ARKIVI:
28 Dhjetor 2024

At Zef Pllumi per patriotin shqiptar At David Pepa, perkëthyesin e Ministrit të Vjenes dhe Ismail Qemalit

Shkrime relevante

Kryeministri merr rolin e gjykatësit!

Florim Zeqa I gjithpushtetshmi i vendit, Kryeministri i cili nuk i respekton...

Serbja Sonja Biserko, zëri i së cilës nuk po dëgjohet nga ndërkombëtarët, “analistët tonë” dhe disave nga opozita e Kosovës

Nga: Gani Mehmeti Biserko: Lista Serbe është përgjegjëse për gjithë situatën në...

Vargje me nismë të mbarë, recension për librin e Bashkim Halilajt, “Gjurmë ecjesh“

Shefqet DIBRANI VARGJE ME NISMË TË MBARË Bashkim Halilaj, “GJURMË ECJESH“, vargje, botoi...

Pabesueshmëria e absurdeve të “BIG BROTHER”

Nga: Lirim Gashi Sara nga Tirana dërgon çdo ditë lutje në qiell,...

Shpërndaj

Autori i shkrimit Bep Martin Pjetri (publiku me 12-7-2012)

 «Hapi i parë në likuidimin e një populli është të fshini kujtesën e tij !..Shkatërroni librat e tij, kulturën e tij, historinë e tij. Atëhere, vini dikë të shkruajë libra të rinj, të krijojë një kulturë të re, të shpikë një histori të re !!…..Para se të kalojë shumë kohë, kombi do të harrojë se çfarë është dhe çfarë qè !!»…..

Me rastin e 100 vjetorit të Pavarsisë të Shqipnisë – “1912 – 2012”

Pak nga biografia dhe vepra e At David Pepës: At David Pepa ishte një prift françeskan, që gjatë jetës tij shërbeu për Fenë dhe për Atdhe. At Davidit i ra një rastë që quhet një ngjarje e madhe në jetën e tij, ku i takoi të jetë përkthyesi i Ismail Qemalit në Vjenë te Zyra e Ministrit të Jashtëm, Konti Leopold Bertholdi në pragë të Pamvarsisë të Shqipnisë. Ky fakt na ngacmon të mësojmë për jetën dhe punën e tij me qe nëse i intereson tashmë historisë si person në Ngjarje të Mëdha të vendit tonë Arbni.

At David Pepa meshtar: Duke shfletue librin studimor të juristit nga “Kllogjni i Dushmanit” – Shkodër, z. Ndoc Ndoja mësova mbi jetën dhe episodin në Vjenë të françeskanit At David Pepa. që nuk dihet nga historia edhe pse asht diçka e padukshme, por në jubile të tilla si 100 vjetori mendoj se e vlen të evidentohet emni i tij para shqiptarve sepse e vlen të dihet kontributi i tij si përfaqsues i Kishës Katolike. Ja seç lexova te libri në fjalë për shkodranin françeskan At David Pepa i panjohun nga publiku edhe pse shllakasit (fshati SHLLAK) e përmendin brezë pas brezit si burrë i urtë, si prift, si atdhetar e si dijetar dhe shumë popullor.

Pak fjalë për At David Pepën:

At David Pepa lindi në Shkodër më 1889. Shkollën e mesme fetare e kreu pranë Kuvendit Fraçeskan në Shkodër dhe të lartën në Grac të Austrisë, ku shugurohet meshtar më 1911. Ai kishte një trup të madh, shpatulla të gjana, një za të trashë karakteristik, burrnor e plot ambëlsi, zemër bujare dhe një butësi prej shenjtit. At David Pepa shërbeu si famullitarë sa në Kosovë dhe në Shqipni si në Pejë, Zllakuqan, Lurë, Dushman, Brigje të Hotit, Toplanë dhe më 1925 – 1927 në Iballë të Pukës.

Shqiperia e Kosova

At David Pepa – famullitar në Dushman për 32 vjet Kisha e „Shën Gjonit“ të Dushmanit e rindërtuem pas 1992 At Davidi ashtë një nga famullitarët ma të përmendur, që ka shërbyer në krahinën e Shllakut në zonën e Dushmanit prej vitit 1935 – më 1967, plot 32 vjet. Ai lidhet aq shumë me banorët shllakas sa që fiton statusin e të qenurit vendas – shllakas dhe kishte shprehur dëshirën për t’u varrosë në ”Kishën e Shën Gjonit” të Dushmanit, gja që nuk u realizue amaneti i tij për shkakun e shkatërrimit të Kishave dhe burgosjes e torturave të priftërinjve katolikë dhe të ndalimit të besimit fetar në Shqipni në vitin e vdekjes në 1967. Në vitin 1967 u mbyll Kisha e ”Shën Gjonit” në Dushman. Nuk vonuen e shndrruen Kishën në magazinë të kooperativës bujqësore.

Me përmbysjen e regjimit komunist diktatorial nisi Kisha të rihapet edhe pse ishte damtue gati krejtsisht. Në kujdesin e të ndjerit Imzot Robert Ashta (22.VIII. 1918. 12.IV.1998), ish Ipeshkvi i Dioqezës së Pultit, u ndërtue Kisha e re prej themelit, ku meshtarët predikojnë Fjalën e Zotit në prani të besimtarve malsor. Pranë halleve të popullit si shërbëtor i devotshëm i besimit të popullit qëndroi pranë halleve dhe gëzimeve familjare At Davidi, që u kishte hyrë në zemrat e malsorve duke e dëshmue me punë vetmohuese dhe me dashni njerzore e fetare. Ai gjendej pranë çdo nevoje, duke ndihmuar të varfrit, duke mësuar fëmijve shkrim e këndim, poezi e histori, arithmetikë dhe gjeometri, muzikë dhe njohuri nga shkenca e shëndetit të njeriut në shkolla dhe i dërgonin për t’u arsimue ma shumë në shkolla e kolegje. Shembulli tipik ashtë zbulimi i djaloshit të vogël “Martin Camaj i Temalit të Shllakut” dhe ndërhyn At David Pepa tek prindërit për ta dërgue në Kolegjin Saverian në Shkodër. Duhet të kujtohet se shkollat françeskane e jezuite ishin shkolla të konsolidueme me nivel të naltë cilsor të dijes në Ballkan dhe mjaft e famshme. Në këto shkolla arsimoheshin bijë e bija nga e gjithë Shqipnija pa dallim feje e krahine, ideje nga ku dolën dijetar të mëdhenj shqiptar, prandaj u pa me xhelozi nga Serbia e Moska. Ishin shkolla me prirje klasike perëndimore, gja që sistemi komunist serbo-sovjetik nuk e pranonte, sepse sfidonte Njeriun e Ri bollshevik – Lejfenistë.

Kisha e „Shën Gjonit“ të Dushmanit

At David Pepa nuk ndenji mënjanë ndaj konflikteve hakmarrse e gjakmarrëse të besimtarve shllakas, por duke ushtrue autoritetin e tij, që gëzonte në mesin e banorve malsorë, ndërhynte për faljen e gjaqeve dhe shuarjen e ngatërresave në mes tyne. Ai njihej si mjekë popullor dhe shkencor falë kulturës akademike të fituem në Vjenë të Austrisë dhe përvojës tij të gjatë jetësore. Falë kulturës tij vjeneze dhe shqiptare njihte disa gjuhë të huej të cilat i vuni në funksion të bibliotekës së pasur me libra shqiptare dhe të huej për t’i përdorë edhe në ato male, që shpesh thuhej si ishin vatra e injorancës, e obskurantizmit fetar mesjetar në konsumin butaforik të makinës çapraze të ideologjisë dhe propogandës komuniste. Në cilësitë e At David Pepës ishte dhe pasioni i folklorit shqiptar, ku mblodhi me kujdesë në librin e tij në formë kronike ngjarje, doke e zakone, toponime, gojëdhana, eposin e trevave të çdo fshati që ishin pasuri e pashtershme në shekuj. U morë shumë me ngjarjet e së kalumes nga ku i përmblodhi në librin e tij ”Fisi i Dushmanit”. Eksploratorë të huaj europianë gjeografë e historianë gjetën në malet e Shllakut ngrohtësinë dhe mikpritjen e banorve malsor si dhe françeskanin e dijshëm At Davidi Pepa. Terrori sadist sllavo-komuniste në Shllak – Dushman filloi pasi uzurpuen shtetin ushtruen qysh në 3 – 4 muejt e parat ë pushtetit terror të vitit 1945 duke pushkatue djelmosha të rinjë, të bukur e shtatnaltë bash në oborr të Kishës. Duke qenë i tronditun ngre zanin e revoltës duke protestue guximshë ndaj kriminelve: ”Keni prekë besimtarët e mi, vllaznit tuaj, keni veprue si Kaini me Abelin…” .

Konti Leopold Berthold Austri

At David Pepa përkthyesi i Ismail Qemalit në Austri shquhet për veprimtari të madhe atdhetare në kontributin e tij si përkthyes i gjermanishtes në shqip në Takimin e Ministrit të Jashtëm të perandorisë Austro – Hungareze, Konti Leopold Bertholdi me Ismail Qemalin në Vjenë në pragë të Pavarsisë së Shqipnisë. Për Meshtarin e Maleve të Shllakut e të Kosovës Martire flasin dëshmitë historike në kthesat e mëdha të historisë së Shqipnisë pas Të Madhit Shpatmprehtë – Gjergj Kastrioti – Skandërbeg. Historia e 47 vjeçare e komunizmit dhe ajo e vietve të demokracisë heshti si për shumë Martirë të Veriut edhe për veprën fisnike atdhetare të At David Pepa. Dhe ja ç’na rrëfen At Zef Pllumi në kujtimet e tij për At David Pepën në Vjenë; At Zef Pllumi në veprën ”Rrno vetëm për me tregue”, ka shkruar: ”….Isha famullitar në Shosh dhe papritmas vjen një malsor nga Dushmani (i Shllakut – B.M.P.) e më tha: Më ka dërgue Patër David Pepa me të marrë me i dhanë sakramendet e mbrame, se asht tue dekë. E ka prekë ajo e mira e i ka prekë gjysën e trupit…. U nisa për Dushman dhe mbërrijta pak para muzgut….U vendos që të nesërmen të nisej për Shkodër, për t’u shtrue në spital….At Davidi atë vjet kishte mbushë 75-tat. ..Atë natë ndeja pa fjetë tue bisedue me të…. Më tregoi se në vitin e fundit të teologjisë (në Vjenë – B.M.P.), 1912, nëpunësit e Ministrisë Jashtme në Vjenë kërkuen kolegun e tij, Àt Anton Harapin. Mbasi ai ishte kthye në Shqipni, atëhere (Davidin) e mueren me urgjencë dhe e çuen në Vjenë. Aty e shtinë në nji zyrë dhe e bane me u betue se nuk do t’i nxirrte kurr sekretet. E mueren si përkthyes ndër bisedimet që Ministri i Jashtëm Berthold (Konti Leopold Berchtold, austriak– B.M.P.) do të zhvillonte me Ismail Kemal Bej Vlorën……Atëhere Bertholdi i parashtroi Ismail Kemal Beut që të delte sa ma pare në Shqipni për të shpallë pamvarsinë. Ismaili iu përgjigj: “Mirë se flamurin e kam, por nuk kam shtizë ku ta naltoj, dhe flamurin pa shtizë e merr çdo erë që fryn”. Atëhere Konti Berthold iu përgjegj: ”Për shtizë të këtij flamuri keni bajonetën austriake.” . Kishte ba që 40 mijë trupa (austriak – B.M.P.) të niseshin nga Bosnja në kufi të Malit të Zi. Ismail Beu plot gëzim iu përgjigj: “Kështu po, jam gadi, se vetëm kjo asht garanci për shtetin e ri shqiptar” . Àt Davidin e ngarkuen me e shoqnue Ismail Kemalin deri në Triestë, ku pritëshin tjerë shqiptar. U morë fjalë për fjalë te faqja 73 – 74 libri studim “Dushman – Temali në rrjedhje të kohëve” – autor Ndoc Ndoja, Botimi “Camaj – Pipa” – Shkodër 2008.

Dhimbja e vdekjes dhe rilindja prej respektit të At David Pepës. Ardhja e regjimit komunist dhe mbyllja e Kishës Katolike e lodhi shumë edhe nga shëndeti. Kjo sjellje absurde kriminale e partisë dhe qeverisë komuniste ndaj edhe popullit të krahinës së Shllakut e përshpejtoi mplakjen para kohet. U hapë lajmi në të gjitha katundet se At David Pepa asht i sëmundë për vdekje e po e lente malsorët në ditët ma të liga të historisë të asaj krahine që kishte pasë lidhje të shumëfishta. Të gjithë e donin dhe e respektonin shumë se ishte për besimtarët si prindi i madh, i vorfën e i thjeshtë tuj i shërbye Zotit dhe malsorve pa prejtesë, me përkushtim hyjnor. E ja ç’ka kujton i ndjeri At Zef Pllumi në librin e tij ”Rrno vetëm për me tregue”: Populli filloi me kja prej përmallimit, por un u thoshe të madhe: – Nuk jemi tuj pëcjellë një të vdekun, por një të sëmutë për ta shërue në spital! – Ndërkaq thoshem me vedi: Ky do të jetë njeriu ma i rrallë në botë që ia shef vedit funeralin…” Shenim U morë nga Faqja 74 e librit “Dushman – Temali në rrjedhje të kohëve” – autor juristi Ndoc Ndoja (i dtl. 1938) , Botimi “Camaj – Pipa” – Shkodër 2008.

At Davidi vdiq në moshën 78 vjeç, në pragë të Krishtlindjes, më 21 dhjetor të 1967 dhe u dërgue në shtëpinë e qetë pranë njerzve të familjes në Varrezat Katolike të Rrmajit. Egërsia e ateizmit komunist ndaj besimtarve katolikë nuk arriti të pengojë farefisin, miq e dashamir nga Shkodra besimtarët malsor të Shllakut, të Dushmanit, Temalit e ngado ku shërbeu me aq dinjitet e dashni.

A duhet nderue kontributi atdhetar, fetar, veprimtar i At David Pepës? Padyshim që duhet nderue dhe asht tepër e vonuem. Të rrije si hije edhe pranë burrit të madh të Pavarsisë, plakut të Vlorës Ismail Qemali ishte një nder i madh dhe të bisedoje akoma edhe t’i përktheje fjalët e urta të kryeminstrit të Parë të Shqipnisë pas 433 vjet robëri osmane në Zyrën e Kontit Bertholdit, Ministrit të Jashtëm të Perandorisë Austro – Hungarisë ma të pathyeshëm në atë kohë në Europë në pragun e Pavarsisë ishte një Vlerë historike, që nuk mund ta pranoji analet historike të heshtet të vazhdohet ende të injorohet me heshtjen të At David Pepës si njeri i Klerit Katolik e mbi të gjitha si shqiptar i gjakut të Kastriotve. Është nder për Të dhe nje nder i madh i bahet historisë. Nder i bahet edhe Ismail Qemalit që kishte në biseda sekrete për atë kohë një djalosh besnik, student i ri në Vjenë nga Shkodra i quejtun David Pepa. S’ka gja ma të damshëm se sa të gjymtohet e vërteta për hirë të paragjykimeve komuniste, fetare, sektare, naciste,….ndaj cilido njeri për punën dhe veprën edhe ’’të vogël’’ ndaj kombit dhe njeriut. Falenderim! Unë due ta falenderoj thellë nga zemra juristin dhe autorin e librit studimor me përmasa të thella shkencore “Dushman Temali në rrjedhje të kohëve”, që për herë të parë nga rraca shqiptare shkruejti një libër shkencor për Shllakun e në veçanti për Dushman – Temalin. Ishte i pari burrë z. Ndoc Ndoja nga Kllogjni i Dushmanit që shkruejti për fratin nga Shkodra, At David Pepa aq bukur dhe aq realist, pa epitetet e përmasave hiperbolike. E unë aty mësova për fratin puntor, e shërbëtor i besimit të popullit. Unë nuk kisha se si të mos e përmendja në 100 vjetorin e Pavarsisë të Shqipnisë si protagonistë i padukshëm i saj, që nuk mund të lihet ma në hijen e kohës. Për mue asht një punë ma e vogël që e paraqesë tashmë nga libri në internetë për t’i dhanë mundsi shllaksve, pejanve, puknjanve, hotjanve, toplanve,…që ta kujtojnë dhe të sjellin në internetë kujtime për fratin e tyne që pushon në paqe. Prandej të dashtun nana e motra, vllazën e baballarë ka ardhë koha të shpreheni për burra trima, dijetar, malsor, vasha që i dhuruen gjithshka trevave shqiptare për liri, pavarsi, kulturë e demokraci në shekuj. Nëse nuk e bani ju kët nder historisë atëhere harresa do të përdoret nga spekullatorët e historisë sidomos me tituj fantazmagorik si doktor, profesor, akademik të rinjë e të vjetër sikur kanë dhe po vazhdojnë pa ndal me zell.

Autori Bep Martin Pjetri: U pregatitë shkrimi me tituj e nëntituj nga Bep Martin Pjetri duke u bazue prej shkrimeve të faqes 72 – 75, të librit studim “Dushman – Temali në rrjedhje të kohëve” – autor juristi z.Ndoc Ndoja (i date lindjes 1938), lindun në Kllogjen të Dushmanit.

Botimi “Camaj – Pipa” – Shkodër 2008 sipas stilit tem. E enjte, më datën 12.VII.2012 At David Pepa për Martin Kolë Camaj, djalin e Temalit dhe nipin e Prekalit Albert Vataj ka shkrue si maposhtë vijon shkrimin me titull “Martin Camaj, ky dalzotës i pashoq i gegnishtes”.

Famullitari i zonës, Atë David Pepa, shquajti tek ai tipare për të cilat e nisi në Shkodër kur ishte 7 vjeç, në Kolegjën Saverian mori edukatë klasike. I ati vdes pak vite pasi Martini i vogël u fut në Kolegjë.

( publikue në “Dushmani n’shekuj” (e ejte 12 korrik 2012) – At David Pepa përkthyesi i “Ismail Qemalit në Austri Takim i Kontit Leopold Bertholdi me Ismail Qemalin” .At David Pepa.1889- 21.12.1967

Marre nga https://m.facebook.com/historikuidushmanit/posts/319173115207562:0

K O M E N T E

2 KOMENTE

  1. Shum Falemnderës ju zotrinjtë e Revistës patriotike – kulturale të “Drinit”, qi më keni nderue fort me vendosjen e shkrimit tem duke vendosë edhe emnin tem! Mirnjohje e pafund!
    A e dini ju se keni emërtinin ma kuptimplote për mue dhe kulturën shqiptare?
    A e dini ju se unë e kam nji plan me ba nji libër Mbi kulturën e Pellgut të Drinit nga aspekti antropologjik?
    Asht ky pellg nën hijen e studjuesve. Kam në dorë nji vepër me dy volume me format afër A4 me seicilën nga 500 faqe. Por duhen 4.5 mijë euro me u botue simbas shtëpis botuese, gja qi s’ mundem si pensionist. Asht vepër me vieftë shkencore dhe e para. Mirnjohej për ndershmëninë t’uej. Bep Martin Pjetri.
    E mërkurë, 17 kallnduer 2024

    • I nderumi Bep Martin Pjetri, të falemnderojmë që u paraqite me mendimin tënd rreth shkrimit që ta kemi botue. Ishte kënaqësi e nderim për ne që ta botonim në Drini shkrimin me aq përmbajtje, porosi dhe kulturë atdhetare. Redaksia e Drinit ua jep të gjitha mundësitë që të botoni tek ne kur të doni e mundeni. Mund të dërgoni shkrime, fejtone apo botimin e librave të tanë që do ti botonim me dëshirë të madhe në Drini. Ju lutem që nëse dërgoni shkrime, fotot t’i nisni ndamas nga tekstet në e-mailin e redaksisë: puhiza@hotmail.com

      Me respekt:
      Redaksia e Drini
      Gjergj Kabashi, editor

SHKRUAJ NJË KOMENT

Ju lutem, shkruaj komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaj emrin tuaj këtu