Memento nga një “sejour” i shkurtër në Shqipëri (1) 

0
83

Bajram Sefaj , shkrimtar

MALLI I SHQIPËRISË 

Më ka marrë malli për Shqipërinë tonë 

Për atë qiell të madh, të gjerë e të thellë 

Për vrapin e kaltër të dallgëve Adriatike 

Për retë që në muzg si kështjella digjen… 

(Ismail Kadare) 

Sa herë vi në Shqipëri (unë kurrë nuk shkoj në Shqipëri, unë vetëm vi në Shqipëri!) më vijnë ndërmend vargjet e poemës së të madhit Ismail Kadare “Malli i Shqipërisë”, kur nga diku larg, sipëri qiejve apo në udhëtim të havasë, me një avion gjigant, me mall pikëllues, i këndon vendlindjes – Tiranës, Shqipërisë. 

Edhe më parë, kohëve të fundit sidomos, shpesh provoj këtë ndjenjë të thellë. Aq bukur të transformuar, të skalitur e të ngjeshur në vargun e shkrimtarit tonë të madh. Kur në hapin e tij të parë krijimtari, si tërë bota mbarë (krijuese) ishte (vetëm) poet! Një, ndërkaq, është e vërtet. Sa herë lidh mendjen (lexo: prej biletën!) për udhë në Shqipëri, po aq herë, praktikisht, me trup e me zemër përnjëherësh, veç jam në Shqipëri. Më pastaj, rruga mund të mos ketë të sosur kurrë. Njashtu, sikurse në anën tjetër, mund të soset sakaq. Nga se zemra është  më e shpejtë se fugimi i çfarëdo mjeti transportues, se fluturimi i çfarëdo avioni supersonik! Zemra shilon hapësirat. Nuk njeh asnjë orar. Shpejt, në biçim vetëtime, ajo kapërcen malet, fushat, ujërat, (lumenj e dete) kur përnjëherësh instalohet, e vjen në Shqipëri. Në Tiranë. 

Por, rrugëtimi i kësihershëm për në Shqipëri “ngadalëson” një çikëz, nga se, me vete bartë një histori. Një (para) histori të tërë. Mund të thuhet. 

Udha për në Shqipëri, pikërisht në ditët e fundit – në muajin e fundit të vitit, të dhjetorit 1998, pra, merr me vete dy të vërteta që s’i luan as topi, si i thonë fjalës. Dy të vërteta që nuk ka fuqi (në botë) që i luan vendi. E para është: dëshira, etja, djegia dhe grirja ime mijëvjeçare që, një herë në jetë, festën (gjithëpopullore, gjithënjerëzore) ta kremtoj kudo në Shqipëri. Me flakën më të madhe (të zjarrtë) në Tiranë! 

Kisha (kam) përshtypjen se kjo dëshirë kishte lindur njëmijë vjet, të tëra, para lindjes sime vetë. 

Ose më parë ishte  një ëndërr e gjatë mijëvjeçare që kurrqysh të jetë e zonja të zhvesh rrobën e trashë të ëndrrës, të dalë (fitimtare) guacës së saj e të bëhet realitet. 

Më së afërmi realizimit të kësaj dëshire, deri më sot, isha vetëm një herë. Ishte dhjetori i vitit (paksa më të lehtë e më të lirë) 1995. Bashkë, me të birin tim (Uranin) ishim instaluar te një familje tejet e ndershme sa edhe bujare tiranase (me mbiemrin Rakipi? Sa më kujtohet) që apartamentin e kishte në rrugën Muslim Shyri (për fat të mirë), përball “Eurorilindjes” në Tiranë. 

 Ishin ato (atëbotë, ndoshta, nuk kam qenë i vetëdijshëm për këtë?) ditët më të lumtura. Nuk e teproj aspak, nëse them se, ishin ditët e mia më të lumtura, jo vetëm në Tiranë, por në jetë, përgjithësisht. Me kënaqësi në trup dhe në zemër, errja e terrja, ato ditë në Tiranë. Kjo ndjesi (si e panjohur për mua!) Tiranën e bënte qytetin më të ngrohtë në botë. Qytetin më të bukur e më të dashur në botë. 

Botës së madhe të miqve e kolegëve të mi që i kisha “krijuar” ndërkohë, tash i (bashkë) ngjitej edhe një “armatë”! miqsh të  birit tim. Shumica prej tyre ishin nga Kosova. Shumica prej tyre studionin veterinarinë! Kjo të bënte të mendosh se shqiptarët e Kosovës në Tiranë, studiojnë vetëm veterinën (veterinarinë) e asgjë tjetër. Jo, kjo fare nuk ishte e vërtet. Më parë ishte një mashtrim optik e asgjë tjetër. Ditët e qëndrimit në Tiranë, dëshmonin se në  fakultetet e ndryshme të Universitetit të Tiranës, studionin shumë të rinj shqiptarë nga Kosova. Më të zëshmit, thuaj, më të dukshmit, a më të shfaqurit ishin ata që, në degë e sektorë të ngushta “specializuese” studionin në krahët e Akademisë së Arteve të Bukura në Tiranë. 

Krahas mijëra kënaqësive që i vilje gjatë bredhjeve, gjatë gjithë ditës, nëpër Tiranë, rrugëve, bulevardeve, kur takoje aq shumë miq e dashamirë, kolegë, të njohur e tjerë, ishte ajo, kur mbrëmjeve të pasdarkes së thellë, i afroheshe “Mullirit” të “Eurorilindjes”. Që atë botë, pos Rilindjes vetë, nëpër “gurët” e saj (lexo: rotacionit!) rrotulloheshin e botoheshin po nja 15-16 gazeta të ditës e periodike në ditë. Shtoju këtyre edhe botimet e panumërta të librave të ndryshëm… 

Tek po hedh këta rreshta në Memento-n (tim) pas thuaj tre-katër vjetësh, sikur vetvetiu, më vjen të pshërit  e të them: eu, po ç’kohëra të bukura (të pasura!) paskan qëlluar, ato eu! E nuk e paskemi ditur, eu…! 

Kur zonja e shtëpisë kumtoi se për festën e Vitit të Ri po i vinin miq nga vise të largëta të Shqipërisë, ëndrrat e mia dhe të birit tim “dobiç”, u prishën sakaq. Ngelëm me gishta në gojë. Vitin e (zi) Ri e pritëm mbi rrotat e trenit. Në udhë për diku larg. Diku në veri. Në ngrirëri. 

Sot, ndërkaq, është mëngjesi i hershëm i dhjetorit ’98. Kur, bashkë me “komshiun” tim, të riun Zymer dhe vëllain e tij (shokun) Enver, nga një qytet, më parë qytezë, me emrin Annemassë të Francës, vijëdrite, marrim rrugë për në Shqipëri. 

Ky tresh, trio (këndon dueti trio – Zajazi, sikur parapëlqen të përsëritsh shumë herë, një miku im nga Prishtina!) mund të ketë aspirata të ndryshme nga udha për në Shqipëri. Unë për veten time vetë, tjetër gjë nuk kisha para vetes, as tjetër gjë nuk pritja nga kjo udhë, me përjashtim që ëndrrën e kamotshme, pra, ta bëj, më në fund, realitet! Me makinën e zotit Zymer ecja, me zjarr në gji, drejt Shqipërisë, më saktë, drejt Tiranës. Për herë të parë në jetën time, atje t’i dal përpara kremtes (famoze) të pritjes së Vitit të Ri. Dhe, kjo ishte e tëra. Asgjë tjetër. As më pak e as më shumë. 

Me flakë, mbase, akoma më të zjarrtë, këtë udhë e merrte Zymeri vetë. Kur merrte shpejtësitë vetuese, me veturën e tij, duke këputur rrugët e gjata sipri Alpeve “flokëbardha e mjekër gjelbra” (si në poezinë e Kadaresë!), kur hiqte leqe të shkurtra dredharake e tunele të gjata (kur janë si ai me emrin Momblan) mendja më vërtitej e më thoshte se, për ndryshim prej meje, ky djalosh nxiton udhën që në përqafim t’i shkojë një “baba dimri” tjetër. Të pa mjekër e veshje palaço dhe hundë të kuqe.

Sigurisht, pandehja, nga vizitat e tij të mëparshme në Shqipëri, që atje kishte lënë një pjesë, e zemrën krejt, të një “kutie” të zemrës së vet, me besnikëri e përmallshëm, po ia ruante ndonjë e re e bukuroshe. Zymeri, nuk thoshte asgjë. Pandehmat e mundshme ose i mbulonte me mjegulla heshtjeje ose i zbardhonte me buzëqeshje të bardha. Më të bardha se bora sipri Alpeve! Më i “pafajshmi” në këtë udhë, të gëzueshme dhe të hareshme, ishte “shoku Enver”! 

I ngritëm nofkën “Shoku Enver” jo për tjetër, por për shkak të emrit të madh që ka. Por, mos ta trazojmë në “pafajësinë” e tij. Ai, në Shqipëri, shkonte për herë të parë në jetë: Ishte kjo udha e tij më e shenjtë dhe më e shtrenjtë në jetë! 

SHKRUAJ NJË KOMENT

Ju lutem, shkruaj komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaj emrin tuaj këtu