges  që e kisha përskaj. I pëshpërit: Ti pa to hiç e, unë kokërr vogël!

Ia kris një të qeshure, fisnikja, me të hidhur në buzë. Njëmendë, ajo që bënte drejtori, nuk kishte kuptim edhe sikurse TVP-ja të ishte pronë e tij private!

(Riprodhoj këtë ndodhi në një nga mbledhjet e këshillit të punëtorëve të TVP-së. Çfarë ka ndodhur tjetër, atje më lartë, nuk e di. Atje nuk jam ngjitur kurrë. Nuk me vjen keq për ketë).

Përkundrazi!

Iku kjo!

bluan, bluan “makinë e qenve!” ….

Për asgjë nuk me bëhej vonë.

Makina (e qenve, si i thonë fjalës) bluante. Kafshonte. Shoferi e fshinë lamën: aty për aty përjashtohet nga puna. Për këtë ndëshkim as pesë para nuk i jepte. Nëse nuk do të kapej për timonin e automjetit të TVP-së, do të kapej për një (timon) tjetër.

Punë e madhe!

Kjo ishte masa ndëshkuese, e prerë ndaj tij. Kurse gjyqi kompetent, ai komunal i Pejës (meqë ngjarja kishte ndodhur në një fshat të territorit të saj), do t’ia këpuste një dënim të rrastë. Mbase edhe për vepër penale. Varësisht si do të kualifikohej vepra e tij.

Gjyqi kompetent komunal i Pejës, shoferin e TVVP-së e dënoi me gjashtë muaj  burg.

Shoferi shkon në drejtim, në punë të vetë!

Kthehem në punë dhe vazhdoj të pres ndëshkimin e rëndë. Dënim nuk me është shqiptuar. Bile edhe llogarinë e shpenzimeve të xhirimit (me mëditjet e të gjithë anëtarëve të ekipit, shpenzimet e karburanteve, të lentës se filmit dhe të tonit (zërit) e të tjera e të tjera, me heqjen e të cilave, sa për fillim, isha ndëshkuar, nuk e di, nuk me kujtohet se a i kam paguar!).

Vazhdoj punën sikur asgjë mos të kishte ndodhur!

Iku (edhe) kjo!

filmi i ndëshkimit, shpëtim…!

Gashi, pasi kishte kryer mandatin e shërbimit, si konsull, në Nju Jork, ishte kthye serishmi në TVP. Tash ishte kryeredaktor. U gëzova, si të gjithë tjerët.

Shokut Osman (“…nxënës të dashur sot do të mësojmë shkronjën O të madhe, për shembull – Asman”!, – ishte mahia e tij e preferuar që e përsëriste aq shpesh!), iu keqësohet gjendja shëndetësore. Merr shtratin e dergjës dhe brenda një kohe të shkurtër ndërroi jetë.

Kur të gjithë vajtën në Ramun, për të marrë pjesë në celebrimin e varrimit, ngela në televizion. Me mund dhe përpjekje maksimale, arrij të shkoq nga mugëtira e arkivit copat e mallkuara që filmit, si të damkosura. Si të prekura virusi Side të ishin!

Me ato copëza lente filmi, arnoj e nxjerrë në dritë një kronike televizive. Emetohet po atë mbrëmje. Me gjithë dhimbjen pse emisionin dokumentar “Prej Ramunit në Nju Jork”, nuk u realizua për të gjallë të tij, ishte për mua, një kompensim moral, kur për aq vjet, ishte ruajtur ajo grimë filmi. (Kjo të kujtonte rastin e vdekjes se intelektualit të madh shqiptar, E. Çabej, diku në një spital të Tiranës. Po mos të ishte një fragment filmi që S. Blakaj, e kishte xhiruar në atë spital të Tiranës,  Televizioni shtetëror i Shqipërisë, do të bëhej përrallë me tupan! Në vend se në arkivat e veta të kishte me qindra storie filmi dhe emisione të tëra dokumentare kushtuar kolosit të historisë e kulturës dhe të civilizimit tonë, nuk kishte asnjë sekondë material filmi!).

Edhe një rrëfim i shkurtër (anekdotik) me Drejtorin.

Ishte një pasdite e zymtë dimërore. Nuk ishte në qejf dhe në anijen që ai drejtonte, ndërkohë kishte ndodhur një avari aq e madhe sa që, as ai vetë, me tërë eksperiencën që kishte, zor se do ta ndreqte!

Mbledhja kishte filluar me pastrimin e disa të këqijave më të imëta. Të rëndomta. Të përditshme, kurse tema për belanë e madhe që, sigurisht do të më hante kokën mua dhe ndonjë tjetri. Ndonëse se në konto nuk kisha as më të voglin gabim. Drejtori  ndërprenë mbledhjen dhe të rraskapiturve, u jep disa minuta pushim.

Gjendemi ballë për ballë!

Pa hezitim as ngurrim kurrfarë, i them:  shok Drejtor, si venë punët nga andej?!

Për stuhinë që e kemi përpara, mos i jep as pesë para!

Kjo pyetje, si magji të ishte, përnjëherësh ia thyen xhamat e akullt që ia mbështillnin fytyrën.

Aty e endej, mbledhja, merr një rrjedhë, disi me ndryshe.

Më qetë se që pritej!

Iku kjo!

dosja gri …!

Në dosjen time të zezë, ishte shënuar edhe një njollë e zezë.

Vetë fakti se nuk e di rendin kronologjik të saj, më se miri dëshmon që nuk lidhet me Drejtorin!

Si gjithë herë, me ambicie dhe angazhime të mëdha, kisha përgatitur një emision të gjatë dokumentar nga Tërnoci i Bujanocës.  Thoshin se ishte, jo vetëm në luginës e Preshevës, por fshati më i madh në trojet shqiptare, përgjithësisht. Emisioni ishte xhiruar, ishte montuar, ishte emetuar… Sipas opinionit publik, kishte dalë korrekt.

Tëra kishin ndodhur, kishin vajtuar siç është më se miri, e, në anën tjetër, pas shpinës sime, ishte bërë nami.

Emisioni ishte bërë çështje serioze dhe, si i tillë,  ishte shqyrtuar në një mbledhje të Komitetit regjional të LKJ për Bujanoc, Preshevë, Vrajë dhe Leskovc. Tekstin e reportazhit “problematik”, e kishte përkthyer në serbisht, M. Shala, përkthyes zyrtar në KK të LK. Tekstin e rëndonte, ndër të tjera, edhe  konstatimi se Ternoc, ishin frekuentuar (kontaktuar) dhe ishte komunikuar me njerëz të dyshimtë!

Asi që nuk ia duan të mirën Jugosllavisë!

Derën e kësaj maskarade, si duket, me një të përplasur të stuhishme, e kishte mbyllur M. Bakalli, personalisht. Nga e gjithë kjo, kishte dalë një “tundet  mali, lindë miu!”, sikurse thotë fjala e urtë serbe. Krejt kjo zhvillohet e rrjedhë  përskaj meje!

Mrekulli!

Iku (edhe) kjo!

në çdo anë …!

Ditët më të zeza në TVP, që i kemi përjetuar dhe i kemi ndier e peshuar me pelin rreth zemre,  ishin ato të shënimit të gjashtëqind vjetorit të Betejës së Kosovë (1389-l989). Sa  zgjatën? Një muaj, një muaj e gjysmë, një shekull!

Ato ishin ditë të zeza, ditë të vështira për  TVP-në.

Televizioni i Prishtinë ishte në flakë. Shumë para ditës se caktuar të manifestimit, të shënimit të atij përvjetori të kobshëm dhe të disfatës të atyre që e  kremtonin, në TVP kishte zbarkua një grup i madh njerëzish, një kallaballëk që duhej të kujdesej  për punët parapërgatitore të manifestimit. Secili ishte sigurims më i madh së shoqi. Në TVP, në simotrën e tyre, nga Televizioni i Beogradit, kishin ardhur gazetarë, teknikë, inxhinierë e mjeshtër të tjerë, për lidhje e ndërlidhje!

Asaj armate të madhe, iu kishte bashkangjitur edhe ushtria (jo e vogël) e ruajtësve dhe gardianëve të besueshëm dhe të përbetuar, e Titos dhe e në Partisë, që për mot e jetë, do ta ruajnë (të paprishur) bashkimin dhe vëllazërimin midis kombeve dhe kombësive tona të “vëllazëruara”.

Sot, pas aq shumë vjetësh, vetvetiu dhe instinktivisht imponohet pyetja: a i shkonte, a i shkonte fare ndërmend, kolegut të nderuar E. Mulliqit, se ai aparat telefoni, sa një kofshë thiu, rrënjë veshit të tij, gjithnjë në lidhje të përhershme me Gazimestanin (fantazmagorinë e tij!), dhe gjithkah andej ku gjendej kryesigurimsi, më i madhi udbaxhinj, pra, njeriu i parë i sigurimit, që enkas kishte ardhur nga Beogradi, ishte thi, ishte thikë, ishte iriq e dreq me bisht, në zemrat tona të imituara dhe të trembura. A i shkonte ndërmend fare, shokut Enver, se ai send i madh rrezë veshit të tij, ishte thikë e përgjakur në sytë, jo vetëm të mi, që dëshiroja të me qorroheshin, përnjëherë e, as mos të shoh, as të mos të dëgjoj kurrgjë hiç! Bashkë me M. Dacin, boll shumë e gotën e bekuar e kemi zbrazur në shoqëri me E. Mulliqin, para edhe pas Gazimenstanit dhe zbarkimit triumfal të satrapit S. Mllosheviq, mbi të. Përndryshe, E. Mulliqi, ishte i mirë, i mrekullueshëm në pije, dreqi.

Iku kjo!

kryeredaktori im…!

Gjithçka me është pështjellur dhe më është bërë lëmsh. Mbase, për arsye se asnjëherë,  nuk  mbaja shënime. Kurrë nuk mendoja (besoja) se do të me hynë në punë. Kurrë nuk me ka vajtur mendja se do t’i hyjë një pune të tillë, dhe se, as që do të provoj të qes në letër çfarë do qoftë nga “biografia ime si gazetar”. Nga kjo zonë gri, e jetës sime!

Gjatë afro njëzet e kusur vjetësh pune në TVP, andejpari, parakaluan edhe B. Hisari, si drejtor dhe P. Dushi, e S. Smaka. si kryeredaktorë. Këtij të fundit, me qejf, do t’ia kushtoja një kapitull të veçantë. Aq i mirë, i sjellshëm dhe i edukuar që ishte. Ose i tillë ngjante në atë mjedis, tradicionalisht të ashpër, me atmosferë të tendosur. Me marrëdhënie të këqija, (kryesisht), ndërnjrëzore, që mbretëronin në TVP-e.

Smaka, praktikisht ishte kryeredaktori im, personal!

Nuk ishte i të tjerëve. Veçmas nuk ishte i atyre që kishin konsideratë të madhe, ndonëse pa stof (kredi), ndaj vetvetes. Që nuk u vinte të hunda kurrkush, pos t¨Drejtorit të Madh, që edhe qafën e tyre të trashë, kishte fuqi t’ua dridhte. T’i bënte të ulin kokën. Rast i vetëm të shohin tokën që shkelnin.

Më në fund, kisha  kryeredaktorin tim!

Që të dytë kishim studiuar në Universitetin e Zagrebit. Kishim shumë të përbashkëta. Edhe afinitete, edhe botëkuptime civilizuese. As njëri, as tjetri, gazetarinë nuk e kuptonim as nuk e identifikonin, me platformë boksi, në të cilën del fitues  më i forti.

Në gazetari, kujtonim atëbotë, ngadhënjen ai që ka kulturë me të madhe, që ka pendë më të preftë. Që ka  edukatë më të shëndoshë.

Pas një kohë bajagi të gjatë, qysh se S. Smaka ishte emëruar kryeredaktor, pragun e zyrës nuk ia kapërceja. I droja skenës se padëshiruar, të pahijshme, në fund të fundit, kur shoku e miku i afërt i deridjeshëm, vesh kostumin (e hekurt) të postit.

Një ditë, urgjenca e një pune të përditshme, me shpien në zyrën e drejtorit. Aty kishte qëlluar edhe S. Smaka, të cilin, për herë të parë e shihja në kostumin e kryeredaktorit. Ngrihet në këmbë. Me përshëndetë më përzemërsisht se asnjëherë. Me ofron të ulëm në fotelen në të cilën, pak më parë, ishte ulur vetë. Aty për aty vërejta se S. Smaka, ishte po ai i përparshmi. I dashuri, modesti, i kulturuari, i edukuari, që ka respekt e kujdes ndaj më të vjetrit. Aty e  andej, për kohë të shkurtër, sa zgjatë ëndrra e natës verore, kaloj ditët më të lumtura (më të bardha) në Televizionin e Prishtinës përgjithësisht. Kur çdokush, gjithfarë tipi, kishte kryeredaktorë dhe drejtorë të vetin, ishte rëndi që, më në fund, të kisha edhe unë, kryeredaktorin tim! Kur ishte më i mirë se të gjithë bashkë. Një penë e hollë. Një shpirt e zemër poeti. Paqësor i paanë. Një virtuoz bravuroz. Hambar, trezor i pasur i mahive, qesëndive, gazmoreve…

Hasanin, një kohë ishte edhe drejtor i përgjithshëm i RTP-së. E njihja qëkur ishte shumë i ri. Kur ishte kryetar i KK të LR së Prishtinës. Nuk e merrja për të gjë të keqe ortodoksinë e tij komuniste, kur e dija se, me bindje dhe ndjenjë të pastër është komunist i përbetuar dhe në te beson, siç besohet në kuran, bibël dhe talmund, njëkohësisht. Si i tillë që ishte, i ndershëm dhe i urtë, kisha, kam dhe do të kem respekt të paluajtshëm. A. Zatriqi, ishte drejtor dhe, A. Mala, që ishte edhe drejtor i fundit i TVP-së. Për dy Agimët (Zatriqi dhe Mala) edhe nga një fjalë shtesë. Që të dytë ishin shumë më të ri së unë. I njihja mirë. Njihja edhe punën e tyre. Për të dytë, njësoj, isha gëzuar që kishin ardhur si drejtorë të TVP-së.

Iku (edhe) kjo!

i gjori, regjisor …!

Për vizitë në TVP, ishte regjisori i njohur kroat (me prejardhje malaziase) V. Bullajiq.  Ishte në formë të mirë. Ndërkohë kishte nënshkruar, disa filma artistikë shumë të realizuar. Madje kishte konkurruar edhe për shpërblimin Palma e artë të festivalit  me të njohur të filmit në botë, Cannes të Francës.

Regjisorin kroat, Bullajiq e njihja shumë mirë, nga Zagrebi. I kisha parë pothuaj të gjithë filmat e tij. Njihja mirë biografinë dhe bibliografinë e tij.  Si të njohur që ishim, ishte e natyrshme ta shoqëroja.

Në zyrën e Gimit, derisa bëhej gati studio për xhirim. Ishte ironike se, për shikuesit e TVP-së, bisedën me të nuk do ta zhvilloje unë por një tjetër koleg që, më siguri, nuk i kishte parë asnjë film të tij, pos disa filmave (kauboj, kryesisht!) në jetë. Në pritje e sipër, papritmas Gimi (Agimi) është harrua krejt dhe, më parë, si të fliste më ndonjë pastrues e jo me një regjisor të njohur,  filloi t’ia shpjegoi festivalin ndërkombëtar të filmit në Cannes. Për erërat që fryjnë atje, për kuzhinat që, pandërprerë, ziejnë atje të tjera. Për juritë. Për misterin dhe  marifetet e vendimeve dhe të shpërblimeve…

Gimi fliste, Bullajiqi dëgjonte e “mësonte”, për festivali në të cilin kishte qenë  shumë herë. Madje edhe kandidat, pretendues për rrëmbimin e Palmës së artë të tij.

Më është dhimbsur atëherë dhe, vazhdon të me dhimbset edhe sot. Aq më parë, kur me Gimin, kurrë asnjë të keqe të madhe, nuk kisha.

Me përjashtim të dy rasteve krejt të vogla dhe të pa rëndësishme. Rasti i parë: sa  ishte emetuar emisioni dokumentar, që ia kushtoja Ulqinit në ditët verës dhe veruesve kosovarë. Në një mbledhje, Gimi, zë e me bën qërpaz. Gjithnjë në gjuhën serbe, (që ta kuptojë krejt bota), duke thënë, shprehimisht: “ Dok mi se ti brçkash po morima (në shumës), nashe zajednishtvo…!”). Këtë qortim të Gimit, nuk e merrja seriozisht. As për të keq. E dija se, bënë kallabë”. Dhe  se më shumë e kishte të dëgjojnë të tjerët. Me një rast tjetër, Gimi me fyen rrastë.

“Mos rejë, pse po renë”, me thotë!

Shumë kohë më pas, vonë në natë, nga nata e Parisit, në natën e Prishtinës, i telefonoj. E zgjoi gjumi dhe gjatë e  qortoi. Jo pse me kishte fyer më atë fjalë të rendë, por, pse atë e kishte shqiptuar krejt gabim. Nuk thuhet renë, por rrenë, nuk thuhet mos rejë, por mos rrejë!

Alfabeti i gjuhës shqipe ka tridhjetë e gjashtë shkronja, midis të cilave  dhe një  “r” dhe një “rr”, që, ndonëse janë tinguj, ngatë e ngatë, pranë e pranë, por që, megjithatë, janë germa (shkronja), në vete. Si të tilla, japin kuptime të ndryshme fjalëve!

Iku kjo!

organizatorë të mirë …!

Kur është fjala për Gimin  dhe “inatin” me të, thash se atë njëherë e kisha organizator me rastin e realizimit të emisionit “Krijuesi mysafir”. Mysafir duhej të ishte shoku S. Hasani. Kënaqësi shumëfish me të madhe përjetova kur, më një rast delikat, shumë të rëndësishëm, kur organizator të xhirimit, kisha, askënd tjetër, pos Drejtorit të madh, vetë! Duhej mbledhur në studio personalitete, sa më të shquara dhe më të spikatura, krijuesish, mundësisht nga të gjitha fushat e artit dhe të krijimtarisë. Përmes fjalës së gjallë t’i kundërvihen propagandës se egër që vinte nga andej, nga  Shqipëria.

Drejtori hetoi se angazhimin im ishte me hile. Jo po vijnë  jo s’po vijnë, e arsyetime të tjera.  Me dozë të tepërt nervoze, i qaset telefonit të parë që i gjendet pranë. Pak me hatër, pak me zor, gati të gjithë të paraparit, njëri pas tjetrit, fillojnë të vijnë. Dola në mal nga frika. Thashë u bë. E pat puna!

Por, jo!

Poeti i shquar, E. Gjerqekut, me eskivazhe e mënyra të tjera, në asnjë mënyrë, nuk pranoi të merrte pjesë në atë emision të mallkuar. Në saje tij, nuk është realizuar kurrë!

Kur as Drejtori vetë, me gjithë bagazhin e autoritetit hijerëndë, nuk arriti t’i mbledhë dhe t’i sjellë në studio pjesëmarrësit e paraparë, s’ke ku e çon më!

Emisioni nuk realizua kurë, shyqyr zotit!

Iku (edhe) kjo!

personazh i tij…!

Isha personazh i A. Malës. Lirisht mund të pohohet.

Sa i takon drejtorllëkut të tij në TVP, nuk ruaj asnjë kujtim të hidhur. E si të ndodhte kjo kur aq shumë isha gëzuar, bashkë edhe me shumë kolegë të tjerë, për ardhjen e tij në krye të TVP-së. Drejtor vinte edhe një krijues. Edhe një poet, nëse jo më  i mirë se F. Gunga, atëherë, me siguri, qind për qind, më i shëndetshëm se ai. Agimin e njihja qysh kur ishte kryeredaktor (a çfarë ishte) në gazetën e studentëve Bota e re. Me kishte propozuar një bisedë me mua, që do e botonte në faqet e asaj gazete. Ashtu edhe ndodhi. Kolegu më i ri, F. Tasholli, atëherë ishte gazetar, ka nënshkrimin nën atë tekst,, përkundër të vërtetës se vetë Agimi, tërë kohën, si të thuhet, ishte marrë me mua!

Agimin e njihja si gazetar të mirë në “Zërin e rinisë”, në gazetën e LKJ, për Kosovë “Komunist”, prej nga kishte ardhur në TVP, e kështu më radhë.

Iku kjo!

aksion turpi …!

Me një rast, “zihem keq” edhe me shokun A. Malaj. Një mbrëmje, në pijetoren “Shpati” në Prishtinë. Në kulmin e kulmit të aksionit të mbledhjes se ndihmave materiale për VTP-në. Aksion i marroq kryekreje, ishte ai.  Në anën tjetër, kishte zënë mirë dhe kishte lëshuar rrënjë të thella në mjedisin tonë shoqëror provincial (primitiv!). Njerëzit bënin garë së kush do të jep më shumë!

TVP-ja për çdo ditë i xhironte. Fytyrat (portretet) ua nxirrte në “faqen e parë” të ekranit. Sa më shumë që jepnin, aq më gjatë fytyra, u shihej në ekran. Personi i caktuar (ndërlidhës, ndërmjetësues), i vyeshëm dhe i dëgjueshëm që, për gjithë ditë, err e terr, prej sabahut deri në aksham, ishte në gjendje gatishmërie. Prite e përcillte të ardhurit nga të gjitha anët e Kosovës dhe të botës. Gjithandej nga është e shpërndarë diaspora shqiptare.  Sa më e madhe që ishte shuma e të hollave të mbledhura, aq më i madh ishte gëzimi dhe shkëlqimi në sytë e “tagër mbledhësit!”.

I trimëruar nga gota që e mbaja në dorë, Agimit i them se nuk ka kurrfarë kuptimi kjo që po ngjanë me aksionin. Aq më parë, kur  njerëzit tanë, kryesisht, janë të këputur varfërie e skamje. Aty për aty, me vjen në kujtesë rasti, kur një skamnor, nga rrethina e Ferizajt, kishte ardhur në TVP. Rrëfimin e tij i rastit, ishte më se i trishtuar.  I biri i kishte humbur jetën tragjikisht, në një aksident të rëndë komunikacioni. Kishte lenë gruan më pesë fëmijë të vegjël. Ishte i këputur dhe zoti e di se si do t’ia dilte matanë…

Prej xhepit nxjerr dyqind franga zvicerane!

I vë mbi tavolinë dhe me ngut e keqardhje shfajësohet (i gjori) se nuk kishte më shumë. Ky ishte kontributi i tij modest në ndihmë TVP-së!

Aksioni, i them  Agimit, është i turpshëm. Nesër-pasnesër, hiç më larg, kur të shfaqemi para kamerave, diku në Paris apo në akëcilin qytet tjetër të madh, shikuesi, me ironi do të pështyn në tokë dhe do të na çojë në rrotë të s’amës! Bashkë, me komentin e shkurtër: haram u qofshin paratë që ua  dhamë!

Çfarë duhet të bëj?

Thotë Agimi.

Ti je drejtor, replikoj!

Aksioni, ashtu si turpshëm filloi, turpshëm u zhvilluar, turpshëm edhe përfundoi. Një pjesë e mirë e të hollave të grumbulluara, përfundoi në duart e policisë serbe. Për të na rrahë, për të na torturuar pamëshirshëm. Me paratë e popullit tonë skamnor!.

Iku (edhe) kjo!

keqardhje e pandreqshme …!

Nuk me shqitet kurrë. Si ndodhi që, në serinë e emisioneve “Krijuesi mysafir”, të mos radhitet edhe i madhi M. Qena?! Artist në kuptimin e parë, të plotë të fjalës. Mik i mirë i gjithë botës, që ishte. Pse aty të mos të ishin dy primadonat tona të çmuara. M. Ajeti, aktore e teatrit dhe e filmit dhe N. Pagarusha, këngëtare legjendare, para se gjithash, por edhe aktore filmi.

Regjistri i atyre që meritonin dritat e atij emisioni, më siguri, është shumë i gjatë dhe i papërfunduar kurrë. Veçoj M. Qenen dhe dy zonjat e mëdha të artit tonë, teatror dhe muzikor,nderuara, nga se, këto tri personalitete, kisha afërsi miqësore dhe profesionale.  Për së cilin, veç e veç,  isha përpjekur kurdoherë të shkruaj, sa më shumë e sa më mirë. Vonë, shumë vonë,  kujtohem të realizoj një emision të veçantë (ndoshta edhe më mirë) dokumentar, kushtuar M. Ajetit.  Në xhep kam letrën m shifrat e kutive arkivore, të cilat në dokumentacionin e TVP-së, ruajnë gjurmët e thella, të pashlyeshme kurrë të saj. “Svinga e gjallë” (VTR 460), “E kafshoja terrin” (VTR 554), “Përroi vërshues”, (VTR 260), “Era dhe Lisi”, (VTR 921-22-23), “Erveheja”, (VTR 807), “Besa e madhe”, (VTR 873) e tjera e tjera. Me fragmente filmash e sidomos të shfaqjes teatrore “Erveheja”, që është riprodhuar (ri-luajtur), më qindra herë dhe më gjati, në historinë e jetës sonë teatrore. Përgjithësisht. Në atë shfaqje, Meli, interpreton rolin kryesor. Mjerisht, as Muharremi, as Meli, tashmë nuk janë gjallë, kjo nuk do të thotë se, edhe si për njërin, ashtu edhe për tjetrin,  nuk do të  realizoj emisione dokumentar. Për M. Ajetin, interpretimet e saj të mrekullueshme, shkrova aq gjatë dhe aq shumë, sa vetëm prej tyre, mund të sajohej një libër (modest) monografik.

Iku kjo!

shlyerje …!

Respekt dhe mall, po aq të madh, kisha dhe do të kem përherë, ndaj këngëtares (që është sprovuar edhe në fushën a artistë filmit dhe të teatrit), primadonës, N. Pagarusha. Edhe për te, njësoj, si për Melin, (kur që të dyja i kam përfshirë në librin tim publicistik “Shenjë kohe”- Rilindja, Prishtinë, 1998, shih faqet 129, për Nexhmijen dhe 136, për Melin), kam shkruar shumë. Madje edhe në gazeta e revista të ilustruara, jo vetëm në Kosovë, por edhe  jashtë saj.

Në parantezë, rrëfej me keqardhje, për atë që ngjau, me një rast, me “Bilbilen” e  Kosovës. Në epokën kur ishte në kulm të popullaritetit festivali i muzikës se lehtë, “Akordet e Kosovës”. Ishin vitet e lulëzimit të bashkim vëllazërimit (të rremë) midis kombeve dhe kombësive tona. Ishte koha kur, në shumë raste, gjithkund nëpër Kosovë, këndohej kënga “Krajl Nikolla kryelopa, s’merret Shkodra me dy topa!”. Kohë (e artë) kur në festivalin tonë të muzikës se lehtë, midis kompozitorëve dhe interpretuesve zhvillohej luftë e ashpër, kush do të rrëmbej “Okarinën e artë” të tij.

“Akordet e Kosovës” tashmë nuk i “zinte” kostumi i ngushtë, krahinor. Ishte rritë e zgjeruar. Kishte pushtuar krejt Kosovën dhe një pjesë të mirë të hapësirës jugosllave, kur këngëtares se popullarizua,  B. Veletanliq, nga Zagrebi, i rrinte mirë plisi i bardhë shqiptar, në cep syri, me shumë  blu!

Për festivalin muzikor “Akordet e Kosovës” të vitit 1971, kompozitori ynë, S. Kajtazi, kishte shkruar melodinë me titull “Hopa, nina-na”. Atë melodi, me short, do të interpretonin, secila në mënyrë të vetë, dy këngëtareve të njohura:  Nexhmija jonë e mahe dhe, njësoj, këngëtarja serbe, N. Knezheviq.

Në këtë duel, fatkeqësisht, interpretuesja  serbe del e fitimtare!

Ashtu kishte gjykuar juria profesionale e festivalit. Ashtu e kishte parë opinioni publik. Ashtu (siç) kishte ndodhur  kisha shkruar në të përjavshmen e ilustruar “Kosovarja”. Nexhmija, kurrë e për jetë, nuk do të ma falë kabahatin!

Nëse shkruhet se boksieri shqiptar, L. Krasniqi, humb duelin me akëcilin kundërshtar të huaj, kjo, në asnjë mënyrë, nuk do të thotë se nuk ia duam të mirën atij.

Njësoj si me Nexhmijën. Të madhën dhe të pakapërcyeshëm këngëtaren tonë legjendare, mbarë bota shqiptare, gjithmonë e deshi dhe e  respektoi shumë. E  pëlqeu artin e saj të mirëfilltë.

Iku (edhe) kjo!

elegji …!

Oslo, pranverë e vitit 1990.

Ndër dhimbjet e mëdha që, nuk më shqiten kurrë, nga ditët e kapërcyera në TVP, është edhe reportazhi i fundit, nga udhëtimi i fundit si gazetar i TVP-së, (gjithçka e fundit), që e realizova në Oslo.

Krejtësisht i përgatitur, i shndërruar në pogaçe, siç e kishin zakon të thoshim atëherë, ai reportazh, kurrë nuk e pa dritën e botimit, emetimit, që, në fakt është e njëjta gjë. Shpalos atë dhimbje.

Në atë telekronikë, pos tjerash, kishte  Nënë Terezë, kishte Berit Bekër (Meritë Bekër, sikur bukur e quajti atë, në një reportazh të vetin, me rastin e vdekjes  tragjike të saj, kolegu Z. Çelaj!), kishte  Oslo, klimë veriore, kishte gjurmë të thella vikingësh.

Oslo nuk ishte qytet i madh. Qytet i vogël ishte. Qytet bonbone. I madh, jo, i hijshëm, po! Të hidhej ta gëlltisje të tërin, viranin. Më rrugë, më aveny e sheshe, më parqe, më ndërtesa, të reja e të vjetra, më një fjalë, krejt çfarë kishte në atë copë (krye)qytet të Norvegjisë.

Një respekt i flakët i rezervohej  Pallatit mbretëror. Në dhjetorin e vitit 1979, Nëna jonë e madhe, Nëna Terezë, (Gonxhe Bojaxhiu), nga duart e vet mbretit të Norvegjisë, kishte marrë çmimin NOBEL për paqe. Në  bredhjet gjithkah nëpër Oslo, e sidomos, afër Pallatit mbretëror, sikur përmes ditarëve, apo nga ndonjë e çarë tjetër, vinin fjalët e ëmbla që, i kishte shqiptuar me atë rast. Të shënuara besnikërisht, i ruaja afër zemrës.  “Une gjithmonë e kam në zemër popullin tem Shqiptar. Shum luti zotin që Paqja e tij të vijn në zemrat tona, në gjitha familjet tona, në gjith botën. Lutnu shum për fukarat  e mij – dhe për mua dhe motrat e mija. Une lutem për juve”.  M Teresa Bojaxhiu (Oslo, 10/12/79).

Edhe pse nuk ishim takuar kurrë më parë, ndaj zonjës Berit Baker, ushqeja respekt të madh. E ndjeja si të njohur dhe të afërt. Në Oslo, dëgjuam fjalë të mira dhe admiruese për punën e  saj të mirë dhe fisnike.

Pas një vëzhgimi të gjatë, dëgjohem në telefon. Prezantohem dhe njëkohësisht e lus të gjej pakëz kohë të lirë. Të takohemi, e të merremi vesh rreth xhirimit.  Po të pres bashkë me Ibsenin (H. Ibsen 1828 – 1906), shkrimtar dhe dramaturg i madh norvegjez dhe i letërsisë botërore. (Nën hijen e shtatores së tij monumentale, në oborr të shtëpisë se Teatrit mbretëror, po qëndroja). Gazmoren e pranoi si origjinale, në përpjekjen e saj të brishtë që të kuptohet si e tillë. E mbështolli me shami të bardhë. Nuk vonoi shumë erdhi.

Të nesërmen herët, në ora shtatë të mëngjesit, në stacion të autobusëve në Oslo, xhiruam bisedën e gjallë televizive, me këtë veprimtare të e shquar dhe etnologe norvegjeze.

Emisioni doli standard. Të gatshëm për emetim e dorëzoi në dokumentacion të TVP-se, për emetim sa më të shpejtë.

Nuk është emituar kurrë.

Ndërkohë,  ndodhi ajo që ndodhi. Njëmijë e treqind punëtorë shqiptarë të Radio dhe të Televizionit të Prishtinës, dhuna barbare serbe, i nxori jashtë shtëpisë se tyre informative.

E lus, miqësisht e lus, burrin e mirë dhe të urtë, zotin K. Kyçykaliun që të rrëmojë e të bëj të pamundur e, në dokumentacioni e TVP-së, të gjej këtë emision, si gjeti shumë të tjerë, mbi të cilët dredha jetën si gazetar. Do të qajmë lotojmë bashkë. Këtë herë prej gëzimit, që edhe një episod i jetës sime profesionale, gjendet mbështjell në kuti. Si në urnën e trupit tim të kromuar. Realizoje këtë kërkesë të fundit. A nuk the vetë se të ka pikë loti i mallëngjimit, kur mbi gjitha ato kuti emisionesh,  gjëje emrin tim. Me ndjenjën se kaherë kisha vdekur. Harruar krejt.

Iku kjo!

dy raste jetike …!

T’i revanshohem Drejtorit, dhe tjetri, të pajohemi ose edhe me keq, të armiqësohemi, gjer në fund!

Nis nga i pari. Nga rasti që kisha t’i revanshohem Drejtorit, ashpër dhe  publikisht. Në “tapet” (nuk e di çka do të thotë!), ishte një “shok lufte” i Drejtorit. Zotëri D. Bytyçi. Çfarë kishte bërë pusi e në çfarë dërrasë të qelbur kishte shkel ai “pionir” i Titos, nuk dihej me tamam. Dihej, shumë mirë dihej se, atë mbledhje katile, do të ndëshkohej  rëndë. E para e punës, duhej publikisht të distancohemi prej tij e pastaj, pale pastaj, vinin masat tjera të rrepta. Të gjithë, një nga një, ngritën në ajër gishtat e distancimit, pos meje. Por kjo nuk ishte kurrgjë. Duhej të ngihesha e, më zë të lartë e të vendosur, të thosha se nuk distancohem, as nuk votoj për asgjë të keqe, kundër D. Bytçit. Nga se, shok Drejtor, vite më parë, kur po të njëjtin koleg, si i panjohur dhe anonimus që ishte, në oborr të ZVP-së e pyeta se  kush ishte dhe kë kërkonte!, me pate vë në grykë të topit dhe, një zot e di, si shpëtova pa me flakur nga puna. Kisha pra, rastin ideal, që të revanshohem dhe  publikisht ta pyes, se çfarë ndodhi ndërkohë. Nuk bëzajta!
Një dëshmi më shumë se nuk isha, as agresiv as revanshist!

Në përmbyllje të këtij kapitulli, riprodhoj, një episod, rast të hershëm që, më së miri dëshmon se kurrë nuk kisha urrejtje as hasmëri, larg asaj, me Drejtorin. Bashkë me R. Alajn, duhej të  udhëtonim. Udhëtimi do të ishte, hyjnor. Kur vetëm merrje hartën dhe ndiqje me gisht itinerarin nga shpinte ai udhëtim (Prishtinë, Beograd, Maribor, Vjenë, Munih, Gjenevë, Dijon, Paris, Shamonix (Mont blanc) dhe anasjelltas, nëpër Itali, Milano, Veneci, Trieshtë, Lubjanë, Zagreb, e në Prishtinë).

Si i tillë, udhëtimi, kishte joshur kërshërinë e Drejtorit, atëherë (vetëm) të TVP-së. Nuk erdhi. Bashkë me këtë iku edhe shansi, rasti jetik, që më të bashkë, ose të pajtohemi e miqësohemi, njëherë e mirë, ose edhe më tej të keqësojmë, t’i prishim krejt marrëdhëniet tona, përgjithmonë.

Në nisje të ekipit të kompletuar televiziv, R. Alaj me porosit të mbledhë mend dhe, nga andej, të kthehem me ndonjë emisionin të mirë dokumentar, pa asnjë sherr a të pa pritur. Pa“dokumente”  të galme!

E marr seriozisht dhe miqësisht porosinë, dhe nisëm.

Fjala ishte për një ekspeditë të një grupi bjeshkatarësh (alpinësh), të Kosovës. Duhej të pushtonte majën e më të lartë në Evropë, Mont Blanc. Bjeshkë e Bardhë, i thonë frëngjisht!

Në krye të grupit, me shumicë absolute shqiptare, ishte një oficer i lartë i Armatës jugosllave që, njëherazi, sipas të gjitha gjasave, ishte edhe bashkëpunëtor i zellshëm i KOS-it , (Kontra Obaveshtajna Sluzhba-së së APJ-së).

Nuk besoj se Drejtori i TVP-së, si gjaknxehtë që ishte, do të shpëtonte pa u ngatërrua me oficerin e keq, armik të përbetuar të popullit shqiptar.

Dy alpinë, kinse të rryer, ndahen grupit të ekspeditës dhe, vetëm sa  shmangen pas një bërryli a shkëmbi, pas një kaçube, nuk vonojnë shumë e kthehen. Tregojnë përralla të imagjinuara, pa imagjinatë!

Me një rrenë të madhe, si me një mace në thes, (gjithnjë mendoj në lentën e filmit tonë!), u kthyem nga udhëtimin, me ekspeditën në fund të tij. (Gëzohesha, kur e dija, me siguri e dija, se në majën më te lartë, nuk ishte shpalosur flamuri jugosllav, ashtu sikurse parashikohej të ndodhte!).

Ndoshta udhëtim në fjalë do të ndërtonte miqësinë dhe mirëkuptimin  me Drejtorin. Ose do të na qite në mal krejt. Nuk thuhet rastësisht se, udhët e gjata, ose forcojnë e fuqizojnë miqësitë, ose i rrënojnë krejt!

Iku (edhe) kjo!

të huaj në shtëpinë tonë …!

Pohimi se vuanim, se hiqnim si gjarpri nën gurë, si i thonë fjalës, nga presioni që ushtronte mbi ne, ai grusht serbo-malazezësh që punonte në RTP, nuk është gjë as e re, aq më pak, gjë e panjohur. Madje, të pohohet një gjë e tillë, është ironi e shkuar saj, kur dihet se prej një grusht serbësh e malazezësh, vuante mbarë populli shqiptar i Kosovës. Vertikalisht dhe horizontalisht. Djathtas e majtas. Kudo e ngado, në Kosovë.

Për disa shkallë, më egër, më ashpër, kjo ndjehej dhe e manifestohej pikërisht në TVP. Më  ashpër e shëmtuar se në mjediset e mjeteve tjera të informimit publik. Në Rilindje dhe në Radio Prishtinë, fjala vjen. Kjo binte në sy menjëherë. Para se gjithash, rrudhja e hapësirës së aplikimit të gjuhës shqipe. Fund e krye. Në mbledhjet e të gjitha niveleve, të gjitha organeve udhëheqëse dhe administrative, në TVP, flitej vetëm serbishtja. Ajo prekte administratën, madje edhe bisedat private. Midis vetë punonjësve.

Ai grusht serbësh e malazezësh, që punonin në TVP, ishte dukshëm i favorizuar në krahasim me punëtorët e shumicës shqiptarë, sidomos. Gjë që nuk mund të pohohej së e njëjta gjë ishte në raport me turqit dhe romët. Jo, edhe ata, pakë a shumë, ishim të privilegjuar. Por, çështja dilte akoma më ironike, kur dihej se programi në serbokroatisht, nëse fare duhej të ekzistonte, ai duhej të ishte maksimalisht i reduktuar dhe të merrte hapësirën e përqindjes (proporcionit) të popullsisë  serbe në Kosovë. Serbet e Kosovës, ishin konsumatorë të rregullt dhe besnikë të Televizionit të Beogradit, kur emisionet e tij, të programit të parë, të dytë e të tjera, i ndiqnin më me përpikëri dhe  besnikëri, se banorët e vetë Beogradit. Këtyre duhet shtuar e numrin jo të vogël të shqiptarëve të “ndershëm” që edhe duhej ndjekur programet e TVB, dëshmonin devotshmërinë e tyre ndaj bashkim vëllazërimit e pallavrave tjera. Ironia tjetër, që të bënte të pëlcitje inati, ishte edhe hapja e programit në gjuhën rome. Aq më parë kur, me siguri të plotë dhe të paluhatshme mund të pohohet se, më shumë romë (ciganë) kishte në cilëndo lagje (kuart) të Beogradit, Nishit, Leskovcit, Vrajës, Pirotit a qyteti tjetër të Serbisë lindore, se që kishte në tërë Kosovën. Por, ja se Kosova, kur ishte në fund të pusit, sa i takon gjendjes ekonomike dhe zhvillimit shkencor dhe teknologjik, kur përherë, kishte rreth qafe lakun e papunësisë dhe të varfërisë, duhej të shërbente si kopsht (zoologjik), si poligon për eksperimente e dredhi të tjera, gjëja të zbatimit në praktikë, të barabarësisë dhe të bashkëjetesës “plot harmoni e idil!”. Nuk mjaftonin programet në gjuhën serbokroate dhe turke, por duhej që nën çatinë e TVP-së të kishte Angelupe dhe cigani të tjera!

Hapu tokë, çaju…!

Kolegët serbë, malazez, turq e romë, ishin, ta thotë vëllai ty, shumë, shumë të favorizuar dhe të privilegjuar në krahasim me pjesën e madhe shqiptare. Jo vetëm se asnjëri prej tyre, as teorikisht, nuk mund të ndodhte të ishte i pa banesë (ajo duhej të gjendej për vetëm pesë minuta!), por ata, merrnin edhe rroga shumë më të mëdha se ne, dietat (mëditjet) i kishin më të madhe… e të tjera benefise, kredi të ndryshme, e të tjera, deri në pambarim!

Se më, epërsia (përparësia) në sigurimin e ekipit (komplet) të xhirimit në terren, sigurimi i xhirimit në studio, në çdo kohë e në çdo vakt, nënkuptohej vetvetiu. Ashtu si dhe pikat e montazhit, duhej gjithnjë të jenë në gjendje gatishmërie për kërkesat e tyre, kur, pa përjashtim, ishin komode dhe kryeneçe, në të njëjtën kohë. Pa kufizime dhe ngushtica kohore terminësh!

Sa e sa herë, në të panumërt, o zot, ndodhte të na flaknin nga makinat, kur sa  bëheshin përgatitjet e mbrëma të niseshim në terren.  Në mënyrë urgjente dhe pa pardon, duhej liruar ato dhe, bashkë me ekipet. T’i kenë në dispozicion “sivëllezërit”, serbë, malazezë, turq dhe romë. Ani pse, ne (të gjorët) kishim termin (orar) të caktuar dhe se atje, (në terren ose në studio) në pritnin punët e akorduara që më parë. Kur paraqiteshin ata, me kërkesat e tyre, çdo gjë e jona, binte në ujë dhe shkrihej sakaq!

Se televizioni ishte armë e fortë “në duart e klasën punëtore” (slogan i çdoditshëm!), e provoj shumë herë. Një rast është ngjarje në vete. Është kujtim i paharruar. Duhej të përgatitja një emision të gjatë dokumentar. Në emision,ndër të tjerë, duhej të merrte pjesë, edhe xhelati i njohur, armiku më gjakatar i popullit shqiptar, P. Joviçeviq, me prejardhje nga Peja.  Për merita të mëdha, kur ishte edhe revolucionar i shquar, kaherë kishte avancuar në karrierë. Jetonte dhe punonte në Beograd. E dija mirë se kush është ai pis-milet!

Me ethe vdekjeje e marr në telefon. Shpejt e shpejt, përfol përmbajtjen dhe numëroj pjesëmarrësit në emision. Pas një heshtjeje te shkurtër foli. Do të marrë pjesë në emision me një kusht: të mos me hiqet (këputet) asnjë fjalë!

Jo, një kusht të tillë nuk mund pranojmë, i përgjigjëm. Lëshoj një psherëtimë çliruese e i them vetmisë sime, sa armë e fortë e zot, është mikrofoni në duart tona!

Armiku e dinte ketë edhe më mirë (ndoshta), se na vetë!

Pas pak kohe, na i mor (uzurpojë) mikrofonat, bashkë me kamera, me studio, më pika montimi, më laboratorë, madje dy ndërtesat. Të Radio Prishtinës dhe të Televizionit të Prishtinës. Krejt çka kishim!

RTP-në, e pushtoi (e dhunoi) arma famëkeqe serbe…!

Iku kjo!

istria shqip foli…!

Bashkë me këtë “ iku edhe kjo”, iku pjesa kryesore, (e kapitullit  thelb)  të rrëfimit,  jo gjithaq të përimtuar, mbi punën  më shumë se njëzet e pesë vjeçare në TVP.

Tamam në çastin kur duhej që nga qyteti istrian, i  Pulës, (ndiqja festivalin e filmit artistik), t’i telefonoja redaksisë së Programit dokumentar të TVP-së dhe të njoftohem lidhur me emisionin dokumentar realizuar në Oslo të Norvegjisë, nga Prishtina vjen lajmi i keq se, RTP-ja është pushtuar nga ushtria serbe!

Lajmi merr dhënë. Bëhet hit mediatik. Në rubrikat e veta, duke përfshirë edhe atë “no comment” të EuroNews, emetonin e sillnin pamjet brutale të sjelljeve brutale të ushtrisë jugosllave, që ishin marrë në hyrje të ndërtesës se TVP-së, emetonin kompanitë televizive me të njohura dhe në të katër anët e botës.

Nga ajo ngjarje tragjike, mbaj mend dy detaje, kur, dorën në zemër, as njëra as tjetra, nuk janë gjithaq të rëndësishme.

E para: një koleg imi përmbyset në dhomën ku ishim instaluar bashkë në Pulë!

Midis gulçimave dhe të nderave të tij, kap fjalët, “ kurrë më ekran!”.

Vërtetë duhej qarë e vajtuar, pse shqiptarëve të Kosovës, akoma pa u hapur mirë e si duhej, RTP-ja, pushtohej dhe u mbyllej. Ky institucion i fuqishëm informativ!

Të nesërm, ose të pasnesërmen e ngjarjes tragjike në Prishtinë, me një tubim madhështor protestues, shumë mirë të organizuar, reaguan shqiptarët nga mbarë Istria. Pas shumë oratorësh protestimi e zërash indinjate dhe revoltë te thellë, si punëtor i vjetër i TVP-së, thuaj se detyrimisht, i avitëm mikrofonit. Ï mbërthyer emocionesh të forta, nuk di se çfarë them. “Jam para këtij mikrofoni sot, në çastin kur mikrofonat e RTP-së, programit të tij në gjuhën shqipe, heshtin. Janë të shurdhër. Si të vdekur! Nga duart tona është marrë  kjo armë e fuqishme, jo vetëm për informim, por edhe për emancipim dhe afirmim të përgjithshëm, kombëtar dhe kulturor të shqiptareve të Kosovës!”.

Këtë fjalë të shkurtër rasti shndërroj në shkrim dhe e botoj, në Rilindje, si artikull me titull “Atë ditë, Istria foli shqip!”.

Mbase gjëja më e mirë e atij arni prej artikulli, ishte vetë emri (titulli) i tij!

Ja ajo copë artikull!

Iku (edhe) kjo!

lajthitje kolektive…!

Në çastin kur pas vetës  mbyllja  derën e zyrës në barakë dhe ftillohem për në festivalin e filmit në Pulë, as që me kishte vajtur mendja së kurrë më, kurrë e përjetë të jetëve, nuk do të kthehem në të!

Me të kthyer nga Pula, çka të shohësh!

TVP-në bashkë me RTP-në, e kishte marrë pusi. Tashmë punëtorët dhe stafi i gazetarëve nuk ishin, në vendet (karriget) e tyre të punës. Nuk ishin as në terren. Terreni i vetëm i tyre ishte endja në grupe, gjithnjë e më të vogla, prej Radio Prishtine deri në Televizionin e Prishtinës dhe anasjelltas. Ishte kjo një lloj  proteste e qetë, që nuk i ngjasonte në kurrë gjë. Çuditërisht, në fytyrat e protestuesve nuk shihej asnjë gjurmë e  thellë pikëllimi, as hidhërim i madh. Në yrnek të gomarit që, sa po mundej e shqyente ujku e, thoshte ishalla është ëndërr!

Me naivitet e lajthitje kolektive, të gjithë mendonim se, nuk do të behën as dy javë, më së shumti, një muaj, e do të kthemi në punë. Pandehnim se ky ishte vetëm një trik manipulues i thundrës serbe. Se okupatori vetëm i kishte kallëzuar dhëmbët. Se pandehte të na trembë, asgjë më shumë. Të na thoshte së më mirë është të truseni e të rrini rehat. Se dimë edhe ndryshe! E të tjera e të tjera.

Por, jo. Si do të shihet, ata e kishin pasur më gjithë mëndë.

Edhe ato pak tubime e marshime protestuese që mbaheshin, nisën të rrallohen deri sa u mekën dhe u braktisën krejt.

Me një fjalë, ishim në rrugë.

Djallëzorët u kujtuan dhe, shumicës së punëtorëve shqiptarë që, tashmë ishin në rrugë, u dërguan letër me të vetmen një fjali: nëse brenda tri ditësh nuk kthehesh në RTP, konsiderohet se, me dëshirë, kë braktisur vendin e punës!

Kuptohet se asnjë nuk i përgjigjemi kësaj ftesë!

Kur, me sukses, kalojnë edhe këtë formalitet juridik e ligjor, pushtuesit, marrin frymë më lehtë. Me sukses kapërcejnë edhe këtë formalitet që, kurdoherë, mund t’u nxirrte telashe.

Tash, udhëheqja serbe e  RTP, pa asnjë shqiptar brenda saj, pos ndonjë të “ndershmi” që kishte ngelur aty-këtu nëpër programe, fillojnë, pjesë-pjesë, të botojnë emrat e punëtorëve të përjashtuar nga puna. Vetëm pika në zemër sa nuk më rrokë, kur nuk  gjej emrin në regjistrin e pesëdhjetë të përjashtuarve të parë. Për fat të mirë, hiç më larg se të nesërmen, emrin e kisha në regjistrin e të përjashtuarve. Kjo ishte kënaqësia dhe gëzimi më i madh në atë çast. Pas kësaj,  pothuaj se puna ishte krye. Kishte marrë fund.

Tashmë ishim bërë pikë e pesë.

Dyert e TVP-së, bashkë me ato të RTP-së, ishim mbyllë me therë!

Njëherë e përgjithmonë.

Me kolegët që deri dje, punonim në një zyrë, që bashkë ndanim një karrige, ndonjë gëzim të vetmuar, shumë hidhërime, mund t’i takoje në cep rruge, me kinkaleritë e improvizuara, miniaturale lëvizëse, duke shitur takëm për rrojë, zhiletë, brisqe, ndonjë sapun…

Mund t’i ndeshje atje, afër tregut të gjelbër me ndonjë kilogram qepë, fasule, me pak patate e zarzavate tjera, që nuk i blinte askush. Në raste të veçanta, më të favorshme, mund t’i gjeje pranë butikëve të improvizuar, me fustave e hedhurina të tjera të ardhura, drejtpërdrejtë, nga koshat e bërllokut, të modës se lartë. Nga të Turqia ose Bullgaria, në të shumtën e rasteve. Mund t’i shihje e ndeshje nëpër rrugë e rrugica, gjithë ata që deri dje, ishin shfaqur në ekranin e vogël. Në komunikim të përditshëm me opinionin e gjerë publik. Mallkimi më i rëndë për ne ishte se, po ai opinion publik, në atë mes,  njihte gazetarë që i shihnin në emisione të ndryshme televizive  dhe, në shumicën e rasteve, besonte në fjalën e tyre. Në profesionalizëm. Në ndershmëri.

Iku kjo!

shpërblim i shtrenjtë …!

Meqë ra fjala, kur është fjala të ndershmëria dhe shpëtimi pa njollosje në planin kombëtar, si i paftuar, por i domosdoshëm, vjen episodi që, me çdo kusht, do të kyçet në tregim!

Pa u bërë as një muaj i plotë, qyshkur na kishin flakur nga pune, rastësisht kaloja nëpër vendbanimin Gjyrrakoc, përmatanë gardhit, duke ujitur (vaditur) livadhin, një burrë fshatar, ngriti sysh plisin e bardhë, bashkë me shall, dhe, pa një pa dy,  më thotë: Bajram shpëtove pa u përlye!

I befasuar dhe fytyrëqeshur i thashë se ia kishte qëlluar drejt emrit dhe mbiemrit, për çka me vjen mirë dhe se kjo me nderon. Kurse sa i përket shpëtimit nga njollosja, nuk e besoj, ia ktheva dhe shtova: të ecësh afro tridhjetë vjet, nëpër baltë e të shpëtosh pa u përbaltur. Pa t’u ngjitë këpucësh sadopak llaç, nuk është  mundur, nuk është reale, besoj!

Mos kij mërzi, ne, (sigurisht duke menduar në gjithë shikuesit e programeve të TVP-së) e dimë më se miri se kush është përlye e kush jo!

E përshëndes përzemërsisht. Mjerisht, pa ia marrë as emrin as mbiemrin. Gabim i madh dhe i pafalshëm për jetë të jetëve, aq më parë, kur prej një njeriu të panjohur, prej një bujkut në punët e fushës, merrja shpërblimin më të çmuar dhe më të dashur në jetën time. Ishte ky shpërblim, më i dashur dhe i shtrenjtë se çmimi i famshëm dhe i përvitshëm Pulitzer, (Jozef Pulitzer 1847 – 1911), i cili, që nga viti 1917, në SHBA, u ndahet tetë (8) gazetarëve dhe pesë shkrimtarëve më të suksesshëm atje.

Tash vetëm ndonjë i krisur, vazhdonte të ëndërronte, të jetonte dhe të kishte iluzion se, më së largu deri në vit të ri, kthehemi në punë. Si puna e ëndrrës (e rikujtuar) me gomarin!.

Dikush, qysh me kohë, kishte marrë botën në sy. Dikush tjetër, andej, dikush tjetër, këndej.  Kryesorja nuk rrinin duarkryq. Shpëto kush të mundet!

Iku (edhe) kjo!

rrëfim i një të mbijetuari…!

Sapo mora rrugën dhe u nisa drejtë kësaj aventure, këtë kallëzim të vështirë, pa ditur as vetë nga do të me shpijnë rrjedhat e tij të mistershme, fillimisht e pagëzova me emrin, rrëfim i një të mbijetuari!

E merrja si titull të vetëm, të mundshëm. E konsideroja si më të qëlluarin dhe më të afërmin më atë se çfarë pandehja të përfshihej në të. Aq më parë që bën fjalë (vetëm) për periudhën sa isha (ose ishim) gazetar të TVP-së.

Njëmend, të punosh në këtë shtëpi informative, të pa asnjë pikë eksperience, në asnjë rrafsh, të punosh, gjallërosh, të krijosh në të, në një periudhë të stuhishme e fatkeqe, të kapërcesh tundimet dhe acaret mëdha të asaj kohe, të shpëtosh, e, qoftë edhe më shpirt ndër dhëmbë, të dalësh gjallë në bregun (tjetër) të atij lumi të turbullt, ishte një mrekulli e llojit krejt e veçantë Një suis generis.

Të përjetosh luftën e paepur, fanatike, (të fanatikëve) të mbahet gjallë, bashkim vëllazërimi i rremë, të behën seri emisionesh, në të cilat trajtohen tema të “nxehta”, mbi shpërnguljen e serbëve dhe të malazezve nga Kosova, të derdhen lot krokodili e të vajtohen serbët e malazezët që, për pikë të qejfit, pa u munguar as “qime floku” nga koka, me dëshirën e vet dhe të pa trazuar nga askush, lëshonin Kosovën. Të bëhen seri emisionesh (të ndyra) me të ikurit nga Shqipëria, që të tërbonin dhe bënin të pëlcisje nga pamjet ironike në thelbin e tyre. Gjithmonë, dekor idiot e marroq, si i obligueshëm, i atyre emisioneve duhej të ishte një shishe kokakole, në tavolinën e të ikurit nga Shqipëria. Aq të etur, të bekuarit, kishin qëlluar për një kokakolë të pshurrtë!

Të prapë siç ishin ata vetë dinin të rrëfenin tregime fantastike, të tmerrshme për Shqipërinë. Kallëzimeve rrëqethëse të tyre, që mundët edhe të kenë qenë pjesërisht të vërteta, mjerisht, mjeshtërit e urrejtjes ndaj Shqipërisë, rrëfyesve ua mbanin ison, i përkrahnin, i joshnin dhe sa më të tmerrshme të ishin dëshmitë e tyre, aq më të mëdha ishin premtimet. Për të ikurit, dimër më nuk do të ketë. Do t’i gëzojnë të gjitha të mirat, si në përralla, të kësaj botë. Ata të mjerë që kishin ikur e braktisur vendin e tyre. Shqipërinë e njollosnin, e përbaltnin, dhe e ngjyenin me ngjyrat më të zeza, kishin qëlluar edhe të verbët!

Pas vetëm pak çastesh qëndrimi në Kosovë, duhej ta shihnin realitetin objektiv dhe të kuptonin se populli shqiptar i Kosovës, nuk ishte në gjendje hiç të mirë ekonomike, në mos më të keqe së Shqipëria. Ato shishe kokakole në tryezat për mirë se ardhje të tyre, më parë ngjanin në fantomë. Si të huazuara nga bodrumet e i errëta, të oficerit të lartë të ushtrisë serbe, S. Martinoviq, që e kishte për merak të ngulej në shishët e birrës. Edhe ata shqiptarë që kishin braktisur vendin e vet, kur një shishe kokakolë e merrnin si realizim ëndrrash dhe gëzim lirie dhe shpëtim, oficeri S. Martinovq, me eksperiencën që kishte, një nga një, duhej t’ua ngulë në … nga shishe kokakole. Edhe këtë masakër morbid, të mjerët siç që ishin, do të pranon, vetëm e vetëm të marrin rrugët drejtë botës së lirë, ku dollarë, marka e franga ka më shumë se fletë dushku, në vjeshtë!

Të punosh në TVP, kur pothuaj, çdo ditë, mbusheshin burgjet me shqiptarë. Me “rebelë të padisiplinuar, separatistë dhe pleng prishës. Rrënues të idilit të bashkim vëllazërimit!

Kujtojeni gjykimi masiv të vitit 1975 e tjerë e tjerë.

Situata përkeqësohet akoma më shumë, kur nis “trembja” e ortekëve. Vdes shoku Kardel. Edhe më keq, vdes shoku Tito. Vdekje e madhe dhe e “pa kompensuar” kurrë. Një vit më vonë, në skenë dalin ngjarjet të tetëdhjetë e njëshit që, sado të përgjakshme që ishin, megjithatë, ishin paralajmëtar i stinës së pavarësisë që, do të çelë, do të çelë, një ditë. Të jesh gazetar e të punosh si duhet dhe të gëzosh autonomi dhe pavarësi, në periudhën e përvjetorit të gjashtëqind, të betejës se Kosovës. Të përjetosh “jogurt” manifestimet protestuese të serbëve e të malazezëve, kur nuk duronin asgjë të mirë të shqiptarëve, kur nuk mund e shihnin më sy emancipimin dhe zhvillimin kulturore e shkencor dhe krijues të Shqiptarëve, që pak a shumë, hov u kishte dhënë kushtetuta e shtatëdhjetë e katërshit. Të punosh në TVP-e, kur me të madhe filloi aksioni për suprimimin e autonomisë dhe të gjitha organeve kushtetuese e legjislative të Kosovës, nuk ishte punë e kollajshme… Ishte një gjë shumë e vështirë. Torturuese. Kapitëse.

E vetmja gjë që jepte zemër e të mbushte krenari ishte aksioni, i përmasave të gjëra, për faljen (shlyerjen) e gjaqeve. Ky aksion që ishte më shumë se aq, ishte një lëvizje e madhe gjithpopullore, me një mllef të madh të revoltës rezistuese që zhvillohej paralelisht me situatën e vështirë, me tendencë të vazhdueshme shkallëzimi, kohë  tejmase e tendosur dhe, dita ditës bëhej gjithnjë e më e padurueshme. E tëra kjo, ishte një halë, më shumë, ishe në hanxhar në sytë dhe zemrat e serbëve dhe të policisë  se tyre.

Të përjetosh, më në fund, shpërbërjen, rrënim dhe shkatërrimin, e sistemit gjakatar e shkatërrimtare, obskurant e jo gjerore, çfarë ishte komunizmi (sistem djallëzor, nuk ishte punë e vogël. Aq më tepër kur regjimi më i egër, më së ashpër manifestoj në Shqipëri dhe kudo që jetonin shqiptarët!

Të punosh për afro 25 vjet në TVP e të përjetosh të gjitha ato dallgë fatkeqësish, është baras si të përjetosh aksidente dhe katastrofat e tjera ajrore, e të mbijetosh. (Francezët të mbijetuarve nga akëcila katastrofë, natyrore, të komunikacionit e të tjera e të tjera, i thonë rescapé, që është aq afër, më falën “i rraskapitur”, në gjuhën tonë të bukur shqipe!).

I mbijetuar ose  i rraskapitur!?!

Me kaq edhe mendohej të mbylleshin kapakët e këtij shkrimi. Nga se kjo është pjesa kryesore, është thelbi i tij. Por, pasi që “shekulli” im i punës sime, as nuk nisi as nuk mbaroi, në TVP, natyrisht se hapi krahët, sa nga fillim, aq edhe nga mbarimi, perëndimi i këtij profesioni të dashur jetësore! “Mjeshtërisë më të bukur në botë”, si e përkufizoi më një rast, gazetarinë, shkrimtari i njohur algjerian-francez, novelisti. A. Camus.

Iku kjo!

*

Mos të mbaron e ikë, kështu e kësi soji, ky kapitull. Sado që fjala është për një periudhë shumë të vështirë dhe tejet të errët, për mua dhe të pafatët e tjerë, si unë, kjo në asnjë mënyrë nuk do të thotë se çdo gjë kishte ngjyrën e zezë.

Periudha kohore, e fokusuar dhe e zënë në kornizën e punës së një gazetari në TVP, natyrisht se ka pasur edhe çaste të hareshme. Gëzime të mëdha e të vogla. Herë-herë, të ikura dhe të përbiruara, qoftë edhe për vesh gjilpëre. Njerëzit (punonjësit) e TVP, si gjithë të tjerët, ngrënin, pinin, festonin dhe kremtonin. Festa të ndryshme, sidomos gazmende të shumta familjare. Dashuronin…

Si në shumë kolektive të mëdha punuese, në TVP, ndoshta më dendur se kudo tjetër, nëpër kthinat e errëta, që në objektet e TVP-së kishte boll, punonjësit (të dy sekseve) ndiqeshin mesveti si lepuj. Fitohej përshtypja se nuk dihej kush kujt i hipte. Për këtë TVP-së i kishte dalë zë jo i mirë, dhe, duk dihet pse, krahasohej me Tjerrtoren e Fushë Kosovës. Ata që e krahasuan, e dinë pse!

Sikur atë periudhë, për të cilën është fjala, me ketë rast, ta mbulonte ngjyrë e bardhë, siç është ajo e borës, fjala vjen, po të zhbirohej e mihej nën shtresat e saj, do të dilnin ngjyra tjera, jo të bardha, sigurisht,njësoj, nën rrobën krejt të zezë që mbulon epokën e TVP-së, prej fillimit e deri të përfundimi i tij tragjik, sigurisht se mund të gjeje edhe ndonjë rriskë ngjyre të bardhë. Kujto mendimin e shkrimtarit të njohur çek, M. Kundera kur, përafërsisht thotë se, edhe gjatë sundimit të sistemit të zi (obskurant) komunist, jeta jetohej! Vallëzohej, këndohej, dashurohej…, megjithatë!

mbeta g a z e t a r

Po çka tjetër. Hiç mos qofsha!

Njëmendë!

Rrugë tjetër s’kisha. Sigurisht!

Çfarë të bëj, kur nuk di asgjë tjetër. Një gozhdë po të provoj ta ngul në mur, dhjetë herë çekan u bie gishtave e njëherë gozhdës!

Një artikull, dosido, arnohet disi, në çdo çast e në çdo vakt.

Ndryshe, nuk jam rrobaqepës, as këpucëtar, as argat, as murator, as axhustator, as shofer taksie, as traktorist, as mullis, as specialist e profesionist për punë të ngatërruara shoqërore e politike, nuk jam as  biolog, as albanolog, as kuzhinier, as kulinar-gastronom, as oficer, as milic e as polic, as bari i dhenve, i dhive, i lopëve, as dajrexhi me tupan, as arabaxhi, as orëtar e orëndreqës, as sharrëxhi, as pilot, as navigator, as aviator, as profesor, as mësues, as kontabilist, as automobilist, as ekonomist, as futbollist, as çiklist, as filatelist, as kurrgjë hiç…!

Jeta vazhdon. Nuk njeh pengesa. Ecë, ecë e nuk ndalet kurrë.

Shkruaj, pra, ekzistoj!

Në yrnek të asaj të njohurës – udhëtoj, pra, ekzistoj!, ose kështu disi.

Gjithnjë në vetmi të madhe, gjithnjë në azil, në mërgim të përjetshëm, shkruaj pa ia nda. Sikur përligj at që tha një poet. Po të lë gjallë, që edhe tutje, t’i torturosh lexuesit, ma thotë , derisa largon grykën e pistoletës së ngrehur, që ma kishte ngjitur për Arzë të e fytit!

Fatkeqësisht lind, fatkeqësisht, rritem (kurrë sa duhet!), në ditët e pleqërisë ose moshës se tretë, fatkeqësisht, mbetem gazetar!

Kur nisa serinë e teksteve në titull të përbashkët “Malli për…”, disi me i dashuri, ndoshta jo edhe më i realizuari, me del teksti kushtuar, presidentit të çmuar, I. Rugova, botuar në Rilindje që, asokohe, botohej në Cyrih të Zvicrës. Në muajin qershor 1999.

Në syrin e pranverës së parë…!

Iku kjo!

victoria është fitore …!

Ndër ata që bënin përpjekjet e fundit për të mbijetuar, isha edhe unë. Jo, unë vetë, i takoja grigjës së njerëzve më të paaftë në botë. Do të ngordhja urie derisa të kujtohesha se duhet ndërmarrë diçka.

Kolegut  S. Morina, i pikë ideja, sa e mirë, aq edhe e guximshme: të nxjerrim (bashkë) një gazetë të pavarur javore.

Vajtëm në Zagreb dhe atje, regjistruam gazetën tonë javore.

Victoria e quajtëm gazetën. Që nuk do të thotë tjetër pos Fitore! Por ja se, në gjuhë të huaj, tingëllonte disi ndryshe. Me thellë. Më mirë. Me fuqishëm. Më moderne… Titull bombastik!

Pas  shumë vuajtjesh e mundimesh, nxorëm në dritë, numrin e parë. Në faqen e parë, pak nën titull zbardhi edhe ky teksti me mbi titull – in medias res –  që, përherë të parë dhe të fundit në jetë, një gazetë të tërë, nënshkruaja si kryeredaktor.

kryeredaktor, unë …?!

Jeta shkruan romane!

Me çfarë nuk sprovohet njeriu në jetë!

Si në rini, kur bëja hapat e parë në gazetari, si atëherë kur isha në kulmin e potencës jetësore dhe krijuese, si sot kur po i qes në letër fjalët e fundit si gazetar, jo vetëm që me është dashur kryeredaktori, por edhe çfarëdo redaktori a tjetër tutori qoftë. Tutelë që me mbikëqyrë. Të m’i shtrëngojë mirë frerët dhe të më tregojë, të me drejtojë rrugës së drejtë. Gjëja më e mbrapshtë, që bashkëjetoi më mua gjatë gjithë shekullit si gazetar, ishte sasi e tepërt nostalgjie, (herë-herë edhe limontie, mund të thuhet!). Sasi e skajshme e entuziazmi dhe flakë e mbresës flakëruese.

Etja, kurrë e pashuar të botojë e, vetëm të botojë, që me ndjek deri në ditët e sotme. E çka është më e keqja, para se të nis tekstin në adresë të akëcilës rubrikë, të akëcilës gazetë, kurrë nuk ndalëm mbi te. Ta lexojë e rilexojë. Ta korrigjojë e përpunojë. Ta studiojë.  Të vdes mbi te. Gjithmonë kënaqesha, dhe vazhdoj të  kënaqem, nëse arrij ta them bukur një gjë,  më tepër se që preokupohem dhe angazhohem, si po e them atë gjë dhe, sidomos, çfarë po them!. (Rëndësi ka të tregojmë bukur diçkanë e jo të tregojmë diçkanë e bukur!). Jo, përpiqem të tregoj bukur edhe diçkanë e shëmtuar. Njësoj!

Kjo shpesh sjell kokëçarje dhe telashe. Ndoshta më e keqja, ana më e errët e tërë gazetarisë sime, ishte mungesa e unit të fortë. Bile në sasi modeste e tolerante. Me shumë se gazetar, isha urë, nëpër të cilën, kalonin, shkelnin e bënin çfarë donin, gjithfarë redaktorësh, herë- herë të ligj e mjerë.

Mbase, më parë se në saje talenti dhe të prirjeje për gazetar, sigurisht se, këtij profesioni iu ngjita në bisht dhe mbeta (ngela) në të, në saje të vërtetës se, gjithë jetën u flijova qoftë dhe me kusht që të gëlltis gërhanë të “trazuar”, me të hidhëtit e pelinit, majë dhëmbëzave të tyre!

Iku (edhe) kjo!

të desha, nuk me deshe….!

E metë tjetër e pafalshme, është shtegtimi, pa orar as karar, prej gemit në gem, prej gazete në gazetë. Duke shëtit sa këtu, sa atje. Më së shumti lëkurë lash, dhe djersë derdha, në faqet e gazetës, atëherë të përditshme në gjuhën shqipe të Shkupit, “Flaka e vëllazërimit”. Me këtë gazetë bashkëpunova dendur dhe gjatë. E doja nga se, vetëm në faqet e saj, mund të shkruaja ashtu si doja, dhe çka doja. Kush përpara nuk me dilte. Tymin e duhanit nuk ma prishte!

Asnjë redaktor nuk ma tregonte të mprehtit e gërshërëve. Shpesh e përsëris një të vërtetë: “Flakën e vëllazërimit” e kisha si një poligon për ushtrime akrobatike!

Ishte pikërisht, ashtu. I çliruar nga çdo lloj kompleksi. Disi ndryshe, shumë më lehtë e shumë më mirë, shkruaja për atë gazetë, se sa për “Rilindjen”, fjala vjen. Nga respekti i madh ndaj kësaj të dytës. Nga droja e ngulitur, me merreshin duart. Shumë herë, nuk isha në gjendje të hidhja në letër, as pesë për qind, të asaj që denjoja. Nuk arrija të lidhja mirë, fjalitë që i mendoja. Me mungonte liria për t’u shprehur lirshëm!

Kujtoj se artikujt më të mirë në jetën time, janë ata që i botova te “Flakë…”.

E  botova shumë. Pa ia nda. Mirë me thoshte Y. Shkreli: një artikull e dërgon e dhjetë të dalin në “Flakë…!”. Njëmend,  shpesh ndodhte që prej një teksti (paksa me të gjatë!) të dilnin n gazetë disa artikuj.

Bashkëpunimi më “Flakën…”, edhe pse ishte më i frytshmi dhe më i gjati, nuk ishte i vetmi. Bashkëpunoja edhe me gazetat e Beogradit. Me “Borba” dhe me “Politika”, “Veçernje novosti”, por edhe me gazetën e të rinjve “Mladost”. Në të gjithat, pa përjashtim,  botoja artikuj, nga kultura. Vetëm nga kultura.

Një si anekdotë.

Një gazete të Sarajevës, ia nisa një artikull në të cilin flitej për librin e I. Kadaresë “Ëndërr mashtruese”, që sa po i kishte dalë prej shtypit. Libri ishte botuar në hiç më pak se pesëdhjetë mije kopje!

Ashtu siç kishte ndodhur edhe e kisha shkruar. Prit e prit, artikulli kurrsesi të botohet!

I telefonoj redaksisë. Redaktori me thotë se në tekst është përvjedhur një gabim teknik, sigurisht. Nuk dija si t’ia bëja!

Jo, as nuk është gabim teknik, as gabim logjik nuk është. Libri i Kadaresë, “Ëndërr mashtruese”, njëmend  është botuar në pesëdhjetë mijë ekzemplarë!

Ky nuk është as afër rekordit. Shkrimtarit tonë të madh, romanet i botohen edhe më shifra shumë herë më të mëdha ksomblash!

Të nesërmen me sabah, artikulli agon në gazetë. I gjori redaktor, kishte pandehur se në Shqipërinë e vogël, edhe librat e shkrimtarëve të saj të mëdhenj, botohen në tirazhe të vogla!

Në pesëmijë kopje, më se shumti!

Iku kjo!

çast pikëllimi …!

Edhe pse shkruaja, jo aq shumë dhe jo aq gjatë, në gazetat e ish (ix) Jugosllavisë, besoni, kurrë nuk shkruaja i shtyrë nga motive (të ulëta)  honorari. As pesë para nuk i jepja për atë punë. Edhe pse nuk isha në gjendje aq të lakmueshme materiale dhe financiare. Rroga e gazetarit në TVP, ishte mjaft e vogël. Matej me atë të mësuesit, në fshatin Tugjec, bie fjala!

Motive tjera, shumë të shtrenjta, ishin në pyetje besoj.  Cilat janë dihet. Për to as që duhet të diskutohet.

Gjithmonë e përherë me pengonte që nuk isha gazetar i profilizuar. Njohës i një leme dhe lërues i një gjinie, zhanri të caktuar, gazetaresk. Por, sa kërceja prej kësaj fushe, në fushën tjetër. Sa në këtë, sa në atë gjini gazetareske. Duke mos arritur, kështu, kurrë të ngul gurin. Të përqendrohem e t’i përkushtohem një lemë të caktuar. Përgjatë karrierës, jam sprovuar, gati-gati në të gjitha gjinitë dhe  zhanret e gazetarisë. Duke filluar nga lajmi (themeli i gazetarisë), lajmi i zgjeruar, për të ecur nëpër tehun e informatës, në përpjekje të përhershme, njësoj, për të ndjekur porosinë e moçme për t’u përgjigjur në gjashtë pyetjet themelore (kush, çka, kur, ku, si dhe pse). Shkruaja shumë, ashtu të quajtura shënime, reportazhe. Provova të bëj portrete. Kujtoj rubrikën “Kornizë e vogël, për portret të madh”!

Mendoja dhe vazhdoj të mendoj, së në jetë (botë) ka aq shumë njerëz të mirë e fisnikë, sa është e vocërr dhe e shkurtër fare një jetë e gazetarit, të shkruaj mirë për të gjithë…

E të tjera kredo e parime, pa moralizim, që provoja t’u përmbahem besnikërisht!

Iku (edhe) kjo!

“jubiletë” e victoria-s …!

Kryeredaktor i gazetës së pavarur javore “Victoria”. Kur çdokush bëhej kryeredaktor, nuk  i lejova të vdes pa hipur në fronin e kryeredaktori, sado pak, e sa do shkurtër të qëndroje atje (lartë!). Vetëm disa javë! Hiç më shumë.

Ishte interesant dhe, njëherësh e çuditshme të jesh kryeredaktor. Nëse qëllon i ndershëm, ishte zhgënjim i madh. Kur sheh atë grigjë gazetarësh, me nam e nishan, shumicën prej të cilëve, deri dje, i kishe si saç mbi kokë, redaktorë e eprorë gjithfarë, tash të silleshin nëpër këmbë, duke kërkuar një copë hapësirë për botimin artikujve dhe të shkrimeve të veta, gjithnjë me motivacion të rremë, gjëja se ia duan të mirën gazetës, e jo për interes!

Shfaqja e numrit të parë të gazetës javore “Victoria” në kioska, ishte befasi dhe triumf trimërues, në të njëjtën kohë. Numri i parë, shprehimisht (ad literam)  grabitet akoma pa u sistemua në vitrina. Do të shitej  edhe po të ishte shtypur edhe në dhjetë fish më shumë ekzemplarë, pohonin ata të kioskave!

Kjo ishte një gjë trimërues për stafin përgatitës, bashkëpunëtorë  dhe sajues, të kësaj gazete javore.

Numri i dytë, qëlloi të botohet në vigjiljen e festës se vitit të ri. E “lëshuam” (lexo: botuam), në hiç më pak se dyzet mijë e kusur ekzemplarë. Pos materialeve të shumëllojshme, të shkruara e të përgatitura enkas, me shtim te konsiderueshëm kapacitetesh e përpjekjesh, numrin festiv e pasuronte dhe e hijeshonte kalendari i madh, më të cilin ishte ilustruar me riprodhimin e një pikture të goditur të piktorit të njohur shqiptar, S. Shijaku. Ndodhi të zgjidhej e të botohej, pikërisht piktura e tij me titull “Refugjatët!”. Aq shumë i shkonte, i përshtatej çastit të botimit. Ishte edhe një rrethanë tjetër ishte fatlume. Në faqet e gazetës sillnim shkrimin entuziast të N. Sefajt, që e kishte shkruar, pas një takimi me piktorin e madh shqiptar, ditë më parë, në Tiranë. Ai numër i gazetës,  është botuar në aq kopje, sa sot, përafërsisht, është tirazhin i të gjitha gazetave të përditshme baskë, në Kosovë!

Le të shënohen, një për një, emrat e kolegëve që merrnin pjesë në përgatitjen e atyre dhjetë numrave të kësaj gazete. M. Mjeku, R. Ramabaja, S. Smaka, A. Mehmetaj, A. Olloni, S. Osmanaj e ndonjë tjetër, pa e harruar, për asnjë çast, punën e madhe profesionale të redaktorit teknik, A. Gosalci dhe të korrektorit veteran të Rilindjes, J. Humolli me “kompaninë”e vet, si dhe të S. Morinës, kur ishte drejtor i gazetës.

Sado i pa vërejtur që ishte, në një rast, vetëm  një rast, u bë super i dukshëm dhe revoltues. Nga Parisi i madh, me drita shumë, me nam dhe mistere të panumërta, telefonoi kolegu M. Çetta. Triumfalisht ofron tekstin e një bisede ekskluzive me  I. Kadarenë, kur sa bënte ditët e para të mërzisë mërgimtare, në Paris. Derisa, të gjithë si një, u gëzuam, u entuziazmuam, për këtë mundësi, kolegu  S. Morina, pa një pa dy, hodhi komentin: meqë paskësh rënë në atë shkallë (aq poshtë!), sa të merr gjithkush intervistë prej tij, lë të shkojë në dreq të mallkuar, me gjithë ty!

Në saje të këtij intervenimi të prerë të tij, ajo intervistë, me gjasë kurrë nuk është realizuar!

Gjithnjë në atmosferë të këndshme, humori të mirë, të shënohet edhe një gazmore, që përtërihej sa herë që përgatitnim numër të ri të Victoria-s. Ejani, thirrja kolegët e bashkëpunëtorët, të përgatisim numrin e dytë (të tretë, të katërt…!) jubilar të gazetës!

Përkujtonim kështu, historinë e gazetarisë shqiptare, kur nuk ishin të rralla, që jeta (dalja, botimi) i gazetave dhe javoreve, përfundonte vetëm me një numër të vetëm!

Thuaj se u ndoq dhe përfill tradita e hidhur e shumë simotrave të saj, nëpër kapërcyell shekulli. Edhe gazeta Victoria u mbyll, njëmendë, me numrin e dhjetë “jubilar” të saj. Pa e parë dritën e botimit numri njëmbëdhjetë, kur ishte i bërë gati shtyp!

Iku kjo!

ku ”banon” rilindja …?!

Nxjerrja e një gazete të pavarur (private) në atë kohë të pakohë, pavarësisht nga suksesi i saj, në shikim të parë, ishte një aventurë e vërtetë dhe, që më parë, ishte e gjykuar (ndëshkuar) me mbyllje të shpejt, me ndërprerje të beftë.

RTP tashme ishte mbyllur dhe njëmijë e treqind punëtorët e saj shqiptarë, matnin rrugët, si i thonë fjalës.

Rilindja (që në kuptimin më të mirë të fjalës, ishte gazetë kombëtare!), me gjithë jetën e gjatë dhe veprimtarinë (edhe botuese) të pasur, ditët i kishe të numëruara. Ajo do të vazhdojë jetën, më njëmijë halle e derte dhe pak ditë. Në fillim duke veshur rrobën e gazetës Bujku, pastaj të Shkëndijës e kështu më radhë. Derisa sa u mbyllë krejt. Derisa u bë  “Panorama!”.

Si mijëra e mijëra lexues besnikë, e qytetarë të tjerë shqiptarë, para saj, nuk vonoj shumë edhe Rilindja mori rrugën e azilit. Një kohë, fare të shkurtër, u botua me një emër tjetër, që fare nuk i shkonte, për t’iu kthyer serishmi emrit të saj të bukur dhe të ndritshëm Rilindja, që asokohe, botoj në qytezën Zofingen të Zvicrës.

E sot, ku është Rilindja, sot!?!

Iku (edhe) kjo!

drejtë hiçit …!

Rrjedhës se lumit të gjatë të bashkëkombësve, midis të cilëve kishte edhe shumë kolegë të nderuar, i ngjitem edhe unë.

Ndoshta pse në jetën time, një apo dy herë kisha qenë në Paris, nuk di pse, ia mësyj pikërisht atij qyteti. As që më binte ndërmend që të veshja rrobën e azilkërkuesit. Por, ndodhi, ashtu siç ndodh çdo e keqe. Pa dëshirë dhe papritmas fare. Si për shaka, si në lojë fëmijësh, e asgjë tjetër,  gjej derën e organit gjegjës. Të një komisariati në Paris. Kush e dinte, kush e  merrte me mëndë se derisa e hapja atë derë, prapa shpine, me mbyllej rëndë e rëndë, dera tjetër, ajo e vendlindjes!

Vite me radhë nuk do të shosh Kosovën e dashur, me të gjithë më të dashurit  brenda saj. Duke filluar nga familja e farefisi e deri të shokët, miqtë, kolegët, librat,  makina  e shkrimit që njihte  mirë praninë dhe rëndimin e gishtërinjve të mi sipëri çdo shkronjë të madhe e të vogël. Isha ndarë, si me prerje bisturie,nga gjithë ato dorëshkrime që i kisha nisë, që do i nisja e që, mbase nuk do t’i kryej kurrë!

Në këtë pjesë (përfundimtare) të rrëfimit nuk zgjatëm. I bie shkurtë e trup!

Krejt ajo që ndodhi me mua dhe rreth meje, nga çasti i nisjes për në Evropë, ashtu siç  ngjau me të vërtetë, pa i shtuar as munguar asgjë prej gjëje, i hedha në letër. Në sajesën e një lloj romani (dokumentar) me titull “Parisi kot”, që, për fat, u prit mirë nga një rreth më i gjerë lexuesish dhe mori notë pozitive (kaluese) nga kritika që u shkrua për te. Ishte ky gëzim i madh. Befasi e këndshme që, sinqerisht, nuk e pritja.

Është verë. Saktësisht, fillimi i korrikut të vitit 1992.

Marr rrugë me një, i thënçin valixhe, krahaqafe.  Në të, pos ndonjë imtësie tjetër, ishte  një neseser i vocërr rebel, një vishkull gazetash “Victoria”. Dëshmi e fundit e dhimbjes së madhe, (se madje isha edhe botues). Tashme bredhja rrugëve të Evropës.

Itinerari i agjencisë se udhëtimeve, (jo imi!), që më kishte qerasë me një fluturim avioni falas, me kishte fërfëlluar në Bruksel.

Gjatë ditëve të qëndrimit në atë qytet të bukur, ku kishte aq shumë shqiptar bujarë dhe fisnikë. Ishte vështirë të bësh ballë e të ndahesh prej tyre. Poashtu edhe në Luksemburg, fjala vjen, kishte shumë njerëz tanë që kishin emigruar atje dhe, sapo krijonin “lagjen e re” të  emigruarve shqiptarë nga Kosova.

Një ditë, (a një ore!), para se të ik, njëherë e përgjithmonë, nga Brukseli e di se, në një copë letër, hedhur një shkrim të shkurtër përkitazi me festivalin ndërkombëtar të filmit që, në Bruksel, që sapo kishte filluar të organizohej.  Në atë festival shfaqej edhe  filmi artistik,   “Rojat e mjegullës” të regjisorit I. Qosja. Shkrimin e shkurtër, si amanet dhe në besë,  ia kisha dhënë kolegut, R. Sahitajt.  Pas natës se parë të errur në Paris, si mysafir i paftuar të I. Curri,  Rilindja, e kishte botuar at¨grimë artikull, me dy nënshkrime, timin dhe të dhe të kolegut R. Sahitaj.

Rilindjen e gjëj në duart e djaloshit të vyer drenicas, D. Leku. (Ngjashmëria e tij me regjisorin francez, me origjine polake, R. Polanksi-n, ishte më se frapante).

Tashmë pothuaj se i tëri isha në duart e Dardanit. Rrethanë fatlume! Dardani kishte paksa afërsi,  afinitet, për shkrime.  Në takimin e parë, thotë se është duke shkruar roman!

Romanit nuk ia kishte ngjitur emrin shqip “Thesari i shenjtë i dardanëve”, por, për befasi e të gjithkujt, “Le tresor sacré des dardaniens”. Dardani zbuloj sekretin: romanin e shkruante drejtpërdrejtë në frëngjisht!

Pas shumë vjetësh,  e shumë peripecish, romani i botohet, diku në Paris. Për punën me shumë mund të tij,  shkrova artikull të gjatë, që e botoj Bota sot.

Dardani jo vetëm që dinte. Ai edhe donte. Si edhe shumë të tjerëve, para meje, më gjendej pranë. Me ndihmonte. Ndihma  më e madhe ishte, kur përditë, kur kthehej nga puna, si  elektricist dhe punë të tjera të imëta zanati, ma sillte gazetën Rilindja që, nga Zofingeni i vinte në Paris, në adresën ku banonte.

Iku (edhe) kjo!

po bejka, po bejka …!

Dardani me yshti, me trimëroj që të shkruaj. Sa të dua. Sa të kem takat. Të gjitha shkrimet, qoftë për Rilindje, qoftë për “Flakë të vëllazërimit”, do t’i dërgon e shpërndajë në të katër anët, me faks që e kishte të instaluar në banesë!

Tamam siç rrëfen Kadareja, në “Ftesë në studio” apo “Nga një dhjetor në një dhjetor tjetër” (ky titulli i fundit, në frëngjisht, është përkthyer, “Pranvera shqiptare”), nuk e merrja me mëndë se njeriu mund të shkruaj edhe diku tjetër, pos, (në rastin tim), në Prishtinë!

Shumë shpejtë bindëm se “po bejka, po bejka”, siç thotë refreni i një melodie tonë të popullarizuar!

Akoma pa siguruar një makinë shkrimi të rëndomtë, manuale, (kompjuterët ishin të panjohur për ne!), me stilolaps shkruaj serinë e parë të artikujve që e  botoi Flaka…

“Të shkruara nga dorë e dridhur e atij që veshi rrobën (e zezë) të azilkërkuesit!, shënonte në nëntitullin e asaj serie. “Flaka e vëllazërimit” kishte një traditë të mirë që e ruajti deri në ditët e fundit të jetës. Thyerjen teknike e kishte të mrekullueshme. Ky, për çdo autor të njëmendet e merakli, ishte shpërblimi më i madh moral. Më i dashur se çfarëdo çmimi tjetër material

Në pjacën e mizave, në Clignancourt të Parisit, më në fund, blej një makinë shkrimi. Ishte  prodhim me origjinë spanjolle. Sa i  pikëtoj hiret dhe me teket e saj, shkruaj artikullin e parë që, për mua, për “historinë” time si gazetar, kishte rëndësi të madhe!

Për herë të parë në jetë, shënoja, Paris 20 gusht 1992, fjala vjen.

Aty e tutje, me entuziazmin e një të riu, të një adoleshenti, vazhdoj. Shkruaja, çdo ditë.

Iku kjo!

shërbesat…!

Dardani ose, gjithnjë e më shpesh, M. Brahimi, që punonte në fabrikën e njohur të automobilave “Renault”, në Paris, kur atje ishte një sindikalist i flakët, i dërgonin jo vetëm në një, por, në disa redaksi të gazetave shqiptare përnjëherësh. Nga ajo periudhë, kishte hyrë në modë, në përdorim të përditshëm termi “për shtypin shqiptar”, pa veçuar asnjë gazetë të vetme. Praktikë që vazhdon edhe sot, aty këtu!

Kisha aq shumë energji dhe entuziazëm sa që isha në gjendje të shkruaj për çdo kënd që e takoja në rrugë! Pa e njohur. Pa i ditur as emër as mbiemër. Pa e ditur kush është, çka është, çka punon, prej nga vjen… Isha në gjendje të shkruaja për çdo gjë që me dilte përpara.

Gjysmë të vërtetave dhe imagjinatave (pa imagjinatë!) më të cilat me furnizonin nga të gjitha anët, veçmas  M. Brahimi, aq shumë u besoja sa që menjëherë, pa ardhur mirë brumi, i gatuaja, i shndërroja në artikuj. Aq shumë dhe aq shpesh, zbardhja, sidomos, emrin e këtij të fundit, në gazetë, sa që një ditë të kalonte pa praninë e tij, ai e merrte si gabim të pafalshëm. Kjo të kujtonte rastin e shokut A. Shukriu, që, si rrëfenin e kallëzonin ata që kishin pasur punë me te, një ditë po të mos i dilte fotografia në gazetë, kuku për sajuesit e asaj gazete (Rilindje!).

Në fillim hiç, as që e merrja me mëndë, dikur, pas një kohe bukur të gjatë, dy gjëra, ishin të qarta.  E para, në mesin e gjithë asaj armate veprimtarësh për çështjen e Kosovës, kishte edhe shumë të rremë. Më parë ishin veprimtarë për xhepat dhe interesat e vetë. Mblidhnin e grumbullonin para dhe ndihma të tjera, për vete e pale pastaj për çështjen e Kosovës dhe sensibilizimit të saj. E dyta, ishte po aq e mbrapshtë sa e para. Shumica e “liderëve” dhe e veprimtarëve te tjerë, herë-herë  te vetëquajtur, që vinin pothuaj se përditë nga Kosova,në Paris  gjetiu, fare nuk u duhej gazetari që të ndjek aktivitetin  e akëcilit prej tyre dhe, në mënyrë objektive dhe profesionale të informojë publikun lexues shqiptar, të interesuar për çdo hap të secilit veprimtar, kudo e ngado nëpër Evropë dhe me gjerë.

Çka është më e keqja, në të shumtën e rasteve, ata nuk takoheshin as nuk shiheshin

më askënd. Shumë herë, vizitat e tyre mbërrinin nivelin të lartë, kur përfundonin në paradhomën e ndonjë funksionari. Ndonjë nëpunëseje ndihmëse t’i dorëzohej kërkesa e lejes për demonstratën e radhës të komunitetit shqiptar. Demonstratat akoma ishin në modë dhe shiteshin disi.

Për  “aktivitete” të këtilla dhe të ngjashme me to, përditë informohej opinionin lexues shqiptar, madje edhe dëgjuesit e Radio Tiranës, përmes emisionit “Për bashkatdhetarët tanë”. Atje ishte zonja e madhe, ish e persekutuar, gazetarja kllas, zonja. K. Mamaqi me të cilën bashkëpunimi të mbushte me kënaqësi të madhe profesionale.

Ja edhe dy episode që janë të lidhura pikërisht më këtë periudhë. Të dyja janë të liga dhe të shëmtuara në mënyrën e vet. Fjala është për një vizitë dhe takim të nivelit të lartë, me ministrin francez të kulturës, zotëri Jack Lang. Një anonimes, ai e njihte vetëm vetën,  gjëja se kishte pasur një takim, në katër sy, të “përzemërt e miqësor”, me ministrin francez të kulturës dhe se, me atë rast, e kishte njoftuar hollësisht, me gjendjen dhe lëvizjet më të reja në Kosovë. Në vend se të merrja shënimet dhe të sajoja tekstin, profesori i vëmendshëm, kur ishte edhe njeri i penës, tekstin e kishte të gatshëm, të shkruar dhe të stilizuar për merak, ashtu siç kishte ditur për vete më!

Ashtu si ishte, pa i hequr as shtuar asgjë, informata, emetohet  drejtpërdrejt në valët e Radio Tiranës!

E ndej vetën “cupabel” (kupabël,fajtor) për pjesëmarrje në këtë mashtrim publik!

Iku (edhe) kjo!

shqip në asamble …!

Rasti tjetër,  ishte akoma më i hidhur për mua.  Në vizitën e radhës, për të takuar personalitet të larta politike të Francës, në Paris, ishte presidenti Rugova. Në fund të vizitës, në Asamblenë nacionale të Francës, u organizua një takim me te. Me atë rast ishte i pranishëm numër i madh, vërtetë i madh, gazetarësh të shtypit të shkruar dhe atij elektronik, jo vetëm francez, por, lirisht mund të thuhet, nga të katër anët e botës. (Nuk dihet me saktësi cili është numri i korrespondentëve të huaj të akredituar në Paris). Presidenti Rugova, me mençuri, frenim dhe urti, si zakonisht, përgjigjej në shumë e shumë pyetje të gazetarëve. Sqaronte. Shpjegonte. Argumentonte. Njëmend, sensibilizonte çështjen e Kosovës, në përmasa botërore të opinionit.

Në një çast, ikur kontrolli, pa pasur kujdes dhe në mëndë se frëngjishten akoma nuk e flas mirë, fola. Natyrisht, në gjuhën e pastër shqipe!

Shtrova një pyetje!

Në sallën e madhe të Asamblesë franceze, u krijua heshtje e mbështjellë me “shami”  befasie.

Ibra i mençur, si gjithmonë,  ndalet dhe me një pleqërishte të moçme, në gjuhën e pastër frënge, thotë:  C’est une bonne question (një pyetje shumë e qëlluar!. Për të me nderuar, pavarësisht se ajo  mund të ketë qenë një pyetje pa lidhje dhe budallaqe.

Ibra shpalosjen e përgjigjes se duhur. Jo në pyetjen që ia shtroja, por, me siguri, në një pyetje që nuk ishin kujtuar t’ia shtronin as gjithë ata gazetarë të pranishëm e që, ndoshta ishte në thelbin e aktualitetit.

Në vërejtjen e treshit shqiptar, M. Bejta, M. Brahimi dhe E. Ejupi, që ishin të pranishëm më atë rast, pse fola shqip! Ani, ndoshta për herë të parë, në atë sallë të madhe e solemne, të Asamblesë franceze, jehoi fjala e bukur shqipe. Nxitova të rrëfej rastin e S. Hamitit, (tash akademik), kur, shumë vjet më parë, në tubimin historik të shkrimtarëve shqiptarë me ata serb, në shtëpinë e tyre, në Francuska 7, në Beograd, fjalën e vet e çeli me disa fjali në  gjuhën shqipe. Zoti Sabri tha më atë rast se këtë e bënte me qëllim që të pranishmit të dëgjojnë (dhe të shijojnë) sa bukur tingëllon gjuha e lashtë shqipe! (Riprodhova ngjarjen në mënyrën më autentike nga se isha dëshmitar okular në atë takim të rëndësishëm).

Të disponuar që ndërhyrja me pyetje, në gjuhën shqipe e jo në frëngjisht, presidenti Rugova, kërkesën për bisedë, ekskluzivisht për dëgjuesit e emisionit  “Për bashkatdhetarët tanë” të Radio Tiranës, e pranoi pa përtesë.

Mezi prisja që, pasi ta dëgjoja njëherë regjistrimin, bisedën ta nisja për në Radio Tiranë.

Pasi bëri disa rrotullime, sa para sa mbrapa, u pa se, askund gjurmë bisede në lentën e magnetofonit të M. Brahimit nuk kishte. Çdo gjë kishte dështuar. Nuk ishte regjistruar asnjë fjalë e vetme!

Unë (hajvani) e mora për të vërtetë arsyetimin se bëhej fjalë për një gabim e prishje teknike!

Shumë kohë pastaj kujtohem dhe tmerrohem, njëkohësisht, se çdo gjë ishte bërë qëllimisht!.

Iku kjo!

“shpëtimtarë” e ”poetë”…!

Ruana zot prej të dy palëve. Prej këtyre dy specieve krejt të veçanta dhe specifike.

Shumë shpesh botohen, dhe, më pompozitet e zhurmë përurohen, libra të trashë, të veprimtarëve të “zjarrtë”, argatë të çështjes së Kosovës, kudo në perëndim. Sa më të trashë librat (cilës gjini, i takojnë ato, kur janë asnjërës!), aq më të trasha angazhimet, vrapimet… Aq larg shkojnë në këto vrapime, sa që thyejnë të gjitha rekordet e mundshëm, kalojnë çdo kufi realiteti dhe kornizë objektiviteti. Sa shumë shpëtimtarë, çudibërës kishin qëlluar, he të lumtë na që i kishim (kemi). Ata, përjashtojnë, mohojnë punën dhe angazhimet e njëmendta të tjerëve, për të dalë se janë më të mëdhenjtë. Se janë shpëtimtarë të vetëm. Sa me të trashë e në paketim të dizajnit luksoz që botohen, aq më të trasha janë gënjeshtrat dhe trillimet e autorëve të tyre. Ata, në të vërtetë, nuk janë autorë, nga se në shumica janë analfabetë ose gjysmë analfabetë. Ata nuk janë as lexues të librave që ne emër të tyre, i shkruajnë “mercenarët” ose “bedelët”, që mjerisht, janë të detyruar që edhe për ndonjë kompensim modest, të derdhin mundin, djersën, talentin dhe energjinë krijuese të tyre në ndërtimin e këtyre piramidave çoroditëse (të përmbysura!), të kësaj specie shpëtimtarësh. Nga biografitë (antologjike) të tyre dhe monografitë e trasha të tyre, del se asgjë duhej të merrnim mërzinë e  Kosovës dhe të çlirimit të saj. Po si nuk ishin kujtuar të gjorët ta bënin këtë më herët, por, si qyqarë kishin pritur aq shumë!?!

Ashtu siç kishim (kemi) shumë shpëtimtarë, në diasporën e re, kemi edhe numër të madh krijuesish, në përgjithësi e krijuesish letrarë, në veçanti. Poetët e ri, si të panumërt të ishin, janë ekspansion të madh, që nuk dilet prej tyre dhe atakojnë në çdo anë. Fragmenti i një eseje të  goditur më titull “Fytyra e mërzitshme e poezisë shqipe” të autorit A. Tufa, më së miri flet për këtë fenomen.

(…)  “Një tipologji me vete formojnë tek ne poetët e kurbetit. Megjithëse është i trishtueshëm ky fakt, ai është i pranishëm në botime. Djelmoçat tanë refugjatë kanë një ngasje të çuditshme. Pasi punojnë gjithë vitin në Greqi, Itali e kundgjetkë, kthehen për pushime dhe me atë rast, i lënë fitimet e veta në duart e botuesve tanë për hir të një librushke. Kam rastisur të dëgjoj një poet-refugjat, një djalosh që po i sqaronte botuesit : »ape gojën, sa bën libri, por shpejt ama, se dua të me botohet ditën e dasmës ».

Kur sheh librat e kësaj tipologjie, të bien në sy fakte rrëqethëse biografike, shkruar rëndom në kopertinën e pasme dhe po aq, parathëniet e stërfryra me lavde të ndonjë kritiku-dorëzanë, i cili ka rrezik hiç të mos e ketë lexuar librin. Si rregull, – duke gjykuar nga tematika dhe produkti vetëshprehës i vargjeve – këta poetë, para se të vazhdojnë, e ngjyejnë mirë e lyrshëm penën me vrer. Kësisoj, tekstet e tyre ndryshojnë shumë pak prej atyre të kasetave me këngëtarë zëngjirur që na ka rënë rasti t’i gjegjim nëpër furgona, pra – këngët e brengaxhinjve”. (…)

(Vërtetësia prej hirit e kësaj eseje aq shumë me kishte impresionuar sa që, kur nuk ia falë vetës që nuk e riprodhova, në vend të pasthënies, së vëllimit me poezi “Në ecje”.-Prishtinë, 2005, kur e kisha bërë nijet siç kam nijet të vdes!).

Iku (edhe) kjo!

botën në sy …!

Ashtu i përflakur, si isha,  marr botën në sy. Nuk dija se çfarë të bëj më parë. Të shkruaja për Parisin e ëndrrave, kur atë fillim vjeshte, e flakëronte një diell i pastër, kur mbi të ngjitej pafundësia blu e qiellit, dukej aq mrekullueshëm. Si në përrallë! Apo i tillë ishte vetëm në mua, në përjetimin tim ëndërrimtar!

Shkruaja për çdo ditë. Për çdo kënd e për gjithçka. Janë dëshmitare (okulare!), gjithë ato faqe gazetës e revistash në hapësirën mbarë shqiptare që, sot e gjithë ditën, në arkivat e tyre ruajnë këto gjurmë. Ato shkrime të shumta, që aty-këtu ishin  edhe të nxira, kishte teprime dhe ekzagjerime. Për këtë arsye, një kohë të gjatë, më rëndonte dergja e idesë që, kurdoherë, të sajoja një autokritikë dhe publikisht të them se, në një pjesë të mirë të shkrimeve të mia të asaj periudhe, të ditëve të para në Paris, sidomos, “në atë përflakje shkrimesh për këdo e për çfarëdo, Ndreca (alias B. Sefaj) natyrisht se kishte bërë edhe kapërcime. Zmadhime.  Glorifikime. Publikisht e kishte pranuar këtë mëkat dhe kishte premtuar se nuk do të vdes pa e bërë një vetëkritikë publike! Atë periudhë të zhveshur çdo kriteri, kishte sjellë shkrime plotë lavde edhe për protagonistë të marrë. Rrenacakë. Debilë. Maniakë. Skizofrenë. Palaço. Arlekinë. Rrahagjoksë. Lavdërues. Shpifës. Gënjeshtarë. Rabaxhinj… e çka mos tjetër!”, (Parisi kot, faqe 116). Kjo edhe do të ishte përgjigja më e mirë, ose reagimi më gjegjës, në librin e M. Brahimit, me titull “….”. Ruana zot prej çlirimtarëve (të vetëshpallur!) të Kosovës. Sa shumë paskan qenë, në Evropë dhe në Amerikë. Gjithkah, e nuk e paskemi ditur!

Bisedave dhe intervistave, iu qasa më gëzim që me shkëlqente se brendshmi.

Nga ideja dhe dëshira që, një ditë, kur të shtohen e shumohen, do t’i përmbledh në një vëllim më titull “Takime parisiane”.

Pas bisedës me Kadarenë, (që ishte një ëndërr e imja e kamotshme) dhe se, po të mos ishte edhe ai vetë, nën peshën dhe presionin e mërzisë se madhe, që kishte braktisur vendin e vetë, në çast të ligë, zor se do ta realizoja ndonjëherë.

Bëra intervistë edhe më, me R. Mitrovicën, aktor i filmit dhe i teatrit. Në atë rriskë kohe, ishte në kulmin e krijimtarisë dhe të popullaritetit. E si mos të ishte kur, hiç tjetërkund pos në Teatrin e njohur e me nam botëror “Comédie-Française”, interpretonte rolin kryesor, atë të Hamletit,.  Këtë ngjarje e bënte akoma më spikatëse e vërteta se, kishin kaluar më shumë se dyzet e pesë vjet, qysh se kryevepra e Shakespear-it nuk ishte inskenuar në skenën e këtij teatri. Tashti ishte ngjitur në skenën e tij, me një përkthim të ri dhe, çfarë është edhe më e rëndësishme për ne, Raxhepi ynë, luante rolin kryesor, atë Hamletit, kur është ëndërr e parealizuar edhe për shumë e shumë aktorë të teatrit dhe filmit, cep më cep botës. Ndërkohë, përmes ambasadorit tonë në Paris, z. B. Mustafaj, kisha  realizuar intervistën  edhe më A. Bosquet. Jo pa krenari shënoj se teksti i kësaj bisede, është botuar, në vend të pasthënies, te vëllimi me poezi “Trazimi i zotit”, (Le tourment de dieu) të A. Bosquet-it, që e kanë kthye shqip I. Kadare dhe B. Mustafaj, bashkë. E botoi “ARBRI”, Tiranë, 1996.

“Mos kini keqardhje për mua: shijen e qenies e mora nga ju”, janë vargjet porosi, me të cilat hapet ky vëllim me poezi.

Zhvilloj bisedë edhe me albanologun e njohur francez, Ch. Gut, njohës i mirë i veprës letrare të Pashko Vasës (Vaso Pashë Shkodranit), dhe përkthyes i veprave letrare të Kadaresë, të R. Qosjës dhe të D. Agollit. Ai është njoftës dhe shqipërues i mrekullueshëm i Kanunit të Lekë Dukagjinit. Nërkohë, kisha realizuar bisedë të gjatë gazete më zonjën F. Allaine, bashkautore (me X.  Galmiche) e librit voluminoz “Çështja e Kosovës – Ibrahim Rugova”. Kishin pasuar, njëra pas tjetrës, biseda  ekskluzive me B. Mustafajn, që ishte ambasador i ri shqiptar në Paris, pastaj me H. (Gushi) Kadare, me aktorin e njohur shqiptar, T. Flloko, që për një kohë të gjatë, qëndroi në Paris. Njëherë si mysafir (bursist) i një Tetarit parisian dhe herën  e  dytë, kur interpretoi rolin kryesor në filmin artistik “Larg barbarëve”, të regjisores dhe origjinë shqiptare, zonjës L. Begeja. Pas bisedës me piktorin e njohur turk, me origjine shqiptare, O. Kaleshi, që prej vjetësh jeton dhe krijon në Paris, rrëshqita edhe deri në Milano, të i madhi I. Kodra. Edhe me të bëra një intervistë të gjatë. Këto dhjetë personalitete që, vërtetë hynin në qarkun e “Takimeve parisiane”, nuk mjaftonin për sajimin e një libri të veçantë. Prandaj, i shtova edhe shtatëmbëdhjetë intervista të mëparshme, me krijues të shquar shqiptarë, sikurse janë: E. Mekuli, A. Shkreli, D. Albahari, H. Salihu, Z. Neziri, M. Mulliqi, M. Ajeti, R. Ferrin, Gj. Gjokaj, N. Pagarusha, I. Begolli, B. Fehmiu, P. Deshpali, Ç. Lajçi, A. Sutaj, Xh. Berisha dhe Z. Çakolli.

Me gjithsejtë, pra, njëzet e shtatë biseda dhe intervista, të përmbledhura brenda kapakëve të vëllimi, doli një libër publicistik goxha i realizuar, me titull “Shenjë kohe” (signum temporis), e nxori në dritë, Ndërmarrja Botuese Rilindja e Prishtinës, në vitin 1998.

Një ndër më të çmuarit, J. Vrioni, që  gjithsesi duhej të ishte, nuk është në atë përmbledhje. (Mjerisht, nuk do të jetë në asnjë tjetër. Nuk është më në jetë!). Ndërkohë ka marrë pjesën e pavdekshme të jetës, sikurse për vdekjen këndoi poeti.

Në parantezë po e (ri)kujtoj shkurtazi, njohjen dhe miqësinë me të. Që në fillim duhet bërë një precizitet. J. Vrioni, nuk kishte pasur armiq. Ai kishte vetëm miq.

Iku kjo!

pa të s’bënte…!

Bota shqiptare kurrë nuk kishte pasur, as që do të këtë, për një kohë të gjatë, zotëri,  aristokrat e playboy më të madh. Një urtak e fisnik. Një intelektual të madh. Njohës të mirë të gjuhës frënge. E fliste, e shkruante dhe përkthente, nga gjuha shqipe, në frëngjishte. Po mos të ishte Jusuf Vrioni, si përkthyes brilant siç ishte, me siguri, I. Kadareja nuk do të ishte aty ku është sot. Pa Jusufin atë lartësi nuk do ta arrinte kurrë. Vrioni, që në takim të parë, me përvetësoi.  Kultura e tij, aristokracia, madhështia… E në anën tjetër modestia!

Sapo u njoftuam.

Ndodhi kjo në pritjen e vitit të ri 1993. Në mjediset e ambasadës shqiptare në Paris. Në Rue de la Pompe 132. Në Parisin gjashtëmbëdhjetë!

Atë mbrëmje solemne e madhështore, kur edhe lahej dhe lotohej  me lot gëzimi mërgimtarë, mallëngjimi e përmallimi, më madhështori, ishte J. Vrioni. Si një monument i gjallë të ishte. Legjendar. Trupin e gjatë prej atletit, nuk kishin arritur ta kërrusin as shume vjetët e ferrit, në burgjet e Enverit. As vjetët e jetës se gjatë, që kishte.

Si gazetar i pandreqshëm, që në atë takim të parë,  J. Vrionin, e lus për intervistë. Në emër të lexuesit të shtypit shqiptar, siç ishte në modë të thuhej ato ditë.

Kujt i shkonte mendja se kjo ishte biseda (ime) e parë dhe e mbrëmë me të.  J. Verioni, krenaria e kombit shqiptar, mbylli sytë në Paris, në shtëpinë e tij.

Iku (edhe) kjo!

telash pa motiv …!

Ndodhi që, akoma ende pa e bërë as një vit në Paris, kur papritmas e kishe braktisur Shqipërinë. Në çastin kur më së shumti i duhej asaj. I. Kadare, kalonte ditë të vështira.

Dëshira ime jetësore ishte që të takohem me të. Me hilenë  e brishtë të, shqetësimit profesional. Isha optimist se Kadareja,  do të me japë intervistë për lexuesit e shtypit shqiptar. Rrethanat, plotë ngarkime, dilema e shqetësime, kishte ndikuar që të ishte shumë më hijelehtë. Më i kollajshëm. Më tolerant.

Bisedën e ëndërruar me të, megjithatë, e realizova me peripeci!

Vetë i parapriva. Para Kadaresë i kisha pranuar se biseda me te, do të jetë ose fitorja, ose disfata ime më e madhe profesionale!

Në bisedë e sipër, i them se nuk ka libër, madje shkronjë që ka shkruar deri më tash,  që nuk e kam lexuar.

Çfarë do shkrimtari më shumë se aq, me ka pyetur!

Nuk durohem, ndërkaq, pa rrëfyer mbi një flakë që vazhdon të me djeg.

Me lind ideja, (si e tek, është histori e gjatë!), të përgatis një libër me titull “Me përkthyesit e Kadaresë”. Po dihet. Gjakoja që brenda kapakëve të atij libri të fusja (mundësisht) të gjithë ata që, nga gjuha shqipe, në akëcilën gjuhë të botës, kanë përkthyer veprën madhore letrare të Kadaresë. Lidhur me atë, se si e qysh me piku kjo ide, botova një artikull bajagi të gjatë në gazetën “Bota sot”. Në vend se Kadaresë t’i shkruaj letër, shkëputa artikullin, me të vetmen një fjali, si porosi: i nderuari zoti Kadare, pres përgjigjën tuaj të çmuar, pozitive, përkrahëse dhe kurrajuese. Me respekt e miqësi B.S. – à Gaillard, 19 tetor 1998.

Pas një javë, Kadaré me kthej këtë përgjigje. E lexojmë bashkë, përkundër porosisë që të “mos ta bëj të njohur në shtypin e përditshëm!”.

Paris, 26  tetor 1998

Zoti B. Sefaj,

Mora letrën tuaj si dhe librin, për të cilin ju falënderoj.

Ideja për të shkruar një ese ose diçka të përafërt për përkthimet e letërsisë shqipe, sidomos për përkthyesit e saj nëpër botë, është një ide shumë e mirë dhe ndërtuese. Ajo ngjan edhe më tepër e tillë sot, kur mjaft shqiptarë për fat të keq, nuk kanë në kokat e tyre veç ide rrënuese.

Mendoj se libri do të ishte edhe më interesant në qoftë se një pjesë e tij do të ndërtohej si një bisedim i shtruar me këta përkthyes, sidomos për çështje që i përkasin gjuhës shqipe, tipareve, cilësive dhe kureshtive që dalin gjatë përkthimit. Është koha që kjo gjuhë, që ka pjellë letërsinë shqiptare, të çmohet më tepër në rrethet kulturore botërore. Libri juaj jep një rast në kohën e duhur për një gjë të tillë.

Duke ju uruar gjithë të mirat

Kadare
S.

Kjo është një letër vetjake (private). Nuk besoj se do ta bëni të njohur në shtypin e përditshëm. Në librin tuaj të ardhshëm mendoj se mund të keni gjithashtu biseda të shumta me autorët e përkthyer. Unë ju premtoj një të tillë. I. K.

Kjo letër, aq më parë kur e përshkonte një frymë e ngrohtë, kur fjalitë ishin të mençura dhe porositë të urta, me trimëroi. Mora malin!

U krye puna. Librin e mora si të realizuar. Shpejtazi sajova pyetje të njëjta, për të gjithë përkthyesit e huaj, më një ngjyrë gati të padukshme ndryshimi midis përkthyesve perëndimorë e lindorë. (Për lindorët kisha ndërfut fjalinë: “nga jeni edhe ju vetë”!).

Pyetjet ia nis Kadaresë. I aprovon pa asnjë vërejtje.  Kjo ishte edhe një shtysë më shumë, se puna po ecën mbarë. Mbarë do të përfundojë.

Parashikimi nuk del real. Përfundon si është më keq!

“Ndihmesë” të madhe, në rrënimin e kësaj ideje të cilën Kadare e quajti “ide ndërtuese”, dhanë përkthyesit  shqiptarë. Me përjashtim të disave.

Ideja për realizimin e një libri të tillë, përpos që ishte pëlqyer nga vetë Kadaréa, nga botuesi i tij ekskluziv shqiptar B. Hudhri (Onufri i Tiranës, që parashikohej edhe të ishte botues i librit me përkthyesit e Kadaresë), por edhe shumë të tjerë. Gati-gati, pa përjashtim, kujtdo që ia shfaqesha. Kolegu M. Kajtazi, kësaj ideje ia kushton një artikull të gjatë, botuar në Rilindje.

Pas një telashi dhe konflikti të “rëndë”, që tërthorazi kisha pasur me Kadarenë, pa asnjë motiv, pa as arsye.  Ishim “zënë” rreth filmit “L’America”, të regjisorit italian, G. Amelio. Derisa e kisha pëlqyer shumë, në anën tjetër, Kadare ishte tmerrua. E kishte quajtur film antishqiptar dhe, si për vepër të mbrapsht kinematografike, kishte shkruar në gazetën “Le Figaro”, të Parisit.

Kadare më qortoi plot hidhërim, pse e kisha pëlqyer një film të tillë.

Para se të shfaq mendimin tim, nuk jam kujtuar, të ju pyes ju, zoti Kadaré:  me ka pëlqyer apo jo filmi në fjalë!

Kjo zënkë, ky telash pa motiv kush e di çfarë, për fat, përfundon mirë. Pas gjithë kësaj “hataje”, qëndrimi bujar dhe përkrahja e tij, për hartimin e librit “Me përkthyesit e Kadaresë”, me kishte dhënë zemër dhe elan të shtuar.

Iku (edhe) kjo!

një kompensim …!

Pas sprovës disfatore për realizimin e këtij libri, si kompensim për dështim, tash e një kohë të gjatë, preokupohem me idenë të përgatis një libër tjetër, në të cilin do të përfshiheshin shkrimtarë nga gjithë hapësira shqiptare që, ndërkohë, janë përkthyer në gjuhë të huaja.

“Shkrimtari i përkthyer është dy herë autor. Herën e parë në gjuhën e vetë amtare, herën e dytë në gjuhën e huaj, në të cilën i është përkthyer vepra letrare. Si kur, me vepër të re letrare del para lexuesit të kombit të vet, aq e më i madh gëzimi, duhet të jetë, kur vepra sheh dritën e botimit edhe në gjuhë të tjera. Sidomos në gjuhë të mëdha botërore. Kjo e arrirë, pos që është mirënjohje e madhe për vetë autorin, njëherazi, ajo nderon letërsinë kombëtare, në përgjithësi. Gjuha dhe letërsia shqipe, afirmohen në përmasa më të gjëra. Ju zoti XY,  jeni një nga autorët e përkthyer shqiptarë në gjuhët e huaja. Një ese i juaji, në këtë temë, do të ishte i mirëseardhur, aq më parë kur merr aktualitetin e garantuar, për sot e nesër, dhe kohë që vijnë”.

Regjistrin e shkrimtarëve shqiptarë, të përkthyer në gjuhë të huaja, e kryeson I. Kadare. Vijë pastaj,  D. Agolli, F. Kongoli, A. Podrimja, B. Musrafaj, E. Basha, T. Dervishi, B. Shehu, S. Bashota, M. Ahmeti, B. Myftiu, R. Qosja, B. Cufaj, V. Zhiti, L. Starova, Y. Aliçka, V. Braçe, T. Laço, F Arapi, L. Lleshanaku, N. Lako e ndonjë tjetër.

Iku kjo!

malli për Ibrën…

(për plakun e ri të epokës sonë të re!)

I çmuari dhe fort i dashuri, vëlla Ibro! Nuk e zgjodha çastin për të shkruar këtë letër mallëngjimi. Ai me zgjodhi mua!

Çast më i lig nuk mund të imagjinohej!

Kam shumë vështirësi, të papërballueshme dhe të pa kapërcyeshme fare, për ta shkruar këtë letër. Ashtu si prej kohësh, dëshiroja dhe ëndërroja  ta shkruaja…

Nga ajo mori pengesash që me dalin përpara në këtë synim e që bënë të hezitoj e të lejoj të parakalojnë një milion vjet pranë meje, si pranë një të vdekuri, pa ta shkruar këtë letër, me këtë rast,veçoj, vetëm dy, kur janë më të mëdhatë dhe më të papërballueshmet. E para, respekti i lartë, dashuria e madhe dhe pikëllimi i thellë, që ndjej ndaj Teje, zoti President. Pengesa e dytë, sasi e madhe dhe kallaballëk mllefi, deri në shkatërrim, ndaj të gjithë atyre hasretxhijnve dhe shpirtligjve, kur aq pamëshirshëm e në mënyrë trupërisht spektakolare e (krye)skandaloze, iu gëzuan fatit tënd të lig.

(…) Veprimi dhe qëndrimi yt burrëro, kur pa dy mendje, pa dilema dhe pa më të voglin hezitim e luhatje, gjete shtëpinë tënde Kosovë!

Shkove atje për të vdekur bashkë me anëtarin e fundit të familjes së madhe shqiptare të Kosovës, (zot shtëpie i së cilës je tani e njëmijë vjet!), kur automatikisht e përnjëherësh, hyre në odën e burrave të pavdekshëm shqiptarë. Duke u ngjitur në radhët e plejadës së trimave më të shtrenjtë të kombit tonë, për të cilët janë thurur dhe këndohen, legjenda. U bërë plak i ri i epikës sonë të re!

(…) Nuk ngel, prandaj tjetër udhë, i dashuri Ibro, pos të fshijë lot pikëllimi e të qes (ngjis), një varg të ri, në poemën kushtuar Ty, që e kam nisur para shumë vjetësh, diku në mërgim. Në Parisin e rinisë sate. Kur ishe student (nxënës) i filozofit dhe mendimtarit francez të kohës, R. Barthes, më të shquarit të epokës sonë (…)

Fort e mirë e shoh se poema ime nuk do të përfundojë kurrë. Vepra jote del e denjë  për penda shumë herë më të mprehta e talente shumëfish më të mëdha se që është imtësia ime e imët!

Sa me ka zënë malli, Ibro, të pimë bashkë nga një filxhan kafe në braserinë “Çarri”, në Prishtinë. E pastaj të nisim e të llafosim e të rrahim tema të letërsisë dhe të rrjedhave kulturore në botën shqiptare dhe përgjithësisht. Siç bënin shpeshherë, dikur. Të kujtohet, sigurisht!

(…) në emisionet e kulturës në gjuhën (tonë) shqipe të Televizionit të Prishtinës.

Ibro, me prit se ja, po “…lidh mbathcat…” sikurse na porositë i pavdekshmi varg kushtrimi i poetit, e po vij. Erdha, ma kij besën!

(Rilindja, qershor 1999).

Iku (edhe) kjo!

në vendin e “krimit”…!

Pas çlirimit, pas një jete të tërë shterpë e të harxhuar kot, përsëri  trokas në dyert e TVP-së. Ajo ishte treguar besëpreme. Nuk ishte më TVP. Kishte ndërrua emër. Tash e kishte ndryshe. Çdo gjë tjetër, ishte siç ka qenë. Edhe objekti, edhe teknika, edhe krejt. Edhe njerëzit.

Çuditërisht, njerëzit sikur kishin ndryshuar një çikë. Sikur nuk ishin më ata të mitë. Të dashurit miq, shokë e kolegë, sikur kishin ndryshuar. Sikur nuk me njihnin. Ata ishin të vetmit që nuk me njihnin. Ndryshe, me njihnin mirë dyer e dritare, me njihte mirë ai mjedis i teri, në të cilin kisha lënë pjesën më vitale të jetës. Ku kisha derdhur djersën lumë, në përgatitje të mijëra e mijëra emisioneve. Të vogla e të mëdha (më shumë e pak minuta!). Të rëndësishme e më pak të rëndësishme!

Instinkti i mallkuar, kur nuk të lë të qetë dot, kur të mbyt nostalgjia, si mos të kishte ndodhur asgjë ndërkohë, i qasëm përgatitjes edhe të disa misioneve dokumentare. Kur shumë prej shikuesve (të mi!) që nuk me kishin harrua, gjithnjë me kujtonin me respekt, shprehnin dëshirë, (ndoshta) edhe gëzim, për shfaqje të serishme në ekran, me pezëm të frenuar, kinse me humor, thosha se vetëm sa jam kthyer në “vendin e krimit” e, asgjë tjetër!

Gjersa kaloja rrugës, trokitja e fortë në xham, me ndal hapin. Matanë xhamit të kafenesë, “Tre cilindrat”, menjëherë njoh pamjen markante të piktorit tonë të shquar. Është maestro E. Berisha. Po vetë ai është.

Me fton brenda me ngut. Sa e kishe shikuar, në televizorin e kafenesë,  emisionin dokumentar  kushtuar dy librarive shembullore të Prishtinës. Të “Dukagjinit” dhe të Institutit albanologjik, tash edhe të “Toenës” së Tiranës. Maestro ishte mrekulluar kur kishte parë një gjë, si të panjohur, në qytetin e tij, ku jeton dhe krijon. Në shenj mirësie, për atë emision që, në e parë, i ngjante se ishte realizuar diku tjetër e jo në Prishtinë, piktori i njohur, tërheq bastunin (që kohë të gjatë e shoqëron), më bënë vend ngatë vetës. Me qerasë me kafe!

Më parë së gëzueshëm, këtë mirënjohje të maestros e përjetoj mallëngjyeshëm. Si tundim e trazim. Si gërvishtje plagësh. Si mishërim…

M’i kujtoj kohët e perënduara: Kohët, kur brenda TVP-së, isha dele e zezë! I përbuzur dhe i keqtrajtuar. Në opinionin e gjerë publik, ndërkaq, një çik reporteri. I dashur dhe i preferuar. Ndoshta!

Shtesë e paparaparë, që detyrimisht hynë në shtegun e kthimit në vendin e “krimit”. Gjersa në studion e RTK-së, realizoja pjesën foljore të emisionit dokumentar kushtuar Xh. Berishës që, përpos koreograf është edhe këngëtar, andej nga studio e xhirimit,  rastësisht kalon A. Zatriqi dhe me qesëndi komenton: mendoja se do të këndojë Bajrami!!!

Më mirë të këndoja apo të bëja çfarëdo tjetër, nga se vërtetë emisioni, doli shumë i dobët. Jo i realizuar siç pandehja dhe ëndërroja.

Qëlloi që paralelisht, në të njëjtën ditë e në të njëjtin termin, të emetohen dy emisione dokumentare të së njëjtës gjini. Emisioni im në RTK kushtuar Xh. Berishës dhe emisioni tjetër dokumentar i TV21, kushtuar aktorit Ç. Lajçi. Gjatë emetimit shikoja emisionin e TV21 dhe me pëlqente shumë. Ishte i realizuar për mrekulli. Ilustruar me fragmente filmit nga të gjitha fushat, gjithandej nga shtihet arti, jo vetëm skenik, teatër e film, por edhe muzikor e folklorik, i këtij aktori të shquar.

Ishte ironi, nuk di çka ishte, por më të vërtetë, kështu ishte, prej gojës se shumë shikuesve, bashkë me Xh. Berishën, kishim dëgjuar fjalë të mira për emisionin tonë. Një shikuesi shkoi aq larg kur deklaroi se gjëja autorin e TV21 e kishte porositur që të shikojë emisionin kushtuar Xh. Berishës e të mësojë si bëhet një emision i mirë dokumentar. Jo, kjo ishte shumë. Ishte tepër.

Kur pohoj se shikoja programi në TV21, në kohën kur emetohej emisioni im në RTK, duket e pabesueshme, por është e vërtetë. Kurrë në jetë, nuk shikoja emision timin!

Gjatë emetimit, dilja në ballkon ose në rrugë, derisa emetohej. Ose përmatanë xhamit të dritares, pyetja anëtarët e familjes se a është gati “tortura?”. Për ndryshim nga shumë kolegë që, jo vetëm se me kënaqësi të madhe, shikonin emisionet e veta, por atyre u bënin jehonë dhe i reklamonin përmes telefonatave në çdo anë. Derisa shumë koleg kanë në raftet e etazheve të tyre edhe copa të imëta filmash, qoftë edhe nga paraqitje rasti në ekranin televizive, nuk kam asnjë grimcë filmi nga emisionet e mia, të nevojshëm, sa për t’mu sajuar nekrologu, me rastin e vdekjes së pritur!

E në fakt, tashmë nuk isha kurrëkushi. Asgjë me shumë se një i mbijetuar.

Për një të rraskapitur, siç isha, jehona e emisionit “Pa politikë”, emetuar më pesëmbëdhjetë qershor dymijë e dy, në të cilin isha mysafir, ishte edhe një befasi (ëmbëlsirë) e këndshme për mua. E fundit!

Sigurisht.

Iku (edhe) kjo!

në f u n d

Ky tekst, më në fund, u dogj!

Bashkë me të, edhe autori. Treti, si mos të ishte fare!

Nuk kisha ide, as synim tjetër, pos që, ky, shkrim, kallëzim a rrëfim, të mos lexohet, të mos deshifrohet ndryshe, pos si një artikull i gjatë. Artikull i gjatë, i një gazetari të ngratë, që mjerisht, në rrethanat shoqërore, kohore dhe historike, e kishte vështirë.  Rrëfimi, gjithmonë mbi baza të shëndosha realiteti, kishte për qëllim, që njëherë e mirë, tua bëj të qartë të gjithë atyre (shumë a pak), që mendonin se u kënaqa (u kënaqem) na të TVP-së, që ishte një gabim, një mashtrim e lajthitje e përgjithshme, për tëra ato të mira që ata i përfytyronin dhe imagjinonin se i gëzojnë te gjithë të punësuarit në TVP, e veçmas gazetarët. Ky shkrim dëshmon të kundërtën. Ky, më në fund, ishte edhe një nga qëllimet e tij.

Tërë jetën shkrova, dhe vazhdoj të shkruaj, për të tjerët. Asgjë më e natyrshme, më e logjikshme, mund të pohohet së, në fund të jetës, në perëndim të saj, të shkruaj një artikull (sado të gjatë për vete!).

Gjakoj dhe tjetër dëshirë nuk kam, pos që ky shkrim, të lexohet si artikull, asgjë më tepër. Artikull që shtrihet e ngjitet tri shkallëve të zonës gri të jetës sime: paradhomës se gazetarisë, dhomës (me gaz helmues) të saj dhe, të tretës, post(pas)gazetarisë, asgjë më të mirë e më të lumtur, se dy të parat.

Zoti me mallkoftë, nëse lëndova ndokënd gjatë kësaj rrugë. Gjatë këtij evokimi.

Jo, jo, jo!

Nuk e kisha atë qëllim. Edhe ata që, në çaste ligësie, konsideroja se më kishin nxirë jetën, tash, i kujtoj me nostalgji, respekt dhe nderim të madh.

Mos të  shkruaja këtë artikull, edhe pas vdekjes, sytë do të me ngelnin çelë!

Nuk do të bëja gjumë të qetë. As në varr nuk do të gjëja prehje e rehati. As  në kutinë (urnë) të hirit të trupit të kremuar!

Droja e pashërueshme, mos, me pahir, lëndova ndokënd,  me brenë dhe me sjell shqetësim.

Pendim. Pa mbarim…

Iku (edhe) kjo!

Dhe, kjo ishte e fundit!

(Gaillard, 05 dhjetor 2006, 14 prill 2007)

SHKRUAJ NJË KOMENT

Ju lutem, shkruaj komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaj emrin tuaj këtu