ARKIVI:
18 Nëntor 2024

Shaban Murati: Micotaqis zyrtarizon “asosiacionin e komunave greke” në Shqipëri

Shkrime relevante

Broçkullat e Albin Kurtit, trimërim për neootomanët…!

Belisar Jezerci, historian ____ Deklaratat e kryeministrit Kurti në medrese "Alauddin" në Prishtinë,...

O Stano, zëdhënësi i Serbisë, Kosovës nuk ka çka t’i duhet integrimi europian “me Serbi” brenda saj!

Gani I. Memeti Zëdhënësi i BE-së ka thënë se çështja e institucioneve...

Lirim Mhehmetaj dhe fjalori i tij trashaman…!

Afrim Caka, Gjakovë ___ …SE MOS E KA PARË DIKUSH TË JETË SKUQUR...

Popesku, turpi bije mbi ata që në shtëpinë e vet i sulmojnë mysafirët…!

Gani I. Mehmeti Në minutat shtesë, tifozët vendas nisën thirrjet raciste, me...

Shpërndaj

Nga Shaban Murati, veteran i diplomacisë, Tiranë

________

Kryeministri i Greqisë Micotaqis zgjodhi jo rastësisht 110 vjetorin e pavarësisë së Shqipërisë për të përuruar dhe zyrtarizuar krijimin e “Asosiacionit të komunave greke” në Shqipëri. Në ditët e festës sonë kombëtare shtypi grek njoftoi me entusiazëm se në 7 dhjetor 2022 kryeministri i Greqisë do të zhvillojë për herë të parë në historinë e shtetit shqiptar një turne zyrtar në tre komuna shqiptare, që sipas Athinës janë komuna greke.

Nuk e arriti Venizellos në 1912, por po e arrin Micotaqis në 2022 për të rindërtuar “Vorio Epirin” grek në territorin e Shqipërisë. Për herë të parë kryeministri i Greqisë zyrtarizon Himarën si komunë greke dhe e bashkon atë me projektin qeveritar grek të “Asosiacionit të komunave greke” në Shqipëri.

Skandaloze në planin diplomatik dhe shtetëror është fakti që kryeministri i Greqis Micotaqis do të zhvillojë turne zyrtar në tre “komunat greke” në Shqipëri pa qenë dhe pa  bërë bërë vizitë zyrtare dypalëshe në shtetin e Shqipërisë. Mospërfillja greke ndaj dinjitetit dhe sovranitetit të Shqipërisë shkon deri në absurdin që kryeministri grek, pa vizituar Shqipërinë vjen dhe zhvillon turne zyrtar vetëm në tre “komunat greke”, ku realizon rivendikimin grek edhe për Himarën, e përfshirë në hartën e re diplomatike të qeverisë greke me emrin “Asosiacioni i komunave greke” në Shqipëri.

A e dini se në Ministrinë e Jashtëme të Shqipërisë nuk e mbajnë mend se kur ka ardhur për vizitë zyrtare në Shqipëri kryeministri i fundit grek?. Në vitin 2009 ka ardhur i fundit kryeministri Karamalis për të korrur fitoren strategjike greke të marrëveshjes së zezë të detit të vitit 2009. Kryeministri Edi Rama po mbush dhjetë vjet në pushtet dhe ka  vajtur aq herë në Greqi sa nuk numurohen dot, por asnjë kryeministër grek nuk ka denjuar të zhvillojë vizitë zyrtare në Shqipëri, megjithë hosanatë e mjera të qeverisë së Shqipërisë “për marrëdhëniet e shkëlqyera me Greqinë”. Tani pas 13 vitesh Micotaqis vizitën e parë zyrtare po e zhvillon në “Asosiacionin e komunave greke” në Shqipëri.

Jemi para një hopi apo suksesi të madh historik të helenizimit apo të greqizimit të Shqipërisë, sepse lejen e turneut të kryeministrit grek në territoret shqiptare të “Asosiacionit të komunave greke”  ia ka dhënë qeveria e Shqipërisë dhe personalisht kryeministri Edi Rama. Unë nuk dua ta  besoj, por disa media shqiptare shkruajnë këto ditë se është vetë kryeministri i Shqipërisë që e ka ftuar kryeministrin e Greqisë të zhvillojë këtë turne zyrtar për herë të parë në histori në tre “komunat greke” ku kanë ligjëruar tani edhe Himarën e shkretë. Kjo të habit një çikë, sepse del që kryeministri i Shqipërisë pranon zyrtarisht se komuna e mamasë së tij është greke.

Aq i ethshëm ka qenë bashkëpunimi kryeministror për ligjërimin e vizitës historike të Micotaqisit në Himarë dhe në gjithë hapësirën e “Asosiacionit të komunave greke” në Shqipëri, sa që sipas burimeve nga qeveria  Tiranës, kryeministri i Shqipërisë ka vënë në dispozicion të kryeministrit grek helikopterin qeveritar shqiptar për të realizuar turneun e përurimit të “Asosiacionit të komunave greke” në Shqipëri.

Vlora, Tepelena dhe gjithë populli zhurmëmadh patriot shqiptar, të cilëve nuk ua ka dalë ende rakia e lavdisë së 110 vjetorit të pavarësisë, dhe kur rapsodët me poture ende nuk kanë pushuar së kënduari për lavdinë e vetes dhe të katundit të vet, nuk bëjnë fare pyetjen kushtruese “Ç’punë ka Micotaqis në Himarë?”.

Nuk po e ndjen kush kafshimin e kryeministrit grek për komunën e Himarës. Protokolli grek qëllimisht ka kërkuar që shiritin e “Asosiacionit të komunave greke” Micotaqis do ta presë duke shkelur në fillim në Himarë.

“Asosiacioni i komunave greke” në Shqipëri po krijohet në territorin e Shqipërisë dhe po përurohet zyrtarisht nga kryministri Micotaqis. Ky është hapi i parë drejt të ashtuquajturit “Vorio Epir”. Hapi i dytë në programin  strategjik grek është kërkesa e Athinës që Shqipëria të lejojë vetëvendosjen e “Asosiacionit të komunave greke” në Shqipëri.

Këtë kërkesë e ka bërë ministria e jashtëme greke dhe ministri i jashtëm grek Katrugallos, të cilin qeveria socialiste e vitit 1998  e thirri në Tiranë të hartonte Kushtetutën e Shqipërisë dhe ai sot mburret në biografinë e tij zyrtare se është babai i Kushtetutës së Shqipërisë. (Për kërkesën zyrtare të MPJ të Greqisë që minoriteti grek të ketë të drejtën e vetëvendosjes shiko librin “Deti midis Shqipërisë dhe Greqisë”, 2021, fq.81).

Hapi i tretë i Greqisë pritet të jetë nxjerrja nga varri i të ashtuquajturit “Protokoll të Korfuzit”.

Të dashur shqiptarë, mbylleni gojën dhe mos u ankoni më për fuqitë e mëdha europiane, që e coptuan Shqipërinë në 1913. Ky është muhabet i vjetër i 110 viteve më parë. Muhabet i ri është që sot vetë qeveria e Shqipërisë po ia jep Greqisë pjesë-pjesë territorin shtetëror tokësor dhe detar. Këtu nuk është më faji i fuqive të mëdha europiane.

Kryeministri i sotëm i Greqisë tani po e gjen rrugën e hapur nga vetë Shqipëria, që të realizojë gllabërimin e asaj pjese të territorit shqiptar, që nuk e mori dot në 1913.  [DITA/ISHGJ]

K O M E N T E

2 KOMENTE

  1. Populli shqiptar në mbarë hapësirën etnike dhe mërgatën e shpërndarë nëpër botë, do të duhej që përfundimisht ta largonte prej fjalorit akuzën e fajësimit për Europën dhe fuqitë e mëdha përgjithësisht. Përgjithmonë. Vetëm një popull NAIV dhe në fazën e parafundit të vetasimilimit kombëtar me rexhepqosjet e tij dhe këngëtarët tallava, iu beson naiviteteve të këngëtarëve tallava që i ndezin ndjenjat e tij pseudoatdhetare duke i kënduar Mollës së Kuqe apo Çamërisë përderisa fqinjët e afërt a më të largët lozin e tallen me ty natën e ditën, duke i realizuar të gjitha projektet për zhbërjen tonë kombëtare.
    Eksperimenti më i kobshëm antishqiptar është ai i asciciacionit të komunave serbe (në Kosovë) e tash na dolën edhe “komunat greke” në Shqipëri?!
    Pse jo?
    Nëse për Turqinë u dashka të bëhet një Mamushë “turke” me mbiemrat Morinë, Krasniq, Mazrek e Berishë, pse të mos ketë edhe Himarë “greke”?
    Pse të mos jetë Shqiptaria “vend multietnik” kur vet udhëheqësit “tonë” ia shtojnë Shqipërisë “nëntë pakica”, madje edhe “pakicën bullgare” në Malsinë e Kuksit?!
    Ah këtë vendin tonë “e lëshoftë toka” po udhëheqësit që i dolën prej “gjirit të tij”. Secili ma në shërbim të armiqëve historik se sa tjetri!
    Përderisa për interesat neoosmane u mbush Shqiptaria me xhami në kohën kur bota demokrtatike po heq dorë nga feja si “fëmijëni njerëzore”, “arnautët” ditën e natën në shërbim të Turqisë për tu vetshembur. Shembulli më i madh është megaxhamia e “Erdoganit” në Prishtinë, kur taksapaguesit turq i dhanë për ngritjen e saj 33 milionë euro. Bravo iu qoftë se “arnautët” duhet me i ngopur me islam e xhami, derisa të mos shohin gjë tjetër fare, njejt si imamët e tyre të shkretë për mend.
    Me 7 dhjetor Micotaqis do ta vizitoj dhe promovoj “asociacionin e komunave greke”, duke nisë nga Himara e Qeveria e coftë shqiptare do t’ia jep në disponim edhe helikopterin qeveritar për tu endur në parashtetin helen.
    Ani kur shqiptarët NAIV e të ndezur me atdhedashuninë që u mungon, këndojnë , vikasin e piskasin si histerik për Mollën e Kuqe dhe Çamërinë, ndërsa në anën tjetër nuk guxojnë të kalojnë lirshëm as në Graçanicë, Zubin Potok, tek Kodra e Minatorëve, Leposaviq apo në komunen e Gores, e të mos flasim për Gumenicën, Artën apo Prevezë.
    Qe njëqind e kusur vite Faik Konica ka thënë se, pikësëpari duhet të bëhet Shqiptari në mënyrë që të na shkojnë punët mbarë e “udhëheqësit tonë” e bënë krejt të kundërtën duke u përqëndruar si hijena që ta shqyejnë e vrasin pikërisht ndërgjegjen e tij të pakët kombëtare, për hirë të “njeriut të ri arnaut” qysh deshtën Turqia neoosmane, Serbia e Greqia.
    Çka kemi ne me folë më shumë për ligësinë tonë proverbiale, kur edhe Maqedonia (V) , që i ka pothuaj 60 % shqiptarë brenda saj, nuk të llogaritë fare që je gjallë, ta regjistron Lëvizjen Vehabiste si të ligjshme dhe si rrugë për theqafjen tënde e ta lë një aliahmet të plakur para kohe , duke ia krijuar iluzionin se gjoja bënë politikë në “shtetin multietnik” MV, që e udhëhqin demat maqedonas të shtetit njëetnik.
    Mos e akuzoni askend për fajin ndaj vetvetës o Shqiptarë/e, se në këtë rreth vicioz e keni sjellë vetvetën.
    Udhëheqësit janë tuajt dhe jetojnë me juve, në mesin tuaj, deshtët a nuk deshtët ta pranonit.
    Janë mu këta udhëheqës që se hapen gojën qe 22 vite për dëbimin me metoda luftarake të pothuaj 20 mijë familjeve nga pjesa veriore e vendit tënd, Mitrovica andej Ibrit.
    Eshtë pikërisht mendësia e “odës së burrave” ku “burrat e familejve të mëdha”, në kohën e vëzhgimeve e përgjimeve ndërplanetare, vazhdojnë ti dredhin mustaqet e mjerimit të kohës që e jetojmë.
    Largoje mendjen dhe kokën nga xhamitë që po ti ngrenë me të shti në gjumin e vdekjes dhe ktheju vetëm vetvetës, se Gadishulli Ilirik (pjesa ku ti jeton) , nuk mund të ribëhet dhe forcohet nëse ti nuk je i zgjuar e mendon, gjykon dhe vepron vetëm si Shqiptar/e.

  2. Ende nuk po mund të besoj:
    – A është e vërtetë edhe kjo?
    Tash ka mbetur që vetëm malazezët që e kanë pjesën më të detit Adriatik shqiptar, Liqenin e Shkodrës 2/3 dhe ish qytetet shqiptare e Plavë e Guci, të kërkojnë “asociacion” për malazezët në Shqipëri. Pastaj, radhën e kanë maqedonët që gjithashtu qytetet me popullsi e tokë shqiptare që nga Kumanova, Shkupi, Tetova … e deri afër kufirit me me greqi e Bullgari, dikur ishin shqiparë (Manastiri), do ta kërkojnë që Gllomboqi, vendlindja e Spasses në Shqipëri të bëhet kryeqytet e asociacionit me “shumicë” maqedone, bashkë me Liqenin e Poradecit.
    Serbët, le ta kërkojnë “Durrsin”, sepse edhe kjo skele iu ka mbetur merak serbëve. Edin le të zgjedhin kryetar të grupeve e organizatave serbe në Shqipëri.

SHKRUAJ NJË KOMENT

Ju lutem, shkruaj komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaj emrin tuaj këtu