Nga: Behlul Jashari, Prishtinë
-Gazeta e rezistencës në Kosovë “Bujku” para 24 viteve për kalimin në amshim të Nënës Tereze/
-Presidenti i Republikës së Kosovës dr. Ibrahim Rugova, për gazetën deklaroi: Lajmi për vdekjen e Nënë Terezës u prit me pikëllim të veçantë në Kosovë dhe kudo në botën shqiptare…/
-Në ballinë të gazetës ishte edhe titulli “Nëna Tereze – shpirt shqiponje” i shkrimit me mbititull “Institucionet shtetërore dhe politike të Republikës së Kosovës mbajtën mbledhje komemorative”/
PRISHTINË, 5 Shtator 2021/ Gazeta e rezistencës, e lëvizjes e luftës për lirinë e pavarësinë e Kosovës, “Bujku”, kryeredaktor i parë-themelues i së cilës isha, që sfidonte ndalimin e dhunëshëm të gazetës së vetme të përditshme shqipe në Kosovë “Rilindja” nga Serbia okupatore, para 24 viteve kryetitull balline kishte “Vdiq Nëna Tereze”, e në nëntituj theksonte: “Bamirësja 87-vjeçare shqiptare, e cila e nderoi kombin e saj edhe me Çmimin Nobel, u bëri ballë disa sulmeve në zemër gjatë viteve të shkuara, por gjithnjë mblodhi forcë të vazhdonte misionin e saj të shenjtë. – Pikëllim i thellë në tërë botën”.
Raportimi për kalimin në amshim të Nënë Terezës kishte vendin dhe datën “Kalkutë, Indi, më 5 shtator”, e vijonte “Gjerësisht në faqen e dytë”, ku ishte edhe kryetitulli “Dr. Rugova: Humbje për mirësinë dhe harmoninë njerëzore” me këtë tekst:
“Menjëherë pas komunikimit të lajmit për vdekjen e Nënë Terezës, presidenti i Republikës së Kosovës dr. Ibrahim Rugova, për gazetën tonë deklaroi:
‘Lajmi për vdekjen e Nënë Terezës u prit me pikëllim të veçantë në Kosovë dhe kudo në botën shqiptare.
Në këtë moment të dhemjes për Nënën Tereze, për laureaten e Çmimit Nobel për Paqe, për simbolin e shenjtërisë, të përvujtnisë dhe të solidarizimit me të varfërit, mund të themi se vdekja e saj është një humbje e madhe për mirësinë dhe për harmoninë njerëzore’.
Në shenjë respekti të thellë për veprën dhe për figurën e saj, për prezentimin që i bëri kombit shqiptar dhe vendit ku lindi, presidenti i Republikës së Kosovës, dr. Ibrahim Rugova, kohë më parë Nënë Terezën e shpalli qytetare nderi të Kosovës.
Ky ishte nderi që i bëri Kosova në një kohë kur emri i Nënë Terezësa ishte bërë parashenjë për vetë Kosovën”.
Kryetitull në faqen e dytë ishte edhe “Një fytyrë që ngjanë në fytyrat e të gjitha nënave”, shkrim nga Nju-Jorku i Sinan Kamberajt me mbititull “Nga një takim me Nënë Terezën”.
“Bija e popullit dhe e Kishës Shqiptare” ishte titulli i deklaratës së dr.don Lush Gjergjit, kryetar i Shoqatës Bëmirëse Humanitare “Nëna Tereze”, autor i pesë veprave që i kushtoheshin Nënës Tereze.
“Një vdekje e madhe e një Nëne të madhe”, ishte titulli i deklaratës së dr. Rexhep Bojës, kryetar i Bashkësisë Islame të Republikës së Kosovës.
“Humbje e madhe për mbarë botën dhe kombin tonë”, ishte titulli i deklaratës së dr. dom Shan Zefit, Kacelar i Ipeshkëvisë së Kosovës.
Gazeta “Bujku” e 6 Shtatorit 1997 botonte edhe një kalendar historik për Nënë Terezën – Gonxhe Bojaxhiun me titull “Datat e rëndësishe”, ku fillimisht shkruante se ishte viti 1910 kur Agnesë Gonxhe Bojaxhiu lindi më Shkup…Gazeta nisi menjëherë për në Kalkutë-Indi reporteren speciale Evliana Berani…Ajo, mes tjerash, nga Kalkuta në 12 Shtator 1997 raportonte me mbititullin “Sot varroset Nëna Tereze” e me titullin “Udha drejt Shenjtërisë”. Raporti botohej duke filluar në ballinë të gazetës të datës 13 Shtator 1997…
Në ballinë të gazetës ishte edhe titulli “Nëna Tereze – shpirt shqiponje” i shkrimit me mbititull “Institucionet shtetërore dhe politike të Republikës së Kosovës mbajtën mbledhje komemorative”.
E, “Porositë e mëdha” ishte titulli i editorialit të shkruar nga kryeredaktori Avni Spahiu…
Shqiptarja Gonxhe Bojaxhiu, e lindur në 26 Gusht të vitit 1910 në Shkup, u bë Motra Tereze e Loretos (1929); Nënë Tereza – “Misionare e Dashurisë” (1950); Nobelistja e Paqes (1979), e Lumja Nënë Tereza (2003); Shën Nënë Tereza (2016).